Samstag, 15. August 2015

Adem Zejnullahu

Adem Zejnullahu

      Adem Zejnullahu lindi, më 13. 10. 945 në Banjë (Banjskë), Komuna e Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në Smrekonicë dhe në Vushtrri, ndërsa Shkollën Normale në Mitrovicë, më 1967.
     Studimet në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës i mbaroi më 1972. Magjistroi më 1979, kurse më 1986 mbrojti tezën e doktoratës nga fusha e shkencave filologjike. Deri më 1982 punoi mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkolla të ndryshme në Prishtinë e në Mitrovicë. Prej vitit 1982 deri më 2010, punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku ishte këshilltar shkencor në Degën e Folklorit dhe përgjegjës i kësaj dege.
     Është autor i më shumë se 300 njësive bibliografike-studimeve, trajtesave, artikujve, recensioneve për probleme të ndryshme nga fusha e folklorit dhe letërsia e shkruar.
Është pjesëmarrës i shumë kongreseve, konferencave , simpoziumeve e tryezave shkencore, kombëtare dhe ndërkombëtare, të mbajtura nëpër qendra të ndryshme të rajonit dhe Evropës. Është autor dhe kautor i më shumë se 25 veprave shkencore dhe letrare. Fitues i shumë shpërblimeve letrare për poezi. Në Festivalin Ndërkombëtar, Drini Poetik, 2014, mori çmimin “ Metafora I ”.
     Një numër i konsiderueshëm nga opusi letrar dhe studimeve nga letërsia i janë përkthyer në gjuhë të huaja.

Përmbledhje me poezi:                   

  • Kur zgjohen ernat, Rilindja, Prishtinë, 1969;
  • Përshëndetje Ditës së Kthjelltë, (bashkautor), Mitrovicë, 1970;        
  • Mote Hiri, Rilindja, Prishtinë, 2000;
  • Zogu i Stuhive, (poezi për fëmijë, Prishtinë, 2001; 
  • Vetëm me ëndrrën, Faik Konica, Prishtinë, 2007;
  • E di vetëtima, Faik Konica, Prishtinë, 2009;
  • Erërat e mbarsura me mjegull, SHSHM, “Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2011;
  • Dhembje shiu, SHSHM” Jakup Ceraja”, Mitrovicë, 2012;
  • Me ty çel trëndafili (poezi për fëmijë e të rritur), SHSHM, Mitrovicë, 2014.


Poezi nga Adem Zejnullahu



ZË BRENDËSIE

Rrëfimet e ullirit dymijë vjeçar në Tivarin e Vjetër,
plak i botës

E përshëndes në gjuhën e rrënjës
Bëhet sikur s’ më njeh
Përmallshëm i flas
Jam degë e thyer nga erërat
Ulli  i moshuar
Me zgavër të hapur rrufesh
Gjatë shekujve të përdreqt


NIS E FLET

Kuvendojmë në gjuhën e trungut
Gjethet e degët lëvizin
Ndoshta era na kupton
Dhe rrënjët thellë në tokë

Idhshëm trand kujtimi
Deti djallëzohet
E përshkon e kuqja
Plisat thellësia i gëlltit

E thërras afër e larg
Fjalët bëhen gurë kalaje
E kohët përbirohen zi

I pëshpëris afër e larg
Ty s’të merr harresa
Vetëm unë e di
Në cilën baladë të verdhë
Ndryhesh me shekuj
Ulli plak
I ashtit të shpuar
Larë me gjak

Lotin kurrë s’e ndal


KALOI DYMBËDHJETA

Ora dymbëdhjetë e një minutë
Fund a fillim
Ndërrim qenësie
Të ecim lakinave t’ mëdyshjeve
Të rrimë na kapërdinë harresa
Ata që na njihnin
Kthyen shpinën
           
Nisi udhëtimi  i panjohur
Kah vetvetja...

Në stacionin e fundit
Këmbora është shurdhuar
Ëndrra ëndrrën e shalon
Takimet s’ndodhen
Valixhja e kujtimeve në duar
S’ duket vezullimi i yllit

Miku im i ditës pa bardhësi
Të rrimë a të ecim
Treni i fundit ka ikur
Jemi vonuar për një lindje
Për një rritje
Për një këngë më shumë
Për një dhembje më pak
Sofra varfërohet
Me motet e humbura

Dymbëdhjetë e një minutë
Fillim a fund
E shumëpritura humbi udhë
Në mrizin e zanave
Fryjnë erërat e dreqnuara
Urti tjetër duhet për udhëtim        


E PATHËNË

Fryn erëra të ngrohta jugu
U harlisen dallgët
E heshtja doli nga guaska
Nga fundi i detit
Fjala mori udhë
Asnjë ëndërr s’u shpjegua
Deri në fund
Asnjë këngë s’u këndua
Deri në fund
Asnjë plagë s’u shërua
Deri në fund
Dhe as një det s’u shter
Deri në fund
Që të mbijë lulekripa
E gjuha ta bekojë të pathënën
 

SA PAK TЁ PREMTE PASKA

Sikur të mos kishte të marte
Lulet s’do ta humbnin ngjyrën
Në blerimin e moteve

As shi s’do të binte i njelmtë

Lindëm n’orët e së martës
Kur Fatitë i ndanin fatet
Në mes lindjeve e vdekjeve 

Me emra yjesh e rrufesh

E martja shndërrohet në të dielën
Gurëzon buzëqeshjen e javës
Muzgu sëmbon në pritje

Eh, sa pak të premte paska

Në vezullimin e yllit polar
Shfaqet Kepi i ëndërruar
Sikur të mos kishte të marte

Lumi do të rridhte i kthjelltë


KUJTIM NGACMUES

U përvodhëm
te Kroi i Kërshit
atë ditë gushti
Djalo
mali ka vesh
e fusha sy
U bëra i shurdhur
ndezëm zjarret
lumi vërshoi
etje pas etjeje
muzgu ra

Vetullhënë, moj fytyrëhënë
ç’më përfytyrohesh
këmishë grisur
faqeflakë
syshkëndijë

Shumë vite ikën
në këto orë të vona
vjen puhizë malli
Vetmia ma sjell
fijen e kujtimeve
ike si zanë mali
pas Zabelit t’ Kerollëve
s’u pamë më
e na dogji malli


DHEMBJE SHIU

Ai që s’e ka prekur zjarrin
S’di ç’është
Gurëzimi i zogut n’ fluturim

Le të ikë me erën
           
Ai që ka dashuruar dy herë
S’di ç’është
T’i marrë erë lules së paçelur

Ore vetëm shiu ndjen dhembjen

_______
Përgatiti Adem Zaplluzha

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen