Freitag, 14. August 2015

Agim Bajrami

Agim Bajrami

Agim Bajrami u lind në qytetin e vogël Cërrik, pranë Elbasanit më 22.09.1959. Është bir i një familje çame të shpërngulur në vitin 1945 për t’i shpëtuar masakrave Zervës. Është rritur në atë qytet me jehonën e këngëve epike të trimit Muharrem Rushiti dhe tregimeve të gjyshes për fshatin Koskë të Filatit. 
Agimi është poet me natyrë lirike dhe autor i disa librave të suksesshëm me poezi si: “Romancat e muzgut”, “Arratisje pulëbardhe”, “Mbrëmje të puthura”, “Kohë që s’dashuron”. Kurse në publicistikë, ku është i pranishëm vazhdimisht, është promovuar me librin “Kthimi i gjeneralit”. Poashtu, ky autor është vlerësuar shumë herë me çmime të ndryshme në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. 
Aktualisht jeton dhe krijon në Durrës.
 
 
  Poezi nga Agim Bajrami

 
DRITA E NJË GRUAJE
 
Gjithmonë besoja se një femër
Ngjason me një trumcak hutaq
Mjaftojnë ca fjalë t’i hysh në zemër
Një lojë si Don Zhuan dhe kaq.
 
Vetëm me ty s’më eci zari
Ti s’ishe grua, por çudi
Më kot janë fryrë majë trotuarit
Se mund të mposht çdo Ofeli.
 
Sepse atë çast që t’u afrova
Pa lejen tënde, sigurisht
Për pak më ngjau se u verbova
Dhe bëra pas instinktivisht.
 
Atë dritë që t’i mbaje me vete
Dhe më rrethoi si pakuptuar
S’ia kisha parë asnjë komete
As tek të gjithë gratë që kam kaluar.
 
E para herë që dorëzohem
Dhe bie me ty në dashuri
Unë me gjithë dritat përqafohem
Por shpirtin skllav ta lë veç ty.
 
Ballë njëri – tjetrit rrimë ngujuar
Siç rrinë dy kundërshtarë të vjetër
Ti rastin pret për të më verbuar
Por...dhe të më puthësh me patjetër.
 

 
PUTHJE NË SHI
 
Ne po puthemi
Po bëjmë atë që bëjnë të tjerë
S’na bëhet vonë për shiun
që bie.
E  lëmë të bjerë.
 
Prej zogjsh të lagur
dridhet ajri
Dhe flatra gjethesh pa adresë
Askush s’guxon të ikë i pari
Do rrimë këtu gjer në mëngjes.
 
Këtë muzg të malltë
që të ka mbetur
Me buzë kam nisur
të ta fshij
Ne jemi sot të njëri-tjetrit
Dhe kurrë të këtij relievi gri.
 
Gjer thellë në kockë
 është qullur toka
Por sa çudi, oh sa çudi
Unë asnjë pikë s’kam ndjerë
tek koka
Dhe asnjë pikë s’ke ndjerë as ti.
 
Më kot vetveten dimri
shkund
Dhe valle shiu hedhin
retë
Ne vetëm puthemi pafund
Se kemi çadër, qiellin
vetë.
 

 
VDEKJA E KRIMINELIT
 
Ai iku
 Ose më mirë të themi e përzunë
Qyteti im s’i duron njerëzit
Që  i vënë vetes emrin dhunë.
 
Kronikat thanë se e vrau hasmi
Por unë s’besoj tek asnjeri
Ka qenë vetë refuzimi i ajrit
Që s’desh t’i japë më jetë atij.
 
Gjithmonë dyshoja se ai kish
Një gen hua të marrë prej djalli
Dhe pse ish fryt prej dashurish
Dhe ende s’kishte brirë tek balli.
 
Gjithmonë dyshoja dhe dyshoj
Se nuk shpjegohet ndryshe
Shtëpia e tij nuk mbante zogj
Dhe fole dallëndyshesh.
 
Sa kohë që rroi mbolli veç plagë
Dhe ecte mbi kufoma
Ato akoma kullojnë gjak
Dhe ajri klith akoma.
 
Tashmë që po shkon përcjellë
Nga një kortezh i ngrirë
Një zë më thotë se edhe varri
Prej tij nuk ndihet mirë.
 
Ai iku
Më mirë të themi e përzunë
Qyteti im s’rron dot me monstrat
Që emrin e kanë dhunë.
 

 
INCIDENT NË DIKTATURË
 
Rapsodët e dëgjuar i sollën që nga larg
Atje në skenë para “Të parit”
Dikush kish udhëtuar me kamion ushtarak
Një tjetër me karrocën e barit.
 
Do i këndonin partisë dhë Atij
Për të tjerë çdo fjalë do ish e tepërt
Se vetëm “ata” kishin sjellë lumturi
Dhe socializmin, kryevepër.
 
I pari u bllokua që në strofën e parë
S’i kishte më  zë kraharori
Kish vite që hapte tunele në mal
Dhe hante veç lakra i gjori.
 
Të dytit zëri pa e ditur iu kthye
 Në një psherëtimë
Kish lënë fëmijët e uritur
Në një shtëpi në bokërimë.
 
I treti mbeti si guak
Me duar shtynte mikrofonin
Lëpjetat që kish ngrënë për darkë
Në zorrë si sorra turfullonin.
 
Dhe mbeti salla e shastisur
U prish koncerti, aq e pati
“I madhi” ngryste sytë e ngrysur
Dhe brente thonjtë nga inati.
 
Ata  i sollën që nga larg
T’i ngrinin himn mandatës
Po fjalët ngecën si në lak
Dhe humbën përmes natës.
 

 
SHTËPIA IME NË ÇAMËRI
 
Shtëpi e braktisur
Nën një klithmë ulliri
Me mure të krisur
Dhe çati prej hiri.
 
Tavanët të rëna
Llangosur me gjak
Netëve veç  hëna
Vjen të  çlodhet pak.
 
Vijnë edhe ca hije
Pa kokë e pa duar
Një djep prej fëmije
Me zë të verbuar.
 
Kam përshkruar fusha
Male dhe çetina
Mbi një kalë balade
Dhënë nga Dorunitina.
 
Të rrinë këtu grumbull
Me vështrim të mekur
Siç rrinë para nënës
Të gjithë bijtë e vdekur.
 
Me penj amanetesh
Të qepin kujtimet
Gjashtëdhjetë vjet që fjalët
U ngjajnë me vajtimet.
 
Njëlloj si atëherë
Atë kohë të shkuar
Kur mbi ta u ngulën
Kryqet e tërbuar.
 
Me gjuhë prej nepërke
Dalë nga fundi i dheut
Atë natë të tmerrshme
Shën Bartolemeut.
 
Ngulej bajoneta
Dhe mbi Bue Shpatën
Ylli i Çamërisë
Po tretej me natën.
 
Një nga një i shpuan
Dhe i vranë mbi prag
Kohërat bizantine
S’ngopen lehtë me gjak.
 
Mbi prag u ra trupi
Nën një qiell prej vreri
Si peizazh i ferrtë
Marrë nga Aligeri.
 
Shtëpi e braktisur
Nën një lot ulliri
Me mure të grisur
Dhe hije prej hiri.
 

 
VIZITORI I NATËS
 
Pragmbrëmja fshin kufijtë e ditës
Me hap të ngathët prej pleqërisë
Është çasti kur të vdekurit ngrihen
Kur unë kufomën time gris.
 
I lodhur keqas nga rrëmujat
Nga ecejaket gjithë mërzi
Po shkoj të çmallem me statujat
Dhe me të vdekurit e mi.
 
Kështu kam bërë e bëj përherë
Ata që s’rrojnë janë më mikpritës
Askush s’guxon të të prekë në nder
Apo të sheh me sy shpotitës.
 
Atje s’ka mjeshtra ligësie
Bastardë me post dhe sy të mpirë
Dhe pse mbaj shpesh kostum lirie
Pranë tyre kurrë s’ndihem i lirë.
 
Ata që unë iu ngrita këngë
Që i pandehja për heronj
Më dolën bisha me dy këmbë
Me kthetra ujku dhe dragonj.
 
Mbi kokë ma flakën ëndrrën time
A thua ish një rreckë e vjetër?
-Idiot, kënaqu me thërrime
Këtu jemi ne dhe askush tjetër.
 
Pragmbrëmja gris kufijtë e ditës
Me hap të lodhur si zhgënjim
Është ora kur rivriten mitet
Dhe unë të gdhend portretin tim.

_________
Përgatiti: Adem Zaplluzha

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen