Mittwoch, 9. Oktober 2013

Poezi nga Ymer Elshani

YMER ELSHANI 
(1948 – 1999) 
 
 
ÇELËSI I ARTË 
 
Çelës i artë është – mirësia, 
Çelës të tillë pranvera ka; 
         Tërë natyrën 
         Ngjall, bleron - 
I gëzon njerëzit në botë shqim 
Dhe çdo zemër hap – pushton! 
 
Çelës i artë është ngrohtësia, 
Çelës të tillë dielli ka; 
         Botën ngjall, 
         I jep jetë – 
Nuk kursen rrezet e tij 
Dhe çdo zemër e hap lehtë! 
 
Çelës i artë është – fjalë e ëmbël, 
Çelës të tillë mund të kemi 
        Unë e ti, 
        Të gjithë sa jemi; 
Fjala e ëmbël bën mrkulli – 
I hap zemrat si me magji!... 
 
 
  
 
SHQIPONJA 
 
Shqiponja e mprehtë – vetëtimë, 
Vetëtimën e ka marrë – 
Nga retë e qiellit. 
 
Bebëzat e mbushura – 
Shkëlqim, 
Shkëlqimin e ka marrë –  
Prej rrezeve të diellit. 
 
Në qiellin e gjerë  arbëror 
Valon si flamur – kurorë. 
 
Krahët – shkëmb i fortë, 
Fortësinë ia kanë rritur – 
Ndeshjet me stuhi. 
 
Zemrën – flakadan i plotë, 
Zjarrin ia ka shtuar – 
Etja për liri!... 
 
Në qiellin e gjerë arbëror  
Qëndron si roje – kurorë. 
 
 
 
ASNJË DITË KOT NUK VJEN… 
 
Asnjë ditë kot nuk vjen 
Sjell dhurata – a s’e vëren? 
     Bletës një shportë mjaltë – 
     Pas fluturimit t’gjatë; 
     Minatorit xehe shumë – 
     Pas djersës t’derdhur lumë; 
     Lokomotivistit – udhëtime t’reja – 
     Nga Lublana der’te Peja; 
     Muratorëve – në soliter 
     Një kat të ri përnjëherë; 
     Lonit, Teutës e Meritës 
     Pesa n’detyra t’matematikës; 
     Mollës së re – plot sytha; 
     Kërmillit t’vogël – dy britha; 
     Peshkatarit larg në det 
     Pas lodhjes – peshk në rrjetë… 
Asnjë ditë kot nuk vjen 
Sjell dhurata – a s’e vëren? 
Se ç’do t’marrim peshqesh 
Do të varet dhe – prej nesh… 
 
 
 
METEORËT E TOKËS 
 
Llambat – 
N’koka t’minatorëve 
Kur zbresin n’galeri me radhë 
 
Ngjajnë 
Në meteorë të bardhë 
 
Fenerët 
E xixëllonjave që enden 
Mbrëmjeve mbi lumë, sharrak 
 
Ngjajnë 
Në meteorë endacakë. 
 
Sytë e nënave 
Kur i përqafojnë fëmijët 
Me dashuri të zjarrtë 
 
Ngjajnë 
Në meteorë të artë. 
 
 
 
 
DASHURI ARITMETIKORE 
 
Njëshi dhe Zeroja 
u takuan njëherë 
moti në pikë të ditës, 
në një faqe të Aritmetikës. 
 
- Ah, sa e bukur qenke, 
o Vashëz flokëblertë, 
o Vashëz faqeplotë!... 
psherëtiu Njëshi atëbotë. 
 
- Edhe ti paske 
hundë të bukur, të drejtë!... 
foli, e emocionuar Zeroja 
me një zë të butë, të lehtë. 
 
U shikuan me ëmbëlsi. 
U shikuan me simpati. 
Pranë e pranë u afruan. 
Dhe nga ajo dashuri 
e madhe e sinqertë 
lindi atëbotë – numri 10!... 
 
 
 
 
A SHIHET SHARRI? 
 
Vallë nga ai Yll 
Si xixë zjarri 
 
A shihet Sharri? 
 
Vallë nga ajo Kometë 
Me ngjyrë rubini 
 
Si duket Drini? 
 
Vallë nga ai Planet 
Në orët e vona 
 
A duket Kosova? 
 
Vallë nga Hëna 
A mund të shoh 
 
Kur buzëqesh nëna? 
 
 
Nëse është e mundur  
Kjo gjë – s’përtoj 
 
Në Hënë të udhëtoj. 
 
 
 
DALLËNDYSHJA 
 
 Shigjetë e qiellit. 
Gjerdan i prillit. 
 
Një fole e ke 
N’strehë të shtëpisë, 
Tjetrën – n’zemrat tona 
Çerdhe t’dashurisë. 
 
Ëndërr e kroit, 
Plepit, lumit, ftoit. 
 
N’pranverë ia shton 
Një kat haresë, 
Kur ik në vjeshtë 
E ruajmë n’kujtesë. 
 
Yll i kaltrisë. 
Motër e puhisë. 
 
Me diellin n’kraharor 
Pas diellit udhëton. 
Retë s’e pengojnë, 
Deti s’e frikëson. 
 
 
 
 
TELEGRAMET E PIKËS 
 
Në fund të çdo fjalie, 
Kur mendimi mbaron, 
Unë e kam vendin. Stop. 
Kjo duhet t’i jetë 
E qartë çdo fëmije 
Dhe të mos harrojë. Stop. 
Nëse dikush pyet 
Atëherë Pikëpyetjen 
Zëvendës kam. Stop. 
Nëse uron, dëshiron e përshëndet 
Atëherë Pikëçuditja 
Më zëvendëson. Stop. 
Po të më përdorin 
Gjithnjë ku duhet 
Do të kërkoj. Stop. 
T’u vëhet prore 
Pesë në drejtshkrim 
Stop. Stop. Stop. 
 
31.5.1987 
 
 
 
 
RREZJA 
 
Biletë as pasaportë s’ka 
Nëpër botë udhëton pa pra. 
 
Bie në gur – s’thehet 
Bie në thikë – s’prehet 
 
Pa zile, pa këmborë 
Zogjtë në çerdhe, pyje i zgjon. 
 
Bie në det – s’mbytet, 
Bie në baltë – s’zhytet. 
 
Tërë botën pallat e ka 
Diellin në hapësirë e quan Baba. 
 
 
 
 
VALLJA E KALTËR 
 
Kur detet 
Në t’gjitha kontinentete 
     Rroken 
     Dorë për dore 
     Në një valle 
     Të kaltër – 
     Vëllazërore 
Bashkë me oqeanet 
Nga t’katër anët 
     Atëbotë 
     Kjo është vallja 
     Më e gjatë 
     Në botë! 
     Globit 
     I buzëqesh fytyra, 
     Është i gëzuar, 
     Kur sheh 
     Bijtë e tij 
     Të hareshëm, 
     Të bashkuar!...   
 
 
 
 
PËRQAFIMI 
 
Dielli e përqafon 
Tokën – 
Me rreze t’arta. 
 
Deti e përqafon 
Tokën –  
Me vale të kaltra. 
 
Ylli e përqafon 
Tokën – 
Me syrin gëzimplotë. 
 
Unë e përqafoj 
Tokën – 
Me buzëqeshje t’ngrohtë!...  
 
 
 
 
YJET 
 
Margaritarë – 
Në gjerdanin gjigant 
Të kaltrisë. 
 
Sy kurreshtarë –  
Në ballin e madh 
Të Gjithësisë. 
 
Stoli – 
Në xhaketën kaltroshe 
Të kupës së lartë. 
 
Inxhi –  
Në kraharorin e madh 
Të qiellit t’kristaltë. 
 
 
 
QËNDRESA 
 
E sulmoi me acar veriu, 
E sulmoi me pjalm dimri, 
Por kokrra e grurit qëndroi! 
         Nga ajo u mbush në verë 
         Plot me kokra t’reja kalliri… 
 
E sulmoi lukunia e ujqve 
Tufën e pafajshme n’vërri, 
Por dreri brirëmadh qëndroi! 
         Në këtë luftë aim bet I shtrirë 
         Por shpëtoi grigja e tij… 
 
 
 
 
KARCELLI  DIKË 
 
Tha  
Karcelli Dikë 
 
- I pari 
Dua t’jem n’atletikë! 
 
I pari 
- Në kërcime. 
 
I pari 
Në rrotullime 
 
I pari 
-N’ vrapime. 
 
 
 
BUBULLIMA 
 
Daulle e reve – 
Fishek i hedhur në tokë. 
 
E qëllon lisin, 
Por lisat nuk zhduken 
Lisa ka shumë në bokë! 
 
Krismë e patkonjve 
Të kuajve të zi’. 
 
E djeg barin, 
Por bari ka rrënjët 
Rritet përsëri! 
 
E reve kryeneçe 
Shamatë e gjatë 
 
Që grinden për rrugë 
E rrugët s’kanë skaj 
Në qiellin e lartë!
 
 
 
Poezitë janë zgjedhur nga librat e poshtëshënuar.

“YLLI ËNDËRRIMTAR” , “Rilindja” - 2000
“ZOGU I LIRISË” ,“Zef Serembe” - 2001
“GJELASTRENI MENDJELEHTË” , “Gutenberg” - 2003

Përgatiti për "Ora shqiptare" poeti Xheladin Mjeku

Montag, 7. Oktober 2013

Bajram Curri u pengua të shkonte në Vlorë


Shkruan: Dr. Hakif Bajrami
 
Ata që e penguan gjeneralin e vegjëlisë, Bajram Currin, që mos të shkojë në Vlorë provuan ta vrasin për së gjalli. Me dredhi e makinacione e arritën qëllimin. Po ata, më vonë, kur erdhën në pushtet, u forcuan, e vranë në pabesi, me tradhti, duke u shërbyer interesave të Beogradit. Ai që e kishte lajmëruar vendqëndrimin e Bajram Currit (prefekti i Krumës), pasi e vranë në pabesi, mori për guxim edhe të mbajë një fjalim mortor pranë varrit. Po ai (H. K.), më 6 prill 1925, “i kërkonte Ministrisë Punëve të Brendshme në Tiranë 500 napolona ari të premtuara për atë që ka dhënë njoftime se ku gjendet Bajram Curri, si dhe kërkonte gradime për vrasësit e tij”. (Shiko: AQSH i Shqipërisë, Fondi MPB, d. nr. 9. 1925; d. 51 dhe d. 58).
 
 
Tetë biografi të serbëve për Bajram Currin
 
Nuk ka personalitet shqiptar që politika dhe diplomacia serbe t` i ketë siguruar tetë (8) analiza-biografi analitike, sikurse për Bajram Currin dhe të afërmit e tij. Në kohën kur kam hulumtuar nuk ka pasur para që i “blenë” ato dorëshkrime të fotokopjuara. Kam provuar përmes akademik Bogumil Hrabakut t`i nxjerrë të fotokopjuara ato dorëshkrime, por kot. Të paktën prej tij (Hrabakut) e kuptova se TRI (3) dorëshkrime i kishin përpiluar për Bajram Currin oficerët rusë me urdhër të Nikolla Pashit. Ata oficerë kishin punuar si projektantë të kolonive sllave në Kosovë 1920-1928. Ndërsa, nga shqiptarët bukëpërmbysur është vrarë Bajram Curri, është vrarë truri i kuvendeve dhe gjenerali i istikameve shqiptare për liri dhe pavarësi për 100 000 dinarë.(Shiko: AVII B. Koleksioni për Bajram Currin 1903-1928). Unë mendoj se Bajram CURRI në Vlorë do të thoshte e tërë shqiptaria e Kosovës aty do të thoshte se Kosova nuk mund të qitej në pazar aq lehtë, siç ngjau në Londër. Shkencëtarët kroatë dhe maqedonas kanë thënë se atë e kishte Serbia në plan të parë dhe atë e vrau të parin, më 1925. Për Bajram Currin bëri çdo gjë që mos të gjendej në Vlorë më 28 XI 1912. Për sjelljet e Bajram Currit në Shkup më 1912, si komandant i një ushtria Arqibad Rajs, korrespondent i luftës ballkanike shkruan: “Gjeneral i urtë dhe drejtues i denjë për admirim që nuk lejon askujt t`i bëhet asnjë dëm, padrejtësi, në qytet. Nuk guxon askush t’i ngucë joshqiptarët pa armë në dorë. Ata që i ngucin kanë punë me mua”.
 
 Me rastin e varrimit, pa u trembur fare, malësorja trime, Xhufe Sylaj e vajtoi pranë varrit Bajram Currin:
 
“Qajo pushkë vlla si t` muer ty,
Muer Krasniqen shpi për shpi,
Gash e Ptyç deri n` Dri,
muer Kosovën bitevi...”.
 
 Nuk e kam për qëllim me këtë rast të shkruaj biografi, por të potencoj një detal tragjik të historisë sonë të vuajtur që ende kullon gjak. Ato detale tragjike duhet t`i objektivizojmë në mënyrë që mos të na përsëriten vëllavrasjet dhe tradhtia që ishte bërë mode gjatë gjithë shekullit XX. Në dokumente, të gjithë tradhtarët mendonin se kurrë nuk do të zbulohen. Por... arkivat janë gjykata të pamëshirshme dhe, zbulojnë heroizma, zbulojnë hipokrizi e tradhti, shkurt, bëjnë “copë e grim çdo detal të jetës”. Të mësojmë pra, nga mësuesja e jetës për të djeshmen, për të sotmen e më shumë për të nesërmen, sepse e sotmja, nesër bëhet dje. Nuk mund të përmirësohet kurrë krimi. Kush e pengoi Bajram Currin të gjendet pranë Ismail Qemalit, dokumentet e zbulojnë pa asnjë dilemë!
 
 
Hakmarrja e turqve
 
Skender Drini, Bajarm Curri, Tiranë 1983, f. 5, e fillon shkrimin në librin e tij kështu: “1862. Zbaticë armësh në Kosovë…Sa zgjat? Mbulohen varret, vajohen pushkët dhe deti i luftës vjen prapë… Megjithatë, osmanlinjtë derdhen valë-valë nëpër Kosovë dhe fitojnë mbi fëmijët (infanticid i paparë i okupatorit më 1863-HB), mbi gratë dhe kullat pa meshkuj. Klithma e Kosovës në flakë! Klithma e Kosovës në atë qerre që zbret nga Gjakova dhe që do të bëhet djep i Bjarm Currit! Kështu do të hakmerren turqit ndaj Shaqir Currit, që rri maleve dhe nuk dorëzohet…) Po, Bajram Curri u rrit dhe u bë emër i kombit. Ideal të jetës e kishte Sulejman Vokshin, por u rrit dhe bëri emër duke ndjekur shkollën e Haxhi Zekës, duke u shkrirë për liri dhe pavarësi të Shqipërisë. E vërteta, ajo shkollë që e vrau Haxhi Zekën, e tradhtoi dhe vrau edhe Bajram Currin, por jo kurrë luftën e tyre për dinjitet dhe pavarësi të truallit arbëror. Historia e luftës për liri nuk do të ndalet kurrë, as nuk do të dorëzohet si institucion i civilizimit. Kështu emri i Bajram Currit do të vijë e do të bëhet shkollë kombëtare, gjeneral i vegjëlisë, i nderit dhe luftës pareshtur për liri. Po, është e vërtetë, e vranë serbët me para Haxhi Zekën, e vranë serbët me para Bajram Currin, i vranë edhe shumë të tjerë. Por, patrioti dhe i drejti, Bajram Curri, na e la një porosi shkollore civilizuese që Evropa dhe bota e civilizuar duhet ta mësojë edhe sot. Bajram Curri e dinte fare mirë kush po e lufton për vdekje. Por si burrë i pjekur prej shqiptari do ta lënë për histori këtë shkollë civilizuese: –‘Kush prek popullsinë serbe të paarmatosur, ka punë me mu! Kush djeg e bracon (vjedh), e di çka e pret! Mjafton kaq për të frenuar vrasjen e njerëzve të paarmatosur dhe për të mos i lënë shqiptarët të bëheshin “serbë”.(S. Drini, Bajram Curri, Tiranë 1983. F. 179). Shkolla e Bajram Currit u bë kombëtare dhe bota këtë shkollë duhet ta njohë, ta mësojë dhe ta përvetësojë, se i duhet njerëzimit, i duhet ardhmënisë.
 
 
Lidhja e Besës
 
Më 11 janar 1912 Parlamenti i Turqisë shpërndahet. Të nesërmen, më 12 janar, paria shqiptare e drejtuar nga Ismail Qemaili dhe Hasan Prishtina në periferi të Stambollit do ta mbajë mbledhjen, që në histori njihet si Kuvendi i Taksimit. Aty u vendos që kombi shqiptar ta marrë në duar të veta fatin e vet dhe të drejtohet prej një qeverie shqiptare. Detyrat u caktuan me shkrim dhe ato u përmbushën, varësisht mundësive dhe aftësive të secilit pjesëmarrës që mori obligime në Kuvend. 
 
Qendra e organizimit të shqiptarëve për një kohë fare të shkurtër do të shndërrohet Shkupi, si kryeqytet i Vilajetit të Kosovës. Aty, me iniciativën e gjeneral Bajram Currit do të themelohet “Komiteti i Shpëtimit”, që kishte për detyrë organizimin e luftës së armatosur në të gjitha trevat kombëtare. Këtë rol gjeneral Bajram Curri do ta marrë jorastësisht, sepse atëbotë jetonte dhe vepronte në Shkup, po i mbante edhe të gjitha lidhjet politike dhe ushtarake me qendrat e tjera të vilajeteve shqiptare. 
Në frymën e këtyre përgatitjeve për luftë çlirimtare të tokave shqiptare, gjatë prillit 1912, në vise të ndryshme të atdheut do të lidhen shumë BESA. Një e tillë ishte ajo e 10 prillit 1912 me qendër në Gash, së cilës Besë pastaj iu bashkuan Krasniqja, Bytyqi, Hasi dhe të gjitha krahinat e Malësisë Gjakovës. Dhe kush të ishte prijës i kësaj lufte çlirimtare në këtë trevë patriotike para Bajram Currit. Po, Bajram Curri i priu luftës çlirimtare me dinjitet dhe profesionalizëm prej Gjenerali. 
 
Kushtrimi për kryengritje çlirimtare në prill – maj 1912, i kishte përfshirë të gjitha qendrat e Vilajetit të Kosovës: Mitrovicën, Vuçitërnën, Llapin, Drenicën, Gjilanin, Prishtinën, Pejën, Malësinë e Gjakovës, Prizrenin dhe Lumën. Në këtë trevë kryengritëse në detyrë operacionale Turqia i kishte 19000 ushtarë, 56 topa dhe 7500 kalorës. Shqiptarët në anën tjetër nuk kishin armatim. Konsulli austrohungarez në një shkrim të shkurtër e thekson edhe këtë:“Shqiptarët janë të armatosur edhe me kosa e sëpata, por vendimi i tyre është i pathyeshëm. Ata duan liri”./standardi.info

Sonntag, 6. Oktober 2013

Një tregim nga Lek Gjoka

Për bukën e gojës

Një erë e lehtë e ardhur nga gryka e lumit Drin të priste fytyrën si me brisk nga të ftohtit. Viti 84-tër po përgatitej të jepte shpirt e t’ia linte radhën 85-sës. Moti ishte lëshuar me tërë egërsinë e vet mbi Evropë sikur të kishte një inat të vjetër me kontinentin plak. Kastrioti ishte ulur në një cung në oborr dhe ia kishte ngulur sytë nga larg Bjeshkës së Velës që bardhësia e borës sa herë puthej me rrezet e shndritshme të diellit krijonte një dritë ftohtësie shpirtërore.
- Oh zot, - psherëtiu ai me vehte, - sonte është nata e Kërshëndellave dhe s'kemi as një kile miell për një byrek dhe ca petulla, vallë si do ta festojmë ditëlindjen e Jezu Krishtit?...

Për një çast sikur i oshëtiu si një zë i çjerrë zëri i mësues Avniut…
- Feja është opium për njeriun, e mashtron atë, e vë në gjumë. Ndaj ne duhet të jemi të lumtur se vetëm ne në Shqipëri po ndërtojmë shoqërinë më të mirë në botë, njëriun e ri të këtij shekulli, ndaj në shoqërinë komuniste të gjithë jemi të barabartë...
- Po po, - psherëtiu nëpër dhëmbë, - ke të drejtë shoku mësues të gjithë të barabartë jemi por të gjithë në skamje e varfëri të tejskajshme.
U ngrit ngadalë dhe si hapi me zhurmë derën e shtëpisë një derë e mbështjellë me plastmas që të paktën të mos hynte pa trokitur era dhe shiu brenda. Nënë Maria ishte ulur në krye të oxhakut dhe dridhej nga ethet. Kastrioti iu afrua dhe e puthi në ballë. Dy lotë dhimbje iu rrokullisën nëpër faqe.
- Nënë! - nisi të flasë me një trishtim të shkruar në fytyrë, - do të shkoj tek tezja të marr pak miell, sonte është ditëlindja e Krishtit dhe duhet ta festojmë se...
- Ule zërin biri im! - e ndërpreu e ëma, - se mos na dëgjon kush.
- Atëherë, ti dhe nënë daja na keni thënë se Krishti ndihmon çdo njeri të varfër dhe të pasur të planetit, të shëndoshë dhe sakat ndërsa komunistët...
- Shëët, a do të hyjmë në burg, pak kemi gjyshin apo do ta pësojmë dhe ne? Ti nuk merr vesh nga këto gjëra sepse je i vogël sa i ke mbushur të katërmbëdhjetat, por do rritesh biri im, do rritesh.
- Mirë, mirë nënë.
Iu afrua, i dha një përqafim të fortë mori një çantë prej lecke dhe doli.
Pa mbyllur mirë derën ktheu kokën edhe një herë dhe i foli të ëmës me zë të lartë:
- Sonte gjallë a vdekur do të kthehem me miell në shtëpi, kemi festë e duhet ta festojmë!
E ëma e vështroi me dhembshuri të birin që ishte burrëruar para kohe nga hallet dhe ndieu një dhimbje të tmerrshme shpirtërore. Sa u mbyll dera pa vetëdije nisi të qante me dënesë...

Një rig i hollë shiu përzier me breshnizë bore rrëshqiste nga retë.
Ishte mesi i natës. Edhe pak kilometra e ndanin nga fshati kojshi me të dhe hynte në zonën e Lezhës. Tek tezja kishte gjetur të njejtën varfëri dhe kishte ikur deri në Shkodër në këmbë ku kishte arritur të blinte ca kile miell falë një kushëriri të largët. Nata të shtinte frikën. Oshëtimat e ujqërve e tmerruan disa çaste.
- Zot i madh që je në qiell! - nisi të belbëzonte nëpër dhëmbë uratë nga bibla! - bukën tonë të përditshme falna sot…

Këmbët filluan ti ngrinin megjithëse i kishte mbështjellë me plastmas sepse çorapet i ishin bërë copë-copë. Ktheu kokën nga bjeshka Velë dhe iu duk sikur kryqi i shëndritshëm rrëzë malit tek kisha e Shën Eufomia kryqi që e kishin thyer komunistët kishte një driçim vezullues.
- O Zot! - psherëtiu me vehte, kur i hodhi një vështrim fushës së pafundme të Zadrimës, - sa larg shtëpisë qenkam, a thua bëj mirë ti bie nga Vau i Drinit se shkurtoj mjaft rrugë?!...
Si pa e kuptuar i ishte afruar lumit Drin i cili ishte mbushur plot dhe lëshohej turravrap
mespërmes fushës për në Lezhë. As nuk dukej se dikur aty ishte një va. Vetëm një tub që përdorej gjatë verës për vaditje shihej si shenjë. Kastrioti ktheu kokën prapa. Nata ishte ulur këmbëkryq me gjithë ftohtësinë e natës. Hypi me kujdes dhe nisi të rrëshqiste tërë frikë nëpër tub. Pak pa mbrritur në fund rrëshqiti dhe ra në Drin. Pa menduar ngriti dorën lart që të mos i lagej mielli.
Ashtu ngadalë-ngadalë duke ecur nëpër ujë doli në breg të lumit e u nis drejt fshatit të tij që ishte vetëm pak kilometra larg. Dhëmbët nisën ti kërcisnin nga të ftohtit. Një murlan i zi ia nisi vrapit nëpër fushë duke fishkëllyer një melodi mortore.
- Edhe pak, edhe pak! - mundohej ti jepte kurajo vehtes por më kot. Përveç rrobave edhe trupi po fillonte ti ngrinte akull. Ashtu duke u tërhequr zvarrë kishte arritur tek Suka e Cukajve. Një çast i doli si nëpër turbullirë gjyshja:
- Ah mor biri im! - nisi ti fliste ajo duke ia bërë me dorë nga ana e Sukës, - kur kam ardhur nuse tek Cukajt kjo Sukë ishte plot e përplot me arra, rrush, kumbulla ...
- Po pse e shiti gjyshi moj nënë?! - e ndërpreu ai si me habi.
- Jo, jo gjyshi nuk e shiti por ia morën me forcë komunistët për ta përdorur për kooperativën e re të fshatit.
- Po pse, se nuk do ishim kaq të varfër tani.
- Psenë se ka gjetur askush biri im. Djalli bëri çdo poshtërsi të dilte para Jezusit ndaj ka ardhë bota e djallit, komunizmi është djalli vetë por ki kujdes mos fol me askënd se e paguajmë shtrenjtë...

Boria e fortë e trenit të mëngjesit që vinte nga Shkodra e trembi disi Mark Korjen. Ia dha disi vrapit por meqë e pa se ishte vonë ndërroi drejtim e u nis për shkurt nga Suka e Cukajve. Dita akoma nuk kishte zbardhur. Kur u afrua nga mesi i Sukës dalloi një njeri të shtrirë që ishte tkurrur nga të ftohtit. U tremb disi por shkoi me nxitim drejt tij. Pa u afruar mirë dalloi Kastriotin e Cukajve me sytë gjysëm të hapur. Iu afrua dhe si dalloi rrobat e trupit të ngrira kallkan një ndienjë dhembshurie i përshkoi trupin. E preku në ballë, e levizi pak me shpresë se mos jepte ndonjë shenjë jete por më kot. Zemra e tij katërmbëdhjetë vjeçare s'kishte arritur ta duronte të ftohtin dhe ishte ndalur në rrugë. Poshtë kokës kishte çantën e leckës me pak miell. Marku i
mbylli lehtë sytë dhe si i bëri kryq belbëzoi lehtë nëpër buzë.
- Shpirti yt u preftë në paqe biri im! - dhe nuk arriti dot ta mbante vehten dhe nisi të qante me dënese, - dikur gjyshi yt u jepte argatëve të tij miell dhe mish për çdo
Kërshëndella ndërsa tani ti dhe jetën për bukën e gojës për dy kile miell në këtë natë të madhe të ditëlindjes së Krishtit. Oh Zot e shpërlaftë mortja këtë djall komunizmi.
Ktheu kokën nga bjeshka e Velës dhe nisi ti lutej Zojës Shën Eufomia që shpirti i Kastrioti të shkojë në parajsë dhe një ditë djalli i kuq që po drejtonte Shqipërinë të largohej dhe shpirtrat e shqiptarëve të jenë përsëri të lirë si dikur...


 Marre nga libri me tregime "Përroi i Djallit" , Shtëpia Botuese ADA, Tiranë 2013