Sonntag, 29. Juni 2014

Namik Selmani - Shqiptarisht


Dikur në rininë time të hershme, kur punoja si mësues në një fshat malor, mbaj mend një plak trupkërrusur që ecte i heshtur në rrugët e fshatit tek nisej drejt majave të maleve, në stan ku kishte bagëtitë. Sa herë që e përshëndesnin njerëz në moshë të re, të moshave të mesme apo edhe të moshës së thyer, ai bënte një rit të veçantë, pse jo edhe të çuditshëm për kohën ...
e asnjëherë të harruar nga ata që ai takonte. Ngrinte ngadalë dorën e djathtë dhe e vinte në pjesën e gjoksit, pas të cilit rrinte zemra. Trupi i tij përherë e më tepër kërrusej edhe nga mosha, por edhe nga ai vandak me shkarpa që ai e merrte për të mundur dimrin dhëmbëegër të atij fshati malor e për të ngrohur duart e njerëzve të tij që lexonin libra e bënin detyrat që jepeshin. E plaku, gati proverbial me atë SHQIPTARIZMIN E e tij karakteristik rrallë, shumë rrallë e linte fshatin për të shkuar në qytet pa le për të menduar se një ditë ai mund të kishte hipur një një traget apo në një avion për të marrë udhë të largëta, ku shfaqeshin njerëz me gjuhë të ndryshme me arkitekturë nga më të ndryshme e të çuditshme Më erdhi në mend kjo ngjarje kur doja që të zhbiroja drejt atij shqiptarizmi, për të cilin flasim shumë në televizione, në gazeta, në tavolina. Hartojmë projekte pa fund. Bëjmë filma e piktura aq sa mundim. Diku drejtohemi edhe nga pentagramet muzikore apo nga lëvizjet elegante të balerinave. Po a e kemi futur brenda vetes këtë koncpet në një kohë që kudo na thonë dhe ne ia themi vetes se do të futemi në Europën e madhe me gjuhë shumë, me zakone shumë herë të ndryshme nga tonat? Padyshim me një flamur të veçantë që kemi të paktën 5 shekuj që e kemi sajuar pak nga pak, për të ardhur te ky që valëvisim në zyra, në shtëpi, në lapidarë, në shkolla, në spitale.
Nuk janë vetëm profesorët me tituj akademikë apo me shumëgjuhësi që të mbajnë pistarin e të vetmëve prijatarë për t’i dhënë jetë këtij koncepti. Që të zbërthejnë përtej një zëri në një fjalor filozofik, historik fjalën “Shqiptarizëm”. Janë shekujt që e kanë bërë pak nga pak, luftrat e paqja, lapidarët e këngët, gojëdhënat e toponimet, shkronjat e pakta të hedhura në libra, copëzat e qeramikës së mbetura në tokën tonë të pasur apo edhe ato që deti na i ka dhënë kaq bujarisht në duar për të mbushur me to vetrinat e muzeve, pikturat e të huajve dhe shënimet e gjeneralëve me spaleta, diplomatët, udhëtarët e haneve që na e kanë shkruar këtë histori. Ishte një mjedis shkronjor, ngjyrash, tingujsh që ne na ka formësuar në një ngjizje të veçantë SHQIPTARAZMIN. Jo rrallëherë edhe i deformuar sipas shijeve të atyre që na e kanë dhënë në tavolinë, në libra, në konferenca ndërkomëbatre, në mjedise të mistershme diplomatikë, në sofër, në sy, në veshë, në odë…. Por, për fat të keq, në kohën që jetojmë shumë herë na ka hyrë në fjalorin e të përditshmes sonë një fjalë nga më dorëzueset si fjala “SHTYJE!” Një filozofi më vete kjo fjalë. Një i sëmurë që kërkon shërim ose pret… të papriturën, fundin e padëshiruar. Një njeri pa vizion që e pret ditën dhe muzgun me qaramanëri të dukshme. Një i moshuar që i gëzohet se e shtyu edhe një ditë në kalendarin e jetës së tij të gjatë të lodhshme. Përtej klithmës, fjalëve të politikanëve që kërkojnë të na bindin shpesh herë shumë mendueshëm e në të njëjtën kohë edhe marrëzisht, përtej euforisë , meditimit, përtej tribunave fjala “Shtyje” sikur na ka ferruar këmbët e duart, na ka venitur shikimin Dikur ishin kanunet që kanë sfiduar ligjet e munguara, ishin dyndjet që na errësuan sytë e mendjen për të qenë vetë Lisa urtie në pragjet që ishin ende të varfëra përballë botës që kishte nisur të arisokratizohej me pallate, me banka, me ura të larta, me tunele, me hekurudha, me vende qejfi, me teleskopë, me universitete, por shpesh duke e humbur garën me fisnikërinë e kombit tonë. Nga të vinte kjo fjalë në fjalorin e përditshmërisë tonë? Një fjalë–uratë e papëlqyer. Ende e largët për të gjetur sa më shumë shtigje, qoftë edhe të verbëra për të nesërmen??? Si far që nuk të fton në asnjë breg, në asnjë rrip toke. Si një far që është vetëm mirazhi i fantazisë tënde për të realizuar ëndrrën e kaherëshme detare në zbritje, në kërkim të një bregu ku ka zëra nënash, janë zërat e dashurisë së parë, zëra fëmijësh, ku ka pëshpërima gjethesh, shpërthim lulesh pranverore, ku ka gurë, lojëra fëminore, ku ka pëllumba, ujqër, ka zogj në kuvli e në qiell, ku ka lypësa dhe sheikë përrallorë….A mos po na humbin këto sinorë emocionues ku na fut kjo fjalë-filozofi, këto tinguj jete ose po i takojmë edhe më rrallë sikur të ishin Diogjenë të SHQIPTARIZMËS më të re?

A mos është pafuqia e secilit prej nesh apo dëshira që së bashku të shtyjmë me një mijë e një ofshama, me një mijë e një kukama para një makinë të prishur në rrugë, para Makinës së vrullshme të Kohës që jetojmë? A mos është një vrastare e re e një ëndrre që sikur mjegullohet në sinorët e saj, apo në këtë hise diell që na ka falur zoti që kur nisi jeta në tokë? Në kohën kur duhet të largohet sa më parë e të na lërë të lumturuar në qiellin e munguar për sytë tanë? E duket se shqiptarizmi këtu fashitet, tutet, kruspullohet në zjarrminë e një tymtari të lartë që matet me qiellin. Mos është në të tymnaja ku na fut mungesa e bashkëpunimit me njëri-tjetrit dhe mosbesimi se bashkë e vetëm bashkë, mund ta ngrejmë lart Kullën e Besimit te ajo që duam të kemi e që duam të bëjmë? Janë me dhjetra e qindra pushtetarë të niveleve nga më të ultat e deri te më të lartat që shkojnë e vijnë në Evropë e në botë. Në dogana e në aeroporte paraqesin pasaportën me shqiponjën dykrerëshe e sërish kur vijnë këtu në shtëpitë ku i presin, pak mendojnë që të heqin nga fjalori ynë i së përditshmes, i përshëndetjeve tona (jo, jo, si Plaku proverbial që vinte dorën te zemra duke buzëqeshur dhe duke folur kaq ngrohtë) fjalën “Shtyje!”. Që të fiksojnë historinë e re e të vjetër në muzetë tona qoftë edhe edhe e errët në ditënetët e saj. Qoftë edhe mesazhiere për kohën tonë që jetojmë. Qofshin në ato që kanë një sigël shtetërore në hyrje të tyre e qoftë ato private (sa pak që janë !) Po, mund të jenë edhe private në bazë të ligjeve të një shteti demokratik, po jo më pak të rëndësishëm, më pak profesionistë. Vijnë këtu mbushin listëpagesat e dietave dhe sërish harrojnë se ky vend duhet të ndryshojë, të marrë më shumë hir e dritë Evrope, por edhe ai SHQIPTARIZMI që na e kanë mëkuar që së vogli në lëndinat ku gjunjët tanë na janë gjakosur, ku kemi kënduar me një fyell të bërë me lëvoren e lisit në të cilin kishim gdhendur emrin tonë e të babait,. Kemi shoqëruar një këngë të re me një çifteli me tinguj e fjalë mrekullore për trimat, ku jemi vënë si bedenat e një kalaje për të bërë më të fortë ison e zërit si sokëllimë gurësh që vijnë nga mali e bien në luginë, atje ku asnjë sy nuk i sheh më e as do t’i shohë më. Apo edhe të këndojë pa pushim një këngë për Vajzën e Valëve, një këngë të re mërgimi në breg të Jonit, të Adriatikut, të aeoroportit të Tiranës, të Prishtinës, të Shkupit, të Podgoricës, të rendjes pas autobuzëve me lloj lloj targash ku i harron shpejt, shumë shpejt, emrat e shoqërive të udhëtimit që të dërgojnë në vende ku ka borë, ka tramvaje, ka shatërvanë përrallorë qiellorë, ka muze hijerënda, ka shumë opera, teatro modernë , ka festa birre e vere, ka karnavale ku njerëzit vetëm fshehin fytyrat pa u njohur as si fytyra njerëzore, po as si kombësi. Një simbolikë e veçantë. Në këtë “leksion të pambaruar” më vjen në mendje libri i një diplomati përëndimor që kur kishte ardhur nga shërbimi i përfunduar në Japoni kishte shkruar pikërisht përvojat e fituara në këto vite shërbimi. Në të kishte shkruar për moton që kishin japonezët në jetën e tyre të përditshme, në shkolla, në institucione, në aktivitetet prodhuese “Çdo gjë të mirë që ka edhe armiku ose kundërshtari im është edhe e imja” Sa bukur do të ishte që atë që ka të mirë Evropa ta bëjmë pjesë të vetes sa më shpejt e të mos mjaftohemi me bisedat e tavolinave? A nuk duhet të bëhemi pak suedezë që hartuan Kontratën me veten për të ngritur Suedinë pasi kishin marrë brenda shpirtit të tyre përvojën e Evropës e të Amerikës? A jemi gati që të gjithë ne, shqiptarët, ashtu besnikërisht, SHQIPTARISHT, t’ua mbjellim në udhë e në zemër fëmijëve, nipërve këtë rreze mbijetese , edhe pse Evropa ende na ka vënë në rrugërt e bashkimit trarë doganash, policë dokumentash, radhë makinash..?
Unë nuk dua e nuk mund të mbjell në sinorët e fjalës sime atë idealizëm të jashtëzakonshëm që ka në hapësirat e tij utopinë moderne. Po mua dhe për ju na janë dridhur duart, pse jo edhe na janë përlotur fshehtaz sytë kur kanë mësuar në librat shqip e në atë shumëgjuhesh, në encikloedi me fjongo e me kapakë të trashë se me dhjetra qindra shqiptarë me emër e të anonimtë kanë punuar e kanë ngritur nderin e Evropës me mendjen e tyre, kanë ndërtuar tunelet e saj, kanë gdhendur emrat e tyre në portikë kështjellash, parqesh, kanë bërë që skenat të kthehen në dete me duartrokitje për talentin e padiskutueshëm, kanë ngritur xhami e kisha, kanë bërë afreske në mure, janë ulur në kolltukë vezirësh, bashkë me atë flamur që kishte kombi i tyre i lashtë, E kombi I tyre edne ishte i varfër e gati duarzgjatur për liri, për mbrothësi, për shkronjën shqipe. por asnjëherë pushtues i të tjerëve. Kërkonte që të ndritohej shkronja e gjuhëshqipes që ne i kemi kënduar me sa e sa dëshirë e sot i këndojmë ende, ashtu si nuk bën ndonjë komb tjetër. Po ende nuk e kemi bërë Kontratën me veten për të bërë atë më mirën për këtë vend që do të donin edhe më shumë fëmijët tanë, nipërit e mbesat për t’u ngritur shpesh edhe mbi veten në emër të SHQIPTARIZMIT, të asaj dore që dikur ai plaku e ngrinte dorën në vendin ku ishte zemra, buzëqeshte shqip, përshëndeste njerëz, qoftë edhe të panjohur Janë qytete të tëra, madje edhe qendra qarqesh që nuk kanë një Muze Historik pa le të mendosh që të kesh Muze të veçantë të atyre që kanë bërë të parët tanë ose që bëjmë edhe ne vetë sot. Mungojnë Muzetë e arsimit, ata që duhet të gdhendin në mure e në vetrina historinë e shkronjës sonë e të atyre që kanë sakrifikuar për të. E tek e shohim këtë boshësi, shumë herë na duket se jemi të gjithë Robinsonë të një Ishulli të ri qoftë edhe të panjohur ku e nisim jetën nga e para. Shihni gjuhën e fushatave madje edhe më parë e më pas atyre. Të gjithë thonë se do ta nisin nga e para. E atë për atë kohë që ka kaluar ti duhet të klithësh se gati ka kaluar kot.Si ujët e një lumi që nuk e gjen brazdën që ka uri e etje. E shpesh bëhemi të gjithë Odise që jo 10 vjet por kemi shumë më tepër që ende nuk po e shohim Itakën tonë SHQIPTARISHT të ndryshuar, të paktën në atë që na dhemb të gjithëve në atë Kontratë me të renë, me veten e me mikun, me fëmijën e me pushtetarin, me politikanin e patruesët, me klerikun e me fshatarin, me adoleshentin e me të moshuarin që rri tërë ditën duke përplasur në një karton të vjetëruar gurët e dominove. E nuk duam të jemi Sizifë të vetvetes për të ngritur SHQIPTARIZMIN në atë majë që do të duhet ta ngjisnim shumë më përpara se po e jetojmë sot. Sizifë që nuk e dinë se kujt ia dedikojnë atë uljengritje fatkeqe në një mur që ngjitet e rrëzohet me kaq lehtësi sa nuk e shohim me sy, po vetëm me mendjen tonë të nxehtë. Festuam para pak kohësh 100 vitet e shtetit tonë ende të brishtë aq më shumë që ende nuk na mbledh në të njëjtin flamur. Flamuj kudo: në rrugë, në shtëpi, në tribuna, mbi kuajt e djersitur nga rruga e gjatë, në klipe këngësh të panumërta, në stadiume, në salla koncertesh, në medalione gjoksesh, në Torta, në stilolapsa, në libra, në poezi. Mirë, shumë mirë. Po sa e kemi përflakur brenda veten me këtë ngjyrë gjaku flamurore? Se çdo festë, sado e madhe, luksoze, sado masive qoftë në numër njerëzish e në paratë që hidhen, e ka një fund që është një fillim i ri për atë që ti do të bësh nesër, pasnesër. Këto ditë e pamë se si ngrihesh një monument trimash në Preshevë në emër të një ligji që duhet të ishte në respekt të një kombi që ka kërkuar e kërkon liri, qetësi e jo të mbronte ata policë me fytyrë të mbuluar që hiqnin një monument vetëm se në të ishte historia e një kombi tjetër si ai shqiptar. Duket se shqiptarizmi erdhi edhe më pranë vetes, më pranë vëllezërve e motrave tana të Preshevës..
.. E sërish m’u kujtua në këtë fund shkrimi, i cili mund të ishte edhe fillimi i një bisede burrash në një odë apo në një sallë konferencash, i një bisede poetësh, filozofësh, sociologësh, politikanësh, ai Plak druvar dhe blektor që nuk dinte asnjë gjuhë të huaj, që nuk kishte dalë nga fshati asnjëherë, që dinte të buzëqeshte kaq sinqerisht, që dinte jo vetëm të përshëndeste, por edhe të respektonte atë që e shihte në rrugë në mal, në stan, në krua, në një tavolinë ku rrufiste kafene. Ashtu, i lidhur kaq shumë me jetën, ai e donte atë, punonte për të e sa herë që e takoje, edhe pse në xhepat e tu mund të kishte diploma të shumta, të vije që ta ndalje. Të flisje me mall pambarimisht për Kodin e Shqiptarizmit. …Tani nuk jeton më. Varri i tij është fare afër malit ku ai shkonte çdo ditë. Uroj që ai dhe shumë siamezë të tij njerëzorë të jenë pjesa më e bukur e jetës sonë. Ndoshta është e vetmja gjë që na fal sëmundjen e nostalgjisë që na zë të gjithëve, edhe kur jemi të thinjëruar, edhe kur jemi adoleshentë rebelë, por që kemi nisur të jetojmë jetën shqiptarçe dhe evropiançe.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen