Nikollë Loka |
Nikollë Loka, lindi në Sang të Fanit në Mirditë me 25 mars 1960. Ka diplomuar për mësuesi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës në vitin 1983.
Është nderuar me disa çmime letrare dhe poezitë e tij janë prezantuar nëpër disa antologji.
Veprat:
- “Njerëz që plaken udhëkryqeve”, poezi, 1998;
- ”Koha e shkelur”, poezi, 1999;
- “Larg Atdheut”, poezi, 2001;
- “Nje hark Ylberi”, poezi, 2013;
- "Koha tjetër”, pozi, 2015,
- “Natën kapërceje pa leje”, poezi, 2017
- “Un arco dell”arcobaleno”, 2017
Poezi nga Nikollë Loka
Përmbytur nga një ndjenjë
Qiellin tim vesh
një re që sjell shi.
Shpirtin
ma tret era që fryn.
Me vështrimin tënd,
ringjallem,
ndoshta rizgjohem
ndoshta fle….
A ndihem më mirë unë
apo ti!
Je horizont,
që lëviz
në pak hapësirë,
një hënë e plotë,
që del ditën për diell.
Më djeg me një shikim
e më rrëmben me një brengë,
por shpirtin ma fsheh,
nën një qiell të ngrirë,
në një mëngjes përtac,
dhe shpirti im
s'mundet të flasë,
përmbytur nga një ndjenjë.
Të fola me gjuhën e zemrës
Të fola
me gjuhën e zemrës,
e sy ndër sy
luajtëm me vetëtimat,
derisa prej qiellit tënd
zbriti një re
dhe ma fshiu mendimin.
Të fola
me gjuhën e diellit
në një mëngjes të ri,
mëngjesi u shkri
në ditën që s’erdhi,
dhe u gjeta
në muzg
shpinë për shpinë
me diellin,
e mbi një urë
na u lagën premtimet,
teksa terri
në një arkë me dry,
na i futi zemrat.
Të fola
me gjuhën e luleve në syth,
para çeljes së gjetheve.
Pranvera m’u shfaq në ty,
e në sytë e tu
mbolla trëndafila të çelur,
e një mëngjes të ri
e lashë pranë zemrës,
një mëngjes
të ndarë më dysh.
Edhe bukuria vdes
Në fillim ndaj saj
ndjen thjesht tërheqje,
pastaj meditim
mbi tërheqjen që ndjen.
Të vjen një dëshirë
e të ngjall etje,
tek sheh
një lulezonjë që të gënjen,
të deh me aromë,
para se ta prekësh,
e me një prekje
asgjë
nuk mbledh prej saj,
bukuria
humbka brenda shpirtit
në një dhomë
pa dyer dhe dritare.
E ti i dehur
në ato mure pret,
të hapet një derë
vetvetiu,
pa e ditur
se dhe bukuria vdes,
kur ikën
dhe fshihet nga njeriu.
Sikur të isha...
Sikur
të isha vetëm fjalë,
do të pikoja nën strehë,
në ditënetët pa shi,
deri sa ta largoja
një brengë...
Sikur
të isha brengë,
litarit të lotit tënd
deri te qielli im,
vetëm dashurinë
do të kisha në mend.
Sikur
të isha dashuri,
lule mbi murriz,
gjembat e jetës
do t'i shkulja
pa më dhemb.
Sikur
të isha për ty,
e fundit dëshirë,
do të rropatesha
gjithë jetën
për t'i mbyllë sytë
me dhimbjen time,
e do të kisha thënë:
Prehu e qetë
në botën tënde,
në këtë botë jetime...
Të shoh në sy
Të shoh në sy,
je një pasqyrë me mjegull,
nga sytë te zemra,
nëpër shkallë,
hutimin zbres
e në thellësi
të shpirtit tënd të virgjër,
për ty,
një qiri po e ndez.
Ai qiri
mbi një altar
po shuhet,
e nën altar po pres,
i rënë në gjunjë,
sa herë të shoh,
zemra më bëhet akull,
kur do të shkrijë,
më thuaj!
Një ëndërr e verbër
M’u shua
padashur në dorë,
ditë të panumërta
m’u tretën.
Mbeti
një pikë vesë
në sytë e mi.
Një pikë vesë e ylbertë
në shtatë ngjyra,
në shtatë shkallë,
në shtatë diej.
Në shtatë humnera
të rrathëve të ferrit,
rrëzohen ëngjëjt
dhe yjet pikojnë.
Ngurtësohet shikimi
si breshër,
prej qiellit tim
tejpërtej…
Në shtatë ferre
e në shtatë diej,
përnjëherësh.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen