Montag, 2. September 2013

Risto Siliqi

16 gusht 1882 - 1 maj 1936

Risto Siliqi, lindi më 16 gusht të vitit 1882 në Shkodër, ishte poet, publicist, dhe atdhetar demokrat shqiptar. Risto Siliqi është një prej rilindasve dhe patriotëve të shquar të pushkës e penës.
Që në moshë të re hyri në lëvizjen atdhetare. Atdhedashuria e dalloi që në bankat e shkollës. Qysh në moshë të re, Ristoja zhvillonte propagandë patriotike mes nxënësve të shkollës. Qeveria turke, duke parë zellin e tij të veçantë dhe punën patriotike, donte ta arrestonte. Në një situatë të tillë, Ristoja u detyrua të largohej nga Shkodra dhe të shkonte në Cetinë të Malit të Zi. Në Cetinë, Ristoja nisi një veprimtari të madhe, plot me sakrifica e rreziqe. Ai shpenzoi gjithë pasurinë e familjes dhe vuri kokën në rrezik për shkak të veprimtarisë së tij patriotike. Kjo punë vazhdoi për rreth 10 vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai shkoi me misione në Rumani e Bullgari, ku u shqua për fjalimet e tij të zjarrta patriotike. Në këtë kohë nisi të botonte edhe poezitë e para. Por shteti malazez nisi të dyshonte mbi veprimtarinë e tij, kështu që Ristoja për të humbur gjurmët hapi hotelin “Albania”, që në të vërtetë ishte një qendër bashkimi e partiotëve shqiptarë. Në një odë të tymosur përgatitej liria e Shqipërisë. Aty mblidheshin kohë pas kohe krerët e ndryshëm të asaj kohe si: Isa Boletini, Dedë Gjo Luli etj. që po përpiqeshin për një kryengritje, e cila do të fillonte në vitin 1910. Më vonë ai merr pjesë bashkë me Luigj Gurakuqin me Hilë Mosin në kryengritjen e Malësisë së Madhe dhe bëhet këngëtari i saj. Ishte anëtari i “Komitetit Shqiptar” që krijoi Kryengritjen e armatosur në vitin 1911. Mori pjesë në kuvendin e Gerçes së Kelmendit, dhe në hartimin e memorandumit të famshëm. Dallohet për trimëri ndër luftimet e ndryshme dhe gjatë kësaj kohe ai shkruan vjersha, ku paraqet përshtypjet e tij nga këto kryengritje. Shkruan dhe vepra patriotike e i boton ndër gazetat e ndryshme që shtypeshin jashtë atdheut, duke nxitur shqiptarët për liri. Konflikti ballkanik e gjen sërish në Cetinjë, ku vazhdonte veprimtarinë e tij të palodhur. Por kësaj here qeveria malazeze e dikton, prandaj vendos arrestimin e tij. Fatmirësisht Ristoja njoftohet në kohë nga një miku i shtëpisë së tij dhe arratistet në Kotorr. Gjyqi i Malit të zi, e gjykon në mungesë dhe e dënon me vdekje, duke e konsideruar të rrezikshëm për shtetin malazez. Në këtë kohë në Kotorr ishin mbledhur shumë patriotë, të cilët prisnin çlirimin e Shkodrës. Më vonë në 1913 gjithë patriotët, me një anije që qeveria austriake ua kishte vënë në dispozicion, mbërritën në Shkodër - mes tyre edhe Ristoja. Atdhetarët e vërtetë iu futën sërish punës. Armiku gjithnjë mundohej të ngrinte krye midis shqiptarëve, ndaj patriotët nisën propagandën për bashkimin e kristianëve me muhamedanët. Për këtë çështje u krijua një komision, ku Ristoja ishte anëtar. Gjithandej organizoheshin konferenca e demonstrata, ku Ristoja shkëlqente në fjalime. Në këtë kohë në Shqipërinë e Mesme, Esat Pasha, i ndihmuar nga armiqtë, kishte fituar famë të madh dhe mundohej të bënte propagandën e vet edhe në Shkodër. Vetë Konferenca e Londrës njihte më tepër mendimin e Esatit, sesa të Shqipërisë së Lirë të shpallur nga Ismail Qemali. Komisioni i lartpërmendur kundërshton me të gjitha mënyrat politikën e Esat Pashës, ndërhyn te gjenerali sundimtar i Shkodrës, duke formuar një komitet me një organizim të ri më të fortë që merr emrin “Klubi Lidhja Kombëtare”, ku Ristoja është sërish anëtar. Në vitet 1913-1914 ky komitet boton fletoren “Shqypnyja e re” (drejtor Hilë Mosi, kryeredaktor Risto Siliqi, e arkëtar Karlo Suma), duke u bërë kështu ndër publicistët më të njohur. Përveç artikujve me theks të fortë etnik kombëtar, Ristoja boton edhe mjaft vjersha që nuk mundi t’i botonte si libra më vete për shkak të vështirësive financiare. Megjithatë, për shkak të ndërhyrjes së Esat Pashës e tradhtarëve të tij në fillim të 1914 në Shkodër nisi lufta e ashpër vëllavrasëse. Komiteti u shpërnda dhe u zëvendësua nga një Komision i Posaçëm, brenda të cilit kishte edhe tradhtarë. Risto Siliqi kundërshton prerë propozimin për thirrjen e një ushtrie të huaj malazeze që të shuante luftën vëllavrasëse. Më vonë në Durrës nis kryengritja e Esat Pashës ndaj Princ Vidit. Nga të gjitha vendet, nacionalistët i vijnë në ndihmë qeverisë së Shqipërisë, nën udhëheqjen e kolonel Tompsonit, i cili vritet. Ristoja gjithashtu merr pjesë në këtë luftë. Me shpërthimin e luftës ballkanike, Ristoja u gjend në Shkodër. S’kaloi shumë kohë dhe Mali i Zi pushtoi Shkodrën. Tre ditë pas pushtimit, Ristoja arrestohet së bashku me Luigj Gurakuqin e shumë të tjerë dhe dënohet me vdekje. E ndërsa nisin ekzekutimet, mes të cilëve u vra dhe Çerçiz Topulli, Ristoja me patriotë të tjerë shpëtojnë, pasi Austria pushtoi Malin e Zi e mbërrin në Shkodër. Deri në fund të luftës ballkanike, Ristoja ushtroi profesionin e avokatit, të cilin e kishte filluar që në kohën e 5 Fuqive. Pas mbarimit të luftës ballkanike, ku Shqipëria nisi jetën si shtet i lirë e i pavarur, Ristoja vazhdoi avokaturën, por duke mos lënë pas punët e atdheut. Qeveria e emëroi në 1922 gjyqtar në Vlorë dhe në vitin 1923 si kryesekretar në Ministrinë e Drejtësisë dhe anëtar i komisionit të Ligjeve. Në fund të vitit 1923 lidh miqësi me Fan Nolin. Më pas, u kthye sërish në Shkodër ku vazhdoi punën e avokatit deri në fund të jetës. Ai vdiq më 1 maj 1936. Në emër të djelmisë shkodrane, profesor Ernest Koliqi me një oratori të veçantë theksoi vlerat e vërteta në Shqipëri e mërgim të Risto Siliqit, pjesëmarrjen e tij në kryengritjet kombëtare të veriut, duke e krahasuar me vjershëtorin shkodran Vaso Pashën, dhe me Naim Frashërin. Ai e cilësoi Riston si një poet me ndjenjë të hollë e gazetar me kurajo dhe në fund theksoi zotësinë dhe ndershmërinë e tij si avokat. Shumë njerëz të famshëm janë interesuar e kanë shkruar më pas për Riston Siliqin. Mes tyre edhe poeti Lasgush Poradeci shkroi disa artikuj në shtypin e kohës për Riston si poet e atdhetar, si dhe një baladë të titulluar “Mbi ta”. Familja e tij ka mbledhur gjithë poezitë dhe publicistikën në një libër të ri të botuar në 1998, me titull “Rreze Agimi”.


Veprimtaria letrare

Libri i tij “Pasqyra e ditëve të përgjakshme” ruhet sot në Muzeun Kombëtar, dhe përbën një vepër dokumentare-letrare, ku detajohen kryengritja e Kosovës e 1910 dhe ajo e Malësisë së Mbishkodrës në 1911, paraqiten të dhëna për udhëheqësit e luftës, si Isa Boletini, Idriz Seferi, Dedë Gjo Luli etj. Ristoja i ka përshkruar këto luftëra me aq vërtetësi, pasi ishte vetë pjesëmarrës me armë në dorë duke luftuar kundër armiqve të shumtë të asaj kohe. Tematika e vjershave të tij është atdhetare dhe shoqërore. Ai lëvron edhe vjershën satirike. Krijimtaria e tij poetike shquhet për idetë demokratike, për simpatinë ndaj luftëtarëve të thjeshtë malësorë, për dufin luftarak, thjeshtësinë, ndikimin e frytshëm nga poezia popullore. Vlerën artistike poesisë së tij ia zbehin notat retorike, që vihen re herë pas here dhe gjuha e papërpunuar. Megjithatë ka vjersha shprehëse si "Tradhtarëve të kombit" dhe "Mehmet Shpendi" ku portreti i trimit që i dha emrin vjershës, jepet me forcë epike dhe ngjyra legjendare.

Kur' nuk gjendet zbathë e zdeshun
Por gjithmon' gatue për pritë.
N'zheg e n'shi e n'borë e breshën
shtati i tij gjithmonë vaditë.
Shpesh Siliqi i ndërthur motivin atdhetar me atë shoqëror. Poemthi "Luftëtari ynë" është i afërt për nga tematika me vjershën "Shpërblimi" të Asdrenit dhe "I mbetuni" të Mjedës. Heroi i tij është një fshatar i varfër që, për lirinë e atdheut, rrëmben pushkën dhe jep jetën në luftë. Poeti proteston kundër klasave të pasura që i lanë fëmijët e këtyre luftëtarëve pa mbrojtje:
Dyert të huaja të kërkojnë
Për një kojë bukë të thatë!
Protesta ndaj padrejtësive shoqërore ndihet edhe në krijime të tjera të fundit të R.Siliqit sidomos në vjershën e gjatë "Burim poetik". Vepra më e njohur e R. Siliqit dhe më e realizuara është poemthi lirik "Mrika në shkangull". Këtu gjejmë shfaqe spontane të realizmit, edhe pse vepra në tërësinë e saj është romantike. Mrika, një vajzë e re, e çiltër, plot ëndrra, gabon në dashuri dhe i jep fund jetës. Poeti e mbron forcën e dashurisë, dëshirën për lumturi dhe proteston kundër shoqërisë patriarkale e hipokrite, që me zakonet e saj të egra bëhet e pamëshirshme ndaj të pafajshmëve. Vepra, përveç mendimit tepër të avancuar për kohën ka edhe vlera artistike. Poeti ka arritur këtu një thjeshtësi dhe natyrshmëri, një ngrohtësi ndjenje që u mungon krijimeve të tjera. Poema spikat për vëzhgimet e holla psikologjike që ndriçojnë botën shpirtërore të heroinës. Tablotë e natyrës, plot ëmbëlsi e hijeshi, me ngjyra romantike, janë në funksion të ndjenjave të protagonistes. Poema është e llojit shoqëror-psikologjik.
 
_______________

Burimi: Wikipedia




LUFTETARI YNË

E fatkeqësoi vorfnija,
Nuk ka mbrojtje prej kurrkuj,
Shtëpija e vet s’asht e tija,
Brenda rron si rob u huej!

Robe mëma*) rob e polli,
Me keqhjekë i vu kunorë,
Tok’t frytore aj i mbolli, -
Vjen u hueji e i korr!

E tlynin prej qumshtit mnjelmë*)
Merr halldupi*) – t’mbramen pikë, -
Aj me shllirë, shllirë t’njelmë
T’vet gërmazit enden*) fik!

Vorfnija, zija, mnera,
Petkat crule, gjoksi çelë,
E pjek djelli, e rreh era, -
Shpirt i fortë e nuk i ngel!

Por nji ditë iu neveriti
Kjo vorfni, kjo robëni,
Thue se ore e vet e thrriti
Dhe jeten ta bajn’ dëshmi.

Rroki pushkën at gjaksore,
N’brez mbërthej at samokresë*)
E ma s’oarit shkoi ndër vorre,
N’vorre t’prindes mori ndjesë.

Mori ndjes’ dhe u betovi:
„O liri, o vdek’ me nder!...“
Syni lote i pikovi,
Se kujtoi fëmijtë të mjerë!

Katër foshnja për rreth votret
Pa nji mbrojtje që i la ,–
Shtërngoi zemrën, shini lotet
Edhe mallit nuk iu dha.

Por u soll me t’shpejta çapa
Tuj vegue me synin shgjetë,
Nuk e ktheu lryet mbrapa
Dhe që mbrriti n’mal të shkretë.


          *   *   *

Pasoi dita, ardhi nata,
E luftari pushkën n’dorë,
Filloi shiu e shtërngata,
Filloi breshër, filloi borë!...

Ndër kujdese ra të thella,
Kriznet zemrës tuj ia njehë,
Nuk e mprute dot as shpella,
Vetëm qiellin kishte strehë!

Nata e par’ në mal q’u hodhi
E dhunojti pa mëshirë,
Porse mëma kështu e polli:
Me vue*) si burrë i mirë.


         *   *   *

Orët shkojnë, agimi plasi,
Pushoi moti i natës s’parë;
Me halldupa aj u hasi,
Pushkës gjaksore i dha zjarr!

Deh fatosi luftën nisi
Me t’pafrigshmën fytyrë,
Sa barbarë I rrokullisi,
Të lahen në gjak të ndyrë!

Ra përseri dhe errësina
E luftari udhën muer,
Porsi shqari mbi shkëmbina
Xu pushimin mbi nji gur.

Mbi nji gur pushimin nguli,
Gjaksoren e pshteti n’sup
E prej krahit strajcën uli,
Xuer ca bukë edhe nji kupë.

Çeli kupën, kupën drunit,
Me kryp’ bukën e mylmej*),
Buka thekën vend’n e unit*)
Luftëtarit ia ushqeuj!

Ja ushqevi vend’n e unit
T’mbramen her’ në jet’ të vet,
Se iu sos kafshata e fundit,
As thërime ma s’i mbet.


         *   *   *

Pasojn’ ditt e koha vojtje,
Pasojn’ ndeshjet,vrasë e presë,
E luftari pa nji mbrojtje,
Përpos pushkës t’vetmes shpresë!

Tuj luftue për nder të fisit
Po hjek’ zi, po vuen mundim,
Bar këllkaze, kshtnja lisit
Vetëm kishte për ushqim!

Kur qerpallet gjumi vriste
Dhe kotin s’po muj me vue,*)
Se gjith forca iu moliste,*)
Lypte shpirti me pushue

Me gjaksoren kapërthye
U përshtrite i tërhejektë,*)
Shtatin n’tokë e gur nën krye
I kënaqte sytë e mektë.

Me halldupa kur u ndeshte,
Me barbar të pamëshirë,
Buza veç at herë I qeshte,
U ushqete për dëshirë.


         *   *   *

Por nji dit’ si’ shkoi për s’mbrarit.
Xu luftovi poe sa pak, -
I ra plumja e barbarit,
Plasi gjoksi gulfa gjak!

Porse zemra s’e lëshovi,
Gjaku rrkaj’ s’i shtite mnerë,
Shpërblej varrën q’i luftovi,
Ç’prazi pushkën t’mbramen herë!

T’mbramen her’ pushkën e çprazi
U molisi e u rrëxue,
E ndër buzë iu dëftue gazi,
Se për Shqypni u dëshmue!*)

U rrëxue, ma n’kamb’ nuk çohet,
Gjaku s’prante tue dalë,
U përpoq sa të largohet
Prej barraket*) t’gjakut valë.

Me mundim e xu provimin
Forcë zemrës tuj i dhanë,
Mbas nji shkrepit gjet pushimin,
Ku shkoi gjunjas e rrëshanë.

Porse tresjet*) ktu e xune,
Krejt humbati në kllapi,
E në mashte*) iu dëftuene
Loçka e zemrës katër fmi!

Katër foshnja pa përkrahe
Pa nji mbrojtje, pa nji pshtetë,
Q’i po i len n’vorfni e n’ahe,
N’rrug’ të madhe, t’mjerë e t’shkretë.

Të përpiqen, të trazojnë,”)
Si çë mben’ jetima t’ngratë,
Dyert të heja të kërkojnë
Për nji koje buk të thatë!

Kto kujtime e pikllueme,
Malli i fmive nuk iu shkoq,
Lot prej syve i kulluene,
E mbramja fshame iu tërhoq!

Dridhi shtatin, sytë i mbylli,
Ma nuk juejti askërkah,
E në qiell iu fiku ylli,
Jetën për Shqypni e dha.


1*)   robe mëma = mëm robëreshë
2*)   mjelmë = të mjelur
3*)   halldupi =(turqizëm) turku, armiku
4*)   eden=etjen
5*)   samokresë=(serbizëm)revolverin
6*)   me vue= me vuejtë
7*)   e mylmej= e ngjyu
8*)   vend’n e unit= vendin e urisë
9*)   dhe kotin s’po muj me vue=dhe s’mund të duronte të koturit
10*)   iu moliste= i keqësohej, dobësohej
11*)   u përshtrite i tërhjektë=shtrihej i lodhur
12*)   u dëshmue=ra dëshmor
13*)   prej bërraket=prej vërragës, prej pellgut
14*)   tresjet=(sërb.) të dridhurat
15*)   mashte=(sërb) kllapi
16*)   të trazojnë= të trazohen, t’orvaten

Lavdim Dushi

Lavdim Dushi u lind në Gjurgjevik të Madh të Klinës, më 26 gusht 1985. Shkollën fillore e kreu në   Jashanicë dhe në Klinë. Shkollën e mesme , drejtimi “Teknik i Xehetarisë”, e kreu poashtu në Klinë.
Në vitet ë2001/2004 u anëtarësua në Qendrën Rinore “IMC”, ku mori hapat e parë në fushën e aktrimit, me ç‘rast realizoi role të ndryshme, njëherësh edhe u çertifikua si aktor. Nga viti 2005 u angazhua në teatrin e qytetit, “Osman R Gashi” në Klinë.
Krijimet e tij letrare i ka botuar në disa gazeta dhe revista në Kosovë. Është mjaft aktiv edhe në klubin e shkrimtarëve "Vorea Ujko" në Klinë. Përmbledhja poetike "Gjurmëe etur" eshtë libri i tij i parë. Jeton në Klinë



JETO NËSE MUNDESH

I trazuar
shëtis në qytetin e fëmijërisë sime
i tretur nën plagët e jetës
vazhdoj të jetoj.

shijoj kujtimet
e ndjej pikëllimet e ftohta
sakrificat për mbi jetën
mbi hidhërimin dhe mashtrimin.

Rrugët e qytetit
të mbushura plotë me trillime dhe mashtrime.

I tretur nën lotin tënd,
nën mallkimin e natyrës.

Lugat mbi qiellin e zi,
mbi dëbimin e dhembjes dhe mallit.

Qytet që prodhon dashakëqij
sa të bezdisshëm që jeni.

Ironi mbi ty o njerëz
që nuk dini të jetoni
por vetëm të mashtroni dhe të mallkoni.



NË KËRKIM TË RINGJALLJES TËNDE

Në heshtje qëndroj pranë teje
i ulur në gurin e ftohtë si akull
duke pritur filloi perëndimi i diellit
duke kërkuar ringjalljen tënde.

I heshtur dëgjoj disa zëra
për një moment m'u duk se arrite ti,
lëvizi kokën lehtas
vërej që nuk je ti.

Mendoja që të bëhem djall, apo engjëll,
mendoja që të bëhem diell apo hënë,
mendoja që të bëhem hekur apo gurë,
mendoja që të urrej por nuk arrita dot.

Perëndimi kishte filluar errësira po fillon
nga një erë e lehtë trupi im po dridhej,
uria më kishte kapluar stomakun
në ato male të larta nuk pat ide se çfarë të ha.

U nisa për në peshkim
por nuk arrita dot të zë një peshk të vetëm
në atë oqean të mbushur me lotët e mi
i detyruar ta kërkoj atë.

I ngopur me lot e dhembje
i ngopur me mashtrime dhe trishtime
i etur për ty.



DËSHMORI PO FLET

Përse më hidhni dhe
përse më shikoni
përse po derdheni lot
unë po ju shikoj
unë po ju dëgjoj...

Përse më mbuluat me flamur
unë jam këtu në mesin tuaj...

Hej, o njerëz, nisuni tek porta atje troket Liria
atje troket Pavarësia, atje është gjaku ynë.

E tani mua më leni të qetë
po iki tek miqtë e mi
ju po me quani dëshmor
unë nuk kam vend mbi tokë
Komandant Adem Jashari me pret atje!




ERDHA NËNË!

Këtu të lash e këtu të gjeta
në mërgim të zi humba e u treta
nënë e ulur në Pragun e shtëpisë
më priti shumë kohë deri sa unë po vi.

Erdha Nënë!

Nënës sime lotët më janë tharë
duke pritur djalin mërgimtarë,
Ah, moj nënë e ulur nën atë hije
këtu të thashë mirupafshim
se prapë do të vij.

Erdha Nënë!

Në atë Avion të zi,
m'u kujtua një fjalë nga ti
"Mos harro vendin o bir
se këtu je lindur e je rritë".

Erdha Nënë!

Kam marrë gruan, e kam marrë fëmijë
ditëlindjen tënde ty me ta pritë
po i mbush sot tetëdhjetë vjet
më shumë se gjysmën e jetës pa mu e pritë.

Erdha Nënë...



BARKË E ZBRAZUR

Në mes të liqenit
barka lundron e zbrazur,
heshtja e valëve të liqenit
troket pranë barkës.

E lodhur nga uji
që tundohet nga valët
të pret Ty.

Barka e heshtur
niset drejt pafundësisë së saj
e vetme si asnjë herë tjetër
çdo gjë u kthye në Lumin e Vjetër.

Mbeta i tronditur pas hijezimit tuaj
mashtrimi troket në portën e pa prekur
kënaqësia ime u zbeh në atë moment të hidhur
kaloj hijezimi juaj pranë meje si një Kleopatër e dëshpëruar.

U kthye çdo gjë që ekzistoi më parë
unë lojtar i jetës humba çdo gjë që ekzistoj në atë moment.
Kohë e pa premtuar për ty
buzëqeshja juaj më lëndojë
heshtja ime kujtoj vitet dhe ditët kur kishim jetë.
Kishe krijuar e sjelle në jetë
një Engjëll të pafajshëm
mbeta kod i dikujt tjetër…



HIJEZIMI

Nën hijen e kohës
mbetem si një i huaj -
i heshtur prehem nën hijen tuaj.

Krahët e thyer si një pëllumb
i çmendur në fole,
nuk flas dot deri sa ti nuk je
në heshtje pyes veten time?

Pse të kërkoj?!

Urtësia më fal trishtimin
derisa mbetem vetëm,
tretem si një qiri i verbër
rrugët mbetën bosh.

Kam shumë acar në shpirtin tim
i ulur nën Tokën e Lagur nga vesa,
mëngjesi po agon, Dielli më pengon
asgjë nuk më ndihmon!

Po ti mbetesh peng e shpirtit tim?
Ah…
as dashuri,
as mallkim

Luhatem që të urrej ty jetë
shiu më troket nën tokën time,
ulur pranë Lisit të mallkuar
në skaj të rrugës pres?

Mallkuar qofshin rrugët dhe lumenjtë
që nuk më morën mua,
mallkuar qoftë Oqeani që nuk më fundosi,
mallkuar qoftë dita që të pashë
të lakuriqësuar shpirtërisht.

Mallkimi mbetet asht i verbër
mrekullia mbetet trishtim i shiut,
vdekja mbetet trishtim i jetës...



BARIU I ETUR

Nën pellgun e liqenit të mjerë mbetem unë,
heshtazi nga natyra gjunjëzohem për të larguar etjen
në atë pellg të zi.

Lundrim i peshkut në rërën e përhitur
unë mbetem nën etjen e diellit që ngroh natyrën.

Malet e fushat marrin ngjyrën e jetës
të ngelur nën ujin në pellgut
hijezimi i maleve mbetet virtyt i shpendëve
në kullosat e tyre tek gjethet.

Bagëtitë tronditen nga etja e pa kufi
ulërinin në thellësi të maleve ujqërit e zi.

Unë si bari i trembur fshihem tek zgavrat e gjarpërinjve
errësira po vije bagëtitë në male shqetësohen
pyes natyrën:
si t’i grumbulloj bagëtitë e pafajshme
që kërkojnë ushqim...



TY TË PRES

Liqe i zbehur pa një dritë të heshtur,
barkë e mbuluar me lot vetmie
mbrëmje e pa zakontë me një freski verore,
ulur pran buzës se liqenit në mendime për ty.

Fillon të vijë mbrëmja unë filloj të vetmohem
ti larg meje e pa etur për mua dhe për dashurinë
pranë meje një cicërimë e bilbilit veror më thotë pse
ti kërkon diçka që nuk arrihet e unë i vetëm.

Sillem vërdallë Liqenit të përmbytur me vuajtje
lotët e mi shoqërojnë ujin e liqenit
zemra imë qan për ty, ti si një lundruese jete
hedh dashurinë tonë në një humnerë të pa kthim.

Hëna po fillon të bie mbi Liqen
e unë po iki pa ty
udhëtoj drejt vdekjes së heshtur...



AKULL I ËNDRRAVE

Dhomë e murosur me akull
unë si një i dehur thërras gjumin
mbi një tavolinë të ndërtuar
nga akulli.

Ëndërroja një dashuri
kur papritmas u hap
Porta e Akullit hyri
brenda?

Në duart e tij qëndron
një Medaljon dhe ma vuri
në gjoksin tim, por jo
nuk dua që të marr dhuratë
nga një njeri
që di të tradhtojë

Medaljoni ra në atë Tokë të Akullt,
i thashë vetes sime:
më mirë të vuaj një herë
se sa të tradhtohem
përherë...



HIJA E VDEKJES

Zot…
pse ligësia po na ndjek
hija e vdekjes
pse gjithmonë na prek.

Pluhuri harresës
brezat po na i zhduk.
shpresat e jetës
sa e sa herë na i shkelën.

Lotët e mbijetesës
gjithsesi duhet t’i ndërrojmë.

Mënyrën e jetesës
duhet ta fisnikërojmë;
murin e qëndresës
duhet t’i japim.

Një ngjyrë tjetër jetës,
dhe duhet ta gjejmë patjetër
adresën e së nesërmes
por mos ta harrojmë kurrë.

Kodin e mbijetesës
se vetëm kështu e largojmë
hijen e mallkuar të vdekjes...



FJALËT E DËSHMORIT

Komandant, sot isha
në botën e frymëmarrjes,
dhe nuk më foli askush
të gjithë shikojnë punën
dhe interesin e vet.

Kalova andej e këndej jetës
njerëzit iknin nga unë
oh sa vështirë pashë
vendin ku derdhej
gjaku ynë dhe kishte
e sytë më panë
vetëm barë pa asnjë lule.

Komandant, u nisa prapa
me kishin harruar
nuk dija se kujt t’i them
Adem Jashari
po ju bën të fala të gjithë
mbajeni kokën lart!

Ata që i çliruam
kishin bërë pavarësi
por Mitrovica ishte
ashtu se si e kemi
lënë
Komandant.

Komandant, nga habia
mendova errët e thashë
ata vetëm bukë po ngrënin
nuk po bëfshin asgjë.



TI MOJ HËNË

Ti moj hënë
eja tek unë
me mungon kam vetmi
përse nuk me flet
yjet janë zbehur
sepse ti
nuk vjen tek unë.

Mbrëmë të prita
por ti o hënë
nuk erdhe dot.

Desha ta ndriçoj shtegun me ty
dua që të kërkoj falje
dua që të them
faleminderit që më bën dritë
në kopshtin tim të
dashurisë...                                              

Sonntag, 1. September 2013

Zejnepe Alili - Rexhepi

Zejnepe Alili - Rexhepi është e lindur më 16 janar 1973, në Reçicë të Vogël - Tetovë. Mësimin fillestar e merr në shkollën fillore “Istikball” në Tetovë, për të kryer më pas shkollën e mesme, gjimnazin “Kiril Pejçinoviq”, poashtu në Tetovë. Në vitin 1997 i mbaron studimet në Fakultetin Filologjik, dega: Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup. Në vitin 1997 punon në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” të Bogovinës - Tetovë. Një vit më pas, punon si profesoreshë në gjimnazin e Tetovës, deri më 2007. Nga viti 2007 është ligjëruese, në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës.
Në vitin 2008, magjistron në temën “Figura e gruas në veprën e Sterjo Spasses”, në Fakultetin Filologjik - Departamenti i Letërsisë, pranë Universitetit të Prishtinës.
Mbron temën e doktoratës: “Karakteri i personazhit të gruas në veprën e Migjenit dhe G. Flober-it”, në Fakultetin F...ilologjik, në Universitetin “Shën Kirili dhe Medodi”, në Shkup, në vitin 2010.
Me shkrime fillon të merrem që në moshë të hershme e deri tani ka publikuar: poezi, ese, udhëpërshkrime, vështrime letrare, etj. Shkrimet për të rinj, herë pas here i boton nëpër gazeta dhe revista, si: “Flaka”, “Fakti”, “Shpallja”, “Tribuna shkencore”, “Drita”, “Jehona”, “Shqiptarja”, “Cogito”, “Ndryshe”, “Haiku”, etj.
Një kohë e udhëheq revistën Gjimnazisti (revistë kulturoro - argëtuese për të rinj), të gjimnazit të Tetovës. Gjithashtu, boton shkrime të ndryshme dhe përkthime duke qenë edhe kryeredaktore e revistës kulturoro-argëtuese për të rinj “Drita”.

Para lexuesve prezantohet me veprat:

Peng loti (poezi) - Tetovë, 1998;
Ëndërr shtegtuese (poezi) - Shkup, 2000;
Ujëvara e syrit (poezi) - Tetovë, 2007;
Ëndërr shtegtuese (botimi II), (poezi) - Tetovë, 2007;
Figura e gruas në veprën e Sterjo Spasses (studim shkencoro - letrar), Tetovë, 2009;
Nën pushtetin e Erosit (poezi)– Tetovë, 2011.
Gruaja te Migjeni dhe Floberi (studim shkencoro - letrar), Tetovë, 2011.

 

Është përfshirë në disa antologji:

Bibliografia e letërsisë shqiptare për të rritur në Maqedoni 1953 – 1997, Tetovë, 1998;
Antologji e lirikës së dashurisë - Poetët shqiptarë, Tetovë, 2001;
Nektari i shpirtit shqiptar - Antologji poetike për Çamërinë, Elbasan, 2007;
Poezia art i fjalës - Antologji e poezisë shqipe, Manifestimi poetik “Pushkin”, Shkup, 2008;
Antologjia e poezisë shqipe, Manifestimi poetik “Ditët e Naimit’, Shkup, 2008;
Poezia në mes dy verave –Manifestimi poetik Mbrëmjet Strugane të Poezisë, Strugë, 2008;
Poem Between two summers, Struga poetry evenings, Shkup, 2008;
Letërsia shqiptare në Maqedoni - Poezi II, “Mikena”, Manastir, 2009.
“100 poet për 100 vjet atdhe”, “Arbëria desing”, Tetovë, 2012.



Kliko dhe lexo ==>> Poezi nga Zejnepe Alili - Rexhepi

Samstag, 31. August 2013

Gonxhe Letmi - Begisholli

Gonxhe Letmi - Begisholli

Gonxhe Letmi - Begisholli u lind me 1 Maj 1971 në Diber. Shkollën fillore dhe te mesmen e mbaroi ne vendlindje, ndërsa Shkollën e Lartë Ekonomike e kreu në Peje me 19.11.1991. Prej vitit 2000 jeton dhe vepron në Heidelberg te Gjermanisë. Eshtë e martuar dhe ka dy femijë. Prej vitit 2006 eshte antare e Keshillit te prindërve të Shkollës shqipe në Heidelberg, poashtu është antare e LSHAKSH në Gjermani si dhe antare e Pegasit Albania.


Veprat:
  • "PASION ËNDRRE", (poezi ) SHB "Beqir Musliu", Gjilan, 2011
  • "LUTJE NËNËS" (poezi për fëmijë) Nëntor 2012


Poezi nga Gonxhe Letmi - Begisholli


PAVDEKESI

Jusufit,Kadriut e Bardhoshit-pishtarë kombëtar
veprat tuaja ndezën shandane
lajmëtar të lirisë
në rrjet marimange
flijim i pavdekësisë....
poet në vargje persiatje
zë bilbili n´tel kitarë
ja zogu lajmëtar
folenë ka në kalanë e diturisë
me kodin e gjakut gazetar
këngë n´altarë...
..e sot po sot
dhe çdo përvjetor janari
kujton kënga
ligjëron kanjushë Shqiponje
pa tel...medet pa tel n´kitarë
lotin në syrin e vrarë....
T´fala nga vatra e Dibrës së madhe
nipër Kastrioti
për Lokëmadhen
lidhë BESE zoti
prej moti...
Amanetin tuaj
ngjyrosën retë
me pushkë e pendë
lindje flijim i qetë
Ju jeni stolisë
me kurorë pavdekësie.


 

ANATOMIA E FLAMURIT

Ngjyrë lëng damari
përsiatje n´kohë katrani
Kur operonin "gjarpërinjtë e gjakut"
Edhe në themelet e kullës
n´Abetaren e shkollës
n´agun e Aurorës
për shtizë u murosëm.

Me 28 Nëntor...
të vitit shëmtak
Në Dibrën krenare
Vizatimin e parë
ballë oxhaku
në murin e bardhë
skicova Flamurin
me ngjyrëzhibël Shqiponjën
për Flamur një dozë gjak
nga delli i Gjyshit
Anatomi Flamuri
Prej gjenit të fisit!

 


ÇAMERI, TOKE E BEKUAR.

Në muajin e mjaltit siç i thonë
tesha Prevezë,Lefkadë,gaz e lot
rizgjohen kujtimet përrallore
tokë e bekuar-Camëria,gjëmon!
Unë arvanitase,lind jam n´Camëri
të preka plagën,me mallin e zjarrtë
flokun ngjyrë gështenjë,arom´Arbëri
folëm,qamë e qeshëm,deri në mesnatë!
Bukurinë e zgjimit urova me lot n´sy
tabllot e vuajtjes shpalos historia
për tokën tonë,digjem mbyllë në dry
fjalën shqipe,përkëdhel sot breznia!
Camëri,...o Tokë e bekuar
fis as gjen s´ska për të harruar!

 


DIBRA HISTORIKE

Dibra,etni n`atlas
histori djepi
Kullë, Besë burri!
Pushka dibrane
tërmete barbare
dell Kastrioti për oxhak
N`palë flamuri pikon gjak.

Gjergj Dibrani frymon thellë
Kullat tona kanë themel...
Dibra e Madhe mbi rrasa guri
majë Kalasë shndrite Flamuri!
me plis të bardhë e tirq burri!

 


TOKA IME

Sonte,toka ime qep plasaritjen me lotin
më fal ajrin e fëmijërisë
në lagje,avli aromë për motin
në trollin e trimërisë.

Sonte,...po sonte
shkriva mallin që barta me vete
në metropolet shumëngjyrëshe
sa prehem, në tokën e stërgjyshëve!

 


LUTJA SHQIP NË MËRGIM

Nënë të lutem shumë
në shtëpi shqip dua të flasish me mua
edhe pse në mërgim jam lindur
unë jam gjak shqiptari
a mos ke harruar?
dua ne shkollë shqipe të shkoj
historin etnis të mësoj
do dëshmoj gjenin e gjakut nga vij
shkronjat e Manastirit ruaj në gji
të qëndisë të shenjten SHQIPERI
pastër dua shqip të flasë
me shoqe shqip të lozë e bërtas
Tokës sime t`i bëjë vizitë
n`prehër të gjysheve kërkoj rritë
s`dua të mbetem si hutini
në ket Dhe të huaj...O Nënë
po se fola gjuhen e mëmës
do më marrin nëpër këmbë!
M`përkëdhel Nënë,me shqipen prore
për jetë të jetës,ti ngel fajtore...!

 


AI DHE ATA

Rrugicat e qytetit
njohin
fytyrëzbehtin
planguriturin
me supin e thyer!
të pashëm ka veç nurin!

Ata,...
njihen me dolli
kokë më kokë
llafosen
zgërdhihen pa kufi
ditën varrojnë
natën këndojnë

Ai dhe Ata
Muri kinez ndan
Jetë gravon vesa
e fundit vdes shpresa.

 


KUR VDES POETI
(Ali Podrimja)

dita bëhet natë
nata bëhet tmerr
kur pushon zemra
e poetit

kur lapsi ngelë statujë
një copë letër në murë.

yjet zbehën shkëlqimin
e malet u shkundën
nga habia
e kumtit të zi...
poetët shkruajnë dhembjen
sa toka në re
si iku poeti
fare pa u përshëndet.

Eh... sa vranësi
lot e nostalgji
si vdes poeti
me sy të thellë sa deti.

E unë motra arbëreshe
tok me vllëzërit poet
drithërimë në zemër
apo bënë tërmet...!?
zgjohu me sytë xixë
për ty ...
me ty jemi sot
për ty o i madhi poet
zgjohu poet
e më dëfto vargjet për Lumin
shtegut të dritës
krenarisë e rritës
e n'zemrat tona
rrahin kambanat e pritjes.

 


MBRESËRISË

-qytetit të Strugës-

Do i kthehem këngës së hershme
adoleshencës, rritës së fëmijërisë
gurrës së Drinit, urës së drunjtë
gjuhës së hareshme, qytetit të mrekullisë!

Drini i zi me rrjedhë të bardhë
lisa të gjatë me gjethe të njoma
përkund djepa, Flamurin në ballë
gjuhë shqipe, e jona se e jona…!

Mbrëmjet poetike fllad i vapës
eni buzë liqenit që frymon freski
gëzuar stinën strugane me një gotë raki
një copë pogaçe, një dozë dashuri
Ngelin kujtimet panoramë magjike
notesi figuron gjak e vëllazëri
Peisazh pikture për ty zënë, o mike
Rrapi ngjyron hije për një SHQIPËRI!

 


QYTETIT TIM

Nëpër rrugët e qytetit tim
ëdrroj shetin çdo natë
në rrugicat e ngushta
kalldrëmet e vjetra…
çatit e ulta
aty prehem
shpalos kujtesën
me afshin e dhembjes
Aty ku flitet e dëgjohet
e bukura letrare
e ëmbla dibrane
gjuha amtare
Aty ku burrat
ngrejnë dolli
nën hijen e rrapit shekullor
aty këndojnë himnin për Shqipëri
me afshin amnor
Më shoqëron ëndrra n’qytetin tim
… eh sa zgjohem një grusht lot përpij.




Fat në fatkeqësi !

Është kohë me (pa)hapësirë,
gjërat rrokullisen me (pa)dëshirë,
ka dhe njerëz të tillë…
fryjnë politikë!
Ku po shkon “politikë”
na futë si në labirint...
as shujta s‘ngel
pa politikë.

natën godasin,
ditën derdhin lot
politikë ditore,
skamja në përmot!
Jeta është art,
gjithë dashuri...
Po politizimet?
“Fat në fatkeqësi“!

Neki Lulaj

Neki Lulaj u lind më 13 janar të vitit 1955 në Bërliq të Pejës. Shkollimin fillestar e kreu në Prapaqan, kurse gjimnazin në Deçan. Mëpastaj u regjistrua në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës (Dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe), ndërsa në vitin e tretë, pa u shkëputur nga ndjekja e ligjëratave, u regjistrua edhe në Shkollën e Lartë Pedagogjike „Bajram Curri”, në Gjakovë (Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe), të cilën e përfundoi me sukses, falë përkrahjes profesionale të poetit dhe profesorit të ndjerë, Din Mehmeti.
Aktualisht jeton dhe vepron në Gjermani, ku punon si mësimdhënës. Neki Lulaj është  anëtar aktiv i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve e Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, koautor (së bashku me Hasan Qyqallën) i antologjisë “Trinomi i lirisë”, prezent në antologjitë “Kështjella e ëndrrave” dhe “Shpirti dashurisë”. Bibliografi lirike: „Dardania ime” (Albanezul, Bukuresht, 2011), „Në kështjellën e përjetësisë” (Amanda Edit, Bukuresht, 2011), “Zjarri i shpirtit” (Amanda Edit, Bukuresht, 2012), “Bukuri e bekuar” (Amanda Edit, Bukuresht 2012), “Balada e heshtjes” (Amanda Edit, Bukuresht 2012).


Poezi nga Neki Lulaj

NË PREHËRIN E KOHËS

Në prehërin e kohës
Mbi parmakët e dritares
Era bën zhurmë e zhurmës
S’i ngelin gjurmët e kohës së shkuar
Atje e ka ngehur shtratin qetësia
E nusëruar me vellon e vetmisë ...


Heshtja nuk shlyen kujtimet
Ajo thithë erën e bjeshkës
Në ditët pa diell
Meditim i tejdukshëm
Vranësirë e padukshme…
Mbi buzët e thara me blatime
Etja i thurr gardhit kurorë
Freskie
Mbi shkrepat e kombit

Ëndërrat janë pjesë përjetësimit
Simfoni e rrallë
Sy të e lodhur nga dashuria
Në folenë e natës
Katet e jetës i ka ngrehur vetmia

Shikim i tretur në pakufi
Shikim i lagur
Në vjeshtën me shtërngatë shiu
Bie me fërshëllimë ere
Mbi Stemën e zemrave
Që nuk vdesin kurrë
Bien daullet e jetës…


 
METAFORË DASHURIE

Loti yt si kristali
Rrëshqiti dhe i
Njelmëtoi ujërat e deteve
E valët i përplas furtuna
Kujtimet struken
Në gojën e shkëmbit
Që nxjerr stërkala
Mbi qerpikët e zi…

Metafora e dashurisë
Është Lulja e kripës
Që i ëmbëlsoi buzët tua
Që shëmbëllejnë
Me petalet e lules

Kur i merr era duke
Rrëshqitur mbi vale…
Ato kush i pa
Ato kush s’i pa
Shkëndija jete
Lëshojnë papra…


 
BALADA E HESHTJES

Nga simfonia e heshtjes
Me puthjet e erës
Frymëmarrja ngacmon
Dhembjen
Ligjërojnë engjëjt
Mbi sqenë
Në amfiteatrin e Butrintit
Vargjet nuk u ndryshken
Nëpër valët e përjetësisë

Notat e mallëngjimit
Dhe vajet e melankolisë
Nuk e çlirojnë
Atdheun e tkurur
Si myshk kohe i ndezur
Kurrë i pa fikur
Kurrë s’e braktisëm
Shallin e shekullit
Të lidhur fortë
Rreth qafës së moteve

Buzagazi i jonë
Ishte ironi
Nëpër stinët e durimit
Se ne gjithmonë
Vrapuam pas Diellit
Duke rrëfyer lashtësinë
E meteorëve të dashurisë
Mbi shkrepat e Dardanisë

PRANË LUMIT

Pse
Lumi i njelmët
Ishte shtërngatë kohe
Dhe ndrydhje
E burim
Lëng malli e va lundërtari
Mbi qerpikë
Ai kurrë nuk krijon letartargji
As strehim në karakatinë

Në sheshin
E shpirtit tim
Buzë lumit të njelmtë valon
Flamuri Dardan
Krenari e përhershme ndër mote
Që i shëndritë
Bukuriritë e kohës
Në çdo kohë, madje dhe
Kur bie shiu i ëmbël mitik
Krejt vendit tim i jep
Bekim jetë dhe dritë

NATA

A është
Nata shtrat muzash
Pjellë për poetin
E pa gjumë
Bulkth në plasat e karakatinës
E ve në gjumë palluan e lodhur
E mbi qerpikët i rëndon
Misteri i natës

Unë
Mergimtar, udhëtar i vetmuar
Lundroj mbi dallgët e jetës
Me anijen pa udhëtarë
Mbi detin plotë valë
Shkel mbi foletë e perlave
Çaj valët e përmbysura
Të dallgëzimit

Me gërhamat e kohës
Së lodhur
Eci mbi udhët e erës
Pesimist i foleve të përmbysura
Shpirtin i derdhur
Mbi zanoret e kohës
E koha kurrë s’më mjaftoi
Kohën kurrë s’e preka
Me gishtërinjtë e kurreshtjes

TOLERANCË

Në gji të bekimit
Atje ku
Të bekuarit nga perënditë
Prehen
Në dritën e qiellit
Dhe detit pa dallgë -
Një univers bashkëjetese

Ti
Mi sjell bukuritë përrallore
Të jetës
Të notoj mbi re
Të fluturoj në qiell
Me karrocë nusërije
Krushk me plis
Lajmëtar dashurie
Perëndeshë e bekuar
Hyjni e bashkimit
Pa na beko moj hirësi
Pas një shekulli ndasie

SHKALLËT E JETËS

Mbi shkallët e jetës
Fluturon mendimi
Nën këtë kupë qielli
Ulur mbi beton
Ku ti zgjedh fjalët
Imzot
Në ketë përcëllimë dielli
Bisedës nga t’ia filloj

Në grykën e bjeshkës
Ecje vertikale
Kurrë nuk ia ktheve shpinën
Shpirtit të fshatit:
“Shko moj dallëndyshe
Tuj fluturu
Që të m’i gëzosh
Ata që ju kan kujtu”

Qelqi Filigran i kohës
Në dhomën e lutjeve
Qirinjtë shkruajnë metafora
Imzot
E në qoshin e xhamit gavruar
Lazëri lodhjen e shekullit
Në heshtje e mpin
Me lutje shpirtërore tologu patriot

Sonte Mjeda dhe Lazëri
Në zemrat e rinisë Kukëljane
Sjellin gëzimin djersën idenë
E një shekulli drite
E shtatë dekada e gjysmë rritje
Në sheshin e bijve të shqipes
Ndre Mjedës rinia vargje lavdie
I ligjërojnë…


 
PAMJE

Ata
Të dy mbanin
Veladona prifti
Ecnin qetë me hapa
E frymëzim muzash
Pikëpjekjet e bekuara
Ndrydhje vitesh
Sytë plot mallë të paimagjinuar

Mjeda dhe At Zef Pllumi
Bisedonin me heshtjen
Kohën e vrarë me vite
Në fshatin Kukël
Qëndisnin pleqërinë
Ulur bashkë
Rreth një tavoline pune
Vitet i ftonin
Në vekun e Penelopës
Pritnin Godonë

Kodra puthte lugun
Me famullitarët e kohës
E Bogdani rrugëve
Të Prishtinës pa varr
Pa pragun e shtëpisë pa asgjë
Çallma kryneçe shtrëngonte
Kamxhikun
Themelet e Dardanisë
Nga rruzulli me i zhbi

Kodra puthte lugun e etur
Mrekulli që nuk të kan’ parë sytë
Ulur bashkë në Shtëpinë e Zotit
Pralmisin kohën Mjeda dhe Pllumi
Dy priftërinjtë e shpirtit të florinjtë

KY SHEKULL

Ky shekull rrezaton dritë Vlore
Nga parlamenti i mëndjes iliriane
Vërshojnë gryka lumenjësh
Mbi këto trojet e Luigjit të bekuar
Të thinjurat e kohës mëndafsh i praruar
Zanat kadariane i mbledh Moti i madh
Sa bukur këtij shkulli për t’i ligjëruar

Duart e Marigosë me mëndafsh qëndisin
Bukurinë e rrallë çeiz vajzërije shekulli
Lëshon rreze ari mbi hartën e vjetër
Kur puthën dy shqipe në kornizë gjergjefi

Rrëshqet nga Boletini një burr’ me dy kobure
Erë e djegjëve të egra rrugën ia trason
Vështirësitë e kohës i dalin përpara
Zanat e malit vigun ia ndërtojnë
Bjen në gjuj e puth shqipen pa fluturue
Aty e jep betimin bashkë me jetue

E Lezha nga froni i Skënderbeut
Fluturon shkaba mbi kalin e Gjergjit
Në momentin vendimtar
Epoka para sprovave të qëndresës
Me burrat e kombit krenar
I jep jetë me nënshkrimin e testamentit

VENDIM EPOKAL

Ninullat tona legjendare
Thellë ne zemër i ruan toka
Atje ne Vlorën e bekuar
Sot vuloset Epoka.
Në falkë të mënisë
Digjej turku e shkau
Për ketë vendim epokal
Lisat e kombit nuk i rrëxon era
Kobure jatagana e plisa të bardhë.

Në Nëntorin mjekërr bardhë
Ismail Qemali me këmbë të mbarë
I tuboi krejt zogjtë e shqipes
Prej Bukureshtit dhe Amerikës
Shtegtuan mërgimtarët
Nga të katër anët e botës
Mbi kuajt e Gjergj Kastriotit
Për t’i berë një nderë Nanë Lokës
Duke e ngritur flamurin e kombit
Mu në zemër të Vlorës

NGA BOLETINI NË VLORË

Boletini në kufi të shkaut
Sa u rrudh kjo hartë e vjetër
Shalon atin e kohës së patretur
Në Vlorë të bukur e gjuan gurin
Ku u bashkua mendimi i pafjetur

Digjet flakë Dardania
Nga zilia plasë Stambolli e Beligradi
Kanë vendosur bijtë e Kastriotit
T’ia shëndrrisin fytyrën këtij moti

Është fryrë Vjosa Drini e Buna
Rozafa pret e përcjell burrat e kombit
I then pritat e armikut
I ngrehë vigat mbi lumenjë
Për t’ia shkurtuar rrugëtimin popullit

Shtizë flamuri zbukuroi sheshin
Në Vlorë u nënshkrua testamenti
Lotët e gëzimit vërshuan lum pa va
Shtrëngohen fortë duart e kombi
Kur arriti Isai nga Boletini
E puthi shqipen në dy krahët e saj

NE

Ne jemi ata që ishim
Zogj me diellin në ballë
Jemi vetëm dritë dashurie
E agimeve të bardha
Çdo herë pritëm çastin e madh
Nga rrugëtimet e gjata

Jemi gaca prushi prej bugu
Që nuk fiken kurrë
Jemi çelik i gdhendur
Diamant e smarald
Fjalë me mijëra ngjyra
Edhe mbi Univers
Do të ndërtojmë një Urë

Jemi mysafirë yjesh
Mendimtarët e shpëtimit
Udhëtar i kolonave të gjata
Mbi cegëm dhe acar
Margaritarë të agimit

Jemi engjëjt e reve
Me kukëza prej tisit
Të puthur prej muzash
Në gjumin e parë
Që dje kënduam
Në korin e gjatë
Se jemi ushtarë

MËRGIMTARI

Fytyrës i ka arratisur buzëqeshja
Loti mbi syrin e përlotur
Po ofrohet çasti i ndarjes
Ngërçi i mërgimtarit
Sërish lamtumirë…

Koha e hëngri vetëveten
Këmbanat e ndarjes po bien
Në kokë shtrihen rrugët si gjarpëri
Premtime premtime premtime
Gjysh ne prap do të vijmë
E gjyshja palon jetën
Në arkë çejzi don ta ndryej
Kujtimin e mbarë dhe
Pleqërinë e bardhë…

Ju gjyshër na pritni
Thinjat mos i hiqni
Si mdafshi i arit ju rrinë
Lakmi mos ia merrni pleqërisë
Se mbi fytyrat tuaja
Shndrisin kujtimet e dashurisë

Fëmijët e lëshojnë shtatin
Tejmatanë djepit të babës
Gjyshin e ka kapluar një mallë
Që sërish në verën tjetër
T’ua rrefejë ndonjë përrallë

Lisat veç po rriten
Të gjatë të etur për
Ujin e bekuar të kësaj toke
Zogjët sërish po kthehen
Në folenë e Nënës Loke

KOHËRAT

Nëpër kohërat e krisura
Ne patëm mundime të gjata
Na detyruan të udhëtojmë
Ditë e netë nëpër furtunë
Mbi moçalet e jetës

Duke e çarë natën
Duke fjetur me hope
Zbathur mbi bagrema
Ecëm
Edhe mbi tela me gjemba

Mbi shkëmbinjtë e thepisur
E bëmë natën në këmbë
Kurrë nuk u ulëm
Mbi qiellin e butë
Askend nuk mallkuam
Se ishim të urtë…

Gjetëm kalin e bardhë
Mu në mes të lëndinës
Së lotëve, në tavernë
Plaku me mjekërr
Doli shpëtimtar
Ejani bijtë e shqipes
Se rruga e pavdekësisë
Është kjo prapa shpinës


________________________
Metaforë dashurie me valët e përjetësisë dhe baladën e heshtjes. Stinët e durimit në prehërin e kohës. Neki Lulaj i jep prioritet substancës poetike, afshit të dashurisë ndaj atdheut dhe sentimentit që përfaqëson zërin e zemrës dhe shpirtin e fjalës. Neki Lulaj është poeti i lirisë, skulptor fjalësh dhe mjeshtër i artit poetik, i ngarkuar me meditime filozofike, ëndërrime, fluturime, përjetime të ëmbla e të dhimbshme, dhe, siç thekson kritika letrare, vargu i tij ka një përmbajtje të lartë artistike dhe një ndjeshmëri të thellë ku reflektohet realiteti i shqiptarizmit në Kosovë dhe Diasporë. (Baki Ymeri)

Donnerstag, 29. August 2013

Fran Ukcama dhe "Kështjella e kujtesës"


Dr.sc. Faik Shkodra

HIMN MBI LIRINË, PAVARËSINË

DHE BIOGRAFINË E POPULLIT SHQIPTAR

Fran Ukcama, “Kështjella e kujtesës”, Shtëpia botuese “Ymeraj”, Fier, 2012

Fran Ukcama, me çdo vepër të botuar, të përvetëson me kulturën letrare e artistike, me stilin origjinal, me temat aktuale, me hapësirat metaforike, simbolike dhe njerizuese që u bën ngjarjeve historike dhe vlerave kombëtare. S’ka dyshim se këto arritje të suksesshme të Franit do të duhej t’i shihnim, në radhë të parë, me botën e pasur shpirtërore e ndjenjore të tij dhe me frymëzimin që e merr nga brenditë e thella të temave të mëdha të historisë e të ngjarjeve të dhimbshme të jetës dhe të ekzistencës së shqiptarëve nëpër rrëmujat e shumta të epokave historike. Në secilën vepër Frani vjen me vlera e vrojtime të reja. Jeta e ka mësuar se njeriut të gjallë stuhitë nuk ia ndalin fuqinë, as fizike as krijuese, për realizimin e shestimeve dhe idealeve të veta. Dhe në këto stuhi që u zbrazën pa mëshirë mbi fatin e shqiptarëve, sikur pas sa e sa vjetësh e shekujsh jeta na qorton me shumë të drejtë se ne shqiptarët, duke mos e zbërthyer, duke mos e kuptuar e duke mos e qartësuar me mendje të ndritur të kaluarën, sikur na e tërheq vërejtjen se më shumë u munduam për të huajt, për dikë jashtë nesh e më pak punuam për vete, për kombin, për vatanin e fatin e popullit. Populli që lë në harresë historinë e vet, kanë thënë të mençurit, vështirë do ta ketë ta njohë të tashmen e më pak të dijë të orientohet drejt së ardhmes.

 

Enigmat e historisë me shumë të panjohur

Para se t’i them disa mendime e pikëpamje për veprën “Kështjella e kujtesës” të Franit, le të më lejohet të përsëris një mendim të Aristotelit, i cili, në kapitullin e katërt të librit të parë të “Retorikës”, thotë: “Nuk kam përfituar nga këto burime, sepse nuk dëshiroj të përmbledh mendimet e tjetërkujt dhe, mbi të gjitha, për të mos humbur atë unitet mendimi, që është shpirti i veprave të këtij lloji”. Nga ky mendim mund të kuptojmë se krijuesit e talentuar, me imagjinatën e bujshme, në veprat artistike, realitetin historik, jetësor dhe vetë njeriun e paraqesin si një enigmë, si diçka që në largësi të historisë së tij, të identitetit të tij, të fatit të tij fshihen mistere dhe këto mistere shtrojnë probleme me të panjohura të shumta, si diçka në fushën e matematikës.

Brendia e veprës “Kështjella e kujtesës” na befason me trajtimin e ngjarjeve të dhimbshme – ngjarje që kryesisht qëllim të qëllimeve kanë qëndresën e emrit, e për ruajtjen e këtij emri lypset sakrificë, vetëdije, ndërgjegje dhe ndershmëri në të gjitha epokat nëpër të cilat kaloi populli shqiptar, që shumë herë u shndërrua në Promete të vetëdijes së lartë të historisë së vet kombëtare dhe në këto rrëmuja populli kërkoi “aq dritë e rreze sa të shpërthejë tërë errësirën që u end nëpër shekuj”.

Vepra “Kështjella e kujtesës” sajohet nga esetë, tregimet, skicat dhe poezitë. Çka mund të themi për vlerat e këtij botimi?

Vepra, me përmbajtjen e formën e saj, është interesante si për nga kapja e temave ashtu dhe për frymëzimin me të cilin është shkruar. Hapet me poezinë Shqiponja me njëqind flatra, në të cilën përmes pesë strofave Frani këndon për 100= vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë 100-vjetor kujtohet rruga e mundimshme e popullit, përtërihet zëri dhe vepra madhore e Skënderbeut, i këndohet zjarrit kryengritës dhe bukës së shtruar në sofër, i këndohet mendjendriturit Ismail Qemalit. Në strofën e pestë autori sjell vargje të dhimbshme, vargje që flasin mbi copëtimin e tokave shqiptare, toka të mbetura nën administrimin e pesë shteteve të huaja, kryesisht shtete sllave dhe për të qenë të lumtur e të barabartë me të tjerët, thotë poeti, duhet të bëhet bashkimi ynë kombëtar. Me arsye Andrea Stefi thekson: “Bashkimi kombëtar luan rolin kryesor e është guri i parë për formimin tonë moral e material. Bashkimi kombëtar është sendi më kryesor për mëkëmbjen e një populli, një shoqërie, një Atdheu... Për çudi të madhe, ndër ne ende s’është rrënjosur mirë ndjesia e unitetit kombëtar. Jemi kapërthyer e s’po dimë të dalim prej një mentaliteti trashëgimtar i një bote të padritë e të pashpirt”.

Në tregimin “Kështjella e kujtesës”, sipas të cilit është titulluar vepra, Frani, me njohuri e burime të bollshme, me mendime të figurshme, me një narracion poetik të këndshëm e me mendime të pasura refleksive, paraqet vlimet nëpër kapërcej të shekujve, që si rrufe u zbrazën mbi historinë e shqiptarëve. Duke shkruar për traditën, besnikërinë, flakët e nëntorëve të viteve 1443, 1912 dhe 1944, autori na dëshmon idealin, përkushtimin, frymëzimin dhe ndërgjegjen e një krijuesi, i cili përmes artit të fjalës ndriçon të vërtetat dhe në këtë drejtim nuk i lejon vetes të jetojë jashtë rrjedhave dhe fatit të kombit të vet për të cilin me arsye pohon se e dimë çfarë ishim, por nuk dimë çfarë do të bëhemi.

 

Realiteti, ëndrra dhe aspekte të fatit historik të shqiptarëve

Rrëfimi bën fjalë për Skënderbeun, për gjuhën, për lirinë, për Krujën, për Arbëreshët, për skenarë historikë, për idealet e shqiptarëve, për flamurin, për nderin, për këngët e mbledhura në djepat e foshnjave, për legjendat, për mendimet e ndritura të iluministëve shqiptarë dhe të shkrimtareve të të gjithë brezave, si: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, për udhëtimet e Bajronit, për Veqilharxhin, De Radën, Tahsinin, vëllezërit Frashëri, Kristoforidhin, Jubanin, Seremben, Todrin, Çajupin, Fishtën, Mjedën, Gramenon, Çerçiz Topullin, Migjenin, Dedë Gjon Lulin, Bajram Currin, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën, Jakup Ferrin, Elez Isufin, Ilaz Pashë Dibrën, Sulejman Vokshin, ndërsa rrëfimin e shquan thurja e mrekullueshme artistike. Brenda kompozicionit të tij gjejmë përshkrime, evokime dhe përfytyrime realiste, të paraqitura me gjuhë të figurshme dhe të dhimbshme që të vrasim mendjen për dramat e mëdha shpirtërore. Nga Franit mësojmë se “Abdyli ishte mendja e ndritur, Sulejmani ishte pushka e ndezur, Iljazi ishte fjala si guri, Shabani ishte baruti i terur. Fjalët ishin të shkurtra si krisma pushkësh: Të mbrohen trojet tona nga copëtimi”.

Në tregim nuk gjejmë ngjarje me përgjithësime abstrakte. Nga ngjarjet që bëhen objekt trajtimi lexuesi kupton se Frani udhëhiqet nga meditimet, pasqyrimet dhe depërtimet e zbardhjes së të vërtetave historike, shoqërore e morale të kohës së shkuar, të kohës së betejave të komandantëve legjendarë, si: Ymer Prizreni, Mehmet Beci, Ali Pashë Gucia, Mic Sokoli, Sefë Kosharja, Rapo Hekali, Jakup Ferri dhe vazhdon të tregojë ardhjen e librave nga Stambolli e Bukureshti, Sofja e Athina, Misiri e Amerika, Roma e qendrat e tjera.

Në vepër janë përfshirë edhe mësuesit patriotë e krijuesit e dijes e të ruajtjes së gjuhës, traditës e shpirtit shqiptar, si: Babë Dudë Karbunara, Jani Minga, Atë Isaia, Jovan Ndreko, Jorgji Dhima e Vasil Gjoni, Mustafë Hoxha, Viskë Babatasi e Thanas Floqi. Nga ngjarjet e trajtuara në veprën “Kështjella e kujtesës”, Frani arrin t’i lartësojë e t’i përjetësojë tri mrekullitë, apo, siç do të thoshim, tri Mekat e shqiptarëve: Krujën legjendare – Krujën e heroit të parë kombëtar Skënderbeut, Vlorën historike me Ismail Qemalin dhe Prekazin e Kosovës me heroin legjendar Adem Jasharin e familjen e tij.

Në veprën “Kështjella e kujtesës” autori ka sjellë të dhëna të rëndësishme për luftëtarët dhe për figurat e ndritura të historisë dhe të kulturës kombëtare dhe përmes vargjeve si “Ç’u mbush mali” me një mjeshtëri të rrallë artistike te lexuesi rrënjos dashurinë për lirinë, për atdheun dhe për të parët tanë. U mor vesh, për tema të tilla kanë shkruar shkrimtarë të të gjithë brezave, por vepra e Franit dallon për gjuhën e zgjedhur dhe shumë lakonike, për narracionin, për sistemin e figurave dhe për këndin e vështrimit të së djeshmes.

Në këtë vështrim trajtohet realiteti, ëndrra dhe aspektet e ndryshme të fatit historik të shqiptarëve. Në kapjen e ngjarjeve feks e vërteta dhe, siç thekson Frani, në çdo kohë e furtunë njeriu duhet të ruajë individualitetin dhe ndershmërinë personale – sikur qenë: Ismail Qemali, një ideolog i rrallë, Isa Boletini, një lis me rrënjë të thella. Këto tipare të këtyre burrave të historisë kombëtare, kulturës e mendimit shqiptar i ka paraqitur me nota moderniteti edhe poeti i talentuar shqiptar fierak, Petraq Kote, kur thotë:

Ai është shpirti ynë . . .
Flamuri që luftërat e shpuan...
për të vazhduar me Ismail Qemalin
prapa të cilit shkon historia!”

Krijuesit e veçantë janë bërë të veçantë për faktin se luftën diplomatike, të bërë nga përfaqësuesit shqiptarë karshi politikave të të huajve, nuk e qesin në harresë – por në veprat e tyre e trajtojnë me të dhëna fort të sakta. Kështu ngjet me Fran Ukcamën, i cili në mënyrë artistike e përvijon aktivitetin diplomatik të Isa Bolteinit në Londër, e paraqet forcën mendore dhe intelektuale, paraqet largpamësinë dhe intuitën prej diplomati të Ismail Qemalit në raport me marrëdhëniet e marrëveshjet me diplomatë të shteteve me besueshmëri të jashtëzakonshme. Fuqia mendore dhe e drejta juridike qenë gjithmonë në anën e shqiptarëve, por fuqitë luftarake dhe interesat për të përvetësuar tokat e Shqipërisë qenë në anën e shteteve fqinje dhe të vetë Evropës. Në këtë kontekst, me një ndjenjë pikëllimi e shqetësimi përtej çdo sinori – Frani e paraqet copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Londrës dhe, sipas tij, viti 1913 ishte viti më i zi i historisë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të botës demokratike në përgjithësi.


Shkrirje e një bote të pasur imagjinative, meditative, historike e poetike

Pikërisht në këtë Konferencë të Ambasadorëve nga prapaskenat dhe grackat e përgatitura nga më të fortit vendoset që Kosova “djepi i trimërisë, i bujarisë, i pasurisë “ të mbetet jashtë Shqipërisë londineze, bashkë me Tetovën, Dibrën, Strugën, Ohrin, Gostivarin, Shkupin, kryeqendrën e vilajetit të shqiptarëve, Kumanova, Ulqini, Tivari, Plava, Gucia, Hoti, Gruda, Kraja dhe e tërë Çamëria. Për të qenë ironia më e hidhur, thekson Frani, në shekullin XXI – kur Evropa është bërë e bashkuar – shqiptarët kanë mbetur të diskriminuar e të shpërndarë si vezët e qyqes në më shumë se pesë shtete. I tillë është Frani, i cili fatin historik të popullit shqiptar e bën temë aktuale duke hedhur dritë mbi tragjeditë e tij nga kohët e lashta e deri në ditët tona.

Vepra “Kështjella e kujtesës” trajton temën e historisë, por trajtimin e saj autori e bën ndryshe nga historianët. Trajtimi ndryshe është bërë me përdorimin e simbolikës dhe metaforave – që veprën e bëjnë një realizim të bukur sa artistik aq edhe estetik. Me këtë vepër lexuesi udhëton dhe bashkëbisedon me historinë e shqiptarëve, me figurat emblematike të diplomacisë, me emrat e kulturës dhe traditës shqiptare – dhe të gjitha këto çështje Frani, me një mjeshtëri e afinitet të rrallë, ka arritur t’i shkrijë në trajtën më të mirë artistike. Mbi problemet e rëndësishme kombëtare – Frani, duke hedhur dritë e duke shprehur qëndrimet – na e kujton tërë subjektin e romanit “Kështjella” të Kadaresë.

Vepra “Kështjella e kujtesës”, krahas fakteve të trajtuara dhe origjinalitetit që ka – me përmbajtjen e formën, stilin dhe intuitën, frymëzimin e kulturën e shkrimit është një vepër që shtjellon ngjarje, kap kohë të ndryshme, momente që lidhen me historinë e popullit shqiptar. Kjo histori është e hershme dhe si e tillë nga Frani paraqitet me gjuhën e simbolit, metaforës dhe ironisë. Thuhet se vetëm përmes artit të fjalës së bukur mund të trajtohet historia – e cila hedh dritë në fatin e në të kaluarën e popullit. Disa krijues të mëdhenj të letërsive të mëdha me të drejtë kanë vlerësuar për vete dhe për të tjerët, duke thënë shkoqur: “Unë kam diçka më tepër se një poet, sepse nuk kam sajuar asgjë, të gjitha më kanë buruar nga shpirti dhe nga e vërteta e jetës”.

Vepra e sipërthënë është shkruar nga shpirti fisnik i Franit dhe ky shpirt e ka ushqyer me të dhëna e burime të shumta. Po këto të dhëna Frani, si artist i ndjeshëm, ka arritur t’i vendosë në kohë të duhur dhe çdo gjë që vendoset në kohën e vet, është thënë para meje, bëhet e bukur dhe si e tillë mbetet një histori e paharruar dhe për kohët që do të vijnë!

Fran Ukcama, në trajtimin e çështjeve të mprehta të historisë, nuk tregohet i thjeshtë, i sipërfaqshëm – por me një energji prej një krijuesi brilant arrin ta shkrijë jetën, arsyen, sakrificën, shpirtin e dashurinë për tokën e për rrënjët e historisë së të parëve. Në këtë aspiratë e qëllim Frani shqiptarët i paraqet të patundur përballë tallazeve të historisë. Për lexuesit ai sjell vargjet e Nolit nga poezia antologjike “Anës lumenjve”. Sipas Franit asnjëherë nuk duhet ta harrojmë ndihmën e mbështetjen e Amerikës, e cila në momentet më të vështira tregoi përkrahjen e shqiptareve. Kështu bëri në vitin 1939 presidenti Uillson – kështu bëri Klintoni më 1999 ndaj politikës shfarosëse që Millosheviqi bënte mbi shqiptarët e Kosovës. Janë të fuqishme dhe të dhimbshme vargjet kur Italia fashiste e okupoi Shqipërinë:

“Ditën që hyri prilli, Pushoi këngën bilbili, Vendin e mbuloi zia, Ditë e zezë e robëria..."

Esetë, tregimet, skicat dhe poezitë e shkruara nga Frani shpalosin të dhëna të rëndësishme mbi historinë e shqiptarëve dhe këtë shpalosje e bën përmes trajtave të menduara mirë artistikisht. Në botën e shkrimeve në veprën “Kështjella e kujtesës” shkrihet një botë e pasur, sa imagjinative aq meditative, sa historike aq poetike. Autori me vizione të pasura mbi ngjarjet kombëtare ka sjellë në shkrime një pasuri të madhe të përshtypjeve që me vite janë thadruar në kujtesën e Franit dhe në saje të përshtypjeve tërë veprën e pasuron me një figuracion të pasur artistik mbi ngjarjet më të dhimbshme historike e kohën e shkuar të popullit shqiptar. Sipas përmbajtjes së veprës kuptojmë se Frani bashkëbisedon me ngjarjet e një kohe të largët dhe në këto largësi kohësh evokon – duke bashkëbiseduar me figurat, me brezat dhe me botën krijuese të rilindësve, duke përqendruar vëmendjen e interesimin në fatin kombëtar dhe në këtë rrafsh sikur bën grishje që ta ruajmë rrënjësinë dhe historinë tonë ashtu çfarë i trashëguam.


Portrete të idealistëve dhe luftëtarëve për lirinë kombëtare

Prej faqes 89 e deri në 99, Frani me aftësi e frymëzim spontan arrin t’i prekë në zemër problemet më të mëdha të kohës, të kombit, të figurave të shquara të letërsisë, të luftërave të lirisë, të heronjve të vigut etj. Nëpërmjet interrogacionit, ironisë së heshtur Frani arrin si një krijues i përndezur të paraqesë ngjarjet e mëdha të kohës së historisë kombëtare dhe emra të shquar të kësaj historie, si: Qemal Stafa, Vojo Koshi, Liri Gero, Mustafa Metohiti, Lufter Tala, Dino Kalenja, Dervish Hekali, Arif Arinatori, Zonjë Çurre, Shenjaze Juka, Ibe Palikuqi, Muslim Peza – për të vazhduar me Azem Hajdarin simbolin e demokracisë, Adem Jasharin – legjendën e lirisë së Kosovës. Siç mësojmë nga vepra, trajtimin e këtyre problemeve dhe figurave autori e bën me shumë përkushtim duke sjellë të dhëna të rëndësishme mbi lëshimin e rrufeve kërcënuese e shkombëtarizuese të shqiptarëve dhe vrasësve të tyre. Të gjitha këto fakte flasin se shkrimtari ka hyrë ndjeshëm në shpirtin e fatin historik të shqiptarit. Këto vlerësime na sjellin përpara thënien e një poeti të talentuar, Rrahman Dedajt, i cili, duke folur me rolin e letërsisë për fisnikërimin e njeriu, ndër të tjera, thotë: “Vepra fillon të jetojë vetëm atëherë kur të arrijë te lexuesi të bëhet pjesë përbërëse e botës së tij”.

Pas portreteve të idealistëve të mëdhenj dhe luftëtarëve të pashembullt për lirinë e shqiptarëve, si: Skënderbeu, Abdyl Frashëri, luftëtarëve të pavarësisë, Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe trimave që i dhanë fund fashizmit, Frani në veprën “Kështjella e kujtesës” sjell shkrimet në ese, tregime, skica dhe poezi: Atdheu për mua, Qëndisim zemrat mbi flamur... Rrënjët ku i kemi, Zgjohem me atdheun tim, Trimi me shami të kuqe, Mbretëresha Teuta, Lulevjola e Teutës, Skënderbeu, Shenjat e fjalës, Frashëllinjtë, Sokëllimat e Rrapo Hekalit, për të vazhduar me rrëfimet: Rilindas, Në Prizren, më të bukurin vend, Flamuri i Dedë Gjon Lulit, Isa Boletini – poezi, Qendistorja e Flamurit, Jeta mbushun me enigma, Shteti si fëmijë, tregime, mandej vjen poezia Fan Noli, mendje deti, rrëfimi Pse e vranë Bajram Currin, tregimi Për liri si ujk i çartur vikas: O heej! Pritni djemtë e Mërturit, Luigj Gurakuqi, demokrat liberator, Hasan Prishtina si çetina, Naun Dako, rektor i Tibilisit, tregimi: Klasa jonë plot ngjyra, ja dhe Shqipëria, u këput një trëndafil (Qemal Stafa), Një kala, e tre dragonj, për liri ra një liri (Liri Gega), Obelisk në ballë të Fierit, Krenari për Shqipërinë, Elegji për pesë heronj, Ata ranë për atdhe, Dino Kalenja, i përjetshmi, Defteri, komandant Teli, Ara e trëndafilave – Kalaja e

Jasharëve, Sofra e zemrës priti 197 kosovarë – Baca Sali Krasniqi, poezitë: Moj shqiponjë pse s’je e qetë?, 100 vjet – pak apo shumë?! Gjergj Fishta – Përtej Homer dhe tregimi Besëdhani i Kosovës – shohim se autori gjithandej shkrimeve ka arritur ta përvetësojë materialin dhe ky material është bërë zëri dhe kënga e Franit, i cili tregohet se ka njohuri të bollshme që në krijimet artistike të këndojë me zjarr e me mall për vlerat e luftës, të gjuhës, të traditës, të zakoneve, të lirisë, të ngjarjeve të kohës e të historisë. Njerëzit e gjallë mësojnë për idealet dhe ndërgjegjen e krijuesve të veprave artistike, për të cilët shkruan Frani. Shkrimet e autorit të veprës “Kështjella e kujtesës” përshkohen me porosi të dobishme dhe këto vlera të rëndësishme do t’u nevojiten njerëzve, brezave të gjallë, të cilët edhe i pranojnë edhe i mësojnë vlerat e historisë dhe të traditës kombëtare. Duke i marrë parasysh këto të dhëna kuptojmë arsyeshëm e pa emocione të ndezura se, siç është thënë për Kështjellën e Kadaresë: ”Ky popull me shekuj pati dramën më tragjike dhe tronditëse në këtë truall ballkanik, ku edhe si i vogël, ai, karshi fuqive të tjera pushtuese, ruajti me dinjitet luftarak qenien e tij kombëtare nëpër kohë”.

Fran Ukcama në veprën e sipërthënë ka sjellë shumë të vërteta që përputhen me të vërtetat historike dhe realitetin e kohës.

Nëpërmjet fjalës artistike e trajtimit të ngjarjeve të mëdha të historisë dhe luftërave të shumta, që shqiptarët i bën, jo për të pushtuar të tjerët, por për të mbrojtur dhe për të ruajtur atdheun e të parëve, për të ruajtur dinjitetshëm identitetin e vet – ka arritur të japë kontributin e krijuesve më të shquar të Rilindjes, të luftëtarëve të shumtë, të cilët për lirinë e Atdheut u vetëflijuan. Po ashtu, me fjalë të përzgjedhura ka paraqitur bukuritë mahnitëse të natyrës së Shqipërisë natyrale, ka paraqitur zjarrin e vetëdijen e shqiptarit për dashurinë dhe adhurimin për atdheun, traditat dhe vlerat e veçanta të folklorit të pasur shqiptar.


Biografi e plotë mbi luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj

Në përgjithësi, vepra trajton ngjarje të rëndësishme të së djeshmes dhe brenda ngjarjeve është dhënë qëndresa dhe ndërgjegjja e njerëzve të veçantë, të cilët sot mbeten kampionë të dijës, të fjalës, të mendimit, të lirisë, të ndërgjegjes dhe të pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosovës Republikë. Lexuesi në këtë vepër do të gjejë vrojtime, analiza, sinteza dhe vështrime të holla dhe brenda këtyre vështrimeve vijnë mesazhet e qarta.

Fran Ukcama ka lexuar veprat e autorëve klasikë – sidomos atyre grekë, dhe në gjurmët e përvojën e krijuesve më të shquar të këtyre letërsive në veprën “Kështjella e kujtesës” ka ndjekur mësimet duke krijuar kështu një vepër origjinale, vepër që na vë në dijeni se “çdo kohë ka jetën e vet, ngjyrat e pakrahasueshme, botën shpirtërore dhe nuk mund të përsëritet nga një epokë në tjetrën”.

“Kështjella e kujtesës” është himn i lirisë, pavarësisë dhe këngë për emrat më emblematikë të pushkës e të penës.

Gjatë leximit të veprës mësojmë se Frani me një përkushtim të veçantë e zell të madh ka arritur që në vepër t’i mishërojë dy kërkesa thelbësore, kërkesa që veprave u shtojnë cilësinë nga shumë aspekte. Këto dy kërkesa, siç thekson Gorki, janë: Dashuria për punën krijuese letrare dhe respekti për lexuesit. Sidomos kërkesa që ka të bëjë me respektin e lexuesit “është e justifikuar, sepse ai historikisht, është një i ri që porsa ka hyrë në jetë dhe libri për të nuk është dëfrim, por mjet për të zgjeruar njohuritë mbi jetën, mbi njerëzit”.

Vështrimin tonë mbi veprën “Kështjella e kujtesës” do ta përmbyllim me vargjet e zotimin, aftësinë dhe veprimtarinë e sa e sa brezave të shkuar:

“Duajeni gjuhën, duajeni vatrën Vatrën lidhur me lirinë, Dhe flamurin me Shqiponjën Mbi të gjitha Shqipërinë! Kokën lart, nderin e besën, Brez pas brezi, në bashkim Ruani Kështjellën e Kujtesës!”

Brendia dhe objektivat e veprës kanë shumëçka të përbashkët me veprat e rilindësve e krijuesve të letërsisë së sotme – sidomos vepra përkon me “Kështjellën” e Kadaresë, për të cilën kritikët dhe estetët kanë thënë se “Shkrimtarin nuk mund të mos e shqetësojë fakti i njohur se balada shqiptare është e vetmja në Ballkan që bën fjalë për një murim kryesisht në kështjellë. Ai është i vetëdijshëm se kjo është kushtëzuar nga rrethanat kritike historike që kanë shoqëruar fatin e popullit të tij”.

Një vend qendror në vepër zë pa dyshim figura dhe kreshniku i Kosovës, Sali Krasniqi, i cili gjatë bombardimeve, gjatë tmerrit që bënte Millosheviqi mbi shqiptarët e Kosovës, të cilët i shpërnguli, gratë dhe vajzat i përdhunoi, fshatrat i dogji, ndërsa njerëzit e të gjitha moshave i masakroi – po ky Sali Krasniqi, me zemrën bjeshkë e me shpirtin filantropik, strehoi 197 kosovarë nga Kaçaniku dhe, siç vlerëson Frani: “Unë shkrova këtë portret për t’u rrëfyer brezave të rinj dhe më gjerë se sa patriotike dhe me vlera kombëtare është gjendja pranë njerëzve në kohë të vështira”! Është e vërtetë se Sali Krasniqin e shquajnë vlera e virtyte të larta njerëzore e kombëtare. Ai është një simbol i dashurisë dhe i sakrificës për njerëzit, të cilëve u doli në ndihmë ashtu si e kërkon tradita dhe oda shqiptare dhe këtyre 197 kosovarëve lotin, dhimbjen dhe brengën ua ktheu në dritë, në shpresë dhe në qëndresë.

Vepra “Kështjella e kujtesës” është biografia më e plotë mbi luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve të huaj dhe Frani me përpjekje titanike ka gjetur rrugën e shprehjes më të përshtatshme për t’i artikuluar e për t’i shpjeguar ëndrrat, aspiratat dhe tragjeditë e popullit shqiptar. Kjo punë kaq e mundimshme e autorit na e kujton mendimin filozofik të Rrahman Dedajt se “për ta definuar të tanishmen, duhet të njohim të djeshmen, e cila është e pranishme në të sotmen e një sintezë e gjithë kësaj do të na ndihmonte që të krijojmë më lehtë vizionin për të nesërmen”. Kjo zaten mbetet porosia e gjithë veprës, dhe, sipas kësaj porosie, shqiptarët duhet të ecin atyre rrugëve që çojnë në realizimin e amanetit të gjithë atyre që për të sotmen e bardhë u flijuan. Këto ideale dhe vizione duhet të na udhëheqin drejt së nesërmes së ndritur në çdo pikëpamje. Ashtu qoftë!