Dienstag, 4. August 2015

Dalan Luzaj

Dalan Luzaj, u lind në Vlorë më 3 Gusht 1944.  Fëmijërinë e hidhur e kaloi në Ujin e Ftohtë të Vlorës, ku kreu dhe shkollën fillore.  Në vitet 1962 - 1963 mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike “Jani Minga” në Vlorë. Punoi pak vite si mësues në fshatrat e Tepelenës, dhe më pas lufta e klasave e dënoi me njëzetë e tre vjet internim në fshatin Shehrishtë të Vlorës, që ishte dhe periudha më e zezë e familjes së tij.  Si të gjitha familjet e tjera të deklasuara edhe familja Luzaj, u vu në shënjestër të diktaturës, për shkak të babait, profesorit të madh, Isuf Luzaj, armikut të diktaturës. Moshën më të bukur të jetës, nga 25 në 47 vjeç, Dalan Luzaj e shpenzoi kanaleve të fshatit Shehrishtë të Vlorës. Poezinë e nisi shpejt, që në bankat e shkollës, por ia goditën pa mundur t’ia vrisnin. Sot, jeton me familjen e tij në Çikago, Illinois në ShBA. Aktualisht është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro - Amerikanë, i cili është zgjedhur dy herë radhazi me vota unanime nga shkrimtarët

Përmbledhjet e botuara me poezi:
  • “Jeta më Gjeti Vetëm” (1995),
  • Diej të Largët (1996), “Pa rrugë” (2003),
  • “Dhe Hëna Kurrë nuk Qeshte” (2006),
  • “Kasollja e Internimit” (2010).


Cikël poetik nga Dalan Luzaj


1.  PLAGË

Erdhi jeta e më gjeti vetëm,
Jashtë rruge, të heshtur, syhapur,
I prita goditjet me pamje të qetë,
Me buzagazin e dhimbjes së zgjatur.

Erdhi jeta e më gjeti vetëm,
Të dal prej vetmisë s’kam se si.
S’ më rinon as i gjithë kontinenti,
Plagët, kur vrenjtet, më therin në gji.


2.  DYER TË MBYLLURA

Heshtëm,
Po s’u bindëm,
U prehëm,
Pa u qetësuar asnjëherë,
Me zbrazëtinë u grindëm.
Shkonin stinët,
E mbyllur çdo derë...


3.  DRITA

Dritë quhej nëna ime,
E mjera dritë s’pa kurrë,
Helmin që la pas s’e ka as gjarpri nën gurë.
Lodhje. Plagë. Trishtim.
Të njohu emri që le pas,
Të njohu brenga e shpirtit tim.
Me ligje vdekja qan për ty;
Tani je larg, moj e shkretë,
Mbi ballin tënd hedh hijen një selvi.
Nënë e braktisur... Psesë fëmijë...
Dheu s’të tret,
Nga dheu më bën dritë.


4.  M’ U LODHËN SYTË

M’u lodhën sytë duke kërkuar
Një diell që matet përshëndet,
Pastaj zë ulet mbi ullinj
Dhe çlodhet, kridhet tek një det.

Tek portë e gurtë, (1)
Në ujëra Joni
Syri humbet me shpresë për kthim.
Vendlindja ime e harkuar
Ka hyrë e s’del nga shpirti im.

Portë e gurtë = shtegu midis Sazanit e Karaburunit


5.  GJAKU SHQIPTAR

Sa shpata ngriu gjaku tënd
Shpërblim
Nën shpate u derdh pa emër
Nisjes
Ngele grua pa mend
Ky gjak
S’kthehej më në zemër.

U derdh mbi det
Mbiu larg
Shkëlqimi i rrallë
Të befason
Për pesëqind vjet në trup të botës

Rreh zemër’ e tij
Në gjuhën tonë.


6.  TEK JU


Kilometra të gjelbra,
Milje të kaltra
Shpirt e sy humbasin,
Paq e rrallë;
Shkëmbinjtë ndezin portokallet e arta
Mes zjarresh Sazani u digjet përballë.
Përflakur perëndimi rrëshqet mbi fletë
Ngritur Pashai nën yje mbi drita;
Lashtësia largësive na flet,
Kanina sjell hënën dhuratë nga Donika.


7.  KUR IKA

Kur ika i mblodha të gjithë kallëzat në arë,
Bukën e ndarjes e shijova thatë,
Torbën krahëve
Gjithë ëndrrat brenda,
Zgjatej rruga si një kanal i gjatë.
Këmbëve çizmet me baltë
Kurrë s’më ishin më të rënda;
Vetëm qeni na ndoqi pas
Dhimbjen e fundit na la shpërblim.
Pas na ndjek ai vështrim...


8.  LETËR NGA...


Kjo letër shpirti përmalluar
Në vjeshtë të moshës pa qetësi
Kërkon të ngjallë një zjarr të shuar
Kur zjarri rend të bëhet hi.
O jetë e dridhur si një fletë,
O brengë e vjetër mos u zgjo,
Blerimi yt çdo ditë më vret;
Të lutem, gonxhe,
Mos lësho!


9.  UJI I FTOHTË

Mjegullës Pashai u hoq tej në sqetull
Qyteti zë shton pak nga pak
Hëna prerë si një vetull
Sazani për sy mes detit nis larg.
Kanina e tërë nën kala
Shushica hedhur përpjetë
Një degëz me yje që ra
Vlorën e bëri qytet.
Thinjur ulliri mbi valë
Argjendi i saj mbi shpinë
Fari më qenkësh rival
Ndaj hënës aq shpesh i shkel synë.
Kryelartë Uji i Ftohtë mbi det
Për Rrapin e Ferrit në zi
Dikush nga Çikagua ju përshëndet
Këmbëzbathur i rritur aty.


10.    NË UDHËTIM

Malet lakuriq zbresin gjer në det
Tërbimi Atlantik shkërmoqej mbi të,
Pulëbardha mbi stërkala si një flutur e lehtë
Blunë e oqeanit çukiste me zë,
Klithma e shkumëzuar zbardhej përpjetë
Gjëmimi i dallgëve refren shekullor
Rrafshi gri s’pikonte më jetë
Herë muzg i thinjur, herë mal me borë.
U fsheh nën mjegull pak nga pak
Vullkani i bardhë hyri nën kujtesë
Klithma pa stërkala vinte nga pas
Bluja e thellë çahej mes për mes.


11.    UNË QENI DHE TRENI


Treni gdhendte brinjët e malit
Klithmë emri gjer në re,
Kthesave si vezme ushtari
Veç gjithsesi largon nga ne.
Diku e vesh gjelbërimi
I zhveshur shfaqet në kthesë
Në një qëndresë zbraz trishtime,
Në tjetrën malli flakë e ndez.
Më tej si zvarranik harkohet
Tutje shtrihet, zgjatet bëhet një,
Ritmi, rrotëzave pluhurzohet
Jehon’ e mjegullt vjen për zë.
Dielli ulej i përflakur
Ndarja qelqin brenda theu
Në një orë, s’di sa jam plakur...
Qenushi pranë për mua lehu.



12.    FËMIJËVE

Do harrohen, të gjitha do harrohen
Lumi im bën pjesë në harresë
Aluvioni kohor...
Do mbulohem
Dalëngadalë kujtimin tim
Koha do ta tresë.

Mbi barin e shtruar qilim
Ku heshtja vrastare rri shtruar
Ku drurët pa zogj për trishtim
Janë zgjedhur të rrallë, të harruar.

Çdo vit ju dua mbi varr
Kërkoj të vetmin nderim
Balta e rëndë nga ju më ka ndarë
Përreth, kudo, është shpirti im.

I lumtur jam që ju lë pas
Të mirë, të shtuar bërë përpjetë
Sonilën e babit buzë në gaz
Në jetë, o djem, ju lë amanet.



13.    KTHIM NË ATDHE

Barka shtynte hënën nëpër det
Deti shtynte barkën për tek ti,
E pafund bëhet udha kur të pret
Gjysma tjetër, që mungon në gji.
Drita prush zgjatet gjer tek ne
Syri i Vlorës hyri në Sazan,
Si një fanar që humbet në re,
Ngre Kanina supeve kalanë.
Brenda meje zemra është e ndarë,
Pjesa tjetër mëmës i thërret,
Si një kumt, mesazh i paparë,
Hyn nga poret afsh i saj i nxehtë.
Shkela tokën... e ndjeva që më ndjeu
Është kjo më tepër forcë se mall;
Kush mendon se s’jeton Atdheu,
E grazhdoni si kalin në stallë.



14.    PULËBARDHA

Mes stërkalash u ul lehtë mbi një shkëmb
Pulëbardha qiejt mban e shpalos,
Pa masë stuhia detin çon në këmbë,
Ngritur tërbimthi anëdetin fundos.
Vështrimin e bardhë treti tej
Rrahu flatrat e çau e ngarkuar,
Edhe sot (si dikur) klithmën ia ndjej
Si jehon’ e asaj, që ende rri zgjuar.



15.    KUR TË LASHË ATDHE


Kur të lashë Atdhe, me vete mora vetminë e internimit,
Shpirti si dredhkël e lakuar.
Gjethëzat prisnin ndonjë shtizë dielli Perëndimit,
Rrugët e pashkelura mesnatë e shqetësuar.
Kur të lashë Atdhe
Ishe në ethet e dështimit
Rëntgeni kishte vrarë që në krijesë,
Shthurur turma besonte Kainin,
Prerë diga s’pranonte asnjë shtesë.



16.    NËNA

Krahët e nënë si shtizat që thurte,
Trikon e Burrelit
Numëronte filetë si vite dënimi,
Tretur, zbardhur
Si faqja e mermerit,
Zbukurohej nëna çdo natë
Nga trishtimi.
Pikonte drita mbi dritën tonë,
Pikonte nata, kurrë s’e nxiu.
O fat, kaq i egër mbi engjëllin ç’kërkon?
Ballit nderi
Parajsa lart priu.



17.    BISEDË ME BRENGËN

Mbrëmjes vjen heshtja
E më hedh shpirtit mantelin e zi të trishtimit
Për të më qasur tinëz mendimin rreth plagëve
Ripërtyp mendimet
Për t’i pritur lehtë laborator’ i trurit
As paq, as qetësi.
Qiellin gërryen rreze e fundit e diellit
Malli m’u bë shok
Mike ngele ti
Portokalli ndez floririn e kursyer të Hënës
Dielli i jep dallgë vjesht’ e tretë
Nga larg, si flutur,
Vjen shpirti i bardh’ i Nënës
Balta i tret eshtrën
Mallin kurrë s’ia tret,
Metropoli Verior kërkon veten nëpër botë
Si molekulë e lodhur rend nëpër të
Zemra më jep dallgë
Syrit i jep lot
Me ty flas qëruar
Me edhe pa zë.



18.    NJOHJE

U njohëm diku larg
Fjalët lidhëm urën në dy brigje
Ndjenjat sajuan atë hark
Të pastër, kristal e plot shtigje.
Re të zeza mbuluan diellin e përflakur
Asnjë klithmë jete s’u bë gjallë
Jo mosha, malli më ka plakur
Pa ty s’munda t’i bëj ballë.
Kthej sërish atje ku lamë
Të parin zjarr që ende djeg
Tani një lumë pa urë na ndanë,
Brenda rrethit pa asnjë shteg.



19.    QYTETI IM JUGOR


Qyteti im jugor buzë për buzë me detin
Llërën mbi shkëmb
Supeve thesin e historisë
Plumbi i Ismail Qemalit
Krahu otoman
Ende dhemb.
Atdheu gjoksit të Vlorës piu mushtin e lirisë
Qyteti im jugor, Atdheu im jugor
Prej Isë Boletinit gjer në Çamëri
Atdheun rilindët me duar
Më tej... oh, më tej,
Kuleta e Esatit mbushej me gjak
E zbrazej me tradhëti.
Qyteti im jugor, Atdheu im jugor
Klima e urrejtjes hodhi shtat
Mijëra dhimbje shpirtin ta mpinë
Gjakun e nderit te burri e mat
Pena e kombit kur bën historinë.
Qyteti im jugor me syrin mes detit
Kodrat, malet të fshehin
Krahët e pulëbardhës detare të zbulojnë
Portokalli dhe limoni gjer në shpirt të dehin
Ullinjtë e Donikës gjeth të ri lëshojnë.
Qyteti im jugor buzë për buzë me detin
Sqetullës Pashai diell e hënë lyer
Qafës së Koçiut gjoks’ i Selam Labit
Thela – thela
Si një qelq i thyer.
Qyteti im jugor buzë për buzë me detin
Shpatullat mbështetur Labërisë
Shqiponja labe veten ka shpërndarë
Bujarisht në çdo ind e qelizë të historisë.
Qyteti im jugor buzë për buzë me detin
Dallgën e hidhur lëre pas
Këtu flamuri ngre lart emrin tënd
Çikagos mijëra përshëndetje brohoras.
Pasaporta e Atdheut
Shqip në çdo vend.



20.    KUR DEHET MAJI

Kur dehet Maji s’di se ç’bën
Dhe gurët ngjall nën hapin tonë
Kur rrymë e syve rrugën gjen
Në dhjetëra ballë tallaze vërshon.
Shpërthimin Maji ka te ne
Ndaj puthen njerëzit me kaq mall
Ndaj syri dallgët kur i ngre
Në botë s’ka zemër t’u bëjë ballë.


21.  TË KUJTOJ

Të kujtoj të brishtë, të njomë.
Ndaj, s’mund faji mbi ty.
Lënduar, heshtur të uron.
Muzg e mbrëmje; ardhtë plot qetësi!
Të kujtoj afër dhe larg.
Kur rrëshqite, brenda se ç’ndjeve!
Unë si fajtor, zënë në çark.
Jashtë, s’u vrave, brenda zemrën time theve.
Të kujtoj të dridhur, jo fajtore.
Vjen një çast e ndërron dy jetë.
Për ty; heshtje mbaj për dore.
Për çdo natë flas e më flet.
Gjithsesi, ngrica aq e fortë.
Delikate, pranë të ndjej sërish.
Kur largojmë, ftohtë e më ftohtë.
Si ikonë ndritsh ti mes qirinjsh.


22.    KOSOVË E PËRGJAKUR

E mbylli shekulli mijëvjeçarin.
Rilindi Kosova shekullit të ri.
Kohërat marrin plagët, jo Adem Jasharin.
Gjysma legjendë, gjysma histori.
Sa brenga flasin, sa dhimbje rrinë zgjuar.
O nëna të mira, heroina pa lapidarë!
Liria e Kosovës nga ju ka buruar.
Shpirtrave sa plumba kini marrë!?
Buzëqesh e brishtët, plagëfashuar.
Rreh zemra kraharorit në Tiranë.
Nga krismat e fitores, Çamëria zgjuar.
Gardhet ndalin çapin, gjakun s’e kanë ndarë.
Çdo shtëpi muze, çati ka flamurin.
Kështjellë e Jasharëve, Sfetigrad i Ri.
Kthen historia për ta gjetur burrin.
Burrat e Atdheut qiellit kuq e zi.


23.   NË ÇAMËRI

Kafenë e pimë në Janinë, buzë liqenit.
Me Ali Pashanë.
Putha tokën, përgjakurën Çamërinë.
Shqiptarët, shqetësuar pranë syrit e kanë.
Më vrave çamin, më vrave vëllanë.
Buzë mbrëmjes, kur gëzonte shtëpia.
E shoqja, me diellin e ditës kish’ lyer brenda.
Sofrën e mbrëmjes zbukuronte fëmija.
Çamëria ime, kurrë s’të soset gjëma!
Më vrave çamin, më vrave vëllanë.
Binjak me ullirin.
Gjyshi, me tokën binjak.
Si berr, para syve i therën të birin.
Hënë dhe yje rridhnin nëpër gjak.
Më vrave shtatzënën me engjëjt në krahë.
Përkulet bota para gruas shtatzënë.
Kafshë më e egër diç njerëzore ka.
Përpëlitej foshnja barkut, shpirt duke dhënë.
Çapis i menduar buzë ngjolit çam.
Çdo fije bari, gjak Çamërie.
Me gjithë shpirt jetën jap, e ç’kam!
Që këtu të flitet gjuhë perëndie.


24.    NJË PRANVERË

Një pranverë ngeli pa e marrë.
Nën ullinj, shkëmbit në Ujin e Ftohtë.
Dyzet vite, pranë dhe larg ndarë.
Ti në zemër, unë nëpër botë.
Të kthejmë, ulliri do na njohë.
Sytë e shpirtit ngelen po ata.
Zjarr i tyre gjithë jetën ngroh.
Mbi pulëbardhën ranë e u bënë krah.
Duke rënë, mosha afroi.
Kërrusur dita, borë në vetmi.
Dielli ynë, s’lindi, ndaj s’perëndoi.
Tej, një shpend, klith me zë të zi.


25.    KASOLLJA E INTERNIMIT

Kasolles, shiu ia zhveshi baltën mureve për rreth.
Paralele purtekat, si brinjët tona, pentagram.
Druri që lidhte purtekat në mes.
Si një solfezh ngulur në shpirt ende e kam.

Paralele hynin të shpejtat vetëtima.
Larg ishin gjëmimet, qaseshin ngadalë.
Pentagramit, pikat e shiut, notat më të vështira.
Kompozohej melodrama e ferrit fatal.

Uji brinjëve të çara, uji dhe nga lart.
Fëmijët në mes, ne për rreth.
Një duf errësire dilte jashtë.
Të hollat vetëtima, i shkelnim baltës në mes.

Më zgjodhi faji, tjetër gjë do të zgjidhja.
Internimi ngeli kyçur, pa shpjegim.
Njëqind ferre shpirtit do t’ia hidhja.
Në se gjeja fajin që zgjodhi fatin tim.

Kur gjëmon, edhe sot ndjej frikë.
Mos vërshon uji brinjëve, në kasolle.
Ndal, o mesnatë! Jam në Amerikë.
O ëndërr përvëlonjëse dhe këtu ma solle?

Herë shkoj në Sherishtë, herë vjen në Oak Park.
Zbërthyer brinjët, kalbur, duke tretur.
U kërrus nën vuajtje, shkrihet pak nga pak.
Internimi dhe kasollja, bashkë kemi për të vdekur.

Qytetar në shpirt, detin kam në gen.
Ky vend, m’i mjekoi plagët që më dhe.
Plagosur malli im vjen dhe të gjen.
Mbret në Amerikë, rob në Mëmëdhe.



26.   MËMËDHE

Ditë të mirë paç Mëmëdhe!
Gjaku yt, kënd më kënd shpërndarë.
Sa më larg aq më pranë na ke.
Zogjtë e shqipes kudo janë shqiptarë.
Nat’të mirë paç Mëmëdhe.
Si u ngrysën bijtë e vuajtur, bijtë e tu aty?
Për shpërblim, jepu dy pashë dhe.
Për të gjitha ç’vuajtën, ndizu një qiri.



27.   ATDHEU

S'ma dhanë Atdhenë qeveritë!
E gjetëm gjakun të copëtuar.
Atdheu mbytur nga tradhtitë,
Vetë qeveritë e kanë tradhëtuar.
Plagë Atdheu gjer në eshtër,
Aq dashuri, sa shpesh na çmend.
Çdo ditë kryqëzohet në gënjeshtër.
Çdo brez pjesëton dy metra vend.
E pasurojnë Atdheun brezat.
Me shpirt e mendje historie.
I vrenjtur bën ai përpjetë.
Për shkollë ka rritur qindra yje
U lind në gjak e s'vdes në tokë.
Një pjesë Atdheu kemi brenda.
Si hajmali na mbron në botë.
Për djep, trandur e ka zemra.
Sa vjeç, i vjetër vendi im
Ç'të panë sytë në mijëra vjet
Çdo brez, brezit i le trashëgim
Si më të shtrenjtin testament.



28.  AQ SA TË DUA

I ndrojtur, rashë në telefon,
Unë pyesja Ty, Ti pyesje mua,
Frymini jot zemrën zgjeron,
Të futesh aty, aq sa të dua!

Udhëtonin zërat të tronditur,
Pak më tepër zemrat vetë,
Rendja Unë për t’ju arritur,
Por, as receptori s'ndjehej qetë…

Si mars shkarkon i gjithë prilli,
Unë vij pranë Teje, moj mbretëreshë,
Dy lule që ka çelur gjiri,
Me buzë thith vesën çdo mëngjes!

Aromë, në horizont u ç’faqe,
Nga zëri hyra thellë tek Ty,
Kjo dashuri që të sjell paqe,
Uroj të ndrisë dhe sytë e mi!


29.  KUR  LARGOI  BABAI

Ka kohë që miqtë po më rrallohen
Dielli, vishet, zhvishet, si në vjeshtë
Mes kockash ndryshku po më shtohet
O dhimbje e marrë, të lutem; heshtë!
Po ç’thuren kohët edhe malli,
S'i gjeta fre ta beja zap.
Me një çekan s’përmbyset mali.
Ti shkon dhe vjen , Unë  zënë  në çark.
I ndau degët lisi plak,
U nda dhe gjaku, më larg  se kurrë.
Çdo ditë që vjen, një  vit bëjnë larg.
I  rrallë  ky  gjak, pa një pikë uji.
Urrejtja  rritet kur ushqehet,
Me gjak të prishur, blozë të nxirë,
S'ka vend syve ku të fshihet
Se shpirtin helmi ka përpi.
Rëndohen sendet, rrugët zgjaten
E reja  kollë, s’di kush  ma solli.
M’i thosh im at, kur zgjohej  natën
Notoj në djersë, si mes një gjoli
Nga nata shqyhet e përgjakur,
Një ditë e Re që skuq ku rri.
Ju fik çdo dritë, dy shekuj zgjatur.
Ky mal i lartë në krahët e mi.


30.    JETON  AJO

Jeton Ajo buzë një fjordi,
Me  flokë të verdhë si limon.
Me sytë e zes, pendë korbi,
Të bardhë ka zemrën që dhuron.

U rrite shqiponjë mbi male lartë
Të hynë në shpirt kur e vështron.
Një degë nga floku saj i artë,
Një pyll me yje poshtë rrëzon.

Dy dete sytë e saj të zes.
Kulluar shpirtin sheh në fund.
Sa herë që zemra s'do ti pyes,
Ata mbi dete bëjnë furtune.

Deti  i zi di sa ka mbytur.
Të heshtur ngelën, të harruar.
Një mall i largët ka trokitur,
Dy dallgë nga detet kanë pikuar.

Mos  e vështro kur qeshin sytë,
Plagosur keni për të ngelur.
S'ka vetëtimë të bëjë aq dritë,
Gjithë diejt e qiellit njësh kanë çelur.

Jeton buzë fjordit, diku larg.
Halor i gjelbër në lulëzim.
Lidhur patat njësh në varg,
Në klithje kanë dhe mallin tim...


31.  KUR U LARGOVA NGA FSHATI

S’ më ikej
Ktheva kokën pas për të thënë Lamtumirë,
Shtëpisë që më mbante mbërthyer.
Përvëlohesha brenda, si një shkretëtirë,
Pas derës lopata, vitet më të bukura kanaleve m’i kish shqyer.
Çizmet të prera, të qepura me tela,
Prisnin të nesërmen, refrenin më të hidhur.
Dridhshëm më gjatë para qenit ngela.
Si të mallkuar po ikim gjuhë e shpirt lidhur.
Na vështroi shtëpia gjer në kthesë.
Sytë e saj dritaret, na përcollën diell.
Kodrës ulliri që mbolla u buzëqesh,
Lutej për mua krahëhapur nën qiell.
Vështrova arat, kanalet, krahët që ngelën nën baltë.
Plepat u zhdukën për të fundit herë.
Edhe pse jeta kaloi internuar në fshat
Atë që kisha lënë, ishte imja, ndaj ndjehesha krahëprerë.


32.    LAMTUMIRË ATDHE

Rrëshqiste treni nëpër shina.
Pas bashkohej paraleli diku.
Dritaret e trenit si vitrina,
Horizonti i mjegullt qasej gjer këtu.
Në Sherishtë shtëpia ngelur shkretë.
Pa dritë, pa zëra, pa jetë e gjallëri.
Më besniku, qeni, pret në derë
Oh sa keq qëlloi fati i tij i zi!
O mendime, rrihni si çekan.
Ku s’ më çon mesnata kaq e lirë!
Tek sa treni tej për tej errësirën ndanë.
Ju më lidhni fshatit me zinxhirë.
Do na tresë perëndimi dalëngadalë.
Ç’po kërkojmë shpresarë nëpër botë.
Për ne fushat bëhen mal,
Dhe çdo stinë njësh do bëhet shqotë.
Të harruar Atdheut dhe perëndimit.
Lamtumirë Atdheu im i shtrenjtë!
Buza që s’i buzëqeshi agimit,
Për të qeshur s’ka një jetë të tërë!


33.    E PARA HERE

Qytetin ndezën sytë plot dritë.
U drodh dhe toka nën këmbë.
Nga dallgët gjoksi aq u rrit,
Se fajtor ish gjaku që u çmend.

Të preka lehtë të ndalja gjakun.
U shtua zjarri në shpërthim.
Buzëmbrëmja  hënën  tej e flaku.
Ti sa një grusht në përvëlim

U ftoh mbremja edheTi
Sërish kërkon që tju përqas.
Buzëve trupi tënd u shtri
Poligloti gjithë gjuhët herët di t’i flas…








Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen