Samstag, 6. Juli 2013

Zejnullah Halili

Zejnullah Halili (1945 – 2004)

Zejnullah Halili është ndër shkrimtarët më të njohur, të dekadave të fundit, në letërsinë shqipe. Ai krijoi kryesisht për fëmijë, por ka botuar edhe vepra për të rritur. U lind më 1945 në Kokaj të Gjilanit, në Malësi të Karadakut dhe vdiq në Prishtinë më 24 shkurt të vitit 2004. Ai u rrit në një familje me tradita atdhetare e përparimtare për kohën, e cila jetonte në kushte tejet të rënda ekonomike, ngase shumica e fshatareve dhe familjeve shqiptare kishin mbetur pa pasuri e pa të ardhura, sepse të mirat i vilnin pushtuesit. Kaloi fëmijëri të vështirë dhe me shumë peripeci. Shkollën fillore e kreu në fshatrat fqinj Llocë e Pogragjë, shkollën e mesme normale në Gjilan, ndërsa studimet për letërsinë shqipe në Prishtinë. Që në shkollën e mesme u dallua me krijimet e tij letrare dhe ishte shumë dashur e i respektueshëm për mësimshënësit. Pasi e kreu normalen, një kohë punoi mësues në disa shkolla fillore të fshatrave të Gjilanit. Më vonë, pasi kishte botuar përmbledhje poezish për fëmijë që ishin tejet me vlerë, u punësua në Radio Prishtinë, ku disa vite me radhë udhëhoqi emisionet për fëmijë. Më vonë redaktoi revistën letrare për fëmijë “Pionieri” dhe “GEP”. Pos shkrimeve për fëmijë, ai ka publikuar vepra edhe për të rritur. Zejnullahu është fitues I disa shpërblimeve letrare dhe për krijimet e tij janë shkruar studime të shumta nga kritikët shqiptarë të atyre viteve. Ishte pjesëmarrës i shumicës së rrjedhave letrare e kulturore në Kosovë e më gjërë. Pas mbarimit të luftës ishte anëtar i manifestiminit tradicional “Karvani i poetëve për fëmijë”, duke sjellë para fëmijëve kreacion të rrallë krijimi, recitimi e oratorie. Të gjithë e nderonin si njërin ndër shkrimtarët më produktiv dhe më të dashur për fëmijë të kohës.
Krijimtaria letrare e Zejnullah Halilit është e mbështetur në njohjen e thellë të botës së fëmijëve, të shpirtit të tyre të dëlirë, imagjinatës që i karakterizon ata dhe i dëshirës për ta njihur sa më mire e sa më gjithanshëm botë që na rrethon. Krijimtaria e tij letrare filon që në bankat e shkollës fillore, për të marrë rrjedhën e duhur gjatë kohës sa punoi mësues, ku njohu më afër fëmijërinë dhe e thelloi e kultivoi me përkushtim të madh gjatë viteve sa punoi gazetar, redaktor, udhëheqës i emisioneve për fëmije të RTV Prishtinës, punës që bëri në redaksinë e botimeve të revistave që botoheshin në kuadër të Shtëpisë Botuese “Rilindja”, ku ishte redaktor në “Pionieri” dhe kryeredaktor në “Gazeta e pionierëve”.
Zejna ka lënë pas vetes duke lënë pas vetes opus mjaft të pasur letrar, i cili përbëhet prej 26 veprave të botuara, të zhanreve dhe interesimeve të ndryshme letrare për fëmijë dhe të rritur, si dhe prej shumë dorëshkrimesh, që kanë ngelur ende të pabotuara.
Pasi e larguan me dhunë nga puna në “Rilindje”, Zejnullahu mbeti përsëri pa të ardhura dhe vështirësitë e jetës u kthyen për të, duke ndikuar që të kishte shumë vuajtje e peripeci dhe kjo ndikoi që ai të ndahej në moshë relativisht të re nga familja, që e deshi aq shumë, nga komuniteti i krijuesëve, nga miqtë e shokët e shumtë.
Zejnullah Halili është përfaqësuar në shumë publikime dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë.

 

Titujt e disa veprave e të botuara të Zejnullah Halilit:
  • “Ylberi”, 1969
  • “Shitësja flokartë”, 1971
  • “Ç’thonë pulëbardhat”, 1973
  • “Eshkë e dritë”, 1977
  • “Lamtumirë shkurtabiqë”, 1983
  • “Vendlindja shihet me zemër”, 1984
  • “Përralla lozonjare”, 1987
  • “Qirinj të ndezur”, tregime për të rritur, 1988
  • “Pikaloshja”, 1988
  • “Mollëkuqja”, 1989
  • “Ylli t’na hyj në mes”, roman për fëmijë, 1990
  • “Udha kah agu”, 1993
  • “Lulëshqiponja”, 1993, 1996
  • “Ëndërr e këputur”, roman për fëmijë, 1996
  • “Si u bë pikalorja bletë”, 1997
  • “Dallga”, 1998
  • “Djaloshi brenda mollës”, 1999
  • “Pres orën tënde”, 2001
  • “Unazë”, 2004

 

Poezi nga Zejnullah Halili


ME JU KRIJOJ

Me ju krijoj kaq e kaq fatmirësi
fanar më bëhen dëshirat,
Me ju krijoj dritëza jete-flori
qershizat. Të arrirat.

Me ju krijoj të bukurya gurra lirike
pyllthin larishtë,
Me ju krijoj matinetë poetike
bëj dafinishtë.

Me ju krijoj. Kam fjalët grosh
e nuk i zë ngushtë;
Me ju flatroj, rend malit përposh
nuk shpoj me ushtë.

Me ju krijoj bedenet e kalasë së re
jap beriha,
Me ju krijoj të rrallë një trofe
s’ja mbaj va pa va.

Me ju krijoj. Nxjerr farën prej gurit
s’bëj vrimë në uj’;
Me ju krijoj llampën e mërkurit,
bukën e bardhë mbruj.

Me ju krijoj. Bukurinë në dritv nxjerr
shtegu hapur në galeri,
Me ju krijoj ylberin-o ag e terr
këtu e në lashtësi.

Me ju krijoj të re fare një përrallë
një lis fletashumë,
Me ju krijoj, bukurezat i vë në ballë,
zogjtë në trumë.

Me ju krijoj, lumenjtë i bëj vardar
të rrjedhin me vërtik,
Me ju gëzoj. Kam fat në jetë, kam zar
kam fyellin ilirik!

 


UDHA E NDRITUR

Dhe vjen ҫast i pritur
ҫast fare i rrallë.
Të hapet udhë e ndritur
e ti hyn në përrallë.
Nisesh që nga ëndrra
hidhesh n’përqafim
oh, sa të ndritka nuri
voc në këtë udh’tim.

Udhëza e uruar
me dy brigjet push,
të pushton – gëzuar
pa të rrit, vogëlush,
pa të merr përdore
pup-pup në yllësi,
te ëndrra n’ndritësore
të shfaqë mrekulli.

Pa të hip në ujëvarë
Me shkronjëza t’shoqëron,
Veni n’kep të bardhë
Nga atje fluturon!

 


TA ZGJOSH MËNGJESIN

Me bebëza portokalli
ta zgjodh mëngjesin
dritën
ditën.

Në sy t’kesh yje

Gropë e trishtë
t’mos fanitet
as në ëndërr.

Ta zgjodh mëngjesin
me luzmë dëshirash
për degën e blertë.

 


KUNDREJT KODRINAVE

Kundrejt kodrinave në një luginë
magji më bëri një trëndelinë.

Zhaurimë e përroit, ҫ’thua moj,
zëra gazmorë nga ti dëgjoj.

Shoh zogj të kaltër. Më tutje ҫerdhe
ëndërr lozonjare këtu si më erdhe?

Po ajo ftujë ҫ’më thotë në varg
vekrrimë e saj më erdhi nga larg.

Po ajo re në të qiellit qepallë
me ato lulka, kujt m’i ngjan vallë?

Pa shih, pa shih se ҫ’trendelinë
sa mahnitëse e paska magjinë!

 


TURTULLESHAT E JETËS

A-ja sikur Agu i dritës
E-ja sikur Era e luleve
Ë-ja sikur Ëndrra e mirë
I-ja sikur Isoja në këngë
O-ja sikur Oaza e lulëzuar
U-ja sikur Udha e ndritur
Yja sikur Ylli I amshuar

Të shtatë turtulleshat
këndojnë përherë
në kitarën tone të jetës.

 


YLLI TË NA HYJË NË MES

Unë pemë frutore mbjell në këtë lëndinë
me shat e lopatë hap gropa të gjëra.
Në ҫdo grop nga një rreze ka shtëpinë
këtu miq, ëndrrën s’ma merr dot era.

Re e kaltër do t’bëhem, shi krijimtar
me zëkristalët –zëbuҫimtar.

Nxitoj e ngjatjetoj. Lidh brigje
me ylber magjik, me shokë diellore,
zgjoj këtej blegërimën e një grigje
e flas me lulnaja e ara bukatore.

Ngjiz mëngjesin dhe ja ta fal
Mere, sythi i blertë, zgal.

Nuk rri duarkryq. Lëroj e hedh farë
dhe të sjell gëzuar një mushtulluk.
Ti më uron fat e lërim të mbarë
nnë ty Lirëzën, të butëz, pambuk.

Pres prej teje, bulëzim, ҫ’pres?
Ylli të na hyjë në mes.

 


FJALA MAGJIKE

Ajo prej t’voglës gojë
Nxirrte tingujt e parë.
Nga djepi hidhej në lojë
vogëlakja me emrin Zarë.

Gugujtë e saj dëgjonim
dhe flatra i uronim.

Vogëlakja rritej e rritej
si ҫ’rritet qengji, vë bast,
po neve sikur nuk na pritej
të fliste donim në ҫast.

Qëkur kishte të ngjarë
Të thoshte fjalzën e parë.

Zara gugonte, gugonte
me zërin si të kumrisë,
me lodërza ditën e shkonte
njoma e nënës, e shtëpisë.

Oh, sot, vogëlakja s’gugoi,
Fjalën ma-mi – shqiptoi.



RREZJA E KUJTIMIT

Rrezja e kujtimit
nuk më është zbehur
për ty – Nënë.

T’i shoh
duart e lehta
si flladi,

t’i prek
flokët e bardha
si rrezet e hënës,

t’i ndjej
shikimet
valëvitëse si lumi,

t’i shikoj
gishtërinjtë
që bëjnë ҫudira,

t’i dëgjoj
përrallat
për t’Bukurën e Dheut.

Nënë
sërish t’i shoh
sytë shkreptimtarë.

 


KROI UJËKRISTALOR

(Kroit të Idriz Seferit)

Buroi nga kraharori i bjeshtës
(zbritur nga malet, puqur nga gurët)

buroi nga kraharori i bjeshkës
qëmoti një krua ujëkristalor

S’dinte se do të kalonte andejpari
(zbritur nga malet, puqur nga gurët)

s’dinte se do të kalonte andejpari
një ëndërrimtar me shumë malësorë.

Ҫ’ muaj ish? Luginës së përdielluar
(zbritur nga malet, puqur nga gurët)

ҫ’muaj ish? Luginës së përdëlluar,
malësorët nxitonin për në Grykë.

Sakaqherë pinë ujë lajthishte
(zbritur nga malet, puqur nga gurët)

sakaqherë pinë ujë lalthishte
renë e zezë e rrëzuan e bënë pykë.

Që nga ai ag Kroi mori këtë emër
(zbritur nga malet, puqur nga gurët)

që atë ag Kroi mori këtë emër
Kroi i Ëndërrimtarit mozaik currilash.

Buron nga kraharori i bjeshkës
(zbritur nga malet, puqur nga gurët)

buron nga kraharori i bjeshkës
Kroi me njëmijë zëra bilbilash.


 

VETË I SHOH

Po vajzuka si na erdhi?

Paj me shporta e ngarkuar,
Paj me krifa e flakëruar,
Vetë e shoh me sytë e mi
Madje i thanë: lum si ti!

Po kojrilat në sytë e saj?

Paj ata janë tinguj të parë,
Paj në yje kanë të ngjarë.
Vetë i shoh me sytë e mi
Ҫ’udhë marrin a e di?

Po pse duart zgjat nga dielli?

Paj i sillen retë vërdallë,
Paj nuk do t’i ketë mbi ballë.
Vetë i shoh me sytë e mi
A nuk janë retë krejt mavi?

Po trimoshave vallë ҫ’u bëri?

Paj i ҫoi lart tek manat,
Paj i zbritoi nga tëbanat.
Vetë i shoh me sytë e mi
Derisa bie një vesë-shi.

Po pastaj, pastaj ku vete?

Përmbi pjergull të Naimit
E n’Gështenjë të Petro Ninit.
Vetë i shoh me sytë e mi
Tek ai Diell që atje rri.


 

UNAZË

Bota është unazë
unaza është e rrumbullakët
nënkupton tërësinë e saj

Bota është e pafund
as unazës s'i gjendet një i tillë
që të dyja
pasqyrojnë përjetësinë

Në botë qëndron shpresa
një e tillë shpresë
gjendet edhe në unazë

Bota bekohet pareshtur
miliona herë
merr bekime unaza

Bota e unaza
I përkasin njëra-tjetrës

_______
Përgatiti: Rrahim Sadiku

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen