Samstag, 28. Dezember 2013

Fadil Curri - Shkurt e shqip

SHQIPTARËT NUK JANË KOMB DORDOLEC ME IDENTITET EVRO-AZIATIK
 
   Nuk ka shqiptar me identitet evpropian e amerikan, as aziatik e australian ose afrikan, por ka shqiptar me identitet të mirëfilltë shqiptar. Nuk ka shqiptar me identitet lindor e perëndimor, as me verior e jugor, as me identitet islam e të krishter. Këtë bindje e mbaj kur e di se tipari shques themelor në trikohësi i nje etnie është gjuha. Së këndejmi, identiteti shqiptar nuk është krijuar për një vit, as për një shekull, as për një milenium, por shumë më tepër se këta. Nëse heqim dorë nga njëra pjesë e historisë ose gjeografisë shqiptare, identiteti shqiptar nuk do të ekzistonte i plotë, do ta bënim gjuhën shqipe e kombin, identitetin shqiptar që do të ngjante në një pemë me rrënjë e frute, por pa kërcyell e trung, gjë që do të ishte jodialektike, jo e traditës së trashëguar brez pas brezi. Çdo përpjekje për të copëtuar identitetin shqiptar në lindor e perëndimor, mbase të krijojnë një komb shqiptar dordolec me biografi memece sipas "artit" të tyre, ka paragjykim joshqiptar, mbase një ditë do të dalë edhe antishqiptar.    
   Disa njerëz donkishotianë harrojnë se para feve e kemi pasur gjuhën, historinë dhe, nëse duam ta gjymtojme identitetin tonë, atëherë duhet të ndahemi në identitet lindor e perëndimor, të kthehemi në komunizëm, në Jugosllavinë antishqiptare, në Luftën e Dytë e të Parë Botërore, të kthehemi në kohën e Pjetër Bogdanit, Sulltan Muratit e të Skenderbeut, të vitit 1054 me ndarjen e besimit të krishter të shqiptarëve në lindorë e perëndimorë, në Vitin Zero, në paganizëm e Iliri, që nuk do të na lejonte askush, mbase edhe ne do ta pengonim këtë hapërim, bile edhe ata që trumpetojnë të kthehen mbapa do të zmbrapseshin. Me këtë logjikë të tyre, të cilët historinë e konsiderojnë si një orë të tyre mekanike që kur duan ia kthejnë akrepat mbrapa, del se populli shqiptar edhe një herë u dashka të kalojë nëpër ato luftëra të mënxyrshme, të bëjë edhe një herë tkurrjen në vend të thurrjes së arealit të meritueshëm shqiptar. Jemi këta që jemi, me identitet të formuar rreth katër mijë vjet dhe, të këtillë si jemi, kaq sa kemi mbetur ende gjallë, jo që të grindemi ndërmjet vete, por që të duhemi e të ndihmnojmë njëri-tjetrin, duhet të bëjmë  përpjekje për avancimin e Shqiptarisë pa paragjykime të ulëta fetare, pa teokraci të domosdoshme egoste. Shqiptaria i ngjan tre vëllezërve të një gjaku nga nëna e babai i përbashkët; njërin vëlla e ka shtuar Zoti me fëmijë më shumë, tjetrin më pak, një tjetër pak më pak ose fare. Por, që të tre e kanë dashurinë vëllazërore dhe dhimbjen për tjetrin, e kanë të trashëguar nga atësia vullnetin për ndihmë të ndërsjellë, që në dasma e vdekje t'u gjenden bashkë.       
   Ekskluziviteti mendimor është i stilit komuinist të të menduarit mbi tjetrin dhe të lakmuarit vetëm për veten, që të vërtetën as e njeh, as e pranon, bile i shtytur nga kapriciet joargumentuese, lëre që bën dëm kolektiv, por ndoshta do të bindet vetëm kur e keqja ta prekë vetëm atë sajues të së vërtetës së paekzistueshme. Ky ekslkluzitet mendimor traditën e do pa trashëgiminë, pra selektueshëm e njeh, e jo  në vazhdimësi trashëguese, me jashtëkohësi evolutive. Jemi shqiptarë myslimanë, katolikë, ortodoksë, por e kemi edhe një shtresë jobesimtarësh  dhe ateistësh që flasin shqip, që edhe ata duhet të konsiderohen si njerëz tanë, të gjakut shqiptar. E mira e së mirës është të besojmë në një Zot, të shkojmë në kishë e xhami dhe nga mësimet e nxëna aty ta fisnikërojmë shpirtin tonë si kulturë e përditshmëri,  të lutemi shqip për mirësinë e mbarësinë kolektive shqiptare, në një gjuhë të vetme në botë, të mos lejojmë që vellai ynë i besimit tjetër të mos mund të shkojë në faltoren e preferuar, të mos ketë mundësi nga sëmundja ose censura e kanunit e regjimit të mos mund t' i lutet e falet Zotit me vëllezërit e tij në faltore.    
   Temat aventuriere mund të përshkallëzohen në marrëzi intelektuale(mjerisht që edhe ndionjë shkrimtar e inteltkual e gjejmë në "Vallen e djallit të engjëllosur") nga ithtarët, të bëhen kob, për më tepër nëse në to futen diletantët fetarë, mercenarët antikulturorë, jokombëtarë të gjeoetnisë shqiptare. Edhe nëse rreshtohemi në taborrin e një ëndjeje retrogarde të gjithë shqiptarët, nuk ndihmon gjë, përsa nuk e ndërrojmë besimin e përkushtimin në punë, përparim, besim të mirëfilltë në Zot; derisa nuk heqim dorë nga demagogjia e "përparësisë" pa mbulesë utilitare. Evropa e ka Lindjen e Perëndimin në vete, Amerika e ka Lindjen e Perëndimin në vete, Azia e ka Evropën e Amerikën në vete dhe bashkëjetojnë, i marrin të mirat e i flakin të ligat e ndërsjella, e duan më shumë trashëgiminë drejt së ardhmes se sa të tashmen kah e shkuara. E, pse ne shqiptarët të mos e kemi civilizimin lindor e perëndimor brenda vetes, kur jemi "rritur" me ta historikisht e gjeografikisht, duke ruajtur identitetin rrënjësor shqiptar, si çdo popull tjetër i gjallë sot në botë?

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen