Mittwoch, 12. August 2015

Mevlyde Mezini Saraçi

Mevlyde Mezini Saraçi u lind më 15.12.1954 në Mitrovicë në një familje qytetare me kushte mesatare ekonomike. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, ndërkaq studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Studimet master, Menaxhimi i Emergjencave i kreu ne Kolegjin Universitar “Biznesi” në Prishtinë.
Në aktivitetin politik e humanitar është inkuadruar në vitin 1989. Në muajin mars të vitit 1998, është zgjedhur kryetare e Këshillit Komunal për Ndihma Emergjente në Gjakovë, për të strehuar të dëbuarit nga zonat e luftës dhe për furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në vitin 1998-2000 ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës. Për shkak të aktivitetit të saj politik e humanitar është burgosur nga policia serbe, në Gjakovë më 1 qershor 1998 dhe ka vuajtur dënimin në burgun hetues të Lipjanit deri më 4 dhjetor 1998.  Është gruaja që është ngjitur majë kamionit dhe ka dërguar 62 arkivole në Drenicë, për Komandantin legjendar Adem Jashari, familjarët Jashari dhe të gjithë të rënët në Betejën e Prekazit.
Para se të burgosej ka punuar si mësimdhënëse e gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën fillore “At Gjergj Fishta” në Bishtazhin. Në vitin 2000-2001, ka punuar si zëvendës drejtoreshë në Drejtorinë për teknologji informative në Qeverinë Komunale në Gjakovë. Prej vitit 2001 – 2003 dhe 2006-2007, ka qenë Drejtoreshë e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Gjakovë. Në vitin 2001- 2004 ishte Deputete e Kuvendit të Kosovës. Kurse qe nga viti 2004, është Ambasadore e Paqes Universale në Botë. Ndërsa në vitin 2007, është shpallur Qytetare nderi e Lushnjës. Poashtu, është veterane e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Shkrimtarja dhe veprimtarja Mevlyde Mezini Saraçi është e martuar, ka pesë fëmijë dhe jeton dhe punon në Gjakovë.


Librat e botuara:

  •  “Sytë e Pranverës”- poezi, 2000,
  •  “Ndoshta më s’ka kuptim” , poezi për fëmijë, 2002
  •  “Kur jeta duhej jetuar” 2003, roman
  • “Çelësi është diku larg”, poezi.
  • “When life has to be lived” 2012, roman në gjuhën angleze
  • “Ditëlindja e nënës”, dramë për fëmijë, 2013
  • “Ledhatim pritjesh”, poezi, 2015
  • "Për ty" poezi, 2015
  • “Murana” roman, 2015 
  • “Lot i zemrës “Poezi, 2016 
  • “Ç ‘faj ka vargu”, Poezi, 2017 
  • “Dhembje që vret” Antologji, 2017 
  • “Simfoni jete”, Poezi, 2017 
  • “Këndi shkrimor”, Shkrime letrare, 2018
  • “Oazat e shpirtit”, Poezi, 2018
  • “Përthekim kohësh”, Poezi, 2018
  • “Buzëqeshje e përvajshme “Poezi, 2018
  • “Rrjedha letrare”, Shkrime letrare, 2018
  • “Çdo ditë jete është përvojë”-365 fjalë të urta, 2018




Poezi nga Mevlyde Mezini Saraçi


PLAGË

Ëndrrat e mia plagë rrugëve vrastare
Zgjohen përgjumur në stallat evropiane
Zbrazet shpirti toka e etur loton
Nxihen pritjet vdekjet ngrihen akujve
Shpresë mbetet mashtrimi i shumëtrajtshëm
Bankat sërish zbrazen munguar filizash
Ngremë gishtat nga do shpërlajmë vetën e parë
Deri kur do të kullojnë gjak ëndrrat e mia plagë
Vallë a të bren ndërgjegjja edhe ty



TË NDJEJ

Ti erdhe në mëngjesin tim
Unë shikoj veten në pasqyrë
Duart dridhen gota derdhet
Kudo të kërkoj shpirti im
Ngjitem shkallëve ngadalë
Hapa të lehtë më shoqërojnë
Të ndjej e nuk të shikoj
Një hije prapa më ndjekë
Eja qoftë edhe si hije
Më ndjek me hapa ngadalë
Të ndjej aromën tënde
Dua të përqafoj me mall



PA TITULL

Çdo mbrëmje vdes një pjesë e imja
Në stacionin e pazareve të shpërnguljes
Ankth loti i nënës vaji i fëmijëve
Librat e fletoret në shtëpitë e mbyllura me dry
Para syve të tonë para syve të botës ikin
Ikjet ilegale në formë krejt legale
Dhe sërish mbesin ngjarje dite si lajm
Ku po mbetet gjaku i të rënëve për liri
Kujt po ia hapim rrugën ta përpijë Kosovën
Evropa plakë sërish në skenë me skenar të vjetër



FENIKS

Jam shtrirë në shtrat e pa shpresë
Nuk bëj gjumë fare nga trishtimi
Ju larg atje në rrugët e humbura
Dremisni pyjeve me ëndrra mashtruese
Nuk keni forcë të qani e as të çmendeni
Trishtuar qëllimeve të kota bredhjesh
Pritjesh të reja nga armiqtë e vjetër
Sa e dhimbshme kjo stinë e bardhë
Edhe unë kam njëmijë e një arsye
Të ikë njëherë e përgjithmonë nga lugetërit
Që ma hëngrën edhe kockën e fundit
Ma vodhën lotin e gjakut e të shpresës
Por kurrë nuk do ti stolis barbarët
Të shkelë në rrugët e ndërtuara mbi eshtra
Aty ku janë groposur shqiptarët
Edhe pa bukë e ujë pa shpresën e fundit
Dua të shuhem në tokën time të bekuar
Si feniks të ngrihem shekujve
E ti shikoj si vdesin hajdutët e barkanjozët
Që ushqyen fantazmat e tyre
Me qumështin e foshnjave tona
Kurrë s’u ngopën me gjakun e të rënëve
Duke ia ngrënë edhe themelet Kosovës
Dua të shuhem në tokën time
Feniks të ngrihem shekujve


 

HIJA IME

Mos më kërko kalldrëmeve të bardha
Të buzëqeshur  në mes të rinjsh
Atje vetëm hija ime ka mbetur
Me plaçkat e mija në krah përpëlitem
Qiejve, deteve, autostradave
Nëse të merr malli për një përqafim
Më shiko në reportazhe televizive
Fati im u bë lajm edhe në agjencitë botërore
Kur zgjohesh nga gjumi mos u trishto
Tek dëgjon zërin tim të shteruar përmes telefonit
Dua vetëm të them se fati i keq si lugat po më ndjekë
Maleve, kënetave, e rraskapitur në rrugët pa dalje
Mos u shqetëso nëse jam kryefjalë sot
Nuk ma njeh askush as skamjen as plagët
Sot derdhni lotët rrëke jam shumë e sigurt
Deri dje në heshtje kam ngrënë veten time
Nëse jam në kërkim të vetes mos më akuzoni...
Dashurinë për Kosovën e mbaj në zemër
Bashkë me vuajtjet e mia që nuk m’u ndanë kurrë...



PO E PËRCJELLË JANARIN

Shumë janar ikën lanë gjurmë e pikëllim
Por edhe krenari ndër shekuj
Edhe janarët e mi kurrë nuk do ti harroj
Pa marrë parasysh vitet që ikin
I kujtoj me dhembje e trishtim
Më digjet shpirti nga ngjarjet e hidhura
Asnjë kohë nuk i shlyen ato gjurmë
Mos më detyroni ti harrojë
Në asnjë mënyrë me asnjë çmim
Prandaj kujdes nga janarët që vijnë
Ata edhe kur ikin lënë gjurmë të thella
Në shpirt në mendje, në histori...
Kujdes janarët...



A KA ZEMËR

A ka zemër që rrah
A ka ndjenja dikush
A ka sy në këtë vend
Për të parë tmerrin



YLBER PRITJESH

Nëse malli e dashuria më degdisë
Hidhërimin mos ma falë kurrë
Jeta merr krahët e pritjes  në ëndrra
Kam vdekur në pikë të ditës së hënë
E jam ringjallur sërish natën me hënë
Shpresat më jam kthyer në ëndrra
Në ylber pas shiut pranveror
Në lum kur vapa shkrumbon natyrën
Në strehë pritjesh dëshirave të humbura
As plumbi nuk më vret dot
Nga fjala e rëndë plagët kullojnë
Ti pritjen time mos ma lëndo



DIELL QË NGRINË

Acari ngrinë edhe pse dielli ngroh
Në bardhësinë e zymtë të këtij dimri
Përjashta heshtje varri mungojnë shumë njerëz
Brenda frymojmë mes bisedash  lajmesh kronikash
Kolonat nuk ndalen vaji i fëmijëve trishton
Bota ime humbi diku maleve kënetave
Më vret heshtja e akademikëve të fjetur
Dëgjoj analiza të zbehura të pseudo analistëve
Gënjeshtrave të veta fillojnë tu besojnë
Evropa hap e mbyll sytë bën projekte kundër nesh
Dëshmi e shekujve të përvuajtur në histori
Në vendin tim barazohet krimineli
Që ndan padrejtësi në pallatet e drejtësisë
Shtetarët pa ndjenja bëjnë shëtitje rrugëve të boshatisura
Mësueset qajnë nga trishtimi për nxënësit e munguar
Bankat e zbrazura më kthejnë në historinë e viteve ‘90
Sërish me lot në sy nënat e vetmuara në vatrat tona
A mban përgjegjësi për popullin dikush në këtë vend


 

VRAPIM KOHE

Pres pritjen time të plakur agut të mëngjesit
Rrugët plotë rrudha  natyrë e heshtur
Lule të bardha të kuqe të verdha të venitura
Gërryhet mosha fryma ndalet në vrapim kohe
Ata ikin të dërmuar bartin  peshën e dhimbjes mbi supe
Malli ua djegë damarët e vendlindjes
Dikush loz vallen e shtrigave para syve tanë
Pse gjithë kjo heshtje mungesë ndjenjash



DASHURIA NUK ZGJAT VETËM NJË DITË

Dhe pse të them të dua vetëm një çast
Më vjen me duar plotë e zbrazur ndjenjash
Me atë shikimin përvëlues ti syrin ma shkelë
Tek të shikoj të humbur me sjelljen tënde të ç’rregullt
E kuptoj sot kryen për sytë e botës një obligim
Të dua çdo sekondë të jetës të dua pa dhuratë
Dua të jem zonjë çdo ditë pa asnjë çmim
Ato lule të vyshkura në duart tua nuk shfaqin dashuri
Në ty shoh burrërinë që zgjat sa një shikim në pasqyrë
Dashuria ime je vetëm ti jo rrobat lulet parfumet
As buzëqeshja jote  e fshehur nën kozmetikë
Dashuri është jeta ime me ty çdo ditë natë e vit
Qetësia shpirtërore harmonia dashuria dëshira
Mbesin ëndërr e imja në kthetrat e një ditë


MOS UA NDAL VRAPIN

Kur rrezja nxjerr shikimin në horizont
Mos mi vrit ëndrrat e mia të blerta
As ditët mos i bën pronë pritjesh
Lëri filizat të hedhin hapin e tyre brigjeve
Vrapin le ta bëjnë të buzëqeshur



ERRËSIRA FLET

Hëna unë dhe errësira u bëmë miq të mirë
Pa penguar qamë hallet e problemet e jetës
Pranvera tinëzisht përkëdhelë varfënjakët e sfilitur
Ua premton freskinë e ëmbël në marsin e bekuar
Duart tona dridhen ngrica lëshon perden
Akrepat e orës ndërrojnë vetëm numrat
Jeta zhvillohet pa hetuar ikjen e moshës
Qetësisht zbardhë agu lakuriq puth horizontin
Shpresat buzëqeshin me dhëmbët e zverdhuar
Sy humbur shkëlqimin presin në ankth  marsin
Të qara të qeshura zhurmojnë qytetin
Lind ditë e re zemra të reja të vjetra pëlcasin



Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen