Fatos Mero Rrapaj lindi më 6 korrik të vitit 1930 në fshatin Gumenicë të Vlorës. Është mbledhës folklori dhe shkrimtar shqiptar.Arsimin fillestar e mori në fshatin e lindjes. Që në moshë të vogël doli partizan dhe me armë në dorë mori pjesë aktive në luftën kundër forcave nazifashiste. Megjithatë, pas çlirimit të vendit, u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij kundër nacionalizmit e shovinizmit sllavo-grek.
Tërë jetën deri sa doli në pension ka punuar në punë të ndryshme të zakonshme, sepse talenti dhe aftësitë e tij mbetën të pavlerësuara nga strukturat drejtuese të ish diktaturës komuniste. Fatos M. Rrapaj, që kur ishte nxënës në shkollën e fshatit, në periudhën kur ishte partizan e më vonë, gjatë tërë jetës, iu përkushtua me mish e me shpirt mbledhjes së vlerave folklorike, onomastike e etnografike të të gjithë trojeve shqiptare, sidomos atyre të Çamërisë. Ka botuar disa libra, por të njohur në qarqet akademike e elitat shoqërore e artistiko-letrare shqiptare, e bëri vëllimi me rreth 800 faqe “Këngë popullore të Çamërisë”, i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 1983, me recensën dhe parathënien e shkrimtarit Ismail Kadare.
Ka bashkëpunuar me shumë nga organet letrare shqiptare për botimin e shkrimeve të tij, veçanërisht me revistën “Krahu i shqiponjës” si dhe gazetat “Drita”, “Kosova” e “Çamëria”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA). Pjesa më e madhe e veprës së tij ka mbetur në dorëshkrim si: “Proza popullore e Çamërisë”, me rreth 3000 faqe, “Fjalori onomastik i Epirit në zhvillime”, Këngë e prozë popullore” nga Kosova, Mirëdita, Kruja, Kosturi e Follorina, “Doke e zakone nga Çamëria”, “Fjalë të urta nga Korça e Dibra”, Anekdota popullore” në pesë vëllime etj., etj.
Titujt e veprave
- “Te Sheshi i Flamurit”, me këngë popullore labe, Tiranë, 1972
- “Këngë popullore të Çamërisë”, Tiranë, 1983
- “Këngë popullore të Labërisë”, Tiranë, 1991
- “Rënkimet e Çamërisë”, tregime pellazgo-ilire e këngë çame, Tiranë, 1995
- “Fjalori onomastik i Epirit” I, Tiranë, 1995
- “Këngë popullore të ndaluara”, Tiranë, 1996
___________
Nga WIKIPEDIA

Faruk Myrtaj është lindur më 4 mars 1955, në Selenicë të Vlorës ku edhe përfundoi, më 1974, shkollën e mesme të përgjithshme (gjimnazin). Për shkak të sistemit politik të kohës, iu privua për një kohë të gjatë e drejta për studime të larta. Iu desh të kryente më parë shërbimin e detyrueshëm ushtarak (2 vjet) dhe të punonte (për 5 vjet) punëtor në minierën e bitumit në Selenicë. Studimet e larta i kreu në vitet 1983-1988, prej të cilave u diplomua inxhinier minierë (markshajder), në Universitetin e Tiranës. Si inxhinier punoi një vit në minierën e qymyrgurit në Memaliaj, Tepelenë.
Në nëntor 1989 shkon në Tiranë, si gazetar në “Zëri i Rinisë”. Prej atëherë ka punuar në fushën e gazetarisë, në disa gazeta si “Alternativa”, “Rilindja Demokratike”, “Republika”, “Albania”, nëndrejtor i përgjithshëm në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSh.), zëdhënës shtypi në Ministrinë e Kulturës Rinisë e Sporteve dhe së fundi në Agjencinë e Tregtimit dhe Shpërndarjes së Librit Artistik e Shkencor, Tiranë.
Prej fillim viteve '80, ka qenë i pranishëm në shtypin dhe letërsinë shqip me artikuj në të përditshmet dhe me librat e vet.
Më 3 nëntor 2003 emigroi për në Toronto, Kanada, ku jeton bashkë me gruan, djalin dhe vajzën e tij.
Prej vitit 2004 është anëtar i “The Writer Union of Canada ” dhe “PEN Canada”.
Që prej botimit të librit të parë në vitin 1985 ( "Dielli i nëntokës”, poezi) ka botuar në vazhdimësi poezi, tregime të shkurtra, novela, ese dhe përkthime, përfshirë disa autorë kanadezë.
Disa nga librat e këtij autori janë:
- "Dielli i nëntokës” - poezi (1985, Tiranë, Shqipëri) dhe
- "Rroba e fjalëve gjithnjë ngushtë më rri" - poezi, (1991, Tiranë, Shqipëri).
- "Njerëz që kam njohur", - tregime (1987, Tiranë, Shqiperi);
- "Marrëveshje për të jetuar", - tregime, (1989, Tiranë, Shqipëri);
- “Nudo Zyrtare" - tregime, (1996, Tiranë, Shqipëri) - Vlerësuar me Çmimin “Libri më i mirë me tregime për vitin 1996 ”- tregime, dhënë nga Ministria e Kulturës dhe Sporteve, në vitin 1997;
- "Njerëzit janë tepër"- tregime, (2000, Shkup, Maqedoni);
- "Luftëtarët vriten në paqe"- tregime, (2003, Prishtine, Kosovë);
- “Hijet e Virgjëreshave"- tregime, (Arbëria, Tiranë, 2006).
- “Qyteti i Ministrave”- novela, (1998, Tiranë, Shqipëri).
- "Atdhè Tjetër"- roman, ('Milosao', Sarandë, 2012).
- "Përse druhemi nga nacionalizmi" - ese, (1995, Tiranë, Shqipëri) dhe “Markezë shqiptarë” (2002, Tiranë, Shqipëri).
Ka përkthyer në shqip nga anglishtja:
- “Toleranca, pragu i paqes” (”Tolerance, the threshold of peace” Betty Reardon, UNESCO);
- “Pushteti i G.G.Markez” (”The power of G.G.Marquez”, Jon Lee Anderson);
- “William Sarojan, tregime e novela” ("The best stories of William Saroyan”);
- “Stina e mallit” (”No great mischief”, Alistair MacLeod);
- “Harpa e barit' (”The grass harp", Truman Capote)
JUSUF VRIONI, përkthyes
Përkthyes, shkrimtar, prozator, njeriu që e shkriu tërë jetën e tij për të bërë të njohur letërsinë shqipe nëpër botë. Ai që përktheu në gjuhë të huaj librat e Migjenit e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Jusuf Vrioni lindi më 16 mars të vitit 1916 në Korfuz. Në Francë, Jusufi mbaroi studimet në tre universitete. Më pas më 5 gusht të vitit 1939, ai kthehet në Shqipëri. Emërohet si punonjës i Ministrisë së Jashtme në Romë. Në mars të vitit 1945, i jepet urdhri i mobilizimit duke e emëruar partizan në Brigadën e 16-të Sulmuese. Kur komunistët morën pushtetin dhe në valën e arrestimeve të atyre, familjet e të cilëve kishin qenë të lidhur me Zogun, Jusufi u arrestua. Më 13 shtator 1947, futet në burg dhe në të njëjtën kohë i internojnë të ëmën në Fier. Në gjyq del pas tre vjetësh dhe dënohet me 15 vjet heqje lirie. Një nga akuzat ishte ajo e agjenti të Francës. I burgosuri Jusuf Vrioni mori pjese ne tharjen e kënetës së Tërbufit dhe në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit. Për sjellje të mirë, ai lirohet më 3 dhjetor të vitit 1959. Emërohet ambasador në Francë, ku vdes më moshën 85-vjeçare.
VISAR ZHITI, poet
Visar Zhiti lindi më 2 dhjetor 1952 në Durrës dhe u rrit në Lushnjë, ku kreu edhe gjimnazin. Ka studiuar Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Shkodrës e disa vite punoi në Kukës si mësues. 1973 provon të botojë dorëshkrimin poetik Rapsodia e jetës së trëndafilave. Por më 8 nëntor 1979 arrestohet pas denoncimit që i bënë redaktorët e librit të tij në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, që e cilësonin si armik dhe akuza ndaj tij ishte: Nxirës i realitetit kundra realizmit socialist dhe poezi me ekuivoke kundra partisë e udhëheqësit të saj”. Edhe një kartolinë që ai ja kishte dërguar mikut të tij poetit Frederik Reshpeja, ju quajt armiqësore. Për ta kopsitur mirë dosjen e tij, Sigurimi detyroi disa mësues, që të dëshmonin kundra kolegut të tyre të shkollës. Më 1980 ai dënohet më 10 vjet burg. Nga këto Visari mundi që të fitojë me punë dhe nga amnistitë afro dy vjet, duke dalë nga burgu në vitin 1987. Atë e dërguan të punonte si punëtor në fabrikën e tullave në Lushnje, pasi i ishte hequr e drejta e profesionit të mësuesit ku punoi deri në vitin 1991.
MUSINE KOKALARI shkrimtare
Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Më 12 nëntor 1944 u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie si desidente. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen. Sëmuret më 1981 nga kanceri dhe vdes pas dy vitesh.
MITRUSH KUTELI, shkrimtar
Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Është cilësuar si shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist mjaft i mirë. Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Studimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin “Doktor i shkencave ekonomike”. Më 1942 u kthye në Shqipëri, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë si përkthyes. Në fillim të vitit 1947, gjatë fushatës së gjerë të arrestimeve të elitës intelektuale shqiptare, dënohet më 10 vjet burg si kundërshtar i regjimit komunist. Nga ky dënim kalon dy vjet në burgjet politike dhe më pas amnistohet dhe fillon të punojë si përkthyes pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Mitrush Kuteli i cili ka dhënë një kontribut në letërsinë shqiptare vdiq më 4 maj të viti 1967 në Tiranë.
ARSHI PIPA, gazetar, kritik
Do të duhet që ti vinin vitet e demokracisë që ai të vlerësohej, por këtë herë jo si diversant. Arshi Pipa ka lindur në Shkodër më 1920. Mbaroi shkollën në 1942 dhe mori gradën e doktorit në filozofi. Në 1941, u emërua mësues filozofie në liceun shtetëror të Tiranës. Më pas në prill 1946, u arrestua, për shkak të kundërshtimit të tij për të vepruar në përputhje me politikën e regjimit shqiptar. Kështu vitet 1946-1956, i kalon në burgjet dhe në kampet e punës së detyruar. Në 1957-ën u arratis për në Jugosllavi, ku jetoi si refugjat. Gjatë asaj periudhe, përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine. Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Madje në këtë shtet, Arshi Pipa ka qenë një nga pedagogët më të mirë ku ka dhënë gjuhë italiane dhe që mbante mbi supe edhe grada si doktor.
GJON SHLLAKU, përkthyes
Lindi në qytetin e kulturës shqiptare në shkodër më 24 mars të viti 1923. është cilësuar si një ndër përkthyesit më të mirë. Por jetë e tij do të ndryshonte kur më 9 dhjetor 1945 kur ishte student në degën e Teologjisë u arrestua si anëtar i organizatës “Bashkimi shqiptar” për agjitacion dhe propaganda kundër shtetit komunist. U dënua me 101 vjet heqje lirie, por u lirua pas 11 vitesh. Në vitet e burgut Gjon Shllaku duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja përktheu “Punët e Apostujve” tekste biblike nga origjinali, greqishtja e vjetër, “Apokalipsi”. Në vitin 1965 ai përktheu nga origjinali greqishte e vjetër “Iliaden” e Homerit. Më vonë botoi fjalorin “Helenik” me 20 mijë fjalë greqishte e vjetër-shqip. Është pikërisht profesor Gjon Shllaku, përkthyesi i 50 kryeveprave botërore në të gjitha gjinitë tragjedi, komedi, poezi, prozë, ese, histori etj. Gjon Shllaku, helenisti madh, është edhe fitues i diskut të argjendë nga qeveria greke, si një ndër përkthyesit më të shquar të letersisë antike greke. Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare.
At ANTON HARAPI, shkrimtar
Qenia e tij kundër regjimit komunist do ta dënonte atë me vdekje. Anton Harapi, ka lindur në Shirokë afër Shkodrës. Mësimet e larta i kreu në Vjenë të Austrisë. Shërbeu së pari si famullitar në Grudë të Malit të Zi, më vonë si drejtor i Kolegjës Françeshkane të Shkodrës, edhe si drejtor dhe profesor i filozofisë në gjimnazin ”Illyricum” dhe në vitet 1941-43 si provincial i françeskanëve. Më 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të lartë të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944.Pas fitores së Ushtrisë nacional-çlirimtare ai u detyrua të fshihej në pyjet e thella të Dukagjinit, në katundin Pulth-Plon, dhe prej andej ai bëri përpjekje për të organizuar një rezistencë nacionaliste kundër pushtetit komunist. Në qershor 1945 prifti antikomunist, kapet në shtëpin ku kishte marrë strehim. Ai u zbulua për arsye se kishte lënë një protezë dhëmbësh në një gotë uji mbi parmakun e oxha ut. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës speciale në Tiranë, Atë Anton është shpallur si kriminel lufte dhe armik i popullit, sabotator i pushtetit. Ai u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua po atë vit.
VINÇENST PRENUSHI, poet
Emri i tij nuk do të hiqet nga lista e artistëve të cilët u dënuan nga diktatura, pa pasur një akuzë të qartë dhe bindëse. Mjafton te hidhje një fjalë kundër qeverisjes komuniste dhe veç burgut do të internohej edhe familja. Këtë fat ka pasur edhe poeti Vinçens Prenushi. Ai lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë. U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. Boton më 1911 në Sarajevë vëllimin e parë të “Visaret e kombit”, me titull “Kangë popullore gegnishte”. Përktheu gjithashtu disa vepra nga Dante, Ëisseman, Slenklevicz, etj. Dënohet pa faj me 20 vjet burg më 1947. Por qëndrimi i tij në burg do të zgjaste vetëm dy vjet. Kjo pasi vdes më 19 mars 1949 nga astma. Më vonë në vitet e demokracisë ai do të shpallet “Martir i Demokracisë” më 8 maj 1993 në Durrës.
JORGO BLLACI, poet
Edhe Jorgo Bllaci një ndër poetët më të mirë të vendit nuk i shpëtoi përndjekjes nga regjimi komunist. Jorgo Bllaci ka lindur me 1938 në Gjirokastër. Ai ka studiuar për Gjuhë-Letërsi shqipe dhe ka punuar së pari mësues e pastaj përkthyes. Në vitet ’50 ai dënohet nga regjimi komunist me dhjetë vite burg, për shkak të bindjeve të tij politike demokrate. Por kalvari i vuajtjeve për Bllacin nuk do të mbaronte këtu. Pas daljes nga burgu në vitet 1964-1967, Bllacin regjimi e dërgon të punojë si punëtor ndërtimi. Më 1990 ai u kthye përsëri në shtëpinë Botuese “Naim Frashëri“ ku punon edhe sot. Jorgo Bllaci ka botuar vëllimet me poezi “Ligjërimet e Pyllit“,(1964) dhe “Epika e trëndafilave” (1990). Gjithashtu ka shqipëruar vepra poetike autorësh të njohur, si Shevcenko, Pushkin, Esenin, Gëte, Du Fu, Frost, vepra në prozë, midis të cilave romanet “Rudini“ dhe “Ujrat pranverorë“ të Turgenievit, si dhe disa libra me poezi për fëmijë.
PETRO MARKO, shkrimtar
Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes njeriu dhe krijuesi – Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuara dhe më të munduara nga regjimi komunist. Edhe pse ishte një ndër vullnetarët e luftës së Spanjës dhe i burgosur i fashizmit, kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ai shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist, për të cilin Petro Markoja kishte luftuar nëpër Evropë dhe Shqipëri më se 10 vjet rresht. Kjo për të vetmin shkak se nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë kryesisht nga Beogradi.
DAUT GUMENI, poet
Daut Gumeni është cilësuar si poeti që mbushi qelitë e burgjeve me këngët e lirisë. Ai lindi më 11.03.1943 në Gusmar, Tepelenë në një familje me tradita atdhetare. Në vitet 1957-1961 mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën pedagogjike ”Pandeli Sotiri” në Gjirokastër. Që në shkollë i shfaqi idetë e tij kundër ideologjisë komuniste. Në këto vite filloi të shkruajë poezi e të konfrontohej me skematizmin e letërsisë së realizmit socialist. Në vitet 1961-1967 punoi si mësues i matematikë-fizikës në rrethin e Tepelenës. Ishte 24 vjeç, kur, në vitin 1967, arrestohet për agjitacion e propagandë kundër Partisë e Pushtetit Popullor dhe për 23 vjet e gjysëm, vuajti dënimin e rreptë të të burgosurit politik, deri në vitin 1990. Një nga kryeakuzat ishte se kishte shkruar poezi reaksionare: antikomuniste e antisocialiste. Pas viteve ’90 ai ka punuar në disa poste të ndryshme shtetëtore.
VILSON BLLOSHMI, poet
Kur thua Vilson Blloshmi nënkupton edhe Genc Lekën, dhe anasjelltas. Ata lindën në muajin Mars. Vilsoni, lindi më 18 mars të vitit 1948, ndërsa, Genci më 23 mars të vitit 1941. Që të dy ishin nga i njëjti fshat, nga Bërzeshta e Librazhdit, që të dy ishin poetë. Ashtu siç kishin lindur në të njëjtin muaj, ata patën të njëjtën vdekje dhe në të njëjtën natë. Vilson Blloshmi u pushkatua mesnatën e 17 korrikut të vitit 1977, për të vetmin “faj”, se kishin lindur poetë. Të dy poetët e kallur nën dhe u lanë në harresë deri në shembjen e diktaturës, ndërsa poezitë e tyre u shpallën heretike. Vilson Blloshmi rridhte nga një familje patriotike. Ai fliste frëngjisht dhe anglisht në mënyrë të shkëlqyer. Shkruante poezi, por edhe përkthente poetët më në zë perëndimorë, sidomos ata francezë. Akuza kryesore ndaj tij, ishte poezia “Saharaja”, ku ai e simbolizon Shqipërinë të shkretë dhe pa miq e pa shokë, por Vilsoni u akuza edhe pse kishte thënë se, “që të bëhesh njeri i afirmuar, duhet të dish edhe gjuhë të huaja”.
GENC LEKA, poet
Genc Leka, ishte një mësues shembullor, por për probleme të biografisë e çuan në punë ndërtimi. Edhe pse punonte shumë, ai gjente kohë që të shkruante edhe poezi. Në aktakuzë ishte shkruajtur se ai ka bërë agjitacion, duke u shprehur se, “normat janë të larta dhe shpenzimet e ulëta sa mezi jetohet”. Ai u akuzua për poezi pesimiste dhe jo realiste, sipas prokurorit, “poezitë shprehnin dëshpërim”. Interpretimi i poezive e rëndoi akuzën. Edhe poezitë e natyrës cilësoheshin si politike. Genci dhe Vilsoni, në mesnatën e errët të 17 korrikut 1977, u pushkatuan së bashku në një largësi prej rreth 5-6 km në largësi të Librazhdit, në një humnerë që quhet “Përroi” dhe “Firarit”. Për të dy këta poetë është thënë nga shkrimtarët më të mirë se kishin një talent të jashtëzakonshëm në të shkruar. Dhe nëse do të ishin ende gjallë Shqipëria do të kishte edhe dy kollosë të tjerë të letrave shqipe.
KASËM TREBESHINA, shkrimtar
Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve. Për këtë qëndrim u burgos dhe veprat i mbetën në dorëshkrim. Letra e tij “Promemorje” për Enver Hoxhën, shkruar më 5 tetor 1953, denoncon vendosjen e pushtetit “njëdorësh” në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe instalimin e Metodës së realismit socialist të cilën vetë Kasëm Trebeshina e identifikon me një çensurë nga më të çuditshmet. “Stina e stinëve”, është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, e cila ka tërhequr vëmendjen e kritikëve dhe të studjuesve të letërsisë. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës, ndonëse nuk u botua, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (në vitet ’90). Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.
KAPLLAN RESULI, shkrimtar
Kapllan Resuli është pa dyshim një nga shkrimtarët dhe intelektualet më të përfolur, më të sulmuar, më të blasfemuar, më të polemizuar në botën shqiptare. Ai akuzohet edhe si pansllav, por nga ata tjetër cilësohet si një ndër shkrimtarët atdhetarë më të shquar. Vepra më e njohur e tij është “Tradhëtia, megjithëse shumë pak nga veprat e tij janë botuar në Shqipëri. Kapllan Resuli dënua me dhjetë vjet burg nga regjimi komunist për shkak se pikëpamjet e tij nuk korrespondonin me regjimin e E. Hoxhës. Resuli ka pranuar se ai është i majtë, por jo me komunizmin që u ngulit në Shqipëri të cilin ai e quajti komunizëm banditesk, çka i kushtoi shumë rëndë. Pas viteve ’90 edhe pse si Presidenti i asaj kohe, Sali Berisha, por edhe më vonë ish-kryeministri Fatos Nano i kanë kërkuar falje Resulit në emër të popullit shqiptar dhe që të kthehej në atdhe, ai vazhdon të jetojë të në Zvicër.
FATOS LUBONJA, gazetar
Fatos Lubonja është një ndër publicistët, humanistët dhe shkrimtarët të më shquar shqiptar. Ai lindi në Tiranë në vitin 1951 dhe mbaroi studimet për fizikë në vitin 1974 në Universitetin e Tiranës. U akuzua dhe arrestua për shkrimet që iu gjetën të fshehura, për agjitacion dhe propagandë kundër regjimit dhe për to u dënua 7 vite burgim. Në vitin 1979 u arrestua sërish dhe u dënua sërish edhe 16 vite të tjera burgim, me akuzën si pjesëtar i një organizate kundër revolucionare. Nga burgu u lirua në vitin 1991, pas shtatëmbëdhjetë vitesh burgim. Nga koha e lirimit gjer në vitin 1993 punoi si sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Në vitin 1994 themeloi revistën “Përpjekja”. Në vitin 1997 u zgjodh lider i Forumit për Demokraci. Tashmë ai është një nga publicistët më të njohur dhe më peshë në vend.
HAVZI NELA, poet
Poeti kryengritës, nga Kollovozi i Kukësit, Havzi Nela (1934 – 1988), ishte njëri nga ata që s`u pajtua asnjëherë me të keqen, që solli dhe po e sillte vazhdimisht regjimi komunist në Shqipëri gjatë viteve të sundimit të tij. Këtë të keqe ai e kishte vërejtur që herët. Pasi që kishte kryer Shkollën Pedagogjike në Shkodër, ai fillon punën në rrethin e Matit, por u bënë shkak disa vjersha që iu gjetën, të cilat siç duket ishin të “papëlqyera” për pushtetin dhe pushtetarët e asaj kohe dhe pushohet nga puna. Në shenjë mospajtimi me atë që po ndodhte me vendin e tij, më 27 prill të vitit 1967, ai vendos të braktisë vendin dhe ikën në Kosovë. Por, ikja nga atdheu dhe kalimi ilegalisht në Kosovë, qe një tjetër fatalizëm, një tjetër mallkim për poetin dhe mësuesin Havzi Nela, sepse atë e kthejnë sërish në atdhe, ku tani e pritnin pesëmbëdhjetë vite në burgun e Spaçit, të njohur për tmerret e tij, por edhe në burgjet dhe kampet e tjera të asaj kohe, ku ridënohet për shkak të qëndrimit të “pandreqshëm” të tij. Havzi Nela u ndëshkua mizorisht me varje në Kukës, më 10 gusht 1988, dy vjet para se të përmbysej regjimi mesjetar komunist në Shqipëri.
At ZEF PLLUMI, shkrimtar
At Zef Pllumi është një nga personalitetet më të mëdhenj të kombit tonë. Ai lindi në vitin 1924, në Malin e Rençit (Lezhë), vdiq më 26 shtator të vitit 2007 në Romë. Ishte në moshën 22-vjeçare, kur në fund të vitit 1946 arrestohet dhe dënohet me tre vjet burg, të cilat i vuan në kampet famëkeqe të Bedenit dhe Orman-Pojanit. Shkak për arrestimin e tij, edhe pse ishte më i riu ndër të arrestuarit, pohon vetë at Zefi, ishte sepse duke qenë sekretari personal i Provincialit, komunistët mendonin se duhej të dinte shumë dhe nga ai mund të nxirrnin informatat e duhura. Në vitin 1967 arrestohet dhe për 23 vite vuan dënimin në burgje dhe kampe të ndryshme. Me ardhjen e demokracisë rifillon meshtarinë tek kisha e Shna Nout në Tiranë dhe prej atëherë nuk pushon dhe pasioni i dikurshëm për dijen dhe kulturën. Janë gjithashtu këto vite kohë e një veprimtarie krijuese për at Zefin. Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet ”Françeskanët e mëdhenj” etj. Presidenti Alfred Moisiu, në vitin 2006 dekoroi At Zef Pllumin me Urdhrin “Nderi i Kombit”. At Zef Pllumi vdiq më 25 shtator të vitit 2007 në spitalin Gemelli, Romë në Itali, kurse u varros më 30 shtator 2007 në Shkodër.
SQARIM:
Në këtë publikim mungojnë emrat e shkrimtarëve dhe gazetarëve shqiptarë qe kanë jetuar dhe krijuar jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilët gjithashtu janë denuar dhe presekutuar nga regjimi diktatorial jugosllav.
Emri Pozicioni Dënimi
- QANI PANARITI përkthyes pushkatuar
- DHIMITËR FALLA përkthyes pushkatuar
- VINÇEST PRENUSHI poet vdekur në burg
- MYZAFER PIPA gazetar vdekur në hetuesi
- ARSHI PIPA poet burgosur
- ETHEM HAXHIADEMI poet, dramaturg vdekur në burg
- At GJON SHLLAKU kritik, gazetar pushkatuar
- At ANTON HARAPI shkrimtar pushkatuar
- Dom LAZËR SHANTOJA shkrimtar pushkatuar
- Dom NDRE ZADEJA dramaturg, poet pushkatuar
- Imzot JUL BONATI përkthyes pushkatuar
- TERENC TOÇI gazetar pushkatuar
- At NIKOLL GAZULLI linguist vdekur në hetuesi
- Prof. SIMON DEDA përkthyes vdekur në burg
- Patër MARK HARAPI shkrimtar, përkthyes burgosur
- Patër GJON KARMA folklorist burgosur
- Patër PJETËR MESHKULLA poet, teolog burgosur
- At MARIN SIRDANI historian burgosur
- At KONRRAD GJOLAJ shkrimtar burgosur
- MARK DEMA përkthyes burgosur
- ZEF ZORBA përkthyes, regjisor burgosur
- GJON SHLLAKU përkthyes burgosur
- NDOC VASIA shkrimtar burgosur
- KOÇO TASI linguist burgosur
- GHUSH SHELDIJA folklorist burgosur
- At VIKTOR VOLAJ studiues burgosur
- MARIAN SKANJETI gazetar burgosur
- AKILE TASI gazetar burgosur
- NAPOLON TASI përkthyes burgosur
- NIKOLL DAKAJ shkrimtar, kritik burgosur
- FILIP FISHTA studiues burgosur
- HAZIS VRIONI përkthyes burgosur
- JUSUF VRIONI përkthyes burgosur
- AMIK KACARUHO shkrimtar burgosur
- MIRASH IVANAJ linguist vdekur në burg
- LAZER RADI shkrimtar burgosur
- SULEJMAN IDRIZI linguist vdekur në burg
- SELMAN RIZA linguist burgosur
- MITRUSH KUTELI shkrimtar burgosur
- QEMAL DRAÇINI kritik vdekur në internim
- MUSINE KOKALARI shkrimtare vdekur në internim
- NDOC NIKA shkrimtar burgosur
- MUSTAFA GËRBLLESHI shkrimtar burgosur
- GJEGJ BUBANI gazetar vdekur në burg
- PASHKO GJEÇI përkthyes burgosur
- MARKENSEN BUNGO shkrimtar burgosur
- OSMAN BISHQEMI shkrimtar burgosur
- ANTON FRASHRI shkrimtar burgosur
- NEXHAT HAKIU poet burgosur
- PETRO MARKO shkrimtar burgosur
- At BERNARDIR PALAJ shkrimtar vdekur në burg
- MITHAT ARANITI publicist, përkthyes burgosur
- GULJELM DEDA gazetar, përkthyes burgosur
- BEQIR HAÇI poet, përkthyes burgosur
- KASEM TREBESHINA shkrimtar burgosur
- MARK NDOJA poet burgosur
- GJERGJ KOMNINO poet burgosur
- NIKOLLA KOTE përkthyes burgosur
- KAPLLAN RESULI shkrimtar burgosur
- PJETËR GJINI poet burgosur
- KIN DUSHI shkrimtar burgosur
- URAN KOSTRECI poet burgosur
- NUREDIN BORIÇI poet burgosur
- PANO TAÇI poet burgosur
- BAJRAM HYSENI poet burgosur
- JORGO BLLACI poet, përkthyes burgosur
- TRIFON XHARGJIKA poet pushkatuar
- XHELAL KOPRËNCKA poet pushkatuar
- FADIL KOKOMANI gazetar pushkatuar
- VANGJEL LEZHO gazetar pushkatuar
- ROBERT VULLKANI përkthyes burgosur
- ZHANETA OGRANAJA poete burgosur
- MEHMET MYFTIU shkrimtar burgosur
- ANASTASIA TAÇI librare burgosur
- GENC LEKA poet pushkatuar
- VILSON BLLOSHMI poet pushkatuar
- BEDRI MYFTARI shkrimtar burgosur
- ZYHDI MORAVA shkrimtar burgosur
- VISAR ZHITI poet burgosur
- HALIL LAZE gazetar burgosur
- DAUT GUMENI poet burgosur
- FREDERIK RESHPJA poet burgosur
- BEQIR ÇELA poet, përkthyes pushkatuar
- AHMET GOLEMI shkrimtar burgosur
- FATOS LUBONJA gazetar burgosur
- BASHKIM SHEHU shkrimtar burgosur
- MYQEREM JANINA përkthyes vdekur në burg
- HAVZI NELA poet varur
- YLBER MERDANI poet burgosur
- ALEKSANDËR ZEKA poet burgosur
- JAMARBËR MARKO poet burgosur
- GJERGJE PEÇI poet burgosur
- At ZEF SIMONI poet burgosur
- Dom FRANO ILIA folklorist burgosur
- Dom NIKOLL MAZREKU studiues burgosur
- At ZEF PELLUMI shkrimtar burgosur
- NIKO KOTANI redaktor burgosur
- SOTIR ANDONI shkrimtar burgosur
- MIHAL ZALLARI publicist, përkthyes burgosur
- VISARION ZHUVANI teolog, linguist burgosur
- ZEF MALA drejtor biblioteke vdekur në burg
- ASTRIT DELVINA shkrimtar burgosur
- GANI SKURA poet burgosur
- FATOS MERO RRAPAJ folklorist burgosur
- EQEREM BIBA përkthyes burgosur
___________
Marrë nga tiranaobserver.al
Fahredin Shehu lindi në Rahovec në vitin 1972. Poet, prozator, kritik letrar, estet dhe studiues i trashigimise shpirterore boterore. Studimet universitare i kryen ne Universitetin e Prishtinës, studime Orientale. Aktivisht mirret me kaligrafi duke zbuluar teknika dhe mediume te reja për këtë lloj specifik të artit vizuel. Jeton dhe punon ne Prishtinë.
Krijimtaria:
- NUN- përmbledhje me poezi mistike, 1996 botim autori,
- SHUMËSI E PADUKSHME- Prozë poetike, 2000, botim autori
- NEKTARINA- Roman epik transcendental, 2004, sht. Botuese, Rozafa Prishtinë projekt i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës
- ELEMENTAL 99- Tregime të shkurta poetike, 2006, Qendra për mendim pozitiv, Prishinë
- KUN - Përmbledhje me poezi të lirikës transcendentale, 2007, Sht. Botuese LOGOS-A, Shkup
Pjesëmarrjet:
- Ekspozita e kaligrafive në Kajro, Egjipt, 2004
- Takimet e 44-ta te poezisë, Sarajevë 2005
- Kongresi mbi 600 vjetorin e Veprës së Abdurrahman Ibn Khaldunit, Kajro, Egjipt, 2006
- Takimi për të drejtat e pakicave etnike, Parlamenti Evropian, Bruksel, 2006
- Ekspozita e pikturave dhe e librave ne Ministrine e kultures se Egjiptit, Kajro , 2007
Tri poezi nga Fahredin Shehu
Kështu fliste Tamara
Kam lustruar sytë e fëmijës së përvuajtur
duke larguar shtresat e avullta të pamjes së tij
Të shoh dhëmbë të shkëlqyeshëm derisa buzëqeshë
dhe planetin e urrejtjes bukur mirë të fjetur dhe
fshehur të shpirtit tim
kam shpërlarë stratosferën e katastrofave
që prindërit e tyre me zell i shtresuan në qeniet e tyre
me lot të mbarsur me dashuri
kam qëruar të gjitha membranat e shpirtit
të kontaminuar
I dhashë buzëqeshjen bretkosës
dhe puthjen nefritit të heshtur
kam kulluar vesën nga petalja e trëndafilit
të bardhë dhe numëruar rubinët nga shega e pjekur
kam mbjellur të gjitha llojet e frutave
dhe mbaruar kopsht për të gjithë ne
ti mund ta quash pemishte
ti mund ta quash plantacion i të porsalindurve
të Dashurisë por unë di se është truall tahionik
ku vetëm Dashuria farë mund të mbjell
kam qepur petkun nga smeraldi
dhe parfumosur atë me Ambër që ta vesh
çdo fëmijë
unë ushqej çdo stomak
me dritën vetuese të shpirtit tim
T’i bëj transparent
T’i përndrisë
kam krijuar armatën e buzëqeshjes
dhe ftuar të gjithë shpirtrat ta çmontojmë
makinerinë e urrejtjes
në fushat e simfonisë së dritës
në momentin e shenjtë të amshimit
kam përqafuar të gjithë foshnjat e dukshme dhe
të padukshme dhe gëzuar për lumturinë e tyre
kam shtrydhur të gjitha armët
njerëzit dhe demonët që kanë krijuar
dhe krijuar pluhur ashtu që në çdo trohë
buzëqeshja lind Dashurinë
Pyetjet e Angeloidit
A jam unë gur i thjeshtë?
Të më gjuajnë larg nga shikimi
A jam lëkurë tigri
Të më shkel tregtari i pashpirt
A jam gjaku për t’u thithur nga shokët e afërt?
A jam udhëheqës i fisit të humbur?
Të më adhurojnë si të shenjtë
Jam profet i zhdukur?
Të cilin e kërkojnë në shpella që
xhinët e kolonizuan
A jam fosil i Jurës?
Të më shfaqin në kubin prej kristali
A jam esencë jasemini?
Të më erëmojnë pas mileniumit të tretë
A jam planet i humbur ?
Mallkim i njerëzimit
A jam paradigmë e mirësisë?
Të jem i shuar nga tretja
A jam e ligja e përkryer?
Të jem i lartësuar si këndim kishtar.
A jam krahu i engjëllit të purpurt?
Të të sjell hije
Derisa ti kërkon dituri.
A jam unë melodi e tej- ndjeshme?
Të më lozin me telat e zëmrës
së përndritur.
A jam shpirt ajror?
Të ju sjell stuhinë
Në mesditë kur dielli
E lexon strofën e tij
A jam fluid kozmik?
Të jem i shpërndarë si
hiri i yjeve.
A jam mjaft i shenjtë?
T’i gëzohem harmonisë kozmike
A jam kambanëz nga krihet e engjëjve?
Të bjerë për fillimin e profecisë së re.
A jam shenjtor i cili mezi shfaq mrekullinë e tij?
Të jem më vonë i adhuruar si hyjni.
A jam uji i pastër nga pusi i shkretëtirës?
Të më pinë në çastin e vdekjes
A jam unë vdekja e Artit?
Të ringjallem si Teurgji
A jam unë dashnori i dehur në Dashuri?
Të tretem në kuantumin e fotonit
A jam i marrë të zbuloj shpikjen e re?
Ashtu që të të dhimbsem ose
Ti mund të më përshëndesësh dhe aplaudosh
E kështu me radhë, e kështu me radhë,
e kështu me radhë.
Bëhet
Larg të kam
Kujtimi më vjen si dritë ylli
Shuarjen e të cilit
Dot s'e besoj
Kështu më ka bota
Të hutuar
Tek pres flladi
Ta freskoj
Vesa
Këtë trup zemre të huajsuar
Këtë buzë që thahet
Kur e thotë atë emër të bukur
Gjuha thahet
Ajo çahet
Balsam është vetëm prania si epifani
Por larg edhe nga kjo
Ajo çka gjuha dot s'e thotë
Ajo është
Kjo do të bëhet
Mrekulli e përhershme
Fjalë e Perëndisë
Kur thuhet BËHET
Ajo bëhet
Unë
Bëhem
Ajo
Dhe nuk më ka
____________
Biografia e autorit është marrë nga WIKIPEDIA, kurse poezitë nga portali voal-online.ch
Fadil Kraja Lindi në Shkodër, Shqipëri më 1931. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Filologjisë. Për shumë vite punoi si mësues i letërsisë në shkolla të mesme dhe më vonë pedagog i letërsisë së huaja në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë të Universitetit "Luigj Gurakuqi" - Shkodër.
Nga viti 1972 gjer më 1992, shkrimtar në profesion të lirë duke vazhduar si pedagog i jashtëm në fakultet dhe njëkohësisht Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Degën e Shkodrës. Vëllimi i parë poetik "Kënga ime" (1954) fitoi çmimin e parë në Konkursin Kombëtar të Letërsisë. Pastaj me radhë ka botuar vëllimet poetike "Melodi malësore", "Jehona malesh", vëllimet me tregime "Kandidatja e fundit", "Fajin e kishte Besa".
Mbi 40 drama dhe komedi të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diaspore. Mes tyre: "Fisheku në pajë", "Sinjalet e natës", "Shpartallimi", "Baca i Gjetajve", "Gjaku i Arbërit", "Djem të mbarë", "Çështja e Blertës", "Flamur në dasëm", "Rozafa", "Kur flasin zemrat", "Luani i shtëpisë", "Çështje familjare" si dhe shumë drama për fëmijë, librete operash, operetash.
Kontributi i tij është çmuar edhe nga Presidenti i Shqipërisë, Rexhep Meidani, i cili i ka dhënë titullin e lartë "Mjeshtër i madh".
_______________
Nga WIKIPEDIA
Entela Safeti Kasi, ka lindur në Korçë më 13 Gusht 1975. Poete, romanciere, përkthyese dhe eseiste. Është diplomuar për gjuhë angleze dhe letërsi. Është çertefikuar me burse studimi nga Këshilli i Europës,në Angli, për Integrimin dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, më, 2004,dhe nga Akademia e Baden Waterberg, Gjermani, më 2008. Ka marrë pjesë në kongreset e Federatës Ndërkombëtare të Përkthyesve të Letërsisë si përfasuese e gjuhës shqipe, dhe është certifikuar për “Përkthim letrar dhe të drejtat e autorit” më, 2005.
Është autore e librave “Ëndërr e paemër”, “Koha e Kalit”, “Pasion dhe Krim”, “Në këtë muzg pikëllimi”, “Metafora që (s)’falen” etj.
Poezia e saj është përfshirë në “Mbrëmjet Strugane të Poezisë”2001 dhe 2002, “Festivali i poezisë së Izmirit” 2007, etj. Është ftuar nga International PEN dhe Federata Ndërkombëtare e Përkthyesve në Ballkan, Europë, SHBA dhe Kinë. Është përkthyer në: Maqedonisht, Turqisht, Spanjisht, Anglisht, Frëngjisht. Ka sjellë në gjuhën shqipe Casimiro de Brito, me“Vdekja ndoshta s’ekziston”.
Poezi nga Entela Kasi
Ç'MU KUJTOVE TI
C'mu kujtove ti në këtë muzg pikëllimi
Kur trotuarit bien gjethet e vjeshtës...
Më i rëndë se ndarja qënka harrimi
Në stacionet e braktisura të stepës!
Të qaj nuk mundem, të ulërrij gjithësesi
Të flas për netë dashurie
Mbi pentagram të dhembjes po derdh përsëri
Te fundit këngë marrëzie.
Ashtu si nuk munda në jetë të braktis
Deshirën që strukur fsheh shpirti
Njqëind fish të largoj, ndërsa ti më grish
Legjendën e zjarrit për flirtin....
BALADË E RËNIMIT
Sot e pashë të shkretë, me buzë të ngrira
Trishtim dimëror si planet bosh
Nuk ka më ruzuj ajri dhe bimë
Se ëndrra u prish, u zhduk, u kot…
Me fustan të zi si pëlhurë e keqe
Mbështjellë kishte këmbët që ngrinin
E tretej ngadalë si borë trotuarit
E digjej me yjet kur binin…
AS NË EROS AS NË UN
Kam tradhëtuar
Kur kërkoja një pikë bashkimi
Në 22 Golden Lane Pragë
Në kohën astronomike
Të orës qiellore me muza
Si kuaj të bardhe vetmimi
Ne minutën e një mijë dashurive
Pa njerëz
(nga qe je unë)
E njëjta tokë e caktuar
Si muret e shtëpisë që na mban
Koral i bërë prej detit
Si poezi
Ngaqë je copëz në shtratin tim
Prej mozaiku ëndrrash e rrënjësh
Kopertinë gjethesh
E fletë druri
Ku e pathëna thuhet
Në intimitet absolut
Pa frikë
Po, në 22 Golden lane Pragë
Ne shtrat prej pylli qëndror
Drurësh
Si kulpër
A gjethe rushi
Jam mbështjellë varg
Pa u prekur
Nga asgjë e zakonshme
Pa u puthur buzeësh
Ireale si tërë surealistët
A si Dali spanjoll
A netët me borë te Korcës
Duke kërkuar të thënën, mohimin
Të ndaluarën e shenjtë, mëkatin
Kur jo vetëm do por prej të vdekurve zgjedh
Netësh vetmie parajsore
Pa frikë
Rrugësh ku shkohet pa njeri
Fotografimi i syve
I sklupturës së ftohtë kohës
Si horizont a paralel
Asnjëherë meridian
As pol
Kumti i fjalës “më fal”
Si një e qeshur e beftë
Kur fal si zakonisht a lutesh…
Nuk është pendesë
As mohim
Se kam dashur një pikë bashkimi
Në 22 Golden lane Prage
As në eros as në un’
Postmortum
PËRRALLA
Përse të merzitesh,
Kur ëndrra flatron zjarrit
dhe digjet mbi ujëra?
Ti heshtur ecën rrugëve të botës
Mbi dhe te huaj
Toka nuk të jep peshën.
Kur zogjtë klithnin
Nuk besova të ishe ti.
Përse, zbrazja në det e lumit tim
derdh kaq mllef?
Zërin nuk mund ta dëgjoj
Nëpër tingujt e krisur, lemerisur
Nuk mund ta përmbaj dhembjen.
Polet po bashkohen në një pikë
Ndaj mos u shtang prej mungesës
te njerëzve ndër njerëz!
Mos u trishto kur zogjtë dimrit
tufa tufa si korrbat bien
papushim!
Margaritat në kopësht
U shfytyruan brënda një nate
Bryma ra.
Ti mos u digj! Ti mos u digj!
Gruaja e cmëndur si shtrigë
Sfilon ne pasarelë trotuaresh
zvetënim modern.
Korrmoranti hapi kthetrat keq...
Biri im!
Nëse udhëtimet diellore pakthim
Trembin inatin tënd
Diku më pret një mort!
Ti do e ndjekesh si dritën
mortin tim...
Diku më pret një brengë
Historia nis me të
Prej barkut tim në ashtin tënd
pafundësisht.
Edhe përrallat e pathëna,
I mërguari im
po ia them vehtes!
Sepse udhët larg u arratisën
Dhe unë nuk mundem të di
Nëse të linda, apo më linde ti !?
LULEBORA RRJEDH NË KRISTALIERË
Lulebora serviret si kërpudha
me pak fije bari
Në një kristalierë me luspa peshku.
Si syte e tij janë kapakët e librit
Fjalët janë korale, bimë.
Si c'do lule në kopështin e Edenit pa mëkat
Koha si algjet rrudh
Sepse nata vrapon me pikëllim
(vetmohemi yjesh, qiejsh)
Nga fjalët e drejtpërdrejta
Qe s'kanë kuptim
Sepse në të njëjtën rrugë është njerëzimi
E ne humbim, e na gjen zbulesa
Si peshq të kuq.
(harro ujin dhe vdis!)
Nga shpërbërja e molekulës
Dy hidrogjen
një oksigjen
Oksigjen uji thith me shqisën e caktuar
Me qetimdëshpërimin, mbytje...
Se ky kaos i instiktit
Për Ar e luftra
betejash mbetejesh të ndotura
Për të vdekur mjafton!!!
Një oksigjen ajër
I pafund gjallesave të bukura
I krijesave peshk.
Lulebora rrjedh në kristalierë
Ku peshk i kuq prehet!
Ndaj nerëzit e darkës të së dielës
janë njerëz
As det,
As liqen,
A ujë që rrjedh.
Ndaj s'janë as ura
Corape najloni grash janë
Si rrjeta
A gladiola të kuqe...
Kostume shik të paprekshëm
Për koka grash koketa
Kurtizane të mjerrimit
Si hënë - gejshe
Sikur të rëshkiste gjyshja nga larg
me kokën si luleborë dimri
Buzëliqeni do i'a niste këngës
Për peshkatarin
E do i rrëfente dhisë
brirët e njerëzve!
___________
Marrë nga portali zemrashqiptare.net
Enkelejd Lamaj ka lindur më 20 nëntor 1978 në Lushnje. Pasionin për të lexuar dhe shkruar e ka gjetur qysh në fëmijëri. Por do të vinte viti 2003 kur do të prezantohej për herë të parë me një përmbledhje me tregime horror të titulluar “Fytyra tjetër e natës”. Rrëfimet e tij sfidojnë lexuesin në luftën midis të mirës dhe të keqes, të ndërlikuarës dhe të thjeshtës, të besueshmes dhe të pabesueshmës.
Mbas një periudhe pothuajse katër vjeçare në Itali, ku ka punoi në sektorin e turizmit, kthehet në Shqipëri dhe fillon studimet e larta për drejtësi, në Tiranë, në Universitetin Jo Publik "Luarasi", Fakulteti Juridik. Diplomohet në vitin 2008 dhe tani, jeton dhe punon në Tiranë, ku krahas ushtrimit të profesionit të juristit, vazhdon edhe të shkruaj.
Botime:
- "Vendi diku midis", Shtëpia Botuese ADA, 2014
- "Libri i bardhë", Bota Shqiptare, 2011
- “Fytyra tjetër e natës" Ombra GVG, 2003
__________
Nga WIKIPEDIA