Freitag, 14. August 2015

Alma Begaj

     Alma Begaj ka lindur më 21. 12. 1968 në qytetin e Beratit dhe është banuese në Durrës. Arsimimi: Shkollën 8-vjeçare e ka kryer në qytetin e Lushnjes. 
     •1983 - 1987: Liceu Artistik “Jakov Xoxa” Fier dega Fagott 
     •2009 - 2013: Diplomuar në Universitetin Aleksandër Xhuvani, Elbasan, në degën Edukatë  Qytetare.
     •Master profesional: Dega Mësuesi për lëndët Edukim qytetar, Histori dhe Gjeografi 
     • Master Xpert European Computer Passport, Viti i diplomimit 2004 Tirana, Albania.
     Me shkrime ka filluar të merrej që në shkollën e mesme, por libri i parë është botuar në 2011. Është anëtare e Shoqatës së artistëve dhe shkrimtarëve të qytetit të Durrësit. Është pjesëmarrëse për katër vite rresht dhe së fundmi, e përzgjedhur në organizimin e Festivalit të Poezisë më 18 Tetor 2013 në Vushtrri “Takimet e Poeteshave Shqiptare”.     
     Poezitë e saj, vazhdimisht janë publikuar dhe botuar në revista, gazeta dhe antologji. Është pjesëmarrëse tek Antologjia me poezi shqipe “Lotët e virgjër” 2012. Pjesëmarrëse e Antologjisë Pegasiane "Korsi e Hapur -2 ", (open line-2) 2012. Tek Revista “Obelisk” e nderuar me çmimin e vitit "Poezia më e mirë" 2013.
     Në vitin 2011 nga Shtëpia botuese “KUMI” i botohet përmbledhja i parë me poezi me titull “Shikim që sfidon distancat”, kurse më 2011, nga Shtëpia botuese “VLLAMASI”, i botohet përmbledhja i dytë me poezi “Farfurima e shpirtit”.
    Gjatë vitit 2012 dhe 2013, janë publikuar analiza edhe në gazetat: Prishtinapress.info; Gazeta Republika; Gazeta Nacional; Fjala e Lirë; Zemra Shqiptare etj. Sidomos në vitet e fundit, bashkëpunon rregullisht, me botime poetike apo dhe skica të ndryshme, mjaft nga këto, në disa Faqe Interneti: “Fjala e lirë” (Londër), “Zemra Shqiptare” (Oxford), “Bota e Re” (Nju Jork), “Tribuna Shqip.

 

Poezi nga Alma Begaj
 
DRITË NGA DASHURIA

Rrufeja
çan qiellin.

E vret në errësirë
qiririn e natës’.

Nga jashtë,
vjen shenja jote;
e, papritmas, gjithçka
ndizet, ndriçon!

Manteli i ngrohtë
më mbulon të tërën
me shkëlqim.

Tani me dritën tënde
ekzistoj dhe jetoj..!
 
 
NATË

Në sy
m'kaloi nata mbrëmë
i gëzova mendimet shterpë
armët i mblodha qetë-qetë
rrëmbyer nga dridhje zemre.

Ëmbëlsia e buzës tënde
shije të shenjtë m'la në gojë,
hapsira pa zë përshkova
kur koreografinë e valles mendjelehtë
vetë dëgjova e vallëzova.
 
 
TROKTH
 
Kuajt, trokthën tokën
era u përkëdheli jelet
nata ua ngatërroi shtegun
mëzkat lotin vallen e mëngjesit..
hënëza ikën e buzëqeshet.
 
 
NJOHJE
 
Po i hyj vetes brenda, me pa se ç'ka.
Nëse mundem.. portën do ta mbyll
e do ngujohem në kët' kull'...
Mos prit çelësin të ta jap!
 
 
MES SHPIRTIT DHE MENDJES

Jemi fryt i kohës, si njësi paralele
mes shpirtit dhe mendjes
në goditjet e çdo çasti,

Dhe, si ciganët që enden,
me fijet e mendimit
projektojmë të ardhmen.

Vallëzojmë mbi të lashtat melodi,
të kaluarat na shembin,
të tanishmet i jetojmë në agoni.

E endemi në ato që do të vijnë,
sepse fijet e kujtimeve,
gjithnjë dhe ende me ne udhëtojnë.


EH, Ç'NGOPJE N'BARDHAK
 
Puhia e detit,
nuk ngurroi aspak
që, bashkë me valën,
hënën t'ma derdhte
..n'bardhak..
E piva e më dehu,
fijevetullën e saj,
syrin kur ma shkeli
buzëqesha pa skaj,
..eh, ç'ngopje..
 
 
ÇUDI...

Hënëza e vetme
mbi një tendë blu,
m’i ngatërroi orët
kur ëndërroja për dashuri..

Dëgjoja zërin tënd
që vinte nga aq larg,
asgjë nga fryma jote
të përqafoja në boshllëk..

Pse më zgjodhi mua?


 
MBRËMË

Mbrëmë,
të ëndërrova në ngjyrat e kohës,
era luante me flokët e kujtesës.

Mbrëmë,
kam jetuar dhimbje e vajtim
loti ishte i hidhur deri poshtë në gji.

Mbrëmë,
Prita të vije, e jetoje ëndrrën me mua
të ecnim të dy nëpër natë deri në agim.

Sonte do të vish?
 
 
THESARI

Kam lindur nga zemra jote
ditën e parë të pranverës.
Thesarin, ti më nuk e gjen
u ngatërrove keq
në kryqëzimin e shkretëtirës
kur kërkove shtegun e trëndafiltë.
 
 
NDËR LOT...

Unë, do të pres
nën hijen
e një stilolapsi,
mes dhomave,
brenda një kështjelle
që fsheh brishtësitë e mia
mes lotit të mirësisë.


____________
Marrë nga sa-kra.ch

Hasije Selishta Kryeziu

     Hasije Selishta Kryeziu u lind më 13 Prill 1960 në Kamenicë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Juridik në Prishtinë. Vite të tëra punoi si juriste në OP Xiq “Karaçevë” në Kamenicë, duke ushtruar detyrën e përfaqësueses së Organizatës dhe Udhëheqëse e Shërbimit Juridik. Tani ushtron detyrën e zyrtarit ligjor në Agjencionin Kosovar të Pronës në Prishtinë, ku edhe vepron e jeton.
     Me shkrime ka filluar të merret që në shkollën fillore, por librin e parë me poezi e botoi më vitin 2005. Është anëtare e Lidhjes së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Themeluese dhe Kryetare e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Kosova deri në janar 2013. Anëtare e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve Bashëkohor ( Ëorld Poets Society). Nga shkurti 2013 është themeluese dhe anëtare e Bordit Drejtues të Lidhjes Ndërkombëtare të poetëve Galaktika Poetike Atunis.
     Hasije Selishta është bashkëorganizatore e  shumë aktiviteteve dhe manifestimeve kulturore letrare në Kosovë dhe jashtë saj si:
     - Për katër vite  organizoi “100 Mijë Poetë për Ndryshime”në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Kamenicë, Ferizaj, Preshevë etj.
     - Manifestimin kulturor në Prishtinë më 2012: “Poetët e kombit apelojnë...”,
     - Manfestimin kulturor-letrar në Dragash më 2013  “Poezia, lidhja e globit poetik”
     - Manifestimin në Prishtinë, Podujevë, Orllan   më 2013 “Poetët e diasporës apelojnë...”
     - “Poetët i këndojnë lirisë” 2014 , Prishtinë etj.      Është shpërblyer me disa çmime në konkurset letrare në poezi dhe prozë ku ia vlen të përmenden:

     - Përmbledhja e tretë me poezi, “Mbishkrim në lëkurë”, është përzgjedhur në grupin e pesë librave më të mirë të botuar në Kosovë në vitin 2007 nga “Mitingu i Poezisë” Gjakovë.
     - Në Kumanovë – Maqedoni (2009) në “Takimet poetike të Karadakut”, çmimin e tretë për poezi.

     - Në nëntor 2012, në Pejë, mori cmimin e parë për poezi.
     - Më 17 shkurt 2013, një aktivitet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës u nderua me cmim për kontributin e fuqishëm në kuadër të pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
     - Çmimin krijues Naji Naaman Literary Prize në qershor 2014 në Liban.

      Poezitë e saj janë përfshirë edhe në disa antologji si dhe janë përkthyer në anglisht, italisht, greqisht, kroatisht etj


Veprat letrare:

  • “Edhe nëpër varre këndova”, 2005, poezi
  • “Kur vdes në mes të largësive”, 2005, poezi
  • “Mbishkrim në lëkurë”, 2006, poezi
  • “Përtej çmendisë”, 2008, poezi.
  • “Lule ajri” , 2009, poezi
  • ”Fërshëllimë floku”, 2010, prozë poetike
  • ”Il fuoco mitico”, “Zjarri mistik”2011, poezi e përkthyer në italisht
  • “Mystical visdom”- “Urtësi mitike”, 2011, poezi e përkthyer në anglisht
  • “Ο Ρυθμός της αναπνοής”- “Ritmi i frymëmarrjes”, 2011, poezi e përkthyer në greqisht
  •  “Da ne kaze Bog”-“ Mos thuaj Zot”, 2012, poezi e përkthyer në kroatisht
  • “Hiri Hyjnor”, 2014, roman.


Poezi nga Hasije Selishta Kryeziu


HESHTJA E PORTAVE

Te porta e parë
hijesove diellin
ngrite kokën lart
ec drejt portës së dytë

Pa u hamendësuar
digje Shpirtin e copëtuar
hirin
tokën  e premtuar ruaje
të mos e vjedhin ata

Te porta e dytë
ndrydhet  dhembja
dielli le të djegë
Frymën e shenjtë
  
Vetëm himnin  e zhurmshëm
korin e Kishës
mos e dëgjo
Shpirti portë nuk ka

Te porta e tretë
rrëshqet shkëmbi nga ata
si  pritë nga qielli
furtune marrin  gjethet
e lëna shkretë
të lutem merrmë edhe mua
kudo që të jesh

Zëri yt në errësirë
nga të lehurat e qenve
ëndrra në pikë të ditës
si të mos mësohet

Te porta e katërt
një e dehur
edhe më tej  në çmendi
duke na gjykuar
neve  të pandehurit
për dehje


ÇT’JU THEM

Ç t’ ju them juve
të pagjumëve
të kërrusur nga dhembja
e ndrydhur nga vuajtja
stërlodhur nga uria
e kalibardëve

Si ti shikoj lotët
si ujëvarë e heshtur
po ecë trupit tim
ndër shekuj
grabitë buzëqeshjet
e të urtit

Ç’të bëjë me sytë e tyre
mbushur plot mall
e verbuar nga errësira
kot do t’i prek dielli
zgjatja e shekujve
vuajtjet përzien

E kur të zgjohen
të shtypurit
një grusht dashuri
me dhembje i përzier
do të qeshem si fëmija
duke u rilindur


HIMNI I SHENJTË
  
Ftohtë
furtuna hyri në asht
u tmerrua
për herë të parë u mbështoll
në pëlhurën e kuanteve të universit
për ta ndalur hovin

Në akull
gërsheta e vjetër u shprish
floku  thinjur
shkulur
era  e barti
gabimisht ishte gërshetuar


IKA NË QIEJT E MI

Në qiellin e parë
pashë flokun e shprishur
bartej prej një reje në tjetrën
më pas fluturoi në tokë
drejt një ferr
thinjat mbështilleshin
Serapis Bej
i preku me ngjyrën e verdhë

Në qiellin e dytë
mëkatet e tij më ndiqnin
pa e parë
se rrezja e parë e El Morjes
ishte humbur
mbuluar me dheun e vetmisë
  
Në qiellin e tretë
ende përndjekësha
donte t’më  mbushte mistere

Zot
ruaje virgjërinë e përjetshme
edhe në fundjetë
t’mos e përkund
era e kufomës së marrosur
por si atëherë
të flas në origjinalitet

Në qiellin e tretë
mbeta vetëm
pa iu trembur
errësirës
egërsisë
hënës se do të zhduket

U afrova edhe më afër qiellit
që ta ndjej erën e tij të lirë
kupë e qiellit më bën nder
më paralajmëron
rikthimin
pastaj vazhdimin
në qiellin e katërt...


PËR PARAJSË JAM VONUAR

Rritën tënde s’e pashë
e belbëzimin tënd ndjej
se si më afrohet
me trupin prej engjëlli

Duke ikur nga shtrëngata
Hadi
ashtu e  buzëqeshur
himn shushurime pagëzon
S’ta ndjeva gëzimin
ike pa u ngushëlluar nga vaji
je rritur
ndoshta edhe dashuruar

Përgatis pajën tënde
për fejesë
me gërshetën fije fije
qëndis lule

Kam mall të vij tek ti
në dasmën tënde
valsin me engjëj
të ik prej korbit që më nxin sytë

Besova në ditën e madhe
do të vinte shpejt
të më prisje duar hapur
apo ndoshta për parajsë jam vonuar


TYMOSJE HYJNORE

Letrën e bardhë
qielli e kishte lexuar
lotuar
puthur
shkëlqyer me diell
yll
hënë

Bardhësinë
nuk e kishte humbur
verdhësia

Aty ku e ka puthur qielli
me dhembje
pa frikë
vjen në Unin tim
bardh
ngrohtë
heshtur

Në trupin tim
harliset
pa humbur
në thellësinë e mallit
laget
nga të pagjumët

Ç’tymosje
unë e qielli
të pavdekshëm
qajmë
puthemi
lutemi

Letra e bardhë
hyjnore
pranë meje
qiellit
rri varur


HIMNI I QIELLIT

Aromë e egër
përskuqet
diçka prej femre
prish
ligjin e heshtjes

Shtrydh ankthin
nga trupi
të dalin djajtë
harlisur
të vetvriten
nga ftohtësia
edhe atëherë
kur jam tërbuar
çoroditur

Parandjenja u afrua
për të zbavitur
mëngjesin e dhjetorit
këndoi
himnin e ftohtë
të qiellit

Varfërinë e shthurjes
shpall pa dhembje
e lodhur
nga zhgënjimi
pirgut të qiellit
afrohem
që t’i mbetem besnik
trupit tim prej hiri

_______
Marrë nga sa-kra.ch

Migena Arllati

      Migena Arllati lindi në Elbasan më 06.09.1974. Studimet e larta i ndoqi në Fakultetin Filologjik, dega gjuhë - letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Ka ndjekur Kursin pasuniversitar për diplomaci në Akademinë Diplomatike Shqiptare, Tiranë. 
     Ka përfunduar studimet e Magjistraturës në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë, ndërsa aktualisht është në vazhdim të studimeve të Doktoraturës në UT.
Aktualisht punon si prof. e gjuhës shqipe dhe letërsisë në Gjimnazin “Hajdar Dushi” si dhe është ligjëruese e jashtme e gjuhësisë në Universitetin Publik “Fehmi Agani” në Gjakovë.
     Prej kohësh ka konfirmuar vullnetin ndaj hulumtimeve shkencore në gjuhësi dhe albanologji duke marrë pjesë në Konferenca të ndryshme shkencore të organizuara nga Universiteti i Tiranës, Prishtinës, Tetovës, Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës, me prezantime nga fusha e linguistikës.
     Karriera në gazetari: Karriera e saj paraprihet nga dhjetë vjet angazhimi në gazetarinë radiofonike, të printuar dhe televizive ku disa herë ka marrë edhe çmime.
Në vitin 2002, organizata amerikane IREX e nderoi Migena Arllatin me çmimin e dytë për projektin e saj radiofonik kushtuar gruas së pasluftës në Kosovë.
Në vitin 2006, Qendra mediale “Dukagjini” i ndau çmimin e vendit të parë për shkrimet e saj në gazetën “Lajm Exclusive”, lidhur me promovimin e punës dhe sfidat e femrës shqiptare.
     Botimet: Autorja deri tani ka botuar katër libra: vëllimin me poezi “Mendime në kornizë” (2012), monografinë “Lindur për t’u bërë mjek” (2013), botimi studimor “Vështrim rreth shprehjeve frazeologjike në të folmen e Gjakovës” (2014) dhe “Patronimet, mbiemrat familjarë në Gjakovë (2015).
     Çmime në letërsi: Krijimet poetike të saj janë prezantuar në disa përmbledhje Antologjike të botuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Rumani. Po ashtu, është redaktore dhe recensente e dhjetëra botimeve të shkrimtarëve të ndryshëm.    
Në Mitingun e Poezisë mbajtur në Gjakovë në Maj 2013, u shpall si poetja më e mirë e Mitingut, duke u nderuar me çmimin ‘Yllka Domi”. “FiloLet 2013” në Zvicër e nderoi me çmimin e dytë në konkursin vjetor ndërkombëtar.  Në Festivalin Kombëtar të letërsisë për të rinj, mbajtur në Podujevë në gusht 2014, zuri vendin e dytë në gjininë letrare të tregimit me tregimin “Piano”.
     Aktiviteti në shoqërinë civile: Është Kryetare e degës së Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” në Gjakovë;
Kryetare e Lidhjes së Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Kosova
Anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës;
Anëtare e Institutit Alb - Shkenca me seli në Tiranë, Prishtinë e Shkup;
Anëtare e Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë.
     Qytetare Nderi në vendlindjen e saj, në Elbasan, prill 2015. Bashkia Elbasan e shpalli znj. M. Arllati “Qytetare Nderi” me Motivacionin: “Për kontributin e shquar të saj si gazetare, shkrimtare, hulumtuese ndaj gjuhësisë dhe albanologjisë, dhe një personalitet i shoqërisë civile në vend dhe diasporë”.
     Jeton në qytetin e Gjakovës në Kosovë që prej 20 vjetësh me bashkëshortin dhe tre fëmijët.



Poezi nga Migena Arllati


SOFËR HERONJSH

Do të mbledh në një sofër heronj
ashtu rënduar me plumba në trup,
si u copëtua Shqipëria t’u tregoj
pa Kosovë, Iliridë e Çamëri në trung.

Do t’mbledh trimat e Libohovës
bashkë me t’Drenicës dhe Dukagjinit,
burrat e Malësisë dhe Maleshovës
tok me t’Shkodrës, Shkupit dhe Ulqinit.

Në një sofër që flet vetëm shqip
në shekujt që psherëtijnë me kilometra,
t’u flas për gllabërimin e pacipë
për krah’prerën shqipe me dy krena.

Në sofër të heronjve me të bardhat ëndrra
buka, krypa dhe zemra kurrë nuk sosi,
si atëhere dhe sot, mbi gjak gjëmon kënga
për kombin e Shqipes, që hasmi dot s’e mposhti.

Me të bukurat lule nga Kosova,
borziloke prej Shkupi dhe çaj nga Epiri,
trëndafila Shkodre për Ju mblodha
në sofrën bujare me fisnikëri Iliri.

Amanetin e trimave koha s’e tret kurrë
ndaj fluturojnë shqiponja mbi tuajat varre,
vijnë t’ju flasin, t’ju shohin si dikur
të gjejnë forcë për Shqipërinë hallemadhe!


UNË, PIANOJA JOTE
(Bashkëshortit tim)

Merre me vete frymëzimin e qiellit
e mbi piano ulu sonte,
mos pusho së rëni melodisë sonë,
këngën e dashurisë mjellmat të vallëzojnë.

Përsërite refrenin
edhe njëherë tingujt të shpojnë qiellin,
mbushe nota pentagramin
solet mbi krahë të dyve të na marrin.

Me timbrin e saj jetën rilinde,
kompozo dashuri, dhimbje, grindje, 
një këngë të re fillo e shkruaj
unë muza jote deri në të aguar.

Këtu përballë dremis unë, pianoja jote
që gishtërinjtë e prekin sa butë, sa fort…

Zëri i saj mëngjesit lehtazi ledhaton 
e si një fishkëllimë kanarine më zgjon,
si luan i stepës here - herë vëngëron
kur hijet ngarkuar natës përjeton.

Mbi tastierën bardh e zi do flejmë sonte
të etur, zhuritur, untuar e shkrumbuar
muzikojnë për ne të gjithë Listët e Bet’hovenët
dashuria jonë, gjumin tutje harruar.



ZEMRA PA ZEMËR !

Unё nuk kam mё zemёr.
Ma mori njё njeri i lig.
E ҫorri trupin tim
dhe nxorri prej atje zemrёn.

I pazemri mbledh zemra ngado shkon
i merr e shkatrron
gjakun ia helmon,
shqyen, flak tej
i duhen veҫ pёr pak herё.

Ec e ec, takoj zemrat e tij
hedhur cepave e skutave,
iu duhet streha zhegёs
kёrkojnё ҫati dimrit.
Njeriu pa zemёr
nuk kish vend as pёr zemrёn e tij.

Kёrkova qoshe mё qoshe
tё gjitha zemrat e braktisura.
Ishin shumё.
Sa mё shumё mblidhja
aq mё shumё bindesha
se ishin tё gjitha femra.
Zemra
tё njё njeriu pa zemёr!



NJË JETË KRENARI !

Flamuri Kuq e Zi mbi arkivol sot paloset.

I kuq gjaku, i zi dheu
nga agu në muzg në gjysëmqiell dielli.
Bataret e plumbave rëndë shpojnë retë,
plisat e djemve mbesin kryepërpjetë.

Në Iliridë, Kosovë, Shqipëri…
një minutë heshtje
një jetë krenari!

Kumanovë, 21. 05. 2015



IDEALIZЁM

Idealizёm je dashuria ime!

Tё dёgjoj
nё trokun e hapave pas mesnatёs,
kur ҫiftet nguten
tё shkrihen nё puthje.

Tё ndjej
nё fёshfёrima fustanesh,
kur vajzat mbulojnё gjinjtё,
harrojnё zbuluar gjunjёt.

Tё flas
nё emrin tёnd Amor,
siҫ tё quajtёn perёnditё
kur tё ulёn nё prehёrin e pёrjetёsisё.

Tё pёrqafoj
me krahёt e purpurt
nё ёndrrёn e parё dhe tё fundit,
veshur nё mёngjes, zhveshur nё muzg.

Tё prek
orёve qё zvarrit dita,
kur pёllёmbёt orientohen pa hartё
nё bardhёsinё e lartёsuar ndёr re.

Tё mbaj
nё prehёrin e ngrohtё, nё jastёkun  e butё
nga fёmijёria nё pleqёri
dashuria ime
idealizёm mbetesh ti!

Korrik, 2015



DHUNЁ GRUAJE
(alegorike)

Unё e dhunoj.
Mёngjes, drekё, darkё
ҫdo ditё e kohё pa kohё.
Ai ёshtё i pёrdhunuari im.
Me dy duart e mia
shtrёngoj e shkumoj,
lodhem sot
vazhdoj nesёr sёrish,
dhunё e vazhdueshme
pason tjetrёn ditё.

Pёrkulem mbi tё
si njё dallgё e ngrirё,
rёndojnё duart e mia
flakёrojnё nё tё katёr anёt,
filloj mёrmёris
tregoj pa fund histori,
shfryhem para shurdhёrisё
pёr fajin e mbetur jetim,
me britmё tё heshtur
rrёfehem pёr sekretet fshehur,
i kthehem sёrish me mё shumё inat
pyes: pse vallё kёtё fat?

Djersij, ofshaj
lotoj, buzёn kafshoj
tё gjitha shkuma e tij i mban,
sa herё i jam pranё
sёrish e dhunoj
me gojё nuk bёzan
shyqyr qё s’ka gojё.

I gjori lavaman,
veҫ ai dhunёn time mban!

10 korrik 2015



BREG

Me kёmbё zbathur
e trup tё lagur,
vesh me yje natёn
ngjyros me diell perёndimin,
ёndrrёn merr mbi supe
aromё gёzimi pёrhap tutje,
mё vjen si hap i lehtё
nga qielli zbret edhe retё,
zbut dallgёn e pabindur
shkrin zemёrimin e hidhur ...
Aty mё bёhet tё rri
natyra dhe unё tё shkrirё nё Nji!

Vlorё, 05.08.2015



PERI I GJATЁ

Mos e kёput perin tё gjatё
bija ime,
se na martohesh larg
Doruntina ime…

I
Thellё psherёtiu ime gjyshe
kur ika tej shtatё maleve
kapёrceva matanё shtatё lumenjve
arrita diku pas shtatё diejve.

Kur u nisa nga andej
isha elbasanllije.
Shtёpinё atje nё Spahikorre,
shkollёn tek letrari Guranjaku,
tё mesmen tek Kalaja
me emrin e gёrmambledhёsit Kristoforidh,
tё lartёn tek filologjiku i Xhuvanit.

Vashёza qёndiste
perin e gjatё lidhte…
Unё, goca e llastume
e para mbesё e fisit
me emёr librash
dhe flokёt dredha
me sytё e kaltёr
shtatin e hedhur
fatin larg e kisha shkruar
kёshillёn e gjyshes pa e dёgjuar.
Dhe peri zgjatet e zgjatet
deri tek nyja e lidhur fort.

II
Kalova tokё shqiptare,
hyra nё tokё shqiptare.
Kish kufinj e gurё tё rёndё,
njerёzit e zinj tё vrisnin me sy
veshur me hekur e me plumba
njё gjuhё iu zvarritej nё gjuhё.
Gjakosnin pёllumbat,
trembnin djepet,
trandnin varret…
Hej, ҫka bёhet kёshtu?!

Nuk kisha zё tё flisja
nё heshtje gishtat pёrpёlisja.

Kur erdha kёtu
sёrish shqiptare
mbanin nё zemёr shqiponjёn dykrenare
dёgjoja vargjet e Fishtёs
binin sharkija e lahuta
kёndohej pёr Mollёn e Kuqe
Gjakova, Gjakderdha, Gjakmbolla
ushtonin djemtё e burrat
nё mars gjithmonё fillonte lufta.

Unё mora ca vargje me vete
i struka thellё bashkё me shtetёsinё,
linda filiza jete
vazhdova, jetova
bashkova shqiptarinё.

Andej e kёndej
shqiptarё me shqiptarё
larguar nga ujqёr tё ҫartur,
i ushqen njё bukё e ndarё
shqip flasin
kёndojnё njёsoj
s’lёvizen lehtё
gurёt mbi varr.

III
Dielli mё ngroh shqip
edhe Hёna shqip mё flet
bijё e Elbasanit
nuse e Gjakovёs
nё damarё lёviz gjak i njёjtё.

Kёtu tё gjithё e dinё vajza e kujt jam
tё gjithё e dinё nusja e kujt jam
m’i dinё fёmijёt
mendjen ku e lodh
djersёn ku e nxjerr
fjalёn dhe shkrimet m’i duan
kёtu s’jam mё e re
kam ngrёnё disa thasё kripё
kam ndёrtuar ca qeramide tё re.

Shikoj lajmёrimet e vdekjeve
dikush i njohur shkoi vallё?!
Pёrshёndes njerёzit nё kalim
fjala e mirё s’mё lodh kollaj.
Namazi thёrret
kёmbanat e sё dielёs jehojnё,
ca zhurma nё kafe
sa llafe pas darke,
ҫahen tupanat e dasmave
nuse e plaka ҫohen peshё,
ky vend i ka tё gjitha
ky vend ka vendёsit e vet.

Kёtu Ereniku gurgullon shqip
edhe njerёzit shqip shajnё,
Çabrati lёshon hije dhe fresk
dheun e tё parёve fort mban,
legjenda e Urёs nuk ёshtё mё e Fshehtё
trupin shtrirё rrёzё shkёmbi ka,
histori e qytetit nuk ёshtё e re
rrёfen gojёdhёna njё ngjarje tё lashtё.

Mali me malin s’bashkohet
por njerёzit bashkohen njё ditё,
kokёn nё Shqipёri
trupin nё Kosovё
veshur me Himnin e Flamurit
dy grushta dhé nё duar
kёtu s’kam qenё kurrё e huaj!

Gjakovё, 2015


Shqipe Hasani

     Shqipe Hasani u lind në Prishtinë. Shkollën fillore dhe të mesme (mjekësinë e përgjithshme) e mbaroi në Prishtinë. Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe Letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Punon në QKU, Klinika Radiologji dhe Onkologji – teknike e Rengenit. Është anëtare e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
     Në vitin 2009 është shpërblyer me çmimin e parë letrar për veprën më të mirë të vitit “Akuareli dhembjes”, si dhe është fituese e dy çmimeve në Tiranë nga Lidhja e krijuesve “Pegasi”, dhe Lidhja  shkrimtarëve nga Tirana (me çmime të vendeve të para). Autorja jeton dhe punon në Prishtinë.
     Krijimtaria e saj letrare është shpërblyer me çmime dhe mirënjohje të ndryshme.


Botoi këto vepra me poezi:
  • “Shiu i vetmisë”,  Pena 1997,
  • “Qielli i varreve”,  Rilindja 2000,
  • “Shtigjet e gjakut”, 2001
  • “Akuareli dhembjes”,  Flormed 2008,
  • “Premtim i lënë peng”, 2009 LSHK dega në Prizren,  dhe dramën
  • “Qëndistarja s’ka mort” , 2011 botuar nga Sh. B. “Orfeu” Prishtinë.
  • “Okteti i vajzave” 2012,  Sh. B. ”Orfeu” Prishtinë.
  • “Prillin ma solle ti”, 2013, Sh. B. “Orfeu” Prishtinë
  • “Ç’gjuhë flasin lulet”, 2013, Sh. B. “Orfeu” Prishtinë
  • “Sytë kërkojnë përtej vdekjes” – Dramë 2014 Sh. B  “Orfeu’’ Prishtinë
  • “Nimfa vjen të martën’’ 2014 Sh. B “ Orfeu”  Prishtinë

        Poezi nga Shqipe Hasani        

SAGË PËR TRUALLIN

Atje një limf i përgjakur
Po më thërret me gjuhën cipëplasur
Zgjohem mallit të vluar
Pa më lag shiu i vjeshtës
Rri në portë të kullës
Flas me 101 copëra eshtrash
Të zhveshur gjer në palcë të amshimit
Nëse vonohem gjer në nëntor
Mos ma ndalni kohën
Do t’i zgjoj ninullat e moçme
Nga vdekjet e diellta
Gjinjve të ndrydhjes u jap qumësht lirie

Mbrëmjes vij në këpucë pa take
Pa u zbeh zjarrit të pergamenës
Pa u lodhur natës pa emër
Nga klithmat e kambanave
Më djeg një buzëqeshje e ngrirë
Më dhemb gjaku yt atdhe
E di se vetëm ti m’a përbiron dashurinë
Imazhin mbi kraharor gruaje.

Dikur kthehem buzë Ibrit
Shoh si luajnë sagat plot gjak
Si e mbajnë dritën në pranga
Si I fshehin mëkatet labirintit
Në kantatë shpirti thur një apologji
Populli im me dashurinë në qepallë
Puth trojet e lashta me një serenade çlirimi .
                
                                      
DRITËSIM HIJESH  
( ESAT  MEKULI )

I lash dritaret e hapura gjithë ditën
T’i shoh “brigjet“ si frone të lakmuara
Nën diellnajën e syve rrijnë zgjuar
Pa u plakur kurrë
As  në  qiell dimri, as pranverës me pergamenë

Më duhet pak kohë të mëkojë ëndrrat
Botën e ndezur me eshkun e fjalëve
“Ç’farë të ngeli në majë të gjuhës “
Liria që shqiptari këndon
Apo etja si klithmë e mishëruar

Dimër i brejtur ç’ma ke pirë gjakun
Për fëmijët që ngjyejnë gishtërinjtë me jargë terri  
Për lotin e nënës në cep të greminës
Për vëllanë që barte sharrën në krah
Përtej 70 bjeshkëve ta zë një copë diell
Me trupin shkrumb tej shprese

Ç’farë murose në fund të gjuhës
Dhembje të copëtuara që nuk qetoheshin
Kur flinin tingujt në cipën e nates
Atdheu gjëmonte me buzë të ngushëllimit
                 
Dikur  larg “sytë që panë botën“
Rrefyen plagën e kuqërremtë si relikt të lashtë
Ofshamat, buzëqeshjet i lage në oqean dritash
E përsëri mbete lakmitar i heshtur

Rrugëtove me dhembjen Kosovë
Shtrive hartën e fisit
“Mos më thirr me emër të huaj “
Ne tokë  lulekuqesh  këndove  himnin  e  dritës
Gjallë valsit të kohrave
Bbete poet me dhembjen sa bjeshka.

        
SERENADË PËR ÇAMËRINË

Atje ku thërrohet kupa e padukshme e dritës
syri i majtë çelet me lot
bebëzave te heshtjes I prehen buzëqeshjet
syri i  djathtë digjet me mall.
Mos më kërkoni shtatë ditë të javës
valët që kullohen si gjëmë ankthi
m’i lagin gishtërinjtë e këmbës
me plagën e hapur në shiun e shekujve.

Ditën e mërkurë gjenden në zgripin e stuhive
do te gjunjëzohem kur emri im
mbush njëqind vjet kur u nda nga shpirti
e mbeti në skelet klithmash .
Mos më thirr nënë derisa Çamërisë
i’a prek rrezet e zëna rob.

Vazhdoj t’a  gjej gjakun e mpiksur nën akull
t’a afroj pranë vetes ...
me perden e grisur të veriut
t’a mbështjell telave të pakëputur gjembor.

Udha ime zgjat një muaj
andej bregohem gjinjëve të etjes
nëpër qiellin e kotur me thikë
ditën e enjte të një lule të bardhë
që u  kurorëzua me lirinë.

Të premten e fundit do të çlodhem
nga ëndrrat mbetur në çengel
nga gjëma që djeg kujtimin.
Nënë atëherë më prit me fustan gjaku
se dasmorët e mi do të çlirohen
ne pranverën e ardhshme
                
                                         
PËR VARKËN E LOTIT 

Kur më ranë ca trosha buke nga goja
E dija se dikush lëshon gjëmë të urisë
Larg rri nga mëkati kur në gishtat e  kujtimit
Mbaj mëshirën
Nuk dua t’më verbojë djersa
Po qe se e shihja të mbramin muzg .

Rrëqethjet s’mund t’i nxjerr nga trupi
As pelerina e bardhë  s ’ mund  t ’mi  mbuloj
Pikëllohet Van Gogu në pikturë
Me një vesh dëgjon vetëvrasjet e reja
Çerret baladohen në një kor  antik
Karriga e lagjes prit dhe përcjell mall
Varkat e lotëve a do të mbyllen  ndonjëherë ?

Porta e qytetit mban çelësin e përjetimit
Një foshnjë qan me vajin e braktisur
As zjarri i Trojës nuk e fal
T’ a djeg at nënë të pashpirt
Kur  dikush  I kërkon nëpër etje dielli
Le të ruhet nga toka se një ditë
Druaj të vërshohemi me dhembje

Diku në qoshe të udhës rri një plak I lodhur
Mbledh shkrumbin xhepave te shqyer
Pëshpërit me statujat e natës
Për njëmijë poema të shqetësimit
O zot  çdo  shpjegim  është I tepërt
Qepallat e lagura më dridhen nga pezmi
Ndiej se sagat  janë plot shtrëngata.


 VIOLINA QAN POETIN
 ( Ali Podrimjes )      

Diku nën diellin e Ulpianës
Një heshtje e pëlcitur
Shkrin gurët në kohëra
Copëton harenë e ditës

Violinë  e qytetit qan
E mbush peizazhet e Arbrit
Ballkoneve të pezullta
Vyshken degët e këputura

Askund  s’ndalet loti
As  kujtimet nuk heshtin
Ato rrinë pezull
Në vargje të ndrydhura
E vapën verës ia shtojnë

Herët ia prek diellin mëngjesit
Natës ia le ëndrrat e vendlindjes
Lumit ia mbolle lulet rreth shtratit
Që një ditë vërshoi
Duke ia marrë gjuhën antikës
Trëndafilin e çelur
Në etje, në luftë, në vargje.

________
Përgtiti: Adem zaplluzha për sa-kra.ch