Mittwoch, 11. März 2015

Këngë popullore dasme nga Hani i Elezit me rrethinë

Nga Fadil Curri
 

        Këto këngë popullore dasme nga Hani i Elezit me rrethinë po publikohen për herë të parë në saje të punës me të rinjtë e të rejat e kësaj ane, të cilët e të cilat i falenderoj që ndihmuan të mos “vdesin” këto vlera foklorike. Janë me dhjetëra, por këtë herë po i sjell disa prej tyre, me shpresë se do të informojnë e argëtojnë dashamirët e këngës lirike popullore.

       Si do të vëreni, janë këngë dasme për nusen e dhëndrrin, për mësitin(shkuesin), do të hasni ironi e përqeshje, (vetë)lëvdatë e thumbim, deri në mallëkime pse pengohet ose vonohet kurorëzimi i dashurisë. Ndonëse ende nuk i kam përpunuar sipas standardeve fokloristike, mendoj se si zonë e paprekur në këtë fushë, Hani i Elezit, meriton të përbotësohen këto krijime gojore. Do të kujtoheni edhe në motërzimet(variantet) e tyre nëpër anë tjera shqiptare.

       Këngët e dasmës, si kudo nëpër poezinë popullore, janë këngë grash, pra që këndohen nga bijat, kushërirat e farefisi i të zotit të dasmës. Përcillen kryesisht me defe e me shuplaka, kanë metrikën e tyre poetike të rrokjes, ritmit e të rimës së vargut. Këndohen edhe në vallëzim e sipër. Do të kemi edhe këngë nga lagja Bardhi e Bllacës së Shkupit, që edhe foklorikisht është e lidhur me Hanin e Elezit për shkak të afrisë territoriale, farefisnore e dialektologjike, si me asnjë venbanim tjetër. Herë pas here do të sjell edhe këngë tjera, sapo t’ua jap “dorën” e parë të përpunimit. Kalofshi këndshëm,  foklorikisht!

***

NAV KA HUNGJ NANA PËRMI GURI

Nav ka hungj nana përmi guri,
Pe kan çikën qi po shkon te burri.
-Mos e kaj çikën qi po ven te na,
Po kaje çikën çetër qi po t’ hik najka.



KUR E PASHË ÇIKËN

Ooo, kur e pashë, oj nanë, o çikën te shkolla,
Ooo, ja e mura, oj nanë, ja desh u tranova!
Ooo, kur e pashë oj nanë, at çikën n’ qitet,
Ooo, ja e mura, oj nanë, o ja m’ lan ment!



OJ LULIJE KINA ME TA HUNGJ KRIET

Ki ardhën te na, oj Sarë, hajna buk e mish.
Kina me ta hungj kriet, oj Sarë, me çekiq.

Ki ardhën te na, oj Sarë, hajna bukë e mjalt,
Kina me ta hungj, oj Sarë, at kriet e nalt.



KANGË PËR SARËN

Ina motra kallabllëk
Kjo Sara na ban rahat.

Ina motra shtat a tet,
Kjo Sara na ban hizmet.

Ina kushrina shum
Për Ametin bajna lum.

A na thu, oj nana nusës “mir se kina ardh”!
Na ka çu Amet-aga Sarën me e marrë.

Sara te na se te na, e jona e jona,
O n’ Shkup me shku Sarën s’e lajna.



SHQIPRIM-AGA I PARI

Te livadhi nër ni hije,
Agje rrishin gjemt e ri-e.
Cëlli ishte ma i pari?
Ishte Shqiprim-aga, sugari.

O Shqiprim me setre, me setre,
Krejt u martun veç ti mete.

A t’ than o Shqiprim, o Shqiprim vlla,
Se nusja jote a ma e mira n’ mahall.

Plot me illzi, plot me illzi, nav ka mush havaja.
Shqiprim agën e lulijen i ka mlu sevdaja.
Plot me ujë, o plot me ujë na u ka mushën deti,
Shqiprim-agën e lulijen i ka rrit vullneti.

A na thue, oj gjishe, mir se po vini,
Na ka çue Shqiprim-aga lulijen t’ ma bini.



UJË PËR KISMET

Qiti ujë NN, oj për kismet,
Ne ta marre lulija për vllavin e vet.



BABA E NANA E NUSES FOLSHIN MAXHUPISHT

Babaj nuses, nana nuses kan dal n’ kapixhik,
Arlla-marlla, tarlla-marlla folshin maxhupisht.
Arlla-marlla, tarlla-marlla, na ka cof mag(j)ari,
Qish me kthie, qish me kthie çikën spari?

Nana nuses kishte dal n’ kurt,
Njanin bisht ma t’ gat, çetrin ma t’ shkurt.
Mledhi viranet okolla,
Se t’ jan viranet me morra.

Nana nusës po shkon ka mashna,
E ka mushën skutaçën me maca.



KA ARDH MSITI UDHËS KUQE

Ti çojna di msit me lip lulijen,
Qish me e mashtru dilinxhijën?
Dilinxhijën e mashtrojm kollaj,
Me di gur shiqer ja marrojm ni çaj.

Ka ardh msiti udhës kuqe,
Ja kina pre pulën klluqe.
-Ore msiti jon t’ hift tërpia,
qish naj lave zogjt te shpija?

Ka ardh xhali msitit n’ kapixhik:
-Lum baba, lum baba, flugma ni kaçik!
-Hajt, or bir, shko me lop,
Ta run baba nër shokë.



SHKA KA MSITI QI U VANUE

Shka ka msiti jon qi u vanue?
I kish pas pantollet pa harrnue
Se gruja vet tuj kerkue,
Me ja harrnu pantollt kish harrue.



NA KA HI LULIJA N’ KREVEK

Na ka hip lulija n’ krevek,
Ani loti lotin s’po ja pret.
-Pse ore babë m’ dhat sivet,
Oj nanë, jam e re e z’di me ba hizmet.
Z’ di me ba hizmet e z’di me ba sajgi,
Se e kam efeni-agën nareli.

N’ koft nareli, e baj melaqe,
Përpara sabahit çajin taze.
N’ koftë nareli, e baj t’ butë,
Përpara sabahit ja baj punt.



MOS E LENI MSITIN GJAN

Ani mos e leni msitin gjan,
E le lugën ja nis me sahan.
Ani mos e leni msitin ngusht,
E le lugën e ja nis me grusht.

Hajtni, udha marë qi po shkoni,
Ni selam lulijes t’ ja çoni!



OJ LULIJE, NA INA MIR BOLL

Oj lulije, na ina mir boll.
Di shpija i kina n’ aborr,
Edhe nja na e kina nis
Po rrnojna jalla si n’ Paris.

Ka than vllavi jon jam i ri,
Jo nuk martona pa shoqni.
Pa shoqni e pa jarana,
se i ri ma nuk bana.

Ka thanë vllavi jon jam i pasëm
Jo, nuk martona pa ba darsëm,
O pa ba darsëm me tupana,
Ooo, se i ri ma nuk bana.

Sa e ka, oj, sa e ka Kosova tokën.
Qaq e ka, qaq e ka vllavi jonë rrogën.
Sa e ka, sa e ka aj dakikin,
Qaq e ka, oj, qaq e ka lulija qerpikin.

Flutroj dallndishja e ra n’ bostan,
Oj lulija jon belin taman.



OJ LULIJA JONË ME LIMANA

Oj lulija jonë me limana,
A ma mir te na a te nana?
Te nana te baba fukara,
Hajde lul' te na e bajm sefa!

-Sefaja ish kanë e s’e kishna dit,
Mu ka kput shpina tu prashit.



PARA DERËS NA KA BI NI MOLL

Para derës, oj lulije, na ka bi ni moll,
Me shnet e majsh, oj lulije, fistanin e holl.
Para derës, oj lulije, na ka bi ni dardh,
Me shnet e bajsh, oj lulije, fistanin e bardh.

Dimiat e ksaj lulijes filxhana-filxhana.
Çou ma herët, oj lulije, se nuk i te nana!
Se nuk i te nana me u lazdrue,
Po ije te burri me punue.

Dimijat e lules kutia-kutia,
Çov ma herët, oj lulije. se nuk i te shpija,
Se nuk i te shpija mu lazdrue,
Po ije te burri me punue.


 

KUSH PO SHKON SOKAKIT

Kush po shkon sokakit me kufer?
Po shkon vllavi jon me tesha kanger.
Me tesha kanger e boj-kafe,
E shallin jeshil përreth qafe.



I BINA DAHIRES ME DI DUR

I bina dahires me di dur,
Vllavin ton, o lum kush e mur!
Lum kush e mur e e pat kismet
Allahi ja lasht nanes vet.

Oj lulije, pllum i bardhë,
A t’ tha nana “udha marrë”?
-Udha marr nana m’ ka than,
Lott për faqe ja kum lanë.



NGJITET KANA ME PIKA-PIKA

Ngjitet kana me pika-pika,
Sante ije bajrak nër çika.
Ngjitet kana me pika t’ kuqe,
Sante ije bajrak nër nuse.



BANJA HALLAL NANËS QI T’ KA RRIT

Ore Agron-aga xhal zabiti,
Banja hallall nanës qi t’ rriti.
Ani banja hallall me gjeth zemër,
Kurr nuk t’ ka tru as t’ ka nemën.

O bilbil n’ kashtë, o bilbil n’ kashtë,
A do ta dush nanën qish e ke dasht?
-O, qish e kum dasht nuk do ta due,
Guguçja te veshi ka me m’ knue.



PO NA BIN KAVALLAT KEP E MAJ KEP

Cucat e Gorancës në arë e livadh,
I thojshin maxhupes “hajde na çit fall
Hajde na çit fall me na kallzue,
Ku e kina kismetin na me shkue”.

Po na bin kavallat kep e maj kep,
Cucat e Gorancës naj bin vet,
Naj bin vet, o te dera,
I kina gjemt si dilbera.

Kalle Mamer-aga me barut,
O, kalle Elezanin, mos u tut!
Ooo, kalle, kalle e çitja flakën,
Ani pe martojna Mamer agën.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen