Freitag, 4. Januar 2019

Petrit Ruka

Petrit Ruka

Petrit Ruka, lindur në Tepelenë më 21.08.1954. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë Letërsi Shqipe dhe studimet pasunuversitare pёr dramaturgji filmike, Akademia e Arteve të Bukura, Tiranё 1985 – 1986. Ka punuar si pedagog nё Shkollёn e Mesme tё Pёrgjthshme, Tepelenё.1976 - 1984. Skenarist dhe regjisor. Kinostudio “Shqipёria e Re” dhe Alba Film Studio.Tiranё.1986 – 1996. Drejtor nё Teatrin Kombëtar të Fëmijëve. Tiranё 2000 – 2000. Kryetar i Qëndrës Kombëtare Kinematografike Shqiptare 2000 – 2005


Disa nga veprat e këtij autori:

1. “Rinia ime” vёllim, poezi, 1978.
2. “Atdheu fillon tek zemrat” vёllim, poezi 1983
3. “Mirupafshim, hënë e vendlindjes!” vёllim, poezi, 1990
4. “Vërtitu, Kokë e prerë!” vёllim, poezi, 2000.
5. “Në zemër bie shi...” vёllim, poezi, 2003
6. “Shtatë mijë shirat e mi” poezi të zgjedhura, 2008
7. “Kalorësi mbi det“ esse monografike për Kadri Roshin 2009
Ka realizuar me shume se 30 vepra kinematografike si skenarist dhe regjisor.



Poezi nga Petrit Ruka


SHQIPËRIA

Kjo tokë quhet Shqipëri. Është e jona.
Qysh atëbotë që u krijua
Mbi kokën tonë hëna.
Vure dorën mbi të të ndjesh si derdhen
Përrenjtë e të vdekurve nga brenda.

Këta janë ullinjtë tanë moshatarë me detin,
Që flasin ilirisht me lumenjtë
Mbrëmjeve të prillit.
Nën ta vinin e çlodhnin
Mushkëritë e nxira nga bloza
Perënditë e kthyera nga Trojat e hirit.

Në cilin prej tyre (që bën ende lule dhe kokrra)
Ka lidhur elefantin Pirroja i Epirit?!

Ja dhe arat tona sa shamia e xhepit,
Bokërrima të thinjura nga uria dhe etja.
I mbillnim me misër,
Dhe mbinin lotë,
Dhe korrnim ëndrra....

Anash  malet,...Ah, mali –
Vëllai ynë i madh,
Që na mbajti frymën gjallë.
Secilit nga ne po t’i çash më dysh zemrën
I gjen patjetër një mal...

Pastaj mbi ta fshatrat e përhimtë kaçakë,
Kokëshkretë pas lirisë,
Drerë të egër nën yje.
Asnjë qeveri s’i hodhi dot në hartë,
Nuk ua numuroj dot djepet
Dhe varret në pyje.

Përsipër qiejt të larë me diell
Të mbushur me frymën e motakëve tanë,
Nëpër këtë frymë motakësh
Sa herë armiqtë
Në vend të pëllumbave na dërguan aeroplanë.

Kjo tokë është e madhe, e sertë, plot humnera,
Në hartë të gënjen kur duket sa një thua,
Po ti që nisesh për rrugë,
Kujdes, mos u nis,
Pa hedhur një amanet mbi shpatullat e tua....

1985
______
Nga libri ”Mirupafshim, hënë e vendlindjes”.




NË VLORË JAM MJEGULL

Në Vlorë vijnë e vijnë boletinas të tjerë.
Me kuaj, makina, në këmbë,
Vlora i merr hua tokë detit
Për t’i mbajtur të gjithë mbi gjoks.
Mbi brinjë,
Mbi këngë.

“Deti im, o vëlla Det,
Të keqen motra,
Shtyu pak më tutje,”
Tek eci, se di pse po kërkoj babain e vdekur
Në cilin flamur është futur,
Në të cilën të kuqe?!

Po nëna, ku është,
Ku motra e shuar 18 vjeçe?
Viktori me vrimën në zemër,
Dhe dashuria e parë e humbur
Në një ëndërr të keqe…

Ah, sot
Do të doja ti kisha sytë më të mëdhenj,
Të thithja më shumë pamje, më shumë,
Ku e kishe fshehur Shqipëri
Tërë këtë të kuqe
Se ke në hartë këtë Lumë…

Drithërohem si fletë tek Sheshi i Flamurit,
Lëkundem dhe lotë kam në grykë,
Kthen kokëm ime shoqe
Më e bukura e grave që njoha
M’i kërkon me ankth sytë.

E di që jam mjegull, i kam ikur,
Kushedi se ku, kushedi
Në ç’vis kujtimesh,
Po lajthit, i them vetes
Derisa kërkon të vdekurit
Te jenë në këtë ditë mallëngjimesh…

Po edhe ata janë Shqipëria ime,
I dua këtu,
Sot këtu i dua,
Jam bërë krejt fëmijë përpara Vlorës,
Nuk di kujt t’i marr pak burrëri hua…?!

Vlorë, Hotel Lungo Mare, 27 nëntor 2012




LASGUSH PORADECIT

këngë në mortin e Princit të Madh…

Zu liqer-i- tij prej kënge
Mall të ri, mall kaltërosh,
U këput si yll prej zemre
Ky poeti ynë finosh.

Pen-e-tij -rrez-e-diellit,
Ra prej dorës mjeshtërore,
Ngriu në fluturim të qiellit
Mjellmë e fjalës arbërore.

La një valle yjesh, iku,
Princ-i- fjalëve të thjeshta,
Sa këndoi ai, liriku,
Dridhej prilli, ngjethej vjeshta,

Zjarr nga yjet, frymë nga lulet,
Bir-i- këngëve pleqërishte,
Mu tek varr-i- tij përkulet,
Qan lirika shqipërishte.

Perëndi me shpirt e gojë,
Zog i qiellit naimjan,
Ish e është e do të rrojë
Kroi i shpirtit lasgushian.

Mu tek fjal-e-tij zambak
Mund të mbledhin mjalt' dhe bletët,
Heshti të gjëmoi më larg
Më finoshi nga poetët.

"Vdiq Lasgushi, po kush mbeti"
Moj e mjera poezi…
U pupu iku poeti,
Mbeti shqipja me një sy…

Tiranë, 13 nëntor 1987




TË VDESËSH NË JERUZALEM

E shenjtë humnera ku ke rënë,
Në ikjen tënde me nxitim,
Përdhe është Molla që ke ngrënë,
E fundmja Evë e qiellit tim.

Si foshnjë, ndër teka dëshpërimi,
Ia hipën Fatit si një kali,
Pa ditur se si vetëmashtrimi
Te thyhet si servis kristali…

Kur bor’ e parë s’të ish shkrirë,
Në cërr të dimrave të tu,
Ti shkele shpirtit tim të lirë,
Ku ish tërfili gjer në gju.

Ti ndenje aq sa ç’rri një bletë,
Për pak aromë e pak nektar,
Se trillet s’presin kurrë biletë,
Se s’kanë atdhe e s’kanë orar….

Dhe pa e ditur ç’është një dhimbje,
The: minus një, si tek një lojë,
Ti kur e dije, pse më linde,
Të vdekur, me monedhe në gojë?

Ti kur e di që lind aborte,
Mos “fli” me burra të vërtetë,
Se këtë brengë si ikja jote-
S’ma tret as varri im i shkretë.

Dhe teksa ikën nëpër mjergull
Në zinë e dashurisë me kujë,
Tek mbillem lis e mbij si pjergull
Ti bëhesh Hënë e ndrin nën ujë.

Dhe falur qofsh përse nuk dite,
Si bëhet Fé një dashuri,
Tek bje në flakën që më ngrite
Unë hirin tim e bëj flori.

Dhe ja, tani tek Varr - i – Krishtit,
Të fundmen Lutje bëj për ty,
Si unë të dashuroftë një tjetër
Dhe kurrë mos u bëfshin dy…

Në Mur të Lotëve biblik
Të mbledhur shuk në një copë letër,
Kjo këngë vajtimi, shkruar shqip
Mos e pastë një shoqe tjetër.

Dhe lamtumirë tek të them,
Maria Magdalena ime,
Të vdesësh në Jeruzalem…
Të paktën vdekja është sublime…




POETËT

Poetët-njerëz të ligj, shtetet gjithmonë i shajnë,
Sillen me ta si me gratë, zihen dhe i ndajnë,
Pastaj prapë u bëjnë këngë, për ta zënë dhe qajnë,
U bëjnë ndere prej skllavi, mbi supe i mbajnë.
Poetët janë njerëz të marrë, mos u besoni shumë,
U bëjnë magji njerëzve, grinden se s’kanë gjumë
Grinden me veten si me një hasëm të vjetër,
Rrojnë si mos më keq; me dëshpërim dhe letër.
Përbuzin qeveritë, përbuzin paratë,
Ngrenë tempuj për vdekjen, ngrenë tempuj për gratë.
Bëhen shok me djallin, shok me një pjergull,
Pinë raki me fantazmat, bëjnë flamuj me mjegull,
Poetët janë të çmendur e kanë kokën të çarë,
Nëpër muret e burgjeve të ndërtuara me fjalë.
Janë njerëz të dehur, pështyjnë zotin vetë,
Sikur zoti qënka një copë redaktor i shkretë. 
Poetët si poetët…t'i kuptosh?!…E kotë…
Po se mos vetë e dinë se ç'janë në këtë botë….

Nga libri “Në zemër bie shi...” 




KËNGË PËR VASILIKËN

Vasilikë e bukur, hi e hir-i vashës,
Psherëtimë e bardhë e Ali Pashës,
Dimër edhe verë tridhjetë vjet në shkallë,
Bindu, moj e gjorë, që Aliu s’është gjallë.

Ulur në verandë, pi verem, raki,
Me tym të cigares vizaton Ali…
Një Ali të murrmë, të hollë si ëndërr,
Përmbi kalë të vdekjes kalëron si dhëndërr.

Unazë e martesës, në gotë, në raki,
Kokë e Ali Pashës derdhur në flori,
Të vjen gjer në buzë sa herë pi me nge,
Puthja është e vdekur, puthja vetëm bje.

Kokë e tij e bardhë, Kokë e tij e prerë,
Bie në sytë e tu hapur si humnerë,
Bie e bie mbi shkallë, bie mbi gjinjtë e tu,
Njëri manastir, tjetri xhami blu…

Ajo Kokë e Burrit, ajo rè prej shqote,
Kur qe gjallë peshoi sa një gjysëm bote,
Kur qe përmbi supe-kuti me tërmete,
Me një kthim prej luani bënte ç’bënte shtete.

Tani mjekr’- e tij nga lart bje si borë,
Mbulon tej e tej Shqipërinë e gjorë.
Tre male më tej- trendafil që mbin,
Trëndafil i bardhë që tërboi Greqinë.

Kontër, pashallarë me vula të arta,
Të lypën kurorë me parfum në karta,
Po emrat e tyre kushedi me ç’brymë,
Ranë vjeshtë më vjeshtë si gjethe pa frymë.

Kallogre e thinjur, ah Vasiliqi,
Moj sorkadhe therur, o ti yll i zi,
Si qiri prej pashke digju pranë Besës,
Që ti japësh botës aromën e shpresës.

Në fshatin ku linde, si hënë e gremisur,
Si dhogë e anuar mbi varr të vithisur,
Nusezeza jonë si një lot i grisur,
Vjehrra Shqipëri ëndërr e pa stisur.

Pret e pi rakinë me rruaza floriri
Pret e pret të vijë Ali Pashë Veziri,
Hipur mbi Janinën si një pelë e kuqe,
Hipur përmbi Sulin si një kalë me huqe.

Njëherë i vjen koka, trupi herë- herë,
Që të dyja bashkë mendja s’mund t’i bjerë.
Një nate me shtatin, një nate me Kokën,
Fle Vasiliqia si ngrica me tokën.

Natë e ditë i lutesh: “Krishti im, - Ali,
Pse s’po ngjallesh ende, Ti je Perëndi,
Motet shkojnë e vijnë; lule, borë e lotë,
Botën e bën akull gjaku im i ftohtë…”

Të largosh mornicat ti shtje prapë raki,
Raki me unazë nuk ka pirë njeri,
Shijen si e ka s’do ta dijë askush,
Përveç zemrës tënde që punon me prush…

Ditët vijn’- e venë - sorra me një sy,
Tek sofat- i gurtë ti dhe gota dy,
Kokën e ngre pak sa herë bien tërmete,
Mos po vjen Aliu, pëshpërit me vete.

Prite siç pret guri, ti anti- Helenë,
Ja, që s’je prej mishi, je grua bedenë,
Po Ai nuk ngrihet, legjendat nuk vijnë,
Nëpër qieje mëndjesh ndizen vetëtijnë…

Nga libri: “Vërtitu, kokë e prerë”, 2000



KËNGA E ANËS
Kushtuar A. J ….

Na ish pjekur Ana lart në degë si  ftua
Mu në mes të lagjes bënte batërdi,
Djemtë e asaj kohe bashkë me mua
Janë me vrimë në zemër dhe tani…

Ana kur u poq si një vile rrush,
Gjinjtë e saj në rrugë ne na piqnin sytë,
Burrave ua mbushte shtratin plot me prush,
Grave - me shushunja gjer në grykë.

Ana ndrronte stinët me një cep fustani
Dhe të fuste drithmat në korrik.
Djemtë agjëronin si  Muhamet Kurani
Burrat shanin gratë…"gjella është pa kripë!"

Kur i shkonte Anës era nëpër kofshë
Mbapa bar-i njomë bëhej shkrumb,
Po  të kapte syr-i saj të kapte gjarpri,
Vdekja është si mjalti nga një plumb,

Ana kalbi gjumin, gjumi vate, shkoi,
Ajrin e rralloi me supe, me qerpikë,
Pleqtë ndrronin ujin, ujin e çdo kroi
Djemtë u bënë të gjithë si azmatikë.

Na ish pjekur Ana si një shegë a ftua
Mu në mes të lagjes bënte batërdi,
Djemtë e asaj kohe bashkë me mua
Janë me vrimë në zemër dhe tani…

1988
_______                   
Nga libri: ”Në zemër bie shi”, 2003



MË KUJTOJNË ATË...
                  - Naim Frashërit -

Unë për Naim Frashërin s’shkruajta dot asgjë,
Sa herë që shoh malet, më kujtojnë atë…

Unë për Atin tonë s’gjeta dot pesë fjalë,
Sa herë shoh qirinj Ai vjen i gjallë.

Kur them fjalën komb, fjalën Shqipëri,
Herë më del si shenjt, herë si Perëndi.

Unë për Naim Frashërin s’shkruajta dot asgjë,
Sa herë shoh flamurin më kujton Atë…

1982



TANI NUK DI Ç'TË BËJ ME TY

Nuk di ç’të bëj tani me ty,
kur ndarja po pllakos me nge,
gjer dje më ishe ujë në sy,
tani një cifël qelqi je…

Si në një koma, me kordon
e me serume dhembshurie,
të dy e shohim tek firon,
kandil-i kësaj dashurie. 

Nuk di ç’të bëj tani me ty,
ta shpall a jo, këtë mandate?!
Apo?!… Të të mbaj akoma…
siç mbajnë meitin për një natë?!

Se të shpalla, ja, …të vdekur,
s’kam një vend të të varros.
Ti do mpiksesh si pikë gjaku
në trutë e mi si një trombozë.

Të humbur?! S’ka kuptim aspak,
se jeta do kaloj- kërkim,
më thuani, qysh t’i vë kapak,
tabutit mu në trurin tim…

S’e di pastaj se si do gdhijë,
një mëngjez sërish prej burri
kafen në vetmi ta pish
sikur pi gllënjka vajguri.

T’i ketë prapë ky qytet
ato rrugë e ato bare,
ku je hije, mor i shkretë,
sikur hyn e del në varre.

Nuk di ç’të bëj tani me ty,
kur ndarja po pllakos me nge,
kam frikë mos ngelem me një sy
dhe shpirti më mban era dhé…

Prill, 2013




BABAI S'E MBAJTI PREMTIMIN

Babai s’e mbajti premtimin.
u çmend! Iku!
doli prej varrit
u bie pashë më pashë ëndrrave të mia
si të jenë arat e tij,
“Ç’kini me mua?
janë ëndrrat e djalit!”

- Po ç’bën o baba, e kishim ndryshe fjalën,
kur të shtruam varrin,
ia thamë njeri tjetrit:
do rrinim ca kohë veç e veç pushim…
do bënin durim e do prisnin
më të vjetrit.

E di, e di, që të ka pikur malli,
dhe mezi e duron
kur ta çan gjoksin si thikë.
por a nuk është ca herët
që të iki nga kjo botë
paçka se s’kam frikë…

Ta dish, plak i shkretë, sa dua dhe unë
faqen ta vë
pas fanellës së leshtë,
të gjej erën e gëlqeres, muratori im,
që kurrë nuk t’u nda
në dimër e në vjeshtë.

Ta dish sa digjem ta fus dorën e vockël
Në atë pëllëmbën stërmadhe
e të ashpër si guri
të më çosh në shkolla, në pyll e spitale,
të më mbulosh prej diellit
me atë hijen prej Burri…

Të më tregosh rrëfenja me gjuhë të kulluar
Në toskërishten naimjane
me aromat e blirit,
të pimë në avlli një kupëz raki
nga shtamba e hënës
në lëfytin e prillit…

Të qajmë pa lotë  në errësirë e fshehtaz
Për vajzën ti,
unë për motrën pa fat,
tek thithim një yll në majë të cigares
dhe gjoni të qajë
diku anash në fshat….
…………………………………………….

- Po çbën, o ba, ke qënë vetë durimi,
më çmende në ëndrra,
të hëngri meraku,
besomë që jam mirë
dhe si kalë i fisëm
vetë e mbaj barrën
deri tek pragu…

Nënë, ti e ke fajin
Që i tregon hallet e mia,
Që i thua se djali
ka shtatë vjet pa punë,
(se shtet krimineli
s’ta jep një rrogë
po s’shite shpirtin
dhe s’je derr në gjumë…)

Po mbaje, moj nënë, e mua mos më thuaj
“e mba vdekja me hatër
se është dhe ajo grua,
si thënka dot jo një burri dy metra
i pashëm si ai
sa ndal uji në krua…”

E di që s’ke faj e kështu të fanepset,
që do çmendeshe për të
edhe në varr,
po thuaj që unë jam mirë dhe dua e dua
të djeg kësaj ane
akoma ca zjarr…

Një ditë do të vi me mallin e çmendur
t’ju futem si avull
në gji e në gjak,
një grua, një këngë, një vajzë e një djalë
më luten që lart
të rri edhe pak…




GRUA E JUGUT

Jemi dashur tërë jetën e se paskemi ditur,
deri ditën kur u ulën në atë kafe 
Grua e Jugut, 
duke pirë deri në fund gllënjkë pas gllënke.,
njeri- tjetrin 
me etjen e deveve shtatzana pranë muzgut?!…

Në këmbë të prita,
siç pritet një Zonjë e Madhe Jete,
në jetë,
i bindur se aty isha ngulur
që nga dita e fundit e maturës,
me vjershën e parë të dashurisë në xhep.

I paske mbledhur Ti në stacionet e humbura
gjithë pritjet për gratë,
që humba pa faj,
ku qenke fshehur të vish kaq behtë
si gazi në vaj?!
  
Kur u ulëm, mulliri që bluan kafen,
filloi të rrotullohej vetëvetiu,
sa kamarieri i skuqur prej turpit, 
vrapoi ta fikte e ai s’fikej për mua…
Lere, duhet t’i thoshja, lere, s’ke ç’i bën, bir,
nuk pushon pa bluar shtatë mijë kafet e papira
me këtë grua.

Ti nuk e vure dot re
si u veshën mea vull tej e tej xhamat,
se si u ndërrua vetë në sidiplejer muzika,
si ra pastaj heshtja,
që të dëgjohej fjala e madhe: të dua!
dhe flluckat e ajrit të pëlcisnin  pas mureve,
fanepsur nga ngjethja…

Po unë nuk fola. As ti nuk fole…
Nuk flasin, vetëm qeshin gratë e Jugut,
me pak turp në mollza
si kuqëlim flamuri,
qeshin dhe pjekin në gjinjtë e tyre një portokalle,
për çdo vështrimi burri.

Nuk dija ç’ti bëja sytë…si hala peshku i futa
në vrimat e komçës që qante 
mbi gjinjtë e kyçur në këmishën tënde,
Ti me siguri po luteshe: “Këputu, moj komçë!
se unë jam dorëzuar tek ky burrë
mendje më mendje.”

Dhe qeshe prapë me një krua gurgullimash,
që rrotulloi tërë kokat e grave nga ne
si lule dielli të nxehta,
atëhere pashë ajrin që dridhej, 
në plasje tollumbacesh purpur
nga orgazmat e tyre të fshehta.

E ndjeva. Ti ishje e pritura e ëndrrave të thella
i kishje brenda të gjitha
fill e për pe,
deri tek buka e grunjtë, loti dhe kripa,
pafund si një Fe…

Oh, Grua e Jugut, moj Grua e Jugut,
qenke shoku dhe malli për motrën e vdekur,
perëndim i rubintë në qiell Çamërie,
supi i nënës, qepa,djathi, oxhaku i ndezur, 
bishti i ketrit 
edhe shall fëmije.

Pastaj të pashë nëpër grykë si rridhte
Uji i Ftohtë i Tepelenës,
pas dashurisë deri në shkalafitjen e krevatit,
pashë Lotin tim për Viktorin, shokun e rinisë,
që iku se kish një vrimë në zemër të Fatit…

Po hesht tani… Se nuk i numuroj dot të gjitha
deri tek brryli i Vjosës, ku qan akoma
një dashuri e humbur pa lotë,…
Kam frikë t’i them
se më tremben kujtimet
e mbetem vetëm në botë.

Qenkeshim dashur tërë jetën dhe s’e paskemi ditur,
o grua e Jugut! 
Ulërima ime,
tani bëhu gati mirë e mirë ta pjekim ngadalë
nën dritën e njëmijë hënave 
këtë dashuri sublime…




ISHA NË TEPELENË

Hyra në Tepenë dhe Drejtoria e Erërave
një tra të padukshëm ngriti mbi lumë,
erdhe, tha Vjosa, që sapo më sheh,
kotet si gruaja pranë burrit në gjumë…

Erdhe, tha Kalaja, Aliu, kujtimet,
Shtëpia nën dhé e babait të gjorë,
ti qënke i lodhur, më flet Trebeshina,
“mos do të lëshoj mbi supe ca borë?”

Po mua s’më sheh, thotë puthja e parë,
(t’u çafshin buzët po më harrove një ditë!)
Për një orë letërsi më fton rruga e gjimnazit,
ku më shumë se sa dhashë mora ca dritë…

Erdhe më thotë, prej varrit, Viktori,
Mësuesi koleg në fshatin malor,
“Pa fshije vesërinë  tek sytë, vëllaçko,
dhe hajde të qeshim, paçka se me zor..

Në kafenetë e vjetra s’më lënë të paguaj,
në të rejat më shohin si plepin e thatë,
ku i ke kaçurelat më pyesin dritaret,
na merr, thonë shishet lart mbi banak…

Vjen dhe më puth krej lirshëm, pa drojë,
një grua e bukur që mësim i kam dhënë(!)
tek mosha e saj e pjekur si ftua,
shoh që së fundi “çairin e kam ngrënë*”

Dhe fshihem më tej tek kafe “Kalaja”
shkruaj këtë këngë, të mos shkrehem në vaj,
Or, bir, më flet nëna, nga bota pafund,
- Mbahu, o jetë, kujtimet s’kanë faj…

Ps.  në vend të një faqe ditari më 15 shtator në Tepelenë.




TË SHOH TEK IKËN MAJË GISHTERINJVE

Te shoh tek ikën majë gishtrinjve,
me turp, me zor dhe pak mëshirë,
tek derdh mbi plagë dy pika lot,
siç bën një panjë me pak rrëshirë.

Ka ngrirë në kthesën që s’ka Ardhje,
kjo shpina jote, - drithërimë,
“oh, mos kthe kokën me keqardhje!
të lutem, plot me përgjërimë!

Një ditë të gjithë e lëmë nga pas
të vjetrën strehë që ka zënë myshk,
tek një e re vrapojmë me gaz
që shpirt ynë të mos zërë ndryshk…

Dhe mos digj ditët me Mëdyshje
nxito të shkosh tek zjarr i ri,
e di që jam një zjarr pikture,
me pak thëngjij e më shumë hi…

Aty do rri në një kornizë,
i varur nëpër mendjen tënde,
sa të bjer vjeshta një puhizë 
ta shkund si të fundit lënde…

Atëhere kur si lisi plak,
do nxij në qiell si një kontur,
si zgavër që pikon farmak
do feksësh rrugës… për qivur…

Po gjer a’herë, si alkimist,
unë dhembjen do ta bëj flori,
ta nxjerr nga shpirti im i lis-të,
siç del një dimër me pak shi…

Tiranë, shtator 2012





DITA E HUMBUR
                        trill

Ku do të shkosh sot? – më  pyesin këmbët,
E unë u këpus një të sharë të thartë shqipe
I habitur që gjuha jonë e bukur
Ka më shumë sharje se çdo vend tjetër i botës!!!

Në kafen e parë ku shkoj të rivritem,
Kërkoj një mik për të ndarë vreret e fundit,
I futem pashë më pashë emrave të gjallë
Se mos gjej ndonjë fajtor,
U bej një search
Që mbaron me nje zero të vogël qorre.

Me të vdekurit, nuk matem,
S’ma mban të merrem me gjëra të shenjta,
Me ata që më rilindin.

Shikoj përtej një tabelë
Ku fjala: Atdhe, është e lagur,
Dhe më shpifen
Dyzet vjet dashuri këngësh, nga të miat,
Në të cilat atdheu sa fryma me ish i dashur.

Tani ky është një atdhe i dalë në ankand
Me burra të ndyrë tenderash.
S’ka mbetur më asgjë për tu shitur,
Përveç shpirtit të poetit…

Nuk ka më anjë kuptim, kuptimi
Dhe s’di si ta ther vetminë time,
Mu në mes të këmbëve
Si një dash kurbani.

E di që më kanë  vdekur dhe pendohem si qeni
Që nuk e paskam shpallur,
Nuk e kam treguar nga inati.
Po tani të gjitha shpikjet dhe gënjeshtrat
Më janë bërë cope e cikë
Si ombrella e e një lypësi që del nga kazani i plehrave…

Dhe xhixhëllima e vdekjes fillon e më përndrit,
Më mbush si një gotë e fortë për t’u dehur,
I lëshohem symbyllur si në gruaje:
Të dua i them, je e vetmja gjë e përsosur
Që m’u gjënde pranë…
grua e pa cen dhe e bukur…
Nga ato që nuk të braktisin kurrë…
Si në botën e letrave të zverdhura dikur…

Më lumturon një çast deri në përlotje,
Sepse e ndjej që po më vishen syzat,
I them një mijë herë më fal, për tradhëtitë,
Për gënjeshtrat që të  kam bërë,
Për pikëtakimet
Në të cilat gjithmonë gjeta një dredhi të re frikacakësh.

Pastaj nxjerr një copë letër,
Gënjehem duke e shkruar këtë ditë,
Bëj një këngë mëshire që nuk  i duhet askujt
Sa për zakonin e të shkruarit,
njësoj siç nxjerr papushim paketën prej xhepit…

Flas një sekondë me cigaren para se ta ndez,
Hë, pra, i them, jepi,
Ti e ke atë perlën e vogël të kancerit?!
Lere më në fund  në grykë,
Më bëj njëherë e mirë të pasur.

Një grua e bukur përballë kthen kokën,
E më lexon fjalinë e fundit, duke u përpjekur
Të sajojë një dromcë buzëqeshje tek buzët.
Kushedi se nga c’dhembje e saj i ka mbetur…

Mirë i them, unë. Mirë, o shpirt,
Besoje se më ke ndihmuar,
Të falemnderit!
Të paktën ky libër mirësjelljesh, apo mëshire
Është akoma në raftet e gjithë botës,
Dhe nga që vetëm këtë këngë na mësuan,
Le ta mbajmë me shpresë njeri –tjetrin…

E gënjej kamarierin me dyqind lekë bakshish,
dhe nuk i ngjaj fare si i papunë,
Duke ikur më tej… e më tej,
Me celularin në dorë
Si me një arkivol të vogël,
Cit me të vdekur si unë…

Në shtëpi  mbyll derën e studios,
E marr kokën në dorë
Ia hap të gjitha vrimat e helmit…
Dhe e le të kullojë të gjithë vrerin e verdhë
Në sininë e madhe të fatit…

Si një cen të kujtesës gjenetike,
Si nip i Ali Pashë Tepelenës,
E mendoj një çast kokën time në tepsi
Po nuk e gjej dot kamaren e turpit…

Nuk ndjej më asgjë, as inat dhe as drojë,
Kundër çdo estetike, morali apo rregull arti,
Shkruaj këtë këngë ditari,
Këtë angullimë qeni,
Shijoj duke e ditur se nuk do të botohet kurrë…

Mbyll sytë dhe pres
Dhe shkruaj vetëm  e vetëm
Se nuk më lënë të bëjë asgjë tjetër..

………………………………………
Sa e trubulltë ti, moj këngë  antibotimi,
Si ceni i fshehur pas veshjeve imtime,
Të një vajze
Që kurrë si doli fati vjeshtë pas vjeshte…
Dhe lotë nuk ka më
Si dita  ime e humbur!!!




DASHURIA ËSHTË VETËM NJË FJALË

Çfarë është dashuria, më pyet fëmija, që kam brenda,
dhe prêt, nga une burri, përgjigjet.
Rri aty si Princi vogël… i Antuan-it,*
me një yll të vogël qielli pas veshit,
si një karafil i kuq që digjet.

Ik, tani, ik luaj në fëmijërinë time, se nuk thuhet,
kur u shpik shkrimi u bë akoma më keq,
një lëmsh i kaltër më vete.
Dhe s’ka lindur asnjë burrë nëne
Ta shkruaj e të jetë ngopur
 me këtë ujë…të shenjtë jete…

Si ta heq qafe? Nuk lëviz as qerpikun,
Mendon, që një burrë si unë, e di, patjetër,
(kush dreqin i ka thënë  që jam dhe poet?!)
Mijra faqe librash më bluhen në mendje
Dhe nuk u bekan dot një bukë fjale
Që ta ngop këtë Princ zevzek…

Ik, pyet një grua, më mirë, i them,
se  dashuria është një krua në tokën e tyre,
dhe rrugën drejt tij e dinë përmendësh,
siç dinë ta japin një puthje në errësirë,
pa patur asnjë fener të ndezur të mendjes.

Nuk shkulet. Dhe unë nuk kam se ç’bej;
Filloj t’i them gruan e fundit që dua,
duke ia bërë fjalë; sytë ,buzët, ajrin e lëmzës,
kupat e gjunjëve, ijet, kërthizën
derisa të vë si pikë
thoin e saj të vockël të këmbës…

I them për ta hutuar,
që dashuria është pasqyra e qiellit
që thyhet në zemër,
të gris, e të dhemb.
Dua ta bind se vdes pas dhimbjeve të saj…
Vdes e ringjallesh si Llazari,
Po kjo nuk të tremb.

Eshtë koha, kur ke një hënë në vend të trurit
Dhe bëhesh i përhënur,  
bie në gjak me gjumin,
Pastaj i them që është loja,
ku Saharaja e gruas e pi burrin si lumin..

Dashuria është vuajtja e një pjestimi
Që kurrë nuk mbaron, se ka mbetje.
Është grindja, mëria, lutja, përgjërimi,
me ca lot e puthje pendimi
pas çdo vjeshte…

Dashuria e madhe, i them
eshtë keqkuptimi i dy shpirtave  
që dashuria e tjetrit nuk mjafton.
Është një fije floku mbi jastëkun e bardhe,
që mund të bier për burrin
e për dikë tjetër vajton…

Dashuria është,… them unë… dhe princi
Kruan kokën me yllin pas veshit,
I vjen gjumë,
Dhe mua më vjen pak turp nga vetja,
Nga gruaja që dua,  më shumë…

Ah, prit nuk të thashë
që është pulëbardha e vetmuar,
tek vjen nëpër muzg,
të mbajë qiellin e një burri të mos shembet,
është  gjaku i  burrit dhe i gruas që digjet,
nga i njëjti zjarr në të dyja mendjet.

Është frika mos nuk të duan
dhe mbetesh aq vetëm, Princ,
sa zë e merr kokën në duar edhe qan…
I mbledhur nën bishtin e tij sa një ketër.
Turivarur më sheh Princi i vogël Antuan.

……………………………………………
Kujtova, më thotë, se pas gjithë asaj jete,
pas gjithë atyre grave,
pas gjithë atyre këngëve plot pëshpërima,
do të ma thoshje me një fjalë të vetme
Dhe krahët më kthen e ikën turivarur
Në yllin e tij të vogël sa mandarina…

I akullt jam bërë, zgjohem, vrapoj,
pa frymë nga mahnitja
e një mendje gjeniale.
Po tani ai është në gjysëm të qiellit,
kur unë zë e lëshoj nga mushkritë  
emrin e gruas fatale…

Prit të ta them, prit, i bërtas
Princ, më dëgjo si e quajnë,
ka brenda në emër plot tri violina…
Ja, emri i saj,…. bërtas,
po tani që qiellit i ulërij si ujk,
kujet më dalin blegërima…
  
*Princi- personazhi i veprës së famshme “Princi i vogël” (Le Petit Prince) 
 i shkrimtarit francez Antoine de Saint-Exupéry.




KËNGË MUZGU

Po vjeshtosem, po brengosem,  po vrerosem
                     Fund e krye,
Veç dëshirat,  si stolirat,  nuk po sosen,
                     Prush si yje…

Sa më shumë, si i ziu lumë, që në gusht
                    Vdes  në zall,
Që nga brenda,  plot me endrra e me musht
                    Lind i gjallë.

Lind e bind shkembinjtë e jetës tek po bjen
                   Me gjëmime
Të durojnë  e të besojnë se Ti vjen
                   Plot bekime.

Jak o Grua, si një krua,  Nënë e dytë,
                  Bjemë në jetë
Vrema gjarprin që pi sytë,
                 Muzgut tim të shkretë.

Vetëm ti e di se si, vitet kthehen pas,
                  Me tmerr,
Zot i Madh, ku shkel Ti, vjen me gaz
                  E derdh sheqer.

Po vjeshtosem, po brengosem, mos më pret,
                  Zonjë e zisë?
Tek shpëton një burrë, ti vetë,
                  I zë vendin Perëndisë…

Nëntor- dhjetor 2011

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen