Donnerstag, 18. Juni 2015

Thanas Medi

Thanas Medi lindi në vitin 1958, në fshatin Dhoksat të krahinës së Lunxherisë - Gjirokastër. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin Asim Zeneli, të Gjirokastrës. Studimet e larta i mbaroi në Fakultetin Filologjik, Universiteti i Tiranës, 1988. Pas studimeve ka punuar për 5 vjet në Gjimnazin Koto Hoxhi. Më pas, më 1995 emigroi në Greqi dhe tash jeton në Athinë bashkë me familjën.
Me letërsi ka filluar të merret që në moshë të re. Ka botuar pak poezi dhe tregime në organet letrare të kohës. Vlen të përmendet përpjekja e tij serioze kur ishte student. Në atë kohë ka provuar të publikoj një vëllim me tregime e novela, por dorëshkrimi i është kthyer mbrapsht me pretekstin se autori e nxinte realitetin e kohës. 
Thanas Medi punës letrare iu përkushtua edhe më seriozisht më vonë, pas emigrimit në Greqi. Romani i tij i parë "Hija e mallkuar", u botua në vitin 2011  nga "Toena". Më 2013, po nga "Toena", iu botua edhe romani i dytë "Fjala e fundit e Sokrat Bubës", roman ky që u nderua me çmimin e madh kombëtar, si romani më i mirë i vitit, dhënë nga Ministria e Kultures të Republikës së Shqipërisë. 
Romani i parë i këtij autori trajton temen e ingranimit të emigrantëve shqiptarë në shoqerinë greke. Kurse romani i dytë, atë të vllehve të Shqiperisë, duke sjell kësisoj një etni mjaft të pranishme në jetën shqiptare, por shumë pak e njohur dhe trajtuar nga letërsia.



Fragment nga romani ''Fjala e fundit e Sokrat Bubës''

Te vllehët e dërguan për fejesat e djepit. Pasi bëri njëfarë emri me prishjen e fejesave në një zonë në veri të vendit, i thanë të shkonte te vllehët e Goricës së Madhe. Se ata i fejonin fëmijtë që në bark të nënës. Deri në këtë çast, ai i kishte parë vllehët vetëm si një tufë endacakësh, të kapur për jetë a vdekje, pas malit. Një turmë e paformë njerëzish, gati të pagdhëndur e që jetonin akoma periudhën e fisit, si në kohrat e baba Qemos. Me fytyra të ashpra, aq sa dhe të vrenjtura dhe që, kur këndonin, dukej sikur qanin. Nga larg gjithçka ngjante me një tablo të zymtë njerëzish veshur me lesh, ndërsa kur i njohu nga afër, u habit si të ishte duke parë një perëndim të bukur. Dhe kjo i ndodhi sidomos atëherë që pati një informacion më të hollësishëm, rreth asaj procedure që në shkrimet e veta, e quante ''mekanizmi i fejesave të djepit.'' Ndryshe nga zona e Veriut, ku për fejesat e bënin ligjin shkesët dhe disa kanune që vinin era barut, te vllehët ligjin e bënte mirësia. Kishte mirësi miqsh dhe dëshirë të pafajshme, për ta përcjellë miqësinë nga brezi më i vjetër, te brezi më i ri. Miqësi, që atëherë kur nuk dilte për mirë, nuk kthehej në hakmarrje dhe etje për të vrarë. Kthehej në dëshpërim dhe keqardhje, si për diçka që nuk ishte e thënë të vazhdonte më gjatë.'' 
___________________________
Përgatiti për "Ora shqiptare", h.m.

Keine Kommentare:

Kommentar posten