Freitag, 5. Juli 2013

Sabit Abdyli

Sabit Abdyli

Sabit Abdyli u lind në Kabash të Anamoravës në vitin 1946. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Viti, SHLP në Shkup, kurse  Fakultetin Filozofik: dega gjuhë dhe letërsi shqiptare në Prishtinë.  Pas luftës (1999) Sabiti bashkë me familjen u vendos në Zelandë të Re. Atje  vazhdon të merret me shkrime dhe të bashkëpunojë me gazeta e revista që dalin në gjuhën shqipe.  Deri tash ka botuar këto vepra:

  1. Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997, (monografi)
  2. Ankthi i pranverës’99, Prishtinë, 2004, (libër-dokumentar)
  3. Kohë e lumtur, 2005, Prishtinë, përmbledhje me poezi 
  4. Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha, Auckland, 2010, prozë, poezi dhe artikuj për Mërgatën shqiptare në Zelandë të Re.
  5. Letra, Anekdota, Aforizma, Gjilan, 2013
  6. Na kabashi jem t’ndam nji zjarrmi, Gjilan, 2013
  7. Dallgë malli, Prishtinë, 2016
  8. Tybe këta veë kabashë janë, Prishtinë, 2016
  9. Thërrmija jete, Prishtinë, 2017
  10. Letra për babuqin gasterbajter në Gjermani, Prishtinë, 2017

Sabit Abdyli, që nga vendosja e tij në Ishullin e largët (29 tetor 1999), është aktiv në organizimin e aktiviteteve artistike ndërthurur edhe me veprimtari për ruajtjen e unitetit, gjuhës dhe traditave kombëtare në mesin e Mërgatës shqiptare në Zelandë të Re.




Poezi nga Sabit Abdyli


POETI

Vdes e ngjallet
për një fjalë
për një varg
për plis e për fis

Auckland, maj 2013


DITË E PËRDITË

Me bagazh malli plumb
ditë e përditë
i kthehem femërisë
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë
kroi i moçëm
tokë e Ilirisë
dihej fjala fjalë
në ballë të oxhakut njerëzit më të mirë

Mars, 2013

 

NËNËMADHJA

si shtëllungë leshi në furkë
të tashmen tjerrë
një nga një kujtimet
në bosht mbledh e dredh
end qilima kuq e zi
të dorës së parë
me këngë aromë ftoi e molle
përkund e rritë ardhmërinë
nënë
nënëmadhe
e derës së parë.

Auckland, 27 janar 2013


FLAMURI

U valëvit në Krujë,
Deçiq, Shkup e Vlorë.
Te Verrat e Llukës
Para tij u morën ngryk.
Në Prekaz, Koshare, Karadak ..
U mbrojt me gjak.
Në fusha, grunaja të Kosovës
Vjet për vjet mbin.
Në kaptell djepi roje.
I moçëm sa bjeshka.
Bubullimë e gjëmë,
Cicërimë e këngë.

Auckland, 2010


FUNDI I PËRRALLËS

Motit të trazuar si askund
Përmes klithmash të pafund
Të përzunë
Dallgët e kreshpëruara
Të bardha si retë
Të prunë
Me vaj në buzë
Buzë gremine
Biçim njerëz
me përralla mbretërish
Erdhën
Me bisht ndër shalë
E shkuan

Janar, 2011



PORTERT NJERËZISH TË MUNGUAR

Asnjë herë nuk harron emrin
Në gurrën e tij etjen shuan
Nuk shtiret
Nuk shitet
Nuk blihet
Nuk di kleçka ç’është
Cicërimë e zogut e shqetëson
Me zemër flet e dashuron

Auckland, korrik 2011


KULLA

Në kohë furtunash
Kulla gostiti horra, u vuri plisa të bardhë
Miladinit, Mugoshës ...
Me ta në krye
thyen rrugë
u thyen
kullën me çati të kuqe mbuluan
zogjve ua ndrydhën këngën
për të kënduar thanë; ne këndojmë

Auckland, korrik 2011

 

PRISHTINA’81

Prishtinës erë bliri i vinte
Shëtisje korzosë së ndarë
Me plot spiun civilë
Një xhiro, dy...
Brisk ende nuk i kishe ra fytyrës
Afishet shtrëngoje në gji

Auckland, mars 2011

 
KAPRICIOZE

Korba të zinj
Në eter mprehin thinjtë

Oxhak i shtëpisë tymos
me blozë
të zinjtë e zogjve kombçar

Majë lisave poshtërisht lëshohen
Me thonj e me sqepa
drejt shkëmbit të Prometheut

Shpendët sa grima
si të ishin kafshë nate
I kashaisa
I zhvesha mitesh me blozë

E ngura dot s'u hiqej
erë shurre kundërmojnë


EMRAT PA EMËR

Kalërojnë ligjet
Emrat pa emër zvarranikë
kalërojnë ndrydhin liritë
shkelin premtimet
zvarrë zvarrisin fjalën
me kode që ata dinë
hanë s’hanë fjalë
synojnë maje
të etur kroje shterojnë
grigja me gishta n’gojë
hajt bir

Shkurt, 2012

 

KRIMBAT

Krimben krimbat
me të mirat e gjithë punës në vite
me të mirat e mbi tokës e të nëntokës
në të gjitha kohet
krahësh të djathtë e të majtë
ndryshojnë vetëm në ngjyra
brejnë e krimbin njësoj
krimbin zvarget
krimbat

4 prill 2012



NJË HERË PËRKULET BURRI

Dedë Gjo Luli
Ismali,
Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi,
Agimi ...
u përkulën
kur puthën Flamurin

Auckland, 2.05.’12


ALI PODRIMJES

Vargu i tij
etjen i shuan tokës
deri te Mollë e Kuqe
e përtej saj
latoi gurë shtigjesh e urash Dardanisë
ligjëroi si hisja të mos na shuhet
e shkoi mbas Lumit tij

22 korrik 2012



QULLASHËT

Qullashët qullashë
në ditët e agut
çdo gjëje i dalin “zot”
shtetit, politikës
Sofrës së begat
hanë me dy lugë
se një u duket pak.

Janar, 2012



LUTJE E KOHËS

Nga pushtetarë mujsharë
injorantë
gjeneralë maniakë
të etur për lavd
dhe
mësues e klerikë gjysmë të ditur
primitiv
runa Zot!

Auckland, gusht 2012





ZË KOHE
(Haxhi Muhaxherit)

Jehonë kohësh të mira
Emrash rrënjësh e qëndrese
Furtunash e motesh lavdie
Nuk resht së vrari të keqën
Nuk resht së qëndisur fjalëmirët
E fjalës shqipe

Auckland, korrik 2017


Keine Kommentare:

Kommentar posten