Sonntag, 28. September 2014

Organizimi i sektorit të shëndetësisë gjatë luftës

 
Nga Hajrush Kurtaj, kolonel
 
ORGANIZIMI
I SEKTORIT
TË SHËNDETËSISË
GJATË LUFTËS
NË BRIGADËN 162
“AGIM BAJRAMI”
 
Gjatë përgatitjes për operacionet luftarake në Brigadën 162 “Agim Bajrami”, rëndësi të madhe i kemi kushtuar sektorit të shëndetësisë. Për këtë aktivitet kemi ngarkuar Shefin e Logjistikës Misim Sopën, që të fillojë kontaktet me mjekët dhe të bëj koordinimin e sektorit të shëndetësisë në komunën e Kaçanikut. Pas kësaj, në kuadër të Sektorit të Logjistikës filloi veprimtarinë Reparti për Mjekësi. Në krye të këtij reparti janë caktuar, si përgjegjës kryesorë, doktor Bejtush Jaha e doktor Fadil Gashi. (shih në librin e Kolonel Hajrush Kurtaj, “Në rrugën e lirisë (ditar lufte: fakte, kujtime, dokumente)”, Prishtinë, 2012, f.56). Hajrush Kurtaj, epror ushtarak, Shungullon Gryka e Kaçanikut, “Dëshmorët e Kombit” Kaçanik, 2000, f. 26 dhe 36). Me kujdesin e shtuar të Komandantit, Qamil Ilazit, ka filluar koordinimi i punës së mjekëve dhe sigurimi i pajisjeve mjekësore e barnave. Fillimisht ka qenë angazhimi i dr. Bejtush Jahës, Fadil Gashit, dr. Besim Ilazit, i motrës medicionale Gyltene Troni, i dr. Njazi Lumaës, i motrës medicionale, Milihate Shehu, i dr. Njazi Rakës, i dr. Dërgut Ҫunit, i dr. Ekrem Dullovit, i dr. Lul Rakës, i motrave medicionale Jehona Raka, Lumnije Raka etj. Kishim të organizuara edhe ekipet mjekësore të cilat do të vepronin në shumë fshatra të komunës sëKaçanikut si dhe në pjesën e qytetit. Në fshatin Gajre dhe Ivajë, fillimisht, ishin të angazhuar dr. Fadil Gashi, dr. Bejtush Jaha, dhe motra medicinale Giltene Troni dhe dr. Dërgut Ҫuni. Në fshatin Ivajë e Vjetër ishin të angazhuar dr. Njazi Raka, dr. Halil Kuka dhe Ylber Bajra. Në pjesën e Kaçanikut ishin të angazhuar dr. Lul Raka, Melihate Shehu, Lumnije Raka, Jehona Raka, Kadrije Piliqi dhe Emsale Frangu, Vllaznim Zenuni, Zylbehar Prushi, Sheip Luma, Skender Ahmetaj, Mustafë Thaçi, Beqir Prushi, Menduh Kaloshi, Ylbere Berisha. Në pjesën e Biçecit ishte i angazhuar dr. Ekrem Dullovi. Spitali ushtarak i Brigadës 162 “Agim Bajrami” u vendos në fshatin Ivajë, në shtëpinë e Ramush Rexhës. 
Kontribut të jashtëzakonshëm për mirëmbajtjen e objektit dhe pastërtisë në Spitalin Ushtarak dhanë këto vajza: Sherife Rexha dhe Nafije Rexha. (shih në librin e Kolonel Hajrush Kurtaj “Në rrugën e lirisë” f. 108,109,110). Çështje me rëndësi të madhe ishte edhe sigurimi fizik të spitalit për të cilin Komanda e Brigadës angazhoi një pjesë të Policisë Ushtarake dhe Njësisë Speciale të Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Raste më të theksuara të plagosjeve dhe punë e vështirë për ekipin mjekësorë ka qenë Beteja e Ivajës e 8 marsit 1999, ku kemi pasur të plagosur rëndë shumë ushtarë. Disa nga plagët e rënda kanë ndërruar jetë kurse të tjerët falë angazhimit të ekipeve mjekësore i kanë mbijetuar. Në këtë drejtim Shtabi i Brigadës ka qenë në bashkëpunim të ngushtë me ekipet mjekësore dhe në ato rrethana të rënda u ka afruar përkrahje pa rezervë. Pas shkatërrimit tëIvajës nga forcat okupuese, Komanda e Brigadës mori vendim dhe caktoi vendin e dytë të Spitalit Ushtarak, te Kulla e Hasanit, mbi fshatin Bob. Kanë ngarkuar shefin e operativës Vehbi Koraçin që të hartojë dhe përgatit planin e vendosjes së Spitalit Ushtarak. Të gjitha këto përgatitje janë bërë në koordinim të ngushtë me Shefin e Logjistikës, Misim Sopën, dhe me komandantin e Togut të Logjistikës, Nazmi Kukën. Përgatitjet në aspektin shëndetësorë për Spitalin të Kulla e Hasanit, Komanda e Brigadës i ka bërë në koordinim të ngushtë me dr. Bejtush Jahën. Bejtush Jaha, ka kompletuar ekipet mjekësore, ka bërë përgatitjen dhe kompletimin e pajisjeve mjekësore. Ka përgatitur dokumentacionin dhe ka njoftuar komandën e Brigadës 162 “Agim Bajrami” se ekipet mjekësore janë të gatshme të vazhdojnë me detyrat sipas planit luftarak. Kushtet ishin të rënda, rastet e rënda që kishin nevojë për kirurg detyroheshin t’i përcillnin jashtë Kosovës. Për bartjen e të plagosurve rol të rëndësishëm kanë luajtur dy Skuadra të Togut Vëzhgues i cili udhëhiqej nga komandanti i togut Fadil Çallaku. Për çdo të plagosur ekipi i përbërë nga Fadil Çallaku, Sadik Çallaku, Sylejman Mulaku, Nexhmedin Luta, Reshat Mulaku. Të plagosurit përcilleshin deri në Puset e Nikës, prej nga pastaj ushtarët e Rufki Sumës i përcillnin deri në Spitalet në Maqedoni apo në Shqipëri. Ka pas raste të rënda për bartjen e të plagosurve dhe sigurimin e tyre gjatë bartjes por kisha veçuar bartjen e ushtarëve të plagosur: Ramadan Murselit, Rrahim Sadikut, Fadil Bunjakut, Jashar Selimit dhe Shefki Gurit. Sidomos rasti i Fadil Bunjakut dhe Rrahim Sadikut kanë qenë raste më të rënda për shkak se kanë pas gjakderdhje të madhe. Falë angazhimit të ushtarëve janë përcjellë deri në spitalet në Maqedoni në siguri të plotë por fatkeqësisht ushtari Fadil Bunjaku nuk i mbijetoi plagëve dhe pas dy ditëve ndërron jetë në Spitalin e Tetovës. Këto dy raste për komandën e Brigadës kanë qenë shumë të rënda por si komandë e Brigadës do të jemi mirënjohës gjithmonë angazhimit të ushtarëve që natë e ditë kanë përcjellë ushtarë të plagosur deri në spitalet e caktuara.
Përshtypja ime, si njeri që ka marrë pjesë drejt për drejtë në drejtimin e luftës në këto anë, për peshën, rëndësinë dhe përkushtimin e mjekëve dhe ekipeve mjekësore në kuadër të Brigadës do ta përshkruaja kështu:
 
1. Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” i kishte kushtuar rëndësi tëveçantë Sektorit të Mjekësisë dhe sigurimit të pajisjeve mjekësore e të barnave. Ka bërë sigurimin fizik të spitaleve, ku ishin të vendosura edhe ekipet mjekësore.
 
2. Për çdo ditë kemi pranuar raportin mjekësorë nga dr. Bejtush Jahës dhe të ekipeve mjekësore, që vepronin në terren.
 
3. Përkushtimi i mjekëve dhe personelit mjekësorë ishte në nivelin e duhur dhe angazhimi i tyre ishte i pandërprerë.
 
4. Bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i ekipeve mjekësore ishte në koordinim të plotë me komandën e Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
5. Ushtarët të cilët kishin nevojë për mjekët ishin të kënaqur me shërbimin mjekësorë dhe gjatë tërë luftës nuk kemi pasur as edhe një ankesë më të voglën gjatë kryerjes së shërbimeve.
 
Në betejën e Gajres, falë sakrificës së madhe të UÇK-së e të ekipeve mjekësore, u arrit me sukses tërheqja e ushtarëve të plagosur, të cilët u dërguan në spitalin ushtarak të Brigadës 162 “Agim Bajrami” në Ivajë. ku menjëherë filloi kontrollimi i tyre dhe intervenimet e nevojshme mjekësore. Kontribut të madh dhanë mjekët: BejtushJaha, Fadil Gashi, Dërgut Ҫuni, si dhe punëtorët teknikë: GilteneTroni etj. (shih në librin e mr.sc. HajrushKurtaj “Lufta e UҪK-së në ZON” f.64, 65, 66 si dhe f.68, 69, 70, 71). Si dhe në librin e Kolonel Hajrush Kurtaj“Në rrugën e lirisë” f. 190, 191, 200.
Koordinimin, kujdesin për popullatën civile komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” gjithherë e kishte prioritet dhe në plan të parë. Kujdesej për sigurinë e tyre. Për ushqimin e tyre. Për strehimin e tyre. Si dhe vendosjen ne vende të sigurta. Para operacioneve luftarake komanda e Brigadës kishte plan për evakuimin e popullatës civile në vende të sigurta. Ngarkonte ekipet mjekësore që të kujdesen edhe për to. Të gjitha këto aktivitete Komanda e Brigadës e angazhonte Drejtorin e Drejtorisë Civile z. Xhelal Gashi, që në bashkëpunim me Shefin për Bashkëpunim Civilo-Ushtarak në kuadër tëShtabit tëBrigadës Izet Krivanjeva, që të kujdesen për këto aktivitete dhe ata çdo ditë do të raportonin për gjendjen e popullatës civile dhe kërkesat. Kemi pasur të caktuar përgjegjësit për popullatën civile, të cilat kishin obligim të organizojnë mbrojtje, në rast të operacioneve luftarake:
 
Evakuimin e popullatës civile në bazë të planit tëBrigadës 162 “Agim Bajrami”.
Për nevojat për ushqim.
Vendosjen nëpër vende të sigurta në tenda.
Shërbimin mjekësorë.

Edhe pse në rrethana shumë të vështira dhe kushte të rënda qytetarët e Kaçanikut gjithherë ishin në shërbim të UÇK-së dhe krah për krahë me UÇK-në.
Komandimi dhe kontrolli janë elementet thelbësore të artit ushtarak dhe të shkencës së luftës. Komandimi dhe kontrolli kanë të bëjnë me ushtrimin e autoritetit dhe drejtimit, që realizohet nga një komandant i emëruar në detyrë sipas rregullave mbi forcat e caktuara dhe të ushtruara për përmbushjen e misionit. Komandimi është akti autoritar i marrjes së vendimit dhe i urdhërimit të verimit luftarak. Kontrolli është akti imbikëqyrjes së këtij veprimi dhe i ndikimit mbi të. Komandimi është autoriteti i një komandanti, i cili ushtron në mënyrë të ligjshme, gjatë shërbimit të tij ushtarak mbi varësit e tij në saje të gradës dhe të detyrës. Autoriteti përfshin të drejtën dhe lirinë për të përdorur forcën e komandimit dhe në fund të fundit edhe për të imponuar bindje.
Përderisa ushtria ekziston për t’i zhvilluar me sukses dhe për ti fituar luftërat e kombit, që të kuptohet komandimi fillimisht duhet kuptuar se si lufton ushtria. Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” gjatë gjithë luftës i ka pasur dhe zbatuar këto qëndrime.
MҪ 23.09.2014 
 
                                                                               
Kolonel Hajrush Kurtaj
 
BIOGRAFIT E TRI DËSHMORËVE TË CILAT KANË SHËRBYER NË SEKTORIN E SHËNDETËSISË
 
 
JEHONA Sabit RAKA (6.11.1976 – 9.4.1999)
 
Kaçaniku, vend i luftëtarëve të Lidhjes së Prizrenit, i luftëtarëve të të gjitha luftërave për çlirim kombëtar edhe në luftën vendimtare të UÇK-së, u bëri ballë rrebesheve e furtunave të forta në mënyrë stoike. Shumë ushtarë të armikut kishin lënë eshtrat e tyre në këtë qytet, në Grykën e Kaçanikut heroik. Kjo Grykë preu shumë kolona armike që gjarpëronin për në thellësi të trungut shqiptar. Ajo ishte përherë barrikadë e gjallë e sulmeve armike ndër kohëra. Gryka e Kaçanikut është vend i legjendave të kohërave historike. Këtë e përsëritën edhe bijtë e bijat e Kaçanikut edhe në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në radhët e luftëtarëve të UÇK-së u radhit edhe ushtarja Jehona Raka, e lindur më 6 nëntor 1976 në Kaçanik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në shkollën “EminDuraku” në Kaçanik, ndërsa të mesmen e kreu në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli” në Prishtinë.
Në vitin 1995 u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Filologjik, dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Gjatë studimeve u shqua si studentë e shkëlqyeshme, ku me sukses të merituar përfundoi vitin e tretë të studimeve. Gjatë vitit 1998 punoi vullnetarisht në Shtëpinë e Shëndetit “Nëna Terezë” në Kaçanik. Jehona shoqe të ngushtë e kishte Lumnije Rakën, e cila ishte edhe kushërira e saj. Ato kishin afërsi që nga rinia e hershme, meqë i kishte lidhur mosha, shkolla dhe jeta familjare. Por me kalimin e kohës ato do të lidhen edhe me idealet e përbashkëta atdhetare.
Jeta studentore i kishte lidhur ato edhe me rrethanat aktuale të kohës. Në radhët e rinisë studentore, asokohe vlonin bisedat për organizatat ilegale kundër pushtuesit. Mjediset studentore si gjithnjë ishin të mbushura me veprimtarë të ilegales atdhetare. Në këtë kohë shumë studentë ishin radhitur në stukturat e UÇK-së dhe kryenin detyra të ndryshme në zonat e luftës dhe zonat jashtë luftimeve të drejtëpërdrejta, ku vazhdonin përgatitjet në furnizim, informim mbi lëvizjet e forcave të armikut. Aktivitetet e tyre i shtrinin në fushat e rekrutimit, propagandës, organizimit në përkrahje të luftës çlirimtare.
Përpjekjet për të kontribuar këto dy bashkëluftëtare i filluan nga koha e studimit, ku ranë në kontakt me disa shokë studentë si: XheladinKurtaj, NehatMustafa e Bashkim Fazliu. Detyra e parë që ato marrin përsipër është vëzhgimi i lëvizjeve të armikut në rrugën kryesore te Kaçanikut. Këtë detyrë e kryejnë me sukses të madh. Për një kohë të caktuar raportojnë të përgjegjësi, Fadil Çaka i cili ishte caktuar në këtë detyrë nga komanda.
Më 20 tetor të vitit 1998, Jehona së bashku me Lumnije Rakën, paraqiten në komandën e Brigadës për të kryer stërvitjet e nevojshme ushtarake e luftarake.
Stërvitjet ushtarake i kryen individualisht me direktivat e komandës gjatë tetorit e nëntorit të vitit 1998. Përgatitjet për detyrat e vëzhgimit i kanë stërvitur me eprorin e UÇK-së, Fadil Çaka. Në këtë stërvitje ka marrë pjesë edhe Lumnije Raka dhe ushtarë e ushtare të tjera nga Kaçaniku. Pas kryerjes së stërvitjeve ushtarake Jehona me bashkëluftëtarët e saj sistemohet në njësitin e vëzhgimit, njësit që vepronte në qytetin e Kaçanikut. Njësitin e përbënin: MuhametZeneli, Fadil Çaka, Nehat Çaka, Lumnije Raka, Jehona Raka, Rrustem Dema etj.
Në fillim të vitit 1999, gjendja po krijohej me zhvillimin e hapur të luftimeve kundër forcave serbe në rrethin e Kaçanikut, ku në pjesën e maleve të Sharrit mbi qytet ishin radhitur ushtarët e Brigadës 162 “Agim Bajrami”. Këto ngjarje tërhoqën edhe më afër Jehonën dhe Lumnijen. Pas një kohe të veprimtarisë së fshehtë tani ato dyja vendosen në pikën e luftës, në Lagjen Rakoc të Kaçanikut. Si ushtare guximtare, ato përveç detyrave luftarake që kishin, kontribuan shumë edhe në përkujdesjet mjekësore ndaj të plagosurve dhe të sëmurëve, meqë të dyja ishin infermiere me profesion. Bashkëluftëtarët e Jehonës kanë qenë: Lumnije Raka, Emsale Frangu, Fadil Çaka, MukadezeLika – Muhaxheri, Ilir Zharku, Nehat Çaka, FarukDogani, MuhametZeneli, Rrustem Dema, Kadri Trena, Abdurrahman Shehu, Melihate Shehu, Valdete Shurdhani e të tjerë.
Gjatë gjithë kohës, ato nuk kursyen asgjë nga vetja për t’iu ndihmuar luftëtarëve që kishin marrë plagët e lirisë. Guximin që kishin këto dy heroina bëri që ato të gjenden në çdo situatë të luftës së pandalshme për ballë çdo rreziku. Sakrifica e tyre qe e madhe, supet e tyre bartën detyra të vështira luftarake deri në ditën e rënies së tyre.
Në mëngjesin e 9 prillit, të vitit 1999, armiku kishte sulmuar me shumë forca dhe me teknikë të rëndë ushtarake dhe luftarake. Synimi i armikut ishte që të mbante jashtë qytetit njësitet e UÇK-së, për të mos rënë qyteti në duar të tyre, me qëllim që ta siguronte Grykën e Kaçanikut për qarkullim të lirë. Mirëpo Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe njësitet e kësaj brigade dinin rëndësinë e kësaj gryke historike, andaj edhe ishin gati të luftonin për të deri në flijim. Beteja e 9 prillit ishte e pakompromis. Luftëtarët trima të Brigadës 162 “Agim Bajrami” e posaçërisht njësitet e Batalionit të Dytë, të komanduara nga komandanti, Azem Guri dhe njësia e Policisë Ushtarake nuk tërhiqen as përparë granatimeve të fuqishme të artilerisë armike, tankeve, autoblindave dhe të gjitha armëve të tjera. Në këtë luftë të madhe merrte pjesë drejtpërdrejt edhe QamilIlazi, komandanti i Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Jehona bashkë me Lumnijen ishin atë ditë në detyrat e tyre luftarake që i takonte çdo luftëtari në front. Pas tërë kësaj lufte që u zhvillua në kodrat përreth qytetit në një moment krijohet situatë e tillë, kur popullata civile duhej të tërhiqej përtej, në malet mbi Kaçanik, që të strehohej nga granatimet e armikut . Në një kolonë që po tërhiqej nëpër Përroin e Rakocit, i ndihmonin dhe ishin në ballë Jehona dhe Lumnija bashkë me disa shokë e shoqe ushtare. Para se të arrinin në lartësinë absolute të përroit, nga një pritë e befasishme e armikut bien në përleshje me forcat e armikut, Lumnija dhe Jehona, pranë njëratjetrës, bien bashkë, ashtu siç ishin tërë jetën të pandashme dhe të vendosura në rrugën e çlirimit kombëtar. Po këtë ditë në Rakoc dhe Lagje të Re bashkë me Jehonën ranë dëshmorë: Izahir G. Troni, Fadil I. Çaka, Nehat I. Çaka, Muhamet N. Zeneli, Ilir E. Zharku, Ejup Dushkaja, Faruk V. Dogani, Kjani M. Bela, Nexhmush Q. Elezi, NexhmushFera, Shefket N. Fera, Lumnije Sh. Raka, Emsale Z. Frangu, MukadezeLika – Muhaxheri, Nevzat M. Qallaku, Minir B. Thaqi, Fatmir A. Horuni, Blerim R. Raka, Habit R. Dullovi, Avdurrahim D. Shehu, Remzi Sh. Zharku, Reshat Sh. Shehu, Daut e Adem Sh. Rakoci, Raif A. Krivanjeva, Sylejman R. Kuka dhe Burim S. Rexha. Po atë ditë nga radhët e popullatës civile u martirizuan: Nebih H. Topojani, Izahir T. Çaka, Irfete B. Çaka, JonuzBajra, Murat S. Raka, Menduh S. Nallbani, Tefik M. Nallbani, Maksut N. Nallbani, Gjili B. Rexha, Hamide Z. Rexha, Mine A. Gashi, Nezrike B. Dogani, Hamid H. Shehu, Haki H. Livoreka, Avdullah Sh. Burrniku, Adnan I. Gula, Rizah H. Koraçi, Bedri A. Zharku, Aziz I. Axhami, Rufki B. Mulaku, Ramadan S. Spahiu, Afet R. Bushi, dhe Maliq H. Zharku. Ndërsa u plagosën këta ushtarë: Rrustem D. Dema, Besnik Bajra, NexhmedinBrruti, ndërsa nga popullata civile u plagosën: Xhemajl Sopa dhe Hazbije Nikaj – Koxha. Trupi i dëshmores, Jehona Raka dhe bashkëluftëtarëve të saj u gjet në varrezat masive, në fshatin Kaçanik i Vjetër. Në korrik 1999 me nderime ushtarake u organizua rivarrimi i saj dhe i dëshmorëve të tjerë, në Varrezat e Dëshmorëve në vendin e quajtur “Te Dardha” në Kaçanik. Në vendin e rënies, në altarin e atdheut, Jehonës, 18 dëshmorëve dhe 22 martirëve iu është ngritur lapidari i përbashkët, në Rakoc të Kaçanikut.
Jehona Raka është marrë me shkrime që nga fëmijëria. Mbante edhe ditarin të cilin e ka humbur gjatë luftës. Ajo la pas vetes babanë, Sabitin, Nënën Hamdien, motrat: Violetën, Lenditën, vëllezërit: Diamantin, Kadriun dhe Fisnikun.
 
 
 
EMSALE Izjadin FRANGU (5.2.1981 – 9.4.1999)

 Emsale Frangu u lind më 5 shkurt 1981 në Kaçanik. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Në mësime dallohej me sukses të shkëlqyeshëm. E donte shumë profesionin e mjekësisë, por edhe duke parë nevojën e popullit ajo regjistrohet në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj. Mësimet në këtë shkollë i vazhdoi me sukses të shkëlqyeshëm, por nuk arriti t’i përfundojë. Ndërpreu maturën dhe radhitet në radhët e UÇK-së, në Brigadën 162 “Agim Bajrami” në Kaçanik, më 20 mars 1999, luftëtare e lirisë në ekipet e mjekësore, në pikën e luftës, në Rakoc të Kaçanikut. Frymëzimin për atdhedashuri e kishte marrë nga prindërit, si dhe nga arsimtarët, sidomos nga profesori i respektuar Mejdi Dalloshi, dëshmor i kombit. Gëzimin më të madh në jetë ajo e përjetoi ditën kur më 20 mars 1999 vesh uniformën e UÇK-së, kur puth flamurin kombëtar duke dhënë betimin e shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe duke u radhitur në krahë të shoqeve bashkëluftëtare Lumnije Raka, Jehona Raka, Melihate Shehu, Sevdije Shehu, KadrijePiliqi, NevzatQallaku, Avdurrahim Shehu e të bashkëluftëtarëve të tjerë, ndër të cilët edhe mjeku NejaziRaka. Kur flakët e luftës kishin përfshirë tërë Kosovën luftëtaret e lirisë nuk mund të rrinin në shtëpitë e boshatisura nga djemtë dhe burrat, sepse ato nuk kishin lindur vetëm për t’i vajtuar vëllezërit e tyre të vrarë e të masakruar nga dora kriminele serbe, por ato vendosen që të radhitën në radhët e UÇK-së dhe të vendosura krah për krah me vëllezërit e tyre në vijën e parë të frontit. Ato luftuan krah per krah me vëllezërit e tyre në vijën e parë të frontit, duke ndjekur shembullin e dëshmorëve XhevëLladrovci, FatimeHetemi, e të tjera.Në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, armiku kishte sulmuar me shumë forca ushtarake Rakocin e Kaçanikut. Synimi i armikut ishte që t’i mbante jashtë qytetit njësitet e UÇK-së, për të mos rënë qyteti në duart e tyre, me qëllim që ta siguronte Grykën e Kaçanikut për qarkullim të lirë të këtyre forcave.
Mirëpo Komanda e Brigadës 162 “Agim Bajrami” dhe njësitet e dinin rëndësinë e kësaj gryke historike, andaj edhe ishin gati të luftonin deri në flijim. Beteja ishte e pakompromis. Luftëtarët e Brigadës 162 “Agim Bajrami” e posaçërisht njësitet e Batalionit II dhe njësiteve të Policisë Ushtarake nuk u tërhoqën para asnjë rreziku. Emsalja bashkë me Jehonën dhe Lumnijen ishin në detyrat e tyre luftarake. Sulmi i egër serb e detyroi popullatën e qytetit të Kaçanikut të tërhiqej në malet mbi Kaçanik që të strehohej nga granatimet armike. Në një kolonë që po tërhiqej në Përroin e Rakocit ishte edhe Emsalja bashkë me Jehonën dhe Lumnijen si dhe me bashkëluftëtarë të tjerë .
Duke mbrojtur popullatën civile në tërheqje, filloi një betejë e ashpër në mes të forcave serbe dhe UÇK-së. Në krye të kësaj detyre bien heroikisht Emsale Frangu me bashkëluftëtarët: Nehat Çaka, Muhamet Zeneli, Faruk Dogani, Ilir Zharku, Nexhmush Elezi, Lumnije Raka, Jehona Raka. Po në këtë ditë në këtë luftë heroike nga njësitet e Batalionit II bien edhe dëshmorët: MukadezeLika – Muhaxheri, Reshat Shehu, DautRakoci, Adem Rakoci, Kjani Bela, Nexhmi Fera, Shefket Fera, Nevzat Qallaku, Kadri Trena dhe Nexhmedin Brruti. Nga radha e popullatës civile martirizohen: XhemajlBrodi, Izjadin Frangu, NebihTopojani, XheliRexha, HamideRexha, NerzikeDogani, Mine Gashi, Tefik Shehu, GiliRaka, EkremRaka, Haxhi Livoreka, Bajrush Axhami, JonuzBajra, MuratRaka, Izahir Çaka dhe Irfete Çaka. Po ashtu nga popullata civile u palgosënXhemal Sopa dhe HazbijeNikaj – Koxha. Po të njëjtën ditë, vritet edhe babai i Emsales, Izjadini, kurse gjyshi XhemalHaziri (Brodi) merret peng.
Trupi i dëshmores Emsale Frangu dhe i disa të rënëve të tjerë u varrosën nga bashkëpunëtorët dhe forcat e armikut, në varrin masiv, te varrezat e qytetit, më 10 prill të vitit 1999, kurse më 22 shtator të vitit 1999 u organizua rivarrimi i tyre në Varrezat e Dëshmorëve të Kaçanikut. Në vendin e rënies, në altarin e atdheut, Emsales, 18 dëshmorëve dhe 22 martirëve u është ngritur lapidari i përbashkët, në Rakoc të Kaçanikut.
Emsalja kishte prirje edhe për krijimtari poetike. Si maturante, me fillimin e luftës në Kosovë shkroi poezi për dëshmorët e parë.
Familja e Emsale Frangut në Kaçanik për bijën dëshmore ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së nga Ministria e Mbrojtjes së QPK-së nga Komanda e Zonës, nga Komanda e Brigadës, nga Këshilli Komunal i Kaçanikut dhe nga Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
 
 
 
LUMNIJE Sherif RAKA (11.6.1976 – 9.4.1999)
 
Krahas djalërisë shqiptare, në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u radhitën edhe shumë bija liridashëse nga mbrarë trojet tona. Ndër vajzat e para, që vullnetarisht u radhitën në radhët e UÇK-së, në rrethin e Kaçanikut, ishte edhe Lumnije Raka.
Lumnije Raka u lind më 11 qershor të vitit 1976, në Kaçanik. Shkollën fillore e ka kryer në Bob të Kaçanikut, ndërsa shkollimin e mesëm e vazhdoi në Prishtinë, në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Ali Sokoli”. Si nxënëse ishte shembullore dhe aktiviste e dalluar në jetën kulturore artistike.
Pas mbarimit të shkollës së mesme, përkundër dëshirës për të punuar si motër medicinale, entet shëndetësore ishin uzurpuar nga pushtuesi, kështu që ajo regjistroi studimet ne Fakultetin Filozofik, degën e Pedagogjisë. Asokohe në radhët e rinisë studentore, si gjithnjë, shquheshin për veprimtari të grupeve ilegale të cilat vepronin kundër okupatorit.
Shumë studentë ishin radhitur në strukturat e UÇK-së dhe kryenin detyra të ndryshme në zonat jashtë luftimeve të drejtpërdrejta, si në furnizim, në informacion, rekrutim, propagandë, organizime të demonstrative në përkrahje të luftës çlirimtare. Në këto aktivitete ishte edhe Lumnije Raka, e cila ishte e brumosur me virtyte të larta kombëtare nga tradita familjare. Pas vitit 1981 pushtuesi nuk kishte ndalur arrestimet e veprimtarëve liridashës edhe në familjen Raka. Xhaxhai i Lumnijes, IsmajlRaka ishte veprimtar i dalluar i kombit, ish i burgosur politik. Ai kishte punuar shumë në përgatitjen e kaçanikasve për luftë, kishte punuar në furnizim me armatim. Por, denoncuesit e policisë dhe sigurimi serb, të ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tyre në vend, kishin bërë çdo gjë që ta pengojnë këtë veprimtari. Pasi e arrestojnë atë, e maltretojnë dhe e keqtrajtojnë deri në vdekje. Për arrestimin e IsmajlRakës kanë kontribuar edhe bashkëpunëtorët: Afet Rexhallari, HalitLoku e shërbëtorë të okupatorit serb. Pasi e arrestojnë e vrasin barbarisht në stacionin e policisë në Ferizaj.
Edhe pse regjimi serb kishte okupuar intitucionet shëndetësore, Lumnija nuk hezitoi të japë kontributin e saj në shëndetësi, me qëllim për t’i shërbyer popullit të shumëvuajtur dhe të keqtrajtuar nga pushtuesi. Ajo njëkohësisht lidhje edhe me njësitet e UÇK-së, duke i ndihmuar në forma të ndryshme me medikamente, strehimin dhe shërimin e të plagosurve.
Edhe pse ishte e re, ajo mori pjesë në demonstratat e studentëve, në të gjitha tubimet e organizuara kundër pushtuesit që nga viti 1991 e deri në aktin e rënies në altarin e atdheut.
Duke qenë se njësiti i Kaçanikut ndodhej në luftimet në pikat ushtarake të UÇK-së në Jezerc, në vitin 1998 dhe pas betejës së 10 gushtit 1998 në Gabrricë, kundër forcave pushtuese, Lumnije Rakës, sikur iu shua dëshira për studime. Ajo tashmë kishte një dëshirë dhe ideal të vetëm, të kontaktonte me çlirimtarët dhe të radhitet në mesin e tyre. Më 20 tetor të vitit 1998, së bashku me Jehona Rakën, paraqitet vullnetarisht në Komandën e Brigadës për t’i kryer stërvitjet e nevojshme ushtarake dhe luftarake. Gatishmërinë e saj për t’iu bashkuar radhëve të UÇK-së e shprehu në prani të eprorëve: QamilIlazi e HajrushKurtaj, të cilët ndërkohë i informon lidhur me aktivitetet e saj dhe të femrave të tjera të Kaçanikut, të cilat kishin shfaqur gatishmërinë për të hyrë në radhët e UÇK-së.
Stërvitjet ushtarake i kryen individualisht gjatë tetorit dhe nëntorit 1998. Përgatitjet për detyrat e vëzhgimit i ka stërvitur me komandantin e skuadrës së policisë ushtarake, Fadil Çakën.
Në këto stërvitje ka marrë pjesë edhe Jehona Raka dhe ushtare të tjera nga Kaçaniku. Pas kryerjes së stërvitjes ushtarake, Lumnija me bashkëluftëtarët e saj sistemohet në njësitin vëzhgues të policisë ushtarake, njësit që vepronte nëpër qytetin e Kaçanikut. Disa herë kërkon nga komanda e brigadës, të ndërmarrë aksione kundër forcave serbe dhe bashkëpuntorëve të tyre shqiptarë, të cilët ishin vënë në shërbim të armikut kundër popullit të vet.
Detyrat që kishte marrë, Lumnije Raka i kryen deri në fund të shkurtit, kurse nga fillimi i marsit 1999, në pikën e luftës, në Lagjen e Rakocit në Kaçanik me detyrë ishte si infermiere e luftës.
Deri në këtë kohë vepron në kuadër të skuadrës vëzhguese, skuadrës së policisë ushtarake, pastaj sistemohet në ekipet mjekësore në kuadër të Batalionit të Dytë, të udhëhequr nga Azem Guri.
Lumnije Raka kishte demonstruar aftësi dhe shkathtësi luftarake në përdorimin e armës dhe në gjuajtje në distancë të ndryshme, si dhe kishte treguar dije të duhur në mjekësi. Ajo kishte shërbyer si vëzhguese, por edhe si police ushtarake, ku ishte angazhuar drejtpërdrejt nga komanda e brigadës, kurse më vonë si luftëtare dhe infirmiere në luftë, ku ka bërë një punë të shkëlqyeshme.
Në njësitin e mjekësisë si infermiere ishte e afërt me Milihate Shehun, Valdete Shurdhanin etj. Me rastin e riorganizimit të njësive të brigadës në pozicione, Lumnija me bashkëluftëtarët: Jehona Raka, Emsale Frangu, Fadil Çaka, Ilir Zharku, Nehat Çaka, MuhametZeneli, FarukDogani, Kadri Trena dhe Avdyrrahman Shehu, ishin së bashku deri në momentin e rënies. Lumnija kishte një kondicion të mirë fizik, ishte shtatlart, e shëndetshme dhe e fuqishme fizikisht. Po, ashtu, kishte talent në përdorimin e armës, prandaj shumë shpejt e kishte zotëruar atë. E inspiruar nga heroina, Shotë Galica, Lumnija sikur ishte mishëruar me heroinën, duke mos pushuar, deri në rënien heroike, më 9 prill 1999.
Rezistenca çlirimtare zhvillohej edhe brenda qytetit të Kaçanikut nga njësiti tashmë i dëshmuar i policisë ushtarake. Në këtë njësit vepronte edhe Lumnije Raka, njësit i cili ndërmori shumë aksione të suksesshme.
Me synim për parandalimin e hyrjes së forcave okupatore në lagjet e qytetit, ku popullata civile ishte më e koncentruar, luftëtarët e UÇK-së në hyrje të qytetit të Kaçanikut sulmuan befasi kolonën e motorizuar të armikut, paaftësuan një autoblindë, një kamion me ushtarë e municione në Lagjen e Re.
Atë ditë forcave serbe iu pamundësua hyrja më në thellësi të qytetit, te vendqëndrimet e popullatës civile. Edhe pse granatimet dhe mitralimet të kalibrave të ndryshëm vazhduan si hakmarrje ndaj humbjeve, që serbët kishin pësuar në fushëbeteja.
Plani serb i tokës së djegur, i gjenocidit mbi popullatën civile, u dëshmua edhe në aksionet e 8 prillit 1999.
Formacionet ushtarake të UÇK-së, krahas obligimit të përgjithshëm për mbrojtjen e popullatës civile, po zbatonin edhe urdhërin aktual të Shtabit të Përgjithshëm. Koncentrimet e UÇK-së në qytet u shtuan edhe me Batalionin e Dytë e formacione të tjera të brigadës 162 “Agim Bajrami”, por edhe armiku i zemëruar tejmase nga humbjet e pësuara edhe një ditë më parë, më 9 prill 1999, kishte marrë masa rrethimi me të gjitha potencialet ushtarako – policore paramilitare. Në shërbimin e okupatorit ishte vënë edhe ndonjë tradhtar i popullit, si ShaipReka. Sulmi i forcave ushtarake e policore serbe në lagjet: Dushkajë, Rakoc, te Përroni i Rakocit dhe në Lagjen e Re. Dushkaja, përpos që u dogj, u përdor edhe si pozicion prej nga sulmoheshin edhe lagjet e tjera. Luftimet ishin të ashpra. Edhe pse e pabarabartë në armatim, UÇK-ja dëmtoi forcat armike në njerëz e në teknikë ushtarake. Ata u hakmorën mbi popullatën civile. Por, atë ditë ranë shumë ushtarë të UÇK-së dhe pjesëtarë të popullatës civile.
Atë ditë ranë dëshmorë 28 ushtarë, kurse dy të tjerë u plagosën dhe u martirizuan 32 civilë e 3 u plagosën.
Më 9 prill 1999, kanë rënë luftëtarët: Izahir Troni (komandant togu), Fadil Çaka (komandant skuadre), Nehat Çaka, Ilir Zharku, Ejup Dushkaja, Faruk Dogani, Kjani Bela, Nexhmush Elezi, Nexhmush Fera, Shefket Fera, Jehona Raka, infermierja Lumnije Raka, infermierja Emsale Frangu, MukadezeLika – Muhaxheri, Nevzat Çallaku, Mynir Thaçi, Fatmir Horuni, Blerim Raka, Habit Dullovi, Avdyrrahim Shehu, RemziZharku, Reshat Shehu, Daut Rakoci, Adem Rakoci, Raif Krivanjeva,Sylejman Kuka dhe Burim Rexha.
Nga radhët e popullsisë civile u martirizuan: Nebih H. Topojani, Izahir T. Çaka, Irfete B. Çaka, Jonuz B. Bajra, Murat Raka, Menduh Nallbani, Tefik Nallbani, Maksut Nallbani, Xhyli Rexha, Hamide Rexha, Mine Gashi, MerzikeDogani, Hamdi Shehu, Haki Livoreka, Xhyli Raka, Ekrem Raka, Xhemajl Haziri, Bajrush Axhami, Izjadin Frangu, Ilaz Rakoci, Osman Livoreka, Arif Raka, Nebih Livoreka, Avdullah Burrniku, Adnan Gula, Rizah Koraçi, Bedri Zharku, Aziz Axhami, Rufki Mulaku, Ramadan Spahiu, Afet Bushi dhe Maliq Zharku. Të plagosur ishin ushtarët: Besnik Bajra, Nexhmedin Brruti dhe Rrustem Dema, si dhe civilët: Xhemajl Sopa e Hazbije Nika – Koxha .
Po atë ditë, më 9 prill 1999, forcat armike sulmuan edhe fshatin Nikë. Qëllimi i tyre ishte i qartë, sepse po përsëritej gjithandej në Kosovë me vrasje, plaçkitje, përndjekje e përfundimisht edhe shkatërrimi i kushteve të jetës. Por me sulmin në Nikaj, synohej edhe krijimi i përshtypjes së ekspeditave vrastare ishte e gjerë, ashtu që krijohej psikozë pasigurie dhe të pamundësohej edhe ndihma për UÇK-në në luftimet në Kaçanik. Mirëpo, edhe atje u zhvillua një betejë e lavdishme, ku forcat e UÇK-së luftuan më moralin më të lartë e me gjithë fuqinë që mundësonte potenciali i tyre ushtarak.
Lumnija ishte e vendosur, i kishte gjithmonë të qarta vendimet e veta, kishte një qëndrim nga natyra, që përshkruante përsonazhin e një vajze inteligjente, e një vajze të edukuar mirë, të ndershme. Dëshironte që gjitmonë të jetë e sigurt në peshën e veprimeve të veta.
Trupi i dëshmores, Lumnije Raka dhe i bashkëluftëtarëve të saj, u gjetën në varrezat masive në fshatin Kaçanik i Vjetër. Në korrik 1999 u organizua rivarrimi i saj dhe i dëshmorëve të tjerë me nderime ushtarake në Varrezat e Dëshmorëve, në vendin e quajtur “Te Dardha”, në Kaçanik. Në vendin e rënies në altarin e lirisë, Lumnijes, 18 dëshmorëve dhe 22 civilëve u është ngritur lapidari i përbashkët në Rakoc të Kaçanikut. Trupi i saj pushon në Varrezat e Dëshmorëve të Kaçanikut.
Lumnije Raka pas vetes la nënën, Ajshe, Motrat: Selvijen, Salihen, Fetijen dhe Shkurten, vëllezërit: Sylejmanin e Kadrushin. Familja e Lumnije Rakës në Kaçanik, për bijën dëshmore ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e QPK, Komanda e Zonës, Komanda e Brigadës, Këshilli Komunal i Kaçanikut dhe nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
___________
Përgatiti për "Ora shqiptare", Rrahim Sadiku

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen