Qerim Ujkani (Selimaj) u lind më 1937 në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, kurse në Beograd studioi shkencat juridike.
Ishte njëri nga redaktorët më të spikatur të emisioneve letrare nga proza dhe poezia në Radio Prishtinën e dikurshme. Ka shkruar poezi dhe prozë si dhe është marrë me përkthime letrare nga serbokroatishtja në gjuhën shqipe. Ka botuar mbi 20 libra me poezi dhe prozë. Ka përkthyer shumë poetë dhe prozatorë jugosllavë dhe botërorë nga serbokroatishtja.
Është prezantuar në antologjitë dhe panoramën e poezisë bashkëkohore shqiptare në gjuhën shqipe, serbokroate dhe disa gjuhë botërore, ndër të cilat në italisht, spanjisht, frëngjisht, polonisht, anglisht etj. Ndërsa në kuadër të "Letërsia e shekujve", vëllimi XXXIII, Milano, u prezantua në mesin e 15 poetëve shqiptar të të gjitha kohërave. Zgjedhja dhe përkthimi italisht, Namik Resuli.
Qerim Ujkani vdiq në Prishtinë në moshën 78 vjeçare, më 12 mars 2015.
Titujt e veprave
- Hullinat - 1963,
- Përralla e votrës - 1964,
- Tingujt e vendlindjes (vjersha për fëmijë) - 1967;
- Deti ose poema e shqetësueme, "Rilindja" 1968;
- Pagëzime, "Rilindja" 1969;
- Antisonete, "Rilindja" 1972;
- Pasthirmë, "Rilindja" 1974 e ribotuar më 1981;
- Lartësi toke, "Rilindja" 1979;
- Gjaku im (vjersha të zgjedhura) "Naim Frashëri", Tiranë 1980;
- Hije e këputur, "Rilindja", 1982,
- Dielli që po e krijoj (vjersha të zgjedhura - zgjedhja dhe parathënia, Hysni Hoxha), "Rilindja", Prishtinë, 1983;
- Përrallë erërave, "Rilindja", Prishtinë 1986;
- Mesjetarë të përjetshëm, "Rozafa", Prishtinë, 1977;
- Kthimi i ushtarit në shtëpi, "Rozafa", Prishtinë 1997;
- Mëkatet e errësirës, Lidhja e shkrimtarëve e Kosovës, Prishtinë, 1997;
- Malli i atdheut, (Antologji e poezisë shqipe me temën e mërgimit, koautor me I. Prokshin) Shoqata për kthimin e të Shpërngulurve në trojet e veta, "Dukagjini", Pejë, 1995;
- Elegji mëngjesore, "Nositi" Prishtinë, 2009,
- Qyteti i zi, Prishtinë, 2011.
Në gjuhën serbokroate ka botuar:
- Krstenja (Pagëzimet) vjersha të zgjedhura, "Jedinstvo", Prishtinë, 1975;
- Dolazak u jedan grad (Ardhja në një qytet), vjersha të zgjedhura, parathënia dhe përkthimi i Hasan Mekulit, Veselin Maslesa, Sarajevë, 1980.
Nga serbokroatishtja ka përkthyer:
- Gurë dhe ëndrra, vjersha të zgjedhura të Jure Kashtellanit, "Rilindja", 1977;
- Ujëvara, vjersha të zgjedhura të Dobrisha Cesariqit, "Rilindja", 1979;
- Çështje të romanit (bashkë me M. Kërnjën), "Rilindja", 1980.
Dy poezi nga Qerim Ujkani
POPULLI I DI TË GJITHA
I
Populli i di të gjitha di të flasë di të heshtë
Kur flet
Gurëve të varrezave u hyn shpirti dhe lëvizin
Midis flamujsh dhe rrëmetesh
Ushtojnë sheshet
Bien daullet
Të nisurave iu shfaqen fundet
Sundimtarët janë të qetë
Kur hesht
Si gryka malesh kapërdin rrufetë
Mes dhëmbësh kërcëlluar i shkrepëtijnë vetëtimat
Gjëmimet i ndrydh në vete
U thotë fjalë të urta i qetëson
Durimin e vet e krahason me të malit me borë
Sundimtarët s'i merr gjumi
Populli i di të gjitha di të flasë di të heshtë
II
Populli i di të gjitha di të jetojë di të vdesë
Herët në mëngjes
Hukat duart të mos i bjerë përthonjsh nis punën
Te kroi te shelgu pret të bukurën belkëputurën
Bën dasmë gëzimin e ndan me të gjithë
Shtëpinë e mbush me fëmijë
Brez më brez
Shpie kujtimin
E shkon në luftë
Thirrja për liri të atdheut i hyn drejt në histori
Me vete merr armën trastën këngën
E s'pritet e s'ndalet
Veçse në fitore dhe përmendore
Liria s'pret
Duhet për çdo çast
Populli i di të gjitha di të jetojë di të vdesë
III
Populli i di të gjitha di kë ka mik kë armik
Hap derën e shtëpisë
Ndez zjarrin shtron sofrën
E në sofër bukë kripë e zemër
Kurrë s'e provon në ditë të mira
E ruan për ditë të vështirë
Ia mban besën
Ai e di se edhe uji fle po armiku s'fle
S'ia harron shprehinë e vjetër
Shpatë e zinxhirë farkon për të
Njësoj shikon prapa si përpara
Rreziku që i bie ndesh është një herë rrezik
Rreziku prapa shpine dy herë
Populli i di të gjitha e di kë ka mik kë armik
IV
Populli i di të gjitha e di kë ka cub kë hero
Në një mijë ngjyra
Të lyhet e të ngjyhet
Në një mijë fytyra
Të shtiret
Ai cubin e njeh
E hedh në pleh
Në përmendore që ligjëron historinë në shesh
E vendos heroin e vet
Në këngë trimërore
Në metafora
Në fjalë të urtë në konak
E në gjak përjetë
Populli i di të gjitha e di kë ka cub kë hero
1989
GJUHA MARTIRE
Copë- copë ranë hartat e tua të vjetra
Plot me kulla syfrangji kah bota
Po ndër to ti ishe e forta.
Dhe nuk re kurrë.
Me fjalët e tua rrufe godite papushuar
Grushtin e ngrite lart klithe gjithë zë
Nuk bie
Dhe kur nuk bie unë
Nuk bie asgjë.
E lumja ti moj gjuhë martire
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen