Sonntag, 20. September 2015

Bajram Bajraktari

Personaliteti i shquar, atdhetar dhe intelektual.

Nga: Eugen Shehu

Në historinë shum shekullore të Lumës, ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore zënë vendin e tyre të veçantë.Ashtu sikundër në shekujt para ardhës edhe në këto vite eposi i lirisë u përsërit në po ato dimensione të burrërisë dhe guximit.Luma dëshmoi se donte të jetonte e lirë, ajo i tregoi Shqipërisë dhe krejt Ballkanit se përpara lirisë nuk pyeste për asnjë makinë ushtarake qoftë kjo e Beogradit apo Sofijes e Romës apo Berlinit.Ndërkaq Lumjanët nuk mund të pajtoheshin asesi në ato vite me robërinë, e cila donte të rrënojë traditat e vyera dhe kontinuitetin moral të lumjanëve. Në krye të burrave të ditur dhe trima të cilët u përballën me fashistët italian, nazistët gjermanë dhe bollshevikët sllavoshqiptarë në krah të legjendarit Muharem Bajraktarit, rri denjësisht figura e vëllait dhe bashkëpuntorit e luftëtarit të tij, Bajram Bajraktarit.

Lindi në katundin Ujmisht të Lumës në shtatorin e vitit 1919. Pak kohë më parë në shtëpinë e madhe të Bajraktarëve,pat ndërruar jetë Bajram Bajraktari,luftëtar i madh i Lumës në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, me ç’rast emri i tij u përcuall tek i sapolinduri. Lumjanët ndërsa uronin babën Nezir, për djalin nuk mungonin t’i kumtonin atij, ”U bëft i hajrit si baca Bajram !, Neziri u përpoq të edukonte tek biri virtytet e të jatit dhe shpesh për birin thoshte se dritën e syrit e ka si të gjyshit të vet.Në vjeshtën e vitit 1926,Bajram Bajraktari nis mësimet në shkollën fillore të fshatit Kolesjan. Shkolla në fjalë edhe e politikës arsimore thellësisht kombëtare të ideuar dhe të zbatuar prej qeverisë shqiptare të kohës,kishte mundur të përhapte jo vetëm rrezet e dijes por sidomos idetë e lume të shqiptarizmës. Ngase Luma, ndodhej pikërisht në vijën e urryer të kufirit,ngase plaga e vitit 1913 ende kullonte gjak, mësuesit-patriotë në Kolesian e gjetiu në Lumë,nuk rreshtin së edukuari gjeneratat Lumjane me idenë se kjo ndarje tragjike e vitit 1913, do të shërbente si këmbanë kushtrimi për të gjithë shqiptarët, që këta të linin gjakderdhjet e vëllavrasjen për t’u bashkuar përgjithmonë me vëllezërit e tyre të gjakut. Ende herët në vitet e para të shkollës në Kolesian, Bajram Bajraktari po merrte inat  shtrigën Evropë…

Në vitin  e fundit të shkollës në Kolesjan, Bajrami do të mendonte sigurisht për të ardhmen e vet. Baba Nezir, në gjendje të mirë ekonomike i pat thënë që Bajarami të zgjidhte ku të donte për t’u shkolluar, por falë traditave të kahershme lumjane, vëllai më i vogël s’mund të merrte vendin pa u konsulltuar me vëllain më të madh.Asaj kohe vëllau i madh Muharem Bajraktari ishte në funksionin e lartë të Komandantit të Përgjithshëm të Xhandarmërisë Shqiptare,ndaj së toku me babën Nezir, Bajrami merr rrugën për në Tiranë. Ai do të mrrekullohej prej uniformës së bukur të vëllaut të madh dhe do t’i thoshte atij se donte të vazhdonte mësimet më tej.Ky e pati përqafuar Bajramin dhe disa muaj më pas,me shpenzimet e veta,e dërgon atë të vijojë mësimet e mesme, në një prej gjimnazeve në Romë. Edhe këtu do të binte në sy dashuria e madhe e Bajramit për dije, si edhe këmbëngulja për t’i përvetsuar këto dije në thellësinë e tyre.”Këtu mbaron gjimnazin me rezulltate të shkëlqyera dhe dekorohet me medaljen e artë, i jepet e drejta të vazhdojë studimet e larta në degën që dëshironte dhe me bursën e shtetit Italian, Bajrami për tre vjet vazhdon studimet e larta në Romë, në fakulltetin juridik”.(H.Vata “Portrete nacionalistësh” Prizren 200, faqe 50 ).

Pushtimi fashist i 7 prillit 1939,ashtu sikundër tek gjithë shqiptarët do të linte gjurmët e veta të dhimbjes edhe tek Bajram Bajraktari. Së bashku me dhjetra e dhjetra studentë të tjerë shqiptarë në Romë ai do të protestonte pranë selisë së kryeministrisë italiane,duke ngritur madje zërin lartë në mbrojtje të fateve të Shqipërisë.Por makina ushtarake e Duçes brenda pak ditëve mundi të deportojë në krejt viset shqiptare,me ç’rast kundërshtimi ishte vetëm gjakderdhje e kotë. Në vjeshtën e vitit 1939,shkon në Lumë, Muharrem Bajraktari pas disa vitesh largimi nga Shqipëria.Karakteri i paepur i këtij burri,natyrisht që nuk do të pajtohej me okupimin  e vendit, ndaj nis nga puna për ngritjen e çetave të para antifashiste.Komanda e lartë e trupave italiane në Shqipëri,duke njohur influencën e Muharremit në Veri të Shqipërisë,i ofron atij vende të rëndësishëm  në xhandarmërinë shqiptare, por ky nuk pranon,përkundrazi, në fillim të vitit 1940, nis nga luftimet e para kundër forcave italiane në Kukës, ka qenë kjo arsyeja që në verën e vitit 1940, familjen Bajraktari,fashistët italian e internojnë në Ballsh të Fierit,ndërsa Bajram Bajrakatrit i komunikojnë ndërprerjen e të drejtës së studimit. Me ndjenjë përgjegjsie për fatet e popullit të vet,Bajrami kthehet menjëherë në atdhe dhe pse dikush e këshilloj që t’i drejtohej me një letër mirënjohjeje shtetit italian për të vazhduar studimet. Me të zbritur në Vlorë udhëton drejt Ballshit dhe aty shmallet me prindërit dhe pjestarët e tjerë të familjes. Brenda javës merr rrugën për në Lumë dhe pasi merr bekimin e vëllait të madh,Muharremit, zë vendin e vet në çetën e luftëtarëve.21 vjeçar me një llogjikë të mprehtë,me një bagazh të plotë intelektual,ai fillimisht merr përsipër të agjitoj nëpër Lumë,se duhej ngritur e organizuar për tu ndeshur me okupatorin.Kjo veprimtari e gjërë e tij ka rënë edhe në sy të autoriteteve vendore.Në një dokument arkivor të kohës,me anë të të cilit prefekti i Kukësit njofton Ministrinë e Punëve të Brendshme,në Tiranë,pos të tjerave mësohet se; “Në lidhje me plagosjen e Adnan Zenelit,anëtar i Direktoriumit të Federatës së Partisë Fashiste shqiptare të këtushme, raportuer me telin tonë nr.1100, datë 3.8.1940,kemi nderin t’iu njoftojmë se nga hetimet tona të veçanta,ngjarja ash ba me shtytjen e Muharrem Bajraktarit, e prej kohës që ky asht në këtë qark punon për me ngjallë influencën e mëparshme ai vetë dhe me anën e vëllait Bajram Bajrakatrrit, të cilin asht tue e dërgue andej-këndej nëpër katunde për me pleqnue”.(A. Q. i shtetit-Tiranë.Fondi 152/2 dos.176,fleta 28)

Në verën e vitit 1942 çeta nacionaliste e Lumës numëronte rreth 300 burra të armatosur nën komandën e Muharrem Bajraktarit,ndërsa sipas kuvendeve të besës të lidhur në fshatrat Ujmisht, Lusën, Surroj, Kolesjan, Vilë, Kroi i Bardhë,Gostil,Bicaj,etj,nëse jepej kushtrimi atëherë keto forca do të numëronin mbi 1500 vullnetarë shqiptarë.Okupatori italian gjatë kësaj kohe ndiqte me vëmendje lëvizjen e çetës nacionaliste të Bajraktarit e cila i pat shkaktuar jo pak dëme,ushtrisë së tij,duke e goditur në terrene të thyera malore dhe në befasi të plotë. Roma e cila në vitet 1940-1942 ishte në kulmin e lavdisë së saj,asesi nuk mund të duronte që një grup nacionalistësh shqiptarë, të mbanin të lirë krahinën strategjike të Lumës. Mbi bazën e një plani konkret,në mesin e shtatorit 1942, ata e rrethojnë Lumën me rreth 2000  forca të paisura me armatim modern të kohës.Të informuar se Muharrem Bajraktari ndodhej në Ujmisht në mesnatën e 22 shtatorit 1942, një kompani e specializuar për luftime alpine i drejtohej në fshehtësi kullave të Bajraktarit. Ndërkaq, Muharremi, shpejton të lërë Ujmishtin duke lënë shtigje të lira dhe vendoset në pozicione të favorshme përkundruall Ujmishtit duke lënë aty rreth 40 burra, midis të cilëve Bajram Bajrakatrin, Dostan Rexhepin dhe Hamz Rexhepin, Tasim Spahinë etj.Forcat italiane ende pa iu afruar mirë kullave të Muharremit u goditën prej karakolleve të saj,ndërsa një orë më pas, u vunë midis dy zjarreve me ç’rast u larguan nga sytë këmbët duke lënë muret e kullës dhjetra të vrarë dhe të plagosur. Por edhe nga nacionalistët pati dëme.Autoritetet vendore njoftojnë atë ditë Tiranën se: “Më 23 shtator 1942, një kompani milicësh fashistë u ndesh në Ujmisht me pjestarë të çetës së Muharrem Bajrakatarit. Gjatë shkëmbimit të zjarit midis tyre u plagosën Bjaram Bajraktari,Rexhep Tusha e Nezir Osmani, i cili u  transportua në spitalin e Prizrenit ku dhe vdiq”. (Arkivi Qëndror i Shtetit – Tiranë. Fondi Ministria e Punëve të Brendshme,dosja 292/1,dok 1228 ).

Ndonëse forcat italiane e patën rrethuar Lumën, ato nuk mundën të hynin në zemër të saj, pasi i trembeshin influencës së Muaharrem Bajraktarit,në mënyrë të veçantë reputacionit që ai gëzonte si në Kukës ashtu edhe në Dibër. Komanda e lartë e Trupave italiane në Shqipëri, parashihte në goditjet e Muharrem Bajrakatrit disa reaksione zinxhir, me ç’rast mund të humbiste më shumë se sa fitonte. Në këtë mënyrë okupatori italian vuri në dispozicion mjete dhe njerëz për të marrë vesh se ku fshihej Bajraktari dhe cilët ishin njerëzit që e mbështetshin atë. Qarqet e shërbimit sekret italain u pëpoqën të infiltrojnë edhe dy-tre shqiptarë të paguar në radhët e nacionalistëve lumjanë, por Bajrakatari,falë intuitës dhe eksperiencës ai i pati shmangur të huajt nga radhët e formacioneve që drejtonte. Këtej e tutje pika më e fortë e Muharremit do të mbetej vëllai i tij Bjarami,i cili ndonëse i ri në moshë, kishte pjekurinë dhe guximin për të marrë përsipër detyra tejet delikate. Vetë Bajrami përpiqej në çdo mënyrë, t’i lehtësonte vëllait të tij barrët e rënda që nisnin ç’prej mundimeve të rezistencës kundër fashizmit e deri tek aleancat e mundshme midis nacionalçlirimtarëve dhe nacionalistëve,apo vetë nacionalistëve të trevave të ndryshme për të patur të sigurtë krahët e tij.Muharremi veç aleancave me prijësit dibranë,vendosi marrëdhënie të ngushta edhe me mikun e vjetër të tij, prijësin popullor Abaz Kupin.Të dy burrat nacionalistë i dhanë besën njëri-tjetrit për ta ndihmuar shoku-shokun në luftën e përbashkët për të shporur okupatorin italian. Por mësohet se në mjaft prej bisedimeve që Bajraktari zhvillonte me Kupin, ai përfaqsohej nga vëllai i tij, Bajrami. Kështu në një telegram që MPM e Shqipërisë i dërgonte nënprefekturës së Burrelit pos të tjerave e bënte me dije se “Muharrem Bajraktari ndodhej në rajonin e asaj nënprefekture në shtëpinë e Brahim, Gjoçit ose Brahim Gjoçi e din se ku ndodhet i fshehur Muharrem Bajrakatri. Kurse Bajrami i vëllai i tij me 7 vetë gjendet në atë rajon, ka ardhë apostafat me u takue me Abaz Kupin…”(A. Q. i Sh. –Tiranë. Fondi Ministria e Punëve të Mbrendshme, dosja 292/1,nr.7/195).

Gjatë vitit 1943, Bjaram Bjarakatri zhvillon disa luftime të sukseshme me çetën e tij,disa herë larg formacioneve luftarake të drejtuara nga Muharremi.Si bashkëpuntor të vetin ky do të kishte pranë kurdoherë,togerin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,Tahsim Spahiun (nipin e Islam Spahisë) akademistin e shkëlqyer të Romës, i cili më pas u bë tmerr i forcave komuniste të Tiranës. Por ai do të përfaqsoj vëllanë e tij Muahrremin, në takime të ndryshme edhe me misionet britanike në Shqipëri Me fjalën e tij të matur e të butë ai do të demaskonte sidomos qëndrimin e klikës komuniste të Tiarnës, e cila pati shpërndarë fjalë kinse Muahrremi mbante lidhje me gjeneralin serb Drazha Mihajlloviqin,me anë të kësaj demagogjie nacionalçlirimtarët shqiptarë përpiqeshin të minimizonin sadopak influencën e Bajraktarit në malësitë e Gjakovës por pa sukses. Në fillimshtatorin e vitit 1943, lavdia e Musolinit ishte zbehur aq shumë sa radiot në Evropë çdo ditë flisnin mbi panikun e forcave “të humbura” të imperatorisë. Forcat italiane të dislokuara në Kukës, midis të cilave dy batalione të divizionit Puglia, një regjiment granatier 72, një repart i regjimentit të artilerisë dhe forca të tjera të milicisë fashiste, muarën urdhër të largoheshin nga Kukësi për në Prizëren. Muharem Bajrakatri sapo mëson lajmin dërgon menjëherë përfaqsuesin e vet pranë komandës italiane në Kukës, duke i kërkuar asaj komande që trupa të largoheshin por armatimin,municionin dhe mjetet e tjera të logjistikës t’ua dorëzonin forcave nacionaliste.Kur komanda italiane nuk pranoi, nacionalistët e Lumës dhanë kushtrimin duke i bërë  një rrethim të shpejtë Kukësit.

Më 8 shtator 1943, qyteti verior i Shqipërisë u gjend i rrethuar krejtësisht prej forcave nacionaliste të cilat udhëhiqeshin prej Muharrem Bajrakatrit, Bajram Bajraktarit,Tahsim Spahisë, Dostan Rexhepit, Hmaza Rexhepit, Sadik Spahisë, Imer Miftarit, Liman Peposhi etj.Muharrem Bajrakatri kishte vendosur shtabin e vet luftarak në Rambas dhe jo pa qëllim pat ngritur në një kodër të dukshme, flamurin kuqezi për t’u bërë thirrje gjithë kuksianëve të bashkoheshin në këtë përleshje vendimtare me pushtuesin italian.Meqenëse sulmi mbi gazermat italiane paraqiste shumë rreziqe dhe vështirësi, Muharremi caktoi aty të vëllanë, Bajramin të udhëhiqte rreth 100 burra, ndërsa forcat e tjera i përqendroi përgjatë rrugës Kolsh-Kukës-Prizren ku forcat italiane kishin marrë urdhër për t’u tëhequr. Në të vërtetë sikundër dëshmojnë edhe dokumentet arkivore,goditja deçizive iu bë italinëve në vendin e quajtur Kulla e Lumës. Këtu falë një mbrojtjeje të shkëlqyer natyrore nacionalistët shqiptarë organizuan një pritë perfekte dhe duke shfrytëzuar elementët psikologjike të armikut ( ai po largohej turpshën nga Shqipëria) hapën zjarr të fuqishëm,nga të gjithë krahët. Beteja në Kullë të Lumës zgjati rreth dy orë, me ç’rast qindra ushtarë italian,në pamundësi të rezistonin u dorëzuan. Mjaft prej forcave vullnetare lumjane,mundën të hynin në gazermat italiane ku muarën armë dhe paisje të tjera ushtarake, por me urdhër të Bjaram Bajraktarit,asnjë prej ushtarëve apo oficerëve italian nuk u prek. Njohës i thellë i gjuhës italaine, Bajrami u takua me komandantin italian të garnizonit dhe kur ky i spjegoi se donin të shkonin në Prizren, vetë Bajrami organizoi një kompani të vullnetarëve shqiptarë,për të përcjellë robërit italin të luftës deri në qytetin e Prizrenit. Ngase më 23 shtator 1943 në ndihmë të garnizonit italian patën vajtur edhe dy kompani gjermane, pati të vrarë dhe rrobër edhe prej këtyre,ndaj Bajrami u kujdes që në këtë rast të ishin gjithashtu të sjellshëm me robërit e luftës. Luftimet në Kullë të Lumës,gjaku i derdhur aty nga të dy palët ndërluftuese, treguan edhe një herë se asnjë okupator nuk mund të ndihej rehat në Lumën heroike.Telegramet që venin e vinin nga Roma e Berlini, flisnin për heroizmin e çetave lumjane të udhëhequra nga Muharrem Bajrakatri, si edhe qëndrimin dinjitoz të vëllaut të tij,me robërit italian dhe gjermanë të luftës. Vetëm një ditë pas tërheqjes së ushtrisë italiane në drejtim të Prizrenit, në Kukës mbërriti një oficer gjerman,i cili donte të takohej me Muharrem Bajraktarin, meqë ky nuk ishte në qytet, me anën e një korieri,Bjaraktari i mbrriti një letër ku midis të tjerave i thuhej të shkonte në Prizren, me sa trupa të donte, për të biseduar rreth një bashkëpunimi të mundshëm. Edhe në këtë rast Muharremi thirri të vëllanë, Bjaramin për t’u konsultuar. Dy ditë më pas, korrieri i Bajramit shkon në Prizren dhe bën me dije komandën e lartë gjermane aty që ky flirt nuk mund të ndodhte, dhe prej atij momenti gjermanët do të bindeshin se vëllezërit Bajrakatri nuk do t’i kishin asnjëherë në krah të tyre. Por edhe vetë Bajrakatrët duke parë strategjinë e ushtrive të RAIHUT TË TRETË dhe sidomos sulmet e tij mbi Jugosllavinë dhe Greqinë, askurrë nuk e konsiderroi Gjermaninë si rrezikun kryesor për shqiptarët,duke parë përtej realiteteve,vëllezërit Bajraktari u pëpoqën me çdo kusht të lidheshin aleat Forcat Aleate për të ndërtuar një Shqipëri sipas modeleve demokratike perëndimore. Por fitorja e klikës komuniste shqiptare, ka ndërprerë veprimtarinë kundër okupatorit të nacionalistëve shqiptarë. Këtej e tutje ata po përndiqeshin prej nacionalçlirimtarëve, kinse kishin bashkëpunuar me armikun. Në të vërtetë sipas ideve bollshevike, këta nacionalistë duhet të zhdukeshin pasi ëndërronin të shpinin Shqipërinë në civilizimin perëndimorë dhe jo në Lindjen komuniste,pra larg  pushtet “model” të Sovjetëve. Çeta e muharrem Bajraktarit, në të të cilën ndodhet edhe i vëllai, Bjarami, tani merr rrugën e maleve duke mbajtur gjallë frymën e lëvizjes ilegale të rezistencës atnikomuniste. Më 13 qershor 1946, ndërsa nacionalistët e udhëhequr nga Muharrem Bjaraktari po përpiqeshin të kalonin në kufijtë helen,përmes maqedonisë shqipatre, në vendin e quajtur Buvari u rrethuan nga mijëra forca partizane serbosllave. Në këtë betejë Bajrami tregon heroizëm të rrallë duke mundur të ndihmojë vëllanë e vet, Muharremin. Por këtu ai plagoset rëndë dhe bie në duart e forcave të OZN-ës jugosllave.Për dy vjet me radhë, Bjaram Bajraktari mbahet në qelitë e Idrizovës famkeqe të Shkupit. Dhe me kërkimin e klikës komuniste të Tiranës për ekstardimin e Bajramit në Shqipëri për ta dënuar atë sipas gjyqeve komuniste të montuara ai ekstaradohet. Ky bashkëpunim kolaboracionist i komunistëve shqiptarë dhe ato sllav ka qenë në nivelet më të larta në atë kohë.

Segmentet e krimit shtetëror shqiptar e mbajnë gjithashtu dy vjet në hetuesinë e tyre për ta dënuar më pas me vdekje,me pushkatim.Akuza e klikës komuniste sikurdoherë, niste nga frazat stereotipe “ka bashkëpunuar me organizatat tradhëtare të ballit dhe të legalitetit. Lidhur me pushkatimin e tij, bashkëvuajtësi politik Sheh Ali Bojdani, pos të tjerave do të rrëfente; “Në orët e vona të natës së zezë 20 shtator 1949 që ne po flinim gjumë,futet në dhomë me rrëmbim një oficer dhe ca policë duke bërtitur ;Bajram Bajrakatari çou e vishu ! Bajrami i qetë ngrihet në këmbë,heq trikon e leshit që e kishte veshur dhe ia dhuron një mirditori të dhomës që ishte i sëmurë dhe i zhveshur.Tenton të përqafohet me shokët e dhomës,por policia nuk e lejoi. Pastaj na drejtohet me këto fjalë ;”Lamtumirë burra se sonte ndërron jetë Bjaram Bajrakatari,ma bani hallall dhe gjaku im hallall i qoftë Shqipërisë, Rroftë Shqipëria !”.Kjo natë pushkatimi koincidon me 30 vjetorin e lindjes. Duke ngelur sot e kësaj dite varhumbur si shumë patriotë shqiptarë që i pushkatoi diktatura, padrejtësisht në moshë shumë të re i ndërpritet jeta këtij intelektuali patriot, duke lënë familjen pa shtëpi,në varfëri e vetmi.Djalin e vetëm 5 vjeçar Nezirin dhe bashkëshorten e re Humen. Këto gjatë gjithë kohës jetuan në shtëpinë e babës së bashkëshortes Isen Ahmetit nga fshati Myç-Mamez. Edhe pas gjithë atij kalvari vuajtjesh dhe në moshën 80 vjeçare Huma vazhdon të jetojë ende me djalin, nipat dhe mbesat e saj”.(H.Vata”Portrete nacionalistësh”Prizren 200, faqe 54 ).

Një jetë e shuar rinore, një var i pagjetur i një nacionalisti, një kokë loti i derdhur i një fëmije për babanë e paparë, një shpresë e një zonje dhe pas 8 deceniesh vetëm për gjetjen e eshtrave të burrit të saj,të rrefen madhështinë e madhe të Nacionalizmit Shqiptar, ajo ndjenjë e aj shpirt që të mban në jetë edhe atëherë kur më jetë s’të duhet.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen