Montag, 12. August 2013
Mevlyde Saraçi: Kur jeta duhej jetuar
(Kujtime nga ditët në flakë)
“U ngrita në këmbë dhe ktheva kokën nga dera!
Dy bisha të tërbuara kishin zgurdulluar sytë, sikur donin të më përbinin.
Ti je zonja X, më tha si me habi njeri prej tyre.
Po unë jam, ia këtheva.
Ç’kërkoni nga unë ?
Ata hapën librezat e tyre dhe si në duet thanë :
Duhet, patjetër të vish me ne. Je e arrestuar!
Përse ? - u thashë me një qetësi që edhe mua vetë më habiti .
Ne nuk dijmë... ti e di më mirë,ndaj merre lejen e identifikimit dhe pa humbur kohë, eja me ne në stacionin e policisë...!
Vij unë, s’ka nevojë të më merrni ju-u thashë inspektorëve të sigurimit.
Të tërbuar u kërcënuan se do të përdornin forcën .
Për të mos sjellur telashe për të pranishmit që ishin në zyrë, vendosa të shkoj me ta.
Vetura u nis në drejtim të stacionit të tmerrshëm të policisë, para të cilit duhej të protestonin të gjitha gratë e Gjakovës …
Më mbyllën në qeli. Mendja më rrinte tek protesta dhe pasojat.
Kisha dëshirë që protesta gjithsesi të mbahej,por më mundonte edhe ajo se do të ketë edhe arrestime të tjera. Sidoqoftë, unë isha e mbyllur dhe në mua jetonte vetëm shpresa se çdo gjë do të përfundojë pa pasoja të mëdha.
Më pas u binda se ky qe vetëm fillimi i skenarit të vuajtjeve të mia.
U përbetova në vete se nuk do ta humbas këtë luftë kaq të egër e të pabarabartë me ato bisha.
Sa bukur isha veshur atë ditë, vërtet si grua, si një zonjë...
Kështu më kishte thënë Rrezarta në mëngjes.
Ndërrova garderobën e luftës, sepse asaj nuk i pëlqente.
Eh sikur ta dinte ajo, pse në mëngjes u vesha ashtu si isha veshur.
Po ç’faj kishte ime bijë.
As që mund ta mendonte se çfarë do të sillte dita e sotme.
Unë gjithnjë në jetë kam pasë moral të fortë dhe kësaj rradhe vendosa të mos thyhem.
Vesha rroba për t’u bërë “zonjë e vërtetë”.
- Kështu pra,duhet të të shohin të gjithë se protestën e grave do ta udhëheqë një grua e vërtetë, pëshpëriste Rrezarta.
Dhe unë kujdesesha të mos fus fare dyshim se kjo veshje solemne do të më kushtonte shumë shtrenjtë.
Sidoqoftë, nuk ishte hera e parë që po përfillja propozimet e fëmijëve.
Ishte ky një stil imi, që ata të mos thyhen moralisht, përkundër mungesave të mia në shtëpi, të cilat vinin si rezultat i punës dhe angazhimit të madh në drejtim të zgjidhjes së problemit të Kosovës.
Dhe si t’ia bëja. Trupi më ishte shtangur. Të ftohtët e çelisë ishte futur thellë në palcë. Në momente e humbja toruan dhe nuk dija se çfarë stine bënte .
Por një gjë e dija: më kishin futur në një qeli, në të cilën mungonte froni.
E tërë mbretëria ime ishte një kënd i vogël tek dera e hekurt e qelisë, te ky vendbanim i ri .
-“Po ç’orë është tani? Ç’dreq mund ta dinte!”-mendova me vete në heshtje.
Po jashtë,ç’po ndodhte.
Edhe kjo, ishte enigmë për mua.
Ndërkaq në shpirtin tim përzihej ndjenja e frikës dhe shpresës dhe asesi s’dija t’ia qëlloja se cila do të ngadhnjejë.
Më duket se për çdo sekondë plakesha për një shekull, edhe pse tani këto matje i merrja vetëm me mend.
Bota ime ishte vetëm një ëndërr që e kisha ëndërruar disa shekuj, para se të lindja.
Tanimë isha vetëm një hije e një gruaje, e një zonje të veshur bukur, për ta udhëhequr një protestë, e cila nuk do të mbahej kurrë, pasiqë autorja e këtij skenari tanimë ishte në qeli dhe dikush tjetër i kishte shpërndarë të gjitha zonjat tjera, të cilat poashtu kishin dalë për të kërkuar ndërprerjen e luftës dhe lirimin e të të gjithë të burgosurve, dhe për t’i treguar bishave se ne duam edhe të jetojmë si njerëz madje edhe me çmimin më të lartë të sakrificës.
Ato të tmerrësisht qenë ndjekur nëpër shtëpitë e tyre duke u bërë sy e vesh për të marrë ndonjë informatë.
Unë përballesha me realitetin e ri . Po nejse, ku ta dija tani ç’po ndodh jashtë.
Errësira ishte bërë perde në sytë e mi.
Këpucët i vendosja nën kokë, për të bërë një sy gjumë, po ç’t’i bëja të ftohtit që më ngrinte këmbët. Për të mos u shkapërderdhur mendimet u ndërroja rolin këpucëve.
Po edhe unë kisha ndërruar rolin. Nga skenaristja e protestës së parealizuar, u bëra aktore në dramën e tmershme të jetës sime që kisha filluar ta realizojë pa kurrfarë skenari dhe që përveç hijes sime, rol të rëndësishëm luanin edhe këpucët që m’i kishte blerë Fatmirja, motra ime në mërgim, me të hollat e kursyera nga buka e gojës.
Po kush i tha motrës sime të më blejë këso këpucë magjike! - pëshpërisja me vete.
Nga qelia,mendimet fare pa pasaportë shkuan në Skandinavinë e largët për të zbuluar misterin e këpucëve magjike.
Sa të buta dhe komode ishin kur ulesha mbi to. Duke u mbështetur për murit të pistë të betonit, herë herë dremitja. E tërë koha më bëhej si në ëndërr.
Po fundja edhe poqese provoja të besoja se kjo është e vërtetë nuk kishte kush t’më ndërronte bindjen,sepse tani e tërë mbetëria ime ishte mbi fronin e këpucëve magjike. Njëra këpucë në këmbën e djathtë e tjetra përsëri e vendosur nën kokë. Pastaj, e djathta e majta dhe anasjelltas.
Sa për ushqimin, mos pyetni fare. Ishte një nga ushqimet më speciale.
Ëndrra të bukura dhe realitet i neveritshëm, ajër i pamjaftueshëm dhe i ndotur dhe një dozë shprese sa për ta jetuar dhe mbijetuar mbretërinë në fronin e këpucëve magjike.
Tanimë jetoja një jetë tjetër dhe nga çasti i futjes në qeli, luftoja me të vërtetën.
E tillë kam qenë gjithnjë në jetë. Luftë me të vërtetën për të vërtetën.
Po përfitoja përvojë të re. Pse, a mos kisha qenë ndonjëherë më parë në këtë qeli . Po këtë fat rrallë kush e ka. Se si mu kujtua motra që ndan kafshatën e gojës dhe me sy të përlotur e zemër të shkrumuar del në një qytet të madh e të panjohur edhe pse larg i gjen tamam ato këpucë, të cilat kalojnë tremijë kilometra e pastaj edhe nja njëqind të tjera dhe barten dorë pas dore. Dhe të gjitha këto e neverisnin, zonjën e qelisë dhe pronaren e fronit të ndërtuar nga këpucët magjike.
Herë-herë më vinte forca dhe gëzohesha që nuk më jepnin ushqim që ta reprodukojë në ndonjë hapësirë më të ndotur se kjo ku kisha fronin. Më mjaftonte vehtja ime hije dhe këpucët e mia magjike. Fundja akoma pa u pronësuar kishin bërë goxha udhëtim dhe fare nuk ishin të dëmtuara dhe tani pse të mos vazhdonin të kryenin rolin e tyre.
Mendoja…
Roli im do të merrte fund akoma pa filluar, po mos të kisha dëgjuar këshillat e Rrezartës atë mëngjes.
Ku ta dijë tani sa është mplakur edhe ajo . Shekuj janë këta. Por s’bën të dyshoj, madje jo vetëm për atë, por edhe për të tjerët.
Eh, sa nipër e stërnipër kanë lindur në tërë këta shekuj. A mund ta ndalë kush këtë proçes. S’e besoj. Edhe kjo punë i ngjan magjisë së këpucëve të mia. Kush mund tu ndalë atyre rolet që po luajnë në këta shekuj. Askush. Bota është si një top i rrumbullakët dhe, poqese don ta kap në dorë ndodhë që duart të mbesin bosh.
Nejse,ç’më duhet këtu bota,kur kjo çeli s’më mjafton as mua. Po ta kap, atëherë ku do vendoseshin gjithë ata njerëz. Pastaj edhe unë duhet të qëndrojë në këmbë dhe mbretëria ime në këtë qeli të errët do mirrte kuptim tjetër. Do të bëhej një qeli krimbash sepse ky ajër i pamjaftueshëm dhe i ndotur do të na mbyste të gjithëve përnjëherë.
Më mirë kështu le të më mbysë vetëm mua, të tjerët kur nuk do ta kuptojnë misterin e vdekjes sime e aq më pak misterin e fronit tim.
Por - pse gjithë ata njerëz duhet të torturohen për një hije që ka disa shekuj moshë, gjithë pasurinë ua ka lënë jashtë dhe tani duhet të përzihen edhe në pronësinë e fronit, apo thuaj më mirë të këpucëve magjike.
Po lëre këtë, se, besa shumica do të mendonin se unë jam çmendur dhe veç qelisë duhet të më dërgojnë në ndonjë shtëpi korrektuese apo në ndonjë çmenduri.
Më leni të qetë dhe ju mendimet e mia. Po pse, mos i keni mbaruar të gjitha punët që po merreni me mua.
Papritmas mua më del gazi dhe qeshem si e marrë e aq më shumë i akuzoj mendimet, i qortoj pse s’më lënë të qetë të mendoj dhe të ndërtojë ardhmërinë time. Në anën tjetër ato më qortojnë dhe më detyrojnë të kuptoj se edhe ato janë pronë e imja dhe xhelozojnë këpucët magjike që janë vetëm objekt dhe tani udhëheqin me mua.
Vërtet më duhet ndihmë, jo, s’me duhet ndihmë por vetëm një vrimë çelësi, dritë që s’e kam sa të grumbullojë mendimet e mia dhe t’i shoh ku mbetën ato këpucë magjike që më sillen vërdallë dhe më ankohen se janë lodhur nga puna pa pushim. Ato pandehin se unë kam harruar të mendoj edhe për to. Dhe vihem në sprovë. Këpucët dhe mendja ime kanë filluar të grinden. Ndërkaq unë nuk e shoh as vehten time dhe po të më mbytni nuk mund t’u tregoj se ku jam.
Më janë ngatërruar aq shumë shekujt sa as ju që jeni në atë qelinë e madhe nuk jeni të vetëdijshëm për një gjë të tillë.
Nejse...
Jeta jetohet kudo që njeriu jeton. Dhe shekujt ikën e jeta vazhdon.
Po pse, a mos do ta dinin këpucët magjike dhe mendja ime e shkapërderdhur se sa do të duhej të jetonte një trup skelet që provon të mbajë peng hijen time si pronë të vetën?
Kurrë nuk kisha dëgjuar se ekzistojnë dy të vërteta prandaj as që mendova se çfarë isha dikur - para se të bëhem mbretëreshë e këpucëve në atë qeli të pistë .
Edhe po të kisha çfarëdo rroba të trasha nuk do të më shpëtonin nga dhembja as tortura dhe përsëri do të mbetesha skelet. Këpucët e gjata që i zbatha para se të nisesha ishin shumë të vrazhda dhe të egra. Me to do të mbetesha pa mbretëri, pa fron. Por, a thua Rrezarta kishte për qëllim që të mos më linte pa temë, a thua edhe ajo shekuj më parë e kishte të ditur se jeta e s’ëmës do të kaloj nëpër sprova dhe atë propozim e kishte që të binden barbarët se ajo që organizon dhe thërret gratë të vijnë të protestojnë para ndërtesës së policisë pa pikë frike, është njësoj si të tjerat .
Apo, dallohesha nga ato ngase shpesh bëja edhe punë të rënda.
Dhe këtu sigurisht se zë fill edhe kjo që po ndodh sot me mua.
Ndoshta ajo kishte menduar se në kohën kur s’do të kem laps e letër së paku të mirrem me mbretërinë time.
E di mirë ajo se forca morale i ka rrënjët thellë në shekuj, ndryshe nuk do numëroheshin ata.
Pse, a mund të lindte ajo para shekujve dhe të thotë se ata erdhën pastaj. Disa e mendojnë këtë. Po dhe këta të inkuizicionit mendojnë ashtu. Ç’lidhje ka kjo, kur ata thonë se kanë lindur të parët në këto troje kur s’ka pasur as tokë, as qiell, as ujë.
Urdhëroni, atëherë , argumentoni !
Përse të argumentojmë këtë kur ju numroni shekujt,ngaqë neve këto na ngatërrohen.
I numrojmë vitet e kjo na mjafton që tu dërgojmë në theqafje a skëterrë.
Sidoqoftë, më doli një problem dhe më i madh .
Si bënë të vidhet historia kur shekujt lënë gjurmë.
Ata, me fanatizëm i ruajnë vlerat. Qytetet, varrezat, enët stolitë e gjësende të vlefshme thellë nën tokë, sikur fshihen për t’i gërmuar kur të vijë koha e vërtetë dhe t’u këthehet kujtesa njerëzve në shekuj për ta bërë veten të gjallë.
Tanimë do të duhej të ishin më të lumturit ata që vdiqën në shekuj e po rilinden, si feniksi në këto kohëra të liga për ta forcuar vullnetin e njerëzve që s’kanë kohë të mendojnë për histori por luftojnë ndoshta të mbijetojnë vetëm edhe një ditë”
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen