Samstag, 10. August 2013

Havzi Nela - apo vrasësit e tij?


Nga AGRON TUFA

Çdo jubile përkujtimor, përveç ritualit të ripërtëritjes së kujtesës mbi ata që nuk janë më midis nesh (mbi ata që i ndanë me dhunë, për të mos u kthyer më fizikisht midis nesh), e ka të pashmangshëm edhe bilancin e ndërgjegjes sonë mbi ta, refleksionin e marrëdhënieve tona me ta, përderisa i kemi pranuar si pjesë e pandarë e kuptimit të ekzistencës sonë.

Për Havzi Nelën është shkruar vazhdimisht, e mendoj se për të do të vazhdojnë të shkruajnë gjithmonë. Në përgjithësi shoqëria joshtetërore, jopolitike, është munduar të zbardhë gjithçka rreth poetit: janë botuar poezitë e tij, ndonjë epistolar, janë analizuar e interpretuar krijimet e tij, një përmbledhje me shkrime të zgjedhura për Havzi Nelën me titullin “Fjala në litar” është botuar nën kujdesin e shkrimtarit Petrit Palushi; çdo vit anembanë vendit mbahen tubime shkencore, konferenca përkujtimore për poetin, janë bërë dokumentarë. Kukësi ia ka bërë nderimet e mundshme, duke i vënë emrin e tij institucioneve shkollore. Me sa dimë, edhe shteti shqiptar, Presidenti, e ka dekoruar Havzi Nelën me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Pra duket se gjithçka është në rregull, gjithçka korrekte, gjithçka në përputhje me vetëdijen qytetare të nderimit të poetit-martir, ashtu siç i takon një simboli të luftëtarit që flijohet për çështjet e përjetshme të lirisë e drejtësisë. Duket, pra, se gjithçka ka qenë e mundur, është bërë në përputhje me nderin e nderimin. Po. Duket… Por nuk është aspak kështu për poetin që shkruante nga katakombet komuniste për “Frymën e Helsinkit”.

Nuk është aspak kështu, sepse atdheu, të cilin poeti e mbuloi me muzën e vet vajtimtare, për poetin që vargjet e rimat i shkruante me gishta, pa letër, për t’i mbijetuar harresës së qelive, për poetin që e mprehu krejt qenien e tij teh kame, majë për majë me xhelatët e diktaturës dhe mbeti, siç kishte qenë që në mituri, jetim, i braktisur prej të gjithëve, ishull i vetmuar, për poetin që shkoi ballëhapur drejt vdekjes pa bërë asnjë lëshim të vogël, por duke marrë mbi vete gjithë frikërat e dobësitë tona, në emrin tonë, për këtë poet, pra, shteti ynë e paska të pamundur nderimin e kujtimit të tij. Sepse shteti shqiptar, institucionalisht, e ka përdhosur kujtimin e tij duke luajtur me të një lojë me standarde të dyfishta, hipokrite. Sepse, paralel me nderimin dhe përkujtimin tonë, institucionet e shtetit, para se të nderojnë emrin e tij, e kanë fyer dhe njollosur kujtimin e Havzi Nelës. Unë nuk di që Drejtësia e shtetit tonë të ketë marrë mundimin për këta 22 vjet të hapë një proces penal për të gjithë ata që ideuan, organizuan dhe përmbushën me gjakftohtësi, si në skenat mesjetare, varjen e poetit në litar më 8 gusht 1998, duke shënuar rekordin e turpit dhe të së keqes në krejt globin tokësor ende me pllanga të kuqe. Nuk është një datë e shekujve antikë para apo pas Krishtit viti 1988! Të gjithë ata persona që përbëjnë zinxhirin dhe hallkat e krimit, ishin dhe janë ende gjallë. Çfarë u bë me ta, vallë? Me ata të gjithë? Me ata tek e tek? Patën të gjithë karrierë të lavdishme politike e profesionale. Së paku tre prej tyre që kanë hedhur firmat në aktin e dënimit me varje të Havzi Nelës, dihen.

Ish-presidenti komunist Ramiz Alia, të cilin shteti e përcolli zyrtarisht me një ceremoni funerale nga dyert SHQU, mu si një hero, në shtrat të topit dhe për të cilin, të nesërmen u shkrua nëpër gazeta me lavde e superlativa dhe kolumnistët tanë e pagëzuan si politikan të matur, të qetë e liberal, një lloj Gorbaçovi që shmangu gjakderdhjen, duke e lënë krejt në harresë faktin se të gjitha aktet e pushkatimeve i firmoste po ajo dorë liberale, që druhej mos derdhë gjak(!). Dy personat e tjerë që firmosën dokumentin janë gjallë, shëndoshë, e shtetërisht të nderuar. Ata kanë njohur kulmin e karrierës politike e administrative. Njëri, ish-deputet, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i dekoruar më 8 janar 2004 me urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa tjetra, ish-kryetare e Institutit të Deklarimit të Pasurive, e dekorurar me po këtë titull në vitin 2009 nga Presidenti tjetër i radhës. Nuk është vetëm rasti i Havzi Nelës, por edhe i martirëve të tjerë. Po njësoj janë dekoruar më parë xhelatët që vranë Trifon Xhagjikën, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin.

Logjika është e thjeshtë: nëse shteti, me segmentet e politikës në pushtet, pranon, nëpërmjet dekorimit të martirëve, të na i bëjë ata pjesë të vetëdijes sonë qytetare, atëherë, për të shmangur kontradiktën dhe pafytyrësinë duhet të ndëshkojë (apo të kishte ndëshkuar) të gjithë ata që çuan në vrasjen e këtyre martirëve, të cilët na i shpall si krenari të vetëdijes sonë qytetare, ose së paku, pezullimin e këtyre vrasësve nga postet e rëndësishme shtetërore e publike. Përndryshe, standardi na del jo vetëm i dyfishtë, por kriminal, hipokrit e, rrjedhimisht, thellësisht fyes, si për kujtimin e viktimave, ashtu dhe për ndërgjegjen tonë qytetare tani që e kemi mësuar të vërtetën. Përndryshe, vetë shteti po këmbëngul në dhënien e një shembulli të keq: të pranojë viktimat si martirë nga njëra anë, dhe njëkohësisht, t’u hapë mundësi për karrierë marramendëse vrasësve të tyre në të gjitha nivelet e administratës deri në Parlament. Nëse është kështu (dhe, fatkeqësisht, kështu kanë shkuar punët), atëherë edhe ky nderim nga ana e shtetit është kontradiktor, irritues e thjesht i pavlefshëm.

Në esenë e tij programtike “Poetët e vrarë nga shteti”, Ismail Kadareja bën një sugjerim të qëndrimit tonë kolektiv ndaj kujtimit të Vilsonit dhe Gencit: “Në rrugëtimin e tij drejt përparimit dhe Europës, populli shqiptar, bashkë me dëshmitë e rënda, do të tregojë, në radhë të parë, letrat e tij të fisnikërisë. E midis këtyre letrave, dy djem nga Bërzhezhda, dy poetë, dy njerëz që kërkuan të bënin art në kohën që kërkohej egërsi, do të jenë të përhershëm e të paharrueshëm”. Me po kaq të drejtë mund të themi se “letrave të fisnikërisë” sonë u jep një kuptim të lartë sublim, shembulli i qëndresës, dinjitetit dhe martirizimit të poetit Havzi Nela, i cili nga katakombet e burgjeve komuniste parandiente “frymën e Helsinkit” kur politikanët e sotëm nuk ia dinin as emrin. Pikërisht hapjen e këtyre “letrave” dhe “dëshmive të rënda”, politika jonë shtetërore me trashëgimtarët e diktaturës në instancat më të larta të Drejtësisë i mban peng. Në këtë mënyrë, e gjithë shoqëria jonë vazhdon të mbetet peng i së shkuarës, përderisa nuk përballemi ligjërisht me të, por mundohemi t’i gjejmë zgjidhje problemit duke i rënë atij nga dera e pasme, d.m.th., duke ia lënë zgjidhjen kohës, vdekjes biologjike të aktorëve, me shpresën se ndoshta një ditë gjithçka do të harrohet.

“Letrat tona të fisnikërisë” kundërshtohen të hapen, ato duhet të mbesin në shtatëqind dryna, në dosje, në arkiva ku ruhen nga cerberët e sotëm, ish-oficerë të Sigurimit të Shtetit. Me sa duket, trashëgimia e komunizmit ndihet tërësisht e rehabilituar, e inkurajuar dhe e mbështetur për të bërë karrierë, përderisa vrasësit nderohen më shumë se viktimat e tyre, përderisa asnjë protestë nuk vjen nga fakti që këta kriminelë na imponojnë si “nder i kombit”, dhe ne me përunjësi duhet t’i pranojmë si pjesë të vetëdijes sonë qytetare. Para dy javësh, një tjetër vrasëse poetësh, Diana Çuli, që karrierën e saj e çoi deri në Parlamentin shqiptar, e cila është dhe presidente e Shoqatës së Gruas, u nderua me “Urdhrin e meritës së Republikës së Italisë” nga Presidenti italian Xhorxho Napoletano.

Lajmi u dha nëpër mediat tona, por nuk pati asnjë reagim. Si duket, në shoqërinë tonë indiferente është pranuar si normë karriera e çdo vrasësi e krimineli. Dhe, me sa duket, ne nuk tregojmë kurrfarë kuraje e vendosmërie për të mos na fshirë nga kujtesa ata që kujtesën e tyre e kanë shpikur nga hiçi e asgjëja, e madje e përsërisin si autosugjestion me një regjim të pandërprerë nga mëngjesi në mbrëmje, në lumenj letre, ekrane e forume virtuale. Nëse ne nuk do të ishim një shoqëri e përgjumur, shpërfillëse, nëse ne do të dinim të reagonim, të kërkonim llogari, atëherë jam i bindur se shteti, herëdokur, nuk do të mundet të abstragojë nga kujtesa e vërtetë e Havzi Nelës, Vilsonit dhe Gencit, thjesht sepse ata ishin njerëz realë, se litari, plumbat e togës dhe vdekja e tyre qe reale dhe se vepra e tyre letrare vazhdon të jetë reale, të dëshmojë për ta. Europa si ëndërr, së cilës po i sillemi vërdallë, frymoi për së pari si ajër i vjedhur lirie në Kollovoz e Bërzhezhdë nëpërmjet vargjeve të poetëve martirë. Ne duhet t’ia kthejmë Europës dëshmorët e saj të parë, të rënë në ferrin e totalitarizmit stalinist shqiptar. Ne i afrohemi Europës me dëshmitë e martirizuara të lirisë, me Vilsonin dhe Gencin, por dikush na mban peng në këtë vërdallosje, sepse mendon se në Europë duhet të shkojmë medoemos, më parë se me poetët e vrarë, me vrasësit e tyre. Përndryshe nuk na nxë dera e saj… në të gjitha kuptimet që rrok kjo fjalë.

__________________
Burimi: voal-online.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen