Me shkrime ka filluar të merret që në shkollën fillore, por librin e parë me poezi e botoi më vitin 2005. Është anëtare e Lidhjes së Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Themeluese dhe Kryetare e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Kosova deri në janar 2013. Anëtare e Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve Bashëkohor ( Ëorld Poets Society). Nga shkurti 2013 është themeluese dhe anëtare e Bordit Drejtues të Lidhjes Ndërkombëtare të poetëve Galaktika Poetike Atunis.
Hasije Selishta është bashkëorganizatore e shumë aktiviteteve dhe manifestimeve kulturore letrare në Kosovë dhe jashtë saj si:
- Për katër vite organizoi “100 Mijë Poetë për Ndryshime”në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Kamenicë, Ferizaj, Preshevë etj.
- Manifestimin kulturor në Prishtinë më 2012: “Poetët e kombit apelojnë...”,
- Manfestimin kulturor-letrar në Dragash më 2013 “Poezia, lidhja e globit poetik”
- Manifestimin në Prishtinë, Podujevë, Orllan më 2013 “Poetët e diasporës apelojnë...”
- “Poetët i këndojnë lirisë” 2014 , Prishtinë etj. Është shpërblyer me disa çmime në konkurset letrare në poezi dhe prozë ku ia vlen të përmenden:
- Përmbledhja e tretë me poezi, “Mbishkrim në lëkurë”, është përzgjedhur në grupin e pesë librave më të mirë të botuar në Kosovë në vitin 2007 nga “Mitingu i Poezisë” Gjakovë.
- Në Kumanovë – Maqedoni (2009) në “Takimet poetike të Karadakut”, çmimin e tretë për poezi.
- Në nëntor 2012, në Pejë, mori cmimin e parë për poezi.
- Më 17 shkurt 2013, një aktivitet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës u nderua me cmim për kontributin e fuqishëm në kuadër të pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
- Çmimin krijues Naji Naaman Literary Prize në qershor 2014 në Liban.
Poezitë e saj janë përfshirë edhe në disa antologji si dhe janë përkthyer në anglisht, italisht, greqisht, kroatisht etj
Veprat letrare:
- “Edhe nëpër varre këndova”, 2005, poezi
- “Kur vdes në mes të largësive”, 2005, poezi
- “Mbishkrim në lëkurë”, 2006, poezi
- “Përtej çmendisë”, 2008, poezi.
- “Lule ajri” , 2009, poezi
- ”Fërshëllimë floku”, 2010, prozë poetike
- ”Il fuoco mitico”, “Zjarri mistik”2011, poezi e përkthyer në italisht
- “Mystical visdom”- “Urtësi mitike”, 2011, poezi e përkthyer në anglisht
- “Ο Ρυθμός της αναπνοής”- “Ritmi i frymëmarrjes”, 2011, poezi e përkthyer në greqisht
- “Da ne kaze Bog”-“ Mos thuaj Zot”, 2012, poezi e përkthyer në kroatisht
- “Hiri Hyjnor”, 2014, roman.
Poezi nga Hasije Selishta Kryeziu
HESHTJA E PORTAVE
Te porta e parë
hijesove diellin
ngrite kokën lart
ec drejt portës së dytë
Pa u hamendësuar
digje Shpirtin e copëtuar
hirin
tokën e premtuar ruaje
të mos e vjedhin ata
Te porta e dytë
ndrydhet dhembja
dielli le të djegë
Frymën e shenjtë
Vetëm himnin e zhurmshëm
korin e Kishës
mos e dëgjo
Shpirti portë nuk ka
Te porta e tretë
rrëshqet shkëmbi nga ata
si pritë nga qielli
furtune marrin gjethet
e lëna shkretë
të lutem merrmë edhe mua
kudo që të jesh
Zëri yt në errësirë
nga të lehurat e qenve
ëndrra në pikë të ditës
si të mos mësohet
Te porta e katërt
një e dehur
edhe më tej në çmendi
duke na gjykuar
neve të pandehurit
për dehje
ÇT’JU THEM
Ç t’ ju them juve
të pagjumëve
të kërrusur nga dhembja
e ndrydhur nga vuajtja
stërlodhur nga uria
e kalibardëve
Si ti shikoj lotët
si ujëvarë e heshtur
po ecë trupit tim
ndër shekuj
grabitë buzëqeshjet
e të urtit
Ç’të bëjë me sytë e tyre
mbushur plot mall
e verbuar nga errësira
kot do t’i prek dielli
zgjatja e shekujve
vuajtjet përzien
E kur të zgjohen
të shtypurit
një grusht dashuri
me dhembje i përzier
do të qeshem si fëmija
duke u rilindur
HIMNI I SHENJTË
Ftohtë
furtuna hyri në asht
u tmerrua
për herë të parë u mbështoll
në pëlhurën e kuanteve të universit
për ta ndalur hovin
Në akull
gërsheta e vjetër u shprish
floku thinjur
shkulur
era e barti
gabimisht ishte gërshetuar
IKA NË QIEJT E MI
Në qiellin e parë
pashë flokun e shprishur
bartej prej një reje në tjetrën
më pas fluturoi në tokë
drejt një ferr
thinjat mbështilleshin
Serapis Bej
i preku me ngjyrën e verdhë
Në qiellin e dytë
mëkatet e tij më ndiqnin
pa e parë
se rrezja e parë e El Morjes
ishte humbur
mbuluar me dheun e vetmisë
Në qiellin e tretë
ende përndjekësha
donte t’më mbushte mistere
Zot
ruaje virgjërinë e përjetshme
edhe në fundjetë
t’mos e përkund
era e kufomës së marrosur
por si atëherë
të flas në origjinalitet
Në qiellin e tretë
mbeta vetëm
pa iu trembur
errësirës
egërsisë
hënës se do të zhduket
U afrova edhe më afër qiellit
që ta ndjej erën e tij të lirë
kupë e qiellit më bën nder
më paralajmëron
rikthimin
pastaj vazhdimin
në qiellin e katërt...
PËR PARAJSË JAM VONUAR
Rritën tënde s’e pashë
e belbëzimin tënd ndjej
se si më afrohet
me trupin prej engjëlli
Duke ikur nga shtrëngata
Hadi
ashtu e buzëqeshur
himn shushurime pagëzon
S’ta ndjeva gëzimin
ike pa u ngushëlluar nga vaji
je rritur
ndoshta edhe dashuruar
Përgatis pajën tënde
për fejesë
me gërshetën fije fije
qëndis lule
Kam mall të vij tek ti
në dasmën tënde
valsin me engjëj
të ik prej korbit që më nxin sytë
Besova në ditën e madhe
do të vinte shpejt
të më prisje duar hapur
apo ndoshta për parajsë jam vonuar
TYMOSJE HYJNORE
Letrën e bardhë
qielli e kishte lexuar
lotuar
puthur
shkëlqyer me diell
yll
hënë
Bardhësinë
nuk e kishte humbur
verdhësia
Aty ku e ka puthur qielli
me dhembje
pa frikë
vjen në Unin tim
bardh
ngrohtë
heshtur
Në trupin tim
harliset
pa humbur
në thellësinë e mallit
laget
nga të pagjumët
Ç’tymosje
unë e qielli
të pavdekshëm
qajmë
puthemi
lutemi
Letra e bardhë
hyjnore
pranë meje
qiellit
rri varur
HIMNI I QIELLIT
Aromë e egër
përskuqet
diçka prej femre
prish
ligjin e heshtjes
Shtrydh ankthin
nga trupi
të dalin djajtë
harlisur
të vetvriten
nga ftohtësia
edhe atëherë
kur jam tërbuar
çoroditur
Parandjenja u afrua
për të zbavitur
mëngjesin e dhjetorit
këndoi
himnin e ftohtë
të qiellit
Varfërinë e shthurjes
shpall pa dhembje
e lodhur
nga zhgënjimi
pirgut të qiellit
afrohem
që t’i mbetem besnik
trupit tim prej hiri
_______
Marrë nga sa-kra.ch
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen