Montag, 10. Dezember 2018

Bujar Salihu

Bujar Salihu
Bujar Salihu, i lindur më 1972 në Pogragjë, në letrar shqipe shfaqet më 1994 dhe atë nga alpet zvicerane, përmes librit poetik dy gjuhësh, shqip e frengjisht,     "Në xhepat e vetmisë".
Protagonisti i kësaj vetmie, ishte shtrënguar t'i braktis studimet po edhe Kosovën, shkaku i rrethanave të kohës, por pas tri viteve, do ta shfaqet përmes Redaksisë së botimeve "Rilindja" në Prishtinë, me një vepër tjetër të re dhe shumë më të kompletuar, me titull “Më pak se jetë”,(1997). 
Në vitin 2002, "Skeleti i dashëndyshes" u botua si libër i tretë i tij, po në Prishtinë, nga Shtëpia Botuese "Rozafa" dhe realisht u shpërfaq shumë më bujshëm, talenti i tij prej poeti, i cili, deri atë kohë, po edhe më pas, ishte pjesë e shumë veprimtarive letrare, të konkurseve shpërblyese po, edhe fitues i tyre, qoftë brenda apo dhe jashtë Kosovës. Madje edhe i përfshirë në disa antologji dhe, i përkthyer në disa gjuhë.
Në vitin 2000 bashkë me një grup autorësh nga Zvicra në përkthim të Hans Jochaim Lankschit prezentohet në revisten preistigjioze gjermane “Metaphorà”.
Në vitin 2003 në përzgjedhje të Ali Podrimjes, poezitë e Bujar Salihut futen në antologjinë e poezisë së re “I kujt je, Atdhe”.
Në vitin 2005 në përzgjedhje të Isuf Sherifit po kështu me një grup autorësh shqiptarë prezentohet në botimin e përbashkët me poetë shumë të njohur zvicëran “ Vështrim nga dritarja e hapur”. 
Po në 2005 poezia e Bujar Salihut nën përzgjedhjen e Ali Podrimjes botohet në antologjinë prestigjioze shqipe “Një gur i çarë”.
Në 2007 Poezia e tij “Hyjnore” në konkursin e Bibliotekës së Qytetit të Frankfurtit nga rreth15000 mijë poezi në gjuhën Gjermane është përzgjedhur në mesin e 150 më të mirave, për librin "Die Beste Gedichte 2007-2008”. Në vitin 2012, në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, përmes një projekti letrar të Ars Clubit "Beqir Musliu", u përfshi në përzgjedhjen poetike "Parnasi me aromë Gjilani"
Pos poezisë shkruan prozë e publicistikë letrare. Është aktiv në organizimet letrare të Krijuesve Shqiptarë në Zvicër. Është prezentuar edhe në shumë revista të tjera letrare, si “Jeta e re”, “Vlera”, “Fjala” etj. Është përkthyer dhe botuar në anglishte, gjermanishte, frëngjishte, rumanishte etj. Është fitues i disa çmimeve letrare. /Wikipedia/ 



Poezi nga Bujar SALIHU

TRILOGJIA E NJË ANKTHI

1. NAISUS

Aty nisi diçka e keqe dhe pastaj e keqja u rrokullis tatëpjetë 
Naisus thanë dhe ikën, mbeti Nishi
U shkund rënd e keq deri në jugun e vet kobzi
Tre lumenj ndërruan kahet dhe historia u shkrua keq
Naisus mbeti nisje e përdhunshme, rënie e Mollës së Kuqe
Ëndërr e atyre që s’u kthyen më…

2. SHKUPI

Ti ke mundur edhe të pushkatoheshe nga llahtaria
Qytet i bardhë mbështjellë në të zezë morgu, sfinë vetëtima 
Po emri yt s’ka mundur të prehet me të rëna shpate 
Mbi Urën e Shenjtë dënesje trëndafilash dhe Vardari përlotshëm ngrin
Shemben gurët, kupola bie, unazë e kobshme kurora jote
Sa larg të kam sonte, dridhur lexoj pagëzimin e huaj
Mos lë o Zot që Shkupi të na bëhet Naisus



3. MITROVICA

Të ruajnë ushtri të huaja dhe ushtri të huaja të ndajnë 
Edhe këtu një urë që e shenjtë nuk është
Një lum që përpin fëmijët, dhe si gjarpër në qafë na shtrëngon
Një gjarpër që përçartur varret dhe nëntokën ha
Diell i përmbysur, liria varg i përhirtë
Gdhendur trishtimit, me njërin sy s’po të shohë më… Mitrovicë!!!



ËNDRRA PËR ITAKËN

Po të shkruaj për natën e përmbysur nga yjet
Peizazhin e këputur si degëz ulliri
Edhe ca shenja të harruara që po më rishfaqen
Si në një ëndërr të operuar
Vetëtima e vetmisë po bie si terr i kalbur
Ca trëndafila në një udhë të huaj
Nesër e dua Itakën time, varrin mbi Itakë e dua



SHI BIE MBI EMRIN TIM

Të enjten rrokulliset vdekja, pastaj pushkatohet edhe një poet
Qafës së klithjes cengë lëkurash merimangë e shtatë fytyrës
Varrit të enciklopedisë hedhim krip dhe guralecë, ecim pa rrëshqit
Magjia e kafshimit prapë mallkim për portretin e verdhë

Dhelpra dhe dhëmb të palarë, zi si koha dje më kafshojnë
Vegime të fjetura, mashtrim apo ëndërr e huaj
Imazh nga po ai burg, arkivol rrudhash, thinjash dhe mërzi
Stoliset nisja jote e vonë, hija e zezë dhe prapë je ti

Pezull, çast litari, sy të përshpirtshëm teh vetëtime
Kur e keni parë të thyer qiellin pse jeni ndier mirë
Nuk e di si keni mundur të putheni gojë më gojë
Në darken e të shtatëve vishnit lëkura të huaja pa faj

Thatë është në këtë moçalishte harrimi të pistë
Ju shaheni sa herë ju është kujtuar emri juaj
Sipër mbrëmjesh terri nuk di kush rron
Shi bie mbi emrin tim, pastaj shqiptohet një dënim…



TË KESH ATDHEUN TËND
(Babës plak në ditën e 17-të të muajit shkurt) 

Të shihja vrimës së vogël si nga fundi i një oqeani të trazuar
Të shihja ëndërr dhe në mëngjes nuk dija ta tregoja 
Ëndrrën që kisha parë
Fotomorganë, përfytyrimi im për Atdheun 

Prisja të binte shi të më shkrinte kurorën e akullt si qefin
Të vinin flutura Atlantiku, për t’i dhënë shpirt qytetit tonë tufan
Të shfaqeshin engjëjt, litarin nga qafa të na e zgjidhnin
Ëndrra ime e bardhë mbështjellë me të zezën shami...

Pëshpërima e luleve të hekurta, valle e ngrirë mbi pullaz
Prapë etja, nesër mund t’ua gjejmë domethëniet betejave
Mbrojtja e Atdheut shenjë e mirë për kalimin në kohë tjetër 
Natës së madhe të triumfit, s’mundnim pa pëshpëritur emrin tënd

Baba Plak qante si fëmijë pa mundur të pyes
Në ja kemi zhveshur magjinë e përplumbtë Atdheut
Urdhëroi edhe një herë t’i numërojmë varret, të shfletojmë historinë
Nesër vjen e diela, drita e Zotit në anën tonë...



KËNGA E SHTATË PËR QIELLIN

Nesër mund të më gjesh në vetminë e ngufatur nga hija
Aty si gjithmonë jam ulur pranë njerëzve të huaj, në përpjekje për të përbirë fluide vreri
Si zakonisht në stinën time mund të fluturoj pa pyetur askënd
Po ti eja sepse edhe nesër nuk do të fluturoj, 
Se vetëm edhe nesër pa atdhe jam...

Nesër mund të bëhet vonë, prandaj po nisem sot, sot ti mos eja
Ne vetëm një pikë të huaj, si kërthizë të lidhur ëndrre kemi
Në qoftë udha ime natë, unë vijë me kalin e bardhë,
Hirësi, nesër fillon ringjallja
E nesërmja fillon fiks në orën pesë e dy minuta, kur edhe lind dielli

Sa mirë është të kesh Atdheun tënd, dhe një diell që lind ekzakt
Sa shumë na ka dashur robëria dhe prapë të lirë jemi, shpirti yt ndjesë pastë
O Faik Konica...



VETËTIMAT E NJË QYTETI

Këtu, qyteti përvajet nga vetëtimat e ndezura të rrethimit
Kur nga vetja ka hequr zinxhirë të mërzitshëm të imazhit mort 
Për të devotshmen, ka klithur si fëmijë i braktisur hakmarrjesh
Me flokë gjarpri ka lidhur vdekjen fizike

Vrimave të zërit e diela kryq arrestesh e bardhë s'është këtu 
Thonj fantazmash gërvishtin fytyrën e guximit të Ikonës
Sy të plumbtë vjedhin Thesarin nacional të kristaleve
Tymi kollitet, muzika e shurdhër dhe një ujë i turbullt me maskë

Në këtë qytet ashti i hekurt i një perandori turpshëm kalbet
Lëkundjet e purpurta të lumturisë, fatamorganë buzëqeshjesh janë
Këmbë muzgjesh shkelin si shtrëngatë mbi tempullin e hyjnive
E flatra qyqesh puthin sarkofagun e mbyllur të Apolonit

Askush nuk ngopet me shijen e bukur të lavdisë
Duar meskine shtrëngojnë gjinjtë e shtrydhura të stinës
Këtu, çdo ditë gurgullojnë fjalime lidhvdekur gjelash 
E askujt nuk i shkon në mendje se e shtata biblike është...



RROTULLIM

Në fundin e parë të rrotullimit tim 
Rreth boshtit tënd isha zog i plagosur lehtë
Në fillimin e rrotullimit të fundit 
Me lëvizje somnambulë 
U bëra autor i vetëplagosjes së rëndë
Në fundin e rrotullimit të fundit 
Jashtë gjendjes somnambulë 
U bëra autor i vetëvrasjes së parë
Tani pas çdo rrotullimi Fillon një rrotullim i ri 
Më shumë se somnambul, më pak se jetë
Më pak se jetë Mund të (mos) jetë jetë



NDODH

Po të mos ndodhte
kështu si ndodhi
sigurisht
se do të ndodhte ndryshe
Ndryshe do të ndodhte
sikur të mos ndodhte 
kështu si ndodhi
Ndodh të ndodhë kështu apo ashtu



ANATOMIA E KËRKIMIT

(Tim atit)
Kam shëtitur qiellin
Yje yje yje
Vetëm ty nuk të kam parë
Ti paske ikur diku, larg në planetin blu,
Pa përfunduar shënimin për aritmetikën e etjes
Matjen matematike të frymëmarrjes së dheut
E paske shtruar si ekuacion me vetëm një të panjohur,
Po nuk shtrohet udhëtimi jetësor brenda një kuadrati 
Mbyllur në plagën e teorisë algjebrike të dritës
Në fushë shahu me mbretëreshë të zënë rob
Kuajt kah i ke nisur Ati im



HIMN PËR KËNETËN 

Kur t'i nxjerrim këmbët nga balta
Shpirti i thur himnin kënetës
Në mrizin e hijeve na zë gjumi
zgjohemi veç disa ditë para vdekjes
marrim frymë thellë, konfrontohemi me vdekjen
Dhe vdesim heroikisht...

Të nesërmen fillon ringjallja
Ngrihemi si rëra e tronditur në shkretinë
Për inat të 1999 fillojmë ta hamë njëri-tjetrin
ua gërryejmë mishin kockat ua marrim për stoli laboratori
në Muzeun e kanunit dhe hakmarrjes 
gjendet i varur Gjergj Kastrioti - Skënderbeu...




ËNDËRA E FUNDIT E ALI PODRIMJES

Lumin s’e takon në Paris
As Parisi nuk është ai farë vendi ku nuk vdiset

Pse s’erdhe atë mbrëmje mbi re të përhumbura
Ta lexosh poezinë e fundit në Ishullin Albania

Mbi pullazin pezull, rënduar hamendjesh,
Beteja jonë është më pak se një kërcim…

Nëse rastësisht ke me taku Arbëreshin tënd të vjetër
Mos i fol për Kopen, as Ujkun e ri të Alpeve

Provo t’ia rrëfesh, pa lot në sy, si Burrat, shtatë plagë të Vogëlushit…
Ta imagjinoj edhe ai i shkreti, si do të dukej në vjeshtë të 2017 Lum Lumi

Mos u shkund më si Plepi, Maestro
Ta vëje s’paku një bemol, në vargun me degë të thyer,

Fundja, një shenjë Sibilash mbi dritën e lënë ndezur
Ke mund ta vësh, Ali Podrimja

Po, ti je pa ditën tënde të vdekjes, si ai Uji i madh
Që ikën nën shtatë harqe urash…

Kur e more Parisin, veç Ulpiana nuk të pa
Po a nuk ishte ëndërra jote e fundit në Shkup me ra...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen