Donnerstag, 20. Dezember 2018

Diamanta Zalta Nikolaou

Diamanta Zalta Nikolaou

Diamanta Zalta Nikolaou, lindur në Tiranë  25 qershor 1956. Ka mbaruar Studimet e larta per Ekonomi, Juridik dhe Interior Designer, kete te fundit ne Greqi.
Është nderuar disa herë me çmime letrare dhe deri më tash ka botuar këto vepra:

  • "Rilindja e pulëbardhave", 
  • "Rrugicave të ndjenjës" 
  • "Pranverë binjake".


Poezi nga Diamanta Zalta Nikolaou


SILUETË

Siluetën time,
ja fala një ditë dallgës,
mendimin çapkën, një ylli .
Qershi e ëmbel e buzës më rrëshqiti,
në bar, si pëshpërimë prilli.
Mbeta ditëve të mija shtatzana,
të cilat lindin vetëm
pranë teje.
Sepse  vetëm aty, mundem të shkarkoj ,
Peshën e mallit të bukur,
Si bebe.



HERË - HERË MË NDODH

Kam herë pas here një përhumbje akute,
Që më çon në rrugëza të pjerrta zemre.
Eshtë i çuditshëm! Si një atak zgalemësh
dhe vetëtimash , shpirti i një femre.

Çfarë nuk po mundem të përmbaj dot ?!
Më rrjedh një lot...

Njolla të forta fotosintezash
Që asnjë deterxhent i kushtueshem, si heq dot,
Mbeten aty për tët kujtuar e  pëshpëritur
diçka që duhej ta thoje, apo jo!

Dhe të afrohem,
dhe të largohem,
Dhe tkurrem, e kurban bëhem,
për gjithçka që emërtohet dashuri:
Nënë, Grua, Bijë, Fëmi.

Çkërkoj vallë? Çtë më ketë mbetur këtu?
Po atje? Po aty? Ç'është  e imja, e ç'te takon Ty?
Vjen zbatica e dallga qetësohet së fshiri
fosilet e fundit të vegimit nëpër sy.

Po çfarë ndodh përsëri?!
Çështë ajo  që me duket se shkoi kot.
Ja... rrjedh edhe një lot.

Dhe  buza çuditshem nis e nënqesh
nën pjalmin e një pohimi,
rrezikshem harbon dëshirën,
dhe kokën ja ul çdo dëshpërimi!

Gruaja,
ështe sfida më e ndërlikuar
e çdo qytetërimi!



EKZISTON...

Ekziston në jetën e seicilit,
një qiell i mahnitshëm, Platonik,
një shtresë e pakët, e mëndafshtë,
që i fshihet edhe vehtes, e bardhë.
Një faj i pafaj, që mbetet fjalë.
Një jehonë që prishet përbrënda
e detyruar të heshtë,
Si një asgjë që është edhe s’është...



TË PAKTHYESHME

I pakthyeshëm është çasti,
e pakthyeshme koha,
të pakthyeshme gjethet e thara,
pluhuri i rrugës mbi fytyrën tonë,
kjo rrënqethje e papritur,
ky emocion orëvonë.
E pakthyeshme dhe kjo mbrëmje,
ky çaj që po pi,
i pakthyeshëm edhe ky shkak melankolik,
për një pranim të ri.
Gjithçka adhuron ndryshimin,
Metamorfozën dhe rendjen.
Vetëm femra,
gjen gjithmonë diçka, për ta vënë mbi vehten…



NEPER SHI

Është krejt e ajërt, kjo urë që na lidhi,
krejt rastësore,
dhe thjeshtë për tu ndodhur përballë,
të heshtur e të kredhur sigurisht,
edhe në një dinjitet të rrallë...
Të ngjitem deri aty,
e di, nuk mundem.
Qielli ska shkallë!
Por ti krijon vazhdimisht,
dëshmi të etura njerzore,
Për Njerzi!
E unë them se jeta,
Nuk është kaq e varfër në çudi,
Rezervon aty këtu ndjesi, edhe pak bujari.
Eci... eci... rrugës së lagur...
por edhe pëshpërimën e këtij shiu të ëmbël
që po bie,
e ndaj dhe atë në dy.

Këtij hutimi të përkohshëm, ja ze vendin
një buzëqeshje tinzare, që smë shkon
të cilën shpejt e largoj, e shtyp,
por një zog fluturon aty pranë,
duke e mbrojtur nga zhubrosja,
e me le dy fjalë të bukura në grykë...
Mi vesh sytë,
një cipë e lagësht,
e butë...
Ashpërsia e jetës ndodh te perkulet
nën efektin e një rrezeje të brëndëshme
edhe në se ende nuk djeg,
si kjo që përshkoi lehtë, e pa bujë
të sotmen e pafjalë,
që të ngjet...
Mirë që ekziston: DINJITET!



E PAPYETUR

I rashë lehtë me gisht,
cipës së shpirtit.
Trokita.

Të hyja për pak desha,
brenda,
tek vetja.

Pa ditur,
a do ta kisha, përsëri mundesinë,
të flisnim si dy shoqe të vjetra.

Asnjë s’mu përgjigj.
Kish vdekur?

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen