Freitag, 14. August 2015

Tahir Bezhani

     Tahir Bezhani ka lindur me 17.05.1947 në fshatin Smolicë të Rekës së Keqe, Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në Ponoshec, të mesmen në Gjakovë, kurse studimet e larta ne SHLP ”Bajram Curri” në Gjakovë, në degën Gjuhë-Letërsi Shqipe.
     Tahir Bezhani që kur ishte nxënës dhe student nisi të shkruajë poezi e prozë në faqet e gazetave e revistave tona të kohës. Poezinë e pare e botoi ne vitin 1967 ne revistën “Zani i Rinisë”. Një kohë bashkëpunoi edhe me “Rilindjen”.
     Për aktivitetin e tij në Sindikatën e Pavarur të Policisë së Kosovës,Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në vitin 1995 e dënoi me dy vite burgim.
     Tahir Bezhani është anëtarë i Klubit letrarë “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe anëtarë i Lidhjes së Poetëve Bashkëkohorë të Globit (E.P.S.). Mori pjesë në disa takime me rëndësi të poetëve,organizuar nga Pegasi në Gjirokastër.


Deri më tash ka botuar këto libra:
  • “Koha lind vigaj”, monografi, 2001
  • “Përplasje kohe”, poezi,  2002
  • “Pëlcitje e vonuar”, poezi, 2004
  • “Rapsodët e Rekës së Keqe”, monografi, 2005
  • “Shkollat shqipe në Rekë të Keqe”, monografi,2006
  • “Smolica bastion I lirisë”, monografi, 2007
  • “Frymëzim në errësirë, poezi, 2008
  • “Jetë në furtunë”, kujtime, 2009
  • “Piskamë e heshtur”, poezi, 2010
  • ”Urtësi nga Reka Keqe”, 2011
  • ”Mureve të heshtjes sime”, ”LULU” SHBA,poezi,2011
  • “Leximi I shkrumbit”, poezi,Tiranë, 2012.
  • ”Hijet e mallit”,Mujë Sadrija, pas vdekjes, (mbledhje dhe përgatitje), 2013
  • ”Lojë hijesh”, poezi, 2014
  • ”Vrapimi pas së bukurës”, vështrime,recensione dhe mbresa leximi, 2015.
 
 
Poezi nga Tahir Bezhani
 
NEVERITJE
 
Një trokitje nate e pandarë
Më nxjerr rrugëve të përgjumura
Skajoj boshësive pa cak
Pamje të mykura
Më zënë frymën
Zjarrmia niset damarëve
 
Unë këpus pullat e këmishës
Në heshtje grimcoj thonjtë e dorës
Pa dashje pështyj
Djathtas e majtas
Plot neveri
 
Kaloj nga rruga në rrugë
Kudo postierë të ngjeshur mureve
Në vrapim postesh
Varfëria prapë plagë e kohës
Heshtja ilaç shërimi
I shpirtit në vuajtje
Rrugëve pa fund….
 
 
MOS TELEFONO!
 
Mos i bjer numrit tim pa pushim
Kam djegur kartën në mallëngjime
Numrat nuk I shoh më
Lotimi thur perde në sy!
 
Asnjëherë mos pyet për mua
Sepse dhimbja që ndiej
Më mashtron
E ti
Aq larg syve
Në zemër të mbaj
Avull malli!
 
Sa rrallë shihemi
Jeta shkon si ëndërr
Ngushëllimi mbetet pranë
Shikimi I ngrirë në një pike
Mos I bjer numrit tim!
 
 
LOTIM I DJEGUR
 
Kalova korridoret e zbehta
Me qeshje të mbytur shtrënguar
Takova fytyrën në pasqyrë
Nuk e njoha  hijen  time
Ndeshje në prag terri
 
Flokë të shprishura  në gërhanë
Pata frikë siluetën në dridhje
Eshtnaja buzëqeshte hijshëm
Nga bukuri e dhembjes
Djegur hijeve mashtruese
 
E durimi përmbytej gjymtyrëve
Sa ishte lodhur dhimbja me mua
Durimi zgërdhihej tinës
Në pusin e zi të  natës
Si fëmijë i gëzohesha ditës së re
Kishte ikur një natë me protesta….
 
 
MË FAL
 
Më fal
Nuk të njoha
Në dritën e qiririt
Ai digjej
Ne treteshim
Ngadalë bëheshim hi!...
Përshëndetje e rëndë
Përmes flakës
Zbehtësia pikaste pamjet
As buzët nuk  shqiptonin ndarjen
Mimika e ngrirë në heshtje
Pergamenë kujtimi !
Më falë
Nuk të putha në flake qiriri
Cili prej nesh
Do e ruaj hirin
Kujtim….
 
 
EJA
 
Eja banore e shpirtit
T’i njomi sytë
Flluskave tua vezulluese
Kënga shkrum e djegur
Pëlcet
Dhimbjet rreziten prushit
Rreshket dashuria e zjarrtë !
 
Unë tretem në këngë
Natën e në mesnatë
Në mëngjes hi hi I djegur
Feniksi fluturon qiellit…..
 
 
ZHURMË BRENDA
 
Ndiej zëra brenda
Heshtje
Vetëm unë e ti
Komunikojmë lirshëm
Natën e ditën-
Në çdo kohë
Udhëtojmë hijeve  të mendimeve
Me një frymëmarrje
Kërkojmë të bukurën…

________
Përgatiti: Adem Zaplluzha

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen