Freitag, 14. August 2015

Raif Gashi

     Raif Gashi u lind më 20.03.1961 në fshatin Meshinë, Malësia e Gallapit, komuna e Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe në Tygjec, ndërsa shkollën e mesme në Dardanë. Studimet e filluara në Prishtinë iu ndërprenë në vitin 1981, për shkak të angazhimeve në rezistencën kombëtare kundër pushtuesit.
     Me shkrime letrare filloi të merret qysh si nxënës i shkollës së mesme. Kryesisht shkruan poezi e herë pas herë edhe prozë. Disa herë është shpërblyer në konkursin letrar tradicional që e organizojnë komuna e Dardanës dhe klubi letrar "Nositi", në kuadër të manifestimeve multikulturore "Lulëkuqet e Prillit".

Ka botuar librat:

  • "Çiltërsia prej qelqit" - 2005,
  • "Mollë e egër"  - 2008,
  • "Ecje nëpër etje"  - 2010,
  • "Stinët e përziera"  - 2010,
  • "Hije e trishtë"  - 2011,
  • "As ëndërr as jetë"  - 2012,
  • "Fjalët mbesin gjallë" - 2013,
  • "Secili për vete ..."  - 2014,
  • "Mugëtira e lanës"  - 2014.


Poezi nga Raif Gashi


GOTË E NGRIRË

Figurë e thyer
Në shënimlindjen time
Netët e liga udhëtare
Shtegtuan
Në padrejtim
E humba lotin
E syrit tim

Një copë jetë
E mykur
E mbyllur  në arkë
hidhësi
Mos u hap

Hije e trishtë
Me lule në dorë
Rob i robërisë  tënde jam
Pak
Vetëm pak më prek
Nesër do të jam
Një  gotë e ngrirë
 
Paguximin
Urrejtja e pëlcet
Kambriku  bardhon
Mbishkrim  varri
Vetëm
Ti më bjen

Pashërimshmëri
Fund i Zotit
E i motit


MOTI IM

Loti i gurit
Pikë
Rrit  kroje
Lumnojnë
Derdhje e lakore
Shtrat bëjnë
Shi e ujë
Lundrimi
Enigma vjen
Ura
Mbi lumin e vogël
Mbi lumin e madh


KUSH...

Thepa të larta
ngreh në Evropën plakë
gjithmonë rrugë pa krye
kohët erdhën e shkuan
shtëpi me kalem s`ndërtuam

aty u mpreh shpata
për kokën e Sutës së vogël
aty u fik drita
e ti gjete të reja
në epokat trishtuese


AH GURI IM

Pështjellim i terratisur
Derdh ecje në etje
Kalorësi i lakmisë
Qeshet në udhëtimin e pafund
As emër
As shenjë

Shushullima e mpirë
Vargon gdhendjen e gurit tim


MAJA E PLISIT

Mbrëmje qielli kuqëloi
dielli perëndoi
nata afrohej
të gjithë do të  flinin
një lenë e lisit ra
në maje të plisit

Engjëjt bien të pushojnë
lojëra lozin vetëm djallëzitë
lindja e keqe po vjen
mushka do të pjellë
një lenë e lisit ra
në maje të plisit

Kur ka hënë
huti diç do të hajë
një lakuriq nate
me lëkurë të hollë
me sa më pak zorrë
një lenë e lisit ra
në maje të plisit

Baba plisbardhi
tashti luhet zjarri
vdekjet kurrë s`do t`i numërojnë
ilirikumi në zjarr
kurrë më lena e lisit
në maje të plisit

___________
Përgatoiti: Adem Zaplluzha për sa-kra.ch

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen