Sonntag, 19. Oktober 2014
Flamuri shqiptar nga Skenderbeu tek Ismail Qemali
Nga Ilirjan Gjika
1
Sot ata shihen kudo, në çdo vend, kohë dhe stinë. I gjen pothuajse gjithandej në aeroporte, porte, pika doganore, stadiume, institucione, shkolla, terrene sportive, tryeza pune etj. Flamurët janë kështu simbole të shtetit, kombit, organizatave, klubeve sportive, partive politike, si dhe të nderit, lavdisë ushtarake, krenarisë sportive etj., megjithëse nuk janë gjë tjetër veçse pëlhura që mbartin trajta, përmasa dhe ngjyra të caktuara, të cilat kur vihet në shtizë përfaqësojnë e përçojnë kuptime të simbolizuara. Secili flamur ka një histori të veçantë, pra një "ditëlindje" të tij.
Edhe flamuri ynë kombëtar ka në vetvete një histori të gjatë dhe interesante, të cilën do ta zbulojmë pak e nga pak në rubrikat e këtij shkrimi.
I njohur ndërkohë si flamuri shqiptar, ai bashkon në vetvete shtatë milionë e më shumë njerëz të ndarë në gjashtë shtete. I përbërë prej shqiponjës së zezë me dy krerë, me flatra të shpalosura në mënyrë simetrike, brenda një fushe të kuqe, ai përfaqëson një nga modelet e flamurit të dikurshëm të Bizantit.
2
Duke u futur thellë në histori, mësojmë se shqiponja ka qenë dikur në periudhën e Romës antike simbol i këtij shteti. Edhe sot të dyja klubet e njohura të futbollit në kryeqytet, Roma dhe Lacio, mbajnë përkatësisht simbole antike, nga ku i pari ka si të tillë kokën e ujkonjës së Kapitolit, ndërsa i dyti një shqiponjë të kaltër me krahë të hapur.
Si simbol i Republikës romake, shqiponja u përdor për herë të parë nga strategu i saj i shquar, Kaj Mari dhe më pas nga Katilina, Pompei dhe Cezari. Ky i fundit përdorte si simbol të tij shqiponjën e artë të vendosur në një fushë të kuqe. Po kështu veproi me stemën e Cezarit edhe nipi I tij, Perandori Oktavian Augusti, i cili u pasua më vonë edhe nga Kostandini i madh. Me ndarjen e Perandorisë Romake në vitin 395 në dy pjesë, shqiponja u transformua me dy koka, duke simbolizuar njëra Perandorinë e Perëndimit me qendër Romën dhe tjetra Perandorinë e lindjes me qendër Kostandinopojën, (Bizantin). Ndërkohë, Perëndimi u pushtua nga barbarët në vitin 476, duke humbur traditat më të vyera të antikitetit, e bashkë me to edhe simbolin e tij. Ndërsa Lindja vazhdoi të jetojë edhe për 10 shekuj të tjerë, duke e ruajtur këtë simbol që vinte që prej kohërave më të lavdishme të Romës.
Formën dhe ngjyrat e tij, flamuri bizantin i mori gjatë sundimit të Justinianit (527-562), perandorit me origjinë ilire. Dukej se atij i pëlqente që dy kokat e shqiponjës t’i identifikonte me vetveten dhe të shoqen, perandoreshën Teodora. Më vonë, me kalimin e kohës, me anë të martesave dhe dhënies së privilegjeve, Bizanti ia dhuroi simbolin perandorak fisnikërisë së kombeve, që ishin integruar në këtë hapësirë shumëkombëshe. Kështu ndodhi me princat rumunë, bullgarë, gjermanë, rusë, serbë, grekë dhe shqiptarë. Kjo është arsyeja që këtë simbol sot e përdorin një duzinë popujsh e shtetesh, të cilat dikur kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta me Bizantin.
Duhet thënë se sot flamuri bizantin shfaqet si simbol i Kishës Ortodokse, pasardhëse e drejtpërdrejtë e Perandorisë së Lindjes, Bizantit, ndërsa një kopje e tij ruhet në një nga manastiret e malit Atos në Greqi, në ngjyrat e tij origjinale: shqiponjën e zezë me dy koka, të vendosur në një fushë të artë.
3
Një nga njerëzit më të shquar të kohës së tij, në Arbërinë e shekullit XIV, ishte edhe princi Andrea II Muzaka. Me ndihmën e Balshajve dhe aleatëve të tjerë të tij si: Arianitëve dhe Matrengëve, ai theu në vitin 1371 në betejën e Kosturit, mbretin Serb Vukashinin, që ishte zotërues i Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore (Histori e Popullit Shqiptar. Tirane 2002, fq.294). Pas kësaj fitoreje të bujshme, Perandori bizantin, Joani i V-të Paleolog, në shenjë nderimi për këtë fitore i konfirmoi Andrea Muzakës titullin e despotit (princit), duke i dhuruar stemën perandorake bizantine, siç ishte shqiponja e zezë me dy krerë e me yll në mes, vendosur në fushë të artë. Këtë fitore despoti Andrea e përjetësoi me ndërtimin e Kishës së Shën Athanasit në qytetin e Kosturit, në afresket e së cilës edhe sot mund të shihet portreti i tij, anash së cilit është pikturuar edhe shqiponja dykrerëshe, të cilës Muzaka i shtoi sipër edhe një yll gjashtëcepash (P. Xhufi, Nga Paleologët tek Muzakajt). Ky akt solli zëvendësimin e emblemës së hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një burim që shpërthente nga toka dhe ndahej në dy rrjedha, duke pasur një pishtar në mes, me stemën perandorake Këtë ndërrim simbolesh, humanisti shqiptar Gjon Muzaka e pasqyron kështu në memorien e tij të titulluar “Historia dhe gjenealogjia e familjes Muzaka”, botuar në Itali në vitin 1510. "Duhet ta dini se qysh nga kohët antike stema e derës sonë ka qenë një krua i gjallë, i cili rridhte në tokë me dy rrjedha në dy anë. Pastaj kemi pasur shqiponjën me dy krerë te kurorëzuar me një yll në mes". Ekzemplarë të kësaj steme ruhen po në Itali, njëra në kishën e madhe të Frankavilës në Otranto të Italisë, ku ndodhet epitafi i gdhendur mbi pllakën e varrit të despotit Gjon Muzaka, në të cilin lexohet. "I Plotfuqishmi Jezu të falet këtu Gjon Muzaka, i biri i Gjin Despotit, zot i Myzeqesë dhe i Epirit, që nga qyteti i Bizantit trashëgoi shqiponjën dykrenore që mbante në flamur". Edhe i dyti ndodhet në altarin e Kishës së Shën Marisë së Amalfit, në Monopoli, ku lexohet një tjetër epitaf i varrit të dom Thoma Muzakës, një tjetri pinjoll të kësaj familjeje, që emigroi këtu në vitin 1479 (P. Xhufi, Stema dhe familje fisnike nga Myzeqeja, Myzeqeja V, 1995).
Duhet theksuar se deri më sot shumica e shqiptarëve mendojnë se flamuri i tyre është flamuri i Skënderbeut, pa e ditur origjinën e mëparshme të tij. Edhe sot ne nuk e dimë me saktësi se kur Skënderbeu përdori si simbol të shtetit të tij shqiponjën dykrenore. Njihet fakti se këtë simbol ai e huazoi nga Muzakajt, duke e zëvendësuar stemën që kishte trashëguar nga i ati Gjoni. Ky i fundit përdorte si stemë figurën e një princi ose të një burri me flokë të gjatë dhe togë (Gjin Varfi, Heraldika shqiptare, Tiranë, 2000, f. 27). Shqiponjën dykrenore e kanë përdorur si simbol të tillë edhe Arianitët, Cernojeviçët e Zetës, Lekë Dukagjini etj. Për herë të parë në histori emblema e Gjergj Kastriotit me shqiponjën dykrenore shfaqet në vitin 1451. Ajo paraqitet në një libër uratash që iu dhurua Skënderbeut nga Alfonsi V, Mbreti i Napolit, me rastin e nënshkrimit të traktatit të Gaetës në 26 mars 1451. (Gj. Varfi, Heraldika shqiptare, f. 32). Ai iu dorëzua ambasadorëve të Skënderbeut që nënshkruan këtë traktat, peshkopit Stefan të Krujës dhe at Nikola de Bergucit nga protonoteri i Alfonsit, Arnaldo Fonoleda. Simboli përfaqësues i shtetit të Skënderbeut del përsëri në një katalog venecian stemash në vitin 1463, kur Gjon Kastrioti, i biri i heroit, mori titullin "Fisnik i Republikës". (Akademia e Shkencës, Historia e popullit shqiptar, f. 434). Po kështu ky simbol ruhet i gdhendur në varrin monumental të Kostandin Kastriotit, ndërtuar në vitin 1500 nga gjyshja e tij, Donika, në Kishën e Shën Marisë së Engjëjve në Napoli. Njëlloj si në flamur, Skënderbeu e përdori shqiponjën dykrenore, me krahë të ulur dhe yllin me gjashtë cepa sipër, edhe në vulën e tij të madhe, të cilën e përdorte në dokumentet zyrtare. (Historia e popullit shqiptar, f. 433). Ndërkohë, kur Kastriotët u larguan në Itali pas vdekjes së tij në 17 janar 1468, ata jo vetëm e ruajtën simbolin e tyre, por e përdorën gjerësisht atë si stemë të heraldikës së tyre.
Sidoqoftë, në gojëdhënat e arbëreshëve, ky kumt mbeti i gjallë, thekson në kujtimet e tij Eqrem Vlora, një nga intelektualët më të shquar shqiptarë të shekullit XX. “Stemën e mësipërme mbi varrin e nipit të Skënderbeut në Kishën e Shën Marisë së Engjëjve, në Napoli, që ishte shqiponja heraldike me një yll të bardhë e vezullues pesëcepash mbi të dy krerët”, e vendosën midis viteve 1880-1895, Zef Skiroi e më vonë Anselmio Sorekio, në të përmuajshmen e tyre arbëreshe dhe e botuan thuajse në çdo numër. Këtë emblemë si flamur të Shqipërisë, pas vitit 1900 e vë si simbol edhe Faik Konica në të përmuajshmen e tij, “Albania”, në Bruksel. Në shtator 1909, së bashku me djelmërinë e qytetit të Vlorës unë organizova në shtëpinë time shfaqjen e dramës “Pirrua” të Mihal Gramenos, ku ngrita për herë të parë flamurin shqiptar. Në kohën e kryengritjes së malësorëve katolikë në vitin 1911, në Cetinë, mbërritën vullnetarë arbëreshë për t’u bashkuar me kryengritësit e që për herë të parë mbanin një flamur kombëtar (Eqrem Bej Vlora, Kujtime, Tiranë, 2003, f. 313). Ngritja e flamurit vazhdon më tej tregimin e tij Eqrem Beu (po aty, f. 313-314), ka një histori të tillë. E pra në 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë me atë pakujdesinë shqiptaro-lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte se si ishte ai, kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njeri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im Hydai Efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem Beut varet në mur një flamur shqiptar i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti se a mund të merrej pa qenë aty i zoti. Ismail Beu i dha leje dhe kështu flamuri që dikur Don Alandro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail Qemalit, i cili ia dorëzoi Murat Bej Toptanit me porosinë ta varte poshtë, ndërkohë që vetë qëndronte pranë në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në kopsht duke brohoritur "Rroftë, rroftë!” Një javë pas kthimit tim në Vlorë çova Murat Bej Toptanin dhe Hydai Efendiun tek Ismail Qemali, të ma kthenin atë menjëherë sapo zonja Marigo Pozio, një atdhetare e madhe demokrate, ta kishte qëndisur flamurin e ri.
4
Huan Pedro de Velasko, i vetëquajtur Don Alandro Kastrioti, ishte një princ spanjoll. Një stërgjysh i tij kish qenë nënmbret i Napolit dhe në vitin 1600 ky fisnik ishte martuar me markezen Auleta Kastrioti. Me një origjinë të tillë, Don Alandroja, ish-ambasador i Spanjës në disa vende të Evropës, e shpalli veten në fillim të viteve 1900 pretendent të fronit të Shqipërisë. Me famën që gëzonte, propagandën dhe mjetet financiare të shpenzuara prej tij, Alandro Kastrioti pati meritën që e bëri të njohur problemin shqiptar në qarqet politike evropiane. Diku në vitin 1907, Eqrem Bej Vlora, një nga kushërinjtë e Ismail Qemalit dhe njëri prej personaliteteve më të shquara të Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX, pati fatin të vizitonte Don Alandron në Paris (E. B. Vlora, Kujtime, Tiranë, 2003, f. 215). Takimin me këtë "personazh të çuditshëm" ai e përshkruan kështu: “Don Alandro na ftoi për darkë në vilën e madhe si pallat, ku na njohu me shoqërinë e lartë të pranishme. Pasi përfundoi darka një shërbëtor solli një kuti kadifeje të kuqe mbi një tabaka argjendi dhe e vendosi para don Alandros. Ai u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur... dhe pastaj hapi kutinë e kadifenjtë dhe nxori prej andej një flamur shqiptar, një shqiponjë e zezë dykrenore në fushë të kuqe dhe ma dha mua". Pesë vjet e ruajta këtë flamur në dhomën e gjumit varur me një gozhdë anash krevatit, derisa erdhi vërtet dita që kishte profetizuar don Alandroja. Krejt papritur e krejt rastësisht ky flamur u ngrit vërtet si simbol i Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndërkohë që në publicistikën historike vitet e fundit në shtypin e shkruar kanë qarkulluar edhe dy hipoteza të tjera rreth flamurit që u përdor gjatë ceremonialit të shpalljes së pavarësisë. E para thekson se flamurin e solli nga Bukureshti me Ismail Qemalin dhe grupin e patriotëve te tjerë shqiptarë, Spiridon Ilo. Ilo, firmëtar në aktin e pavarësisë thosh se, kushurira e tij Marigo Pozio, i qëndisi atij vetëm thekët. Ndërsa hipoteza e dytë thekson se flamurin e qëndisi Marigoja mbi vizatimin që bënë mbi pëlhurë patriotët Petro Fotografi dhe dom Mark Vasa.
Duhet pranuar se ka ardhur koha që shumë e shumë probleme hipotetike që mbart historia jonë kombëtare të sqarohen siç duhet. Kështu, mund të themi në mënyrë të argumentuar se flamuri ynë, pra "flamuri i Skënderbeut", është trashëgimi e ndikimeve romako-bizantine në Shqipërinë e shekujve të kaluar. I marrë në trajtën e një difuzioni kulturor ai ruan edhe sot formën e përgjithshme të simbolit bizantin dhe vetëm ngjyrën e zezë të shqiponjës. Kjo e fundit është ridimensionuar me kalimin e kohës, duke marrë një formë më të plotë e më të bukur, e cila i ka krijuar edhe origjinalitet të veçantë. Flamuri i ngritur në mënyrë simbolike ditën e 28 Nëntorit 1912 në Vlorë, i cili kurorëzoi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ishte flamuri i Kastriotëve, i ruajtur prej tyre gjatë brezave dhe i sjellë në Shqipëri nga Eqrem Bej Vlora, kushëriri i Ismail Qemalit. Ndërkohë që atdhetarja demokratike, zonja e respektuar Marigo Pozio, e përdori si model për ta riprodhuar flamurin zyrtar të shtetit të ri, flamurin e mësipërm. Kjo është shkurtimisht historia e flamurit të Shqipërisë, e simbolit tonë kombëtar.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen