Sonntag, 2. August 2015

Skënder Zogaj

Skënder Zogaj i lindur më 23.01.1950 në katundin Lladroc të komunës së Malishevës. Shkollën fillor dhe gjimnazin i ka mbaruar në Prizren, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë dhe në Tiranë.
Punën e ka nisur si mësimdhënës i gjuhës shqipe në shkollwn tetwvjeçare të Carrallukës dhe në Gjimnazin “Naim Frashëri” të Malishevës (1972-1974). Nw shtator tw vitit 1974 kalon në Prishtinë dhe i përkushtohet gazetarisë: redaktor përgjegjës në gazetën e studentëve “Bota e re” (1974-1978); gazetar e redaktor në gazetën “Rjilindja” në Prishtinë dhe në Tiranë (1987-1997). Gjatë viteve 1993-1995 ka përfaqësuar Zyrën e Republikës së Kosovës në Shqipëri, e më vonë redaktor në “Revista ushtarake” të FARK-ut e njëkohësisht edhe Këshilltar për informim i kol. Ahmet Krasniqit, ministër i Mbrojtjes dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut në Tiranë (1997-98). Pas luftës kthehet në Kosovë dhe cxaktohet redactor i kultuës në gazetën kombëtare “Bota sot” në Prishtinë (1999-2000). Në zgjedhjet e para demokratike të Kosovës së cliruar dy mandate radhazi zgjidhet Kryetar i Komunës së Fushë Kosovës  (2000- 2008), e pastaj Këshilltar Politik në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Prishtinë (2008-2010) .
Skënder Zogaj është ndër themeluesit e parë të LDK-së dhe bartës i shumë detyrave me përgjegjësi të kësaj partie në nivel lokal dhe qendror:  Themelues i Degës së Parë të LDK-së në Kosovë ( Degës së LDK-së në Fushë Kosovë) dhe kryetari i parë i saj (1990-93), Krahas punës gazetarisë dhe angazhimeve politike, intensivisht është marrë edhe  me krijimtari letrare dhe publicistike.
Krijimet poetike të Zogajt janë përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë botërore, dhe është përfshirë në 18 antologji të poezisë bashkëkohorë shqipe.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë dhe të Rinj me seli në Tiranë.


Ka botuar këto libra:
  1. “Zogu i ekspozitës” – poezi për të rritur, “Rilindja”, Prishtinë 1983
  2. “Merrme vëlla përdore” – vjersha për fëmijë, “Naim Frashëri”, Tiranë 1994
  3. “Ora e qoftëlargut” – poezi për të rritur, “Eurorilindja”, Tiranë 1996
  4. “Adresa e dallëndyshes”- vjersha për fëmijë, botoi “Eurorilindja”, 1999
  5. “ Jusuf Uka Bregu” – monografi, “Faik Konica”, Prishtinë, 2004
  6. “Mali i tejdukshëm” – poezi për të rritur, “Spektri”, Prishtinë, 2005,
  7. “Puthjet e puhisë” –  vjersha për fëmijë, “Vatra”, Prishtinë, 2007
  8. “Lacrima durerii” (Loti i dhembjes), poezi në gjuhën rumune,”Albanezul”, Bukuresht, 2011.

Poezi nga Skënder Zogaj

KENGA E TRUMCAKUT

Shumë shtirje ankthesh në mesfjalë
fluturojnë dhe nxijnë në heshtje
Zemrën që nuk bëzan
Nga presjet rrotulluese teh gijotine 
mbi qafën time...

Pastaj gjithçka është lojë
Qeskë plasmasti e varur në degën e manit
që era e fërshëllen
andej e këndej Urës së Shenjtë.

Sorra është aty por kënga e trumcakut s'ndalet
As kur e varin për së gjalli në turrën e druve
as kur ia shprushin zjarrin
as kur ia mbyllin sytë...

Përtej vrimave të zeza qëndron
ndër shtatë palë toke e qielli
tek pjalmi i yjeve në kërkim    
dritë Orfeu me gjet për të gjallët e vdekur   
si copa të thyera xhami që rendin
në drejtpeshimin e funeralit.

Trumcaku i vogël i ka mbyll sytë
S’dëshiron mw me e pa qiellin e mrrolur,
as krye shyt s’do më me kërcu nga harku i urës
as shpirtin e syrgjynosur qoftëlargut me ia fal!



PASQYRA DHE FYTYRA

Një ditë do të ndodh dalja
Dhe do të takohen patjetër
Fytyra dhe pasqyra…
Atëherë ka me u pa
e padukshmja e thembrës së Akilit.
Dhe ka me u shfaq Drita
e përsosura e gjithëfuqishme
që kujdeset për shpirtin tonë
dhe na jep fuqi me e kafshua mollën
Sa herë që vjen Shën vjeshta.
Silueta e Gruas së bukur
e gërvishtur nga rrjedha e ujit
na njomë me mija herë dhe përsëri
kemi etje edhe për një hap më përtej
në drejtim të dendësisë së pyllit
për me e ngroh shpirtin e ndrojtur
me prekjen e mëndafshtë.
Kur pandeh se i ke marrë të gjitha
Prapë Pasqyra dhe Fytyra kanë më ra
në duart tua të zbrazura.



JETA ËSHTË LIBËR

Beso
dhe kurrë mos pusho së dhëni,
që të marrësh -
nga e padukshmja e dritës.   

Jeta është copë xhami e thyer
si një libër i hapur,
që duhet të lexohet me zemër
dhe të bluhet me tru.

Sado i vobektë
që mendon se je,
në fundin e udhës e merr vesh
sa shumë gjëra të tepërta
ke bartur me vete

Dhe, ah!…, dilema -
rrëshqitje fyme nëpër duar
që ikë dhe  të le!



KALBJA

Bymehen muret nën najllonin e zi

Bie shi e kalbet shpirti bredharak
Që lufton me venitje klorofilesh

Sytë e shterrun të nënave mbajne zi
Mes Gjymturësh të idhta
Në Pengun e nata ndrydhet dita.

Për kokën e demit të zi
nga cepi i detit te bythët e mbretit
Hardhucat e Kuqe shtrojnë gosti
Me speca djegës, dyll, hudhra
Rrush qeni e fara kungulli turshi

Ha e pi dhe shaj
qeflinjtë e kripën e ndryshin me allti
Për sytë
Që do t’ia nxjerrin me thikë.

O, zot! sa të trishtë
Sytë e përgjakur
Prapa xhamave të zinj.



ANDEJ E KENDEJ IBRIT

Stinë e frikshme bimësh të egra
Andej e këndej Ibrit
Brenda kafkës së kalbur
Sorrat e larme po krrokatin.

Burrëria shtatëqind dërhemshe
endet në Shkup e në Shkodër
me bukën e kuqe
nen sqetull...

Andej e këndej Ibrit
Nga lehjet e qenve të çartur
Shlyhen emrat
Thyhen zemrat,
dhe Fryma e Shpirtit të Shenjtë.

Por stina e frikshme do kaloj
Dhe i plot do të agojë dielli
Mbi Kodrën e Minatorëve
del Niketë Dardani e thërret Ezanin
dhe kurrë më, kurrë  -
nuk do të këndojë hutini.
As iriqë e rriqra kurrë më
nuk do të ketë në Mitrovicë.
                     
21 janar 2008



NË ZHAZHË TË ZVEҪANIT

Të dashur vëllezër e motra
Zhazhjanë t’urtë e krenar

... edhe pak duroni
derisa ta nxjerrim
me rrënjë
erën e qenit të coftë
nga oborri…

Pastaj zbardh drita
me këngë bilbilash
pranvera vjen -
dhe, kurrë më, kurrë
cerdhe korbash   
s’do tw ketw nw Zhazhw
as strehw pwr zhapinj
në Zvecan.

(Zhazhë, Zvecan, 27 mars 2010)



DASHURIA E SHPENZUAR

"Sot, askush nuk e humb askënd,
sepse askush nuk e posedon askënd…”
(Paulo Coelhos)

Luftëtari i dritës ma tho troҫ
Kjo s’është eksperienca e vërtetë e lirisë!

Thirri mendjes dhe kupto
Je i humburi i botës,
Derisa të mos bëhesh i zoti
Për ta fituar atë që e dëshiron.

Kosova është fyell i bariut të mërzitun
Me vrima të panumërta kuqezi
Nëpër të cilat hingëllojnë kuajt e azdisur
Që në mes të udhës i zë kromja e qenit
Dhe e rrokullisin qerren në greminë!

Kjo është biografia e vërtetë
E dilemës që e kemi në gjak
Por nuk kemi zemër për ta shprehur
Sepse kemi ngrënë shumë hudhra
Dhe kemi vra shumë sokola tinës
Prapa shpinës së stinës…

Askush më për askend s’është i uruar,
Gjithë drita e shpirtit është shpenzuar!

8 maj 2013, Fushë Kosovë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen