Mittwoch, 28. August 2013

Mendime për romanin “Dallëndyshet pa fole”


Musa Vyshka:

Një roman që gërsheton
rrugë dhe fate të ndryshme

Kur para ca vjetësh lexova romanin e parë të Rezartit, “Deti pa dallgë” pata, në mënyrë krejt të papritur, një varg ndiesishë të bukura dhe që më emocionuan.
Së pari, më gëzoi fakti që ai kishte shkruar një vepër lirike, Roman poetik të goditur, dhe e justifikonte plotësisht angazhimin e madh që kishte ndërru…ar dhe leximin e interesin e lexuesve të veprës së tij të parë dhe së dyti, duke e pasur bashkëqytetar të Elbasanit tonë të mrekullueshëm më gëzoi fakti që krahas Astrit Bishqemit dhe Dhimo Tanushës, krahas Elisabeta Myftarajt e Kujtim Agalliut po rreshtohej edhe një romancier tjetër që po tregonte se edhe ai kishte diçka të re e të bukur për të thënë me besim të guximshëm tek talenti e puna e tij.
Romani i dytë “Dallëndyshet pa fole”, që lexohet me kënaqësi, e justifikoi plotësisht guximin dhe angazhimin e tij.
Titulli, pa u përpjekur të intrigojë e të lodhë mendjen e zëmrën e lexuesve, shpalos përmes një simboli të goditur thelbin e veprës, shqetësimin e autorit, detyrën e tij qytetare e morale për të përshkruar në faqet e romanit dhimbjen e tij për të gjithë vëllezërit e motrat që duke ëndërruar e synuar ditë e jetë më të mirë, lanë atdheun, braktisën foletë e tyre dhe rendën të zënë foletë e huaja nëpër vende të ndryshme të botës.
Rezarti është vetë njëri prej tyre, jeton prej kohe në Hollandën e lulëzuar, dhe ky fakt e ka ndihmuar të kuptojë e të ndjejë a gjen lumturi e paqe ai dhe të mërguarit e tjerë nëpër foletë e huaja?
Mesazhi dhe shqetësimi i autorit janë të qarta dhe tronditëse. Subjekti që ngërthen në roman gërsheton rrugë e fate të ndryshëm. Njerëz me botë të ndryshme e të ndërlikuara shpirtërore nisen me nxitim e me shpresa të ndezura drejt një bote të panjohur, pranojnë shpesh me një përulësi poshtëruese zakonet dhe ligjet e vendeve që dikur nuk i gjenin dot as në hartë dhe gjithçka bëhet e ashpër, shpesh tallëse dhe çnjerëzore, që e shumta mund t’ju siguroj një grusht para dhe një mbijetesë të mjerë, por kurr nuk mund t’ju sigurojë lumturinë e vërtetë njerëzore.
Rezarti, duke e njohur mirë atë vërshim e ikje, i bie në mënyrë të vazhdueshme kambanës së shpirtit të tij, duke thënë për veten fillimisht; “Ai është atje, por atdheu është këtu”, thirrje që synon të zgjoj të gjithë bashkëkombësit e tij.
Në qendër të romanit, autori vë dy çifte që kanë marrë të njëjtën rrugë, por që kanë mendime dhe bindje të ndryshme për jetën.
Nga njëra anë është Agimi, që ka bashkuar fatin me një prostitutë të quajtur Emine, dhe bashkimi i tyre fatal, nxjerr jashtë përdorimit djersën dhe mundin e Agimit, punëtorë e korrekt, duke i dhënë familjes rrugën e shkatërrimit. Kurse paralel me to, është çifti dinjitoz Florenc-Mimoza, që e kuptojnë se kanë vendosur të luftojnë për lumturinë e familjes, diku larg foleve të tyre, por së pari kanë marr vendimin e përjetshmen, të ruajnë dinjitetin, dashurinë, krenarinë e të qenurit shqiptarë, dhe të mos e shesin veten për një thërrime lumturi.
Ballafaqimi midis dy çifteve të ardhura nga i njëjti qytet, përfaqësuesit e të njëjtës shtresë qytetare dhe ekonomike, ka domethënien e tij të madhe; kemi ardhur për të siguruar një jetë më të mirë, por jo për tu bërë skllevër, për të harrur folenë tonë.
Përmes telasheve, që i sjell jeta, Agimi, edhe në tokë të huaj, mendon me mall e shqetësim për vendin e tij, mendon “A do të jetë tharë lajthia ime?”, sepse tek ajo punë, tek i gjithë gjelbërimi i tokës së tij, ai sheh lumturinë e vet dhe të fëmijëve.
Gjithçka, çdo përpjekje në jetë, ai e bën të shpëtoj veten dhe njerëzit e tij, duke u përballur me të papritura të mëdha dhe të padëshirueshme. Autori, duke shprehur me dhimbje, përkrahjen e tij për të jep shpresa në çdo hap me poetizimin e përpjekjeve që bën.
Nuk ka asnjë dyshim që figura më e arrir dhe më e dashur, më e qartë dhe më poetike, në roman, është figura e Mimozës. Ajo është e lidhur ngushtë me gjithçka të bukur, me lulet dhe dallëndyshet, çdo veprim i saj shpreh në mënyrë simbolike gjallërimin e domosdoshëm të jetës, natyrës dhe poezisë, që e përfytyron dhe vlerëson si fuqi të madhe shpirtërore, të aftë për të ndryshuar dhe zbukuruar jetën, në luftë me të keqen, që nuk i ndahet këmba-këmbës.
Mimoza e shpreh qartë pozicionin dhe detyrën e saj në jetë, kur deklaron: “Unë jam poeteshë dhe e dua të gjithë botën”. Dhe të gjitha veprimet e saj justifikohen plotësisht në kontrast me zvetënimin moral të Emines, që përfaqëson një shtesë të papëlqyeshme të femrës emigrante shqiptare.
Veprimi që bën Mimoza, duke mbledhur dhe shpërndarë, në dhjetëra shtëpi, foletë e dallëndysheve është i gjetur, shumë i bukur dhe manifeston shpirtgjerësinë e përtej skajshme të një poeteshe që ëndërron ti kthejë të gjitha motrat dhe shoqet e saj nëpër shtëpitë e veta.
Dështimi i këtij veprimi, është tronditës, por i përkohshëm. Dallëndyshet do të kthehen, në mos sot, disa ditë më vonë, në foletë e tyre. Gjithçka do të ndryshoj dhe do të bëhet më e bukur. Me ketë simbol të dashurisë për jetën dhe përjetësisë për këtë dashuri autori e mbyll romanin. Zgjidhje më të bukur nuk mund të gjendet.
Si përfundim, romani i Rezartit dëshmon plotësisht për talentin e tij, dashurinë për njerëzit, një fjalor të pastër (përjashto ndonjë banalizim të panevojshëm) dhe na bën të besojmë se duke qenë i dyti, më i mirë, do të sjellë vepra të tjera gjithmonë e më të bukura.
_____________________
Burimi: Gazeta "Nacional"




Kujtim Agalliu

Dallëndyshet pa fole…

Pas romanit të tij autobiografik “Deti pa dallgë”, ku trajtohet tema e emigracionit, e kësaj epidemie të këtij shekulli, që infektoi mbarë botën dhe në veçanti popullin tonë, problemet, lufta për t’u punësuar dhe integruar në shtetet fqinjë, ai vjen para lexuesit me librin e tij të dytë, po kaq realist, “Dallëndyshet pa fole”.
Qysh me romanin e tij të parë “Deti pa dallgë” shkrimtari Rezart Palluqi shfaqi një aftësi dhe talent mjaft të qartë prej prozatori me të ardhme premtuese. Qartësia e mendimit, thjeshtësia e të shprehurit me një gjuhë mjaft popullore dhe filozofike, kthjelltësia e ideve dhe mesazheve të përcjella në prozën e tij, janë të kapshme për çdo kategorie lexuesish. Këto cilësi, e bëjnë lexuesin të përthithë me ëndje faqet e këtij romani dhe përsëri të mbetet pengë për të mësuar edhe më tepër për fatin e heroit dhe qindra mijëra shqiptarëve që kacafyten me vështirësitë dhe përbuzjen atavike në vendin fqinjë.
Ndërsa në këtë roman, që sot kemi në dorë, “Dallëndyshet pa fole”, Rezarti është bërë më i pjekur, më kërkues ndaj vetes dhe krijimtarisë së tij artistike, por edhe me kërkesa më të larta për temën që trajton.
Në këtë roman autori prezantohet përpara lexuesit me një stil herë surrealist, herë realist, duke ndjekur me kujdes uljet e ngritjet emocionale të personazheve dhe problemeve që ata bartin. Subjekti i romanit ka një natyrë ekzistenciale, ndërsa personazhet hallakaten në ëndrrat, dëshirat, ambiciet dhe telashet e përditshme. Ëndrrat e tyre shpesh herë janë surrealiste, ato përfshijnë dëshirën për të mbrojtur vlerat më të bukura të jetës, edhe pse vetë ata rrëshqasin në mënyrë të pavetëdijshme në humnerën e gabimeve dhe vazhdën trashëgimore të prindërve të tyre.
I gjithë subjekti i romanit mbështetet mbi dramën e dy personazheve kryesor, Agimit dhe Florencit, në ëndrrat, dëshirat, vuajtjet shpirtërore e fizike, familjare e shoqërore, konkurrencës së pandershme të biznesit që kanë marr mbi shpatulla, dashurive të pafata dhe shpesh brinare të njëri – tjetrit, mos përputhja e karaktereve të bashkëshortëve etj.
Por ndërsa Agimi, antiteza e Florencit, njëri punëtor, i urtë dhe naiv, çdo gjë e ndërton me djersën e ballit dhe ndershmërisht, në të kundërt është Florenci, që paraqitet me një karakter të veçantë, që çdo gjë e bën tinëz dhe pa shfaqur pikë dhembshurie për viktimat e tij. Qëllimisht autori ka vendosur përballë njëri – tjetrit dy çifte, ku në secilën anë të njërit, dy lidhje martesore nuk ngjajnë dhe bëhen shkak për pabesi dhe tradhti bashkëshortore Kemi përballë dy djem plot ëndrra dhe dëshira për ta ndërtuar jetën e tyre në atdheun e vetë, njëri në biznesin e luleve dhe tjetri në atë të varrimeve (sa çudi, në përshtatje me karakterin e secilit!), për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë emigrimit, kësaj plage të shoqërisë shqiptare post komuniste, por dy tipa mjaft të kundërt në karakter edhe pse shokë kurbeti e fëmijërie. Po kështu edhe shoqet e tyre të jetës (autori sikur do të ekuilibrojë dobësinë e biznesmenëve të rinj me karakteret e kundërta edhe të grave të tyre), janë po aq të ndryshme sa edhe burrat e tyre. Agimit, këtij djali punëtor dhe të padjallëzuar, autori i ka vënë përkrahë një ish prostitutë, që ende ka mbetur robinjë e zakonit të saj të përbuzur. Ndërsa mashtruesit Florenc, të pabesit, bukëshkalit, i ka vënë pranë një grua shpirt mirë, poete me të ardhme, me një botë mjaft të pasur shpirtërore. A nuk duket sikur autori ka dashur t’i ekuilibrojë këta dy çifte?
Por ujku qimen ndërron, zakonin jo. Po kështu, deri në fund të romanit, Florenci nuk evoluon, përkundrazi më tepër shthuret, ndërsa kurorë-shkelësja Emine, gruaja e Agimit, vazhdon të tradhtojë fare sheshit, duke shkatërruar pas shpine atë që i shoqi e ka ndërtuar me mish e shpirt.
Por ajo që të befason në romanin “Dallëndyshet pa fole” të autorit R. Palluqi, është piktura peizazhiste e imazheve të tij. Atje ky thyet vështrimi i tij, ku syri përqendrohet dhe fantazia merr krahë, peizazhi duket aq i vërtetë, aq realist dhe i prekshëm, sa të bëhet se edhe ti je pjesë e këtij vëzhgimi.
Personazhet janë skalitur me daltën mjeshtërore dhe të ngelen në mendje edhe pasi e ke mbaruar që lexuari romanin, por më tipik dhe më interesant, për botën e saj të pasur shpirtërore, për ndjenjat e holla, të brishta dhe të pastra, është poetesha Mimoza, e shoqja e Florencit, antipodit të saj, të lidhur ngushtë me dashurinë për lulet dhe veçanërisht dallëndyshet. Ajo nuk kursehet të porositë 100 kuvli që të jenë të gatshme të presin dallëndyshet në ballkonet e zbrazur të shtëpive të emigrantëve. Ikja e tyre, familjeve emigrante dhe prishja e foleve të dallëndysheve nën ballkone, i kthehu ata (ballkonet) në një shkretëtirë të pa jetë, pa cicërimat gëzim-ndjellëse të këtij shpendi të ngjashëm me vetë emigrantët.
Kjo është edhe maja filozofike e romanit: dallëndyshja merr karakter simbolik dhe presupozon jetën e shumë djemve dhe vajzave që i kanë kthyer kurrizin vendit të tyre për një jetë më të mirë, kur ata me punë dhe me djersë mund ta gjejnë atë po aq të begatë në vendin e tyre.
Dallëndyshet po kthehen, ato kanë nevojë për jetën dhe frymën e njerëzve në shtëpitë e zbrazura, kanë nevojë për foletë e tyre, që çuditërisht kanë mbetur të cunguara dhe bosh. Pra, sipas idesë së autorit, duket se nëpërmjet tyre trumbeton një thirrje e fuqishme për të sensibilizuar shqiptarët që t’i kthejnë sytë në vendlindje, aty ku jeta e tyre nisi. Dhe këtë ide ai e ka realizuar në së miri me librin e tij “Dallëndyshet pa fole”, të cilin lexuesi do të ketë vetë fatin ta ketë në duart e tij.
_________________
Burimi: gazetadita.al

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen