Donnerstag, 23. Mai 2013

Ali Pashë Tepelena

Sundimtar i fuqishem feudal ne Shqiperine Jugore, themelues i Pashallekut faktikisht autonom te Janines, kryengrites kunder pushtetit te Portes Osmane ne Shqiperi. Lindi ne Tepelene ne nje familje feudalesh ushtarake dhe u dallua shume shpejt per aftesite e tij dhe per energjine me te cilen ndoqi planet e veta ambicioze per tu bere sundimtar i vetem i vendit duke perdorur gjithe mjetet, dhunen, dinakerine, po aq sa edhe lidhjet familjare me feudalet e tjere vendas. Me 1784 fitoi graden e Pashait si komandant ushtarak prane Valiut te Rumelise ne Sofje. Po kete vit siguroi me lufte qeverisjen e sanxhakut te Delvines. Ne vitet 1786-88 u be derbendpashe dhe qeveritar i Sanxhakut te Terhalles (Thesali) dhe shtiu ne dore, sidomos me perkrahjen e borgjezise zejtare-tregtare te vendit, qeverisjen e sanxhakut te rendesishem te Janines, duke shtrire keshtu pushtetin e vet mbi Epirin dhe nje pjese te trojeve jugore shqiptare.
Sundimtar i fuqishëm feudal në Shqipërinë Jugore, themelues i Pashallëkut faktikisht autonom të Janinës, kryengritës kundër pushtetit të Portës Osmane në Shqipëri. Lindi në Tepelenë në një familje feudalësh ushtarakë dhe u dallua shumë shpejt për aftësitë e tij dhe për energjinë me të cilën ndoqi planet e veta ambicioze për t'u bërë sundimtar i vetëm i vendit duke përdorur gjithë mjetet, dhunën, dinakërinë, po aq sa edhe lidhjet familjare me feudalët e tjerë vendas. Më 1784 fitoi gradën e Pashait si komandant ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Po këtë vit siguroi me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës. Në vitet 1786-88 u bë derbendpashë dhe qeveritar i Sanxhakut të Tërhallës (Thesali) dhe shtiu në dorë, sidomos me përkrahjen e borgjezisë zejtare-tregtare të vendit, qeverisjen e sanxhakut të rëndësishëm të Janinës, duke shtrirë kështu pushtetin e vet mbi Epirin dhe një pjesë të trojeve jugore shqiptare.

Si pronar i madh tokash, sipërmarrës i taksave shtetërore, si pjesëmarrës aktiv në veprimtari tregtare dhe duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj po dhe të borgjezisë tregtare, të cilën e bëri për vete me një politikë tolerance të gjere fetare, Ali Pashë Tepelena mënjanoi përkrahësit e pushtetit qendror osman dhe «tiranët e vegjël» si shkaktarë të anarkisë feudale në vend. Ai i shëndrroi kështu trevat e përfshira nën sundimin e tij në një formacion shtetëror në fakt autonom, që dallonte nga viset e tjera të perandorisë për nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor. Janina u bë një qytet nga më të rëndësishmit dhe më të begatë në viset Perendimore të Ballkanit, qendër e tregut ndërkrahinor të Rumelisë Jugore, qe përfshinte edhe një varg krahinash të Shqipërisë, një vatër arsimore dhe kulturore ku filloi të përdorej përveç greqishtes si gjuhë shkrimi dhe shqipja. Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës etj. dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin.
Pashallëku i Janinës u bë një faktor me rëndësi ndërkombëtare në kushtet kur forcat franceze e ruse që ishin vendosur në Ishujt Jonianë si dhe Anglia, drejtuan vëmendjen e tyre ndaj sundimtarit të fuqishëm shqiptar dhe krijuan lidhje direkte diplomatike me të, duke kapërcyer Portën. Ali Pashë Tepelena ishte bërë kështu një sundimtar faktikisht i pavarur, por gjithmonë i kujdesshëm, për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror, duke pritur një moment të volitshëm për t'u shkëputur prej këtij.Orvatjet e Ali Pashë Tepelenës për të krijuar në vitet 1812-1819 një besëlidhje me sundimtarët feudalë të Shqipërisë së Veriut e sidomos me Bushatllinjtë me qëllim që të përballonin bashkërisht politikën centraliste të filluar nga Sulltan Mahmuti II, nuk dhanë rezultat. Rivaliteti midis Vezirit të Janinës dhe atij të Shkodrës e shpuri Mustafa Pashë Bushatlliun të merrte haptazi anën e Portës, kur kjo filloi të mente masa ushtarake kundër qeveritarit të Janinës, që ishte bërë tashmë tepër i rrezikshëm dhe po tregonte haptazi synimet e tij për t'u bërë i pavarur nga Porta.
Në vitet 1820-1822 Ali Pashë Tepelena filloi luftën për mbrojtjen e vendit nga sulmi i forcave të Perandorisë Osmane dhe me këtë filloi faza më e lartë e veprimtarisë së, sundimtarit shqiptar për të shkëputur zotërimet e veta nga vartësia e Perandorisë.
Ai ndihmoi për këtë qëllim edhe lëvizjet çlirimtare të popujve ballkanas e sidomos kryengritjen e popullit grek, së cilës i dha ndihmë të madhe si në vitet e përgatitjes, ashtu edhe gjatë vitit të parë të zhvillimit të saj. Por aleanca luftarake e lidhur me kryengritësit grekë të Etolisë e Akarnanisë nuk mundi të zhvillohej më tej, ajo u sabotua nga krerët e kësaj lëvizjeje.
Megjithëse forcat e Ali Pashë Tepelenës në këto kushte u ndodhën vetëm përballë ushtrive osmane që u dërguan kundër Pashallëkut të Janinës, Ali Pashë Tepelena i bëri ballë rrethimit për një vit e gjysmë. I braktisur më në fund edhe nga të bijtë dhe sundimtarë të tjerë krahinorë, Ali Pashë Tepelena bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar në një ishull të Liqenit të Janinës, u vra më në fund me të pabesë.
Politika e Ali Pashë Tepelenës që synonte autonominë dhe bashkimin e krahinave shqiptare nën sundimin e pashallëkut të Janinës, më në fund dhe lufta e tij e hapur kundër sulltanit, e thelluan më tej hendekun midis shqiptarëve dhe sundimtarëve osmanë dhe ndihmuan për të përgatitur truallin për një etapë të re më të lartë të lëvizjes çlirimtare antiosmane të popullit shqiptar për Rilindjen Kombëtare.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen