Avdyl Sulaj ka lindur më 1 korrik 1945 në fshatin Begaj, Tropojë. Ai ka punuar në shërbim të shtetit e të shoqërisë shqiptare në mbi 20 zanate, profesione e detyra të ndryshme, si bujk e bari, punëtor, nëpunës, mësues, bibliotekist e drejtor biblioteke, poet, prozator, studiues e publicist etj.
Veprat e botuara:
Veprat e botuara:
- Evropa e bashkuar, Shqipëria e copëtuar, Publicistikë, Tiranë 1999.
- Visare gjuhësore - kulturore nga Malësia e Gjakovës I, Tiranë, 2000.
- Visare gjuhësore - kulturore nga Malësia e Gjakovës II, Tiranë, 2003.
- Kristale alpine, Poezi, Tiranë, 2006.
- Fjalor fjalësh dhe shprehjesh popullore, Tiranë, 2009.
- Shkrime dhe hulumtime gjuhësore, Tiranë 2012.
- Krokodili mallëngjen fqinjët, Fabula, Tiranë, 2013.
- Larushia e fjalës në gojën e popullit, Tiranë, 2013.
Poezi nga Avdyl Sulaj
EH, KËTA SHTEGTARË!
Zogjtë duke fluturuar me hare,
Tufa – tufa u nisën në shtegtim.
Bijtë e shqipes me sytë përdhe,
Rrugëve të fatit ikin në mërgim.
Zogjtë duke cicëruar në pranverë,
Sërish do të kthehen ndër këto fole.
Bijtë e shqipes a do kenë ndonjëherë
Stinë të lumtur kthimi në atdhe…?!
DHURATA SË DASHURËS
PËR SHËN VALENTIN
Sot e dashur, për Shën Valentin
Dhuratat do t’i bëj nga peizazhi alpin.
Një fustan do ta end në vegjë të erës
Prej fluturzash bore te Kroni i Verës.
Një ylber do ta mbërrij lart në bjeshkë,
Me stofin e tij do të bëj një xhaketë.
Majë Shkëlzenit do të kap një vetëtimë,
Ta bëj fjongo flokësh të artë vizëllimë.
Gjerdan do ta bëj Valbonën shtatkristal
Mbushur në muzg yje dhe hënëza argjend e ar.
Në një bohçe resh ato do t’i bie,
Zdritur me margaritarë e perla dashurie.
BJESHKËT E NEMUNA
Mes bukurive pa cak
të këtyre Bjeshkëve
Shtrirë në madhështi
Si kreshtë e madhe mali
Një pikëpyetje rri ?
“Kush i quajti, vallë, ato
të mallkuara ?
Epiteti “t’ Nemuna”
pse u mbet ?
me shtatë shkronjat
mbi shtatë shkëmbinj
si shtatë korba të zinj ?
Pse , vallë, “t’Nemuna”,
Pse, të truara ?!
Kur duheshin pagëzuar:
Bjeshkët e Bekuara.
V E T Ë R O B Ë R I A
Në qendër të botës vëmë unin tonë
Marrëzisht gënjehemi për përjetësi.
Në kalë të lakmisë etshëm vrapojmë
Për seks, para, pushtet e lavdi.
Tradhti, mëkate, vese e smirë.
Kalit të tyre ia bëjmë tagji.
Lirisë së unit ato i bëhen zinxhirë
Dhe shpirtit tonë - vetëskllavëri.
NDALIMQARKULLIM NË ALPE
Tirani dimër zemërak,
Nga froni i tij në Majë të Hekurave,
Nxorri urdhërin e zi farmak:
“Ndalimqarkullim për banorët e bjeshkëve!”.
Malësorëve ua kumtoi me vetëtima,
Ua përsëriti me gjëmim të rrufeve.
Ortekë lëshoi poshtë në lugina,
Me borë qafëmaleve ngriti ledhe.
Në Çerem, Rrogam, Dragobi…
Njerëzit mbeten në kulla, ngujim.
S’pipëtinte kafshë e egër as bagëti,
Në atë të rreptë ndalimqarkullim.
Valbona shtatkaltër mësyu në betejë,
Iu vërsul ortekëve në luginë.
I shkriu e i zhbiroi tej për tej,
Jetë i dha visores alpine të ngrirë.
TEMPULLI IM
E vërteta, drejtësia,
e njerëzishmja, dashuria.
I shenjti tempulli im
Që i falem me përgjërim.
PËLLUMBAT MBI GJAKOVË
Një tufë pëllumbash të bardhë e të zinj
nën shatërvanin e rrezeve mëngjesore
lodrojnë me reflekset diellore
ulen e ngrihen, rrotullohen gjithë hijeshi.
Një tufë pëllumbash të zinj e të bardhë
Njëri - tjetrin ndjekin fluturim
në qiellin e zgjedhur skenë për vallëzim
një simfoni bukurie luajnë radhë-radhë.
Këtë shfaqje të hyjnishme
E kundrojnë një tufë fëmijë.
E u thonë prindërve me doçkat prej qielli:
- O, babi! O, mami! Shihni ç’mrekulli!
__________
Marrë nga sa-kra.ch
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen