 |
Akademik Besim Bokshi |
(12 nëntor 1930 - 16 gusht 2014)
Besim Bokshi, gjuhëtar, profesor e akademik, lindi në Gjakovë më 12 nëntor 1930 dhe vdiq po aty më 16 gusht 2014. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat - në Gjakovë. Maturoi në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë "Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes" në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.
Besim Bokshi ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle. Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm.
Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve - Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë anëtar i komisionit për konkluzione të Konsultës Gjuhësore të Prishtinës më 1968 dhe delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë më 1973. Ka marrë pjesë në Kongresin e Studimeve të Evropës Juglindore në Ankara më 1978 me kumtesën për prapavendosjen e nyjës në gjuhët ballkanike. Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).
Besim Bokshi ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Për veprën Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes ka marrë Shpërblimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.
Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është zgjedhur më 1991, ndërsa nga viti 1996 është anëtar i rregullt i kësaj akademie. Kurse, më 2002 është zgjodhur nënkryetar i Akademisë.
U nda nga jeta, me 16 gusht 2014. /Wikipedia/
Poezi nga Besim Bokshi
PRITJA
Kam pritur - si shkëmbi,
si ylli skaj horizontit - në pikëllim,
vite me radhë...
Larg jam,
aty ku puthen jeta dhe vdekja -
aty i përtyp ditet e mia të gastarta...
Kur të vijë,
ndoshta do të më gjejë të mplakur
e s'do të mund të qesh si flladi i pranverës
Të vdes - nga gëzimi,
do të mundem!
LUMI I THELLË
Rrëshqet ngadalë drejt detit të pafund
me gurgullimë të mbytur
si zë i shterrur i mordjes.
-Është lutje e moçme për një katarakt
pëshpëritin të trandurat fusha për anë.
Lart, në majet e veta yjet qeshin e luhaten.
ËNDRRAT E MIA S'FLUTUROJNË MË
Po më doli deti përpara
nga t’ia mbaj
Po më doli bora
gjurmët ku t’i fsheh
Vetëm shpezët e egra shpëtojnë
Ulërima po afrohet
Ëndrrat e mia s’fluturojnë më
 |
Sheremet Prokshi |
Sheremet Prokshi lindi në fshatin Fortesë (Vërbofc) të Drenasit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa normalen dhe SHLP në Prishtinë.
Që nga viti 1974 punon si arsimtar. Me poezi merrej prej kur ishte nxënës dhe deri më tani ka të botuara këto vepra:
- Iliria, drenushë me halle,
- Fluturat lozonjare,
- Diell për Çamerinë,
- Shkronjat nëpër vargje,
- Ku merr frymë shëndeti,
- Fortesa e fundprillit ’99,
- Gjyshja nga Presheva,
- Mijëra vargje për ty nënë,
- Hëna me dy faqe, dhe e fundit
- Macja laramane.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i disa shoqatave tjera, si dhe është përfshirë edhe në dhjetra Antologji e në tri vepra me kritikë letrare.
Shkruan kryesisht për fëmijë, po edhe për të rritur.
_ _ _ _ _
Sheremet Prokshi: Nga cikli i poezive për Dodonën.
NË KËTË KOHË PA GJUMË E FJALË
Eh ç’mu ngjall një ritëm kënge
Në këtë kohë pa gjumë e fjalë,
Për ty Donë, për ty gjithnjë
Det jam bërë me rërë e valë.
Në atë rërë veç TI shtrin trupin
Rrezet diellit ia venitë,
Si në ëndërr më vjen pranë
Sytë drejt qiellit të bëjnë dritë.
Pyes çfarë ndjen, çfarë pëshpërisin
Buzët tuaja kuq si alli,
Mos veç ty moj e uruar
T’vjen ky zë që shkrepë nga malli.
Veç një orë moj, veç një orë
Të më zgjaste ai sy gjumi,
Ndodhë që ëndrra do më sillte
Një frymë tjetër skaj Osumi.
UJNAJA MAGJIKE
Unë e kisha parë
Dodonën ku rrinte,
Ku lidhte gërshetin
Ku hidhte shiqimin,
Si i ngjitej lehtë
Pyllit me fistiqe
Dhe si cak të fundit
E kishte Burimin.
Vërtet çudibërës
Kjo ujnajë magjike,
E gjejmë mbushur plot
E pastaj shterron,
Prapë në mes të ditës
Lart e ngrit nivelin
Deri në mëngjes
Me të shpejtë vrion.
Aty lante faqet
Sytë, ballin e qafën
Me duar e fërkonte
Trupin gjer te beli,
Ai që e shikonte
E shitonte zana
Por ketë se përfillte
Piktor Kokodheli.
Ai thonë me penë tushi
Tush të asaj kohe,
Shndërrohej në hije
Sytë ia vizatonte,
Pas pak me kujdes
Ngjyrat i përzinte
Me brushën e hollë
E portretizonte.
I shpërthente muza
Edhe vet hyjneshës,
Thuhet vargje ritmi
Thurte në poezi,
Vinte fluturimthi
Një pëllumb i bardhë
S’bashku me të bukuren
shprushnin melodi.
Me mallë i këndonte
Të dashurit në front
Duke mbrojtur Trojen
Nga mijëra barbarë,
“Ruaje diell e qiell
Ti hënë e bekuar,
Të ma kthesh Hektorin
shëndosh ti moj zanë”!...
MBI URË ME SHTATË HARQE
Rrjedh o lum i çiltër
Që vjen nga burimet,
Çfarë bartni tej grykave
Rërë a gurë përrojesh?
Apo sjell me vete
Figura fildishi
Relikte mitike
Skulptura Dodone.
Ka ditë rri këtu
Mbi urën me harqe
Prej aty vrojtoj
Kalanë e Beratit,
Dëgjoj gurgullimën
Ujin si kristal
Që vjen me rrëmbim
Grykave të shpatit.
Kujtesën e kthej
Nëpër mileniume,
Kur zonjat pellazge
Zbritnin me zotërinjë,
Vinin epirotët
Nga brigjet e Jonit
Nga Arta, Preveza
Vasha e të rinjë.
Vinin nga Dardana
Nga Troja e Kreta,
Duke hedhur hapin
Këngëve ritmike,
Qindra krushq Janine
Shalonin kuajtë
Çamçe ngritnin shpatat
Valleve pirrike.
Prej Tune grup burrash
Delmatë e të tjerë,
Këngën nuk e ndalnin
As zurlë e tupana,
Lart qiejve përcillnin
Me dhjetra shqiponja
E me krahë të lehtë
Vrik zbriste Dodona.
TE PORTA E SHTATË
Po ç’më zuri nata
Prapë në këtë kala,
Meditoj e lutem
Te porta e shtatë,
Vet me ke pas thënë
Nga aty nis loja
Si fëmijë kur hynim
Në shpellën e gjatë.
Flitet e përflitet
Sikur në përralla,
Se diku më thellë
Është një shesh i gjërë,
Aty mbijetojnë
Fillet e njerëzimit
E sotmja, e ardhmja
Aty është kanë thënë!...
Aty thonë është froni
Me mermer skalitur
Rojet janë të ngrira
Në bronz e allqi,
Thonë do vij një ditë
Prapë do të ringjallen
Kur unë ndjehem UNË
E ti ndjehesh TI.
MË NË FUND ERDHE DODONË
Sa po ngritej dielli
Mbi kreshta Tomori,
Në kala qyteti
Festuan shumë të rinj,
Po e përgëzonin
Rean madheshtore
Veshur me kostume
Ngjyrash kuq e zi.
E te portë e shtatë
Një gjarpër fishkëllonte,
Unë mezi arrita
Të ngjitem përpjetë,
Pritnim ta vërenim
Dodonën e bukur
Si futej në shpellë
Me krahët e lehtë.
Asnjëri se pamë
Fytyrën e saj,
Dhe askund nuk dukej
Asnjë ciceron,
Ndërsa te Osumi
Muzika dëgjohej
Furishëm përhapej
Me një megafon.
Gjithë ditën e lume
Gumëzhinte qendra,
Mitet po ringjallnin
Ngjarje historike,
Flitej shumë për gjarpër
Mikun e pallatit
Specien e përzgjedhur
Si roje besnike.
Ktheheshim në kohë
Para mijëra vitesh,
Kur Ballkani sotëm
Quhej ILIRI,
Kur me Donën flisnin
Zogjët e pëllumbat
Shqip luhej këndohej
Me plot dashuri.
Flisnim të shtrënguar
Tok me disa miq
Gjithnjë të brengosur
Për të ardhmen tonë,
Me frikë mos po dilnim
Mbi fushë graviteti
Pa mjet fluturimi,
Pa krahë e balonë.
Pyesnim cfarë bën Dona
Ku rri e ku ulet,
Mbase pushon shtatin
Në pallate shpelle,
A ka për të ngrënë
Ndonjë ëmbëlsirë,
Apo i kanë shtruar
Supen me bizele.
Ashtu të hamendur
Ecnim trotuarit,
Me shprehjen e fundit:
“Hajt se bëhët mirë!...”,
E mirë s’mund të bëhët
Kur t’keqën e ndjellim,
Kur farnat e hidhura
N’tokën tonë i shtrijmë.
Korrik, 2018
 |
Bukurije Bushati |
Bukurije Bushati ka lindur në Durrës 18 prill 1956 dhe prej 25 vitesh jeton në Frankfurt të Gjermanisë së bashku me familjen. Ka mbaruar në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Juridik. Shkruan poezi, por më shumë i është përkushtuar prozës, në zhanrin e romanit dhe tregimeve. Shkruan edhe për fëmijët. Lexuesi e njeh krijimtarinë e saj në një vëllim me poezi, një përmbledhje tregimesh dhe disa romane. Tematika e krijimtarisë së saj janë temat sociale të aktualitetit me të cilat përballet shoqëria jonë sot. Kryesisht i kushton vëmëndje figurës së gruas dhe rolit që duhet të luajë ajo në shoqëri.
Botimet:
- “Pafajësi nëne”, roman.
- “Arta”, roman.
- “Borjana”,
- “Enigma ime, Lira”, roman.
- “Prostitut më bëri nëna”, roman.
- “Një mik i mirë”, roman për fëmijë.
- “Buzëqshje, me gjurmë lotësh”, tregime.
- “Shpirti im vagabond”, poezi.
- “Pesh’ore shpirti”, ese poetike.
- “3 gojë, të pangopurat e jetës sime”
Cikël poeziish nga Bukurije Bushati
Rutinë
Të njëjtët kalimtarë,
Të njëjtat zëra,
Rrugës e njëjta frymë ngulçuar,
Postieri nxiton të kap kohën,
E një zarfi të vonuar.
I njëjti shkrim,
Të njëjtat fjalë,
Përmbajtja e së djeshmes,
Shkrirë në formën Sot,
Perëndimi tërheq ditën,
Mbyll sytë,
Hijet fshijnë e rishkruajnë gjurmët,
Diku fshehur nga kjo botë.
Në Dje
Bebja syrit ndez fenerin,
E rruzullit të dritës,
Mjellmë në liqen,
Ngre qepallat e sheh;
Bota si dje!
Bashkon qerpikët dhe fle,
Përsëri kthyer atje.
Bota jashtë bërtet,
Paralelet harkut tërheq,
Qëllon meridianet,
Kontinentet ua vret,
Bebja syrit fle dhe pret,
Në botën e vet!
Orbita hedh zarin e radhës,
Tërheq fort një pe,
Bota zgjohet,
Përsëri në Dje!
Çfarë jemi?
Një histori ngarkuar në akrepat e orës,
Një ngarkim për një shkarkim,
Një kohëzgjatje shkruar kujtimesh,
Me një lot në ardhje dhe një lot në largim!
Jemi mosgjë e bëjmë shumë zhurmë,
Kot, fare kot,
Madje nuk dimë a ekziston,
A është fantazia jonë kjo botë!
Lutje
Zemërimi i Poseidonit.
Atje kontinenti dridhet nën ethe,
frika ka futur duart e globit në korent,
e dridhet pa fund,
zemërimin përplas brigjeve Poseidon,
shkumë nxjerr buzëve,
tokën tund e shkund...
Mbaj dorën o Zot!
Zemërimin e Poseidonit kaloje shpejt,
sa më pak britma, sa më pak lot,
sa më pak humbje,
e nesërmja të jetë,
përsëri Jetë!
Jemi ndarë kontinenteve,
por zemrat bashkojmë në një,
dridhjet transmetojnë venat e globit,
jam edhe unë atje,
je edhe ti,
duart bashkuar qiellit,
lutemi në Perëndi.
Mbas këtij zemërimi duam qetësi,
duam buzëqeshjet e fëmijëve,
të ndrisë dielli,
të çelë lulja përsëri,
të jetë ditë e qeshur me zë,
Kjo Botë të jetë e bukur,
po lutemi edhe për të!
Shuaja zemërimin O Zot,
Ve dorën e shpëto këtë botë!
Drita
Në një pritë,
Zuri robinë një dritë...
Çfarë më duhet?
Pyet gjahtari;
Luan me të nëpër duar,
E vendos në sy,
Sheh veten aty,
E shkul shpejt,
Çfarë gjeti në të vërtetë?
Ajo që pa,
Ishte hata,
Në skuta të errëta,
I shkonte jeta.
E hodhi përdhe,
E shkeli me këmbë,
E pështyu me inat,
Por drita veç ndriste,
Në shpirtin e tij mbytur natë.
Ishte një dritë,
Që e zuri robinë në pritë,
Çfare ishte drita,
Gjahtari s' e dinte,
E mbyste në ujë,
E përplaste në kallamishte!
Je imja robinë,
Thoshte i xhindosur,
Drita ngjitej qiellit,
Vazhdonte të ndriste dhimbshur,
Gishtat e tij gjakosur!
Malli
Malli mbath kepucët e shpejton hapat,
Me buzë prek qiellin,
Zbret përsëri në tokë,
Kalon doganën,
Humbet në krahe shtrëngimesh,
Ul flutura mbi flokë...
Me lotin lot vjeshta
Ti vjeshtën derdh syve,
Para shiut një çast mbetem trishtuar,
Të pyes;
-Pse loti ka formë të rrumbullakët?-
Ti buzëqesh;
- Po te ishte me cepa,
Do më kishte gricur faqeve,
Do më kish shëmtuar.-
Loti yt në pëllëmbën e dorës time,
Një bulëzë, një botë,
Një planet i rrumbullakët,
Jetëgjatë sa jeta,
Pse dhe kush ia vuri emrin Lot?
Me Lotin lot vjeshta,
Planetin e mallit as rrufeja s'mund ta godasë,
Unë e shoh tek ulet qerpikeve të tu mbrëmjeve,
E pres deri sa buzëve pa faj të më shkas
Ky qytet...
Rrugët ma dinë numrin e këmbës,
Peshën e trupit,
Ajri, kapacitetin e mushkrive,
Qielli, qartësinë e mendimeve,
Është qyteti im, që më ka adaptuar,
Dhe unë nuk e gjeta dot veten bijë të tij,
Dhe pse e dua!
Po kthehem.
Tërheq valixhen e rëndë,
Trotuarit drejt shtëpisë.
Dera ma njeh kodin e hapjes,
Ma njeh prekjen, buzëqesh lehtë,
Nga dritarja zgjasin lulet orchideetë.
Vendos valixhen në cep të derës,
Mendoj, përqark duke hedhur sytë;
A do ta marr guximin një ditë,
Lamtumirë, këtij qyteti t'i them,
E të shkoj të bie, atje mbi rrënjën time,
Atje ku ndjehem e përkëdhelur nga perënditë?
Ky qytet, ma njeh dhimbjen,
Mallim me mua e ndan vesës së mëngjesit,
Psherëtin gjetheve të oborrit
Dhe kur dhimbja më mbyt,
Fillon të gjëmojë qiellit
Dhe gjithçka përmbyt.
E dua edhe këtë qytet,
Nuk di, në do ta le me të vërtetë.
Gradaçelat
Përplasa qepallat syve,
U ndjeva milingonë e harruar,
Poshtë, nën këmbët e madhështisë,
Banore e hapësirave,
Arratisur rrugeve të gjera,
Nën gradaçela duke kaluar.
Vitet rodhen,
Edhe qyteti im u dashurua me gradacielat,
Sot pranë qëndrës,
Përballë bankës ku lahet leku,
Ngrihet kjo gradaçele,
Tani në beton gri,
Nesër, çfarë ngjyre do marrë, nuk e di,
Në qytetin tim,
Gradaçelat u ngritën,
Zgjatën shtatin,
Kapën retë,
Zunë rob diellin,
Duke mbjellur rrëze tyre,
Duart e fëmijëve lypës me lutjen nga qielli!
Tani nuk i dua më gradaçelat,
Më dhembin këmbëve të tyre ata lot,
Dëgjoj zhurmën e eshtrave të thyera,
Dritaret e tyre verbojnë me shkëlqim Dajtin,
Kapin qiellin duke vrarë këtë botë!
____
Për "Ora shqiptare", Sabit Abdyli
 |
Baca Kurti |
Ndër personalitet më të shquara të Malësisë pa dyshim radhitet edhe Baca Kurt Gjeka (Gjokaj).
Lindi rreth vitit 1807 në fshatin Mileshë - Grudë, në një familje patriarkale, por me traditë bujare. Me këtë burrë në zë për trimëri dhe mençuri krenohet jo vetëm fisi i tij por edhe fiset e tjera të Grudës, Hotit, Triepshit e Kojës. Ai u shqua për urtësi, trimëri, burrëri, zemërbardhësi, veçmas për atdhedashuri, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në histrorinë tonë kombëtare.
Ky personalitet i madh popullor i Malësisë gjatë gjithë jetës së tij i shërbeu mbrojtjes së Grudës dhe tokave shqiptare nga oreksi shoven. Nuk u pajtua me vendimet e padrejta të Fuqive të Mëdha në Kongresin e Berlinit për t'i dorëzuar Malit të Zi krahinat shqiptare të Hotit, Grudës, Plavës, Gucisë, Kastratit etj. Ngriti fuqishëm zërin edhe përmes protestave kundër padrejtësive që i bëheshin popullit shqiptar, duke u përpjekur të mbroj tërësinë e atdheut tonë dhe duke e ngritur problemin edhe në qarqet e ndryshme diplomatike.
Baca Kurti pati nderin të jetë i pranishëm në organizatën kombëtare për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar, e njohur në histori si Lidhja e Prizrenit. Kur knjaz Nikolla i Malit të Zi dërgoi ushtrinë me shkelë tokat shqiptare që ia kishte dhuruar Kongresi i Berlinit, krisi pushka prej një skaji të Malësisë në tjetrin, e Baca Kurti me krenët e tjerë të Malësisë organizoi rezistencën kundër Malit të Zi dhe kundër padrejtësive të Europës. Ai nuk pranoi shitjen e tokave shqiptare në pazarin e diplomacisë europiane.
Kësisoj, Baca Kurti me malësorët e Shqipërisë së Veriut, me luftën që bënë kundër Malit të Zi në mbarim të shekullit XIX, shkruan një faqe të artë në historinë mijëvjeçare të kombit tonë.
Po përmendim këtu fjalët e tij drejtuar bashkëvendasve për mbrojtjen e Urës së Rzhanicës nga ushtria malazeze: Vëllazën, anmiku po na mësyen! Kush don me dekë sot për vend të vet dhe për nder të armëve të veta, të vinë pas meje! Dhe ia arriti t'i mobilizoj jo vetëm pjesëtarët e fisit të tij, por edhe të fshatrave të tjera të Malësisë të moshës 7-70 vjeç, të cilët e detyruan ushtrinë malazeze të kthehej mbrapa.
Për trimërinë e Baca Kurtit populli i ka kënduar këngë të ndryshme, ndër të cilat veçojmë:
Baca Kurtit, Krajl Nikolla
ja pat çue një shumë të holla,
çka i tha Baci shpi dajllare
hajt e këqyr do tjera halle
se s'e shes tokën me pare.
Studiuesi i njohur dr. Musa Kraja në monografinë kushtuar kësaj figure të njohur të popullit shqiptar shkruan se “personaliteti i tij në Grudë e më gjerë në Malësi ishte i një rëndësie të veçantë si burrë në zë, i urtësisë, trimërisë, i komunikimit të çiltër, që gëzonte dashuri dhe respekt masiv në të gjitha moshat. Ai ishte një përfaqësues i denjë i Malësisë që e shfrytëzoi rrugën e Kuvendin e Prizrenit për t'u njohë, shkëmbyer mendime, e për të mësuar prej burrave më të shquar të kombit të vet”.
Ky personalitet kombëtar vdiq në vitin 1881. Thuhet se ka qenë i helmuar nga dora kriminale e pushtuesit. U varros me nderime në Kishën e Sh'Mhillit, Milesh, por vepra e tij mbeti e pavdekshme dhe e përjetshme.
Ahmet Koronica (i njohur edhe si Ahmet Gjakova) ishte një komandant ushtarak shqiptar dhe kreu rajonal i Lidhjes së Prizrenit.
Në vitin 1877 ai u bashkua me Komitetin Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave Shqiptare në Konstantiniyye. Organizata, qëllimi i së cilës ishte mbrojtja dhe promovimi i çështjeve shqiptare, në vitin 1878 u bë Lidhja e Prizrenit. Ndërsa traktatet e Kongresit të Berlinit vendosën kufij të rinj që do të lejonin aneksimin e territoreve të banuara me shqiptarë të Perandorisë Osmane nga shtetet fqinje të Ballkanit, liga e quajtur asambleja e përgjithshme në qytetin e Prizrenit.
Në asamblenë e korrikut të vitit 1878, ai u zgjodh deputet i Yakovës, rajoni i tij, në Këshillin e Përgjithshëm të organizatës. Në gusht të të njëjtit vit, përfaqësuesi osman në kongresin e Berlinit, gjeneral Mehmed Ali Pasha, u nis për në provincën e Kosovës, për të shpërndarë Lidhjën dhe për të normalizuar transferimin e zonës së Plavit në Mal të Zi.
Udhëheqësit e Lidhjes Sulejman Vokshi dhe Ahmet Koronica, i dorëzuan atij një ultimatum që të kthehej në kryeqytetin otoman ose të përballetj me pasojat e një sulmi kundër tij.
Mehmed Ali Pasha nuk e pranoj ultimatumin. Më 1 shtator 1978, ai u vendos me 700 ushtaret e tij në pasuritë e Abdullah Pashës në Yakova, ku pritje që t'i vinte si përforcim edhe një batalion nga Mitrovica.
Sulmi i luftetarëve shqiptare filloi më 3 shtator 1978 dhe përfundoi tri ditë më vonë me vdekjen e komandantit Mehmet Ali Pasha, bashkë me Abdullah Pashën e Yakovës (Gjakovës).
Kësisoj, ky sulm shënoi fillimin e luftës së armatosur të ushtarëve të Lidhjës Shqiptare kundër ushtrisë së perandorisë osmane.
Gjatë luftës kundër osmanëve, Ahmet Koronica shiti krejt çka pati, për ta ndihmuar veprimtarinë e Lidhjës Shqiptare. Në vitin 1885, Ahmet Koronica u kap nga ushtria osmane bashkë me Sulejman Vokshin. Të dhënat e gjykimit tregojnë se ai ishte internuar në Anadoll.
 |
Poetja Drita Lushi |
Drita Lushi, lindi më 14 maj 1969 në qytetin e Librazhdit ku vazhdoi mësimet deri në shkollë të mesme, për të vazhduar më pas studimet në Fakultetin e Mjekesisë. U diplomua për Farmaceutike.
Pasioni i saj i hershem ka qenë letërsia e gazetaria. Ka botuar Librat me poezi “Ëndërr”, ”Flirt”dhe ”Sonata e syve”. Po ashtu, ka botuar edhe librin me tregime “Dashuria çel në prill”.
Jeton në Tiranë
Poezi nga Drita LUSHI
PUTHJE
Sonte mos më fol fjalë dashurie.
As puhizë përshpërimash rrëzë veshit mos më thuaj.
Sonte shuaji të gjitha dritat, por jo ato të zemrës tënde.
Të llamburisë mbi ne dashuria - kështu më duaj.
S’dua të më mbash duart e mia në të tuat,
e përqafimet e gjata, sonte hidhi tutje,
sonte e dua natën time me puthje,
si burim dashurie të rrjedhin, të qeta e pa ngutje.
E në më zëntë gjumi nga dashuria,
me burimin e puthjeve freskom’ përsëri,
mos u lodh, mëngjesi vjen shpejt,
i dua pafundësisht – zjarr dhe ëmbëlsi
Ç’MËSOVA NGA TI?
Të flas,
Fantazoj,
Te Qesh…
Te luaj dhe te gjej shtigje mes reve
Te kepusja nje cope qiell te kalter
Dhe te vizatoja zogjte e shpreses.
Te degdisem der ne skajshmeri me dashurine
Dhe te mos vdes duke fjetur,kurre .
Çte dhashë…?
Asgje…
Te shkrova ne sy,
Ato qe mora nga ty.
KËNGË E HARRUAR
Kënget e tua,
Ishin zgjimi dhe ëndrra
për mua;
Por ti,
i harrove kengët një ditë,
Dhe unë,
S’ pata pentagram,
Ku të shkuaja poezinë…
Ti i harrove këngët,
ndërsa unë dashurinë…!
DASHURI TOKËSORE
S’dua të jem zot për ty, i dashur.
As ti s’dëshiron të jesh zoti im, e di
Dua të jem thjesht
dashuria e paqja jote,
butësia e ditëve,
ëmbëlsia e fjalëve,
ëndrra e mbrëmjeve.
Dua të dëgjoj rrahjet e zemrës tënde,
kur kokën të t’ mbështes në gjoks.
Kaq pak dua të jem për ty.
Kaq shumë dua të jesh për mua.
Le t’i lëmë Zotat në qiejt e tyre.
Le të dashurohemi njerëzisht
në Tokën tonë.
ME DASHTË
Asht’ mire me dashtë
me gjymtyrë
me trup
me gjith qenien ,nji tjetër qenie
per dashuri.
Asht’ bukur me dashtë me mendje,
me dashtë me tru
me dasht nji emën!
Veç lumtuni asht,
kur don me zemër.
______
Për Ora Shqiptare, Sabit ABDYLI