Sonntag, 9. Juni 2013

Zef Gjidoda

ZEF GJIDODA, LUFTËTAR I DEKADAVE

1878 -1948

Populli shqiptar përjetoi një histori të trazuar, e cila ka kaluar nëpër kapercej të ndryshëm kohor. Atë e kanë përshkruar momente të hidhura të jetës dhe veprimtarisë. Shprehja e ndjenjave dhe frymimit të lirshëm ka munguar në të dy anët e kufirit. Vendin e personazheve të historisë shqiptare e kishin zënë personazhet e historisë joshqiptare. Ato qasje, si të tilla ndrydhnin vullnetet e kalluara për liri dhe të drejtën njerëzore. Një ndër personazhet historike që nuk e kanë zënë vendin e merituar në historinë tonë kombëtare është Zef Gjidoda.
I lindur me 1878 në fshatin Plankçor të
Gjakovës, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Zefi qe në moshën fëminore e skaliti shtatin nëpër fusha të fshatrave të Gjakovës. Kënga baritore i dhuroi ëmbëlsinë shpirtërore, forcën, etjen dhe dëshirën për liri. Edukata e shëndoshë kombëtare që e mori nga babai Marku dhe axhallarët ndikoi tek ai që të bëhet pjesë e kryengritjeve të shumta shqiptare, frymëzues dhe udhëheqës i tyre së bashku me shokë që e kishin ideal lirinë dhe pavarësinë.
Lufta e tij fillimisht nis me turkun kur ishte në moshë fare të re, por tek ai ishte skalitur tani me urrjetja ndaj armikut.



Përkrah Isa Boletinit, Bajram Currit dhe Sadik Ramës

Sipas të dhënave të gazetës “Vardar” të Shkupit të datës 18 janar 1909 dhe 11 mars 1909 Zef Gjidoda së bashku me Çelin e Lukës gjendën në ballë të njësitit me rreth 400 luftëtarve të besimit katolik qe atdhetari Atë Engjëll Palaj i kishin përgatitur dhe dorëzuar në komandën supreme të Isa Boletinit.
Në Kuvendin tek Verrat e Llukës u mblodh paria e Kosovës dhe Kuvendi e zgjodhi kryetar të forcave të armatosura Isa Boletinin. Ai e dha kushtrimin e Kosova u ngrit në këmbë me armë në dorë të çlirojë atdheun. Ne këtë kuvend ishte edhe Zef Gjidoda me trimat e tij. Këtë e dëshmon edhe revista “Leka” botuar në Shkodër ku ndër të tjera thekson: “Fandsit e nahijës së Gjakovës, të Pejës e Prizrenit nuk iu ndanë Bajram Beg Currit. Zef Gjidoda, Pjetër Çeli e Zefi i Vogël nuk largohën kurrë, janë gjitherë të gatshëm për shkado dhe bajnë kudo trimërira të mëdha.” E njëjta revistë në artikullin “Vllaznimi i elementave” thekson se: “Fandsit e Kosovës nën prije të Zef Gjidodës, Pjetër Çelit e të Zefit të Vogël trima me za luftuan përherë e luftojën përkrah Bajram Currit.” Këta kryengritës u dhanë konzujve të Fuqive të Mëdha në Shkup një memorandum. ”Gjatë periudhës së sundimit tëAustrohungarisë 1915-1918 Zef Gjidoda u shpërngul nga fshati Plankçor i Gjakovës dhe u vendos në fshatin Videjë në afërsi të Klinës. Arsyet për shpërngulje ishin kryesisht ekonomike. Pas humbjes së luftës nga Austro-Hungaria filloi rezistenca e shqiptarëve kundër vendosjes së pushtetit serb. Pushteti serb filloi ndjekjet kundër prijësve shqiptarë, të njohur edhe më parë si luftarë të dalluar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në mesin e tyre padyshim që
edhe Zef Gjidoda, i cili u detyrua që së bashku me familje ta braktis fshatin Vedejë.
Gjatë kryengritjes së vitit 1919 Zef Gjidoda ishte zëvendës i Sadik Ramës dhe ishte udhëheqës i çetës së Lugut të Drinit e për këtë kënga popullore thotë:



“Bash si llava tue shkue pas tij
 Lugu i Drinit treqind shtëpi
Zef Gjidoda tu u pri.”

Pas shuarjes së kësaj kryengritje Zefi vepron vazhdimisht me shokët kurse familjen i kishte të vendosur në Laç të Shqipërisë së bashku me një pjesë të familjes Gjidoda. I bindur se çmimi më i lartë ai i lirisë, Zefi do të jetë përkrah shokëve në Zonën neutrale të Junikut dhe do të qëndrojë me armë në dorë gjer në shuarjën e lëvizjes çlirimtare. Zefi fjalën e drejtë e kishte metodë mbi metodat. Kishte qëndrim konsekuent e të barabartë për të gjithë, për të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, për treva e konfeksione. Këtë e dëshmojnë më së mirënjerëzit
që e njohën në të dy anët e kufirit.


Rikthimi në Kosovë

Me dhimbje në zemër dhe mall Kosove Zefi do të qëndroi i vendosur në Laç gjer në vitin 1941. Kthimi ishte i pamundur, sepse patriotizmi i tij dhe familjes së tij nuk kishte si të mos ngjallte urrjetjen ndër sllavë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri vazhdimisht fliste rreth mundësisë së çlirimit të Kosovës, kurse në një rast një Laçjan i thotë: “Ti Zef kokën në Shqipëri e trupin në Serbi”, ndërsa Zefi i përgjigjet: “Me trup zemër e kokë jam në Kosovë, e as në Serbi e as në Shqipëri njëherë”. E ardhja e vërtetoi qëndrimin e Zefit, ngase vërtet, u kthye në Kosovë në vitin 1941, në periudhën e sundimit italian. E ardhmja e hapi një epokë tjetër të ndritshme të këtij luftëtari të shquar në favor të çlirimit të atdheut. Ai u kthye prapë në Kosovën e tij të dashur dhe u vendos me familje në fshatin Vedejë.
Si zakonisht tashmë Zefin do të gjejmë me pushkë në dorë përkrah Ndue Perlleshit, prof. Ymer Berishës, Ukë Sadikut, të cilët i kishin rrokur armët në dorë kundër pushtuesit serbo-malazez.
Në takimin e madh të ilegalës shqiptare që filloi punën më 24 gusht të vitit 1945 në fshatin Dobërdol të Klinës në mesin e krerëve të lëvizjes ndodhej edhe Zef Gjidoda.

Nga ky takim ku u vendos që Ukë Sadiku ta udhëheqte sektorin ushtarak, kurse profesor Ymer Berisha atë politik i cili ishte iniciator ideor dhe krijues i organizatës “Besa kombëtare” Organizata politike-patriotike “Besa Kombëtare” kishte një strukturë organizative që iu kishte përshtatur kushteve dhe rrethanave në të cilat vepronte. Ishte bërë prezentimi i udhëheqësve politikë e ushtarak në 15 rrethe, gjersa Zef Gjidoda dhe Ndue Perlleshi ishin caktuar për rrethin e Pejës.
Më 22 tetor 1945 profesor Ymer Berisha në emër të organizatës “Besa Kombëtare” i dërgon gjeneralit anglez Hadsonit një letër ku e informon mbi situatën e rëndë në Kosovë dhe masakrimet e bëra nga ana e serbëve. Si anëtar i këshillit të kësaj organizate kjo letër do të nënshkruhet ndër të tjerë edhe nga Zef Gjidoda.


Përkrah Isa Boletinit, Bajram Currit dhe Sadik Ramës

Në mbarë lëvizjen çlirimtare Zefi gëzonte autoritet të jashtëzakonshëm. E nderonin të gjithë si veteranin e lëvizjes i cili me dekada kishte qëndruar me armë në dorë në kërkim të lirisë dhe bashkimit kombëtar. Dallohej për tolerancë në bashkëbisedime, por për çështjen kombëtare ishte shumë këmbëngulës dhe nuk bënte asnjë lëshim.Nderohej dhe ndihmohej posaçërisht nga trimi i Lugut të Drinit Ndue Perlleshi. Tani më tek udhëheqësi luftarak që kishte qëndruar në ballë të shumë betejave përkrah krerëve më të shquar të kombit kishte filluar të rëndonte pleqëria. E kishte shumë të vështirë në moshë të thyer t’u përballonte kushteve të vështira të luftës.
Përkundër dëshirës që të qëndronte përkrah shokëve në ballë të luftës mundësitë e tij shëndetësore ishin të kufizuara. I këshilluar nga shokët e tij e sidomos nga Ndue Perlleshi, Zefi vendosi të largohet nga Kosova për në Shqipëri.
Vdiq në fund të tetorit të vitit 1948. Reputacioni i tij në masë ishte shumë i madh. Këtë e ka dëshmuar masiviteti i njerëzve gjatë ndarjes së fundit nga ai, edhe pse për pushtetin ishte i padëshirueshëm. Vepra e tij do të jetësohet vetëm me ngadhnjimin e demokracisë. Raspodi popullor në të dy anët e kufirit do t’i këndojë këngë për veprat madhore.Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Sali Berisha, në janar të vitit 1993, do ta dekorojë Zef Gjidodën me urdhër për veprimtari patriotike të klasit të parë (I) si:
“Udhëheqës, propagandues e luftëtar për mbrojtjen e trojeve nga pushtuesit, ripushtuesit, duke qenë shembull në luftën për pavarësi e çlirim”.

Andaj nëse nisemi nga thënja e Pitagorës se: “nga 1-20 vjet njeriu është fëmijë, nga 20-40 i ri, nga 40-60njeri i vërtetë, dhe nga 60-80 plak” atëherë lirisht mund të konkludojmë se Zef Gjidoda tërë jetën e tij nga fëmijëria gjer në pleqëri e kaloi në mbrojtje të idealeve kombëtare dhe të Kosovës me armë në dorë, pa pasur kohë për të shijuar fëmijërinë, rininë, pjekurinë e pleqërinë.

Autor i këtij shkrimi është Lush Culaj

Keine Kommentare:

Kommentar posten