Montag, 23. März 2015

Gani Mehmetaj - Bisha me çifteli

Tregim nga përmbledhja e tregimeve “Kujtime të trishta

       E takova në Gjenevë në një manifestim kulturor shqiptaro-zviceranë. Kur e pash pas tetë vjetësh, rrymimi i fortë me një ngrohtësi përvëluese, ma përshkoi gjithë shtatin, me la forca, mu shkëputën gjymtyrët, nuk i zotëroja dot lëvizjet, gjoksi me shtrëngonte me një dhimbje të fortë, ndërsa këmbët vetëm sa nuk më lëshuan. Asnjëherë në jetën time nuk ndjeva dobësi më të madhe dhe një çakordim të tillë të shtatit. As atëherë kur ma lëshuan rrymën elektrike nëpër gjymtyrë. E pash turbullt. Mu duk sikur me fanitej. Nuk doja të besoja që ishte real. Vetja me dukej si viç që nuk ka as shprehje sysh, as mimikë fytyre, as maskë, por vetëm shikim shkretanë që nuk thoshte asgjë dhe nuk shprehte asnjë ndjenjë.

       Ai më shikoi ftohtë. Sikur nuk me njihte, sikur takoheshim për herë të parë, por që nuk kishte asnjë interes për mua. Madje edhe kureshtja për një të panjohur, që i kishte dal rastësisht përballë, i mungonte. Ma kaloi fytyrën me shikim prej eskimezi, sikur të isha qenia më e parëndësishme e planetit pa asnjë dëshirë që të paktën të më përshëndeste me një lëvizje koke, sepse ishim përballë: vetëm unë dhe ai. Kishte edhe një grua në krah, mirëpo ajo dukej si leckë që iu kishte varur në supe, sepse gati nuk ishte me te dhe nuk me shikonte fare.

      Ajo ishte përqendruar në ekspozitën e librave e të fotografive, ku unë duhej të isha ciceroni që kisha marrë obligim nga organizatori t’ua shpjegoja njerëzve ato që ishin renditur faqe murit shqip e frëngjisht. Dhe derisa shikoja si një viç, ai kaloi para meje po aq indiferentë sikur në çastin kur ma shëtiti fytyrën me shikimin bardhë. Pak më tutje ndenji para një fotografie, pastaj u largua qetas e me ngathtësi, sikur ta kishte në dispozicion gjithë kohën e botës. Mua mu duk ecje shpërfillëse deri në arrogancë, që vazhdonte të më paralizonte.

      Kur me erdhi pak forcë ika nga salloni dhe u mbylla në një kthinë të ngushtë, që të ngopesha me ajër.

     “Është Ai”, - i thash me shqetësim kolegut, që me shikoi me habi dhe pa me kuptuar, por që kaloi pa me pyetur më shumë. Ishte mësuar me sjelljet e mia ndonjëherë të çuditshme për te. Nuk e di sa kohë kaloi, por kur u këndella dhe bëra ballë të dilja në sallonin e ekspozitës aty nuk kishte asnjëri. U lehtësova... Ika në shtëpi i dërmuar. 

 *
      Nuk e keni idenë se si është të takosh ish-torturuesin, i cili me ka rrahur pa mëshirë e brutalisht, derisa i humbisja ndjenjat. Dhe, kur këndellesha i larë në gjak, që tashmë ishte mpiksur, atë e dëgjoja disa hapa tutje se si i binte çiftelisë dhe e këndonte këngën e Ahmet Delisë në kupë të qiellit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. I mbledhur kruspull në dyshemenë e ftohtë të betonit, rënkoja mbyturazi nga dhimbjet e grushteve të tij, ndërsa tash po ata gishta të cilët para disa orësh ishin bërë grusht që me shkaktonin dhimbje zgjateshin nëpër telat e çiftelisë. Zëri që pak më parë ulërinte, tash përvijonte i zvargur nëpër kadencat e telave të çiftelisë dhe e ndiqte vijën melodike, sipas ritmit të këngës. Ishte pas mesnatës, kur ai e përfundonte seancën e dajakut, sikurse e quante...

     Net të tëra i kalova pa gjumë. E urreja vetën që u tregova i qulltë atë pasdite qershori në ekspozitën e librave e të fotografive në Gjenevë. Nuk e gjeja arsyen e kësaj dobësie. Me vinte e papritur se si isha bërë kështu. Sa herë kisha ëndërruar hakmarrjen. Mu kthye ankthi i muajve të torturës. Me dolën përpara pamjet e të gjitha fazave: arrestimi, rrahjet, netët e pagjumë me dritën e fortë elektrike mbi sy, Ai që ulërinte dhe pastaj i binte shtruar çiftelisë.

     Fillova sërish ta ndjeja dhimbjen e grushteve të tij që mi veshte fytyrës me egërsinë e bishës. Ndërsa ndjeja dhëmbët e mi që kërcëllinin me mllef e tërbim. Dhe atëbotë isha i gatshëm ta kafshoja si tigri i çartur, po të kisha mundësi, po të me lejonin, por isha i pafuqishëm: bëja përpara, madje ngrihesha në këmbë me gjithë karrige, por prapë bija me rrapëllimë në tokë duke u rrokullisur, sepse duart mi kishin lidhur pas karriges me një tel të hollë çeliku, që mi priste kyçet sa herë lëvizja. Gjunjët më bëheshin gjak kur bija në dyshemenë e zhveshur, meqë përpiqesha të mos rrëzohesha në bërryla, sa herë bija në bërryla me kapte korrenti i gjymtyrëve dhe me vinte të vjell.

      Kur me kalonte tërbimi i parë nga kundërgoditja e prangave në këmbë, dhe e telit të hollë kyçeve ia ktheja me refren pa u ndalur:   “Qen, birë kudre, zagar i shkive!”. E ai me  shihte gjakftohtësi. Humbisja ndjenjat, shkrihesha në pafundësi... 

      Me këndellte trupi i dërmuar, buzët e përcëlluara e të ënjtura që nuk mund t’i lëvizja. As kokën që me dukej e madhe sa një gur  mulliri, nuk mund ta prekja e as ta kruaja, megjithëse gungat me digjnin dhe me dhembnin aq sa do të gjëmoja si lehonë gjatë lindjes po të mos me vinte inat nga Ai-xhelati. Ose bisha, siç e quanin të burgosurit.

      Ndonjëherë kur rrinte me gjatë me thoshte me cinizëm: “Zoti me ka falë t’i bie çiftelisë e jo të merrem me budallenj si puna jote! Trego argatë i kujt je dhe shko në shtëpi se të presin”, - ma kthente me një ton tjetër: të butë, gati lutës. Në kërcënimet e mia kur isha në kulmin e tërbimit ndonjëherë denjonte të më kthente përgjigjen me cinizëm: “Ashtu ta merr mendja ty. Kurrë nuk do të te vjen rasti ta nxjerrësh hakun”.  I shtrembëronte buzët me përbuzje dhe vazhdonte me zërin e qetë: “Nuk je as i pari dhe as i fundit që me kërcënon. E di ti, si do të sillesh po u takove rastësisht me mua në rrugë? Do të skuqesh nga inati dhe do të ma kthesh shpinën sa më parë, nëse nuk do të kesh kohë që të kalosh në anën tjetër të trotuarit”.

      Me tregonte me po atë gjakftohtësi se si një burrë më i fortë se unë e jo “adoleshent i papjekur”, i cili e kishte kërcënuar se do ta bënte copa, se eshtrat do t’ia  thyente si pulës dhe do të kënaqej pastaj në ulërimën e tij, kur e takonte nëpër korridore të policisë jo vetëm se nuk e kishte mbajtur premtimin, por e kishte ulur kokën dhe kishte vazhduar rrugën si qeni me bisht ndër shalë.  “Prandaj, - vazhdonte ai me cinizëm (ndërsa mua me dhembte çdo gjymtyrë), - mos i premto vetës shumë, mos e ngarko vetën, se pastaj ka rrezik të te mos zë gjumi dhe të del vetja hujit”. 

      Përpiqesha të veja në lëvizje mimikën e fytyrës e të buzëve që nuk i kisha fare nën kontroll, sepse ishin të ënjtura si kukullat kineze, për ta formuar një shprehje përbuzëse, por nuk arrija. Vetëm ofshaja, ndërsa dhimbjet me shtoheshin në çdo lëvizje të muskujve të lënduar. Kalova net të tilla të rënda e të frikshme, që armikut nuk do t’ia dëshiroja mes grushteve të tij me tingujt e çiftelisë, të cilën deri atëherë rrallë e kam dëgjuar, ndërsa sot e kësaj dite nuk e duroj dot. Ma kujton xhelatin tim dhe ngërdheshjet e tij të vazhdueshme.

      Pastaj sikur nuk i mjaftonin grushtet që m’i jepte pa mëshirë,  ma afronte nxehësen elektrike mbi tavolinë që, kur fillonte e frynte ma bymente aq shumë trurin, saqë kisha përshtypjen se koka më bëhej sa Pallati i Rilindjes, ndërkaq ai herë me afrohej e bëhej gjigantë, herë me largohej duke u zvogëluar si kokrrizat në ekranin e televizionit, kur ndërpritet korrenti. Dhe kur filloja të djersija nga sikleti, illonte:  “Kush  të ka thënë të shkruash parulla armiqësore (i quanet kështu inicialët KR)!? Kush t’i dha librat e ndaluara?!”

      Unë heshtja. Me vinte herë të qeshja në kupë të qiellit, herë të qaja deri në ngashërim, sepse nuk ma kishte marr mendja se një shkrepje kokëkrisur e dy shokëve të mi nga gjimnazi, që të bridhnin natën e të shkruanim parulla, nëpër asfalt e mure, do të na kushtonte kaq shumë. Madje, aventura jonë e pasmesnatës u bë për t’ua dëshmuar shoqeve tona guximin dhe sa kokëkrisur që ishim. Doja ta shihja reagimin e Fjollës, shoqes së bankës së tretë, ndaj së cilës ndjeja një emocion deri në eksitim. Ajo vdiste pas djemve të guximshëm. Mua me shkrepi të tregohesha i tillë në një çast euforie. S’më shkonte në mend se do të më kapnin.        

      Pas dy muajsh të seancave intensive, kur nuk patën ç’të nxjerrin më, më dënuan me katër vjet burg. Isha i lumtur që  shpëtova nga ajo bishë me mbrëmjeve i binte çiftelisë.

      Kurrë më nuk e takova as korridoreve të Stacionit të policisë as korridoreve të burgut. Me degdisën në një burg slloven, ku u treguan shumë më njerëzor ndaj meje. Disa  muaj i kalova nëpër spitale për të shëruar plagët dhe traumat.
 
*
      E kisha fjetur mendjen se do ta takoja ndonjëherë në këtë botë Bishën me çifteli, e kisha harruar fare. Kishte vjet që nuk mendoja as për hakmarrje. Gjërat u shthurën ashtu siç nuk me kishte shkuar kurrë në mendje: ish xhelatët tanë i dëbuan nga puna dhe mbetën me gishta në gojë. Me treguan se filluan të shiteshin patriotë. Unë ika në Zvicër. Nuk më zinte vendin vend në vendlindje. Brezi im me dukej i huaj. Nuk i kisha mëri pse kaluan më mirë se unë, por nuk e ndjeja vetën mirë në mesin e tyre. Ata ndonjëherë e ndjenin vetën fajtorë, megjithëse nuk mendoja se edhe ata është dashur të vuanin sikur unë. Dhe pasi fillova një jetë të re, kur me Ai më doli  përballë. Më ktheu në një kohë që doja ta shlyeja nga kujtesa. Por,  në vend të saj, ma ngarkoi edhe një kompleks që më bën të vuaj: Athua jam frikacak?

      Me vinte plasja që nuk gjeta forcë për t’ia zbrazur mllefin e dikurshëm, ose të paktën për t’ia hedhur një fjalë përbuzëse, që ta bëja të turpërohet. Më vonë me thanë se Ai, emrin e të cilit as tash nuk dua ta përmend, kërkonte azil politik. U kishte thënë zyrtarëve zviceranë, ashtu me tregoi përkthyesi shqiptar, se ishte i përndjekur nga serbët. Gati sa nuk u ngulfata nga një e qeshur histerike që ma zuri frymën. Kur shoku im i burgut, që tash përkthente në polici e në institucione, me këndelli me shpulla fytyrës, sepse pati përshtypjen se jam çmendur, fillova të qajë. Me vinte turp për atë që bëra. Dhe e fyeja mikun tim. Fillova ta urrej edhe Zvicrën.

      U ktheva në vendlindje dhe hoqa dorë nga azili e statusi që ma dhanë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen