Pas një pune më se 43 vjeçare në arsim, si mësues i gjuhës shqipe e letërsisë, tash Shabani është pensionuar. Jeton me familje në Besianë
Ka botuar këto vepra:
- „Këngë popullore të Llapit” 1998,
- „Lojëra popullore të Llapit” 2002,
- „Anekdota popullore të Llapit” 2004,
- „Fjalë të urta popullore në Llap” 2008,
- „Tercina” poezi 2009,
- „Monografi e maturantëve të gjeneratës 1970/71 – Shkolla Normale Prishtinë” 2011,
- „Monografi e familjes Pllana Halabak” 2011 dhe librin
- “Buzëqeshja e shkronjave” 2013
Poezi nga Shaban Pllana
ADN-ja E FISIT
kur të vdes
një asht timin
ma varni mbi rrasën e varrit
le të luajnë me të
zogjtë e shqipes
nëse kërkohet ADN-ja e fisit tim
le të kërkohet në eshtra
në sqep shqiponjash
le të kërkohet në eshtra
nën rrënjët e lisave
në plasat e këtyre arave të bukës
le të kërkohet në eshtra
në plisat e dheut të AtDheut
brenda kufijve të Ilirisë.
KUR RRITEN LISAT
kur rriten lisat
nata diagnostifikohet
me kancer në metastazë
kur rriten lisat
ditët ringjallen
rigon këngë zogjsh
kur rriten lisat
mbaron etja
agu e përzë terrin
kur rriten lisa
dita merr krah
dielli qeshet
kur rriten lisat
ze fill gëzimi
shuhen të gjitha etjet.
kur rriten lisat
frika zhdaravitet
gjarpërinjtë i zë tmerri.
kur rriten lisat
zogjtë e qyqes të bërë gati për ikje
vajtojnë nëpër foletë e huaja
LISIT
lisit i çuan fjalë
me alfabetin e gurit
që të lisërojë me gjuhë zjarri
zogjtë i porositën
t`i bëjnë foletë në lisnajë
kreshtat flisnin me njëra-tjetrën
me gjuhën e rrufesë
mbi faqe gurësh
partitura këngësh trimërie
trimat shtizë flamuri
qëndrim vertikal
THITHEM GURËSINË
gurit i hymë në brendësi
ia thithëm gurësinë
cili zog e këndoi
këngën e harruar
cila rrasë varri buzëqeshi
me krenarinë e Atdheut
cila nënë mori lotin nga qepalla
dhe ja fali melodisë së këngës
cilës natë ju zu prita
pas shkullit të errët
cili agim agoi i gëzuar
a s`më thuani, ju lutem?!
...EDHE PËRTEJ ...
përtej
murit të heshtjes
vaji i qyqes
në një gotë
të thyer
i pi
lotët e vet
në varret
e dëshmorëve
lahuta e Fishtës
pa partiturë
ja thotë
krenarisë
në maje
të kreshtave
të trimërisë
Dedë Gjo Luli
vë syrin
në grykëhollë
frengjitë
e kullave
shohin
edhe përtej
largësive
MIDIS
midis
Raguzës
e Dyrrahut
unë zgjodha
të dytin
për t`i zhdaravitur
ëndrrat
në amfiteatrin e madh
flokët
e mbretëreshës Teutë
në një tel lahute
deshifrojnë
mbishkrimet
në rrasat e varreve
në pikat e lotit
nuset
shtrydhin dhembjen
për ushtarët e rënë
luftrave
pas netëve të para
të martesës
në tehe
të baladave
thyhen këngët
e rapsodëve
për beteja
TE LUMI
hedhin pasqyrat e thyera në lumë
lumi kallet
fytyrat
midis dy flakësh
përpijnë zjarrin
në gojë kuçedrash
fshehur pas ëndrrave
gurët lahen në lumë
te këmbët e vashave
me shami kuqezi
presin trimat
trimat presin
dhe pritjes i thyhen këmbët.
Trimat zbresin nga mali
Me diell në ballë.
THUR E SHTHUR
end e thur
thur e shthur
shumë shumë kemi pritur
Itaka ime
një shekull
dy shekuj
shumë shekuj
pritjes me verbëri Homeri
më në fund i erdhi fundi
krismë në male
krismë në fusha
krismë pas krisme
të erdhi e shumpritura
liri
Kosovë
Itaka ime
të lumtë ne për ty
Besianë, qershor 1999
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen