Samstag, 5. Dezember 2015

Xhemile Adili

Xhemile Adili u lind më 1. 4. 1966 në fshatin Jagoll të Kërçovës, kurse jeton dhe punon në fshatin Haranjell të kësaj komune të Maqedonisë. Në vendlindje ka filluar mësimet e para, kur ka filluar të shkruajë veçmas poezi për fëmijë, të cilat i ka botuar në librin poetik, me titull “Kush i shkundi mollët” (1995) dhe në librin e dytë “Pasi ndalet shiu” (2002). 
Ka botuar edhe poezi të tjera në “Flaka e janarit”, ndërkohë që ka lexuar poezi të veta në shumë aktivitete letrare. Është anëtare dhe nënkryetare e klubit të shkrimtarëve shqiptarë “Mugullimi” të Kërçovës.
Përmbledhja poetike “Lulëkuqja mbin në mur” është libri i saj i parë për të rritur, kurse së shpejti do të botojë edhe librin e saj të dytë për të rritur, përkatësisht veprën e saj të katërt.


Poezi nga Xhemile Adili 

DËSHMI NGA OLIMPI IM

S’e kuptoj 
Ç'është kjo ndjenjë kaq e fortë,
Në këto ditë maji
Të vitit tim, 
Që prek në shpirt 
Deri në asht,
Deri në palcë, 
Frymën ma bllokon, 
Më përkëdhel,
Më ledhaton lehtë si era 
Dhe pastaj bëhet pjesë jotja 
Dhe natën s’më lë vetëm, 
Në këtë stinë zemre,
Vjen e çuditshme, 
Përzier me zjarr,
Nga miti i Olimpit tim, 
Më zgjat dorën dhe dridhet, 
Herë thyhet,
E skuqur, 
E zbehur, 
Herë më rri përballë,
Herë në damarë,
Por vizaton parajsën
Dhe futet brenda
Edhe përtej dhimbjes,
Që të ngjallet 
Nga flaka e Olimpit tim.



NJË KAFE ME UJË QEPALLASH

Në orët e vona të natës, 
Të gjithëve u them “natën e mirë”, 
Dhe teksa vishem me rroba gjumi, 
Një zë i mekur dëgjohet 
Aty në dhomë 
Dhe thotë: 
A do të më lësh vetëm sonte, 
Unë që jam mikja jote, 
Më e mirë prej kaq vitesh.

Ishte vuajtja, mikja ime, 
Që vetëm ajo më njeh 
Shpirtin kurrë nuk ma akuzon 
Sa herë nuk më merr gjumi,
Vjen e rri me mua 
E sa herë i del gjumi 
Vjen e më ulet 
Mbi kokë, te divanit e më zgjon 
Flasim për të tashmen, 
Për të shkuarën, 
Kujtojmë ato që s’janë.

Shpeshherë agimi na gjen zgjuar 
Shpeshherë kur unë jam në gjumë, 
Ajo zgjohet para meje e më thotë “mirëmëngjesi”. 
Ditën e nisim bashkë
Dhe kafen e mëngjesit e pimë bashkë, 
Të hidhur, pa hiç sheqer, 
Të zier me ujin që na bie nga qepallat.



NGJAJ ME FIJE BARI

Hedh hapat mbi barin e njomë, 
Sa lehtë që ec,
Për të mos lënë gjurmë, 
Duke mos dashur, 
Që asnjë fije të vetme bari ta lëndoj.

Ka gjysmë shekulli që ngjaj me fije bari
Dhe nuk e paskam ditur.

Të dy kemi lindur nga shpirti, 
Të dy vdesim nga këmbët e njerëzve,
Ndërsa as stuhitë e mëdha
Rrënjësh s’na nxjerrin nga toka jonë. 

Të dy kemi dëshirë të jetojmë mes lulesh,
Të na përkëdhel erë e lehtë maji,
Pak ditë para ditëve të qershive,
Kur durojmë të ka shkelin fëmijët,
Me qershi në dorë.

Unë dhe bari
Kemi dëshirë veçmas
Të na shkelin muzat,
Që gjysmë shekulli më papë
I kemi lënë mënjanë.

Po, ç’më duhen mua muzat,
Kur me një fije bari,
Arrij atje lart në Olimp
Dhe bëj legjendën e Olimpit shqiptar. 

Unë dhe bari jemi një, 
Porse unë zbres nga Olimpi, 
Kurse bari udhëton drejt majës së tij,
Ai më lëmon flokët me bojë,
Unë rrënjët me dhe ia mbuloj.

Unë dhe bari ka gjysmë shekulli që ngjajmë,
Por kurrë s’ia mësova magjinë e bukurisë,
As kur si flutura u ula mbi blerimin e butë,
Për t’i dhuruar këngët e mia të dashurisë.



NUK DUA MË TË THITH AJËR TË VDEKJES

Ti që me helm më nxirrje lotët, 
Sytë m’i ktheje në ujëvarë, 
Herë në lumë të trazuar, 
Ti që ndjell prapësi prej motesh, 
Kujtime rrëqethëse që vdesin, 
Mbërthyer në një botë të egër, 
Kush do të të duronte më shumë se kaq? 

Tani ik dhe dil nga jeta ime, 
Fjalë të sëmura më nuk duroj, 
Lodhur me mbajnë dhimbjet pa fund, 
E mbeta shteg shëmtish.

Ti që kurrë s’i dallove ngjyrat e jetës, 
Ti që je mbuluar me botën bardhezi, 
Kurrë dielli mos të ngrohtë! 
Më zure diellin e dritën pa mëshirë, 
Dhe kaq vite thitha ajër të vdekjes, 
Prush cigareje kam mushkëritë, 
Krejt hi trupin tim,
Që e ruaj për kujtimin tënd,
Në një vorbë mbushur plot.

Prandaj: Shko dhe vetëm shko! 
Dil nga jeta ime përgjithmonë!
Kjo nuk është nëma ime,
Por gjëma ime është...
Merre me vete 
Edhe në vend të hijes sime!



HI NË ZJARRIN E SYVE

Sa herë mbyll sytë,
Portreti yt më del përpara,
Sa e sa net më lë pa gjumë,
Rri larg nga unë,
Sepse dëshiron të digjesh
Ç'ndjenjë është kjo,
Që s’më lë të fle?
Imazhi yt s’më lë të qetë,
Dhe në atë pak gjumë që bëj,
Shpirti yt në shpirtin tim
S’ma lë as ëndrrën ta ëndërroj
S’e di motivin e gjithë kësaj,
Por e di që s’jam rehat,
Hija jote e improvizuar
S’më lë të qetë as zgjuar.
As në shtrat…
E di që edhe ti s'rri dot pa mua,
Më thua shpirtin, zemër, 
Krejt të dogja me zjarrin e syve,
Duke të të bërë timin përjetë.



KRONIKË NGA NJË BALADË E PASHKRUAR

Shpeshherë melodia e një kënge, 
Më kujton ty, 
Princ në një kalë të bardhë,
Si në balada, 
Që akoma nuk janë shkruar.

Po troku afrohet,
Të shoh e s’të shoh,
Të prek e s’të prek,
Mbytem në çdo stinë, 
Që të mos mbesësh 
Vetëm ëndërr e bukur,
Vetëm varg balade.

Eh, sa po pres,
Sa kjo baladë të shkruhet, 
E të përplas buzët, 
Të digjem në atë zjarr sysh, 
Olimp të na bëhen zemrat,
Në çdo qelizë të fjetur. 



RRUFETË E LISAVE TË SHARRIT 
SHKRUAJNË VARGJET E MIA

A kaq shumë paskam ecur mbrëmë, 
Nëpër terrin e natës nga zemërimi, 
Saqë Tetovën paskam lënë 
Kilometra larg 
Malin e Sharrit të tërë e përpiva, 
Te kollitesha nga lëndina,
Larg smagut e zhurmës, 
Shtatin mbulova me lule shumëngjyrëshe, 
Natën e kalova 
E dehur nga ajri i pastër,
Nga freskia e malit, 
Nga vezullimi i yjeve, 
Lodhjen nuk e ndjeva,
As kallon e këpucëve, 
As thikat e thepisjeve.

E tani që ndodhem,
Në majë të Olimpit tim, 
Tani e kuptoj,
Se ç'nostalgji paskam pasur për të. 

Freskia e malit më theu moshën e re, 
Bora më lau gjakun e prishur,
Rrufetë e lisave i ranë zemrës së zëmëruar,
Atyre ua lashë vargjet t’i shkruajnë,
Që të maten me Lubotenin
Korabit t’i çojnë lajm,
Të shohin veten në pasqyrat e liqeneve
Të Ohrit e të Prespës,
Tek u shtoja dhe lotët e mi 
E tek thosha padashur:
Njerëzit që jetojnë poshtë,
Vetëm poshtë mund të jenë,
Edhe vargjet e shkruar a të pashkruar,
Prandaj prapë dua të ec
Edhe sonte, edhe çdo natë
Nëpër terrin më të zi, 
Sa herë që sfinksi i zemërimit 
Më merr për dore. 
Zvarrë pellgjeve, rrjepur luginave,
Vetëm në maja rrinë vargjet e trimave.



NË DHOMËN TIME S’KA ORË

Në dhomën time s’ka orë, 
Jam e vetme në botë, 
Që me natën mat kohën, 
Po nata vonohet,
Pastaj vonohen dhe mëngjeset,
Ecin me këmbë të lidhura,
Prandaj nuk di kurrë sa është ora.

Në dritaren e qiellit tim, 
Gati çdo natë zbret shi, 
E çdo pikë shiu me vete merr 
Një vit jetë.

Një zë i çjerrë më vjen nga larg: 
Kujdes shiun!
Mos e lër të bie në shpirt, 
Se pikat e shiut të bëjnë për vete, 
Të bëjnë rob, 
E pastaj të gërryejnë përbrenda,
Më flet zëri,
E unë nuk di sa është ora.

Në dhomën time s’ka orë, 
Më mirë që nuk ka orë,
Do të ma lagte shiu,
Që po bie bashkë me natën, 
Bashkë me dhimbjen. 

Më mirë që nuk kam orë
Të mat shtegun e ëndrrës, 
Takimin me ty
Vetëm në fletë të bardhë,
Ku pikat e shiut 
Janë lotët e mi,
Ura ylberi,
E unë nuk di sa është ora
Që po qaj,
E nata më tregon: 
Është kohë e natës.



KARTOLINA PA EMËR, PA ADRESË

Aroma e puthjeve të tua
Nuk kishte as emër, 
Nuk kishte as adresë, 
Por e dija, 
Se ishte nisur për mua.

Shkruante aty brenda, 
Në atë kartolinë, 
Të prerë në formë zemre,
Ashtu si i pritnim fjongot 
Ne vajzat për flokë:
“Jeto e lumtur brenda kësaj zemre! 
Buzëqeshja jote 
Qoftë si kjo buqetë trëndafilash”! 

Lexoja me lot,
E dija që më kishe shkruar ti,
Se vetëm aroma e puthjeve të tua
Di rrugën
Të vijë tek unë, 
Ashtu pa emër, 
Ashtu pa adresë.

Kartolinën e shtrëngova fort në gji, 
I laga me lot dhe fjalët e saj, 
E mbi çdo lule kopshtesh 
Shihja atë kartolinë në formë zemre,
Lexoja fjalët e saj,
Shihja sytë e tu, 
Buzëqeshjen tënde.

Çdo lule që mbin,
Rritet me ritmin e zemrës sate,
Andej e këndej 
Oqeaneve që na ndajnë. 

Nga ajo ditë, 
Kur gjeta atë kartolinë zemre,
Jam bërë kopshtare trëndafilash,
Të rrit trëndafila me zemra
Dhe aromën e puthjeve të mia
Ta nis pa emër, pa adresë,
Kur t’i shkruaj në çdo fletë,
Ashtu si di zemra ime e shkretë. 



GJETHE DITARI

Në cilën stinë të ulem,
Të rrëfej për jetën, 
Për peshën e rëndë,
Që i ka ngarkuar jeta? 
Në cilën vjeshtë të ulërij si bishë, 
Të bëhem degë e thatë,
E të mbledh gjethet, 
Që më kanë rënë shekujve!
Në cilin gjeth të gërmoj,
Të gjej blerimin tim?
Në cilën grimcë të acarit,
Të lëroj arën e pranverës sime?
Në cilin det të prashit,
Të nxjerr lotët e mi?
Në cilat rreze të diellit të kërkoj,
Të zgjedh lakun e fytit tim!
Në cilin varr të shtrihem,
Të vjetër a të ri,
Të gjej pak jetë, 
Njeri!



BALADË E RE NË TRENIN E VJETËR

Rrugët tona aty u ndanë, 
Në trenin e vjetër, 
Mbi binarë të ndryshkur,
Me ritmin tram e tram,
Si në trenin e Abetares, 
Kur mësuesi na mësonte
Tingujt e kitarës.

U ndamë në një përqafim të fortë 
Sypërlotur, 
Mikja ime e rinisë,
Aty në trenin e vjetër
Që mori me vete
Një baladë tjetër.

Pas asaj udhe të gjatë, 
Nuk u takuam më, 
Por udhëtojmë me këtë baladë, 
Si me një urë,
Drejt njëra-tjetrës,
Pa u ndarë kurrë.

Sa mall kam për ty, 
Për sytë e tu bojë qielli,
Me të cilët matje atë udhë të gjatë, 
Për atë zë melodi,
Për atë fytyrë engjëllore,
Por edhe për atë qafore,
Stoli nga Prizreni,
Që të tundej në qafë,
Tram e tram si treni.

E di që edhe sot, pas kaq vitesh,
Po atë shkëlqim sysh ke, 
Atë zë,
Atë fytyrë,
Atë buzëqeshje, 
Të njëjtin shpirt
Dhe tani ke,
Krejt e re,
Nuk je jo tjetër,
Si dikur moti,
Në trenin e vjetër.



ARNOJ PLAGËT ME FIJE DIELLI

Do të ec me hapat e së tashmes, 
Me hapat e kësaj kohe, 
Jo të kohës që lashë pas, 
Atë kohë do t’ia lë të djeshmes, 
Do t’ia lë harresës, 
Do të nisem drejt diellit, 
Të arnoj plagët me fije dielli.

Do të ec e buzëqeshur, 
Edhe pse mund të paragjykohem 
Nga gojët e liga, 
Punë e madhe,
Nëse flasin keq, 
Ata qeshën edhe dje, 
Kur më shihnin mbuluar me lot 
Edhe pardje, 
Kur nurin kisha të mbuluar me trishtim.

Kam vendosur të ndryshoj, 
Plagët do t’i arnoj me fije dielli, 
Gjurmët e dhimbjes në shpirt, 
Do t’i mbuloj me shpresë, 
Do t’i lutem hënës 
Të më fal bukurinë e saj, 
Nuk kam më nevojë 
Nga hëna të kërkoj vetëm ndriçimin ,
Netëve të errëta, 
As qiellit nuk kam më nevojë 
T’i kërkoj yjet 
Për shkëlqim sysh.

S’duroj më të jem rob, 
Mbuluar me fyerje mëngjesi e darke,
E gatshme jam të ndryshoj çdo gjë, 
Por jo dhe shpirtin, 
Se në atë shpirt 
Ka shumë thesare, 
Vetëm të verbrit s'arritën t'i zbulojnë. 

Do të ndryshoj rrënjësisht, 
Nuk do të mbetem më skllave e natës,
Do të nisem drejt diellit,
Që të arnoj plagët me fijet e tij. 

Keine Kommentare:

Kommentar posten