 |
| Hamit Taka |
Shkrimtari Hamit Taka ka lindur më 1949, në Konispol, Shqipëri. Ai ka mbaruar gjimnazin shkelqyeshëm, por nuk iu dha e drejta e studimit, për shkaqe biografike.
Shërbimin dyvjeçar e ka kryer në Veri të Shqipërisë, në Burrel, Peshkopi e librazhd. Ato dy vjet ka bashkëpunuar me gazetat “Zëri i rinisë” dhe “Luftëtari”, ku ka botuar poezitë më të frymëzuara e më të pëlqyera nga lexuesit. Katër vjet pas mbarimit të gjimnazit iu dha e drejta e studimit për matematikë dhe ka punuar mësues matematike në gjimnaz.
Gjatë viteve të punës ka ushtruar edhe gazetarinë dhe është anëtar i International Federation of Journalists.
Ka shkruar ne revistat: "Pionieri", “Fidan”(e Prizrenit),"Mesuesi", "Revista pedagogjike" dhe në gazetat: "Zeri i rinise", "Luftetari", "Mesuesi", “Drita", në gazetën lokale “Saranda”, "Rilindja Demokratike", “Rilindja” e Kosovës, "Koha jone", "Shqip", "Intervista", “Shekulli” dhe "Standard".
Është dekoruar me titullin "Nderi i Krahinës".
Veprat:
- "I falem fatit", poezi
- "Poezi jasht kohe", poezi
- "Dashuri në ishullin e Feaçeve", tregime
- "Botë e çmendur e gëzuar", poezi për fëmijë
- "Nëna dhe tri vajzat", përralla për fëmijë
Poezi nga Hamit Taka
NJË LETËR NËN DERË
Mbase unë sonte nuk do të vij
Ti fike dritën kur të biesh.
E di se shtrati të duket varr
Po sqetullat prapë ti mund t’i lyesh.
Mbase as nesër në portë s’do trokas,
Ti darkën mos e ler të shtruar
Dhe djalit, kur ta vësh në gjumë,
Përralla të frikshme mos t’i thuash.
Mbase papritur kaloj kufirin
Si një skllav i arratisur nga padroni
Dhe në tokë të huaj rrëshqas e bie
Buzë një gremine e buzë një honi.
Mbase i dehur në kabarera
Ndeshem keqas me një zezak a bjond,
Mbase diku në një skutë të errët
Pusi më zë një vagabond;
Mbase në një sofër të pa shtruar
Përtyp kotheren e urisë
A fillikat i vetëm në një tren
Rend mesnatës drejt lirisë;
Mban ky kurmi i mërgimtarit
Dhe qafë e tij si qafë e djallit…
Veç kudo qofsha, në parajsë a ferr
Unë sonte flë në shtrat të mallit.
GJYSHES
-kushtuar gjyshes së sëmurë
të fëmijëve nga nëna,
Vojsavës(shkurt Sava) 86-vjeçare-
Duart e tua
Si gjethe vjeshte
Kam frikë se këputen
Para meje rrëzohen;
Filxhani i kafesë,
Pjatat, abazhurët
Do bien nga dhimbja,
Do kricen, thërmohen;
Përparsja e vjetër
Si një copë nat' e errët
Do të rrijë varur
Në gozhdën e ftohtë;
Atëherë do të ikin
Aromat e gjellëve
Dhe shija e ëmbël
E bukës së ngrohtë;
Në oxhakun e gurtë
S’do ndizet më zjarri,
S’do digjet më
Ullishtja e menduar
Dhe sytë e gjyshit
Nga foto-ja në murë
Çdo qoshe, çdo derë
Do kërkojnë të hutuar;
Pranë krevatit
Të hekurt, të ndryshkur
Do të digjet vetëm
Llambadhja e mekur;
Dhe malli im
Do të shtrihet kudo
Si shtresa e gjalpit
Mbi bukën e thekur;
Do tkurret fshati
Mes dy gurësh varri
Udhët e gjelbëra
Do të mblidhen nyje;
Vetëm një shteg
Do të mbetet i bardhë
Ai shtegu i mallit
Nga ti më vije…
MBART KUJTIMET SI HAMALLI
Ja edhe vendlindja ime,
Mal’ i bukur përkarshi
Ka çelur sfaka anembanë
Luleverdhat si flori;
Udhës eci i përkulur
Mbart kujtimet si hamalli,
Kujtoj vajzën bukuroshe
Si zgjaste kokën sipër gardhit;
Ja dhe shtëpia ku kam lindur,
Kopshti im i mbetur shkret,
Plepi im që është tharë
Si pena ime, si një asket;
Ja dhe porta me sofatin
Ku rrinte mbrëmjeve babai
Dhe përshëndeste kalimtarët
Dy pika lot mezi i mbaj;
Bëj ta hap portën e vjetër,
Po këmbët nuk më bëjnë të hyj,
Më çojnë drejt e në varreza
Loti dhimbjen të ma shkrijë;
Bie në gjunjë si mëkatari
Që i lutet Zotit për pak fat,
Se fati mua besimtarit
Më ka troshitur si xhelat;
Lëmoj mermerin me dy duart
Duke shtrirë krahët si urë,
Trëndafilat u hepuan
Si hark i puthjeve dikur;
Të varr i nënës diçka lëvizi,
Dëgjoj një zë të venitur:
Bir, sa më qënke tretur,
Qënke thinjur e ronitur!
Babai i ngrysur si nga herë
Vihet hapur në siklet:
“Malli është për në varreza
Dashuri ka veç në jetë!”…
Sa i shtrenjtë ky skaj i botës
Ku kam lindur veç një herë
Dhe çdo hap më zgjon kujtime
Sa çelin lule në pranverë!
VETULLAT E VASILIQISË
Shtëpia ime e vjetër
Me portiqe e me damë
Emblemë ajo kishte
Trim Ali Pashanë;
Imgjysh thonë e bëri
Kur shërbente në Janinë
Me besë kishte pashain,
Me shpirt vasiliqinë;
Njëzet vjet shërbeu
Si besnik i rrallë
Veç një leje bëri
Gjashtë muaj me radhë;
Ngriti një shtëpi
Të madhe e të lartë
Me harqe dritaret
Dhe dyert po me hark;
Me harqe krejt i mbushi
Muret e shtëpisë –
Vetullat, qerpikët
E zonje Vasiliqisë.
TI, O POPULLI IM
Ta them hapur, pa dilemë:
Mos më lexo, se do më urresh
Kur unë të vërtetën do të themë,
“Ç’të duhet ty, or trap”, do ma kthesh.
Po mo po, ti, populli im,
Shoku, miku, i afërmi, vartës a shef!
E mori dreqi e mori, jam gjaku yt legjitim
Dhe më bëre të shkruaj me kaq mllef!
Ti, i çuditshmi, populli im,
Kaq i zhgënjyer, i influencuar përherë!
Ti, që m’i cingëris nervat sa hap sytë
Me atë të troshiturin karakter!
Sot ankohej se ke lakun në fyt
Nesër brohoret se punët të venë vaj
Më je bërë si politka pa kokë e pa bisht
Po jo edhe shteti, ta hajë dreqi ta hajë!
Ti, o populli im i ri
Me depresion e drama që në lulen e rinisë,
Me mua je, krejt tjetër njeri
Dhe botës i shitej si dhuratë e perëndisë;
Ti, që veten shan e urren,
Që s’lexon një libër, nëpër kafe ditën ngrys
Të fyhet qytetaria e ndërgjegjja të bren
Kur vriten gazetarët në Paris…
Ndodh që vritet një turist i huaj
Ti mohon veten, kriminel i thua për ibret
Me injorancën tënde tallesh kur burri vret gruan
Në zgryp është rritur, thua, dashka dhe qytet!
Ti, që intelektin ke në gen
Rropatesh për një falco-diplomë
Për të qënë thjesht ushtar i kavies
Që bota eksperimenton në planetin tonë.
As pushtuesi as diktatura as demokracia
S’patën këllqe të të ndryshonin ty
Unë jo se jo, as Perëndimi, mos nesër rinia?
As Zoti as dreqi s’e di.
 |
| Emin Z. Emini |
Emin Z. Emini, (1970), studimet për regjisurë teatri dhe studimet postdiplomike për dramë i ka kryer në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, ndërsa studimet doktorale i ka ndjekur në Qendrën për Studime Albanologjike (QSA) në Tiranë. Ka shkruar dramat “Një shi i butë”, “Ai&Ai”, “Gruaja pa emër”, disa skenare e dramatizime dhe ka inskenuar shfaqje nga dramaturgjia botërore dhe ajo kombëtare. Ka qenë Drejtor Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës (TKK). Gjatë mandatit të tij, TKK është antarësuar në Rrjetin Evropian të Teatrit (Europian Theatre Convention). Ka botuar disa punime shkencore dhe ka marrë pjesë në disa konferenca e festivale vendore e ndërkombëtare të teatrit, në cilësinë e panelistit, kritikut a të jurisë profesionale.
Ka botuar librat me poezi “Asaj ia kam vjedhur vargjet”, “Stinët e Moirës”. Është laureat i disa çmimeve për poezi dhe teatër.
Është profesor në Fakultetin e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës.
Poezi nga Emin Z. Emini
e sotmja
sot
jam unë dhe hiri që jemi një
dhe bomba hidrogjenike e diellit kurdisur në paanësinë
dhe luzmimi i pranvertë i bletëve
dhe gjaku i kaltër lumëngrirë i pinguinëve perandorakë
dhe varri çelur me lule të egra në gjoksin tim
dhe brenda tij ti
dhe pakuptimësia
dhe të gjallët dhe të vdekurit
dhe të gjithë dhe gjithçka
në ditën sot ekziston
dhe je ti e vogla dhembjemadhja ime moirë
dhe universi i vogël i të madhit zot
sot
prandaj jam
e nesërmja
më pati thënë
nesër
e nesërmja nuk erdhi
kurrë
nuk ekziston
moirë
ajo dhe ti
keni emrin pritje
kotpritje
shpresë e rrejshme te zoti
gënjeshtër perëndish
mallkim i përgjithmonshëm i kohëve
shpikur nga sinapsat e çakorduara
stinë që as ka ardhur
as do të vijë ndonjëherë
është frikë
guxim është
e nesërmja u përket atyre
që nuk kanë rrugë për në të sotmen
*
nuk vjen godoja nesër
qe dje
sot ka mbetur urna
nuk e kujtoni harruat
në varr u kall e djeshmja
vetëm edhe sot merr frymë godoja
duajeni dhe vriteni
vriteni dhe duajeni
mos e lini për herë tjetër
për kësmet
nuk ka ditë nesër
nesërim
betohem në kokën time të krisur
në pjeprin e çarë nën saçin e diellit
ëndërr kryeneqe është
*
nesër nuk është ndajfolje
është mëkat herezi
fjalë e pakuptimtë
që shkurt prerë ia kemi këmishën
për t'ia miratuar kuptimin mashtrimit
fëmijë i palindur
paqenësi
paqenësisë
dhënë i kemi
eshtra gjak mish shpirt
ekzistencë
në besim qorr jeton e nesermja
fal zbulimit madhështor të njerëzve me herdhe gjeniale
bërë kod e injektuar në palcë
në pemën e frymëmarrjes sonë prej injorantësh fatlum'
jashtë dimensionit të universit
universit që nuk njeh kalendarë
e nesërmja jeton sot
*
sot
në ne
e djeshmja
plakë që ka vdekur është
e djeshmja
plakë e posalindur
me thinja bebusheje rioshe
të gjata 24 orëshe
me thinja të bronzta 24 shekuj të moçme
thinja të krehura nga gishtat e moteve të 24 mijëvjeçarëve
thinja të 24 milionë a miliardë vjetdrite
vite
që askush nuk i mban mend
e megjithatë frymon frullon
diton
ne kuptimësinë e mosekzistencës së saj
në kujtesën ngrirë të thërmijave të paszjarrit
mbyllur
brenda urnës sonë
krejt çfarë s'dihet
përveç asgjësë që provohet nga të gjithë
është vdekja
ajo vjen gjithmonë
në ditën sot
qepë e qelbur a ftua erëmirë
rron e vdekur
në arkivolin e kujtimeve
e djeshmja je ti
moirë
asnjërës sime
ka shumë moira sot
siç për shembull
eva e pamëkatshmja e mollës së mëkatit
doruntina e nëntë varreve të konstantinëve
zhan d'ark eskimezja anonime ana frank
lukja e virgjër që shiste mishtë e saj strukur në lëkurën e huaj
monaliza që ua ka vjedhur me sytë vëngër
buzëqeshjen vejushave
elektra e pakompleks
lolita e mikut tim të çmendur pas bukurisë së fajshme
që fëmijërinë ia maste me inch me foot me spermë
nënëshenjta bojëgjakja gonxhja
spikerja e parashikimit të motit në televionin kombëtar kamboxhian
gjyshja e kësulkuqes rilindur nga barku i ujkut
ajkuna ana artemida aida
helena e trojes së rrënuar nga shprishja e gërshetit të saj
aktorja e teatrit të rrugëve
desdemona dora d'istria diana
gruaja ime princesha kontesha dukesha mbretëresha e esha pafund
pijanece heroina perëndesha e shejtane
dhe për shembull edhe gra të tjera
kukulla e kukudhe e kukuvajka
floçka e feçka e ferra
ka shumë moira sot
dhe je ti moirë
që je të gjitha bashkë
që nuk je asnjëra nga këto
ëndërr e përditshme
oktapod e kisha pushtuar
të voglin të dashurin të pafajshmin
të vetmin atdhe
që ma lanë
Iphone 4s
kryeneç nëpër giruset e trurit të tij
sërfoja
i vetmuar në mesin e gjithë njerëzve të globit
fluturoja me pendla të kaltra zogu
çilja guacka në pafundin e detit
fluturave të fundbarkut trishtimin ua korrja
shpresën shprazja zbrazëtirave të kozmosit
kjo i bjen se piqja qiqra në hell
*
diku pashë të shkruhej
kund tjetër dëgjova të flitej
herë hapur herë tinëz
për
1 të drejtën e gishtit të sutës së bombës atomike
2 misterin e përjetshëm të vezullimës verbuese të qimës më të gjatë të pubisit të marilyn monroe
3 fëmijën që flinte në asfalt pranë nënës së vizatuar me shkumës
4 proteinat çudibërëse të jargës sē kërmillit në luftën estetike kundër mplakjes
5 therjen humane të qengjit lazdrak të shën gjergjit
6 trajnimin e transgjinorëve
që t'i ofrojnë shërbimet me kriptovalutën bitcoin
7 gjyqin kundër shoshës së ozonit dhe dioksidit të karbonit për ngritjen e temperaturës së bythëve njerëzore
për shtatë e shtatë mijë e shtatë mrekullitë e botës përtejmoderne pra
të shekullit XXI
ti
ishe në askund e në askohë
*
dikur
hapa kutinë e moçme
në kapakun e saj picërronte sytë e ngrirë
buzëqeshja mëkatshëm e bukur
gdhendur me kthetra
me mjaltë pelini lyer
dhëmbë është e vërteta
dhëmbë
paskëtaj
iu bëra erë flamurit të saj
e paturpësisht dënesa në heshtje
e e qava
plagët e këmbëve të prera
ia mëkova me petale pranvere e melhem merimange
*
pip qe shpirti
torzo mbeti
*
ike
*
nuk të fajësoj
grackë të kishte vënë nata e zezë
e terrtë nëpër errësirë
ktheve shpinën
tinëz mëngjesit
*
gjinkallat e dimrit në kishë
thurën himnin e acarit
në stinën e epikës
lirisë sate ia vranë diellin
pasi i shpërthyen me gjilpëra antibiotikësh stërkalat e dritës
qiellit tënd të murrmë
në natën e lirikës
ia varën kryeveprën e tyre
atë
artistikën
skulpturën e diellit
ti kishe qafë
prandaj nuk ishe e gënjeshtërt
prandaj dhe
nuk të prisja të ktheheshe
tashmë ti
moti në atë mot të zi
ishe kthyer në personazhin e perëndimit të së dieles
me surrat saharaje
*
të hënën e ditës me hënë
hapat e tu
shkelen barin e yrtit tim
kambana e trinës së gjoksit
ra në numrin 044 201 707
ç'dreqin do
kushdo qofsh
në këtë pakohë
u përhëna
shembe gardhin
mes teje e meje
ti
erdhe
e ekrantë
për të parën herë
as e bukur as e shëmtuar
nga sytë e gjelbër
shkarkove hejbet e mallit
shkilnim në gaca
në shuplakë kishe dhëmbët e bardhë
qelq të tejdukshëm
mollën e kuqe
që sall një herë
dikur
mëkatshëm e kishe kafshuar
ta dhashë
ta fala
*
kanatat e qiellit u çelën
avulli i hukamës sate
ujëvarë derdhej në xhamin e dritares
alo oo ooo
*
s'qe kush tjetër
veçse ato të zakonshmet të përditshmet
ato
ëndrrat e mia kurvat e mia
*
i mbylla perdet e atdheut tim
bip bip bip
 |
| Avni Azizi |
Avni Azizi u lind më 06 shtator 1970 në Tërpezë të Vitisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Viti. Studioi Gjeografinë dhe Letërsinë në Universitetin e Prishtinës. Vrulli i tij krijues nisi që nga mosha e re. Alkimia e pasioneve dhe emocioneve të magjishme, e ushqyen nëpër vite dhe i shërbyen për të forcuar hulumtimin në zemër të fjalëve. Mesazhi i thellë, i pasionuar dhe realist përmes artit e inkurajon atë për të theksuar këtë punë të formësuar në ushtrimin shkrimor. Ai shkruan poezi, prozë, ese dhe publicistikë. Ka publikuar një vistër shkrimesh të zhanreve të ndryshme publicistike, letrare, studiuese e politike. Avniu më 1995 ka botuar përmbledhjen e parë poetike “Buzëqeshjet e Thyera” dhe më 2015 “Fonemat e Ribërjes” ndërsa më 2016 romanin “Kodërrahu” dhe librin eseistikë “Shpërputhje Kulturore” së shpejti pret të publikoj përmbledhjen e re të poezive “Fusha e Heshtjes”...
Poezi nga Avni Azizi
ARTI E NATA
Pasmesnatë dhe asgjë e jashtëzakonshme
Dita ka nisë të rrokulliset në orën e saj të dytë
Kohë kur pastruesit me kamion mbledhin plehrat
Dhe në panteonin e zhurmës ku thyhet premtimi
Në qetësinë e natës sesi më zdirgjen para syve
Artikuj gjysmë të lexuar apo veç të nisur
Helm i shtypit të verdhë që vjen e bëhet i zi
Besëtytni stisje gënjeshtrash biçim analistësh...
Shpirtra që u dhimbsen edhe yjeve
Njerëzit shpesh ulen në errësirë dhe ëndërrojnë
Shkruajnë letra vuajnë sepse nata pos që frymëzon
Ajo të merr nën ombrellën magjike nën botën e saj
Qetësisht të përhumb si errësira mbi një syprinë lumi
E cila nëpër natë si një piano e zezë vezullon...
(Edhe zezona miku im me kohën krijon vetëdije
Dhe në marrëdhëniet shpirtërore lidhet disi nyje)
Shpirtngushtësia vjen e bëhet më e padurueshme
Zhurma godet si një një i dehur portën e shtëpisë
Bëhet më e fortë se një metaforë
Ndonëse ajo mund të jetë shumë më e rëndësishme
Më e vlefshme se bukuria e venitur e shkërmoqur
Në varrezë makinash në gjethe të grisura hithrash
Ku si thika të ndryshkura ngrihen lart
Si tmerr gjarpërinjsh kur zvarriten nëpër art
Nganjëherë më vjen ta godas tastierën
Gjithë shkronjat e saj të shpërndahen dhomës
Ta rrokullis tavolinën dhe nga ekrani
Të rrjedhin gjithë këto mori fjalësh
Si fibra sintetike të varfërisë së skajshme
Refuzime dhe si pika acidi të përçarjeve
Por nata shtrihet e prajshme dhe plot butësi
Si një reflektim gëzimi dhe qetësi mendimi
Si fjalë të pashprehura dhe të pa shtrembëruara
Të cilat çdo çast janë të gatshme të shkëputen
Nga degët e pemës si neurone të dhembjes
Pastaj si gjethe të fluturojnë shtigjeve
Fshehtësive të yjeve maleve dhe dashurive
Për t’u bërë gjithçka e bukur si një ëndërr
Shpirti i lirë duhet t’i pushtojë shpatet e lartësive
Si një shqiponjë kur përshkon kreshtat e maleve
Bukuri e një shikimi në momentet e shpresës
Apo si fluturim në butësinë e ëndrrës
Sepse edhe një ëndërr ka një moment fluturimi
Dhe kur frikësohemi nga ato të bukura lartësi
Edhe ëndrra ikën në fluturim
E mira mbi të keqen mbahet mend përgjithmonë
Asnjëherë sinkroni akullnajash ngritur nga fyerja
Dhe aksioma proverbash të këqija...
(Terri është e veshja e njerëzve me fytyra të liga
Ngaqë njerëzit e ndritur janë aq të pjerrtë
Saqë ajo nuk ju rri mirë)
Le të përpiqemi ta bëjmë pak më të mirë këtë botë
Për shembull për dy njerëz
Të cilët përpiqen të ngrenë lart një dashuri
Tymi i bardhë porsi një lutje le të ngjitet qiellit
Natë e pasmesnatë mbi çdo paragjykim e thyerje
Në vend të egjrës hithrave të ketë dritë rrezatuese
Dhe kurrë fushave tona errësirë rraskapitëse
TË JESH I HUAJ
Kam menduar
Se njerëzit si ti nuk qajnë
S’dinë çfarë është trishtimi
Retë e mërzisë
Si trishtim i gaztë
Paskan mbuluar qiellin
Mbahu mik!
Se në prehrin e mjegullave
Edhe yjet digjen
Diku larg ne s’jemi të huaj
Ani se çdo ditë
Bëhemi më të vjetër
Në dhomë heshtja
Qëndron si një trëndafil
Në kopsht shpërtheu
Breshër
MES LULEVE
Një degë ëndërronte për këngët e zogjve
Kur një erë e goditi dhe ajo ra e plagosur
Pranvera sikurse derdhi gjithë lotët e luleve
Duke i shkruar në trung epigram të bukur
Me sy të blertë krahëlehtë si një flutur
Këtu porsi një yll u shua ajo degë e pemës
Ky nishan në shtat le të na kujtojë përherë
Tingujt e gjelbërimit në gjethet e dhembjes
PEMA E JETËS
Dyshimet janë si vetëtimat
Fluturojnë nëpër thellësi
Si gjethe të thata
Dhembja është pyll i thellë
Që rrit shqetësimin
Si pagjumësia orët
Besimi është shpresë
Pa besim në kuptimin e jetës
Nuk ka kuptimin e besimit
Shpresa është dritë
Pa shpresë në kuptimin e jetës
Nuk ka dritë të shpresës
Drita është dashuri
Pa dritë në zjarrin e zemrës
Nuk ka lule dashurie
KITARA E PRANVERËS
Në pëlhurën e tingujve të pranverës
Muzika e blertë shfaqet e ndjeshme
Si kurorat e pemëve plotë melodi
Shkëlqyese si zemra e një lule pjeshke
Pranvera do na depërtoj në çdo skaj
Bukuri e gjelbër e çuditshme verbuese
Me gjerdan rrezatues në qafën e luleve
Me ringjalljen dhe festën e gjetheve
Meloditë lindin kur zemrat e kitarave
Si rrezja me tokën akordohen bindshëm
Luajnë dhe tingëllojnë me njëra-tjetrën
Si tela të lidhur përmes një kënete
Gishtat do na shkasin mbi telat e jetës
E telat sikur do kërcasin me zemërim
Përmes këngëve do na dehen shpirtrat
Si harmoni lulesh shfaqur në gjelbërim
KRAHËT E ERËS
U fshehën vitet
Si ëndrrat e mjegullta
Si psherëtima të paqarta
Ato u shkrinë në heshtje
Dhe gjithë lulet e bardha
Ato më të bukurat
Erërat e zemëruara
I morën me vete
U shtrydhën ditët
Si një shpirt i mpirë
Rrëshqitën nëpër muzgje
Sikur të ishin pëshpëritje
Dhe çastet e mira
Ato më të këndshmet
Stuhitë e mërzitura
Me fjongo të zeza i lidhën
U ngatërruan orët
Nëpër flokët e thinjura
Ujëvarat e ndarjeve
Rrodhën nëpër botë
Veç shpresat mbetën
Si imazhe të ndritura
Ultësira të buta
Dhe sy të erës pa lot
NË AEROPORT
Mërzinë nuk e fshihja dot
As mes bagazheve
As mes njerëzve
As shkallëve
Dhe kur avioni mori lartësinë
E toka rrëshqiste si një rreze
Papritur si një pemë në dimër
Mbeta pa gjethe
GODITJA E GARDIANIT
Aty koha nuk matej me orë
Por të rrahurat në kokë na trokisnin
Në qeli errësira sikur krijonte
Figurën e orës në dritare
Aty çdo gjë ishte si një mashtrim
Madje edhe vetë qielli
Nuk e njihte shkëlqimin e yjeve
Vetëm mbijetesa si një besim
Ishte si ishull i shpresave me gjethe
Gjembat e zinj gërryenin shpirtin
Ngulitur deri në kocka si një çakall
Jeta pa shkëputje endej në mundim
Heshtja pas shpinës numëronte hapat
Edhe në fillesën e gjumit dhe ëndrrës
Dhe në fushën e qetë të mendimit
Gardianët si sëpata të mprehta
Si ushunjëza thithnin qetësinë
Aty gjithë rrugët ishin të shkurtra
I gjatë veç keqtrajtimi i shokëve
Dhe rruga e ndritur e idealeve
Kryqëzuar në altarin e moteve
Errësirës së shurdhër iknin vitet
Duke shkelur mbi supe rininë
Çdo çast demaskonin errësirën
Dhe çdo ditë sillnin më afër lirinë
Atë dimër në Pozharevac përfundova
Aty një gardian i përzgjedhur i CZ-së
Me gjuhë të trashë plot urrejtje
Çdo ditë projektonte e nxiste grindje
Dhe një ditë pasi më kishte përgjuar
Kur po këndoja Vajzën me Kaçurrela
Ai i shfaq pranë duke sharë e bërtitur
Mua sikur në dorë më mbeti bucela
Një mendim i pastër seç më erdhi
E dhimbshme të komunikoj me ty
Në sytë e mi nuk sjellë ndonjë të re
As fytyra jote e rreme që vret
As qeshja jote që është prej helmi
Ai më kërcënoi me grushte
Pastaj me armën që ishte fuqia e tij
Si palaço i dehur si armik i pamatur
Vetëm të vjellë poshtërsi...
Botën e ndjeva si një britmë
Që vinte si nga thellësia e detit
Si pranë vashës me kaçurrela
Ndjeva fluksin e forcës së grushtit tim
Dhe gardianin faqezi e godita
Gjaku rridhte në korridorin e pistë
Duke skuqur mbi një bar të thatë
Por rrezet e ngrohta po agonin
Mbi egërsinë e dimrin e acartë
Këta ishin djalëria e pafat e atdheut
Të cilët errësirës po i kërkonin brigjet
Për të zbritur në detin e hapur të lirisë
Ku vlimi i gjakut do të ndizej në breg
Në ag gjuaja me gurë murin e zi
E atje bien fjolla të buta mbi atdhe
Qielli lart më bëhet sikurse një puhi
E vitet si shokët me flokët gri..
BIRI IM
Ka njerëz që të hyjnë në zemër pa arsye
Arterieve - ata të bëhen fanarë pa kuptuar
Të japin shijen e ndjenjës ëmbëlsinë e lirisë
Dhe dimri të bëhet si një fletë e shkruar
Disa të marrin shpirtin dhe të përqafojnë...
Dhe mprehin thikën në muzgun e shpellës
Me gjithë plagët mos u dorëzo se herët a vonë
Ata do mbeten si bajga në diellin e verës
SA HERË DUA
Sa herë dua të nisem për atdhe
S’di se si zgjohet diçka te mua
Si tinguj lahute
Se si nisin e pëshpëritin rrugët
Sikurse era e buzëqeshur
Duke parë fytyrën e diellit
Se si më kaplon një ngrohtësi
Sikurse nëpër pllaka betoni
Kur vapa theket
E misri në prush piqet
Dëshirat më bëhen si buqeta
Dhe shkojnë larg larg
Deri sa nisin jonet e para të mërzisë
Që duken si shkurre të krasitura
Si i munduri keq më vjen të qaj
Të qaj o të qaj deri në ngashërim
Por si me butësinë e nënës
Shtrëngueshëm më përqafon atdheu im
HAPAT
Hapat janë si ngjyrat si nuancat e tyre në shkëlqim
Në jetë ka hapa të matur por ka edhe të shpejtuar
Të mëdhenj apo të vegjël si ndonjë çast vështrimi
Ju duhet veç një, për ta kuptuar cakun apo gabimin
Të rëndë janë hapat sidomos ata që kthehen prapa
Të vegjël të plogësht veçmas ata kur jemi nxituar
Jepi kohë kohës e cila ikën si shkëlqimi i një rrufeje
Për të kuptuar largimin apo ata që vijnë drejt teje
NJERIU DHE PEMA
Ta shohësh mirë njeriun vërtet është si pema
Disa gjethojnë bëjnë hije dhe të kënaqin me aromë
Lidhin frutat rëndohen dhe piqen në kohën e duhur
Shijen dhe ëmbëlsinë shumë njerëz e breza u shijojnë
Të tjera edhe pse ndjekin diellin dhe ujitjen e shiut
Edhe pse krahëhapur në kopsht a në pyll ndjekin stinët
Nga ato porsi shija e një dardhe të egër në sinor
Mbetet veç kujtimi për hijen dhe çlodhjen e njeriut
PËRMBYTJA
Gjithë lotët e botës përplasen në dritaren time
Pranë meje me tendencë të mugët si shiu që bie
Lundrojnë si një univers shenjat nuancat dhe fjalët
Siç fluturojnë mbi mjegullën e një liqeni pulëbardhat
Lutem që shiu të lagë deri në palcë trungjet e pemëve
Mijëra net të mos ndaloj për të kthyer dritën e bardhë
Sa trishtueshëm kur rrezet zhduken hap pas hapi
Si një rrëshqitje e dhembshme nëpër plagë
Shiu si shiu duket se ka përmbytur krejt katin e parë
Dhe banakun ku dy pensionistët luanin shah dikur
Ndoshta edhe lumi nuk është më e pamje tjetër ka marr
Ka ikur me jehonën e melodisë së atij flautit të vjetër
Në këtë peizazh përherë do ketë duar që zgjaten
Sy pretendues të ujshëm dhe shikim të dëlirë
Kur çdo godinë duket e gatshme si një dorë e ngritur
Për të përshëndetur dhe për të thënë lamtumir
URA E FJALËS
Dua atë momentin kur fillon ndërtimi
I urës së fjalëve që rrëshqasin
Si një pikë shiu në xhamin e një makine
Inkurajim për të udhëtuar ngadalë
Sikurse hapat duke numëruar
Me pamjen transparente dhe afatgjate
Ndërkohë që dielli perëndon atje dhe këtu
Dua atë çastin e ndjenjës së furishme
Për të flakur ombrellën në shiun si litarë
Dhe uji të ketë mbushur këpucët e mia
Troku të mos dëgjohet të jetë krejt i mbytur
Të ngatërrohen lidhëset në fortësinë e thembrës
Si dikur ato të Franc Kafkës rrugëve të Pragës
Dua atë sekondën kur në ndjenjat e ankthit
Shpresa me vela të thyera gabimisht ka qëndruar
Stuhi nëpër arterie në fytyrë çrregulluesi
Rrugëve me kalimtarë të panjohur që nxitojnë
Nga ata të cilët zjarrin e plagës askush nuk ta di
Kur ti kalon pranë mureve të betonta
Flokëshprishur si dikur James Joyce nëpër Dublin
Dua atë pikën e shikimit të depërtueshëm
Kur sytë e pafajshëm e vështrues sikur të pyesin
Për gjitha pse-të e botës së shtrembëruar
Dhe tërë në atë trishtim sikur jep ëmbëlsi të mekur
Si lutja e Arthur Rimbaud në një morg Marseille
Para se ta lëshonte dorën e babait të vdekur
Dua rënien e saktësisë së stolisur
Kur mbi një shkëmb bien petale si mendime
Që derdhen si helmi në kupën e dëshpërimit
Dhe dridhen malet nga grushti i rëndë i goditjes
Si dritë nëpër fluturim të errësirës
Pranë nënkresës stilolapsi, ora dhe vaji i motrës
Dhe ikja e hershme e poetit Migjen
Në sanatoriumin pranë Torinos
Dua urën e fjalëve kur nisë e ndërtohen harqet
Ku themeleve valohet diçka si qëndrueshmëria
E dhembjet bëhen një valë e lehtë me butësi
Ku shqetësimet e hirta vallëzojnë me yjet dhe hënën
E fjala është fjalë plot shend e verë
Dhe erërat e ndryshimeve fryjnë gjithashtu
Ku ylberi shumë ngjyrësh përthekon brigje e dete
Ndërkohë që dielli lind përsëri atje dhe këtu
POEZIA
Poezia është shkop peshkimi
Paraqitje e shkurtër
E peshkut në lirinë e tij
Është nata e stolisur me hënë e yje
Perla e një gjerdani në qafën e një gremine
Shpirt i pakapshëm në një trup fjale
Kur vet zëri deklamon vargje
Poezia është pafajësia në objektiv të zemrës
Kur gjuha si një asket në heshtje mbërthehet
Pluhur prej ari është poezia
Era që përhapë enigmën
Poezia është kripa e dyshimit
Paradoks i tensionuar i mendimit
Është koha që nuk lejon të kaloj kohën
Fëmijëria e çdo momenti
Poezia zbret nga pema e Darvinit
Por nuk ka asnjë evolucion në antropologjinë e saj
Topografia e saj është në hartën e duarve
Si lumenjtë dhe përmbytja e një shpirti të tejmbushur
Poezia është loti që nuk mund të shprehet
Dilema e heshtjes që ngadalë vret...
___
Për "Ora shqiptare", Sabit Abdyli