Freitag, 14. August 2015

Bedri Neziri

     Bedri Neziri u lind me 27 prill 1962 në katundin Bunjak (ish Krasmirovcit) të Skënderajt. Shkollën fillore dhe fazën e parë të arsimit të mesëm të orientuar i kreu në Kastriot (ish Obiliq) dhe dy vjet të tjera i kreu në Prishtinë. Diplomoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Filologjik, dega Gjuhë dhe letërsi shqipe.
     Përveç me prozë, merret edhe me shkrime poetike e publicistike ku disa krijime letrare i  ka të botuar në revista e gazetat periodike në Kosovë e Shqipëri si “Rilindja”, ”Zog mëngjesi”, ”Kosova’’ e KEK-ut”, ”Bulevard” dhe “Vegime letrare” te Durrësit  në të cilën u përfshi një numër i konsideruar i poezive të tij.
     Në përvjetorët e  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që organizohej në Obiliq, është fitues i dy  shpërblimeve letrare i cili mori çmimin e parë në poezi  dhe  çmimin e tretë në prozë në vitet 2007, 2008.
     Punon në shkollën fillore ”Dr. Ibrahim Rugova” dhe është themelues dhe drejtues i grupit letrar i cili vepronte ne kuadër te SHKA ”Rruga e lirisë” e me vonë i Klubit letrar dhe tash i Shoqatës së Shkrimtarëve ”Fahri Fazliu” në Kastriot. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve të Kosovës prej vitit 2011. Jeton në Kastriot dhe punon si Zëvendësdrejtor në SHMU “ Dr. Ibrahim Rugova” prej vitit 1990.
 

Librat e botuara:
  • Kohë e ndaluar”, monografi, 2001
  • Shtegtimet e Arbërit”, poezi, 2008
  • Shtegtime letrare”, monografi, 2012
  • Dritat e shkëlqimit poetik”, fituesit e poezive dhe tregimeve 1990-2011


Poezi nga Bedri Neziri

LAHUTA E GJYSHIT

Në fshat ka mbetur vetëm oda e vjetër
vatra e ndezur e kujtimeve
dhe gjyshi që ende na e mëson lahutën
Dhe pushkën si t’ia kthejmë hasmit

Sa herë kthehem në atë odë
Dëgjoj zërin e gjyshit tek ia thotë malësorçe
Dhe ndjej mallin si rritet si bari
Nuk e di a jam në ëndërr
Mbase sërish po zgjohen vegimet
Derisa përkundem në djepin e së kaluarës
Dua të më zë gjumi nën tingujt e lahutës



ATDHEU

Atdheu është buzëqeshja ime e parë
është lulja e kuqe e mëllagës
që rritet në shiun e buzëqeshjeve tona
uji i kristaltë ku burimi shuan etjen

është djepi i stërlashtë i gjyshit
ku na mësoi si të rritemi
është betejë fitoresh për liri
është bukuri me të cilën mund të matet vetëm parajsa

është frymëzim shpirti gjak zemre
është buzëqeshja nga e cila rriten yjet
që i bëjnë dritë sa herë ecë nëpër natë
e nëpër stuhi

është lule që i falë bukuri njeriut
kur është i lirë
është si bjeshka me lule
si përralla me zana e shtojzovalle
është e vetmja fjalë që bekon dëshmorin
e vetmja këngë për dashurinë që na bashkon



SHTEGTIMET E ARBËRIT
                  
U rrita dhe u plaka
Pa arritur në Krujë
Pa shkuar në Vlorë
Të mësoj si fitohet liria
Për Drenicën për Kosovën

U rrita dhe u plaka
Pa arritur në Ulqin e Preshevë
Në Medvegjë e Tetovë                      
Në Manastir e Strugë
Në Janinë e Çamëri
Të mësoj si ecet vertikalisht
Shekujve nën robëri

U rrita dhe u plaka
Pa arritur në Tivar e në Prevezë
Për të parë Pluhuri i Harrimit
Sa ka mbuluar Dritë edhe Rreze

U rrita dhe u flijova
në Drenicë dhe në Prishtinë
po kurrë s’e pashë tok Arbërinë

U rrita dhe u plaka
Duke pas frymë Besën Shqiptare
Duke u shoqëruar me shpresën për liri
Fushave të bujarisë dhe trimërisë kombëtare



LAPSI MAGJIK
                     
Me lapsin magjik
Shkruaj diçka për shpirtin
Netëve të vona
                     
Fushave të frymëzimeve
Vjel lule për martirët
Për të mirët
Derisa në sytë e mi
Si bletët punëtore
Vallen e lirisë vallëzojnë dëshmorët

Të nesërmen mbi botë
Na përshëndetë dielli...

                                  

NJËQIND VJET ME NET ME STU

Atdheu i vegjëlisë është buzëqeshja
nga e cila rriten yjet
që i bëjnë dritë sa herë që ecë nëpër natë nëpër stuhi
duke lakmuar bukurinë e atdheut
u bënë lule lirie
duke lakmuar bukurinë e lirisë
u bënë lapidar guximi e trimërie
u bënë vet historia me data të reja

Si historia e Krujës si historia e Vlorës
duke imituar Kastriotin, Qemailin,  Boletinin
hynë në përrallë shtegtuan nëpër histori
në shteg mali në ballë shkëmbi
i zunë prit ujkut që donte të hante

Njëqind vjet me net me stuhi
Kërkuan dritë për kullën
Për zogun që duhej të fluturonte

Njërin e quanin Skënderbe
E thërrisnin tjetrën Ismail Bej Qemajli
Për ta pagëzuar lirinë

Ranë duke kënduar në altarin e kombit
Duke kënduar hynë në histori

Tash edhe dielli edhe yjet
Marrin fuqi nga bukuria e buzëqeshjeve të tyre



ATY KU NDODHI NËNTORI  I DYTË

Doja të ripërtërihem si lulja në stinën e lirisë
Doja të rritesha si fëmija në gjirin e nënës
Me fluturimin e shqipeve për të mbërri një ditë
Aty ku shqipja e ka folenë
                            
Dhe rrit fëmijët me dashurinë e atdheut
Aty ku buzëqeshja lindë
Nga dashuria për tokën për qiellin
Aty ku flamuri është prijës
E jo këmishë e hedhur në gardh

Aty ku pleqtë kthejnë nga betejat
Fitimtarë duke sjell diell në atdhe
Aty ku shkëmbi është shtëpi e shqiponjës
 E lulet janë bukuria e saj

Aty ku e kuqja është dashuria
Ndërsa e zeza stoli e dashurisë
Aty ku ndodhi Nëntori i dytë
Dhe krenaria iu bë kurorë
_________
Përgatiti Adem Zaplluzha

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen