Sonntag, 9. Juni 2013

Pishtari i arsimit shqip në diasporë

Shkruan Nexhmije Mehmetaj, mësuese

Portrete të një pedagogu

Prof. dr. Shefik Osmani dhe pedagogjia e mësimit plotësues të gjuhës shqipe jashtë atdheut
Prof . dr. Shefik Osmani është dijetar i madh, pedagogë përparimtar, didakt i shquar, promotor dhe drejtues i zgjedhur shkencor - pedagogjik i shkollës shqipe jashtë atdheut. Natyrisht se pohimet e këtilla kanë mbështetje mbi fakte dhe vepra të tij.
Prof. Dr. Shefik Osmani i lindur në Shkodër 1923. Në këtë qytet me tradita arsimore e atdhetare u dha i tëri, që fëmijë, pas “dritës së diturisë” është Laureat i çmimit të Republikës. Ish drejtor i shkollave pedagogjike në Shkodër, Peshkopi, Tiranë. Inspektor pranë Ministrisë së Arsimit dhe të kulturës, punonjës shkencor në ISP, publicist.. Shefik Osmani ka shkruar e botuar shumë. Ç'është e vërteta nuk janë pak 40 tituj të fiksuar në bibliografinë e tij shkencore.
Kur të shkruhet historia e diasporës shqiptare, krahas me shumë pedagogë të shquar që janë marrë me rëndësinë e gjuhës amtare larg atdheut apo me mësimin e gjuhës shqipe tek brezat e rinj, një vend nderi i takon pa dyshim prof dr Shefik Osmanit.
Shkolla e parë shqipe e pavarur në Zvicër zë fill në vitin 1990 në kantonin Glarus, me mësuesen Drita Krasniqi, për t’u përhapur më vonë anembanë Kantoneve të Zvicrës. Përparime në këtë drejtim ishin arritur sidomos gjatë vitit 1994/95 shkolla shqipe jashtë atdheut është e organizuar në 14 shtete të botës: në Gjermani, Zvicër, Francë, Angli, Austri, Suedi, Norvegji, Holandë, Danimarkë, Finlandë, Belgjikë, Luksemburg, SHBA dhe në fillim të punës në Kroaci” Dr. Muhamet Bicaj. Për organizimin e shkollës shqipe Ministria e Arsimit e Qeverisë së Republikës së Kosovës kishte përgatitur gjithçka të nevojshme: Plan-programin, dokumentacionin shkollor (regjistri, dëftesa, libreza nxënësish) tekstet shkollore udhëzime didaktike të hartuara dhe vënien në jetë të të cilit, prof dr. Shefik Osmani ka qenë promotor dhe drejtues i zgjedhur shkencor pedagogjik. Ai theksonte rolin shoqëror e pedagogjik të shkollës dhe edukatës për mes gjuhës amtare në kushte dygjuhëshe. Prandaj, edhe vetë shkolla duhet t’u shërbejë nevojave dhe progresit të shoqërisë.
Rëndësia e gjuhës amtare dhe roli i saj në përvetësimin e një gjuhe tjetër u bë objekt hulumtimi edhe nga pedagogë evropianë, si: dr. Rudolf de Cillia në Austri, dr.dr. Basil Shader në Zvicër, dr. Katrin Hohman në Gjermani etj. Në këtë frymë u paraqit edhe mendimi pedagogjik e didaktik i prof Shefik Osmanit, në artikullin “Teknologjia didaktike dhe mësimi shqip në diasporën e re” shkruan “Shkollat e mësimit plotësues janë një dukuri e re në fushën e arsimit botëror, janë shtojca të shkollave të rregullta vendëse, por që mbarështohen me kurrikula të veçanta - të ngritura mbi bazën e të drejtave ndërkombëtare për arsimimin e fëmijëve refugjatë të punonjësve të huaj, që zakonisht emigrojnë si fuqi punëtore në vendet e zhvilluara, ku formojnë enklavat e tyre”.

Abetarja e parë e shqipes
Mbi 15 vite bashkëpunoi me organizatorë të mësimit plotësues, mësues e intelektual të diasporës për hartimin e një varg tekstesh shkollore me bashkautorësi u shërbyen nevojave shkollore në mësimin plotësues, si burim i rëndësishëm i diturisë janë: “Plotësori i abetares”,dhe në bashkautorësi “Zemra ime” për klasat (I-II-III) “Shkollë e jetë” për klasat IV-V-VI, “Leximi im” së bashku me fletore pune, teksti “Fjalë pas fjale”, “Fjalor me figura”etj. Siç shkruan edhe vet ai se “ Shkolla Shqipe e Mësimit Plotësues është një hallkë e re në sistemin tonë arsimor për veçoritë që ka në krahasim me shkollat e tjera të rrjetit arsimor nga përbërja e nxënësve me origjinë fshatare e qytetare, me prurje dialektore në ligjërim dhe nivele të ndryshme njohurish. Ajo dallon edhe nga shkollat publike e ato private. Kjo shkollë shkruan ai, - i përgatit nxënësit në drejtim të përvetësimit të gjuhës amtare shqipe dhe vlerave të saj artistike e shkencore, të njohjes së historisë së shqiptarëve, karakteristikave kryesore të gjeografisë së vendlindjes të të parëve të tyre dhe njohjes së disa tipareve të artit popullor, që është përpunuar në truallin tonë. Kjo shkollë mësimin e zhvillon njëherë në javë mbi bazën e klasave të bashkuara (I-X), u përshtatet rrethanave ku ndodhet dhe kushteve që kanë nxënësit në mesin dy gjuhësh.
Për rolin e edukatës dhe shkollës bën fjalë në shkrimin “Roli dhe perspektiva e shkollës shqipe të mësimit plotësues në diasporë”ndër të tjera shton:
” Roli i shkollës në këto momente mbetet në epiqendër. Ajo e mëson, aftëson, e përgatit brezin e ri me dije, me shprehi, me aftësi që kur nxënësi të mbarojë klasën e nëntë të jetë një njeri i mësuar, një bamirës, në atdhetar i përgatitur, një person i edukuar në frymën e idealit kombëtar.
Si pas tij angazhimi i mësuesve kushtëzon mbijetesën e fizionomisë kombëtare të brezit të ri shqiptarë të kësaj diaspore, traditat e së cilës: gjuha shqipe, doket e zakonet tona ruhen, trashëgohen dhe transmetohen, “..nëse do të funksionojnë si duhet shkollat tona, nëse në kuvende në vatra familjare, në mjediset e shkollës do të mbizotërojë gjuha shqipe, nëse do të kumbojë kënga shqipe. Ai komb që ka në dorë arsimin siguron të ardhmen e vet. Dhe e ardhmja sigurohet me përgatitjen e brezit të ri për kthim në vendlindje.
Shkolla është një institucion shtetëror që përfshinë të gjithë nxënësit shqiptarë pa dallim krahine, pa dallim ideje e feje. Shkolla dhe mësuesi i edukojnë nxënësit që të miqësohen me njëri tjetrin, ta ndihmojnë njëri tjetrin, ta përkrahin njëri – tjetrin, së bashku ta lartësojnë emrin shqiptar, të mishërojë kudo nderin shqiptar, ta përfaqësojë kudo kulturën shqiptare dhe popullin shqiptar triumfues mbi dhunën, mbi forcën, mbi barbarët.

Shkolla shqipe është institucion i depolitizuar
Ajo është institucion kombëtar. Mësuesi personifikon personazhin numër një. Të mësuesi prindërit shohin edukatorin e fëmijës së tyre ,shohin zëvendësin e tyre që i mbulon me kujdes e dashuri të gjithë fëmijët e tyre pa asnjë dallim, pa asnjë iluzion tjetër. Shkolla është vatër e patriotizmit shqiptar, qendra e kulturës kombëtare shqiptare, institucion ku kalitet shkenca e gjuhës shqipe, shkenca e historisë dhe gjeografisë etnike, punishtja e botës së artit shqiptar, prezantuesja e figurave të shquara shqiptare.
Ne intelektualët e Shqipërisë që na drithërohet zemra për të ardhmen e kombit “qëndrimin tuaj patriotik e shohim me kryelartësi, tubimet tuaja me krenari, shkollat tuaja me admirim të madh.
Shqiptarët e mëdhenj nga Kosova si Ymer Prizreni, Hasan Prishtina, Isa Boletini etj etj le të na shërbejnë si shembull se si duhet kombi dhe gjithçka kombëtare.”

Ndërsa në artikullin “Gjuha jonë është e bukur “ i këshillon prindërit:
“E pra, fëmijët tuaj nëse nuk ndjekin shkollën shqipe, nëse prindërit kënaqen vetëm me mësimin në gjuhën e huaj dhe nuk i dërgojnë fëmijët në shkollën shqipe të mësimit plotësues, nëse mësuesve shqiptarë u mungon vokacioni kombëtar dhe ai profesional këto të fundit shkallë – shkallë do të humbin gjënë më të shtrenjtë që ka çdo njeriu Gjuhën amtare. Humbja e gjuhës amtare dobëson marrëdhëniet me vendlindjen. Atdheu i dytë zë vendin e atij të parit. Vendlindja e prindërve, përkatësisht atdheu i parë mbetet vetëm në kujtesë sa për të treguar origjinën.

Ai gjithnjë mendonte se si të përparojnë nxënësit shqiptarë në shkollat e vendit ku ata kanë vendosur të jetojnë. “Nxënësit shqiptarë padyshim se duhet integrohen në shoqërinë pritës së bashku me gjuhën shqipe, duke ditur shqipen ata do të mësojnë një gjuhë tjetër më mirë” Ai theksonte rolin shoqëror e pedagogjik të shkollës dhe edukatës për mes gjuhës amtare në kushte dygjuhëshe.

Burimi: "Bota sot" 21.02.2102 (Faqja online)

Keine Kommentare:

Kommentar posten