Dienstag, 3. September 2013

Moikom Zeqo

Moikom Zeqo ka lindur më 3 qershor 1949, në qytetin e Durrësit. Më 1971 është diplomuar në Universitetin e Tiranës për filologji dhe letërsi. Më vonë është diplomuar për histori dhe arkeologji si dhe ka bërë studime pasuniversitare në Romë, në Athinë, dhe në Washington D.C.. Ka punuar si redaktor letrar në gazetën “Drita” dhe arkeolog dhe specialist i artit të lashtë pranë Akademisë së Shkencave.
Është Doktor i Shkencave dhe mban Urdhërin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Është autori i 62 librave me poezi, prozë, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe të nje numëri skenaresh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Ka marrë disa herë çmime të para për librat e tij. Krijime të Moikom Zeqos janë përkthyer në gjuhët anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, sërbokroatisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht si dhe në gjuhën tonë.
Është autor i tre ekspozitave vetiake në pikturë. Ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetra herë dhe është vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.
Moikom Zeqo është sot një nga personalitetet më të mëdha dhe të njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i postmodernizmit në letrat shqipe./Wikipedia/



Poezi nga Moikom Zeqo

Shenim i autorit

“Një blok poezish, që e dija të humbur, mes dorëshkrimeve të herëshme , më ribëri një kujtesë krijuese: ishte aty një cikël i vecantë, që e kisha shkruar në vitin 1973, por nuk e botova dot asnjëherë, janë në substancë  pjesë e poezive që kam botuar në vitet 1970-1973 në shtypin shqiptar të kohës, poezi, që u anatemuan si  moderniste dhe hermetike nga Pleniumi IV i PPSH dhe instrumentet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve.Tani më duket një histori fantazmagorike e largët, ndonëse ende  groteske dhe idioteske për të ashtuquajturën terapi totalitariste. Po e botoj këtë cikël më tepër si një dëshmi për historianët e  historisë së letërsisë.(Moikom Zeqo , Tiranë,23 maj 2012 ).”


FUTURISTËT NË MUNGESË

Lexoj futuristët. Hyj
Në karnavale të mëdha, zhurmat dhe qiejt
Grisen si letër, bubullimat kërcejnë
Si topa futbolli dhe erërat degëzojnë rrufe.
Futuristet, turma të paturpshme, veshur
Me bluza ngjyrë portokalli plot me zigzake,
Kafshë arlekine. Mes tyre tri vetë
Që mbajnë monokle e kanë të pikturuar në faqe
Njeri një peshk, tjetri një shigjetë
Dhe i treti germën R. Trinitet
Me mëngë të shkalafitura derizhablash.
Peshku shumëfishohet me fuqi biblike
Pastaj vertebrat dhe halat përhapen
Si meridiane dhe paralele e koka e peshkut
Bëhet koka e sfinksit të Tebës, Shigjeta
Lëviz e njëkohësisht rri në vend, me majën
Në plagën e zenitit. Është rrota e bërë
Vijë e drejtë. Te germa R kalbet
Plot bakterie fjala Revolucion
Pa Resurrection! Një karkalec vigan
Me redingotë të kuqe e dylbi teatri
Kërcen në kalldrëmet e rrudhave
Të kohës. Nofulla portash të katedraleve
Thyejnë kafka zotash. Majakovski e zbulon
Migjenin, fëmijë ilegal të shekujve. Koha
Gjen një Anti-Kohë. Futurologjia
S’është pseudonimi sekret i së Ardhmes.
Fransua Vijoni varet në trikëmbësh
Me litarin e dejeve të tij e Zhan D’arka
Nga goja nxjerr flakë, -
Princesha Hirushe e prestigjatorëve!
Dallgët hedhin në Currila shishen
E anijes së mbytur, brenda saj
Njëqind shekuj është mbyllur
Shekspiri i çmendur, pa asnjë sozie!
Ja kthej detit, pesë Atlantidave
Të imagjinatës! Apo e mbyll në shishe sërish
Dhe Oskar Uajlldin, binjakun homoseksual?

7 shkurt 1973


***
Dallgët qëndisin
Qenien time në lëvizje, në hapje
E moli   i fundit s’duket asnjëherë,
As Ishulli i Thesarit, lundrimi
I ëndrrës është prej zjarri, një velë
Liburneje është Shamia e Desdemonës,
Ose shamia, ku shfryn hundët
Shekulli XII, a Napoleoni djalosh
Me gripin e ambicieve cezariane. Dallgët
Qëndisin fytyrën time, muskujt
E shkumës, dallgët brenda meje
Si universi i dytë, dallgët
Shkallare qiellore, pa raketë.
Dallgët qëndisin me thonj demoniakë
Epokën. Dallgët e gjakut
Më shumë se të mendimit! Dallgët
Kaotike, energji metaforash
Nga e Panjohura! Dallgët, dallgët,
Plot shembëlltyra misteri.
Çdo anije është moli i mbrëmë.

9 shkurt 1973


***
Unë jam Kimera, tha ajo. Dhëmbët
I shkëlqyen nga zmalti kozmik, – plore
Argjendi mes zambakësh. Hapësirë
Ka qime, kthetra. Koha bimësohet
Në eter, por jo në shpirt. Shoh shtëpi
Me korse xhami e vagina të fshehura.
Unë jam Kimera, tha ajo. Depërtoj
Si sëmundja e s’jam epidemia. Jam
Ajo, që jam, më shumë se Jahovaj!
Unë jam Kimera, tha ajo. E bukur
Dhe përbindëshe. Femra gënjen
Ndërmjet ekzistencës dhe mashkulli
Ndërmjet artit. Gjithmonë
Ajo, që jam. Ajo që do të jem,
Sepse kam qenë. Nojmat
Kanë pushtet dhe rutinë. Përsëritje
Dhe gjykim biblik.
Unë jam Kimera, tha ajo. Le ta dijë
Pikasoja. E ç’është Guernika
A Zonjushet e Avinjonit ?

10 shkurt 1973


***
Djalli është lepur me brirë,
Salamandër me brirë, breshkë me brirë,
Ose papagall me brirë. Është krimbi,
Që bëhet flutur e frikshme me brirë. Djalli
Është Dielli me brirë, ose Hëna me brirë,
Është fallosi me brirë ! Djalli na do
Edhe kur s’e duam ! Djalli është tek ne
Dhe kur s’jemi në të. Është cjapi –
Shembëlltyrë e shenjtë e tokave
Demoniake, Dionisi me brirë
Dhe Orfeu me brirë. Kortezhe pagane,
Vreshta të shpirtit në boshllëk, në humbje,
Gjuetia e shtrigave lakuriq. Zjarre
Dhe flakadanë me brirë, male, kreshta
Me brirë drurësh fosilë. Getja
Me brirë, që ja mori Mefistofelit,
Duar me brirë gishtash, një planet
I porsazbuluar me brirë…

11 shkurt 1973


***
Aroma del – kafshë nga çarku
I mitit. S’ka kthetra, por gëlltit. Guri
Zbutet dhe shkuma është xhami i verbuar,
Glaukoma përhapet pa kufi. Kush i shpik
Heraldikat e kalorësve? Ç’di luani
I Kilimanxharos për mesjetën? A kali arab
Për Suiftin? Po macja hyjni e Egjiptit
Për madamë Pompadurin? Krishterimi
Është mjegulla verbuese plot rrufe sekrete,
Forcë rëndese, që s’peshohet dot, arketip
I vjetër, lojë. Lëkura ime
E heretikut është lëkura e lebrozit
E Shpëtimtarit, që e presin në terr
Në kanalet e gjirizit plot minj teologë.
Aroma del, shpërthen si sperma,
Që nuk ngjiz asgjë. Dalin trenat
Dhe kuajt, Udhëtari i Padukshëm,
Dalin botët dhe imazhet. Ç’lëvizje?
Kohërat janë çarqe. Kush i shpëton
Kapjes në mjegull? Ah, këmbët
Prej bronzi të dinjitetit!

11 shkurt 1973


***
Asnjë Vit i Ri s’do të jetë Amshimi,
As gjethja një elefant, as kaktusi
Një krokodil! Sekonda e mikrokozmosit
Nuk është fillim as mbarim. Vini teleskopë
Mbi zemra! Nocione kufizimi, boshi, unaza
Pa gishta, garderobë lilipute
E padukshme e mendjeve të metamorfizuara
Të Guliverit Evë, dalë nga brinja
E Suiftit gjithësesi, përpara Adamit
Protobiblik, kur s’ishte as Shkrimi
As Zoti analfabet! Vini libra
Mbi shpirtin e syve, se ngjyrat
Janë pantonima, por jo kerubinë !

26 shkurt 1973



KJO PEMË

Kjo pemë – dora e sipërme
E një hyjnie të groposur thellë,
Zhytur në fekale dinosaurësh. Materia
E errët e dheut, mjegull bituminoze.
Dora – vetëtimë bimore nga poshtë,
Nënvetëdija, e shkrepur
Në lëvizshmëri klorofili. Hyjnia
E thellësive s’ka emër, as mitologji
të kuptimit, manipulim
I misterit, diçka pa sintaksë,
Sintaksa është forma, rregulli,
Labirinti, që grish. Kjo pemë – dora qenie,
Udhëtar marsian, krijesë saturniane.
Hieroglifi i të gjitha botërave
Dhe Hiçit të pashmangshëm
Si ajo vetë!

26 shkurt 1973



SHPESH

Shpesh silueta ime
Është 5 kilometra e gjatë,
Zikzake, mbi një Paris plot mongolë
E kuaj ejfelianë prej hekuri. Kjo përrallë
E gjeometrisë anarkike më pëlqen, por fabulat
E kristaleve si honeps. Po nganjëherë
Jam dredhëza në syrin e trumcakut,
Që qimëzohet si mamuth. Jam kryeqyteti
Prej shpellash të nëndheshme të planetit,
Ku banon dhe Homeri. Jam vdekja
Pa përmasa, materiale. Shpesh
Silueta ime mërgohet nga unë,
Bëhem formë e zbrazët. Shpesh
Silueta ime është Nili
Po pa Egjipt.

27 shkurt 1973

***
Ik diku, por jo për të mbritur.
Ik, ik, ik. Diku. Askund. E Panjohura
Është “pse?”. Portat hapen
Në mur e muri s’ka fund. Ajri
S’ka fund, horizonti është mur
I vetëdijshëm, inteligjent,
I pamëshirshëm. Miliona hyrje
Në moshapje. Muri
Është infiniti, lëvizim
Pa dalë nga muri e jemi
Panteizmi i tij.
Ik diku, por jo për të mbritur…

28 shkurt 1973



NIKOTINA SI EPOS

Nikotina fosforeshente, akuarele
Nikotine, eposi i ajrit të nikotinës,
Kuaj dhe albatrosë nikotine të turbullt
Në alkiminë e çmendur të floririt.
Hermesi i nikotinës me çibuk indiani
Parakolumbian, tregu botëror
I duhanit, nargjileja e Ali Pashë Tepelenës,
Afreske me shenjtorë nikotine,
Që nuk janë bronz, bronzi i statujave
Prej nikotine, planet nikotine,
Vetëvrasje e bardhë plot ndjesi,
Shkrimtarë prej nikotine
Me subjekte e parabola nikotine.
Jahovaj tymoste nikotinë
Kur e krijoi botën, a planetet e tjerë-
Flluska nikotine!

1 mars 1973



Ç’LAJMËTAR

Ç’lajmëtar më sjell kumtin
E pjalmit të yjeve? Sa kohëra të verbëra
Janë bebëzat e mia. Ëndërra e lumit
Për një katarakt më sfilit. Ylberi – shami
E djegur beqari jashtë dasmës. Në pllajën
E territ zhduket dhelpra fosforeshente
E vjeshtës. Gjuha prej Hëne e kalit të zi
Më lëpin plagët
.
2 mars 1973



SHPIRT I DESHIFRUAR

Shpirt i deshifruar në lule
Dhe zogj. Juga fryn e përsëritet –
Kujtesa e viseve të trishta.
Kopshte mrekullish
Prej detesh të mëdha. Ujëra nervoze.
Kush është burizanti i zambakëve
Për një zgjim të beftë?

3 mars 1973



KËTU JAM

Këtu jam, me këmbënguljen
Prej bime antike. Tek kallinjtë
E misrit piqet hyjniteti i egër.
Fryjnë 12 erëra me mekanizma
Orësh. Peizazhet shkëlqejnë
Me vërnikun e erërave pranverore.

4 mars 1973


 
ARI NIBELUNGAS

Tantella klorofili
Në këmisha djerse prej shtaze.
Koha i ndez motorët tej gardhit.
Gjej sëndukun e lashtë të muzgut
E mbyll arin nibelungas të vjeshtës!

4 mars 1973

***
Retorika është kopshti i luleve
Jo i frutave. Zëri, fytyrë e dytë
Sekret i fjalëve. Se jeta
Është përplasja e realitetit
Me ëndrrën. Kalbu muzg
Si kufomat e princërve
Të Babilonisë. Ç’brengë
Për t’i besuar
Mimozës lulevirgjër!

5 mars 1973



E DI

E di se edhe një zog i vogël
E ha tërë qytetin. Të vdekurit
Vrapojnë rreth e qark
Pa arritur Apokalipsi. Para trurit
Të oqeanit si t’i kuptoj
Metaforat me bisht peshku ?

5 mars 1973



DORËSHKRIMET

Dorëshkrimet e mia
Gjelbëruar nga bari
Ushqejnë kuajt e imagjinatës.
Fëmini e qashtër, det i parafillimit
Të sendeve agresivë. Si t’i populloj
Vetmitë e mia me zogj të parajsës?

5 mars 1973

***
Shqiponja i fshin me flatër
Tërë këto pamje mijëvjeçarësh,
Që zhduken në çast. Vdekja
E qytetërimeve si e fluturave.
Në shkretëtirën pa përmasa
Ndrit kufoma ime prej zjarri.

5 mars 1973

***
Tërë mrekullitë atlete
Vrapojnë të më arrijnë
Ndonëse rri në vend e jam
Përherë përpara. Shoh një funeral
Milingonash ku merr pjesë
Një Polifem. Përpara janë viset
Me breshka ari dhe leopardë argjendi.
E jam arkitekt i zjarreve të mëdha
Si bazilika pagane!

6 mars 1973

***
Ujëvara ime, po dal me ty
Si të tjerët me qenin familjar.
Si të përputhet realiteti
Me fantazinë ? Kush e dëgjon
Kuakjen e bretkosave
Në Hënë ? Imazhet mikroskopike
Të gjakut ! Dëgjoni
Zanoret fishkëlluese
Të shtrëngatës!
Ujëvara ime, rekuizitë filmike
Mes kuarcit, non plus ultra.
Mbas çdo fjale është një kryengritje
Oksigjeni rrallohet
Mbas ikjes së poetit,
Sarkofagu i tij
Koncentron qiejt!

6 mars 1973

***
Zogu, ashkël zjarri në vatrën
E bebëzave të mia, shoh statuja
Mbretërish ilirë pa kujtesë.
Bubullima hap shtëpinë e saj
Për Princin e Vogël të vjeshtës

6 mars 1973

***
Në dhomën e errët zhvillojmë
Fotografitë e ideve. Kemi etje.
Po ku është uji i pavdekshëm?
Qielli magazinon hyjni
Të harruar. Gishtat e këtij perëndimi
Në Currila shkruajnë
Poezi nokturne për mua!

7 mars 1973

***
Kam harruar të eci
I lidhur me rrënjët e këtij portokalli
Në Jugun e para tremijë shekujve
O koka ime
Me mjekër alge dhe korali !

8 mars 1973

***
Askush s’e thyen
Llambën e përvëluar
Të pagjumësisë time !

8 mars 1973



DIKUSH

Ti ecën, dikush të ndjek pas
Pa gjurma. Dikush, i humbur në gjeografinë
E zambakëve, ku janë thyer qelqet
E njëmijë qiejve.

Ti ecën, dikush është pas
Shpatullave të tua. Dikush
Me plagë paralele, por që s’është ti,
Formë binjaku e zbrazët.

Ti ecën, dikush të përgjon,
Mban shënim disfatat, mangësitë,
Lavjerrësit e orëve, që bëhen
Shermashekë dhe gravata përrallore.

Ti ecën, dikush të ndjek pas,
S’i shmangesh, s’je as indiferent,
Dikush të përcjell, dikush…
S’është Vdekja, por Poezia!

10 mars 1973



GJYSHJA FAIKA

Nga sënduku i vjetër
Befas del gjyshja,
Foshnje e porsalindur.

Oh gjyshja! E kisha harruar.
Ç’të bëj me këtë foshnje?
Si ta rris?

Ajo të lindë sërish tim atë,
Kështu unë të jem
Dy herë i lindur!

15 mars 1973


***
Nga ËC-ja në banjo dalin gaforre të zeza
Mbase nga një Atlantidë e Zezë.

Ndjej hapat e rëndë të Harresës
Drejt portës së mbyllur.

E përplasëm në terr me vetveten
Si Fausti me Mefistofelin.

Ajri pikëllohet. Të vdekurit
S’e thithin më. Refuzojnë ta thithin.

Dhe këndesi i shën Pjetrit
Hesht trefish!

20 mars 1973



NË DJALL TË URTËT

Në djall të urtët, unë s’jam i urtë!
Ja kalendari totemik, çdo kafshë
Një muaj. Të rrezikosh
Është siç thonte Platoni:
“Të qethësh luanin”. Doja
Që zëri im të qe ujëvarë
Në shkretëtirë. Doja që në venat e mia
Të qarkullonte floriri magjik
I vjeshtës dardane. Doja që mijra
Të panjohur të shkonin tej
Me cingaren e ndezur
Të emrit tim në gishta, e gishtat
T’u digjeshin plot dhembje
Për kujtesën. Doja, shumë gjëra doja…
Në djall të urtët, unë s’jam i urtë!

21 mars 1973
 
 
 
TETORI

Tetori i artë ka diçka
Nga sekreti i librave.
Gjethet mblidhen në oborr
Si ngjeshja e fjalëve të një shkrimi.

1973

***
S’i meremetojmë dot ditët
Si gomat e shpuara të biçikletave,
Ajri i braktis, kujtesa koleksionon
Lëkura bosh. Ja dhe kontinentet,
Nëse Europa shpohet, apo Afrika,
Ose Azia janë thjesht komardare
Të shfryra, që s’riparohen më.
Veç dashuritë s’i humbasin trajtat,
Asnjëherë s’zvogëlohen, asnjëherë
S’janë bosh! Shpirti i mbush!

1973

***
Tek bulevardi buzë detit
Hëna mjegullohet
E shtyllat e fenerëve
Me përkrenare drite
Rrinë si në një epos kalorsiak.
Tek deti janë enigmat,
Kullat e kështjellës s’duken.
Ç’janë këta kalorës fantazma ?
Që vijnë të magjepsur
Për të më pushtuar mua ?

1973

***
Të kërkosh përjetësi
Është një nivel i ulët.
Rëra është përjetësia.

Kur mbin një lule –
Çudi më e hatashme
Se një hyjni,

Askush
Nuk dyshon
Se do të vdesë.

1973
 
 
***
Dëgjoj Fugën në Re Minor,
Kompozuar
Nga Bahu.

Në qiell Dielli dhe Hëna
Përballë
Në një remi shahu!
1973
 

GREVË URIE

Ti ike, mbeta vetëm,
Kam uri,
Do të ushqehem për shekujt që do të vijnë,
Duke ngrënë trupit tim.
Në fillim do të ha këmbët,
Që shpiknin lëvizjet për tek ty,
Çdo mëngjes, çdo mbrëmje,
Në sheshet e statujave,
Në kafenetë e periferisë,
Në parqet vjeshtake të bregdetit.
Pastaj të dy duart,
Të djathtën, që shkroi letra dashurie,
Libra të çuditshëm,
Metafora të çmendura,
Të majtën, që prekte flokët e tu,
Të përkëdhelte fytyrën,
Trupin e brishtë dhe magjik.
Ky ushqim më mban gjatë,
Shumë gjatë.
Pastaj i kthehem muskujve të gjoksit,
Brinjëve, mushkërive,
Por veç zemrën s’e prek, e le.
S’e dija, që sytë
Qenë substancë e pakufishme,
Tek to pamjet, hapësirat
Nuk mbaronin kurrë,
Ma shuajtën urinë
Për njëmijë vjet.
Më shumë më mbajti truri,
Sado e konsumoja
Ribëhej prapë,
Si bukët dhe peshqit
Që shumëfishonte Krishti.
Truri qe gjithçka –
Rezerva ushqimore e kështjellës së pamposhtur,
Që i dekurajonte rrethuesit.
Kështu hëngra çdo gjë,
Madje dhe flokët dhe thonjtë,
Tërë indet, nervat,
I sfilitur
Nga tundimi për zemrën e mbetur,
Zemrën, ku dashuria
Kishte koncentruar
Big Bengun.

Për zemrën,
Ah, për zemrën
Amshimin e ktheva
Në grevë urie!

___________________
Ky cikël me poezi është marerë nga gazeta-nacional.com

Keine Kommentare:

Kommentar posten