Sonntag, 10. November 2013

Mihane Hoxha

Mihane Rrustem Hoxha (HANA), u lind më 25.06.1991, në Marali, Komuna e Malishevës. Shkollën fillore mbaroi në Dragobil, kurse gjimnazin në Malishevë. Mëpastaj ka mbaruar Shkenca Politike, në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës, dhe njëher është studente ne Fakultetin Ekonomik. Hana është e njohur si moderatore (në Radio Malisheva). Me shkrime ajo ka filluar të merret që në moshën fëmijërore. Njëherit, merret edhe me veprimtari të ndryeshme kulturore.
Aktivitetet i shtriu edhe më gjërë, duke u marr me kompozimin e këngëve. Ajo kompozoi këngët: “ Vallëzoj si flutur”, “ Ora e muzikës”, “Vjen prapë”.
Hana ka botuar këto libra: “Ëndërroj e Jetoj”(2006), “Durimi mbi të gjitha”(2011), “Më fajsojnë pa të drejtë”(2012), “Dashuria që nuk mundet t’i takoi brigjet”(2013). Jeton dhe vepron në Prishtinë.



CIKEL ME POEZI NGA HANA HOXHA

Lotët e mijë, shokë të Oqeanit

Ti vetmi që më përkdhel
Dhe ti errësire zonjë e heshtjes
Lutjet jo mos m'i ndalni
Se lotët e mijë, janë shokët e Oqeanit
Hej ti Hëna e fshehur në re
Shkëlqe për yjet që shkëputa matan globit
Dhe ti mall një ditë do të shuhesh
E fryma ime gjurmët ka për t'i humbur
Por ti shikim mos u step
E ti ëndërra ime bëhu lindje pa perëndim
Se premtimet morën rrugët e nemura
Dhe zhgënjimet takuan sharjet
Ndrico hëne
Te lutem, ndrico!
Se ata sy që më shikuan
Vdekjes nuk i rezistuan!



Robëreshë e fjalëve tua

Ti që më premton dashurinë
U bëra robëreshë e fjalëve tua
Ato kujtimet që lidhin skajet e globit
Ringjallin nostalgjin, sikur Krishti

Ti u bëre dhe rrëmbyes i kohës sime
Të cilën nuk kam për t'a rikthyer
Ata yje që na bënin roje
Shikimin tonë, braktisën si jetimin
Pranvera iku e turpëruar
Se s'kishte lule të mjaftueshme, për t'na bekuar!



Në botën time

Shihemi shumë herë në fshatin e bleruar
Atje do të ndërtoj një kasolle të vetmuar
Ta bëj jetën qejf të pambaruar
Të ndjej gëzimin e ëmbëltuar.

Do shkoj larg nga qyteti i shtrenjtë
Kur takohemi rrallë e më rrallë
E do ndërtoj një kullë kështjella
Për të sjellë nder dhe moral.

E brenda shtetit tim të dashur
Ku çiftëzohem me urtësi
Do të ndërtoj një pallat madhështor
Ku të ketë ujë, bukë, drejtësi.

Aty e gëzuar do takoj globin e madh
Aty kemi për t’u njoftuar
Do të gjejmë një ombrellë për paqë
Për të sjellë darkën e ëndërruar.



Armiqësi e vetshpallur

Kur dëgjon andej këndej
Se dhe unë kam armiq
Mos, o zot, dhe më keq
Armiq të gjakut tim.

Po ju pyes si është e mundur?
Që më quajtët tradhëtare
Më gjykuat pa më pyetur
Më akuzuat pa bërë faje.

Më thoni, ju lutem, më thoni
Vallë cili është mëkati im
Për realitetin që jetoj?
Po ju të vërtetën e çoni në burg të zi.

Jo or miq, për mua është e kotë.
Ju u vetëshpallët armiq
Ju sërish ju dua, besomëni
Jemi shqiptarë, vëllezër të gjakut tim.



Larg mikut tim

Unë po nisem larg po shkoj
Pas krahëve të të hedh, të harroj
Miku im, ma fal këtë fjalë me trishtim
Kur të të them lamtumirë pa kthim.

Rrugëve hapat të sigurtë i lëshoj
Një agim të ri e pres me padurim
Të mos kthehem dua e shpresoj
Larg mikut tim kërkoj qetësi.

Më shiko, unë po shkoj e vrerosur
Të kam dashë sa s’kam dashur më parë
Bindem që koha është e marrosur
Me lojë tënden të egër më ke veç pas.

Jo më, jo jo jo…..



Identifikim fytyrash

Unë gjithë jetën do të buzëqesh
Edhe kur vetmia të më kapë rob
Do të më mbajë si ushtar në rresht.

Dua të gëzohem përherë
Dhe kur më ofendojnë
E shpinën dikush ma kthen.

Do të jem te dhoma, te dera
Dhe kur keq të më bëni
Nuk m’i mohoni të drejtat.

Do të jem më e fortë se guri
Edhe sikur të më nëpërkëmbni
E një ditë të më përbuzni.

Do t’ju dhuroj dashuri
Edhe nëse më urreni
E më urdhëroni me poshtërsi.

Do jem më e lumtur se vetë bota
Që ju identifikoi fytyrën
E turpësit e të pashlyerat njolla.

E do të jem krenare
Që veten vartësisht e sakrifikova
Jetën e mbrojta, e çmova.



Në një natë pa Hënë

Sonte ndihem shumë e vetmuar
Kështu më duket çdo gjë që më rrethon
Që në pamjet e dukshme jam e trishtuar
Me shikimin drejtuar kah qielli.

Për çudi asgjë nuk shoh nga kjo errësirë
Kërkoj hapat e Hënës në udhët që bën
Përse u rrëmben shkëlqimin qiellit pa dritë
Përse fsheh bukurinë si të ishte mister me plumb.

Shshsht, nga larg yjet pëshpërisin
Hëna sonte nuk do dalë në takim
Atë e pikëlluan e i dhanë marrinë
I ndalën rrezet në rrezatim.

Dhe mua m’u thye buzëqeshja papritur
O s’jam e lodhur nga zhgënjimet
Vazhdoj në një rrugë të boshatisur
Me protestë për errësirën e trishtimit.

Nga çasti në çast unë mbetem e revoltuar
Pse e kanë mëkatuar Hënën, pse e kanë trazuar?



Kujtimet më sjellin tek ti

Kudo jam e kudo shkel
Mendja më vjen vetëm tek ti
I hedh hapa shteg më shteg
Tek ti, o e shtrenjta Marali.

Veç tek ti më vjen kujtesa
Çdo çast që prek më vjen ditë e natë
Më godet si një purtekë
Si shigjetë më hapka plagë.

E nuk mundem që të haroj
E nuk fshij asnjë kujtim
Më mban leng e më grackon
E kudo nuk kam qetësi.

Kam një dashuri sa një kala
Me Hiçkokun të prek trishtimin tim
Të më marrë zog në krahë
Të më japë veç gëzim.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen