Donnerstag, 8. Januar 2015

Ibrahim Dalliu

”Ne shqiptarët, prej çdo feje qofshim, jemi tanë vllazën gjaku dhe vllazën vatani . Do të shkojmë mbarë e mirë me shoq si jemi tue shkue, do të punojmë së bashku për lulzimin e atëdheut tonë dhe do ta mbrojmë atë me gjakun tonë”
(Ibrahim Dalliu)

Patriot quhet ai njeri që asht i pajuem me gjitha vetijat e nalta njerzore dhe kombtare. Atij duhet t’i ndizet gjaku, t’i idhnohet zemra kur të shohi e të ndigjojë se po cënohet e po merret ndër kambë e drejta e kombit të vet”.
(Ibrahim Dalliu) 

"... Përderisa në vendin tonë do të dominojnë e do të administrojnë njerëz që nuk kanë menduar në të mirë të Atdheut, unë do të jem në opozitë...".
(Ibrahim Dalliu) 

"…Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën as të afërme dhe as të largët. Nga turqit ne kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli… Shqipëria është shtet që i përket vetëm Evropës. Me Evropën na lidhë pozita gjeografike, mardhanjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë …”
(Dosja I. Dalliu, Arkivi Ministrisë së Mbrendshme, Tiranë, 1998)


Ibrahim Dalliu (1878-1952), teolog, përkthyes, poet, publicist, mësues dhe patriot shqiptar.

Hafiz Ibrahim Dalliu ishte një intelektual i shquar i trevës së Tiranës që ka shkrirë jetën e tij për çështjen kombëtare, për pavarësinë e vendit, për përhapjen e shkollave shqipe, për shkrimin e leximin e gjuhës amtare, për ruajtjen dhe forcimin e zakoneve e traditave të popullit shqiptar.

Hafiz Dalliu është një nga figurat më të shquara të periudhës së fundit të Rilindjes kombëtare shqiptare dhe periudhës së parë të pavarësisë së vendit, i cili ka punuar e luftuar me të gjitha forcat e mundësitë e tij fizike e mendore duke u vënë totalisht në dispozicion dhe funksion të çështjes kombëtare.

Ibrahim Dalliu lindi në vitin 1878 në një familje tiranase dhe që në adoleshencën dhe rininë e hershme u dallua për aftësitë e tij intelektuale. Pasi mbaroi shkollën “Ruzhdije” në vendlindje, në moshën 17 vjeçare shkoi për të vazhduar studimet në Stamboll, ku u pajis me kulturë të gjerë e të gjithanshme. Këtu Ai arriti të përvetësojë në shkallë të lartë gjuhët turqisht, arabisht e persisht dhe veç arsimit e kulturës fetare në të cilat u bë një ekspert i nivelit të lartë, studIoi dhe u njoh me dinamikën e aktivitetit patriotik të figurave më të njohura të Rilindjes shqiptare si vëllezërit Frashëri, Hasan Tahsini, Ismail Qemali, Jani Vreto, K. Kristoforidhi, Pashko Vasa, Sotir Peçi etj., një pjesë e të cilëve i njohu edhe personalisht. Kur u kthye në Tiranë në moshën 21 vjeçare ai kishte krijuar identitetin e tij patriotik duke përcaktuar qartë rrugën që do të ndiqte në jetë. Ai duke studiuar veprat e rilindësve shqiptarë dhe duke u njohur me veprimtarinë e tyre konkrete në interes të çështjes kombëtare, arriti të kuptojë shkaqet e prapambetjes së kombit shqiptar në raport me kombet e tjera dhe ishte ndërgjegjësuar për detyrat që e prisnin. Ai u kthye në Shqipëri në një moment kur lëvizja patriotike, nën ndikimin dhe veprimtarinë e shquar të patriotëve shqiptarë që vepronin nëpërmjet shoqatave patriotike të Stambollit, Bukureshtit, Egjiptit etj. dhe vendimet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, kishte marrë përmasa të reja. Tani patriotët shqiptarë u kishin drejtuar fuqive ndërkombëtare dhe Portës së Lartë, kërkesa me karakter të theksuar politik duke u kërkuar me forcë Pavarësinë  kombëtare, krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, përdorimin e gjuhës shqipe nga administrata e vendit, përhapja e shkollave në gjuhën shqipe etj. Në formimin patriotik të Hafiz Dalliut kanë ndikuar dy faktorë themelorë:
E para është origjina e tij familjare, një familje patriote e intelektuale, shtresë e mesme qytetare si dhe mjedisi shoqëror ku ai lindi dhe kaloi adoleshencën e tij. Babai i tij, Mustafai dhe dy vëllezërit, Hysniu dhe Aliu kanë qenë klerikë të njohur me tituj “Haxhi” dhe “Hafiz”. Mustafai ishte një intelektual dhe patriot i njohur që mbante lidhje me familjet më në zë të Tiranës dhe rrethet më të larta patriotike të qytetit. Kështu, Mustafai si mik i familjes Toptanase e vuri në kontakt Ibrahimin me Seremedin Toptanin dhe djalin e tij, Murat Toptanin me të cilin Hafiz Dalliu mbajti lidhje të ngushta gjatë gjithë aktivitetit të tij patriotik në Tiranë. Po ashtu u vu në kontakt edhe me shumë familje të tjera patriote tiranase. Në këtë mënyrë, Hafiz I. Dalliu i rritur në një mjedis të tillë familjar e shoqëror dhe për vetë cilësitë e tij intelektuale u brumos me ndjenjat e larta patriotike të dashurisë për Atdheun dhe gjuhën e popullit të tij, kuptoi gjendjen e rëndë në të cilën ndodhej Shqipëria  në atë periudhë dhe shkaqet që kishin çuar në atë gjendje.

Faktor tjetër shumë i rëndësishëm që ndikoi në formimin patriotik të Dalliut janë kontaktet e tij të shumta me patriotë shqiptarë të Komitetit të Stambollit gjatë periudhës që ishte me studime në Stamboll si dhe njohja me veprat e tyre teorike dhe praktike. Ai pati rastin të njihet me veprimtarinë e patriotëve të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, K. Kristoforidhi, Sotir Peçi, Jani Vreto, Pashko Vasa etj. Ai njohu këtu “Abetaren” e K. Kristoforidhit dhe atë të Sami Frashërit të cilat qenë përgatitur për mësimin e gjuhës në shkollat shqipe në vend, si dhe një tekst tjetër i përgatitur nga S. Frashërit “Dheshkronja”, tekst gjeografie për shkollat shqipe. Në mënyrë të veçantë u frymëzua nga vepra e madhe patriotike e Abdyl Frashërit, i cili si para edhe pas “Lidhjes së Prizrenit” shkruajti një numër artikujsh kushtuar vendit, për të promovuar të kaluarën e lashtë të shqiptarëve dhe historinë e tyre në trojet e veta të trashëguara nga të parët, si dhe kontaktet e shumta të tij politike dhe diplomatike me rrethet e larta drejtuese në vendet e ndryshme të Evropës etj. Jeta dhe vepra e këtyre patriotëve e brumosën Hafizin me dashurinë për Atdheun, për popullin dhe gjuhën shqipe, e frymëzuan atë në gjithë aktivitetin patriotik që kreu gjatë jetës së tij dhe i dhanë atij kurajon dhe fuqitë e nevojshme për të përballuar presionet e shumta e të gjithanshme dhe kërcënimet deri edhe me jetë.

Në këtë mënyrë Hafizi njohu thellë jo vetëm mjedisin politiko-shoqëror në të cilin jetonte populli shqiptar, politikën antishqiptare kundër lirisë dhe të drejtave të shqiptarëve, shtypjen politiko-ekonomike dhe ndalimin e gjuhës dhe shkollave shqipe, veprimtarinë përçarëse në radhët e popullsisë vendase etj., por edhe qëndrimin patriotik dhe luftën e vendosur që bënin rrethet patriotike tiranase dhe në përgjithësi të gjithë patriotët shqiptarë kundër kësaj politike antishqiptare që rrezikonte të shkatërronte përfundimisht çështjen shqiptare. Hafizi u rreshtua vendosmërisht në krahun e patriotëve dhe luftoi pa ndërprerë, gjatë gjithë jetës së tij për realizimin e aspiratave për pavarësinë kombëtare. Është kjo arsyeja që Hafiz Dalliun do ta gjejmë pjesëmarrës aktiv në gjithë ngjarjet dhe momentet më të rëndësishme që kaloi vendi pas kthimit të tij nga Stambolli në vitin 1901.

Kështu në vitin 1902 e gjejmë bëshkëpunëtor me Filip Ashikun në hapjen e shkollave shqipe në Tiranë duke vazhduar deri në fund të vitit 1903, kur këto shkolla u mbyllën; edhe se u mbyllën shkollat legale, Hafizi vazhdoi të njëjtin aktivitet në mënyrë ilegale duke drejtuar kurse të gjuhës shqipe në familjet e qytetarëve tiranas si kurset në familjen e Murat Toptanit për ta rifilluar përsëri këtë aktivitet në mënyrë legale në vitin 1908;

Në vitin 1908  së bashku me patriotët Refik Toptani, Mahmut Fortuzi, Hysni Dalliu etj. themeloi në Tiranë klubin patriotik “Bashkimi”, si mjet për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat kombëtare. Ky  Klub ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen dhe fuqizimin e lëvizjes patriotike për pavarësi kombëtare dhe në luftën për përhapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Klubi “Bashkimi” u hap nën patronazhin e Klubit të Manastirit dhe kishte një aktivitet shumë të gjerë. Lidhur me veprimtarinë e Klubit “Bashkimi” dhe ndikimin që kjo veprimtari pati në ngjarjet patriotike të asaj periudhe, H. Dalliu më vonë do të shkruante: “Që prej asaj kohe është mbjellë fara e urueshme e shqiptarizmës në Tiranë dhe ka zënë rrënjë në zemrat e tiranasve”.
Po në këtë vit e gjejmë shumë aktiv në përgatitjen e Kongresit të Manastirit dhe zbatimin e vendimeve te tij. Ai ka theksuar në shkrimet e tij rëndësinë e këtij Kongresi në historinë e kombit tonë në luftën për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare duke e quajtur atë “Kongresi i alfabetit”.

Në frymën e Kongresit të Manastirit dhe për zbatimin e vendimeve të tij, u mendua të mblidhej një kongres kombëtar për të diskutuar mbi zhvillimin dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe. Për këtë arsye në datat 2-9 shtator 1909 zhvilloi punimet Kongresi i Elbasanit në të cilin morën pjesë 35 delegatë si përfaqësues të gjithë shoqatave patriotike shqiptare brenda ose jashtë vendit. Këtu mori pjesë edhe një delegacion nga qyteti i Tiranës që kryesohej nga Refik Toptani, në të cilin merrte pjesë edhe Hafiz Dalliu. Kongresi, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Manastirit, aprovoi alfabetin latin të gjuhës shqipe dhe vendosi hapjen e shkollës Normale në Elbasan për përgatitjen e kuadrove mësues që do të shërbenin për mësimin e gjuhës në gjithë trevat e banuara nga shqiptarët.

Në zbatim të vendimeve të Kongresit të Elbasanit, më 2 dhjetor 1909 u hap shkolla Normale në Elbasan, me drejtor Luigj Gurakuqin dhe në trupin mësimor pedagogjik, përkrah Aleksandër Xhuvanit, Simon Shuteriqit, Sotir Peçit etj. ishte edhe Hafiz Ibrahim Dalliu.
-Në vitet 1910 e gjejmë të angazhuar me armë në dorë në çetën atdhetare që drejtohej nga Abdi Toptani, e cila kreu veprime luftarake në Krujë e rrethinat e saj.

Më 26 nëntor 1912 është pjesëmarrës aktiv në përgatitjen dhe zhvillimin e ceremonisë së ngritjes së Flamurit dhe shpalljes së pavarësisë në Tiranë. Hafiz Dalliu, pas ceremonisë së shpalljes së Pavarësisë në Tiranë, është autori kryesor i përgatitjes së një Letër-Proteste dërguar forcave ushtarake serbe që ndodheshin në zonën verilindore të Shqipërisë dhe përgatiteshin të mësynin Tiranën duke i vënë në dijeni se Tirana kishte shpallur pavarësinë dhe ishte e gatshme ta mbronte me çdo çmim.

Në vitin 1920 është anëtar i delegacionit të trevës së Tiranës në Kongresin e Lushnjes dhe pas kthimit në Tiranë është një nga veprimtarët më aktivë në zbatim të vendimeve të Kongresit. Gjatë gjithë periudhës, deri në vitin 1924 është aktiv në gjithë ngjarjet politike të kohës duke u rreshtuar me forcat progresiste në mbrojtje të interesave  të masave të gjera të popullit.

Pas lufte e gjejmë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë për aftësitë dhe kontributin e tij në fushën e letërsisë, por ai nuk mund të vazhdonte gjatë në këtë mënyrë. Personaliteti i tij që karakterizohej nga liria e mendimit dhe veprimit nuk mund të duronte kornizat ideologjike ku e futi artin dhe letërsinë diktatura komuniste. Ai i u kundërvu këtyre rregullave dhe për këtë përfundoi në burg ku edhe u sëmur rëndë dhe u nda nga jeta në vitin 1952, në moshën 74 vjeçare.

Hafiz Dalliu ka qenë jo vetëm prezent në momentet e mësipërme në të cilat ka kaluar vendi, por edhe pjesmarrës aktiv që ka dhënë një kontribut të shquar në mbrojtje të çështjes kombëtare. I gjithë aktiviteti i tij në fushën fetare, arsimore, publicistike dhe poetike përshkohet nga ndjenja e thellë patriotike. Ai  theksonte: Patriot quhet ai njeri që asht i pajuem me gjitha vetijat e nalta njerzore dhe kombtare. Atij duhet t’i ndizet gjaku, t’i idhnohet zemra kur të shohi e të ndigjojë se po cënohet e po merret ndër kambë e drejta e kombit të vet”.

Hafiz Dalliu i përket asaj plejade klerikësh të lartë që e lidhi thellë çështjen e fesë me atë kombëtare. Imam Vehbi Ismaili, themelues i Qendrës Islamike të shqiptarëve të Amerikës dhe Kanadasë, lidhur me këtë shprehet: “Ai (H.Dalliu) u mbështet fort në binomin fe-Atdhe”. Hafizi ishte një besimtar dhe klerik i devotshëm që kryente me pasion dhe ndërgjegje të lartë shërbesat fetare, por në të njëjtën kohë ishte edhe patriot dhe si i tille kreu me devotshmëri edhe detyrën patriotike. Në luftë kundër propogandës armiqësore e përçarëse, Hafizi gjithashtu predikonte me forcë: “Ne shqiptarët, prej çdo feje qofshim, jemi të tan vëllazën gjaku, vëllazën gjuhe dhe vëllazën vatani”. Për të hequr çdo dyshim dhe për të thyer propogandën që bëhej në këtë drejtim ai iu përvesh punës për përkthimin e Kur’anit dhe pjesë të tjera nga librat e shenjtë, bënte shërbesat fetare në gjuhën shqipe duke shpjeguar qartë teorikisht se “Çdo gjuhë është e aftë për të shprehur lutjet ndaj Zotit”.
Hafiz Dalliu është  jo vetëm një veprimtar patriot që punoi me të gjitha forcat e tij  nëpërmjet shkrimeve e diskutimeve të shumta, pjesëmarrjes aktiv në çdo veprimtari të shoqatave patriotike të kohës, por edhe duke luftuar me armë në dorë kur e ka dashur nevoja.

Hafiz Ibrahim Dalliu ishte një ndër mbështetësit konseguentë të lëvizjeve demokratike të viteve 1920-1924. Vrasja e Avni Rustemi e brengosi pa masë. Por ai gjeti forca dhe i thuri këtij martiri të shquar, një këngë e cila gjeti jehonë jo vetëm në Shqipërinë e Mesme, por në mbarë viset shqiptare.

Edhe pse është një figurë e tillë, për fat të keq, për 45 vjet me radhë u la në harresë nga Diktatura Komuniste për shkaqe banale ideologjike.

Ai nuk mund ta mendonte shtetin të tillë që merr nëpër këmbë të drejtat më elementare të qytetarëve, ndërgjegjen dhe bindjet e tyre fetare. Eshtë thënë se atje ku ishin ngjarjet e mëdha të vendit, atje gjendej dhe Hafiz Dalliu. Vetë Hafiz Dalliu thoshte: "... Përderisa në vendin tonë do të dominojnë e do të administrojnë njerëz që nuk kanë menduar në të mirë të Atdheut, unë do të jem në opozitë...".


Krijimtari artistike e studime historike
  • Grenxat e kuqe të Tiranës, poemë satirike në vargje, 1915.
  • Dokrrat e hinit, satirë në vargje, 1922.
  • Patriotizma në Tiranë, botuar më 1930.
Përpos veprave te sipershenuara, Hafiz Ibrahim Dalliu ka shkruar edhe nje mori veprash te karakterit fetar dhe ka publikuar edhe shume shkrime publicistike.




Patriotizmi i Hafiz Dalliut dhe politika ndërkombëtare

Ajo që sot është linja zyrtare e Shtetit Shqiptar, miqësia me SHBA dhe përkrahja e tyre e fuqishme për Shqiptarët, rreshtimi përkrah politikës së këtij Shtetit të fuqishëm dhe fuqizimi i këtij shteti është paraparë me kohë nga i mirënjohuri Hafiz Ibrahim Dalliu, gazetar dhe patriot i shquar tiranas në vargjet e tij në poemën satirike “Grenxat e kuqe të Tiranës”. Dikush e ka pyetur Hafiz Dalliun për gjendjen politike ndërkombëtare të asaj kohe të turbullt dhe ai me shumë zgjuarësi i është përgjigjur me këto vargje, duke na treguar kështu se ka qenë një njeri largpamës e vizionar, patriot që e donte shumë atdheun e vet. Gjithashtu ai vëren rolin që duhet të marrë diaspora shqiptare e Shteteve të Bashkuara. Po i riprodhojmë besnikërisht vargjet e Hafiz Dalliut, ashtu sipas gjuhës së kohës kur ai e ka shkruar këtë satirë:

Në qoftë se vjen paqi n’kët dhe’
Vjen vetëm nga Bota e Re,
Veç nga Shtetet e Bashkueme,
Vjen kjo gja e ngushëllueme.
Me ç’farë anë t’pjerrë Amerika,
Anës tjetër i bie pika.
Atëhere bahet pajtimi.
Merr fund gjama e vajtimi.
Fort e fort për ne të mjerët,
Që dinë me na hangër qeret.
N’Amerikë ka shumë Shqiptarë,
Burra t’dishëm e mentarë,
T’cilët punojnë për atdhe,
S’kursejnë gja për vend e fe.
Këta Shqiptarë e kanë detyrë
Amerikës me iu lëvyrë,
Me iu lut me këto dy fjalë:
Amerikë, të qofshin falë,
T’kemi nanë e t’na keshë djalë.
Ti, pra, na shpëto dhe jetën.
Jetën, atë jetë politike,
Shpëtoja Shqipnisë jetike
Kështu tue i thanë me buzë në vaj
Bile, tue i derdhë lotët rrëkajë,
Vetëm m’ty kemi uzdajë,
Veç ke ti e ke Perëndia,
E ka lidhë shpresën njerëzia.
Domosdo, ma fort Shqipnia.
Ti ke njerëz apostola,
Bujarë, trima t’gjallë, sokola,
Që duen me i shërbye njerëzisë,
Me i shkëlqye faqen historisë.
Për hatrit t’Zotit na ngjall,
Se Evropa desh me u tall.

Nga vargjet e sipërcituara vërejmë se Hafiz Dalliu ka qenë i mirëinformuar me ngjarjet e kohës dhe politikën ndërkombëtare. Duke qenë njeri i thukët ai vëren me shumë të drejtë rolin e dëmshëm të fuqive evropiane të asaj kohe. Ai e ka kuptuar shumë mirë rolin aktiv të SHBA-së në arenën ndërkombëtare dhe veçanërisht kjo do të shihej më pas tek presidenti i saj Uillson, i cili me platformën e tij prej 14 pikash për një botë më të mirë i erdhi në ndihmë në mbarim të Luftë së Parë Botërore Shtetit Shqiptar, i cili po përjetonte ndeshtrashat e atyre kohëve të turbullta. 
___________
Materiali është huazuar nga autore dhe faqe te ndryshme ne internet

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen