Montag, 10. November 2014

Kosova e pavarur është një realitet i pamohueshëm

Kosova e pavarur është realitet i pamohueshëm. Gjenerata e re që qeveris Sërbinë, t'i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës.Të kapesh pas flamurit të tjetrit, është njësoj si të mos i ikësh dot hijes tënde!

Beograd, 10 nëntor 2014

Sot, kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama e filloj vizitën e tij në Sërbi. Në një deklaratë të bërë në gjuhën shqipe dhe më të gjatë se homologu i tij serb, kryeministri shqiptar Edi Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të parë nga e ardhmja e përbashkët evropiane, duke nënvizuar se shqiptarët kanë kurajën, vizionin dhe besimin se bashkë me Serbinë duhet të ecin përpara drejt Bashkimit Europian. Shefi i qeverisë shqiptare nuk la asnjë temë pa prekur, duke përmendur edhe pavarësinë e Kosovës, për të cilën theksoi se tashmë është një realitet i pamohueshëm, i ligjëruar dhe që i ka shërbyer sigurisë së Ballkanit. 

Sa për Kosovën kemi dy qëndrime krejt të ndryshme, por realiteti është një dhe krejt i pandryshueshëm. Kosova e pavarur, e njohur deri tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe europian.
Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet, e integrimit europian, si dhe euroatlantik dhe siç e kam theksuar në Samitin e fundit të NATO-s, dua ta përsëris edhe këtu, hapur dhe sinqerisht;
 Njohja e Kosovës nga vendet europiane që ende nuk e njohin atë është në radhë të parë, një çështje sigurie europiane. Le të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi, perspektivës europiane të rajonit
Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është i mirëpritur prej nesh. Ne e çmojmë dhe promovojmë dialogun Kosovë-Serbi. Ky dialog është një sukses evropian.”- deklaroi Rama.

Mëpastaj, Kryeministri shqiptar theksoi se shpreson që gjenerata e re që qeveris Serbinë do t’i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si një urë me rëndësi strategjike për lidhjen e fateve evropiane të dy vendeve.

Shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi se shqiptarët kanë kurajën, besimin dhe vizionin për të shtrirë dorën e bashkëpunimit të sinqertë. 


Rastësia e desh që në Beograd të ngrihet flamuri kombëtar shqiptar 

“Rastësia desh që një ditë pas kremtimit të 25 vjetorit të murit të Berlinit të ngrihet sot këtu në Beograd flamuri kombëtar i Shqipërisë dhe të nderojmë himnet e njëri-tjetrit për të parin takim mes dy kryeministrash pas 68 vitesh. Sa shumë varet sot e ardhmja jonë nga sa mundet të bëjmë së bashku në rrugën e bashkimit me Europën që veç e veç do të jetë shumë v vështirë për secilin prej nesh. Do të na duhet vizion, kurajo, besim i ndërsjellë, por sidoqoftë nuk do të jemi vetëm nëse nuk do të lejojmë që historia të ndikojë negativisht marrëdhëniet mes nesh dhe qëndrimin e Europës ndaj nesh. Ne Ballkani kemi nevojë për Europën e bashkuar, por edhe Europa ka po aq nevojë për ne. Vizioni i Europës së bashkuar na ka bashkuar më në fund të gjithëve në rrugën e paqes. Ne shqiptarët e kemi edhe këtë vizion dhe këtë kurajo. Ju shtrijmë dorën e një bashkëpunimi po aq të sinqertë saç është e sinqertë bindja jonë se fëmijët tanë nuk duhet të vuajnë prej së shkuarës. Të krijojmë së bashku kushte të reja të favorshme për zhvillimin ekonomive dhe shoqërive tona”- deklaroi Rama. 


Fjalimi i plotë i Ramës dhe përgjigjet që ai ua dha gazetarëve

Mirëdita të gjithëve!

I nderuar Kryeministër Vuçiç!

Rastësia e desh që një ditë pas kremtimit, në mbarë Europën, të 25 vjetorit të rënies së murit të Berlinit, të ngrihet sot në Beograd, flamuri kombëtar i Shqipërisë dhe të nderojmë himnet e njëri-tjetrit, për të parë një takim mes kryeministrash të dy vendeve tona pas 68 vitesh.

Sa shumë histori kemi ndarë së bashku, pa qenë kurrë të afër me njëri-tjetrin dhe sa shumë varet e ardhmja jonë në çfarë do të mundemi të bëjmë së bashku në rrugën e bashkimit me Europën që veç e veç do të jetë shumë më e vështirë për secilin prej nesh në Ballkan.
Do të na duhet vizion, por sidoqoftë, jo më shumë se sa vizioni madhështor që transformoi vetë Europën.

Do të na duhet kurajë, por sidoqoftë, jo më shumë se sa kurajoja që ndërtoi rrugën e re të paqes dhe të prosperitetit europian, mbi gjurmët e lumenjve të gjakut të derdhur mes të mëdhenjve të Europës.

Do të na duhet besim i ndërsjellë, por sidoqoftë, nuk do të jemi vetëm, nëse nuk do të lejojmë që historia të ndikojë negativisht marrëdhëniet mes nesh, e për pasojë edhe qëndrimin e Europës ndaj nesh.

Ne, Ballkani, kemi nevojë për Europën e Bashkuar, por si asnjëherë më parë, Europa e Bashkuar ka nevojë për Ballkanin, për ne shqiptarët, serbët, malazezët, maqedonasit, boshnjakët, kroatët padyshim.

Vizioni i Europës së Bashkuar na ka bashkuar më në fund të gjithëve në rrugën e paqes me njëri-tjetrin, ndërsa paqja do të na japë të gjithëve kurajë për t’u ndarë nga rruga e vjetër e një historie që vijon të ushqejë kaq shumë mosbesim ndaj njëri-tjetrit.
Ne, shqiptarët, e kemi edhe këtë vizion, edhe këtë kurajë. Kemi të gjithë dëshirën e mirë për ta ushqyer besimin e ndërsjellë me ju, serbët, duke ju shtrirë dorën e një bashkëpunimi po aq të sinqertë, sa ç’është e sinqertë bindja jonë se fëmijët tanë nuk duhet të vuajnë për shkak të së shkuarës mes nesh.

Ne shohim një mundësi reale për ta ngritur marrëdhënien me ju, në një nivel krejt tjetër, duke punuar së bashku për Europën, në kuadrin e një ndërveprimi aktiv rajonal e duke krijuar së bashku kushte të reja, të favorshme për zhvillimin e ekonomive dhe të shoqërive tona.

Nuk janë ditët më të mira për Bashkimin Europian. Europa e Bashkuar e shpresës ia ka lënë vendin gjithnjë e më shumë Europës së Bashkuar të frikës. E s’ka asnjë dyshim se lodhja nga zgjerimi i kërcënon shoqëritë tona me lodhjen nga durimi.
Por ashtu si për Europën e Bashkuar s’ka një projekt alternativ zgjerimi, ashtu dhe për ne nuk ka një projekt alternativ të integrimit në BE.

Në këto kushte, s’ka dyshim se aktualiteti i vështirë i Europës nga njëra anë dhe sfidat e brendshme të Ballkanit nga ana tjetër, do ta testojnë në vijimësi imagjinatën tonë politike dhe ekonomike, ndërkohë që qoftë në Shqipëri, qoftë këtu në Serbi apo gjetkë në rajon, ne të gjithë përpiqemi për politika reformiste dhe financime të reja.

Ja pse, ne do të bëjmë çmos të komunikojmë vijimisht për të mësuar nga njëri-tjetri dhe të bashkëpunojmë intensivisht për të shfrytëzuar me dobishmëri reciproke, aftësitë dhe burimet tona të zhvillimit, duke prodhuar zgjidhje rajonale për probleme kombëtare.
Ekonomitë tona janë të vogla për shumë nga ambiciet tona, por ekonomia jonë si rajon, nuk është më një ekonomi e vogël për ambicien europiane të Ballkanit.

Buxhetet tona janë të vogla për një infrastrukturë rajonale moderne, por së bashku ne nuk jemi më të vegjël për t’u dëgjuar e mbështetur nga BE apo partnerë të mëdhenj strategjikë për ne dhe për rajonin tonë.

Potenciali ynë energjetik është i tillë që mund ta kthejë Ballkanin në një pol energjie me rëndësi të konsiderueshme për vetë Europën, përveçse mund të garantojë përgjithmonë sigurinë energjetike të rajonit.

Është e qartë për ne, si drita e diellit, se suksesi i çdonjërit prej vendeve tona në rrugën e integrimit europian dhe të zhvillimit ekonomik dhe social lidhet ngushtë me suksesin e rajonit si i tërë. E gjithmonë e më ngushtë do të lidhet vit pas viti. Të predikosh të kundërtën do të thotë të jetosh në kollajllëkun e retorikës pa të ardhme të së shkuarës së Ballkanit.

Unë besoj se është një shans për vendet tona, që sot qeverisen nga një gjeneratë tjetër. Dua të besoj se gjenerata e re që qeveris sot Serbinë, do t’i shohë dhe do t’i respektojë shqiptarët e Luginës së Preshevës si një urë, me rëndësi strategjike, për lidhjen e fateve tona europiane. Gëzimi i të gjithë të drejtave, të parashikuara në konventat dhe normat europiane dhe ndërkombëtare prej tyre, është jo vetëm dëshira, por edhe detyrimi ynë kushtetues që ta kërkojmë vijimësisht nga Qeveria dhe institucionet e Serbisë.

Ne duam që shqiptarët e Luginës së Preshevës të gëzojnë të gjithë vëmendjen e Beogradit zyrtar, për përfaqësimin e tyre të merituar në strukturat vendore dhe qendrore, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe social të vendbanimeve të tyre. Besoj se autoritetet serbe e dinë që shqiptarët e Luginës së Preshevës përfshihen dhe inkurajojnë proceset integruese të Serbisë në Bashkimin Europian, jo vetëm si një mundësi modernizimi dhe europianizimi i Serbisë, por edhe si një rrugë e sigurt për të qenë shoqërisht të barabartë, si dhe për të qenë pjesë vendimmarrjes qendrore, veçanërisht kur bëhet fjalë për fatet e tyre. Modeli që ne e çmojmë dhe sugjerojmë që të shqyrtohet në këtë drejtim, është ai që gëzojnë tashmë, pakicat serbe në Kosovë.

Sa për Kosovën kemi dy qëndrime krejt të ndryshme, por realiteti është një dhe krejt i pandryshueshëm. Kosova e pavarur, e njohur deri tani nga 108 vende të ndryshme të botës dhe e mbështetur nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, është një realitet i pamohueshëm dhe i patjetërsueshëm rajonal dhe europian. Ajo duhet respektuar dhe duhet bërë pjesë, ashtu siç po bëhet, e integrimit europian, si dhe euroatlantik dhe siç e kam theksuar në Samitin e fundit të NATO-s, dua ta përsëris edhe këtu, hapur dhe sinqerisht;

Njohja e Kosovës nga vendet europiane që ende nuk e njohin atë është në radhë të parë, një çështje sigurie europiane. Le të jemi të vërtetë deri në fund, pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm, i ka dhënë më shumë qartësi, perspektivës europiane të rajonit dhe e ka kthyer në strategjik, bashkëpunimin mes shqiptarëve në tërësi dhe serbëve në veçanti. Çdo perceptim i ri i Serbisë ndaj këtij realiteti është më shumë sesa i mirëpritur prej nesh. Ne e çmojmë, e mbrojmë dhe e promovojmë dialogun Kosovë-Serbi, si mishërimin kuptimplotë të një epoke të re paqeje dhe vetëdijeje europiane në rajonin tonë. Ky dialog është një sukses europian, i nxitur dhe i mbështetur nga instrumentet ligjorë dhe nga organizatat ndërkombëtare, por ky dialog është në radhë të parë, vlerë e krijuar nga lidershipi i të dy shteteve dhe finalizimi me sukses i tij do të jetë pa asnjë dyshim, një prej atyre veprave me rëndësi historike në të mirën e popujve, që vetëm politika ka fuqinë t’i krijojë.

Në 28 gushtin e shkuar, unë pata fatin të jetoj momentin e jashtëzakonshëm të takimit në Berlin, mes gjithë liderve të rajonit tonë. Të cilët, për të parën herë u ulën sëbashku, jo për t’u grindur për kufijtë, por për të diskutuar për të ardhmen e përbashkët. Në atë takim ku m’u dha mundësia edhe të njoh personalisht Kryeministrin Vuçiç, Kancelarja Angela Merkel, nismëtarja e procesit shumë shpresëdhënës të afrimit të Ballkanit me Europën e Bashkuar përmes afrimit të vendeve të rajonit tonë me njëri-tjetrin, vuri një theks entuziast tek projekti i shkëmbimeve mes të rinjve të vendeve tona. Programi vizionar i shkëmbimeve studentore dhe rinore, që e themeluan Charles De Gaulle dhe Kancelari Adenauer për të lehtësuar tejkalimin e historisë së hidhur mes Francës dhe Gjermanisë, është një model inkurajues për fuqinë që mund të ketë rinia në përparimin e shpejtë të bashkëpunimit mes vendeve, nëse asaj i jepet një rol. Krijimi i mundësive për afrimin e të rinjve tanë, shqiptarë dhe serbë dhe ndërtimi i urave të bashkëpunimit mes tyre përmes programeve të shkëmbimit mes shkollave, universiteteve, komuniteteve vendore, si dhe përmes organizimit të hapësirave të kontakteve kulturore dhe sportive janë padyshim, një fushë e tërë për eksplorim në marrëdhëniet mes vendeve tona. Ne duam ta eksplorojmë sëbashku dhe pa humbur kohë këtë fushë.

Në përfundim më lejoni të shpreh të gjithë vullnetin dhe vendosmërinë time dhe të Qeverisë Shqiptare për një proces intensiv komunikimi mes Shqipërisë dhe Serbisë. Së pari për t’i dhënë jetë dhe për të modernizuar marrëdhëniet dypalëshe, duke kapërcyer dhe lënë pas, të shkuarën si trashëgimi të konfliktit permanent dhe dasisë ekstreme. Së dyti, për të shkëmbyer eksperiencë dhe ndërvepruar në funksion të procesit të integrimit europian, duke vendosur kontakte në çdo nivel, si dhe duke bashkëpunuar afërsisht në sektorë specifikë. Dhe, së treti, për të mbështetur dhe nxitur në mënyrë proaktive, procesin e Berlinit, në funksion të bashkëpunimit ekonomik dhe ndërveprimit politik rajonal, me bindjen se rruga e secilit prej nesh drejt Europës është një korsi e rrugës së përbashkët europiane të Ballkanit, në sfidën për të afirmuar Europën e Bashkuar të shpresës dhe për t’u bërë në një kohë sa më të afërt, pjesë plotësisht e integruar e saj.

Le të mos harrojmë se 100 vjet pas fillimit të Luftës së Parë Botërorë, sot, në vitin 2014 jetojmë më në fund, në një rajon me shumë mundësi të reja dhe të mëdha që i ka sjellë paqja. E paqja erdhi më në fund, jo sepse ne u bëmë u bëmë engjëj, por sepse na nxori natyrshëm në të njëjtën rrugë ambicia për t’u bërë pjesë e bashkuar dhe e barabartë e Europës. Le ta ushqejmë këtë ambicie duke ushqyer paqen, në përmbajtjen konkrete të një bashkëpunimi që do të bëjë paqen mes nesh, një paqe për të cilën ia vlen të jetohet.
Faleminderit Kryeministër Vuçiç për mikpritjen tuaj! Uroj që vitin e ardhshëm t’ju kem mik në Tiranë, ku me siguri do t’ju presim me të gjithë dëshirën e mirë për miqësi mes shqiptarëve dhe serbëve.

Faleminderit! 



Përgjigjet e Kryeministrit Rama në konferencën e përbashkët për shtyp: 

Zoti Rama, ju iu referuat himnit dhe flamurit shqiptar që u shpalos këtu, në Beograd, në mënyrë alegorike, duke na kujtuar sesi u poshtërua ky flamur dhe ky himn para rreth një muaji në stadiumin “Partizani” në Beograd. Gjatë një ndeshje Shqipëria humbi 3 pikë në tavolinë, mund të na thoni se çfarë i morët sot në tavolinë Kryeministrit Vuçiç? Dhe meqë folët 50minuta, a i sollët të fala nga Olsi Rama? 

Unë besoj që politika e shteteve nuk lind, nuk zhvillohet dhe nuk diktohet nga një fushë futbolli. Unë besoj që ajo çka ndodhi në stadiumin e Beogradit është vetëm një tregues i brishtësisë së jashtëzakonshme të një marrëdhënieje të re që ne kemi synimin ta vendosim dhe për të cilën, dua ta përsëris; Qeveria e Shqipërisë dhe unë si Kryeministër kemi të gjithë vullnetin e plotë për ta jetësuar përmes një përpjekje të përbashkët dhe konkrete, në mënyrë që njerëzit tanë, serbët dhe shqiptarët, fëmijët tanë, serbë dhe shqiptarë, të marrin përfitimin maksimal nga potenciali fantastik i një paqeje, më në fund, të arritur!

Ne nuk jemi armiq të njëri – tjetrit, por kemi armiq të përbashkët. Armiqtë e përbashkët janë varfëria, janë papunësia, janë mungesa e perspektivës për të rinjtë, janë borxhi publik, deficiti dhe sigurisht, shumëçka e trashëguar në vite. E, në të njëjtën kohë, sfida jonë e përbashkët është që të bashkojmë forcat dhe t’i flasim Europës me një gjuhë. Sepse siç ne kemi nevojë për Europën, Europa ka më shumë se asnjëherë nevojë për Ballkanin.
Dhe për sa i takon Kosovës, unë besoj se realiteti mbetet një dhe i pandryshueshëm, pavarësisht perceptimeve të ndryshme dhe mosdarkordësisë së plotë që kemi lidhur me këtë realitet. Por, nga njëra anë, kjo s’mund të na pengojë që t’ia themi njëri – tjetrit në sy atë që mendojmë, ashtu sikundër nuk mund të na pengojë që me njëri – tjetrin të bashkëpunojmë. Sepse rruga e secilit prej nesh, Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës është një korsi në rrugën e përbashkët të integrimit europian. Sa më serioz të jemi ne në këtë bashkëpunim, aq më seriozisht do të na marrë Europa. Dhe kjo është, në fund të fundit, një sfidë e përbashkët mes nesh! 

Zoti Rama, ju folët për një bashkëpunim dhe për një vizitë të mundshme. Ndërkohë që ju e thatë këtë, homologu juaj nuk e kishte kufjen në vesh dhe ndoshta do të doja edhe një përgjigje më të saktë. Është parashikuar një vizitë e shefit të Qeverisë serbe në Tiranë, apo jo? 

Aleksandër, ju siguroj se në Tiranë ne nuk do të ndjehemi të provokuar nëse ju do të keni përsëri të njëjtin qëndrim lidhur me Kosovën, por do të ndjehemi thjesht të keqardhur. Sepse, është një realitet i njohur botërisht nga më shumë se gjysma e Kombeve të Bashkuara dhe është një realitet që sa më shpejt ta njohim, aq më shpejt mund të lëvizim përpara, në të gjitha drejtimet dhe kuptimet.

E përsëris, që mikpritja jo vetëm do të jetë reciproke, por ju siguroj se ju do të ndjeheni shumë mirë në Tiranë dhe në asnjë mënyrë, asnjë fjalë e thënë prej jush nuk do të konsiderohet provokim, pavarësisht se mund të jetë tërësisht e ndryshme nga çfarë ne do të prisnim për një temë apo një temë tjetër.

Dhe duke thënë këto, unë dua ta përsëris se; Po, e kam ftuar Kryeministrin e Serbisë të vizitojë Shqipërinë në një kohë të përshtatshme vitin e ardhshëm. Duke besuar që nuk do të presim 68 vjet të tjera për takimin tjetër dhe duke qenë i bindur se nuk duhet ta presim Konferencën e ardhshme për Ballkanin, që do të zhvillohet si vijim i asaj të Berlinit, në Austri, për të përsëritur të njëjtat gjera dhe për të dëgjuar të njëjtat gjëra. Por për të shkuar me një bilanc punësh të përbashkëta, disa prej të cilave u përmendën edhe këtu, sot dhe për të këmbëngulur me seriozitetin që ne mund dhe duhet t’i japim këtij bashkëpunimi në vërtetësinë e faktit se Ballkani i paragjykimeve nga Brukseli i takon së shkuarës dhe se gjenerata e re që qeveris Serbinë, Shqipërinë, Kosovën dhe më gjerë sheh nga e ardhmja. 

Ç‘mund të thoni, Kryeministri i Serbisë do të jetë i mirëpritur në Tiranë, çdo të ndodh me ekipin e futbollit të Serbisë, pas gjithë kësaj që ndodhi këtu në Beograd. Si u ndjetë ju kur patë dronin me flamurin e Shqipërisë së Madhe, e patë si një akt provokues apo si akt mbështetje ndaj futbollistëve shqiptarë? 

Ndonëse Al Jazeera dëshiron të flasë për futbollin edhe kur nuk është gjithmonë një vend futbolli.

Gjithsesi, unë preferoj të flas për basketbollin. Unë do ta vlerësoja shumë nëse do të kishim një ndeshje në Tiranë, ndërmjet veteranëve të skuadrës tonë kombëtare dhe ekipit kombëtar të Serbisë. Unë do të isha shumë i lumtur të luaja me Serbinë dhe nëse Alkesandri do të ishte i lumtur të luante me Shqipërinë do të ishte një ndeshje miqësore fantastike. Dhe rezultati, do të jetë e sigurt që Serbia do të fitonte. Jo vetëm prej tyre, por edhe sepse unë do të luaja me ta.

Unë jam shumë i lumtur që sot flamuri shqiptar dhe flamuri serb janë sëbashku këtu, si një shprehje e një vullneti të mirë për të parë përpara dhe jo për të përzier/ngatërruar futbollin dhe folklorin me të ardhmen tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Faleminderit shumë!




Mediat ndërkombëtare shkruajnë:

Mediat ndërkombëtare në pasqyrimin e tyre për vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi, vunë theksin në faktin se tensioni në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë ka mbizotëruar dhe gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të dy kryeministrave. Tema e replikave të forta mes të dyve ka qenë pavarësia e Kosovës.

Abc news në titullin e saj kryesor shkruan se tensionet në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë nuk janë zbehur dhe kjo u vërtetuar gjatë konferencës së përbashkët për shtyp e dy kryeministrave. pas takimit të tyre kokë më kokë Vucic dhe Rama deklaruan se do të linin mënjanë këndvështrimet e ndryshme dhe do të fokusoheshin në dëshirën e përbashkët për tu bërë pjesë e Bashkimit Europian. Por qetësia mes dy rivalëve ballkanikë nuk ka zgjatur as sa një konferencë për shtyp.

Reuters më tej thekson se liderët shqiptar dhe serb u përplasën për Kosovën gjatë vizitës historike të kryeministrit shqiptar. E parë si nëj kapitull I ri në historinë e Ballkanit, vazhdon më tej Reuters, vizita e parë e një lideri shqiptar në Serbi pas 68 vjetësh u përshkallëzua në një debat televiziv mes kryeministrave për shkak të Pavarësisë së Kosovës. 

Edhe mediat italiane nëpërmjet Kontato njus shkruajnë se si kryeministri shqiptar dhe ai serb debatuan publikisht për Kosovën. E përditshmja italiane e nis shkrimin e saj me faktin se pa 68 vitesh, ajo që shihej si një vizitë historike e kryeministrit shqiptar në Serbi, përfundon në një debat. Debati i dy liderëve ndodh në Beograd, pak orë pas mbërritjes së Ramës I cili u prit me nderime ushtarake në vend. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp Rama theksoi se Kosova është një shtet i pavarur duke i bërë apel Serbisë që të mos humbiste kohë për ta pranuar këtë realitet të pakthyeshëm. Gjë që ka shkaktuar reagimin e Vucic, i cili e ka konsideruar si një provokim.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen