Montag, 29. April 2019

Qerim Raqi

Qerim Raqi

Qerim Raqi ka lindur më 22.mars 1965 në fshatin Dardhishtë të Kastriotit (ish Obiliq). Ai ka studjuar në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Fakultetin filologjik në Prishtinë. Në Universitetin e Halmstadit në Suedi, ka studjuar programin studimor Kultura dhe Komunikimi, me orientim të ngushtë Letërsi komparative. 
Punon mësimdhënës dhe jeton në Halmstad të Suedisë.

Veprat:
  • ”Gjak në mallin tim”, SHB ”Era ” Prishtinë, 2010
  • “The Orpheus’ Broken Lyre“, SHB “Marin Barleti”, Tiranë, 2011
  • “Antologji e poezisë suedeze”, SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2019



Poezi nga Qerim Raqi


SONET SHEKSPIRIAN I FUNDSHEKULLIT

Gjaku do t´na mallkojë na përfshiu zezona
qielli do t´mërrolet nxihet në t`ziun mot
varret do t`qohen peshë thirravajeve tona
si fantazmë Hamleti o Zot

në konak të huaj do t´i bëjmë jetëvdekjet
gjuha do na lidhet nyje malli të na mbytë
tej Urës së Qabesë ashti do na mbetet
derisa vetveten ta hamë të na mbesë në fyt

i akullt këtu dielli buka shumë e kripur 
ankthi s´na lë të qetë shpirti na kjason
kur emri t´ na tretet qenia t´na ketë ikur
ndërgjegje e vrarë dilemën tonë shalon: 

në atdhe të vriteshim në betejë nga një i zi plumb
a këtu të vdesim nga malli të bëhemi shkrumb?




PRAP KOLLI I KEQ

në qiellin e hirtë, në pejsazhin gri
qentë pas shpinës kafshojnë emrin tonë
në lëkurën e athshme, në t´thyerën bri
prap një koll i keq me vjeshtën e vonë

gjaku pëlcet në revoltë zë e ngrihet
se një natë një shekull kishte fjetur
nga ashti pikon loti rrënja mpihet
në herbarium lulëkuqja e etur

një fetus me mjekërr pjellë në fund të verës
don të përbijë globin si një kokërr rrush
e korbi i zi flatron mbi prag të derës
gacë e m`buluar n`mes hirit me prush

diçka po na e zë frymën në rrënjë në farë
t`ía vëmë njëherë durimit litarin në fyt
t´mos na pëlcasë emri si kripa në zjarr
që vetvetës mos t`ia nxjerrim sytë.

(janar, 1992)




SIMFONIA E GJAKUT

kur valle e vdekjes
përfshin atdheun Prekazin
jasharajt
me breshëri plumbash
shkruajnë 
alfabetin e qëndresës
vdekja bëhet lirikë gjaku
në çifteli këputen telat e durimit
njëri tel akordohet në dhembje
tjetri në krenari
gjaku ngrihet në këmbë
kacakqe jasharqe krisin krismat
isove partiturave atdheut
epika ikën nga librat fjalët
”shumë po ndrin ky diell e pak po nxen”
këndon Hamza
yjet zbresin poshtë
në kullën e jasharajve
këmbëkryq ulet epika vetë Shabani
legjenda nxjerr flakë nga goja
dhe hynë drejt në histori
dhjetë dymbëdhjetë njëzetedy yje bien
shkrumb sofrës së atdheut
pëllumbat e gjakut
në mur epika
merr sharkinë e Hamzës
gjysmëdjegur këputen telat e dhembjes
njëri tel i akorduar në krenari
tjetri në dhembje këputur
Ademi për një oktavë më lart
shtrëngon telat e qëndresës akordit të gjakut
në flakë kënga në flakë vdekja
ndërgjegjës sonë i japin shkollë 
shkruajnë me plumba në flakë
alfabetin e qëndresës 
dhe këndojnë 
jasharajt
kur vdesin në këmbë 
vdesin bukur 
lindin kur vdesin 
duke kënduar
simfoninë e gjakut




VITET PA TY

vitet, padiktueshëm
hanë vetveten, hyjnë
në vrimën e zezë

universi im tkurret 
në një pikë
vetmie

thika të dhembjes
më hyjnë në asht
kthetrat e mungesës sate

gati sa nuk vdes
nga malli
pëlcas




NË SYTË E TU

në sytë e tu
kam lexuar më shumë
se në tërë letërsinë botërore
në shpirtin tënd
luftrat e të gjitha luftërave
i kam ndjerë
në heshtjen tënde
të gjitha heshtjet e botës
kanë rënë si perandorët
në fjalën tënde
të gjitha shpresat…




KLITHMË E HESHTUR DASHURIE

kur me syrin gështenjë më vështrove
unë në heshtje putha
dritën në sytë e tu

kur dorën ma shtrëngove 
një forcë e pashpjegueshme 
hyri  trupin tim

me përaqafimin tënd
të gjitha pikëpyetjet e jetës sime
morën përgjigje

kur buza jote 
preku buzën time
togje pulëbardhash më dilnin nga krahërori 

kur mollët ...
ah , mollët kur i shtrydha
pjalm jete mbushej shpirti im
qumësht i bardhë yjesh

pema jonë në rrënjë i bënte frutat

kur bëmë dashuri 
të gjitha qelizat u mblodhën në një pikë vlimi
për të shpërthyer pastaj në një klithmë të heshtur kënaqësie




DALLGË TË ÇMENDURA

në këtë ditë 
të çmendur
etjeje
më pijnë kujtimet

pa ty

në këtë det
të çmendur
zemrash 
lahem mungesës sate

në këto dallgë
të çmendura
malli

Sarandë, 13. 07.2017




SË SHPEJTI...

së shpejti të gjitha ditët e orët
do të bëjnë vetëvrasje
dhe fëmijët e tyre- minutat, 
të stërlodhur nga maratona e gjatë e vrapimit, 
do të arrijnë cakun: 
të hedhin këmbët
mbi pragun e motit që po vjen 
dikund
njerëzit do të ngrejnë dolli 
me gotat e shampanjës
me urimet më të mira 
për shëndet e gëzime
do të pikturojnë me fjalë të bukura
fytyrën e panjohur të një viti që mbase nuk i do,
që mbase nuk i falë
derisa mundohen ta fshijnë
tërë fytyrën e asaj që lanë pas
të një viti plotë ankth e shqetësime
derisa fjalët e këqija dhe mëkatet
e vitit paraprak 
rëndojnë ndërgjegjen e tyre
gurë të rëndë në qafë
thika të mprehta
në fyt...

Halmstad, 31.12.2017




SIMFONIA

të rrahura të shpejtuara zemrash
me ritmin e ndjenjës së bardhë
ëmbëlsi rridhte damarëve të gjakut
lumi i puthjeve vërshonte
drejt Qetësisë
një urë shprese ndërtohej në ato çaste
pika zjarri pinin etjet malli puthte etshëm
në gjirin e detit tënd unë pija jetë
çdo gjë bashkohej
me tingujt blu 
në allegro...

a ka poezi,
simfoni më të bukur
se ajo që krijohet 
me ritëm zemre?

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen