Donnerstag, 15. Januar 2015

Demë Ali Pozhari

  • Me dekretin Nr. 7685, të datës 16.7.2012, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dr. Bamir Topi e ka dekoruar Demë Ali Pozharin (Pas Vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacion: “Atdhetarit të shquar, luftëtarit të paepur, që bëri kauzë të jetës çështjen për fitoren e pavarësisë së Kosovës dhe të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve, kudo që jetojnë, në trojet e tyre”

Demë Ali Pozhari 15.4.1905 - 26.4.1975 (i shënuar në dokumentet zyrtare si Adem Ali Pozhari), u lind më 15 prill të vitit 1905, në fshatin Pozhar, komuna e Deçanit, në një familje të njohur atdhetare, e cila në të gjitha periudhat kohore për disa breza me radhë që nga shekulli XIX shquhet për kontribut dhe aktivitet të dendur në lëvizjet përparimtare të vendit në mbarë trojet shqiptare. Në aspektin më të hershëm të rregullimit shoqëror ishin të parët e fisit të Berishës por edhe “odabash” në Bajrakun e Junikut.

Kulla e kësaj familje në Pozhar të Deçanit ishte pikë takimi, ku lidhej besa e merreshin vendime të mëdha për çështjen kombëtare. Aty takoheshin paria e gjithë vendit, si Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Sadik Ramë Gjyrgjeviku, Hasan Feri etj.

Në këtë kullë u mbajtën disa mbledhje dhe kuvende të rëndësishme kombëtare. Për shkak të aktivitetit atdhetar kulla e kësaj familje gjatë shekullit XX është djegur katër herë nga pushtuesit serbo-malazezë:

- Herën e parë u dogj që me pushtimin serb të Kosovës, në fund të vitit 1912, nga njësitë e ushtrisë serbo-malazeze, të udhëhequra nga Stefan Dragoviqi dhe Kostë Peçanci.

- Herën e dytë u dogj më 1918, sërish nga ushtria serbe.

- Herën e tretë u dogj në nëntor të vitit 1944 nga njësitë partizane-çetnike.

- Herën e katërt u dogj nga forcat serbe gjatë luftës së fundit, në shtator të vitit 1998.

Gjatë viteve 1915-1918, me nismën e Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit e patriotëve të tjerë shqiptarë, në fshatrat Pozhar, Irzniq, Junik, Strellc e Drenoc të komunës së Deçanit u hapën shkollat e para shqipe me alfabet latin. Për tri vjet me radhë shkolla e parë shqipe në Pozhar ishte e vendosur në kullën e Ali Mehmetit dhe në mejtepin e fshatit përballë kullës. Aty kanë dhënë mësim mësuesit e njohur gjakovarë Ibrahim Fehmiu dhe Latif Shaqa, të cilët gjatë kësaj kohe kanë qëndruar dhe banuar në këtë familje.

Prandaj, edhe djali i Ali Mehmetit të Pozharit, Dema u rrit në rrethana dhe ambient ku atdhetaria dhe çështja kombëtare ishin mësimi i parë. I ati i Demës, Ali Mehmeti, e vazhdoi veprimtarinë kombëtare aty ku e kishin lënë të parët e tij, të cilët u vranë në beteja për çlirimin kombëtar.

Kjo familje gjatë dy shekujve vazhdimisht ka dhënë dëshmorë në luftë për mbrojtjen e atdheut dhe për çlirim nga pushtuesit e huaj.

Kështu, stërgjyshi i Demë Alisë, Ali Rexha, u vra te Kalaja e Nishit më 1876, duke i mbrojtur trojet shqiptare të Sanxhakut të Nishit nga asimilimi, dëbimi masiv dhe gjenocidi i paparë serb. Atje, Ali Rexha, në cilësinë e njërit ndër prijësit e luftës mbrojtëse, ra heroikisht bashkë me të vëllanë Bekë Rexhën dhe bashkëfshatarë të tjerë nga Pozhari.

Ndërkaq, gjyshi i Demës, Mehmet Alia i Pozharit, një nga prijësit e njohur të kohës, organizoi rezistencë për mbrojtjen e Plavës e Gucisë nga sulmet serbo-malazeze në korrik të vitit 1878, ku iu vranë shumë bashkëluftëtarë në vendin që i thonë “Llogore” afër Plavës. Aty u vra heroikisht luftëtari i dalluar Isuf Hajdari i Pozharit. Për këtë qëndresë heroike në shenjë kujtimi, populli thuri këngë, që janë ndër hartimet më të bukura të folklorit tonë kombëtar. Mehmet Alia, kryetari i fisit të Berishës, u vra pas dy muajsh, më 6 shtator 1878, në Gjakovë, në Luftën e Sarajt, kur u vra Mehmet Ali Pashë Maxharri, i cili e kishte përfaqësuar Portën e Lartë në Kongresin e Berlinit (1878). Mehmet Alia i Pozharit ishte njëri ndër organizatorët kryesorë të këtij rrethimi, sepse Maxharr Pasha kishte ardhur për të bërë pazare me trojet shqiptare.

Në maj të vitit 1912, në kullën e Ali Mehmetit në Pozhar u lidh besa për mobilizimin e popullatës së kësaj ane për kryengritje mbarëshqiptare kundër osmanëve. Besëlidhja e Ali Mehmetit me Hasan Prishtinën e Sadik Ramë Gjyrgjevikun u zbatua me përpikëri.

Rrugën atdhetare të të parëve do t’i vazhdojnë edhe djemtë e nipërit e Alisë: Metë Alia, Rexhë Alia, Isuf Rama, Rizë Rama e më vonë edhe Demë Ali Pozhari, të cilët kurdoherë me udhëzimet e Hasan Prishtinës e të Sadik Ramës, do t’i mobilizojnë çetat kaçake të këtyre anëve për rezistencë të armatosur kundër ushtrive pushtuese serbo-malazeze.

Ali Mehmeti me të vëllanë Sylë Mehmetin, kanë vdekur në vitin 1913 në Malësi të Gjakovës, të përndjekur nga ushtria malazeze. Sylë Mehmeti ishte pjesëmarrës në aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë, më 28 Nëntor 1912; vëllai i Demës, Metë Alia, u vra nga organizata famëkeqe serbe “Crna Ruka”, në vitin 1920; djali i mixhës së Demës, Rizë Rama i Pozharit, mori plagë vdekjeprurëse në një betejë që u zhvillua në vitin 1923, në Krumë, kundër forcave të Prend Jakut, të cilat ishin të manipuluara dhe të financuara nga qarqet serbe të kohës. Pak ditë më vonë ndërroi jetë nga plagët e marra në shtëpinë e Ali Ibër Nezës, ku ishte strehuar sepse e kishte mik shtëpie; vëllai tjetër i Demës, Rexhë Ali Pozhari, një ndër prijësit e njohur të çetave kaçake në Kosovë, u likuidua nga organizata serbe “Crna Ruka” (“Dora e Zezë”), në vitin 1928.

Vlen të ceket se Metë Alia, Rexhë Alia, Rizë Rama ishin prijës të dalluar dhe organizatorë të çetave kaçake, të dalluar si luftëtarë të denjë për çështjen kombëtare. Përfaqësues të kësaj familje morën pjesë aktive dhe kishin ndikim të veçantë gjatë kohës së Kuvendit të Junikut, Junikut Neutral, etj.

Demë Ali Pozhari ishte njëri ndër përgjegjësit kryesorë për organizimin e Luftës për mbrojtjen e Plavës e Gucisë (1941-1944) për rajonet e Rrafshit të Dukagjinit. Në ato beteja mori pjesë aktive katër vjet rresht në vijën e parë të frontit, në krye të vullnetarëve të tij që ishin kryesisht nga rrethinat e Gjakovës. Gjatë kësaj periudhe mbrojti me sukses nga sulmet çetnike e partizane popullatën e Plavës, Gucisë, Rozhajës, Tutinit, Pazarit të Ri (Novi Pazarit) e të Rugovës.

Demë Ali Pozhari ishte gjithëpërfshirës në luftërat për çlirim kombëtar. Ishte njëra ndër figurat qendrore, që luftoi kundër ideve të komunizmit jugosllav dhe njëri ndër ata që punoi pareshtur me përkushtim gjatë tërë jetës së tij për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, të mbetura padrejtësisht jashtë trungut amë. Koha tregoi se kishte një qasje shumëdimensionale dhe një strategji të pashoqe, duke ndërtuar bashkë me shokë një doktrinë luftarake, rregullat e të cilës u bënë të pathyeshme nga radhët e armikut.

Demë Alia kishte marrë pjesë në ndriçimin e Masakrës së Bihorit, për çka ishte angazhuar nëpërmjet zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve Botore në Qeverinë Shqiptare, Iljaz Agushit, i cili formoi një komision për mbledhjen e të dhënave për këtë masakër. Më 6 janar 1943, ishte bërë masakrimi i më se 3.741 burrave, grave dhe fëmijëve, plagosja e 634 të tjerëve, grabitja e bagëtisë dhe djegia e fshatrave të tërë në krahinën e Bihorit nga njësitë çetnike serbo-malazeze, që numëronin rreth 4 000 ushtarë e oficerë, të cilët sulmuan befas, pa asnjë shkas, popullsinë shqiptare-boshnjake të Sanxhakut. Ata u detyruan të tërhiqeshin nga viset e shkretuara të Bihorit vetëm pas kundërvënies së 800 burrave të Tutinit e të komunave Delimegjë e Suhodoll. Masakra e Bihorit tronditi Kosovën dhe mbarë trojet shqiptare. Komisionin për mbledhjen e të dhënave për këtë masakër, e drejtonte Emrush Myftari nga Peja, Demë Ali Pozhari, atëherë nënprefekt i Rozhajës dhe Bajram Gashi i Istogut. Ky komision i mblodhi katër arka me sy, koka e gjymtyrë njerëzish dhe gjinj të prerë të femrave shqiptare. Këto arka u ekspozuan në Rozhajë e Pejë dhe në Tiranë.

Në periudhën 1941-1944, Demë Ali Pozhari ishte njëri ndër drejtuesit e Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve (“Islihatit”) për rajonin e Dukagjinit.

 

Gjatë vitit 1944, Demë Ali Pozhari 
ishte kryetar i komunës së Plavës.

Demë Alia ishte prezent në të gjitha tubimet dhe mbledhjet që kishin karakter kombëtar. Me nismën e Komitetit Ekzekutiv të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, kryesuar nga Bedri Pejani, më 16 e 17 mars 1944, në Rogovë të Hasit, u mbajt një konferencë, e cila njihet me emrin “Konferenca e Rogovës”, për organizimin e vullnetarëve për mbrojtjen e Plavës e Gucisë dhe viseve tjera të rrezikuara. Në këtë konferencë që kryesohej nga Bedri Pejani, merrnin pjesë 80 përfaqësues të komiteteve, në mesin e të cilëve Demë Ali Pozhari, Qazim Komoni, Ali Bajraktari i Junikut, Ejup Binaku nga Gjakova, Sherif Voca nga Mitrovica, Asllan Boletini, Adem Deva, Haki Taha e Selmon Riza që e përfaqësonin Lëvizjen Nacional Demokratike dhe përfaqësues të tjerë edhe nga Shqipëria, Maqedonia, Malësia e Madhe etj.

Në veprimtarinë luftarake të Demë Ali Pozharit, pos luftërave për mbrojtjen e Plavës e Gucisë dhe viseve tjera shqiptare në Mal të Zi, është e njohur edhe Lufta e Junikut apo siç njihet në popull, “Ngujimi i Junikut”, që është njëra ndër epopetë më të mëdha të Rrafshit të Dukagjinit. Qëndresa e organizuar në Junik e Batushë kundër depërtimit të forcave partizano-çetnike serbe në Kosovë, të cilat ishin përzier tashmë edhe me ato të Shqipërisë, zgjati më se tri javë. Që nga 21 tetori deri më 17 nëntor 1944, Juniku dhe Batusha ishin bërë bastion i pakalueshëm. Ngujimi i Junikut, në Rrafshin e Dukagjinit njihet si bastioni më i fortë i ngritur kundër terrorit serbo-çetnik. Pas një rezistence më se tri javëshe, forcat e mbrojtjes kombëtare, nën udhëheqjen e Demë Alisë, të cilat njëherësh ishin edhe shprehje e mospajtimit me politikën hegjemoniste serbe, detyrohen të tërhiqen, mirëpo vetëm pasi erdhën brigadat partizane të Shqipërisë nën udhëheqjen e Shefqet Peçit, për të mos luftuar shqiptarët kundër shqiptarëve.

Që nga kjo periudhë Demë Ali Pozhari me një grup bashkëluftëtarësh del në mal, për ta vazhduar edhe më tutje luftën kundër njësive partizano-çetnike. Pas kësaj organizatat dhe Komitetet e Lidhjes së Dytë të Prizrenit formuan celulat dhe komitetet e Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (ONDSH). Ata do të jenë bartës të të gjitha aktiviteteve të NDSH-së. Në këto lëvizje Demë Ali Pozhari përfaqësonte “Ballin Kombëtar”.

Demë Alia që nga viti 1945 deri më 1948 mbante kontakte të vazhdueshme me Shaban Bashën, themelues i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Pejë, i cili njëherësh ishte ndër figurat bosht të Pejës me rrethinë, që ndihmoi organizimin e mbrojtjes së kufijve etnikë. Në këtë kohë Dema mbante lidhje edhe me Avdi Smajlin e Martinajve, Sadri Çakën, Mehmet Agën e Rashkocit, Ukë Sadikun, Ymer Berishën etj.

Forcat e rezistencës kombëtare po përgatiteshin për fillimin e një kryengritje të përgjithshme popullore në pranverë të vitit 1945. Për këtë qëllim në fillim të marsit u mbajt një tubim me forcat e Ballit Kombëtar ku morën pjesë mbi 1 200 vetë. Këtu u bisedua rreth ngujimit në fshatin Strellc i Epërm, komuna e Deçanit. Për këtë qëllim, më 12-13 mars 1945, Demë Ali Pozhari e thirri një takim me krerët e organizatave antikomuniste që vepronin në Pejë, Deçan e Rugovë, por kishte përfaqësues edhe nga Plava dhe Gucia. Mbledhja u mbajt në shtëpinë e Bajram Qerimit të Strellcit. Pjesëmarrës në këtë mbledhje ishin: Rrustë Koleniqi, ish prefekt i Plavës, Mehmet Aga i Rashkocit, Mehmet Agë Berisha, Ahmet Jusaj e Lush Fetahu nga Strellci, Adem Shabani, Bajram Selimi, Bik (Pazari) Boshnjaku, Demush Sadiku. Përfaqësues nga Rugova ishin Mon Belegu e Zhuk Haxhia. Mbledhja ka zgjatur dy ditë. Nga kjo mbledhje kanë dalë vendime të prera kundër partizanëve dhe partisë komuniste jugosllave.



Demë Alia jepte instruksione dhe mbante lidhje 
me Ymer Berishën, drejtues i organizatës “Besa Kombëtare”.

Në vitin 1946, Demë Alia bashkë me disa shokë ka qëndruar në rajonin e Bellesë, Bjeshkës së Belegut, në Roshkodol e Pllaçicë të Vokshit. Gjatë kësaj kohe, Dema pati organizuar një tubim të forcave ilegale tek “Gllija e Madhe”, ku merrnin pjesë përfaqësues të shumë çetave dhe grupeve që vepronin në ato anë.

Demë Ali Pozhari ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Dobërdolit. Kuvendi u mbajt më 3 e 4 gusht 1945, në Llugë të Dan Pjetrit në fshatin Dobërdol të Klinës, ku u mblodhën 2 000 luftëtarë e prijës të çetave kryengritëse të rajoneve të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria e Veriut, Sanxhaku dhe Rozhaja. Aty gjendeshin krerët e lëvizjes për çlirimin e trojeve etnike shqiptare dhe bashkimin e tyre në një shtet të përbashkët.

Kuvendi i Dobërdolit, u mbajt me iniciativën e Ymer Berishës. Në kuvend morën pjesë 158 anëtarë dhe udhëheqës të 19 grupeve të rezistencës si dhe 62 mysafirë të shquar gati nga të gjitha trevat e Kosovës, si Ukë Sadiku me të vëllanë Shabanin, Demë Ali Pozhari, Ndue Përlleshi, Zef Gji Doda, Zeqë Sokoli, Qazim Bajraktari, Marije Shllaku, Alush Smajli, Mehmet Agë Rashkoci, A. Shala, N. Alishani, Zhuk Haxhia, Islam Tabaku, Prekë Shyti, B. Bihori, mulla Iljaz Broja-Spahija, R. Gjeli, S. Lutani, Ferat Kotorri, përfaqësuesit e Muharrem Bajraktarit - Kruma e Luma, Pashuk Biba, Shaban Boshnjaku nga Pazari me 800 luftëtarë, Mulla Iljaz Broja, Bajram Çukovci, Rexhep Gjeli nga Drenica, Aziz Zhilivoda nga Artakolli i Vushtrrisë, krerë nga Drenica, Llapi, Gollaku, Gjilani, Shala e Bajgorës, Ferizaj, Kaçaniku, Rugova, Podguri etj. Aty Ymer Berisha u zgjodh udhëheqës politik i të gjitha grupeve të rezistencës shqiptare në Rrafshin e Dukagjinit, kurse Ukë Sadiku u caktuar komandant ushtarak. Po ashtu u zgjodhën komisarët e çetave kryengritëse, sipas territoreve dhe e tërë Kosova u nda në 12 sektorë luftarakë dhe për këtë arsye u quajtën “Dymbëdhjetë Këshillat”. U zgjodh edhe kryesia e organizatës “Besa Kombëtare” prej 12 vetash dhe ndërlidhësit për trevat e ndryshme shqiptare. Me këtë detyrë u ngarkuan respektivisht Demë Ali Pozhari për Rrafshin e Dukagjinit, Feriz Bojaj dhe Adem Shala, për Istog, Tutin, Rozhajë dhe Pazarin e Ri, Sadik Lutani për Drenicë, Shemsi Ferri për Plavë e Guci, Shahin Gërdovci për Llap, Bislim Bajgora për Mitrovicë e Shalë, Osman Bunjaku për Vushtrri, kurse Ymer Berisha mbante lidhjet e Kosovës me Shqipërinë e Veriut. Kuvendi aprovoi thirrjen e Shtabit të Adem Gllavicës për mbajtjen e Kongresit të parë të LNDSH.

Pas Kuvendit të Dobërdolit u bënë shumë takime me popullatën e vendit për organizimin dhe mobilizimin rreth organizatës “Besa Kombëtare”. Ukë Sadiku caktoi njerëzit që do që duhej të shkonim në Kuvendin e Mirditës bashkë me Muharrem Bajraktarin. Në atë grup ishin: Ukë Sadiku me të birin Skënderin, Demë Ali Pozhari, Bajram Çukovci, Qazim Bajraktari, Halil Sadria, Ndue Përlleshi, Mehmet Aga i Rashkocit, dhe 16 luftëtarë të tjerë që duhej ta përcillnin këtë delegacion për në Kuvendin e Mirditës.

Në shtator të vitit 1945 u bë një mbledhje e përgjithshme e nacionalistëve në Malin e Zepës (Mirditë), ku morën pjesë: Mark Gjomarkaj, Muharrem Bajraktari, Bilall Kola etj. Në këtë mbledhje u trajtua çështja e organizimit të të gjitha forcave kombëtare dhe e mundësisë së një revolucioni të ardhshëm. U vendos që të bëhej edhe një mbledhje tjetër në muajin tetor, në Çam të Pukës. Në mbledhjen e tetorit, të organizuar nga Muharrem Bajraktari mori pjesë edhe Demë Ali Pozhari (i shënuar në dokumente si Adem Ali Pozhari) me parinë e Gjakovës, paria e Hasit të Thatë, kapiten Mark Malaj, Kolë Mirakaj, etj. Edhe kjo mbledhje pati për qëllim shqyrtimin e mundësive të një kryengritjeje të përgjithshme.

 

Demë Ali Pozhari mori pjesë edhe në Kuvendin e Plavës.

Nënprefekti i Plavës e i Gucisë, Shemsi Ferri, e dha kushtrimin tek të gjithë burrat e fiseve të Malësisë së Madhe, Dukagjinit e Malësisë së Gjakovës, që të mblidheshin në një kuvend të madh, për të rrokur armët në mbrojtje të tokave shqiptare. Thirrjes së nënprefektit iu përgjigjën më se 42 bajraktarë, me më shumë se 10 mijë burra të armatosur. Në kuvendin që u mbajt në Plavë, folën përfaqësuesit më në zë të bajrakëve të parë të Veriut, siç ishin: Dedë Shabani për Malësinë e Madhe, Shemsi Ferri për Plavën e Gucinë, Demë Ali Pozhari për Malësinë e Gjakovës e rrethet e Pejës dhe Mark Sadiku për Dukagjinin. Në këtë Kuvend u vendos që të falen gjaqet e të pajtohen ngatërresat e vjetra, sepse prej asaj dite Malësisë dhe gjithë Shqipërisë i kërcënohej një armik i madh e i përbashkët që ishin serbo-malazezët, të cilët nën maskën e komunizmit kërkonin të siguronin rishtas tokat shqiptare të shkelura padrejtësisht gjatë Luftës së Parë Botërore.

Njëri ndër luftëtarët e dalluar të çështjes kombëtare, Demë Ali Pozhari, ka hyrë në analet e historisë moderne si njëri ndër kundërshtarët më të mëdhenj të regjimit komunist dhe si njëri ndër luftëtarët më të devotshëm dhe ndër organizatorët e ideologët e lëvizjes kombëtare të kohës, i cili deri në vdekje luftoi për t’ia sjellë lirinë vendit të vet. Demë Ali Pozhari me grupin e tij do ta vazhdojë rezistencën në Kosovë deri në vitin 1948. Është kjo kohë kur maleve kishin mbetur rreth 40 luftëtarë të armatosur e që përfaqësoheshin nga Demë Ali Pozhari, Aziz Zhilivoda, Ndue Përlleshi, Hasan Remniku, Metë Hasani etj. Në këtë kohë organet e UDB-së, OZN-ës në bashkëpunim me pushtetin lokal bënë presion të madh për ta zënë Demë Alinë. Brigadat partizane dhe regjimi komunist u hakmor rëndë kundër familjes së tij. Kështu, Demë Alisë ia vranë dhe likuiduan të tre djemtë që i kishte. Djalin e madh, Miftar Demën, 22-vjeçar, e vrau Organizata e Rinisë Komuniste (SKOJ-istët), ditën e votimeve, më 1 nëntor 1946. Në vitin 1947, OZN-a ia likuidoi edhe dy djemtë e tjerë, Brahimin, 14-vjeçar dhe Afrimin, 12-vjeçar, të cilin e helmuan.

Këso kohe pos që ia dogjën kullën dhe ia konfiskuan tërë pasurinë, gjatë viteve (1946-1948) e tërë familja e Demë Ali Pozharit (20-anëtarëshe) arrestohet dhe tri vjet mbahen të burgosur në burgun e improvizuar në Gjakovë, që ishte i vendosur në “Rrugën e Shkijeve”. Në burg vazhdimisht torturohen nga organet shtetërore. Nga mundimet në burg vdes gruaja e Demë Alisë, Hatmonja. Një vajzë e Ali Metës, foshnje tri-javëshe, vdes nga uria. Ndërsa vajza e Demë Alisë, Zylyhaja 16-vjeçare sëmuret rëndë psiqikisht në burg. Pasojat e kësaj sëmundjeje i vuajti gjatë tërë jetës.

Përkundër pasojave të rënda, populli e mbështeti Demë Alinë dhe bashkëveprimtarët e tij deri në fund. Edhe përkundër torturave, lëçitjeve, burgosjeve, vrasjeve e izolimeve Demë Alinë e mbajtën dhe e strehuan pa hezitim.

Në mars të vitit 1948, Demë Ali Pozhari me një grup nacionalistësh tjerë u arratis nga Kosova dhe doli në Greqi e prej andej në Turqi, ku e kaloi pjesën tjetër të jetës.

I rritur dhe i edukuar në traditën e pastër të kombit, identitet i të cilit është besa, nderi e bujaria, Demë Ali Pozhari paraqet një fizionomi të veçantë e tejet të rrallë të luftëtarit me orë. Ky burrë që kishte mençuri të rrallë natyrore, u rrit dhe veproi në një rreth shoqëror që pat gjithmonë militantë të Lëvizjes Kombëtare, prej nga Dema u pajis me ideale të larta kombëtare për realizimin e të cilave punoi, pa hile, tërë jetën. Kishte një intuitë shumë aktive, një vëmendje e gjykim shumë të mprehtë dhe një aftësi të rrallë organizative e mobilizuese. Imazhi i tij paraqet tiparet dalluese të një burri të përsosur të racës shqiptare, prandaj e donin dhe e respektonin deri në fund popullata e këtyre anëve.

Gjatë gjithë kohës sa qëndroi në emigracion punoi dhe veproi për ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare, e veçanërisht çështjes së Kosovës. Gjatë viteve të pesëdhjeta Demë Ali Pozhari nuk kishte pranuar propozimet e aleatëve anglo-amerikanë që të vihet në krye të aksioneve të ndërmarra për rrëzimin e Qeverisë Shqiptare. Kërkesave të tilla ai iu kishte përgjigjur se në Shqipëri nuk mund ta bëj një gjë të tillë, sepse ajo megjithatë është qeveri shqiptare, por nëse është nevoja për ta bërë një gjë të tillë në Jugosllavi jam i gatshëm dhe atë menjëherë.

Gjatë viteve ‘60-të, si dhe gjithnjë deri atëherë, Demë Ali Pozhari ishte ndër punëtorët më aktivë që vepronte për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, duke e paraqitur gjithnjë Kosovën në arenën ndërkombëtare si pjesë integrale të Shqipërisë. Ky njeri i guximshëm, duke ndjekur format e rezistencës aktive paqësore, kontribuoi si për krijimin e rrethanave të përshtatshme për arritjen e unitetit të kombëtar, gjithnjë me përcaktimin e qartë për pavarësinë e Kosovës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Ai njihte mirë faktorin e jashtëm, të cilit i jepte rëndësi të duhur, por mbështetej tërësisht në faktorin e brendshëm, në popullin shqiptar, mentalitetin dhe identitetin e të cilit e njihte shumanshëm.

Demë Ali Pozhari me shokë me të gjitha mjetet bën përpjekje për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve të mbetur nën Jugosllavi. Kështu, në Osato të Italisë, prej 16 deri më 18 maj të vitit 1963, ishte mbajtur Kongresi i XIII i Bashkimit Federal të Komiteteve Etnike. Në këtë kongres Lidhja Kosovare arriti ta artikulojë në nivel çështjen e Kosovës si problemi më i ndërlikuar evropian. Lidhur me këtë problem Lidhja Kosovare nuk iu drejtua vetëm kongresit, por edhe ministrave të punëve të jashtme të shteteve të botës perëndimore dhe lindore, të cilëve u dërgoi telegrame. Për të mbështetur çështjen e drejtë të Kosovës, telegrame nga Stambolli kishin dërguar Demë Ali Pozhari, Isa Gjini, Sadik Vokshi (Sadik Elezi) si dhe Hamdi Gashi. Në Osato këtë çështje e kishte përkrahur edhe Abaz Ermenji, në emër të Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipëria e Lirë”, si dhe Hafiz Isuf Azemi, përfaqësues i Lidhjes Shqiptare. Në këtë kongres, Lidhja Kosovare e kishte lëvizur çështjen shqiptare në nivel ndërkombëtar si çështje komplekse, sepse shqiptarë nuk kishte vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoninë Perëndimore, në Mal të Zi, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si pjesë të ashtuquajtura Serbi Jugore. Këtë vit (1963) për herë të parë internacionalizimi i çështjes kosovare do të fitojë dimensionin e plotë. Në anën tjetër diplomacia jugosllave do të mundohet ta amortizojë tërë atë presion me hapjen e shkollave të larta dhe fakulteteve në Prishtinë, kuptohet në gjuhën shqipe.

Në janar të vitit 1968, me rastin e shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, 90-të vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe me rastin e 73-vjetorit të lindjes së Shotë Galicës, Demë Ali Pozhari së bashku me nacionalistë tjerë të dëgjuar, për herë të parë ftohen në Shqipëri, pas vitit 1948 kur Shqipëria i kishte dënuar me vdekje në mungesë. Kësaj radhe në Shqipëri kishin ardhur edhe mjaft struktura dhe intelektualë të tjerë nga Kosova dhe viset shqiptare, të cilëve iu bë një pritje madhështore nga ana qeveritare dhe vet Enver Hoxha. Ardhja e tyre në Shqipërinë komuniste, edhe pse ishin kundërshtarë ideologjikë, përkundër të gjitha atyre ngjarjeve të pakëndshme që kishin ndodhur më parë, u bë me qëllim që Shteti Shqiptar ta fillojë një punë intensive rreth përkrahjes së Kosovës dhe bashkimit kombëtar, duke i mbështetur fuqimisht kërkesat e kosovarëve në arenën ndërkombëtare, por edhe me mbështetje tjera si shtet amë.

Demë Alia është ndër personat e parë që më 1968 në emër të disa organizatave të nacionalistëve shqiptarë të emigrantëve, kërkoi nga Enver Hoxha që Shqipëria t’i hapte dyert ndaj Kosovës dhe të bënte gjithçka ishte e mundur që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë. Apeloi gjithnjë pranë Presidencës Shqiptare që të ndërmerren veprime konkrete për aktualizimin e çështjes së Kosovës.

Herën e parë që Demë Alia erdhi në Shqipëri (janar 1968) qëndroi një muaj. Ai erdhi sërish në nëntor të atij viti. Duhet theksuar se pas vizitës së parë në Shqipëri dhe marrëveshjeve që arriti emigracioni shqiptar me Qeverinë Shqiptare, në koordinim me grupet ilegale që vepronin brenda në Kosovë, në nëntor të vitit 1968 filloi vala e demonstratave gjithëpopullore, të cilat rezultuan me lejimin e flamurit kombëtar, me një autonomi më të gjerë, me hapjen e Universitetit të Prishtinës, me hapjen e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me avancimin e të drejtave kushtetuese (1974) etj.

Për shkak të aktivitetit të tij të vazhdueshëm antijugosllav, sigurimi shtetëror serb – UDB, disa herë organizoi vrasjen e tij, disa herë dërgoi atentatorë në Turqi për ta likuiduar Demë Alinë, por pa sukses.

Demë Ali Pozhari, gjatë vizitave që i bëri në Shqipëri, kishte vendosur që djalin e tij të vetëm, Ibrahimin, që i kishte lindur pas arratisjes në Turqi, ta sjellë në Shqipëri. Ashtu edhe bëri. Sot Ibrahim Demë Pozhari jeton e vepron në Tiranë.

Familja e Demë Ali Pozharit mori pjesë aktivisht edhe në luftën e fundit në Kosovë, të organizuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1998-1999). Gjatë kësaj lufte nga kjo familje kanë rënë dëshmorë luftëtarët e UÇK-së Kadri Muhamet Berisha dhe Shkëlzen Gani Berisha nga Pozhari si dhe nipi i Demë Alisë, Armend Tafil Kukleci nga Isniqi.

Demë Ali Pozhari ndërroi jetë më 26 prill 1975, në Stamboll, ku edhe është i varrosur.


Marrë nga pashtriku.org 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen