Freitag, 14. August 2015

Mazllum Baraliu

     Prof. Dr. Mazllum Baraliu Ka lindur në Bukosh të Komunës së Therandës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e ka mbaruar në Therandë dhe Prizren, ndërsa atë superior në Prishtinë dhe Zagreb të Kroacisë. 
     Mazllum Baraliu është profesor në Universitetin e Prishtinës. Është autor i shumë botimeve dhe i mbi dhjetë veprave artistike, shkencore dhe profesionale.
Profesor Baraliu me vite të tëra ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në sendërtimin e Republikës së Kosovës dhe pavarësisë së saj. Në periudhën e pasluftës, ka vazhduar të kontribuojë në ndërtimin dhe udhëheqjen e institucioneve të Republikës së Kosovës, me shkencë, arsim dhe në letërsi. Edhe tani në mënyrë intensive punon në konsolidimin dhe avancimin e shtetit të Kosovës dhe kauzës kombëtare. Aktualisht është profesor i Universitetit "Hasan Prishtina"
     Mazllum Baraliu është anëtar i rregullt i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
     Mbi 43 vite jeton dhe punon në Prishtinë.

Veprat letrare:
"Lumëzime dashurue", "Rilindja"- Prishtinë;
"Dëshira të qëndisura", "Rilindja" - Prishtinë;
"E bukura Ilire", "Eurolindja" - Tiranë;
"Valët e Madrigalit", "Rilindja" - Prishtinë;
"Mësimi i pa mësuar", "faik Konica" - Prishtinë;
"Bulëzat e Blerimit"; "Faik Konica" - Prishtinë;
"Qyteti i shkronjave". 



Poezi nga Mazllum Baraliu

EMTIO SPEI*
 
Ia verbonin sy e mendje
me injektime ultra violete
e ai: "Vapa do duruar, se të heq
reumatizmin kolektiv"…

Hijet e natës ia herrnin tufën,
ai  u lutej "engjëjve bukëpërmbystë"
që në prapaskena e tallandi
shekujt i ngjyrosën
me gjak e me hi-gri.
 
Ua thanë trutë e ua prenë në pyje
(shkurt) drutë,
me rulet e serenadë shkelmore,
ata më shtrenjtë se lëkurën e Adamit
e të leopardit,
kërcunërisht blejnë shpresa të mjegullta…

Ruajnë e humbin çdo gjë e asgjë,
salutojnë, këndojnë e çirren horizontalisht
hidhen e përdridhe vërdallë
si drerë e sorkadhe në rruzare,
vallë, ç’i thonë kësaj?
shpresë  në thes, ecje apo valle,
tregtim kohe, apo emtio spei!
 
Demiurgët nga neveria
në ndërdyzje paranoike
e dehje somnambuloze
zëngjirur mezi këlthasin:
-karvanë të nëmur, keni mendjen,
Piratët e shekujve në kthesë…

 
DILEMË PËR KATRENË
 
Duke shkruar një katrenë
thellë u kredha në dilemë
 
Fjala është për arë e farë,
cila më shumë vlen në kandar?
 
Mendja bluan këtë gjykim:
 
Pa arë ç’vlen fara,
Pa farë s’bin ARA!
 
Të bekoj shoshën, zë në thua
të mallkoj farën, nuk dua
 
Dialektikë materialiste
do të thoshte Marksi
 
Ç’të donë profetët le të thonë,
Kah të sillesh-z e z o n ë…

 
NJË LUMË MËSHIRË
 
Thonë është humane dhe mirë
të kesh një lumë mëshirë
 
të pabëra e mëkate të mos bësh kurrë
edhe kur inkvizitorët të vënë në turrë
 
mëshirë e mëkat
dy qarkore takuar në lak…

Zotërinj, ndërtoni një gotë mëshirë
mëkatet lindin me hir o pahir…!
 
Kullëshpresat nga jashtë ndërtohen,
nga Brenda shkatërohen.
 
 
DËSHIRAT DHE SHPRESAT
 
Çudi, përse dëshirat janë yjet
nga do shkojnë thurin kurorë!
 
Janë si ëndrrat fëmijërore
shpeshherë të ëmbla të dashura
por prore të pakapshme!
 
Janë si ylberi spektrorë
të bukur e laryshorë
por si idhnakë që janë
papritmas zhduken e muken! 
 
Janë si drita e rrita shpresat dhe dëshirat
me ty janë s’preken me dorë
shtojnë vullnet mbase dhe prita,
(me shungullimë të mbushin gëzim)
Na bëjnë kalorës të shtegut DIELLOR.
 
 
PANAIR SILUETASH
 
Sa durim na duhet për ta kaluar detin
një qiell I tërë guxim për ta qetësuar rrëmetin
 
kohët lozonjare korbë-mbarsur mëkatesh
panair siluetash të miliona fatesh
 
s aura "sejratesh" ne duhet sprovuar
artin e qëndresës në legjendë shndërruar
 
drunjtë e pyjeve tona horizontalisht rriten
për blerim të uritur brejtjes ia zënë pritën
 
sa kohë buzëgremine shkëmbi ta mbajë bjeshkën
"kurbaneve" të paradoksit tash do hequr rreshkën
 
A t’i shijojmë frytet e pemës së Tantalit
t’i shërojmë pa hile ligatinat dhe moçalet…

le ta marrë flijimin e caktuar
që të mos riudhëtojmë rrugës së përshkruar.
 
 
PËRTYPJET SFINGORE
 
Nga përtypjet sfinksit
shkumëzonte mjerimi,
fijet e fatit shkunden
si gjethet e dyllta vjeshtore
 
Toka dërdëllit e lëngon
kur e pështyn e ndrydh marrëzia!
 
Mos këputni blerimin
se buzëqesh shkretëtira
 
Zogjtë vdesin  në këngë e pa fole…

 
AGIMET E SHTERRURA
 
Qëlloi të ishte darkë djajsh
në  sheshin e nimfave,
këndohej e pihej
dhe qonin dolli
në kupën e bardhësisë
së plisit…

Golgotë e dragonj
mëkatojnë 
për pre e trofe…

I dëgjuan ujqit
të ulërinin në pyll,
frengjitë e kullave gulçonin.
 
Dekadencë drite,
Kadencë skëterre!
 
Shterej e shterej agimi
Qielli i stërkequr ,
Shi e dritësi askund
 
Në kllapi flitet
Me verbëri
Mu në ditën e Shën Gjergjit!
 
 
ENGJËLLIMI I MËKATARËVE
 
Mëkatarët para gjyqit
(ditën e gjykimit)
filluan  të fajësohen reciprokisht,
si gjelat e dehur të grinden
për mëkatet e bëra
dikush nga porota
propozoi që të shndërrohen në engjëj
pastaj të përgjigjen
me radhë një nga një…

Dita e gjykimit sapo mbaroi,
Mëkatarët bijë të Hadit
Si gjithherë
Vazhduan këngën e vjetër!
Kryegjyqtari dhe porota
Caktuan seancën tjetër,
(u lanë kohë
Pendimi e përmirësimi),
Azraili i ftoi sërish në gjykatore
Por kurrë s’i futi më në dorë
H e r ë n  t j e t ë r!

_________
Marrë nga sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen