Samstag, 6. Juli 2013

Hasan Hasani

Hasan (Malë) Hasani u lind më 16 janar 1947 në fshatin Shqiponjë (ish Jabllanicë) të Dushkajës, rrethinë e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Zhebël, Gërgoc dhe Baran. Shkollën Normale e kreu në Gjakovë. Studimet e larta, Dega Gjuhë e Letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës.
      Me krijimtari letrare dhe publicistike merret që nga viti 1965, kur edhe e botoi poezinë e pare në revistën letrare “Jeta e re”. Krijimet e tija letrare dhe publicistike i botoi në të gjitha gazetat dhe revistat që u botuan në gjuhën shqipe në Kosovë, Maqedoni dhe më vonë edhe në Mal të Zi. Si student i vitit të parë në vitin 1969 nisi punën si bashkëpunëtor i rregullt në gazetën e studentëve “Bota e re” ku punoi deri në qershor të vitit 1971, kur edhe kaloi si gazetar i rregullt në gazetën arsimoreshoqërore dhe pedagogjike “Shkëndija”.
       Në vitin 1976 kalon në revistën për art, kulturë e letërsi “Fjala” në fillim si gazetar, e më vonë edhe si redaktor. Në vitin 1987 emrohet redaktor e më vonë edhe kryeredaktor në revistën letrare për fëmijë “Pionieri” ku punoi deri në vitin 1996, kur edhe kalon në revistën letrare “Jeta e re”. Nga viti 2003 përsëri e gjejmë në revistën letrare për fëmijë “Pionieri” si redaktor, përkatësisht nga janari i vitit 2004 punon si kryeredaktor po në revistën “Pionieri” ku gjendet edhe tash.
      Paralelisht me shkrimet publiccistike është marrë edhe me krijimtari letrare, për fëmijë dhe për të rritur. Nga viti 1967 kur ka botuar librin e parë me vjersha e deri me 2007, botoi gjithsejt 47 libra, prej tyre: 19 përmbledhje me vjersha për të rritur; 5 përmbledhje me tregime për të rritur; 8 përmbledhje me vjersha dhe poema për fëmijë; 3 romane për të rritur: dhe 12 libra nga fusha e publicistikës dhe kritikës letrare përkatësisht leksikografisë.
      Hasan Hasani përveç veprave letrare dhe publicistike që ka botuar për 39 vjet me radhë, pra nga viti 1967 kur edhe botoi librin e pare, ka përgatitur për shtyp veprën e plotë letrare të Ernest Koliqit në gjashtë vëllime, të Nermin Vlora Falaskit në dy vëllime, të Musine Kokalarit në një vëllim etj. të cilat janë botuar në Prishtinë. Po ashtusi ka përgatitur numra tematikë (të veçantë) të revistës letrare “Jeta e re” për Ernest Koliqin, Gjergj Fishtën, Nermin Vlorën, Musine Kokalarin, Mehdi e Mithat Frashërin, Vinçenc Prenushin, Azem Shkrelin dhe Beqir Musliun.
 Jeton në Prishtinë.
 
 
VEPRA TË AUTORIT
  • Krojet e bardha, 1967
  • Dallgët e vërrinit, 1969
  • Dy legjenda, 1969
  • Më bekoi pa gjuhë, 1971
  • Suferinë, 1977
  • Ajkuna e Rugovës, 1978
  • Njeriu që grindej me qiellin, 1979
  • Emoniana, 1980
  • Shenasa, 1980
  • Mici e topi, 1980
  • Gurëkala, 1981
  • Unazëforta, 1984
  • Zhurmë në pyll, 1985
  • Tali i Budalinës, 1986
  • Përkolajt, 1988
  • Ulërima, 1989
  • Lojë me shamia, 1990
  • Nermin Vlora Falaski, 1992
  • Gurëdurimi, 1992
  • Emira, 1992
  • Vallja e shkrimtarëve, 1993
  • Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-1990, 1994/1995
  • Gjëmim baladash, 1994
  • Ylberi i shkronjave, 1995
  • Miftar Spahija korife i Lumës, 1995/2002
  • Ezopi e breshka, 1995
  • Gruaja që grindej e pluhurin, 1996
  • Muzgu i hyjneshës, 1996
  • Harfë e Antikës, 1997
  • Plak urtak e mençurak, 1997
  • Muza shqiptare, 1997
  • Idhuj adhurimi, 1998
  • Qafëtuli i Shavarinës, 1999
  • Qerpikë me lot, 1999
  • Shqipet e Shqiponjës, 2000
  • Emra shqip për fëmijë, 2001/2006
  • Të pavdekshmit e Dukagjinit, 2002
  • Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001, 2003
  • Abetarja e UÇK-së, 2005
  • Haxhiu i fshatit Pykë, 2005
  • Të anatemuar, 2005
  • Nijazi Sulça mall Kosove që djeg, 2005
  • Jehon një gjëmë mes mureve, 2005
  • Nëntë biseda për Kosovën, 2005
  • Kohë të egra, 2006
  • Gavril Dara (i Riu), 2007
  • Faqe libri, 2007
  • Tek uji i zi, 2009
  • 6500 Emra shqip për fëmijë, 2010
  • Princesha e Shalës, 2010
  • Leksikoni i Nobelistëve të Letërsisë, 2011
  • BAJRUSH DODA - një jetë e shkrirë në këngë 2011
  • Letërsia si art dhe komunikim poetik - 2011
  • SHENJËZIME - 2011
  • Shpirtvrarë -2012
  • Shivegimi - 2012
  • Palaqo në Prishtinë - 2012
  • Buka e mëkatit - 2013
  • HelmShtare - 2013 


Poezi nga Hasan Hasani

VARGJET HESHTOJNË

S'e meritoni t'shkruaj vargje për ju bukëpërmbysës
Këtë që bëj, e bëj nga amaneti i bijve që dritësojnë,
Kosova u shndërrua n'meteorë drite t'mos ketë lypës
Kaq do bëj për ju, nën hije lisash vargjet bulojnë!

Vizitat s'i ndali kohërave, një copë toke e ruaj qefin
Për ditët e kremtet unë do bëhem edhe varri juaj,
Ua ruaj këngët e mbetura ndër degë lisash kushtrim
Gatitu qëndroj para jush djem, nga vendi nuk luaj!

Dimër,2009


NË BISHT TË SORRËS

Ulur n'divan shikoj e nuk shoh asgjë para syve
S'thuhet kot: njeriu sheh me mend;
Kyqe fati mbështjellë me mjegull për ne të dyve
Mbetëm t'humbur si kojrila n'varg!

N'fyt është mbledhur një lëmsh i zi dhembjeje a vaji
Kur qielli i vendlinjes iku nga loti;
Trishtimi luan me ne, po vallë i kujt është faji
Kur n'shesh me shtamba derdhet moti?

Kotia çela zemrën këngës bilbil gjaku n'ligjërim
Sonte kur s'di, jam gjallë a vdekur;
Qerpikët blerojnë shikimet e vapa derdhet n'vërshim
Kur unë shikoj i heshtur, i mekur!

Vera zbret n'qepalle e n'mua ngjallet loti e harrimi
O Zot, para syve kënga avullohet;
Buzët tharë e çarë e vrarë nga kujtimi e mallëngjimi
Gjyshi n'kullë mbyllur n'qark hutohet!

Shpejtoj hapin nga dhembja e vasha m'fali bekimin
T'ia vesh xherdanin lotit e metaforës;
Kërkoj si i verbëti ujin e bekuar ta lehtësoj trishtimin
Kështu vjen fundi, në bisht të sorrës!

2008


HOMAZHE NË DITËN E LAVDISË

                                                           Sadri Zenelit

Sadri i dashur, u rritëm bashkë nën këto hije lisash
E futboll luajtëm n'Rrah t'Hysës, mbas Zabelit,
Luanime rriteshim si minaret mjedis bishash –
Vitet zbritnin dhe shtrëngonin si darat e çengelit!

Sadrii dashur, n'shkollë shkuam bashkë n'Zhebël
E shkelëm shtigjeve t'parrahura për yje dhe diej,
Para se t'ktheheshim, e bënim edhe një lojë n'Zabël –
Jetën dhe amshimin i kërkonim si fëmijë në qiej!

Sadrii dashur, Normalen n'Gjakovë e bëmë bashkë
Ishe më i ri se unë që lëshoja klithma në vatër,
Kaluam nëpër gjëmba pa e njomur buzën në ashtë –
Studentë banuam n'rrugën Bregdeti numër katër!

Sadri i dashur, jetës ia mësuam huqet strukur në gji
Edhe kur u burrëruam: ti inxhinier e unë shkrimtar;
Rrugëtimi gjatë ishte ky nëpër shekuj dhe histori –
Vetëm unë t'i njihja dëshirat e heshtura o skofjar!

Sadrii dashur, erdhi ajo ditë që me zjarr n'sy e prite
T'ndesheshme armikun që njëqind vjet egërsi solli,
Legjendat shtrihen horizontalisht në t'zezat vite –
Shkollë e gjyshërve: kur t'jeni ngushtë ngritni dolli!

Sadrii dashur, këtu n'Zabël, mes shokësh e trimash
E vdekjeve u morët gjak n'sy anembanë Dukagjinit,
Mbuluar tymërash e duhish, krismash e vetëtimash –
Sollët diellin e madh duke larguar këngën e hutinit!

Sadri i dashur, pranë teje e trimave që dhatë betimin
Bashkë me dushkajasit po bëj homazhe edhe unë,
Lumti vëlla, ku kalove fëmijërinë po bën amshimin –
Dogje këngën dhe ëndrrën n'zjarret dehë n'furtunë!

Maj 2008



COPË KUJTIMI

E ruajnjë fjalë për ty pasha këtë dhe,
E ruajnjë këngë për ty pasha kryet e nënës,
E ruajnjë lot për ty, n'tokë e qiell bëj be,
E ruajnjë puthje për ty si dritën e hënës!



HESHTJA AR

Të heshtësh s'do t'thotë që ke vdekur i dashuri mik
Heshtja shpeshherë nuk matet me karat as me ar,
Ashtu mund t'mendojë vetëm njeriu me shpirt të lik
Ai që i shikon njerëzit me shpirtin e tij – hileqar!

Unë heshta bukur kohë që t'ju shoh ju të gëzuar
Duke uruar dështimet gojëmëgojë e veshmëvesh,
Kullat e fildishta s'qëndrojnë dot pa u rrëzuar –
Ato i ndërtuan njerëzit sytë e mbuluar plot lesh!

Heshta dhe u kënaqa duke ju shikuar si urithë të zi
Që lërojnë tokën tinëz e fshehur gjurmët-këmbët,
Vëllau vëllanë duke ngrënë, kobin duke e përbi
Pastaj mbi gur duke u lëpirë e skërmitur dhëmbët.

Ky varg që po shkruaj sot krahaqafë armën ka varë
Plumba ka epitetet, anaforat, simbolet, metaforat,
Një nga një skutave me rend kanë për t'i vrarë –
Ajri t'vijë i pastër n'mushkëri me ozonin e amforat!

Andaj miku im, të heshtësh s'do t'thotë se ke vdekur
Se heshtja e poetit me ar as me diamante nuk matet,
Ikni tash, mos t'ju shoh më, ju o poetucë të lëmekur–
Mua me Ju kurrë nuk na kanë lidhur fjalët as fatet!

2005



SHALL I ZI

Ta zgjata dorën e padjallëzuar mes kësaj dhembjeje
I bindur se do gjej mikun e ditëve t'ikura t'fëmijërisë,
Gushti pa mëshirë gëlltit arat e bukës t'një shembjeje
Që m'gurëzoi para varrit t'mos i përulem hipokrizisë!

Koronë hëne nuk e di pse m'varet shall i zi rreth qafe
I përulur në gjunj si para dashnores që rri kokëlartë,
Më kanë thënë, po s'kam besuar në jetën me gafe –
Nga pafundësi horizontesh jeta njerkë sot më bartë!

Përreth vjen erë gjaku! Të rënët frymojnë ndër këngë
Duke ëndërruar mëngjesin të etur, qiellin dhe yjet,
Unë po ik me ta, nipa dhe mbesa po i lë me brengë –
Po kthehem atje nga erdha, atje ku m'presin pyjet!

E dal n'Kodër t'Madhe e shtrihem n'kokërr t'shpinës
E numëroj yjet ngeshëm n'qiellin e kaltër një nga një,
Jam ëndërr a zhgjëndërr, ç'përgjigje t'i jap brymës
Me moton e t'urtëve: besnik bahu, besë kujt mos i zë!

2008



E ZEZA

Çudi, më shumë se çdo ngjyrë tjetër, e dua të zezën
Kjo i veshi t'gjashtëdhjetat e mia me velin e ngjyrën,
Duke ikur vitet edhe kësaj blane ia zbulova gjenezën
Unë, i fundmi i Përkolajve që e varrosa mënxyrën.

Edhe fëmijërinë e kisha t'veshur me thyerje dhe kobe
I goditur me armë në kokë, i therrur me brisqe etela,
Çudi si më ndoqën të zezat ndër këngë edhe hobe -
Mbi supet e pleqërisë rrinë hapur pelerina n'çengela!

Dhe hapat e parë kur bëra n'mjeshtërinë e t'shkruarit
Nga toka dolën lugetër që s'dinë gjë tjetër, veçv rasin,
U rropata mes thikave e helmeve n'stilin e t'muruarit
Kurrsesi të zezat nga jeta e nëpërkëmbur të shkasin!

Dhe e zeza hap pas hapi m'përcolli këtu deri më sot
Në jetë e vargje kur secili përfundon misionin e vet,
Po po, u dashurova në të zezën përherë këtu dhe mot
Edhe e zeza ka bukurinë e vet thoshte një mik poet!

2008



TELEFONATË NGA HAGA DITËN E FLAMURIT

                                              Lahi Brahimajt

T'falemnderitvëlla Lahi që shpesh m'telefonove
Këtatre vjet që u ndodhe larg miqve, luftëtarëve;
Larg Shqiponjës, vëllezërve dhe fëmijëve u flijove
Për Kosovën dhe historinë e gjakosur të të parëve!

Imadh e i vogël n'Shqiponjë ruajnë kujtimin për Ty
Nëzemrën e zbrazët, në zemrën me shtatë plagë;
Qysh fëmijë ta kam vërejtur krenarinë e t'parëve n'sy
Qës'të mposhti lufta e krenar qëndrove në Hagë!

N'vibrimine zërit tënd dëgjoja burrëri t'kuqrremtë
Gjithëkrenar mbrojte Kosovën përplot me plagë;
-Shumë mirë jam baca Hasan, si a' shoqja, djemtë? –
-Ashtu si n'luftë, dalsh faqebardhë edhe në Hagë!

Çdojavë telefonata jote më dha kushtrim, qëndresë,
T'vazhdojt'shkruaj vargje për ty dhe luftëtarët;
M'bëremë t'fortë fjalët duke spërkatur me vesë
Tekulla, te Varret e Dëshmorëve, n'Zabel t'Gojanit!

-Baca Hasan, nga Haga edhe sot po të telefonoj
Duket'uruar Ditën e Flamurit ngritur në Vlorë;
Vitin tjetër në Kosovë bashkë me ju do t'kremtoj
Ashtusi kremtova me luftëtarët në shi dhe borë!

28 nëntor 2007



DUSHKAJAËSHTË EMRI DHE MBIEMRI IM

Pesëdhjetëvjet u bënë që po këndoj për ty Dushkajë
Si baridhe intelektual me diellin pogaçe në zemër,
Vargjetm'u bënë lisa, fyej, peizazh i zhgrehur n'vajë
Ngadoshkova Dushkajë m'u bëre emër e mbiemër!

Ngado hapërova mbi supe t'mbajta t'gjallë dhe epike
Dukeshkundur pluhurin e supeve shkruam historinë,
Zëri imbubullimë malesh e vetëtimash, gurrë lirike –
Vesamjegull bore mbështjellë Sukën e madhështinë!

Njerëzit nga Dushkaja, dashurinë pelerinë mbi supe
Gjithnjëm'frymëzuan që t'i këndoj trimërisë suaj,
Dardhapikë nën dardhë, kurrë durimin s'e  humbe-
Brezat uapërcollën brezave këngën me nipat tuaj!

Bëra çka ç'bëra, isha vetëm një kronist i krismave
I këngëvee rapsodëve që n'breza mbollën kushtrim,
Unë aszogjtë s'e njohëm kurrë gjuhën e klithmave -
Dushkajaishte, është e do mbetet emri e mbiemri im!

1.11.2008

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen