Donnerstag, 3. Januar 2019

Hysen Berisha

Hysen Berisha

Hysen Berisha ka ardhur në jetë në vitin 1956, në fshatin Kramovik të Rahovecit. Ka studiuar gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Në vitin 1990 ka emigruar në Norvegji. Ndërsa nga viti 1993 punon mësues, duke kontribuar kësisoj në mësimin llotësues të gjuhës amtare për nxënësit shqiptar në Norvegji. Prej vitit 2015 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarve të Norvegjisë, kurse në fundvitin e 2018-tës është pranuar edhe në Lidhjën e Shkrimtarëve të Kosovës.

Librat e botuara:

  1. PLAGE QE NUK DUKEN, roman, Prishtinë, 2008,
  2. AJRI ME ZOGJ TE PLAGOSUR, tregime, Prishtinë 2008,
  3. LUFTA SKA MBARUAR, dy drama, Prishtinë, 2008,
  4. KUVENDI I KAFSHEVE, për fëmijë, Prishtinë, 2008,
  5. FAMILJA TERABA, dramë, Prishtinë, 2014,
  6. ATY KU FJALA PESHON, poezi, Prishtinë, 2018,
  7. GURANA, roman, Prishtinë, 2018.



Poezi nga Hysen Berisha


MË MIKLOJNË CA KUJTIME

Ka kohë që lamsh më trazohet truri
Sepse më miklojnë ca kujtime
Për kohën kur studionim dhe
Gjenim radhën për botën intime.

Më kujtohet: atëbotë unë adhuroja varrezat
Se aty flakërimet erotike më zunë në thua
Ndërsa, ti, lapidarit treshtyllësh ia kishe zili
Se aty gjeje veten, një tjetër zonjë dhe mua.

Kujtoj, atëbotë, më pate thënë njëherë:
-Si në vegime, madhështore, fytyra jote
Mu në atë shtyllën e gjatë dhe krenare.
E fytyra ime rrëshqet si bolluce tek e vogla
Se në të mesmën do jetë një tjetër lozonjare.

Edhe unë, edhe ti haptas e vërenim se
Do të pasojë kjo që tani na mundon.
Kur ushtar isha, letrat që t`i dërgova
Më bëhet se asnjëherë, as tash s`i lexon.

Të pata shkruar:
- Më digjet zemra mua të shkretit.
Pa ty, si pranverë e ardhur pa gjelbrim.
Gishtërinjtë kërcas njërin pas tjeterit.
Ti, sikur ikën, sikur pason një hidhërim
Rrok biçikletën të të ndjek, por kjo s`nget
Se, para se të të mbërrij, goma i pëlcet.

Vetëm një letër, e dashur, ma dërgove
Në të cilën kishe shkruar vetëm një emër
Të tillë, edhe sot, mbështjellë me mishama
Dhe si hajmeli, me gjelozi e ruaj nën zemër.

Bjellovar, 1980



ME ANËN NË DUILLOV 

Pulëbardhat hidhnin valle
Mbi syprinën kaltroshe të Adriatikut.
Ndërsa, Ana, tek rreziteshim në zalle
Më pyeti për popullin, për profesionin
Për bujarinë e dëgjuar shqiptare, për halle
Për qëndresën heroike ndaj armikut
Për Skënderbeun dhe luftrat e famëshme.
Tek rrudhi  syrin, ngriti kokën dhe pyeti:
- Ballkani, me juve, ndau njësoj revolucionin?

Mendoj se iu përgjigja për të gjitha, pastaj
Shikoja se si pulëbardhat shqyenin ajrin
Shikoja  anijet në levizje, pyes veten vallë
Është e mundur që të shfaqet  lëkurë e re
Derisa  e vjetra u zhvesh dhe u dogj në zallë?!

Nuk më kujtohet, atë botë, kur dhe si
Ne, nën tendë e patëm filluar atë lojë
Por  gjithënjë më bëhej se ajo ia filloi
Nënhundën t`ma pushtojë me drojë.
Ndërsa 
Në fytyrat tona t`mërdhezura shkallë shkallë
Për atë që kishim në zemër, e lexoje në ballë.

Split, 1981



NË RELIEFET E SHPIRTIT

Shpatijeve, nëpër t`shpirtit reliefe
nëna, rëndë zvarritej për një fytyrë, 
për një fjalë goje, për një lidhje bese.

Ne ia kishim shtruar n`shtatëpalë qejfe.
Syt nuk dallonin asnjë mënxyrë,
asnjë ligështi, asnjë thyerje shprese.

Vërshime dhe luhatje kishim në kokë
se notonim nëpër rrëmujat shpirtërore
pa e vërejt mungesen e kodit: "i keq".

Na ishte mpleksur të kemi shumë shokë
pa kompleks lidheshim dorë për dore
skishte rëndësi shoku në qe njeri, apo dreq.

E nëna, duart lidhur herë në gji, e herë në brez,
na shikonte, e trazuar, ashtu si nga shpati.
Lutej për ne, por zemra sikur i kish vue shtrez
e nuk pajtohej me thënjën: "kështu e deshi fati".



EH, KJO DASHURIA!

Shekuj më parë, e, edhe sot, sa di unë, 
Dashurisë i kanë kënduar aqë shumë
Saqë, ai lumë fjalësh, po të ishin pika uji,
Botës do i shtohej një më i gjati lumë.

Ndër shekuj, sa dini ju shkrimtarët,
Dashurinë me gurë e kanë përsonifikuar.
Sikur të ishin mjeshtër çapken-beçarët
Bota në kështjellë do ishte shëndërruar.

Ndër shekuj, nëpër botë, sa di drejtësia, 
Dashurisë i janë hapur aq rreshka plage
Saqë, gjykimi nuk do të perfundonte
Sikur gjysma e botës të ishte gjyq Hage.

Edhe shumë shekuj, sipas filxhanit
Që, siç e parashikon Lulja ime në fall,
Do të ketë plotë dashuri dhe urrejtje
E urrejtjet, sërisht në dashuri e mall.



SHTATE NGJYRAT

Kanë thënë mjaftojnë shtatë ngjyra
për ta end brezoren dhe shallin,
por mua më duken mijëra sosh
kur ti mbështjell belin dhe ballin.

Ta dish se është një barrë e rëndë
e cila duhet të rëndojë në çdo kend
se janë ngjyrat shënjuese të popullit
e burreria, n`çdo mashkull, nuk zë vënd.

Me këto shtatë ngjyra kemi stolisur
nuset prej Hasit, nuset prej Gjakove.
N`shikim të parë djemtë janë harlisur
shikuari nuse Çame, nuse prej Rugove.

- Kujtoje pra, përherë, po deshe, more birë,
dhe do e përseris që t`mos e harrosh kurrë
që ta mbroshë traditën tënde sa më mirë,
dallohu nga të tjerët, se s`e ben çdo burrë.



ZEMRA E NËNËS

Ja pra, se edhe zemra e nënës 
dyshueshëm perdet kishte hapur
rreth  e rrotull sa për të parë
gjësendet, si dallendyshe i fluturonin.

Në të këthjelltat rreze të hënës
imazh i molisur i saj ishte kapur
me vezullimin e lotit, se kishte qarë
ngase, bijtë, zunë ta mashtronin.

-«Ndoshta – vetëngushllohej ndonjëherë.
Ata mbase duhet të kenë ndonjë hall
që herë, herë u shfaqet si mall me vlerë,
herë u shfaqet n`kokë e n`thembër, si djall».

Turpshëm me djersën e popullit të shkretë
si lisa, çdo ditë, rriteshinn shkallë, shkallë.
Sall pabesia dhe injoranca u kishte mbetë

përcjellur me ca njolla t`pështyeme n`ballë.

Sonntag, 30. Dezember 2018

Rakela Yzeiri (Zoga)

Rakela Yzeiri (Zoga)

Rakela Yzeiri (Zoga) kα lindur në Korçë, me 5 nëntor 1974.  Ajo ka mbaruar studimet për gjuhë e letersi dhe për disa vite ka punuar mësuese.
Fillimisht, krijimet e saja i ka botuar në gazetat "Drita", "Zëri i rinisë", "Nëntori", "Shqiptarja e re" etj.  Mëpastaj, ka kryer kursin e gazetarisë dhe ka publikuar të gazeta "Përpara" e qytetit te Korcës.  
Rakela, është autore e tre përmbledhjeve me poezi dhe ka fituar disa çmime letrare. Jeton në Greqi.

Veprat:

  • "Le të mbetemi miq"
  • "Eja sonte"
  • "Mjellmë në mjegull"


Poezi nga Rakela Yzeiri - Zoga


COPËZA MAGJIKE

Nuk po mësohem dot të ik prej teje.
Të pushoj e më mos të të dua.
Ti je ndërtuar prej asaj heshtjeje,
Që di të më dhemb vetëm mua.

Ti je ai që më copëton ç'do ditë,
Me lotin që pellg bëhet për ty.
Sa shumë i dua qerpikët e lagur.
Që qajnë për ty, vetëm për ty.

Kam kohë e ndiej se diku fshehur,
Brenda teje jam dhe unë.
Tek ajo pjesë që rri e heshtur
Të dua shumë, të përgjoj unë..

Në magjinë e heshtjes dhimbje,
Është kaq bukur, di ta pres.
E kam një gjysmë brenda vetes,
Të pamjes tënde që më qesh...



SHKËLQEJ

Sa herë ik prej teje marr vështrimin,
Çuditërisht bëhem me dy palë sy.
Ç'do gjë e shikoj nëpërmjet teje ,
Dhe bota ime ka tjetër ngjyrë...

S’ka gjë që s'je, mos u trishto.
Unë s'di të ik as të mungoj...
E di vështrimi që mbaj pranë.
Sa herë kam ftohtë, më puth ngadalë...

Por ti mos prit të bëj stuhi.
Të kemi ftohtë dhe unë dhe ti...
Le të jem veshur me dy palë sy...



PËR PAK

Mos e harro qellin tim të vjetër
Të grisur, gërvishtur shumë herë,
Aty afrohu sa herë të bjerë shi.
Çadrën e reve të kam bërë strehë.

E kam një vend për trishtimin tënd,
Ku luajnë pritjet e lëna dikur.
Ti s’erdhe asnjëherë ta zësh atë vend ,
Dhe unë dhuratë s’e bëra askund.

Sa herë të lotosh në dhimbje e brenga,
Kërko qellin tim, mos shko kurrë më larg.
Aty flejnë kujtimet, puthjet, ëndrrat..
Aty fle dhe unë veshur mëkat..

Afrohu ta ngrohësh, ta prekësh për pak...



VESHUR HESHTJE

Mbytur harrim në këtë vjeshtë shi,
S’u lodhe të heshtësh ,të mbjellësh vetmi.
Si të jesh shtëllungë, e atij qelli pa kthim
Retë e bardha lëshon përqafim...

U lodha dhe unë, mbështjelle trupit tim..



MOS M’I THAJ LOTËT

Mi thave lotët e vjeshtës,
Ëndrra e puthjes ende zgjuar,
Sërish do trokasë shiu,
Gjethet do të luajnë me mua...

Do të mbaj në duar erën,
Mos marrë asnjë puthje që dhemb ,
Ç'do njëra prej tyre është gjethe ,
E stinës së zemrës që flet...

Prandaj mos m’i thaj lotët ,
Dua të ndiej përsëri...
Vjeshtën e shpirtit që iku,
Dhe puthjen e lodhur vetmi...



FLEJ E ZGJOHEM ATJE

Unë s'jam e askujt.
As e vetes s'mund të jem,
Sepse ti më morre peng zemrën
Unë flej e zgjohem atje...



NDJESHMËRI

Loti i shiut ,u bë mall
Në qerpikun e syrit tim..
Vallëzoi në faqe,e shkriu në buzë.
Si një pikëllim i ditëve që s'kthehen më,
Por që nuk munda t’i vdes dot kurrë...



LUTJA E NDJENJËS

Ndjenja në parajsën e saj lutet,
Në përgjërim zemra kullon shi,
E mësuar të jetojë me dhimbjen e kaltërt,
Përqafon dyfish dashuri...

Ajo ka një qiell të zjarrtë dashurie,
Aty dhe unë kam një fole,
Ndërtuar prej reve të bardha,
Më mban zgjuar atje lart fle...

I zgjat krahët në kurorë përqafimi,
Degë puthjesh në ëndërrim të sjell...
Por ti, s'je mësuar të jetosh me ëndrra.
Ndjenjën lutje e lë të flerë...

Tashmë e njoh zemrën e heshtur,
Shpesh tek ty vij dhe pa leje,
Në pasqyrën e ndjenjës të shoh,
Kam frikë mos të prekin sy të tjerë...

Zgjohu mos e lër ndjenjën të flejë...




LARGËSI

Ti për mua e ke një dritare,
Ku unë botës me ëndërr dashurie i qesh...
Ty ,dhe pse të shoh për së largu,
Ç'do çast me veten time të vesh...

Ti ke ditë që ke heshtur,
E di që unë heshtjen e mbaj magji,
Ajo është fati i njerëzve të humbur
Asnjëherë s'do të duhej për ty...

Ti për mua je gjysma e ditës,
Në gjysmën tjetër bëhesh dashuri...
Mos më lër të kërkoj në mantelin e natës...
Gënjeshtra janë ëndrrat sa herë që s’je ti...

E bukura dritare. E ëmbla largësi.

Freitag, 28. Dezember 2018

Zekerija Idrizi

Zekerija Idrizi

Zekerija Idrizi lindi në vitin 1969, në lagjen e Dizhonit në Shkup. Shkollën fillore dhe të mesmen "Medreseja Isa Beu" i kreu në Shkup. Studimet  e larta i ndoqi në Fakultetin e Shkencave Islame, në Sarajevë. Botoi qindra shkrime në revistën informative, kulturore e shkencore islame "Hëna e re",  organ ky i Bashkësisë Fetare Islame, në Maqedoni. Herë pas herë, botoi edhe në gazetat tjera shqipe si në: "Flaka" (Shkup), "Fakti" (botimi në diasporë dhe Shkup), "Koha ditore" (Prishtinë) dhe "Bota sot" (Cyrih). Gjithashtu botoi edhe në revistat: "Familja" (Tiranë) dhe "Dituria Islame",  organ ky i Bashkësisë Islame të Kosovës. Deri më tani ka përkthyer nga boshnjakishtja veprën kapitale "E drejta islame" (Islamsko pravo) të autorit dr. Jusuf Kardavi (botoi BI, Shkup, 1995) dhe si bashkëpërkthyes nga arabishtja veprën 
"Të vërtetat esenciale të Islamit" (El-Hakaiku-l-Esasijjetu lil-islam) të autorit Abdullah Sead (botoi BI, Shkup, 1994). 
Romani i tij "Arratisja nga "vdekja" është ribotuar disa herë dhe është përkthyer në disa gjuhë.


Veprat e këtij autori: 

  1. "Mozaiku fetar dhe çështja kombëtare", botoi Komuniteti Shqiptar Mysliman, Shkup, 1997 
  2. "Xhamia në analet e historisë-Hoxhallarët dhe tempujt fetarë në shërbim të çështjes kombëtare", Cyrih, 2009. 
  3. "Letër bijave të mia", botoi Shoqata Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë, Amanda Edit, Bukuresht, 2015 
  4.  "Veprimtaria universale e imamit në kurbet", SHB "SHKUPI", Shkup, 2015 
  5. "Fundamentalizmi islamik i fiksion dhe myslimanët antifundamentalistë", botoi Bashkësia Fetare Islame në RM, Shkup, 2015 
  6. "Letra shpirti", SHB "Shkupi", Shkup, 2016 
  7. "Tradhtia me profil dhelpre , Megaintervistë me H. Sulejman ef. Rexhepin, Reisul Ulema i BFI në RM", Biblioteka "Hëna e Re", Bashkësia Fetare Islame në RM, Shkup, 2017. Po këtë vit u botua edhe në gjuhë maqedone "Predavstvo so profil na lisica - Megaintervju so H. Sulejman ef. Redzepi, Reisul Ulema na IVZ vo RM" 
  8. "Stop dukurive negative në shoqëri", Biblioteka "Hëna e Re", BFI në RM, Shkup, 2017 
  9. "Letër bijave të mia", ribotoi SHB "SHKUPI", sponsorizoi Ministria e Kulturës në RM, Shkup, 2017 
  10. "Në botën e artit", Bukuresht, 2017. 
  11. "Arratisja nga "vdekja", roman psiko-filozofik, SHB "Grand Print", Tiranë, 2017


Fragment nga romani "Arratisja nga "vdekja"

          Kristinë, e dashur, mbrëmë, gjatë tërë natës, duke qenë se kisha mërzi të thellë, lexova një nga veprat më të mrekullueshme për «suicidin» - vetëvrasjen dhe gjitha format e modalitetet për parandalimin e saj. E lexova fund e krye veprën «ASPEKTE PSIKIATRIKO-LIGJORE TË TENTATIVAVE VETË-DËMTUESE DHE VETËVRASJEVE NË SHQIPËRI“. Ndonëse voluminoze, e lexova pandërprerë, meqë çdo temë e nëntemë e saj, më shtynte të mos ndalesha fare në lexim. Vepër kjo, të cilën e mbrojti “shkëlqyeshëm”, si tezë të doktoraturës, mikja jonë psikiatre e poete, dr.Fatbardha Xhani Myslimaj, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, në qershor të këtij viti...
          Pikërisht, në këtë vepër, ajo ka trajtuar hollësisht, me një gjuhë solide shkencore, me prova empirike e me një diskurs të sofistikuar psikologjiko-filozofik, temën e «suicidit»- e vetëvrasjes nga gjitha pikëvështrimet. Kjo vepër kolosale, për mendim timin, do të mposhtë suksesshëm të gjitha aktet suicidale vetëvrasëse në tentativë sot dhe nesër. 
          E di, Kristinë, që unë në jetën time kam lexuar, pothuaj, gjithë literaturën relevante të ekzistencialistëve klasikë e modernë, duke filluar nga: Seren Kierkegori, Martin Heideggeri, Zhan Pol Sarteri e Albert Kamy, Sigmund Frojdi e deri tek Viktor Frankly, Jean Amery etj., të cilët kanë shkruar përimtësisht për jetën dhe vdekjen, për absurdin dhe në veçanti për rastet suicidale. Por ama, në veprën e zonjës Myslimaj, lexova dhe për autorë e studiues të tjerë që kanë shkruar për këtë temë, si p.sh.: Emile Durkheim, Benjamin Wolman, Eric Ericson, Edwin Shneidman dhe ai që më la përshtypjen më të thellë Thomas Masaryk, i cili, në mënyrë fascinante, trajton temën e vetëvrasjeve, duke i lidhur ato me ireligjiozitetin, o besimin shumë të dobët të atyre personave që ndërmarrin kryerjen e këtyre akteve fatale.
          Duke qenë se zonja Myslimaj, ndërkohë është edhe psikiatre në QSUT (Qendrën Spitalore të Universitetit të Tiranës) dhe po bën punë kapitale në dobi të qytetarëve, i thashë mbrëmë në letërkëmbim: «Fatbardha, edhe në rrafshin e krijimtarisë letrare poetike, do të arrish të majat e suksesit, siç i ke arritur në shkencë, duke marrë titullin: Doktor shkence në psikiatri!»...
          Sot, paradite, lexova një shkrim të çuditshëm, akoma më interesant, në gazetën «Telegraf» me titull «Shkrimtarët: Të prirë nga vetëvrasja?». Aty jepeshin të dhëna statistikore nga studimet e fundit në fushën e psikiatrisë, se si është zbuluar që të merresh me art, nuk është veçse një prirje e pavarur, por se shpesh ajo lidhet me sëmundje mendore të ndryshme. Në studimin më të hollësishëm të ndërmarrë për këtë fenomen, studiuesit e Institutit Karolinska të Suedisë kishin mbledhur të dhëna për pothuajse 1.2 milionë pacientë me skizofreni, depresion, ankth, probleme alkooli dhe droge, autizëm dhe me tentativa paraprake për vetëvrasje. Ata, në mënyrë të veçantë, i kishin kushtuar rëndësi fushës së krijimtarisë së pacientëve si arti dhe shkenca. Përfundimet e tyre ishin tronditëse, për shkak se çrregullimi i papërgjegjshmërisë dhe depresionit ishte i përhapur së tepërmi në listën e diagnozavetë personave, të cilët karrierën e tyre e ndërtonin mbi bazën e veprimtarisë krijuese. Edhe sipas një studimi të mëparshëm, siç shkruhej aty, në të njëjtën popullsi, familjet me histori të skizofrenisë kishin më shumë aftësi për t’u marrë me krijimtari! Kristinë, më ka shokuar ky studim! Gjatë shokut, më vajtën në kokë vetëtimthi, po sikur rrufeja, fjalët e shkrimtares Virginia Woolf nga novela e saj «Mes akteve»:
          “Ndihem e sigurt se po çmendem përsëri dhe se nuk mund të përmirësohem këtë radhë...». Dhe pikërisht, pasi përfundoi këtë novelë, ajo pas pak ditësh u vetëmbyt në lumin Ourse, duke u dorëzuar përfundimisht ballë zërave kobndjellës, që i vinin nga brenda dhe nga depresioni i gjatë, të cilin pati gjatë jetës, pas vdekjes së prindërve të saj. Fill më pas, më vajti në kokë vetëmbytja e shkrimtarit austriak, Jean Amery, vitin 1978, tre muaj, pas botimit të librit të tij eseistik “Hand an sich legen – Diskurs über den Freitod” (Kur vë dorë te vetja – diskurs mbi vdekjen e lirë). Ai zgjodhi t’i jap fund jetës me një mbidozë tabletash, në një hotel të Austrisë, në vendin ku kishte lindur, dhe të cilin e kish humbur qysh në vitin 1938, kur u burgos nga regjimi nacist. Deklarata e tij qe e dhimbshme, rrënqethëse: “Çdo ditë, që kur ngrihem në mëngjes, mund të lexoj te parakrahu im numrin e Auschwitz -it; kjo ma prek qenien, deri në rrënjët më të skajshme, madje nuk jam fort i sigurt, se mos kjo është e gjithë qenia ime, e cila do më shpier herët në varr!” Në parakrah, ai kishte të vizatuar një tatuazh nga vitet e burgut, ku ishte gdhendur numri: 172.364.Me evokimin e të këtyre ngjarjeve, desh më doli shpirti nga mërzia. Në tërë trupin më mbërtheu një drithërimë e rreptë. Dhe banesa, në të cilën banojmë, me këtë arkitekturën e akullt «gjermane», veç sa më shton trazimet e shpirtit. Bardhësia e oborrit tonë të heshtur: pllakat, kolonat dhe statujat e mermerta, si dhe plafonet e larta të tri dhomave tona, më krijojnë atë ndjesinë vjeshtore të shtëpive të fshatrave gjermane që ngjasojnë në ato shtëpitë e «hexeve»-shtrigave nga përrallat fantaste. Kur eci dhomë më dhomë, hapate mi jehojnë në gjithë shtëpinë, duke krijuar një zhurmë të neveritshme. Të këtilla ndjenja më kaplojnë për çdo ditë, që prej, kur ti, Kristina, vajte me fëmijët në atdhe e unë ngela vetëm në mjerim e melankoli të thellë nga depresioni. 
          Pasdite, çuditërisht, s’mund të duroja më, u shkreha në vaj. Qarja ime theu gjithë atë heshtje varri në banesë. Në kuzhinën tonë më irritonte zhurma nga lëvizjet e «kakalakeve» (insekteve) që kanë vërshuar shporetin dhe frigoriferin. Ato po më shkaktojnë kërdi në të ushqyer. Fiks, në ora 16.00, më erdhi për vizitë mjeku i shtëpisë, dr. Wolfgang Preuss, i cili është edhe psikiatër njëherësh. Pasi më ekzaminoi me kujdesin më të madh, më rekomandoi qetësi dhe pushim absolut, si dhe të braktis përkohësisht leximin, përsiatjet dhe shkrimin. Me orë të tëra mandej qëndrova i shtrirë në krevat, pa lëvizur fare. Heshtje varri. Nuk dëgjoja as pipëtimën më të vogël. Fillova sërish të rilexoj pjesë nga vepra e Fatbardha Myslimajt. Kot, nuk munda të vazhdoj më tej leximin, pasi nuk ndjehesha mirë. Përnjëherë, fillova të kisha halucinacione vagëlluese e pluskuese. Paradoksalisht, më dukej sikur mbi trupin tim marshojnë dendur “kakalaket”. Klitha jermshëm:«PO Ç’DREQIN KËRKONI DHE JU, O TË MALLKUAR, NË TRUPIN E «KUFOMËS SË GJALLË»!!!...”

Donnerstag, 27. Dezember 2018

Majlinda Zorba

Majlinda Zorba

Majlinda Zorba, ka lindur në Tiranë më 22 maj 1967. Gjatë viteve 1986 - 1990 ka mbaruar studimet në fakultetin Histori - Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Kurse gjatë viteve 2012 - 2016 është diplomuar për "Studime letrare" në Qendrën e Studimeve Albanalogjike". Mëpastaj, ka punuar prej 16 vjetësh si mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollën 9 vjeçare "Ali Demi" në Tiranë. 
Majlinda ka redaktuar dy libra të shkruar në gegërisht "Llesh Nik Daka", "Historia e Lezhës". Ka berë një studim letrar për tri romanet e autorit Zija Çela "Burrat nuk dalin nga lufta", "Gjaku i dallëndyshes", "Las Varrezas". Po ashtu, ka publikuar edhe një studim kritik "Gjama e malësorëve", qe është botuar në revistën "Perla" në vitin 2016.


Veprat:

  • "Ëndërr e thërrmuar", poezi, SHB "Marin Barleti", 2007
  • "Shërimi i vetmisë", tregime, SHB "Marin Barleti", 2011
  • "Kalorësi i bardhë", poezi shqip-ilalisht, SHB "Marin Barleti", 2017



Poezi nga Majlinda Zorba


Natë e pagjumë

Kjo natë zbarkoi tinzare
bashkë me xhaketën time të telasheve...
Diku pikojnë strehët e shtëpive,
diku mbi kokë t'sëmurit i qëndrojnë
diku gëzojnë...
Heshtja e ngrohtë si gjaku
s'po merr më kuptim
Një kumuri e ngordhur më lë pa gjumë...
Vështrimi im i trembur struket
ngjashëm me të verbërin
errësirë gjithkund...
S'ka fjalë, poezia lind të tjera poezi
të kapshme, të pakapshme,
pak reale e pak imagjinare...
E lënduar ajo s'bie dakort
me gropat thithëse që i hapin
ca gjytrymë
që pandehin se bëjnë poezi
duke kërleshur fjalët me zgjyra
mendimi e fjale...
Kam nevojë të rri pafund pa gjumë
të shprehem
pasi botën time të kem njohur
sa dora të shkasë
në rrjedhën e pamatur
me labirinthe trush...
Gjykoj edhe kur jam në gjumë...
Nuk shkruaj vargje që të thërrasin
"Bravo"
ca bukëshkalë, ca kokëtrashë
që e duan gjumin shumë...
Edhe pse maturia më shkon për shtat
e matur s'dua për pak të jem
që monotoninë vrastare ta ul në gjunjë...
* * *
Dhe shpirtrat e filozofëve kanë mbushur pupla gjith' hapësirën
e unë pandeh se janë në gjumin e përjetshëm
në darka shpirtrash, në teatro tekanjozësh
që edhe këtu sa ishin
hëngrën, fjetën, u frynë...
Më tremb gjithçka që më rrethon
mendimi më pëllcet në natën pa gjumë...



Pa titull
 
S’është dimër
ҫeli bari…
Prap se prapë
vorba mbi zjarr
zien corbën
bosh s’rri…
E  në s’pata dot lavdinë
Kam të paktën ҫorbën, urtësinë…



Më s'u pamë

Po më shfaqesh ngadalë...
Dritat e vogla si margaritarë,
Tiparet e tua kanë shpërndarë,
Në puthje të largëta u shuan
E më s'u pamë...
Tiparet e tua si pikat e lotit,
Zemrat e ngrohta-gjakun ngrinë,
trupat tanë n'shpella lakuriqësh mbenë,
Perëndimet i pres e vetme në mërzinë...
Gabuam! N'përballje me botën finoke,
humbëm dashurinë e përkorë deteve...
Në ëndrra vrapoj un' si e marrë,
Turrem të t'puth majën e hundës,flokut,
Sikur kohët prej helmit t'i lëçis.
Vrapoj pa e ditur ç'më pret,
Sytë i kam ngulur në një pikë...
Vrapoj, lotoj,  dëgjoj zërin tënd melankolik,
Tek më fton në pyje të huaja
E unë sërish e zbrazur n'angushti.

Po më shfaqesh ngadalë...
Në dritat e vogla si margaritarë
Rrekem tiparet e tua t'i qëndis...
Përtej xhamit dimëror prek shpinën tënde,
bota qesh, s'hesht, s'rri...



Shën Mëshirë

Kërkova në formën më të bukur
Mëshirën njerëzore,

Më pas e kërkova sikur ai përballë
Shpirtin në kthetra t'më mbante
N'atë çast rrembat e gjakut të dorës së tij,
Më goditën me shuplakë...
Desha ta gërgas me një gazel të bukur,
Po rrembat iu frynë inatit
dhe u gëmusha si e marrë...
Edhe më pas në këmbim kërkova Mëshirën,
Po kjo s'u duk,
fshehur vrimave rrëzoi njërin sy.
U tërhoqa,
u çorodita,
urreva fjalën "shpresë"
Mbushur gjarpërinjsh lëshova helmin e tyre,
po përsëri Mëshira s'u duk,
Mbetej të rrëzoja edhe unë të mirat e mia,
i rrëzova dhe prisja fjalë mëshirimi:
"Mos,s'bën mirë kështu".
Edhe më tej nga harresa freskuar
rrëzova edhe tjetrin sy,
Tani urreja atë që kërkonte t'më mëshironte
dhe i thashë tjetrit:
"Sa keq, je bërë për Mëshirë"

Pyjet e imazhit tim janë plakur,
Eci në një botë të pamëshirë,
që s'kupton se Mëshira sadopak peshon
dhe thërras në kët' botë të turbulluar:
"Shën  Mëshirë"



Dëshpërimi i Orfeut

Heshtni o muza,heshtni o nimfa!
Ndaleni argëtimin!
Jam unë, babai i këngës,
që lirës dy tela i shtova,
për nder të nëntë muzave,
motrave të sime mëje.
Jam këngëtari tragjik,dragonjtë në gjumë i vura.
Sirenat,memece i bëra,
degët të përkulen e gurët të lëvizin.
Heshtni të gjithë!Jeta ime vdiq!
Buzëqeshja e saj më ka braktisur...
Ja,po tundet dheu në natën pa tinguj,
unë vërtitem në errësirë e kërkoj Euridikën.
Në botë mbeti vetëm ëndrra ime e vyshkur
me  sytë e tu të ngrirë që zemrën e thërrmuan.
Fatkeq unë jam,të humba Euridikë!
Nga ofshamat,ngashërimet,këngët i thura.
Njomëzakja ime e brishtë,
delikatja me napë të hollë mbështjellë...
Kurmi yt i ngrohtë më la të ftohtë në qoshen time,
rrahjet e zemrës sate tinguj të butë më zgjuan,
nga zemërimi i ndezur,
këndoj për ty pa gaz e ngushëllim.
Oh,ç'gjëmë e zezë më gjeti!
Ktheva kokën dhe përgjithmonë të humba,hyjnesha ime!
Filli i vetëm që me tokën më lidhte,u shkëput,
më kanë humbur udhët,nga të shkoj,shpresën lut.
Mes ujërave udhëtoj dhe bota ka frikë të më shikojë
se etja u shtohet prej tingujsh magjepës.
Ndërsa unë me një etje që s'shuhet kurrë,vajtoj...
Në muzgun ngjyrë jargavan,
një kokë e prerë tundet mbi valë,
tashmë nuk i duhet më as jetës,as vdekjes.
Ku është rruga e jetës sime?Ku është e adhuruara
Euridikë?
Dëgjoni këngën time rrëqethëse
që shkrihet në heshtje mes pikëllimit...
Koka ime në Ebro gjithnjë do të këndojë,
se besnik i një dashurie që humbi unë mbeta...
Në ishullin e Lemnosit një kokë këngëtare
në tempull më në fund u përjetësua...

Nexhat Rexha

Nexhat Rexha

Nexhat Z. Rexha, U lind më 01 shkurt 1956 në Topanicë, Komuna e Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, kurse Fakultetin Filologjik – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në vitin 1980. 
Merret me krijimtari letrare në zhanrin e poezisë, prozës dhe kritikës letrare. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Kryeredaktor i revistës letrare "Nositi" - Dardanë. Anëtar i redaksisë së revistës letrare "Agmia" - Gjilan. Redaktor dhe recensent i shumë librave letrar dhe shkencor. Fitues në disa konkurseve letrare. Poezitë e tij janë publikuar në shumë gazeta, revista dhe albume poetike. Po ashtu, ato janë përkthyer edhe në disa gjuhë. 
Punon profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Gjimnazin ”Ismail Qemali" në Dardanë dhe jeton në vendlindje.

.
Deri tani ka botuar:

  1. ”Ndrydhja e pikës K”- poezi, 2003.
  2. ”Unazë qiellore”- poezi, 2005. 
  3. ”Ligjërime  përjetimesh” - kritikë, 2006.
  4. ”Dhembja kujtesë”- poezi, 2008
  5. ”Binecuvantarea Secolelor”, ”Bekimi i shekujve”,  poezi, Bukuresht- 2009.
  6. ”Pikojnë heshtjet”- poezi, 2010.
  7. ”Fjala ruan kujtimin” - 2010
  8. “Etje E Pashuar” Poezi nga autorë të Dardanës - 2010 (Bashkautor).
  9. "Emra dhe vlera", kritikë, 2012.
  10. “Samtal Med Skuggorna “Bisede me Hijet”- 2012, poezi, në gjuhen suedeze.
  11. "Fluturojnë zogjtë në kafaz", poezi, 2014
  12. "Shtjellimi i tekstit", kritikë, 2015
  13. "Vlerësime letrare, kritikë, 2016
  14. "Shfletime dhe kundrime letrare, kritikë, 2018



Poezi nga Nexhat Rexha

I.

E DI SI FLUTURON TI

E di se ke ëndërruar këngën
Matanë shtatë kodrave në puthje

Për të shtënat e pushkëve 
Dhe jehonën e vdekjeve 
Të jetës dhe lindjes
Ti fluturoje si zogu 
Që do hapësirën e lirë

Kur rrugën tënde 
E caktoje vetë
Mbi krahë mbaje 
Barrën e shekujve dhembje

Bashkë me frikën ngasëse
Në tokë e në qiell
Ti i këndoje atdheut
Këngën e trishtuar

Nosit pupëlshpërndarës
Në fluturim ti i buzëqeshje
Hapërimeve me syrin tënd

E zemra e çelur kalonte
Kontinente armiqësish
Kurse ti përhapje melodinë skofiare 
Në livadhin gazmor


Aty fluturimi ateroi
Bashkë me yjet e përjetësisë




TI JE NATYRË

Kur më erdhi frymëmarrja
M’u çelën sytë
Dhe pranë meje ishe ti
Dridhjet shtangimet 
Shkrinë buzëqeshjen magjike
Ti kafshoje kohën e humbur
Atëherë më jep aromën e kopshtit të luleve
Natyra jonë vërshoi mbi trupin tonë
Tërësisht butësisht 
Lutjet mbuluan bekimin dhuratë
Natyrë me lotët tanë
Ne po shuajmë mallin e purpurt
Ti je natyrë në natyrën tonë




PIKËTAKIM

Për çdo ditë shoh pamje të trishtuara 
Nga ethet e pritjes
Për një pikëtakim buzësh
Nga dridhjet tërbuese

Valët e dalldisura 
Ngrijnë shikimet boshe 
Në amfiteatrin e në sofrën e pjatave tona
Krejt bosh

Kurse nata shkrin 
pikëtakimin ëndërrimtar
dhe buzët afrojnë 
Shijen e kësaj pritjeje magjepse

Ti vije në mesnatë
pa trokitur në derën time
çelësin kodues më vodhe
bashkë me tiktaket e zemrës

Simfonia e kësaj stine 
ndërroi shikimet e pritjeve
me ardhjen fluturuese
të aromës ngrohtësi

Më erdhi befasi 
Piktura shumëngjyrëshe me pika-pika
aty dukej nimfa
në brendi kishte sa shumë thellësi

Nuk di ishte ëndërr mashtrim
apo ti vije në kraharorin tim
sa kishte vapë sa kishte fllad
në këtë pikëtakim trokitjesh...




BUZË TË LODHURA

Të kërkoj gjithnjë pranë
Në lindjen dhe vdekjen e dashurisë
Ti kërkoje takim nën hijen
E drunjve hijerëndë
Për aromën e luleve trazuese
Para atij trupi të ngrirë
Jepnim e merrnim uratën
Derisa i lodhëm buzët për një jetë
E tash më thuaj
Kënd verboi lodhja më shumë
Puhizën e uritur
Atje përtej qiellit në fole
Kur vrapuam pa pushim
Për ta shpallur ditën tonë n` Iliri
U ngopëm me lot
Buzëlodhur këngë me besë
Takimin e ribëjmë
Ku bren miza hekur

II.

DIELLI VONOI SOT

Sot dielli vonoi lindjen
Në të vërtetë perde vuri
Mjegulla në këtë pranverë
Që s’ka mbarim 

Gjuajtjet me topa 
Trishtuan vendlindjen time
Nuk e pyetën as vonesën e diellit
E as teket e kësaj mjegulle sot

Për habinë e kësaj pranvere 
Mjegulla sot ishte bërë sebep
Për dëbimin tonë 
Nga shtëpitë tona

Ata bënë provokime e plaçkitje
Sa deshën e si mundën
Për të zënë 
Kohën e tredhur

Kallën shtëpi në prani të diellit
Dhe nuk u skuqën fare 
As nga dielli për pengesën 
Që i bënë sot

As nga mjegulla 
Që i solli në këtë dhe
Për hyrje-daljet ngulfatëse
Dhe shkelmimet e poshtëruese

Sot kur diellit iu bë me hile 
Kronika e ditës së sotme
Po shënohet me të zeza
Mercenarë kujdes nga hidhërimi i diellit

Më 11 maj, 1999




GDHENDJA 

Nëpër kohët tona lëvizjet po rrëshqasin
Për të marrë dheun nën këmbë
Dhe për të mos i dhënë llogari askujt
Kohë kreshnikësh po sillen ndër ne

Sa bukur tingëllojnë hingëllimat
Nëpër trotuaret e kafshimit 
Për të marrë e për të dhënë asgjë
Kohë e gdhendjeve pa ndërgjegje

Harrimtarët trakasin zhurmshëm
Portat e nëpërkëmbura me dredhi
Lakojnë emrat pa vetëdije nëpër rasa
Edhe më tej zgjimin vrasin pabesisht

Kur mungon zëri i plagëve 
Digjet ngushëllimi shekullor
Gurët shkulen në mjerimet arnuese
Kurse gdhendja mungon për pamjen të dua

Fati i shkulur i kohëve idealiste
Ka marrë rrugëtimin e Aga Ymerit
As Rozafë as Doruntinë
Gdhendja po e ha gdhendjen pabesisht




VJESHTA ME BASTUN

Në kohën moderne
Narcisët me bastun përvëlojnë
Në spektaklet verbëri fjalësh
Në interpretim janë të mjerë
Sa shumë plumba shpenzojnë
Për pamjen pasqyrë
Të pesë shqisat funksionojnë perfekt
Shqisën e gjashtë të fikur e kanë
Pa filluar lojërat
Vetëm forcojnë dinakërinë
Përsërisin kënaqësitë boshe
Të të mjerëve servilë
Mjerim kohësh mbretëron ndër ne
Urrejtje skilesh kultivojnë
Për të vrarë kohët
Me snobistë të rinj
Rolet ndërrojnë me interpretues elastikë
Skuqjet ngulfasin sprovën bajate
Si papagaj të pagëzimit befasues
Fjalëmaskuesit presin çastet
Me shpatën e fronit
Atdhe ruaj gjithmonë
Rrugët e mashtrimit
Se lirinë po e copëtojnë si qentë
Snobët mediokrët e narcisët
E këtyre vjeshtave bastunë




NDOSHTA

Ndoshta mund të jetë
Hera e fundit kjo ditë
Që po flasim
Me dritë

E ndoshta vrapojmë
Për jetë e mot
Për këtë ditë
Ama kjo do të ikë

Më fal zemër 
Nëse të kam lënduar
Më beso se kurrë keq për Ty 
Nuk kam menduar

Ti ke hyrë me magnet
Vetë ke pushtuar atë det
Bota ka sa rrotullime
Zemra e çiltër ruan kujtime

E në këto psherëtima
Gushën me lot kam larë
Fytyrën për ty e kam ndriçuar
Plagë e zemrës fishkëllen

Shi e re kjo tokë kërkon
Ikja ka dhe një mallkim
Sytë shtangen në një shikim
Ëndërr ishte e jo rënkim

Ndoshta valët sjellin mall
Për liqenin e tharë këtë verë
Ndoshta hija na freskon
Vetëm flladi zemrën shëron

Deti Jon ka dhe ca hidhërime
Pse vonesa në këto bashkime
Që nga Arta Preveza e Çamëria
Ndoshta Abetare e vonuar - shekulli im 

Më 29 shtator, 2012




PUTHJA E LUMIT IBËR

Në shtegtim damarët
Rrjedhin gjurmët e gjakut
Për dhembjen e brigjeve
Kurse puthjet vrasin
Gjuhën e kafshuar tinëzisht
Në fermanin e vonuar
Të mëngjesit vrastar
Akropolisi ynë ruan analet
Via Egnatia
Ti ke dhënë fjalën përjetësisht
Për mosndaljen e lumit tim
Dhe dikur diktoje 
Rrugëtimin e vonuar të Isës
Për ta puthur flamurin
E Mitrovica e baladave
Po grimcon nëntokën flori
Kurse Ura e Ibrit ndalon kalimin
Për Ty i shtrenjti Atdhe
Nuk je nyje e Gordit
Dukesh pa dylbi ylberi im
Dritaret shkëlqejnë pa mort
Në amfiteatrin Rexhep Mitrovica
Njerëzit takohen e çmallen
Në kronikën pritje për kalimin e urës
Kurse rrënjët bashkojnë dy anët në një lis 
Sa bukur bëjnë bisedën pa ndërmjetësim
Nuk kërkojnë leje në pikëtakimin e mesditës
Kur breznitë lidhën dashuri
Etja për Ty kall zemrën në thellësi
Puthjet e lumit Ibër rrjedhin në pafundësi 

Shkurt, 2013




PIKËTAKIM

Për çdo ditë shoh pamje të trishtuara 
Nga ethet e pritjes
Për një pikëtakim buzësh
Nga dridhjet tërbuese

Valët e dalldisura 
Ngrijnë shikimet boshe 
Në amfiteatrin e në sofrën e pjatave tona
Krejt bosh

Kurse nata shkrin 
pikëtakimin ëndërrimtar
dhe buzët afrojnë 
Shijen e kësaj pritjeje magjepse

Ti vije në mesnatë
pa trokitur në derën time
çelësin kodues më vodhe
bashkë me tiktaket e zemrës

Simfonia e kësaj stine 
ndërroi shikimet e pritjeve
me ardhjen fluturuese
të aromës ngrohtësi

Më erdhi befasi 
Piktura shumëngjyrëshe me pika-pika
aty dukej nimfa
në brendi kishte sa shumë thellësi

Nuk di ishte ëndërr mashtrim
apo ti vije në kraharorin tim
sa kishte vapë sa kishte fllad
në këtë pikëtakim trokitjesh...




PIKËTAKIM

Për çdo ditë shoh pamje të trishtuara 
Nga ethet e pritjes
Për një pikëtakim buzësh
Nga dridhjet tërbuese

Valët e dalldisura 
Ngrijnë shikimet boshe 
Në amfiteatrin e në sofrën e pjatave tona
Krejt bosh

Kurse nata shkrin 
pikëtakimin ëndërrimtar
dhe buzët afrojnë 
Shijen e kësaj pritjeje magjepse

Ti vije në mesnatë
pa trokitur në derën time
çelësin kodues më vodhe
bashkë me tiktaket e zemrës

Simfonia e kësaj stine 
ndërroi shikimet e pritjeve
me ardhjen fluturuese
të aromës ngrohtësi

Më erdhi befasi 
Piktura shumëngjyrëshe me pika-pika
aty dukej nimfa
në brendi kishte sa shumë thellësi

Nuk di ishte ëndërr mashtrim
apo ti vije në kraharorin tim
sa kishte vapë sa kishte fllad
në këtë pikëtakim trokitjesh...