- Rrëfim i Shahin Dardhishtës, civil plagosur nga minat që kishin vënë ushtarët serbë në fshatin Kërbliq të Kaҫanikut
Isha në Kaҫanik dhe me të hyrë ushtarët e UҪK-së dhe të forcave të NATO-s në qytetin tonë, ndjeva një siguri që nuk e kisha ndjerë kurrë më parë dhe vendosa të shkoja në fshatin tim, në Kërbliq, për të parë si ishte gjendja atje dhe ҫka kishin bërë serbët me pasuritë tona e me ndonjë të mbetur, pas largimit tonë me dhunë. U tregova familjarëve dhe u nisa. As në mend nuk më shkonte se fshati mund të ishte i minuar dhe eca deri te oborri im pa asnjë mendim të keq, duke e parë kudo shkretimin e madh që kishin lënë pas pushtuesit serbë e duke parë njëkohësisht harlisjen e pranverës kudo, gjelbrimin që kishte vërshuar e gjallërinë kudo të pranishme, gjëra këto që të bënte të të dukeshin edhe më të lëna shkret ato ara djerrë, ato gjerdhe të rrëzuara, ato ferra që ishin rritur kudo. Befas ndjeva si si shungulloi wdo gjë rreth meje dhe u rrëzova. Këmba ime ishte shkurtuar nga plasja e minave e gjaku po më shkonte me currila. Mendova se mos ishte kush afër e kishte dëgjuar plasjet, por kush nuk u bë i gjallë. Thirra e nuk m’u përgjegj kush. E kuptova se isha fill i vetëm, me fatin tim dhe e vetmia mundësi të shpëtoja ishte të përmbahesha e të gjendesha si të mundesha. Duke u zvarritur shkova deri te shtëpia, ku mora disa lecka e pastrova plagën, mandej e shtëngova më lart plagës që të ndalej gjaku dhe u ula ne balkonin e shtëpisë e u mora me dhembjet e mia, me gjakun që po humbisja, me kohën që nuk kalonte kurrsesi. Orët më bëheshin të gjata, dita e pafund, terri tmerr, as mund flija e as isha plotësisht zgjuar. Ditën e dytë kisha dhembje të padurueshme, kurse ditën e tretë këmba filloi të qelbej dhe vërshuan krimbat. E mora një peshqir dhe i largoja, po ata sikur shtoheshin edhe më shumë. Kudo rreth meje lëviznin krimba, krima, vetëm krimba. Isha në gjendje të rëndë, po nuk dorëzohesha dhe kisha besim se nga dikah do të më vinte ndihmë, se do të shpëtoja. Dhe, në mëngjesin e ditës së pestë e pash babain që po vinte drejt meje dhe sikur e kishte humbur mendjen. I bërtita të ndalej e të kishte kujdes, sepse kudo kishte mina e mund të lëndohej e të vritej dhe ai u step. I thash të kthehej prapa me sa më shumë kujdes e të kthehej në Kaçanik dhe të kërkonte ndihmë, se ashtu si ishte me duar në xhepa, edhe po të vinte te unë, nuk më ndihmonte gjë. Babai më kuptoi e pas një kohe humi nga shikimi im. Më vonë mora vesh se ishte kthyer në qytet dhe kishte treguar për gjendjen time dhe i kishin thënë të shkonte në shtëpinë e Shëndetit. Ai kishte shkuar me të shpejtë atje dhe e kishte paraqitur gjendjen time dhe rrezikun për jetë, në të cilin ndodhesha. Ato ditë sapo kishte filluar puna e mjekëve dhe atë ditë në punë ishin Dr. Bejtush Jaha, ndihmësmjekja Gyltene Troni e disa të tjerë. Të gjithë e kishin kuptuar situatën dhe rrezikun në të cilin do të gjendeshin duke ardhur tev unë. Po ata as ishin hamendur,por kishin vendosur të vinin për të më nxjerrë nga aty e për të më mjekuar plagët. Por, nuk kishte automabulancë e as mjete të duhura për bartjen e një të plagosuri ashtu si isha unë. Kishin kërkuar një veturë dhe ishte paraqitur me makinë Enver Axhami dhe kishte thënë se ai edhe do ta drejtonte makinën. Ishin nisur me të shpejt dhe kur kishin hyrë në Kërbliq, Enveri kishte nisur të shikonte me vëmendje se ku po kalonin. Si duket Enveri e dinte se fshati ishte i pothuaj tërësisht i minuar, por nuk u kishte treguar mjekëve, sepse mendonte se ata do të shqetësoheshin gjatë rrugës dhe se kjo do ta vështirësonte tërheqjen time. Kur hynë në rrugën drejt shtëpisë sime, u bëra shenjë të ndaleshin e të vinin me kujdes. Më vonë, kur u hoqën minat nga aty, e pamë se vetura ishte ndalur mu mbi një minë antitank. E pashë se mjekëve po u dukej e mirë gjendja ime shëndetësore dhe sikur nuk po e besonin se kisha humbur këmbën. Vetëm kur erdhën pranë dhe panë këmbën e shkurtuar, gjakun rreth e rrotull dhe gëlimin e krimbave, e kuptuan realisht se çka kishte ndodhur. Nisën të ma pastronin plagën me të shpejtë, më dhanë barëra kundër dhembjeve e kryen të gjitha ato veprime që mund të bëhshin aty dhe më bartën në veturë e u nisëm. Tek atëherë e pashë se me mjekë ishte edhe vëllai im, Tefik Dardhishta. Kur do ti, nuk kishim bërë as disa kilometra e vetura mbeti pa karburant. Vëllai im u nis për në Kawanik dhe ne e pritëm aty edhe disa orë. Në Kaçanik arritëm pasi kishin kaluar 12 orë nga nisja e mjekëve për te unë. Me të arritur në Kaçanik, doktor Bejta e motra Gyltene më shtruan në një tavolinë dhe më risanuan plagët e mandej njoftuan KFOR-in amerikan për gjendjen time. Ata erdhën shpejt me helikopter e më dërguan në sptalin që kishin ngrehur në Ҫegran të Gostivarit, ku më amputuan këmbën. Për shkak se kisha patur infektime, këmba më është amputuar edhe dy herë më pastaj dhe tashti jam mirë e me familjen time, me shoqërinë time. Dhe u jam shumë mirnjohës ekipit të mjekëve që rrezikoi aq shumë për mua dhe ish kryetarit të Kaçanikut, Xhelal Gashit, i cili u angazhua shumë rreth shërimit tim.
___________
Për "Ora shqiptare", Rrahim Sadiku
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen