Donnerstag, 19. Juni 2014

Të ketë më tepër vëmendje për letërsinë...

VERA ISTREFAJ: UROJ E SHPRESOJ QË TË KETË MË TEPËR VËMENDJE PËR LETËRSINË, ARTIN E KULTURËN!

 Nga Murat Gecaj
 

Nga leximi i një jetëshkrimi për ty, jam njohur me disa fakte…A mund t’i informojmë edhe lexuesit, shkurtimisht?

-Po, patjeter… Kam lindur në Kukës dhe këtu kam mbaruar gjimnazin, nė vitin 1994. Jam diplomuar në shkencat humane dhe studimet master i kam kryer në fushën e drejtësisë. Jam e martuar, nënë e dy djemve, Veronikut 18-vjeçar dhe Klevisit 14-vjeçar. Jam juriste në profesion dhe punoj në administratën publike, këtu në qytetin e lindjes.

Krahas punës së përditëshme, je dhe mjaft aktive në veprimtari të ndyshme shoqërore…Cilat janë ato, më kryesoret?

-Kam marrë përsipër që të jem avokate, në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kryesisht të grave dhe vajzave, gjë që më sjell mjaft kënaqësi, pa prjashtuar shqetësimet e njohura. Në këtë kuadër, jam drejtore Ekzekutive e Qendrës së Këshillimit të Grave dhe Shërbimeve Sociale, si dhe koordinatore e rrjetit “Barazi në vendimmarrje”, për qarkun e Kukëst. Si veprimtare e shoqërisë civile, kam një përvojë 20–vjeçare.
Kënaqësi e veçantë për mua ishte ceremonia e vitit 2009, në Tiranë. Aty u përzgjodha një nga 10 njerëzit më me ndikim në bashkësi, në shkallë kombëtare.

Qyteti i Kukësit është afër Prizrenit e Gjakovës dhe tërë Kosovës…Çfarë lidhjesh ke me bashkatdhetarët tanë atje, si në fushën e krijimtarisë dhe të veprimtarive shoqërore?

-Përherë jam në bashkëpunim me ta, për çeshtje të letërsisë, artit, kulturës e më gjerë. Pika doganore e Morinës nuk na pengon aspak, që të ecim në të njëjtat rrjedha. Kur më nderuan e më dhanë çmimin e parë, në Akademinë Letrare “Esat Mekuli”, përfundimisht m’u rrënjos mendimi, se jemi “një”.

I kaluam, si pa dashje, tri pyetje dhe dikush mund të mendojë se e “harruam” krijimtarinë tënde…Por, jo! Pra, kam dijeni se, deri tani, ke publikuar katër libra me poezi. Cilët janë ata dhe tematika e tyre, sigurisht shkurt?

-Që në vegjëli kam botuar vjersha e skica, në revistat dhe gazetat e kohës. Ndërsa në vitet e fundit i kam mbledhur poezitë e mia në 4 libra, përveç një almanaku të botuar më 1991, ku jam perfaqësuar me 76 poezi dhe një ese.
Titujt e vëllimeve poetike janë: “Shiu i fundit”(Prizren 1999), “Nënqeshja e ëmbël” (Prizren, 2001 ), “Në akuj digjem”(Prishtine 2003) dhe “U jepem udhëve”(Prishtine 2005). Tematika kryesore e tyre është “gjerdani” i problematikave të ditëve të sotme, si dhe ndjesive, mendimeve dhe emocioneve femërore.

Po, libra të tjerë në “sirtar” ose dorëshkrim a ke, cila është përmbajtja kryesore e tyre dhe kur mendon që t’i publikosh?

-Se shpejti do të dalë në qarkullim një vëllim lirikash dhe më pas, në vjeshtë, një tjetër vëllim poetik. Pavarëisht të gjithave, (ndoshta, po e them pa modesti), para lexuesve do të jetë sërish: Vera, e thjeshtë, delikate në dukje, nën peshën e mendimeve dhe emocioneve të forta, nën mantelin e jetës si femër, grua, nënë e veprimtare shoqërore, përballë sfidave të kohës.

Jemi nga një qark, pra unë nga Malësia e Gjakovës (Tropoja) dhe ti nga Kukësi…Çfarë mund të tregosh për krijuesit e kësaj treve, sidomos për koleget e miket shkrimtare, poete e artiste?

-Me kënaqësi mund të them se, tashmë, ka çfarë flitet për letërsi e arte edhe në Qarkun tonë, Kukës. E kam fjalën për dukuri të reja stilistike dhe për më tepër mund të flitet për një letersi edhe me mjaft autore femra, si në poezi e prozë. Duke kërkuar ndjesë, që nuk mund t’i përmendi të gjitha këtu, psh, në rrethin e Tropojës janë të njohura krijueset: Brunilda Zllami, Nafije Salihaj, Enkelejda Tahiri, Pranvera Gjoni, Migena Ramaj, Elona Zhana, Valbona Hykaj, Fatjona Geci, Zyra Ahmetaj etj.; ndërsa në Kukës e Has: Nermin Spahiu, Zaide Noka, Haxhire Haxhiu, Majlinda Palushi, Sabajeta Peposhi, Ganimete Thaçi etj.

Besoj, erdhëm në fund të bisedës sonë dhe të falënderoj për përgjigjet tua, të shkurtëra, por domethënëse! Po, a ke merak të shtosh ndonjë gjë tjetër?

-Gjithmonë dua ta nënvizoj, pra dhe me këtë rast, në mbyllje të bisedës sonë: Uroj e shpresoj që të ketë më tepër vëmendje për letërsinë, artin e kulturën nga ata, që i paguajmë me taksat tona, edhe në tërë qarkun e Kukësit!

 Tiranë, 16 qershor 2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen